• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vlerat e luftës së UÇK-së janë vlera të të gjithë shqiptarëve

April 2, 2015 by dgreca

*Intervistë me ish komandantin e UÇK-së, dhe më vonë komandant i Batalionit Atlantiku me luftëtar nga Amerika – Shoqatës “Atlantiku”, z. Gani Shehu/
*Shehu : “Popujt e tjerë kudo nëpër botë krijojnë heronjë dhe mite nganjëherë edhe pa i pasur, kurse ne i kemi dhe nuk i çmojmë dhe vlerësojmë sa duhet .Vlerat e luftës së UÇK-së janë vlera të të gjithë shqiptërve dhe si të tilla ato do të duhej mbrojtur me fanatizëm nga i gjithë populli dhe sidomos nga institucionet, por jo me fjalë, por me veprime konkrete”/
Intervistojë Beqir SINA/

NEW YORK : 16 vjet më parë, u nisën në luftën çlirimin e Kosovës, grupi i vullnetarve nga Amerika, Batalioni Atlantiku, me bijë e bija të shqiptarëve të Amerikës, cilët iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe që luftuan për ndalimin e spastrimit etnik dhe çlirimin e Kosovës më 1999-të, së bashku me forcat e SHBA-ve dhe NATO-s, kundër forcave serbe në Kosovë.
Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe më vonë komandant i Batalionit Atlantiku – i cila tani mban emrin Shoqatës “Atlantiku” në SHBA, z. Gani Shehu, në një intervistë të posaçme me gazetarin e Bota sot,, Beqir SINA, fletë rreth listës për statusin e ish-ushtarëve të UÇK-së , të përfshirë në 3 kategori, veteranët, invalidët e luftës së Kosovës dhe familjet e dëshmorëve. Për krijimin e Gjykatës Speciale, dhe atë se si e shikon ish komandanti i Batalionit Atlantiku – z. Gani Shehu, Kosovën sot 16 vjetë mbasi ata shkuan e luftuat për çlirimin dhe lirinë e Kosovës, për të cilën ai tha se :”Kosoven pas 16 vitesh? unë do kisha pasur dëshirë t’a shoh shumë më ndryshe ,kisha pas dëshirë që Kosova të jetë një shtet ku sundon rendi dhe ligji , të jetë shtet demokratik, më të zhvilluar ekonomikisht dhe me politikanë të përgjegjshëm që punojnë për interesat e popullit . Mendoj se Kosova është katandisur nga politikanë të papërgjegjshëm që me se paku punojnë për ineresat e popullit për çka edhe janë zgjedhur”
Për më shumë ndiqni intervistën e plotë :
Shkuarja Batalionit “Atlantiku” nga SHBA-të për të luftuar në Kosovë – ka qenë padyshim mesazhi më i mirë se lufta e UÇK-së ishte luftë e gjithë shqiptarëve, ka thënë ish Kryeministri Thaqi. Si e shikoni ju Kosovën sot 16 vjetë mbasi ju shkuat e luftuat për çlirimin dhe lirinë e Kosovës ?
Po vërtetë shkuarja e Batalionit”Atlantiku” nga SHBA-të ishte mesazhi më i mirë se lufta e UÇK-së ishte luftë e të gjithë shqiptarëve ngase në radhët e “Atlantikut”, kishte shqiptarë nga të gjitha trojet gjeografike shqiptare dhe kjo edhe ka qenë madhështia e këtij batalioni. Kurse, sa i përket pyetjes suaj se si e shoh Kosoven pas 16 vitesh? unë do kisha pasur dëshirë t’a shoh shumë më ndryshe ,kisha pas dëshirë që Kosova të jetë një shtet ku sundon rendi dhe ligji , të jetë shtet demokratik, më të zhvilluar ekonomikisht dhe me politikanë të përgjegjshëm që punojnë për interesat e popullit . Mendoj se Kosova është katandisur nga politikanë të papërgjegjshëm që me se paku punojnë për ineresat e popullit për çka edhe janë zgjedhur.
Një ndër çështjet më të diskutuara në Kuvendin e Kosovës për të cilën akoma nuk është gjetur zgjidhja e duhur( duke iu referuar lajmve nga Prishtina), është ajo për statusin e ish-ushtarëve të UÇK-së , të përfshirë në 3 kategori, veteranët, invalidët e luftës së Kosovës dhe familjet e dëshmorëve. Si e shihni ju këtë proces ?
Sa u përket kategorive të dala nga lufta dhe statusit të tyre, kjo është një çështje shumë e dhimbshme ngase kemi të bëjmë me njerëzit që sakrifikuan jetën për lirinë që Kosova e gëzon sot dhe jo vetëm Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës, por edhe populli i Kosovës do të duhej të ketë vlerësim dhe përgjegjësi më të madhe për këto kategori e sidomos për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës. Popujt e tjerë kudo nëpër botë krijojnë heronjë dhe mite nganjëherë edhe pa i pasur, kurse ne i kemi dhe nuk i çmojmë dhe vlerësojmë sa duhet .Vlerat e luftës së UÇK-së janë vlera të të gjithë shqiptërve dhe si të tilla ato do të duhej mbrojtur me fanatizëm nga i gjithë populli dhe sidomos nga institucionet, por jo me fjalë por me veprime konkrete.
Lidhur me marrjen për statusin e veteranit të luftës së UÇK-së, ju mbajtët vitin e kaluar regjitstrimin duke mbushur formularët në Konsullatën e Përgjithëshme të Kosovës në Nju Jork. Si përfundojë ky proces dhe a jeni të gjithë të kënaqur me regjistrimin ?
Po, vërtet vitin e kaluar ne përmes Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës me seli këtu në New York, jemi furnizuar me formularët për statusin e veteranëve të luftës .I kemi plotësuar të gjithë dhe i kemi dërguar në mënyrë të organizuar dmth ne e kemi kryer pjesën që na është kërkuar dhe na takon . E do të jemi të kënaqur kur të gjithë ish pjestarët e UÇK-së do të përfshihen në këtë proces, por jo edhe ata që nuk kanë qenë pjesëmarrës të luftës.
Çfarë dini ju rreth përpilimit të listave dhe a ka pakënaqësira me listat ? Batalionit “Atlantiku” nga SHBA-të që shkoi për të luftuar në Kosovë – a ka pasur pakënaqësira për statusin e tyre ? (pra çdo njeri ka marr atë që e meriton )
Komisioni për verifikimin e kategorive të dala nga lufta që është krijuar nga Qeveria e Kosovës e ka komplikuar punën në përmasa që është shumë vështirë të zgjidhet , ngase numri i atyre që pretendojnë se kanë qenë pjesëmarrës të luftës është dyfishuar dhe më tepër , dhe përgjegjësinë për këtë e mban ky komision, ngase është dashur të bëhet verifikim shumë i saktë dhe pastaj të publikohen listat.
Si e shikoni ju këtë zhvillim se Qeveria e Kosovës po e përgatitë terrenin për krijimin e Gjykatës Speciale? A pajtoheni edhe ju me këtë mendim se :”Në vend të fajësimit të Serbisë, po njolloset UÇK-ja” ?
Krijimi i Gjykatës Speciale, sipas mendimit tim është një tregues se sa jofunksionale janë institucionet e Kosovës në vazhdimësi, që nga pas lufta kur ato janë krijuar e sidomos pas shpalljes së pavarësisë. Serbia me gjenocidin që ka bërë në Kosovë ,me vrasjet , dhunimet , djegëjet e shkatërrimet , me dëbimmet masovike, që ua ka bërë shqiptarëve ka mbetur e pa ndëshkuar. Por, jo vetëm kaq! Serbia, gjithëherë me forca ultranacionaliste në pushtet që nga pas lufta arriti që nga një agresor i tmerrshëm në sytë e gjithë botës u kthye në rolin e viktimës duke i akuzuar pjesëtarët e UÇK-së për krime ndaj serbëve për çka edhe po krijohet kjo Gjykata Speciale .Në këtë drejtim kanë kontribuar edhe politikanët shqiptarë të Kosovës duke u treguar shumë zemërgjerë përballë Serbisë, sidomos, me dialogun(bisedimet Prishtinë – Beograd) dhe duke u kënaqur me komoditetin e pushtetit, pa i llogaritur pasojat dhe dëmet që po i shkaktohen luftës dhe vlerave të saj dhe imazhit të vendit në përgjithësi. Koha do e dëshmoj këtë….. Qeveritë e ardhura pas luftës dhe kjo aktuale a e kanë përdorur ndonjë mjet juridik për ta fajësuar Serbinë për krimet e kryera në Kosovë? Simbas ligjeve ndërkombëtare ( për rastin) thuhet se “Për t’u paditur Serbia në çfarëdo gjykate ndërkombëtare, atë mund ta bëjnë vetëm qytetarët e Kosovës si individë, por jo shteti dhe institucionet e Kosovës (ngase Kosova nuk është i pranuar në shumë mekanizma ndërkombëtare). Ju vetë a jeni në gjendje dhe gatëshëm për ta paditur Serbinë për krimet kundër njerëzimit ?
Së fundi do të i përgjigjem shumë shkurt kësaj pyetje : Dhe e gjithë kjo gjëndje më kujton atë proverbin e njohur kinez “Kur mungon luani , majmuni bëhet mbret”
Ps: Sipas të dhënave nga të gjitha komunat e vendit, vetëm për statusin e veteranit të UCK-së kanë aplikuar mbi 50 mijë persona, mbi 4 mijë për statusin e invalidit dhe mbi 2 mijë familjarë kanë aplikuar për njohjen e statusit të familjeve të dëshmorit. Megjithatë Çeku ka thënë se keto të dhëna nuk janë përfundimtare sepse ka mbetur edhe një numër i madh aplikacionesh të pa dorëzuara. Ndërkohë, thuhet se afati për dorëzimin e tyre ishte shtyrë deri me 15 mars 2015.

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, me Gani Shheu

Letërsia është bashkëshoqëruese e dhimbjeve dhe gëzimeve

March 28, 2015 by dgreca

-Intervistë e Raimonda Moisiut me publicistin dhe poetin shqiptaro-amerikan-Kostaq Duka/
Gjatë “udhëtimit” të jetës ndodhin ndryshime të rëndësishme dhe nisur nga atmosfera e këtyre ndryshimeve progresi i letërsisë bashkëkohore na ka dhënë temat kryesore në literaturë, mënyrën dhe format e reja të njeriut modern me botën e tij të brendëshme, ndjenjat, motivet sociale , gjuhën letrare, letërsinë e reformuar, humanizmin, miqësinë e respektimin, hapjen e tyre ndaj të gjitha gjinive, krijime të cilat identifikojnë vlerat e vërteta të një krijuesi që jeton brenda detajit artistik. Duke ndjekur nga afër angazhimin letraro-artistik, në gjini të ndryshme të e autorit Kostaq Duka, vërejmë se ai ka merita të vecanta duke luajtur një rol të rëndësishëm si poet, prozator dhe publicist. Kjo është një nga arësyet që më bëri mua të hyj në dialogun intervistues me krijimtarinë e tij, për të kërkuar dhe gjetur ndërrthurrjen e rrymave në gjendjen kulturore, psikollogjike, formimin e tij letrar, fenomene këto të botës shpirtërore të binomit njeri-krijues! Pikërisht gjatë këtyre viteve në emigracion poeti dhe publicisti Kostaq Duka ka manifestuar krijimtari artistike të larmishme, të vlerësuar, vetdijen estetike , i vet-ndërgjegjshëm në mesazhin e figurave e personazheve të përshkruara e realizuara prej tij , të domosdoshme ndaj njohjes më të thellë të sekreteve të jetës e artit letrar, zbërthimin me mjeshtëri të botës së brendëshme njerëzore, mundësinë për të komunikuar me të nëpërmjet poezisë, prozës dhe skicës, duke na dhënë kështu vepra të spikatura dhe interesante të fjalës së bukur dhe mendimit filozofik. Andaj detyrë parësore për të gjithë krijuesit e mërguar është se; ” janë ata që me fjalën e shkruar, mendimin filozofik, intelektual e qytetar të lartësojnë ndërgjegjen dhe kulturën e kombit, të integrojnë trashëgiminë kulturore në forma e përmbajtje të ndryshme. Publicisti dhe poeti i njohur Kostaq Duka ka lindur në vitin 1952 në qytetin e Korçës. Diplomuar në filozofi, në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike në Universitetin e Tiranës. Ka ushtruar për një kohë të gjatë profesionin e gazetarit.Pasion i perhershëm në krijimtarinë letrare kanë qënë poezia dhe drama, vënë në skenë nga teatri “A.Z.Çajupi” dhe trupa të tjera teatrore të qytetit të Korçës.Prej vitit 2000 jeton me familjen në Chicago, Illinois. Ne vitin 2008 fitoi çmimin e parë në prozë në konkursin e zhvilluar në Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan dhe në vitin 2009 çmimin “Gjergj Fishta” në poezi. Ne vitin 2012 u nderua me çmimin “Dritëro Agolli” për vëllimin me poezi “Ne dy hapësira” nga Elita-Letra-Art Korçë.
Veprat letrare:
Vëllime poetike:/
“Thjeshtësi”- 1976, Shtëpia Botuese “Naim Frasheri”, Tiranë
“Flas me barin”- 1998, Libraria “Dhori Koti” Korçë
“Trëndafili që çelte në janar”-2008, Shtëpia Botuese “Toena” Tiranë
“Në dy hapësira”-2012, Shtëpia Botuese “D.I. J. A Poradec”
Drama:/
“Përtej vetes”
“Fqinjët”
“Provim i vështirë”
Prozë: “Hoteli i fantazmave”- Tregime, botuar nga Shtepia Botuese “Globus” R Tiranë/
Bisedoi:Raimonda MOISIU/
-Një karrierë mbresëlënëse e juaja si poet, dramaturg,prozator e publicist. Ç’mund të na thoni si filloi karriera tuaj ? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?
Le të kthehemi gati 50-të vite më parë në moshën e adoleshencës, kur gëlojnë papushim ëndrra të bukura e fantazi gati të marra për të ardhmen. E doja matematikën e fizikën. Merrja pjesë në konkurset në Korçë e fitoja. Më inkurajonte në dashurinë për matematikën e fizikën mësuesi kujdestar i paharruari Gavril Kolaci e më tej në vitet e gjimnazit mesuesi i shquar i lëndës së fizikës Ilia Tili. Por si “vjedhurazi” shpirtin tim rinor po e rrëmbente bota e artit.
Gjimnazi “Raqi Qirinxhi” vazhdues i ish Liceut të Korçës që për një kohë në vitet 60-të përfshinte edhe klasat e tetëvjeçares zjente nga veprimtaritë artistike. Promotor ishte profesori i letërsisë Vangjush Ziko që kishte përfunduar studimet e larta për letërsi në Institutin “Gorki” në Moskë. Vënia në skenë në ato vite në teatrin”A.Z.Çajupi , kur isha ende fëmijë, e pjesës teatrale-muzikore kushtuar liceistëve të Korçës me libret të Vangjush Zikos dhe regji të mjeshtrit Sokrat Mio, dilpomuar në Francë, ishte hapi i parë në kontakt me botën magjepse të artit. Në shfaqje merrja pjesë si recitues i poezisë së njohur të Naim Frashërit kushtuar Korçës, vatër e arsimit,dijes e kulturës. Këtu fillon dhe dashuria për poezinë, letërsinë e artin që u kthye në motivi kryesor në jetën time.
-Vazhduat të ngjiteni në skenë si recitues?
Po.Veprimtaria recitative ne vitet 60-70-të ishte shumë e gjallë. Pranë pallatit të kulturës ishte një rreth i recituesve që drejtohej nga Artisti i Popullit Dhimitër Orgocka. Me Edmond Budinën, aktorin, regjisorin dhe producentin e njohur në kinematografi, në ato vite shokë gjimnazi , Dhimitrin e kishim idhullin tonë dhe e ndiqnim në gjithë veprimtaritë e tij teatrore dhe recitative. Ato vite në Korçë u zhvillua një konkurs i të rinjve në artin recitativ. Edmond Budina meritoi vendin e parë ndërsa unë të dytin.
-Po pse s’e vazhduat rrugën së bashku me Edmondin për t’u bërë aktor por mbaruat studimet per Shkencat Politike-Juridike në degën e Filozofisë?
Është histori e gjatë. Kur e kujtoj ve buzën në gaz, e them: si është jeta?! Shkurt. Të dy me Mondin u përgatitëm nën kujdesin e Dhimitër Orgockës. Do të shkonim në Intitutin e Lartë të Arteve pas klasës së njëmbëdhjetë. Diplomën e maturës do e merrnim duke qënë studentë të vitit të parë. Por kur po afrohej dita, mësuesi im i shtrënjtë i gjimnazit Gavril Kolaci, më kërkoi e më vuri me takt para dilemës së madhe: “Nuk kam asgjë për zgjedhjen që ke bërë por e ke peshuar mirë?” Foli pak. Por sa shumë më tronditi. Vërtet a i kisha të dhënat e plota për një aktor me të ardhme?! S’vura gjumë në sy një natë të tërë. Të nesërmen e takova Dhimitrin dhe i bëra pyetjen: Dua të di realisht a mund të bëhem aktor i vërtetë.?Ai buzëqeshi. Pastaj u mendua pak. Dallova mëdyshjen. “ Si të them. Por kam frikë se je pak i shkurtër” U skuqa deri në përvëlim. E ndjeva se kjo ishte përgjigja që mund të më lëndonte më pak. Ja kështu Monda.

-Le të kthehemi përsëri në letërsia, hapat e parë, botimet e para.
Nuk e harroi atë moment kur profesor Vangjush Ziko më këshilloi t’i mblidhja poezitë e shkruara në një fletore dhe t’ia çoja. Inkurajimi i tij më bëri me krahë. Profesori, i njohur për përkujdesjen, këtë fletore ma ktheu pas gati dhjetë vitesh kur unë 24 vjeçar promovova në Korçë librin e parë me vjersha e poema “Thjeshtësi” botuar nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në vitin 1976.
-M’u kujtua shprehja e një shkrimtari të madh, Stefan King, kur e pyetën: “ Se si mund të bëhesh shkrimtar. Ai u përgjigj –“merrni ndër duart tuaja libra të shkrimtarëve të tjerë dhe lexoni cdo gjë të tyre, –mos mendoni jo vetëm si të shkruani libra.” A ndani të njëjtën filozofi me të?
Pa dyshim. Por në lexim ka shumë rëndësi përzgjedhja. Mjeshtrit edukojnë lexuesit e kthehen në shkollë për krijuesit e rinj, shkrimtarët e këqij prishin shijet e çorientojnë krijuesit, për më teper indirekt lenë të kuptohet se të shkruarit qënka “gjëja më e lehtë” Ne të rinjtë e viteve 70-të kemi pasur fatin e madh të ishim lexuesit e parë të veprave të porsabotuara të mjeshtrave të fjalës poetike Ismail Kadare,Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu,Moikom Zeqo, Ndoc Gjetja,Musa Vyshka, Koçi Petriti. Lanë mbresa me botimet e para dhe bashkëmoshatarët Roland Gjoza, Rudolf Marku, Agim Isaku, Petraq Risto dhe Bashkim Hoxha, studentë në Tiranë dhe Skënder Rusi e Visar Zhiti në Shkodër.Por përveç leximeve ndikim ka edhe klima letrare që në një qytet si Korça nuk ka munguar në ato vite. Dëgjimi nga afër i shkrimtarëve të afirmuar si Sotir Andoni, Vangjush Ziko, Teodor Laço,Petraq Zoto, Arsinoi Bino, Nella Sinaeri, Andon Mara, Petraq Samsuri, Guri Miçinoti e të tjerë linin gjurmë tek ne të rinjtë. Kjo klimë nuk na mungoi edhe si studentë. Dhe guxuam të shkruajmë e të botojmë. Mos harrojmë të botoje qoftë edhe një poezi pa le një cikël në “ Zëri i Rinisë” e sidomos në “Drita” ishte ngjarje e vërtetë. Sot interneti ka hapur dyert kat e kat, ose më thjesht është pa dyer dhe krijon mundësi e lehtësi publikimi. Kjo lehtësi teknologjike është gjë e mirë por jo çdo gjë që shfaqet mban erë art.Dua të theksoj se në vitet e gjimnazit endrrën për letërsinë e ndaja me veçanti me shokun tim të klasës aq shume pasionant dhe energjik pas letërsisë, shkrimtarin, humoristin dhe publicistin Vangjush Saro. Ai ishte lexuesi e kritiku i parë i krijimeve të mija.
-Si e kujtoni botimin e poezise së parë?
Isha 16-të vjeç kur botova së pari në “Zëri i Rinisë”. Ishte një poezi e shkurtër kushtuar Shqipërisë. Në po atë faqe botoi dhe treshja e famshme nga Durrësi, Bashkim Hoxha, Petraq Risto dhe Ilija Dede, me të cilët u lidha aq shumë kur ata studionin për gazetari dhe unë për filozofi.
-Me sa kuptoj ata ndoshta u inkurajuan të përfshiheshit në rrugën e gazetarisë që për ju u bë profesioni kryesor në jetë?
Jo. Me këta miq më shumë bisedonim për letërsinë. E vërteta është se ai që më ka nxitur e inkurajuar për të “tradhëruar” filozofinë e për të ushtruar profesionin e gazetarit per me shume se njezet vite, ishte shoku i dhomës, i talentuari e njeriu me zëmër të madhe gazetari e shkrimtari Ndue lazri. Një e dy më jepte tema e më tërhiqte pas vetes në “Zëri i Rinisë” apo gazeta “Bashkimi”.Veçanërisht në fushën e publicistikës pranë kam ndjerë e vazhdoj të ndjej këshillën e mikut tim ekonomistit e pedagogut Koço Broka.
-Diku përmëndet që në moshën 24 vjeçare botuat librin e parë me vjersha e poema po drama e parë a la gjurmë tek ju për t’u bërë shtysë për të tjera krijime?
Padyshim. Drama titullohej “ Provimi i vështirë”. U vu në skenë nga studioja për aktorë që ishte pak a shumë pjesë përbërëse e teatrit “A.Z. Çajupi” me regji të Petraq Marjanit. Kjo dramë u hapi udhë dramave të tjera me të cilat jam nderuar edhe me çmime në festivalet teatrore të Korçës.Por sukses të veçantë arriti drama “ Përtej vetes” fryt i një bashkëpunimi të ngushtë krijues me regjisorin Dhimitër Orgocka. E veçanta është se kjo dramë u dha në mbyllje të punimeve të Konferencës Kombëtare të Talenteve të Reja me pjesëmarrje të gjërë të krijuesve, në tetor të vitit 1990. Interpretuan të paharruarit aktorët e shquar, Artistë të Popullit, Dhorkë Orgocka dhe Stavri Shkurti si dhe Mirjana Deti, Guri Koço, Sotiraq Bratko,Petrika Riza dhe Fotaq Xheka.
-Po më tej e vazhduat rrugën e dramës?
Pas saj erdhën ngjarjet e vrullshme. Teatri u zhvendos në rrugë e sheshe. Më përfshinë zhvillimet politike. Për vitet 1991-1993 isha kryetar i PS për Korçën dhe njëkohësisht gazetar i “Zërit të Popullit”
-Pra ju e latë pas letërsinë?
Asnjëherë nuk ka ndarje të vërtetë.Letërsia është bashkëshoqëruese e dhimbjeve dhe gëzimeve, tallazeve shpirtërore. Duket sikur të braktis e rikthehet si nevojë për t’u shprehur. Të tillë e konsideroj të gjithë krijimtarinë pas viteve 90-të në poezi, prozë, letërsi dokumetare.
-Përmendët prozën. Ju në faqet e internetit vecanerisht në “Fjala e lirë”, gazeta “Kritika”, “Zemra shqiptare” dhe shtypit të shkruar keni hedhur mjaft skica dhe tregime të shkurta. Gjininë e skicës e detyruat të vinte tek ju apo është preference e juaja?
Është kjo e dyta. Skica, krahas përshkrimit dhe reportazhit ka qënë nga gjinitë më të dashura si gazetar. Them se skica është një e shkrepur blici në një moment tepër të veçantë që shpesh flet sa një roman.Aty nga fundi i viteve 80-të në Konkursin Kombëtar për publicitikë u nderova me çmimin e tretë pikërisht në gjininë e skicës. Pas vitit 2000 kur mbrita në Amerikë nevoja e të shprehurit më nxiti t’i rikthehem skicës dhe të lëvroj tregimin e shkurtër.
-E vlerësoni të frytëshme krijimtarinë në emigracion?
Mendoj se po. Të jetuarit me shqetësimet e emigrantit, fillimisht në Greqi, pas vitit 1993 i dha udhë botimit të librit me poezi “Flas me barin” në vitin 1998 botuar në Libraria Kotti, ndërsa këtu në Amerikë ku jetoj në rrethinat e Çikagos për gati 15 vite së bashku me familjen kam botuar vëllimet me poezi “ Trëndafili që çelte në Janar” botuar nga Shtëpia Botuese “Toena” në vitin 2008, “ Në dy hapësira” botuar nga Enti Botues “Dija Poradec” në vitin 2012, i cili u nderua me çmimin “Dritëro Agolli” nga Elita-Letra- Art në Korçë si dhe vëllimin në prozë të shkurtër “Hoteli i fantazmave” botuar nga “Globus. R” në vitin 2010. Në këto vite në Amerikë dhashë ndihmesë si bashkëautor dhe redaktor për librin “Qyteza dhe njerëzit e saj” përgatitur nën kujdesin e shoqatës qytezare “Përparimi” në Çikago, shoqatë që ka mbi 90 vjet jetë. Ky libër u përkthye dhe u botua edhe në gjuhën angleze .Të dy botimet shqip dhe anglisht u realizuan nga Shtëpia Botuese “Albin”. Me një grup miqsh, intelektualë të vërtetë Minella Aleksi, Anastas Shkurti, Dritan Papazisi dhe bashkëpunëtorë të tjerë nxorëm për disa vite revistën me ilustrime “Rreth Nesh” me mbështetjen e pakursyer financiare të shqiparo-amerikanit me origjinë nga Qyteza e Korçës Nick Vangel.Kam marrë pjesë me krijime në poezi dhe në prozë edhe në disa botime me mjaft autorë të tjerë emigrantë, si “Zemra prindërore”, “Pena të gazetarisë shqiptare në diasporë” etj. Aktualisht jam në prag të botimit të dy vëllimeve, një me poezi dhe një tjetër në prozë.
-Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo ato janë thjesht pjellë e fantazisë?
Prirem nga dukuritë që ka afruar jeta në të shkuarën dhe në të tashmen, në lëvizjen e saj. Subjektet, detajet artistike, atmosfera e gjithçka tjetër aty marrin jetë, nëpërmjet analizës e mendimit. Gjithçka e mendoj dhe e përpunoj në dialog me veten para se të ulem të shkruaj. Më duket i vështirë çasti i zbardhjes, i hedhjes në kompjutër apo letër, i krijimit që më tundon. Më duket se pas kësaj mund të formësohet diçka jo ashtu si e dëshiroja.
-Shquheni në prozë për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Çfarë iu tërheq më shumë nga realiteti e si mund ta konceptosh atë artistikisht?
Mendoj se si poezia edhe proza duhet të kenë një mesazh a nëntekst të natyrës filozofike ose më thjesht që të ve në mendime. Jetën e jetojmë të gjithë po këndvështrimi artistik i jep asaj ngjyra e përthyerje gati tjetërsuese me forcë joshëse e tronditëse. Pikërisht mprehja e shikimit dhe mendimi i avancuar filozofik, në kushtet e lirisë mendoj se është dallimi kryesor me letësinë e realizmit socialist që të detyronte partishmëri dhe aty ku flitej thjesht për bukurinë e ndjenjës së dashurisë.
-Si mendoni për statusin aktual të kritikës? A ka kritikë të mirëfilltë sot për sot?
Mendoj se ka njerëz të mënçur dhe intelektualë shumë të përgatitur në universitet e Shqipërisë dhe ato të perëndimit por zëri i tyre është sporadik, i pastrukturuar në një rrymë autoritare që u ve vulën krijimeve që sot janë të shumta.
Ju faleminderit!
Bisedoi: Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Letërsia, me Kostaq Duka, Raimonda oisiu

BUJAR KAPEXHIU: I lutem Zotit, që tabelën “Stop” ta vendos sa më larg

March 17, 2015 by dgreca

Interviste nga Fadil Shehu-Florida/
Ndonëse sapo ka kapërcyer të 70-tat, aktori, regjisori, karikaturisti, skenaristi “Mjeshtër i madh” Bujar Kapexhiu, mbetet sërish po ai, siç e kemi ndjekur me ëndje në rrugëtimin e këtyre gjinive të artit. Me të folurën e tij, që për të bërë bisedën më të këndëshme, përdor dhe pak kripë, nuk e ke aspak të vështirë të depërtosh në bujarinë dhe ciltërsinë, që ai të ofron.
Fadil Shehu: Bujar,jeta juaj në art është përshkuar në një udhëtim maratonë afër 50-vjeçar. Sidomos në gjininë e karikaturës. Si është fillimi i kësaj rruge deri në botimin e albumit të fundit “To Europe”?
Fillimet e krijimtarisë si karikaturist kanë qenë qysh në bankat e shkollës. Aty kishim një gazetë muri, ku me shkrime të ndryshme nxënësit trajtonin problemet e mësimit, frekuentimit dhe sjelljes në shkollë. Mbaj mend se karikatura që kishte më shumë sukses, ku të gjithë nxënësit gajaseshin së qeshuri, ishte portreti bullafiq e me mustaqe i një gjenerali, babai i shoqes sime të klasës. Edhe mësuesit, kur futeshin në klasë për të zhvilluar mësimin, qeshnin me vizatimin dhe më tej, me një buzëqeshje, urdhëronin që të pastrohej dërrasa e zezë, duke përqendruar shikimin qortues drejt meje. Karikatura e parë që kam botuar në shtyp para 52 vjetësh, ka qenë një karikaturë politike, ku një grusht i stërmadh me mbishkrimin “populli”, godiste imperializmin amerikan dhe socialimperializmin sovjetik, sipas ideologjisë dhe kërkesave të kohës. Me sa duket, kjo karikaturë ka paralajmëruar që në vazhdimësi të krijimtarisë time, në qendër të saj do të jetë karikatura politike, e botuar në shtypin periodik të kohës. Fillim të vërtetë unë quaj çastin kur, për herë të parë, hyra në redaksinë e revistës “Hosteni”, e vetmja revistë prestigjioze humoristiko–satirike. Trokita në derën me tabelën “karikaturistët” dhe dorëzova vizatimin e parë me ngjyra. U botua menjëherë. Kjo karikaturë ka qenë me dy figura. Një djalë dhe një vajzë që bënin këtë dialog:
Djali: Unë ju dashuroj!
Vajza: Në zemrën time nuk ka vend për ty.
Djali: S’ka gjë, rri edhe në këmbë.
Kështu me radhë, karikaturat ndoqën njëra-tjetrën, duke paraqitur problematikën e kohës, brenda gardhit të realizmit socialist që rrethonte fushën e artit komik. Sot që po ju jap këtë intervistë, janë botuar disa libra me karikatura si ilustrime të teksteve letrare humoristike dhe satirike, tre libra me karikatura politike dhe dy albume me ngjyra. Albumi i fundit është “To Europe”, ku përmblidhet vetëm krijimtaria që pasqyron me humor marrëdhëniet e personaliteteve politike europiane dhe amerikane me politikën shqiptare. Është një botim interesant, origjinal, që është pritur me lëvdata nga të dyja palët, ndërkombëtarët dhe politikanët shqiptarë, gjë që mua më ka dhënë një kënaqësi të veçantë. Aty pasqyrohen marrëveshjet, mosmarrëveshjet, sukseset, dështimet, dredhitë, prapaskenat, përplasjet, këshillat, ultimatumet, vërejtjet, kritikat, përqafimet dhe braktisjet. Nënë Tereza thotë: “Paqja vjen me buzëqeshje.”.
Sa i vështirë ka qenë për ju depërtimi në udhët e mistershme të kupolës politike, në “barkun” e së cilës deputetët “gatuajnë”… politikë?
Si çdo krijimtari në jetën e njeriut, edhe karikatura, si gjini e artit figurativ, ka vështirësitë e veta, fillimisht për të kapur thelbin e fenomenit, të ngjarjes apo të situatës. Ta zbërthesh atë duke e këqyrur në këndin humoristik apo satirik, duke i veshur asaj mjetet origjinale artistike që godasin, tallin apo bëjnë qesharak këtë subjekt. I vështirë është hapi i parë, ai që vendos e merr drejtimin drejt politikës. Më tutje kapja e problemeve, këndvështrimi humoristik apo satirik, përpunimi artistik dhe paraqitja për lexuesin në shtypin e përditshëm, bëhet e zakonshme deri në rutinë. Veprimtaria politike është një thesar idesh, faktesh, problemesh, dukurish, subjektesh, fenomenesh, ngjarjesh e personazhesh që sillen rrotull tyre, aq sa e ke vështirë të zgjedhësh e të vendosësh se me kë do të merresh në çastin e caktuar. Nga “kazani i madh i gatimit” që përziejnë politikanët, karikaturistit i mjafton një lugë për të gatuar gjellën e tij humoristike. Një lugë e vetme, por ajo do të jetë më e zgjedhura, më e preferuara, më e shijshmja, se vetëm kështu ky gatim komik do të preferohet nga lexuesit e do të shijohet duke qeshur.
Sa është vlerësuar nga lexuesit dhe si ka qenë reagimi i politikanëve për krijesën tuaj të fundit?
Sigurisht, në qendër të trajtimit humoristik janë figurat më të larta politike, ata të cilët e rrotullojnë, e transformojnë, e përvetësojnë, e deklamojnë dhe e deformojnë politikën. Janë këta në qendër të vëmendjes së publikut e të medias, kështu detyrimisht janë në qendër të fletës së vizatimit dhe në majën e penës artistike që karikaturizon figurën e këtyre personazheve dhe bëmat e tyre. Karikaturat e tyre nuk përqendrohen vetëm në anën e tipareve të jashtme, por paraqesin edhe thelbin e veprimtarisë së tyre nëpërmjet lentes humoristike. Kjo i bën më të veçantë, më origjinalë, më të tejdukshëm e më qesharakë. Me karikaturën time unë nuk përçmoj, nuk godas, nuk fyej e denigroj personazhe, por veprimin e tyre. Me dashamirësi, por me qëndrim kritik e të paanshëm, ironizoj e tall një veprim, një batutë apo një mendim të një politikani të caktuar, që ka “fatin” të jetë personazhi që do të përkëdhelet nga pena ime humoristike. Karikaturat e para pas fitores së demokracisë, nga politikanët shiheshin paksa me hatërmbetje. Herë pas here edhe zemëroheshin. Më vonë filluan të kuptojnë që një karikaturë e tyre në shtyp ishte një vlerësim e një reklamë për ta. Ndërsa sot, ata mërziten dhe u mbetet hatëri kur nuk shohin karikaturën e tyre në shtypin e ditës.
A mund të ketë shokë një gazetar, shkrimtar, apo karikaturist, një politikan që kritikohet nga shoku i tij?
Pothuajse të gjithë politikanët që unë kam fiksuar janë shokë e miqtë e mi. Me ndonjërin prej tyre, edhe pse nuk përqafohemi, i shtrëngojmë dorën njëri-tjetrit me dashamirësi. Mund t’ju duket e çuditshme, ndoshta e pabesueshme, por me anë të karikaturës kam fituar njohjen, simpatinë, miqësinë dhe respektin e personazhit politikan të fiksuar në karikaturën e ditës. Ashtu si gjithkush, në një bisedë me përplasje konceptesh dhe argumentesh me një politikan, duke kundërshtuar një pikëpamje nga këndvështrime të ndryshme, ashtu edhe unë ballafaqohem me një politikan duke e kundërshtuar jo me fjalë por me figurë. Pra, unë ndërhyj në bisedat politike me anë të figurës, e cila ka një përparësi nga fjala, sepse është më e lehtë për t’u kuptuar nga shikuesi. Më tej ky ballafaqim të jep edhe një buzëqeshje. Është e privilegjuar. Është e preferuar. Është vepër arti.
Zhanri i karikaturës ka qenë bashkudhëtar në krijimtarinë tuaj. Ç’do të thoshit për tipa e karaktere, karikaturat e të cilëve janë vlerësuar si punime me spec?
Në përgjithësi çdo karikaturë, me karakter humoristik apo satirik, aq më tepër ato me prirje politike, e kanë brenda sasinë e specit. Njëra më pak e tjetra më shumë të japin, në mos djegien e padurueshme, të shkaktojnë avullin e nxehtë, këtë radhë jo në gojë, por në mendje. Ka nga ata politikanë që, edhe pse u djeg, e durojnë dhe e përballojnë djegien. Ka edhe të tjerë, injorantë e mediokër, të cilëve u djeg çdo lloj sasie e varieteti i specit satirik. Në përgjithësi, satira sasinë dhe djegien e specit e ka më dukshme e më të efektshme. Është një mendim: “Për një politikan, një karikaturë është e rrezikshme, por më e rrezikshme është kur nuk ka asnjë karikaturë.”. Është pikërisht speci që i jep shijen e veçantë e të preferuar karikaturës politike.
Mendoni se njerëzit që merren me politikë mbeten “miniera” e frymëzimit në krijimet tuaja?
Me politikën direkt, nëpërmjet karikaturës, krijimtaria ime përmblidhet në këto 25 vjetët e fundit. Mendoj që, që në ditët e para të demokracisë, unë dhe kolegët e mi humoristë zbuluam thesarin e çmuar në “minierën” e politikës. Ngjarje, dukuri, fenomene, fakte e personazhe pa fund, që shtyhen e grinden në grumbullin e madh të tyre, që kush e kush më parë të zërë vendin e merituar në kornizat humoristike të shtypit periodik. Mos u çudisni! Sot kemi edhe politikanë që në shenjë miqësie më tërheqin vëmendjen duke më thënë: “Eh, mua s’më bëre një karikaturë në gazetë.”. Dhe pret buzëqeshjen time si një premtim për të ardhmen…
Njiheni si skenarist i disa prej filmave humoristikë. Ndoshta aroma e specit djegës ndaj politikanëve do të zërë një ditë vendin e vet përkrah filmave të tillë?
Meqë jemi akoma te speci, e për më tepër ju ngulni këmbë për këtë zarzavat pak delikat në prodhimin e humorit, mendoj se këtë do mund ta përdor kryesisht në filmat e animuar që trajtojnë subjekte të politikës me personazhet përkatëse. Profesor, ju jeni marrë me politikë?
Dikur është marrë politika me mua dhe e kam pësuar prej saj, tani merrem unë me politikën që ta “pësojë” ajo nga unë. Një “hakmarrje” që, duke u treguar modest, them se i bën mirë politikës. Vetëm me një ndryshim: Unë jam politikan BIO, ndërsa të gjithë të tjerët që kanë mbirë në kopshtin e politikës janë OMGJ, sepse janë të stimuluar me medikamente për rritjen artificiale, të menjëhershme të famës e të mirëqenies së tyre. Janë krijesa të pasura me plehra kimike.
Ndër vite keni lëvruar me sukses aktrimin, regjisurën, skenaristin, karikaturistin. Cili prej këtyre profesioneve ju ka sjellë më shumë kënaqësi?
Çdo veprimtari artistike ku unë kam vënë në punë mendjen dhe shpirtin tim më ka dhënë një kënaqësi të veçantë. Tek unë të gjitha veprimtaritë kanë ndihmuar njëra–tjetrën. Kur në një vepër arti bashkohen të gjitha aftësitë, është një lloj si një koktej i mirë e i shijshëm, që pëlqehet nga të gjithë. Filmin e ka ndihmuar karikatura, karikaturën e ka ndihmuar aktori dhe regjisori, aktorin dhe regjisorin e ndihmon skenaristi. Pra, siç e shikoni, është një kontribut i të gjithëve që punojnë për suksesin e një vepre artistike. Me një fjalë, janë një grup i vogël artistësh që kanë miqësi, respekt për njëri–tjetrin dhe që punojnë me pasion e përkushtim që vepra artistike të dalë sa më dinjitoze. E veçanta e këtij grupi është se ka vetëm një emër: Bujar Kapexhiu. Dhe unë i dua e i respektoj të gjithë njëlloj. Ky është kyçi dhe sekreti i suksesit, kur ai është real. Kur krijimtaria është e pasuksesshme, për të mos thënë fjalën e ashpër “e dështuar”, fajin nuk ia hedhin njëri–tjetrit, por e ndajnë të gjithë së bashku, duke e bërë kështu më të lehtë e më kalimtare periudhën dështake.
Ndonëse keni ngjitur suksesshëm shkallët e karrierës suaj artistike, ka pasur raste që keni pësuar incidente, që ju kanë “rrëzuar” nga këto shkallë, duke punuar në bazë. Është e vërtetë?
E tërë veprimtaria artistike, për secilin artist, pa përjashtim, është e fokusuar në dëshirën, punën, pasionin, përkushtimin dhe pikësynimin që emri i tij të ngjitet në majat më të larta të suksesit. Por duhet të themi që kjo nuk është një ngjitje alpinistike, por me shkallë, që quhen shkallët e karrierës e padyshim cilësohen si shkallët më delikate. Duhet kujdes kur mbështet këmbën e më pas kur hedh hapin, duhet ekuilibër. E keqja vjen kur këmba të mbetet në ajër, nuk ke mbështetje, në çastin që humbet ekuilibrin dhe me siguri rrëzohesh. Është më e rrezikshme kur je ngjitur në majë, rrëzohesh dhe e shikon veten në fund. Është e dhimbshme. Unë jam rrëzuar njëherë nga shkallët, jo për faj të shkallës, as për faj të atij që mbante shkallën, por nga një mendje perverse në çast çmendurie. Iu tek të na heqë shkallët dhe ne ramë të tërë. Unë bashkë me të tjerë. Fatmirësisht nuk thyem qafën, por na detyruan të thyejmë koncepte dhe format e krijimtarisë.
Nëse do të ktheheshim paksa në retrospektivë, në filmin “Dueli i heshtur” starton roli juaj i parë si aktor, me personazhin e Bepinit. Ishte periudha kur ju ishit ende student. Përse ky personazh ngjiti aq shumë te spektatori?
Është një nga rolet dhe kujtimet më të bukura e të veçanta të jetës sime artistike. Më pëlqen dhe e dua atë personazh , njëkohësisht më vjen keq se nuk mundi ta realizojë ëndrrën e tij. Atë ëndërr që kish Bepini për një jetë në botën e lirë, e kishim pothuajse të gjithë ne të rinjtë e asaj kohe. Dhe kjo ëndërr e ne të gjithëve u bë realitet me ardhjen e demokracisë mbas viteve ’90. Në një intervistë, në një program televiziv, jam shprehur, sigurisht me shaka, që filmi “Duel i heshtur” në atë kohë ka qenë një film frymëzues, që ne e trajtuam si një kurs kualifikimi, për t’u treguar të rinjve sesi të arratisesh jashtë shtetit. Ndoshta kemi profetizuar, për të dëshmuar se e ardhmja e largimit do të jetë me anije dhe ashtu ndodhi. Në atë kohë diktature, personazhet e ashtuquajtura negative pëlqeheshin e simpatizoheshin, sepse veprimet dhe batutat e tyre ishin brenda qenies së çdo njeriu të asaj kohe. Kështu ndodhi edhe me Bepinin e “Duelit të heshtur”. Batutat e tij edhe sot e kësaj dite përdoren në biseda të ndryshme dhe mjedise argëtuese.
Bepini u vlerësua si binjakëzim me dëshirën e jo pak njerëzve që tentonin të arratiseshin. E menduat ndonjëherë veten si pjesëtar të armatës së këtyre njerëzve, për t’u larguar edhe ju një ditë nga Shqipëria?
Kjo që thoni ju është e vërtetë. Të rinjtë e asaj kohe sytë dhe dëshirat i kishin nga Perëndimi. Ishin të shumta rastet e tentativave nga të rinjtë, të cilët, edhe duke e ditur rrezikun e madh që i priste, kalimi i kufirit qe burg ose vrasje, i morën parasysh këto dhe tentonin ta kalonin kufirin, për të kapur “botën e lirë”, të cilën aq shumë e kishin ëndërruar. Të them të drejtën edhe unë e kam ëndërruar Perëndimin, por asnjëherë nuk kam menduar për t’u arratisur. Asnjëherë nuk kam menduar për të shkuar unë vetë atje, por kam ëndërruar e dëshiruar me “Ah, sikur!” Perëndimi të vijë te ne. Para ardhjes së demokracisë dhe në ditët e para të saj, asnjëherë nuk kam menduar të qëndroj atje, megjithëse kam pasur oferta me vlerë banimi e punësimi. Nuk dua të mburrem këtu, duke thënë se e bëra për patriotizëm. Jo. Ndoshta natyra ime paksa sentimentale, e lidhur ngushtë me familjen, me shoqërinë, me mjedisin. Dhe, për të mos harruar, për ta thënë haptas, mungesa e kurajës, bënë që unë të refuzoja qëndrimin dhe të kthehesha në vatrën time. Shumë të tjerë, ndryshe nga unë, guxuan, u larguan dhe fituan. Mirë bënë. Ishin trima. I admiroj, edhe pse një pjesë e tyre nuk punojnë në profesionet për të cilat u shkolluan, por i admiroj për dëshirën e tyre për të ndryshuar, për të kërkuar më të mirën, më të bukurën, për të sakrifikuar edhe humbjen e profesionit të tyre. Liria më e shtrenjtë se gjithçka!
Sipas jush, ku qëndron e veçanta dhe e përbashkëta me Bepinin, personazhi i cili u skalit aq mrekullisht nga ju?
E përbashkëta e parë ishte mosha. Kjo më ndihmonte që me lehtësi, në film, të mendoja e të veproja si ai. Ndoshta edhe biografitë, ai letrare dhe unë reale, i kishim të njëjta, si familje kundërshtare të regjimit komunist. Ajo që i dha frymën e vërtetësisë këtij roli qenë pikërisht edhe dëshirat që gëlonin fshehurazi brenda shpirtit të çdo të riu të asaj kohe. Dhe diçka për humor: Kur në vitin 1973 u dënova dhe u dërgova për riedukim, kryeredaktori i revistës “Hosteni”, ku unë isha bashkëpunëtor si karikaturist, shkrimtari Niko Nikolla, më thoshte me shaka: “Ti Bujar nuk e di se përse të kanë dënuar. Këtë ta them unë, të saktë. Byroja Politike, kur ka parë filmin ‘Duel i heshtur’ dhe personazhin tënd, që e ke interpretuar me aq pasion e origjinalitet, kanë thënë: Edhe ky duhet të jetë po aq i poshtër e reaksionar sa personazhi vetë, përderisa e luan me aq ndjenjë.”. Në të vërtetë, në realitetin shqiptar, i gatuar me ideologjinë komuniste, aktorët që interpretonin personazhet pozitive të heronjve të luftës në një farë mënyre identifikoheshin me ta dhe ishin më të privilegjuar. Dhe e kundërta ndodhte me aktorët që interpretonin personazhet negative. Mos t’ju duket e çuditshme, por edhe në mbledhjet e artistëve në presidium zgjidheshin aktorët që interpretonin personazhet pozitive. Regjisori i madh Kujtim Spahivogli, pedagogu dhe miku im i afërt, e ironizonte për këtë dukuri duke thënë: “Pesë role negative në film e në teatër, barazi me tre vjet burg!”. Unë kam interpretuar në film katër role negative, prandaj pësova jo tre vjet burg, por punë të detyruar e të rëndë në prodhim. Spektatorë kuriozë e dashamirës, miq e shokë të mi, më pyesnin: “Interesant, Bujar, përse ke interpretuar vetëm role negative?”. Dhe unë u përgjigjesha: “Në kontrast me jetën.”. Ndërsa një miku im matematicien, duke përdorur teoritë matematikore, shtonte me shaka: “Mos u mërzit Bujar, negativ me negativ del pozitiv.”.
Mendoni se ky rol shërbeu si trampolinë në rolet që vijuan më pas në filmat “Gjurmët”, “I teti në bronz”, “Dy herë mat”…?
Çdo rol i suksesshëm në film apo në teatër, për cilindo aktor, është një pasaportë kalimi për një film tjetër. Regjisorët, kur qëndronin në vizionin e filmave të ndryshëm, dukeshin tamam si ata peshkatarët, të tendosur me grepin e tyre, për të kapur “peshkun” më të mirë e më të rrallë dhe për ta “tiganisur” në gatimin e radhës. Kështu ndodhi edhe me mua. Mbas filmit “Dueli i heshtur” erdhën ofertat për filmat e tjerë. Gjatë kësaj periudhe u ndodha i kapur nga shumë grepa të regjisorëve, por jo në të gjitha gatimet isha “i shijshëm”, ashtu siç mendonin ata, ndaj edhe nuk më “tiganisën” në filmin e tyre. Falënderoj regjisorët që në gatimet e tyre artistike shënuan edhe emrin tim në menynë kinematografike.
Profesor, duke mos mjaftuar dënimet për t’ju shkatërruar si artist, sistemi i atëhershëm arriti të “burgosë” krijimtarinë tuaj, si regjisor i dy filmave të animuar, “Autogol” dhe “Kur shefi merr flakë”. Ndoshta shkaku i kësaj censure qëndron në faktin se skenarist i tyre ishte Bashkim Shehu, djali i ish-kryeministrit Mehmet Shehu?
Zanafilla e filmit të animuar në Shqipëri qe kryesisht te filmat për fëmijë. Prodhimet e para filmike, nga të gjithë krijuesit, skenaristë, regjisorë, operatorë, piktorë e animatorë, u mbështetën pikërisht në këtë linjë krijimi. Subjekte edukative për fëmijë të moshave të ndryshme. Pikërisht në kohën që kishim prodhuar disa filma të suksesshëm për fëmijë, kur qemë pjesëmarrës dhe fitues çmimesh në festivale ndërkombëtare dhe kur teknikisht e ndienim veten më profesionalë, menduam t’i futemi një rruge më të vështirë por të bukur, krijimit të filmave të animuar me subjekte për të rritur, brenda problematikës aktuale, kryesisht me tema të familjes e të punës. Kështu qe fillimi i procesit krijues për prodhimin e dy filmave të parë për të rritur. Dy subjektet ishin delikate, sepse për herë të parë spektatori ynë do të shihte në ekran një karikaturë të punëtorit që nxjerr prodhime skerco, ngaqë gjatë orarit të punës mendon për futbollin. Apo tjetri, një shef brutal e arrogant, që kur nxehet nxjerr flakë nga goja. Të dy filmat i realizuam në bashkëpunim me skenaristin Bashkim Shehu, duke menduar se në atë situatë delikate, brenda lëvozhgës së artit të realizmit socialist, ne po mendonim të godisnim, gërvishtnim apo të copëtonim këtë lëvozhgë dhe për çdo vërejtje apo keqkuptim të subjektit mburoja do të ishte me emrin “djali i kryeministrit”. Por edhe kjo nuk piu ujë. “Shpata e partisë” e copëtoi mburojën dhe filmat i degdisi në errësirë, siç thotë populli, “Pa nam e nishan”. Kur këto dy filma u gjetën dhe u rishfaqën përpara spektatorit, në këto ditë të lira të demokracisë, ne krijuesit patëm një kënaqësi të veçantë, duke e krahasuar këtë kënaqësi me atë punën e verës që koha i ka dhënë më tepër vlerë. Ashtu edhe ne e shijuam më mirë, më me shumë kuriozitet e më me shumë kënaqësi. Ishte një çast emocionant. Tamam si të takosh një person të dashur, që prej vitesh e ke menduar të humbur dhe kujton se nuk do ta takosh më kurrë. Jo! E rigjetëm njëri–tjetrin. U takuam me shumë mall. Jemi bashkë. Tani nuk na ndan më askush. Kurrë!
Njiheni si pjesëtar i grupit themelues i studios së filmit të animuar në kinostudion “Shqipëria e re” dhe regjisor i shumë filmave për fëmijë dhe të rritur. Shohim se filma të këtij zhanri sot shfaqen me pikatore. Ju shqetëson një fakti tillë?
Filmi i parë i animuar në Shqipëri, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, u shfaq në nëntor 1975. Titullohej “Zana dhe Miri”. Ky film u krijua nga dy autorë, Vlash Droboniku (piktor) dhe Tomi Vaso (operator), të dy të specializuar në studiot e filmit të animuar në Bukuresht (Rumani). Vazhdimësia e prodhimit të këtyre filmave dhe ngritja e nivelit artistik kërkonin domosdoshmërish plotësimin e grupit krijues me figurën kryesore të një filmi, regjisorin. Ky qe çasti i lumtur për mua, në kohën që kryeja dënimin në punë prodhuese, më propozuan të jem regjisori i parë i filmit të animuar. Pranova me kënaqësi, jo vetëm se po largohesha nga puna e rëndë, por do filloja një profesion interesant, në një veprimtari artistike, ku përmblidheshin dhuntitë e mia profesionale: skenari, grafika dhe regjia. Kështu e filloi punën ky grup i vogël artistik prej tre vetash në prodhimin shumtë të filmave të animuar për fëmijë, me subjekte tonat origjinale ose me bashkëpunim me shkrimtarë të letërsisë për fëmijë. Në vazhdimësi, me ardhjen në studion e filmit të animuar të piktorëve të rinj nga “Akademia e Arteve”, u shtua prodhimi i filmave, njëkohësisht edhe cilësia e krijimtarisë artistike u pasurua me stile të reja. Pjesëmarrja nëpër festivale kombëtare dhe ndërkombëtare i dhanë kësaj krijimtarie vlerësime të shumta me fitimin e shumë çmimeve. Sot, ky zhanër, duhet të pranuar me keqardhje, është rrudhur, strukur, fishkur e tretur si një lule pa ajër e ujë, që shumë rrallë ngjyros petalet e saj, vetëm kur lëshohet ndonjë rreze drite nga institucionet shtetërore ose kur me pikatore ndihmohet financiarisht.
Nëse nuk do të ishit artist, çfarë do të bënit?
Në çdo lloj profesioni do punoja seriozisht, me pasion e profesionalizëm. Unë e respektoj dhe e dua shumë punën. Punoj me përkushtim për çdo gjë që marr përsipër. Për të qenë i sinqertë me veten dhe me ju, dua të përjashtoj dy profesione, që me siguri unë nuk do t’i kryeja si duhet me që e ndiej veten të paaftë. Polic dhe llogaritar. Tek i pari nuk do të isha i pranueshëm, sepse jam tip liberal e sentimental e me siguri do të më përjashtonin menjëherë. Ndërsa për profesionin e dytë, atë të llogaritarit, nuk i përballoj dot shifrat dhe kombinimet e tyre. Tmerr.
Cilat personazhe ju frymëzojnë më shumë?
Personazhet e sinqertë, të mençur, me fantazi, kavalierë, të papërtueshëm, xhentilë, krijues, gazmorë e plot humor.
Kohët e fundit tv.Vizion +, shfaqi spektaklin”Dancing with the Stars” (Danc me yjet). Si personazh VIP, ju u përfaqësuat denjësisht. Madje, dueti Bujari & Olta në kërcimin klasik “Samba” arriti të skualifikonte dhe balerinë të njohur? Cili motiv ju shtyu të ishit pjesëmarrës në këtë eveniment?
Me kërcimin kam pasur dhe kam përherë, marrëdhënie të mira, që e kemi respektuar e simpatizuar në vazhdimësi njëri-tjetrin. Kam kërcyer që në vogëli. Në rini, frekuentues pasionant i mbrëmjeve të vallëzimit në shkollë dhe nëpër dasma. Kam kërcyer të gjitha llojet e valleve popullore e të vallëzimit. Ftesa për pjesëmarrjen në spektaklin “Dancing with the Stars” qe një rast i rrallë, që nuk vjen për këdo dhe ky është vlerësim, por njëkohësisht kishte përballjen me një sfidë dhe zbulimin e një ambicie artistike. Mbi të gjitha, pjesëmarrjen në një eveniment televiziv kombëtar të rrallë. Nuk duhet të harrojmë që edhe ata që të ftojnë, pra organizatorët, e kanë menduar mirë këtë pjesëmarrje, duke llogaritur në bilancin e suksesit popullaritetin e çdo pjesëmarrësi, për të siguruar kështu larminë e personazheve dhe entuziazmin e spektaklit. Vlerësimi dhe konsiderata pozitive e organizatorëve m’u duk e sinqertë dhe nga ana ime nuk do dukej e hijshme që pjesëmarrja të refuzohej. Në çastin e pranimit, përveç kënaqësisë për pjesëmarrjen në një aktivitet origjinal artistik, i ndryshëm nga aktivitetet artistike që kryeja çdo ditë, pata edhe mbështetjen dhe sigurinë e bagazhit profesional për kërcimin, leksione për të cilin kisha marrë vite më parë në Akademinë e Artëve, kur studioja për aktor, në lëndën e baletit të drejtuar nga koreografë të shquar të asaj kohe.
Kërcimet Danc, Vals, Tango pëlqehen kudo në botë. Cilin prej tyre keni pëlqyer më shumë në jetën tuaj?
I kam kërcyer këto vallëzime. I kërcej edhe sot. Por kërcimi që kam më shumë për zemër dhe ma lejoni mungesën e modestisë, për të thënë një të vërtetë që, e them me mburrje këtë, e kërcej shumë mirë edhe sot, pasi kanë kaluar 55 vjet qëkur e kam kërcyer për herë të parë, është kërcimi Twist. Në fillim të viteve ‘60 ky qe i ndaluar të kërcehej në çfarëdolloj mjedisi publik, por ne pasionantët, fshehurazi, e kërcenim në festa të ngushta familjare apo shoqërore. Një kuriozitet: Në këtë kohë, student, unë shkoja në konviktin e djemve të Akademisë së Arteve dhe aty, në dhomat e fjetjes, duke u mbajtur midis shtretërve metalikë u mësoja shokëve të kursit formën e këtij kërcimi. Nuk e harroj, sot e kësaj dite, më ka mbetur në mendje se lëvizjet e kërcimit Twist janë: Trupi drejt, gjunjët pak të thyera, duart lëvizin sikur fshin kurrizin me peshqir dhe këmbët, herë e majta e herë e djathta të alternuara, sikur shuajnë bishtin e cigares me këmbë në tokë. Sigurisht që këto janë të bukura kur lëvizjet organizohen sinkron me njëra–tjetrën. Ja pra, ua dhashë edhe juve leksionin e parë për kërcimin Twist. Suksese! Kërcim të mbarë!
Cili është Bujar Kapexhiu si bashkëshort, prind, artist dhe qytetar?
Sigurisht, ju kërkoni nga unë që të jem i sinqertë me përgjigjet e mia për këto pyetje. Kjo pyetje është e gjerë, e thellë, brenda saj me shumë nuanca. Bashkëshort i rrallë – kështu thotë gruaja. Prind shembullor e i përkushtuar – kështu thonë djali, vajza dhe komshinjtë. Artist i mirë-thonë spektatorët, lexuesit dhe bashkëpunëtorët. Qytetar korrekt- thonë banorët e lagjes, punonjësit e policisë, shitësit, kamerierët, postieri, shitësi i gazetave dhe administratori i pallatit. Kjo është përgjigjja më e saktë dhe më e sinqertë për kapacitetin e modestisë që disponoj brenda vetes, në çdo kohë e në çdo rrethanë.
Përkushtimi i punës suaj si pedagog e krijues, ndoshta, ka bërë që të jeni borxhli ndaj familjes?
Po. Kjo është e vërtetë. Jam shumë borxhli. Angazhimet e shumta, koha e gjatë me krijimtarinë e kanë limituar kohën e ndenjjes me pjesëtarët e familjes. Herë pas here largimet nga shtëpia për aktivitete të ndryshme artistike, si film, teatër, ekspozita, pjesëmarrje në konferenca, seminare e kanë bërë shumë të rrallë qëndrimin në të njëjtën tavolinë, për të drekuar apo darkuar me pjesëtarët e tjerë të familjes. Megjithatë, për të mos më mërzitur e që unë të ndiej peshën e mungesës në gjirin e familjes, ata shprehen shpesh se unë nuk mungoj, të kemi pranë, të shohim nëpër filma, në emisione televizive, apo dhe me karikaturat në shtypin e përditshëm. Për shaka, i them vazhdimisht gruas: “Ja ku e ke fotografinë time, të varur në mur. U thuaj të tjerëve, ky është bashkëshorti im, nuk largohet kurrë nga ajo kornizë, përherë ashtu i buzëqeshur dhe me ngjyra.”.
Kurdoherë i mirëpritur në festivale kombëtare e ndërkombëtare të filmit, në mjedise auditori, shokësh e miqsh. Çuditërisht, të gjitha këto aspekte mbartin brenda kripën e humorit tuaj të këndshëm…
Edhe kur nuk është i pranishëm humori dhe buzëqeshja origjinale, siç i thonë sot “Live”, me siguri që është vepra ime që u jep pjesëmarrësve, dashamirësve dhe miqve të mi buzëqeshjen apo të qeshurën, që mbushen me çaste gazmore.
Çfarë është humori për ju?
Humori që përfaqësohet nga disa dukuri, buzëqeshja, e qeshura, gajasja, nuk është vetëm tendosje e cepave të buzëve drejt veshëve, dukja e bardhësisë së dhëmbëve, tingulli i zërit që shkruhet “hahahahaha”, por diçka më e bukur, më e këndshme, që ndodh brenda shpirtit si një ndjesi që harron, zhduk, godet, përhap, spërkat, mbulon e zbulon njëkohësisht një grumbull ndjesish, që, të përziera së bashku krijojnë një koktej emocional që të shijon, të dalldis, të çlodh, të zbërthen e të eksiton. Humori me të qeshurën e tij është gjithçka. Triumf. Fitore. Kënaqësi. Është bota që ndalon përpara këmbëve të tua e ti nuk e përfill fare rrumbullakësinë e saj me të qeshurën tënde rrafshuese. Në çastin që ti qesh, me siguri që bota e ka ndalur rrotullimin e saj. Unë them: Mjerë ata që nuk dinë të qeshin. Edhe të qeshësh, duhet të dish. Nuk është e lehtë. Por jo e pamundur. Humori është privilegj i të mençurve. Unë them: Mos u mburr se je serioz, por merakosu se nuk di të qeshësh. Dikush tjetër ka thënë: “Buzëqeshja është rruga më e shkurtër midis dy njerëzve.”. E pra, në jetë sa më shumë buzëqeshje, se kështu do të jesh më i bukur, më i mençur e më paqësor.
Si do e vlerësonit punën e shkrimtarëve të humorit dhe të karikaturistëve shqiptarë?
Një pasuri e madhe e plot vlerë për artin dhe kulturën Shqiptare. Një listë e gjatë me emra autorësh shkrimtarë, poetë, karikaturistë, me një bagazh kolosal me veprat e tyre. Nuk po shënoj emra, se një listë e tyre e gjatë do të duket sikur bëj apelin në një ditë zbori. Miqtë e mi humoristë për mua janë të gjithë të dashur, të respektuar e të preferuar, duke pasur secili vendin e caktuar në këtë listë. I dua e i respektoj pa dallim feje, krahine, ideje, moshe dhe stili. Ata të gjithë kanë qenë tabela sinjalizuese në rrugën e gjatë e të vështirë të humorit, në çdo kohë. Them me sinqeritet, mua s’më mbetet hatëri fare që në listat që do formuloni ju, miqtë e mi humoristë, në intervistat tuaja, ta vendosni emrin tim ku të doni. Nuk ju mbaj mëri, edhe në qoftë se nuk e shënoni fare, do më jepni mundësinë që unë të qesh e të them: “E ka bërë për humor!”. Rëndësi ka që ne të qeshim.
Cila është koha që, edhe pse sot me 70 vite mbi supe, do të donit të riktheheshit me dëshirë?
Çdo rikthim është i vështirë e plotë telashe. Të kthehem adoleshent, më duket e lodhshme, të fillosh edhe një herë shkollën, mësimet, notat, qortimet, mungesat etj. Jo! Të kthehem 30-vjeç, përsëri mendoj që është bela, kush rri e martohet edhe një herë (megjithëse ka nga ata që e përsërisin me kënaqësi disa herë), ndërsa unë përtoj, më duket angari, e kam mirë këtë që kam. Më të mirë nuk gjej, jam i lumtur. Të kthehem 40-vjeç, e vështirë, akoma fëmijët nuk janë rritur e duhet të përballosh tërë ato telashe. Të kthehem 50 ose 60 vjeç, më duket se nuk bëj ndonjë rikthim. Vërtet i kalova të shtatëdhjetat, por e ndiej veten fizikisht si 50 dhe shpirtërisht si 25 vjeç. Kështu që më leverdis të vazhdoj këtë rrugë që kam nisur e të arrij deri aty ku i madhi Zot ka vendosur tabelën “stop”. Në këtë çast i lutem Zotit që këtë tabelë ta vendosë sa më larg dhe e falënderoj që më lejon edhe sot e kësaj dite të vazhdoj të eci në rrugën plot kthesa dhe me të përpjeta e tatëpjeta të shumta. Kënaqem se nuk po ndiej lodhje.
Profesor, nëse “Mjeshtrit e Mëdhenj” të skenës dhe kinematografisë shqiptare, si Piro Mani, Pëllumb Kulla, Kristaq Dhamo, Liljana Cingu … do të ktheheshin në Shqipëri dhe do të mbështeteshin nga shteti, a do të kishin progres arti dhe kultura në vendin tonë?
Të katërt këta emra që ju përmendët më sipër janë emra të artë të artit e të kulturës shqiptare. Edhe me krijimtarinë e tyre në dhe të huaj, ata janë vlerë, që japin një kontribut të çmuar në thesarin e artit. Edhe pse ndonjëri tashmë e ka ndaluar aktivitetin krijues, përsëri ata janë të nderuar e të respektuar për atë krijimtari artistike që kanë bërë në këtë truall. Përsa i takon mbështetjes nga shteti, më falni që në këtë çast më vjen për të qeshur me fjalën “mbështetje”. Të jini të sigurt që ky shtet i ka harruar. Ky shtet skelet, sakat, me mendjet e arnuara që e drejtojnë, shtet me xhepa të boshatisur që akoma lyp nëpër botë për të siguruar bukën e gojës dhe që zgjohet i tromaksur nga zhurma e tritolit… Që edhe ato dy lekë, kur bota ia jep si lëmoshë, ia vjedhin qeveritarët e nëpunësit injorantë e të babëzitur, me një turmë politikanësh inatçorë, që nga goja u dalin jargë dhe fjalë të pista… Një shtet që rreket për ditë të mos rrëzohet e të thyejë qafën në gropat plot llum korrupsioni të politikës… Mos prisni mbështetje! Ky shtet ka vetë nevojë për mbështetje, prandaj, ju të katërt miqtë e mi dhe të tjerët që nuk përmenden këtu, gëzohuni të përmalluar aty ku jeni, vazhdoni të krijoni e mos na i vini re që kujtohemi rrallë për ju, se tërë kohën tërheqim zvarrë hallet tona. Gëzohuni dhe mburruni me ato që keni bërë. Ne gëzohemi që kemi jetuar në të njëjtën kohë me ju dhe mburremi që ju kemi miq e vazhdojmë të shijojmë krijimtarinë tuaj. Nëse krijimtarinë tuaj përfundimisht e keni kyçur në sirtar, tani mundohuni të ruani sirtarin, se ky shtet mospërfillës mund ta hedhë në grumbullin e sendeve pa vlerë.
Cili do të jetë Bujar Kapexhiu nesër?
As unë nuk e di. Se cili do të jem nesër është e vështirë ta thuash, aq më tepër që e kam të vështirë e nuk e di të saktë se cili jam sot. Megjithatë, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, po filloj të fantazoj: Bujar Kapexhiu nesër do të jetë një emër, disa filma, disa libra, emër në artikuj përkujtimorë, emër në certifikatën familjare të djalit dhe të vajzës. Një emër që përmendet në biseda gazmore miqsh, që sjell një të qeshur. Ndoshta, më e veçanta, një emër rruge në periferi të qytetit me ndërtime pa leje, por të legalizuara. Dhe e fundit, më e preferuara, më e thjeshtë e më me vlerë: emri Bujar Kapexhiu, në fytyrën e njerëzve, një buzëqeshje.
Profesor, ekspozita juaj e fundit është vlerësuar edhe nga personalitete të njohura të politikës europiane. Ç’do të thotë për ju ky sukses?
Shqipërisë, në procesin delikat, të vështirë e të mundimshëm, për të gjetur shtegun që të dalë më pas në rrugën e asfaltuar drejt Europës, i duhet të respektojë të gjitha rregullat e qarkullimit. Po të vazhdojmë këtë linjë të metaforës, duhet të themi që në këtë rrugë ka shumë “punonjës të rendit” të cilët kontrollojnë udhëtimin e makinës me targa “Albania”. Që nga tymi tërë smog që nxjerr kjo makinë, nga bagazhet e mbushura me drogë, nga klandestinë që kërkojnë azil e deri te grindjet, sharjet, grushtat e krismat brenda në këtë makinë. Të gjorët “policë”, me mirësjellje e kryejnë detyrën, me ndershmëri, duke u dhënë këshilla shoferëve që ngasin këtë makinë. U vendosin gjoba, paralajmërojnë për heqje patente dhe në rastet kur makina ngatërron marshet dhe me goma të shpuara ecën mbrapsht, këta “policë” xhentëlmenë i venë kavon, për ta mbajtur në rrugë dhe që kjo karakatinë e ciflosur të mos rrëshqasë në greminë. Pikërisht këto figura “policësh” që kontrollojnë Europën unë i kam bërë në karikaturë në të gjitha takimet e suksesshme apo të dështuara me politikanët që udhëtojnë me targën AL. Ekspozita dhe albumi i botuar u pëlqyen shumë, duke krijuar një atmosferë që u plotësua me urimet dhe falënderimet e veçanta që erdhën direkt nga Brukseli apo Strasburgu.
Mendoni se vërtet Shqipëria do e “kapë” integrimin?
Unë jam i sëmurë, i pashërueshëm, si optimist kronik. Jam i bindur dhe entuziast që do të hyjmë. Si ata të cilët hyjnë në kinema apo në teatër pa biletë, duke qenë të sigurt se do ta gjejnë një vend bosh, ose do të kënaqen edhe me një vend në këmbë. Vendin e kemi në Europë. Është pak larg, por ne, megjithëse pak të lodhur nga varfëria, të deformuar nga kokëfortësia dhe zullumet, të gërvishtur nga grindjet, të hallakatur nga ndasitë, do të arrijmë që të hyjmë në Europë, duke qenë optimistë dhe të bindur se në këto çaste njërën këmbë, me markën e këpucës NATO, e kemi te pragu i derës. Cilën këmbë? Të djathtën. Sipas traditës popullore, ashtu si në derën e shtëpisë, ne në Europë do të hyjmë, për mbarësi, me të djathtën.
Ju sërish keni nisur nga puna për një tjetër album të ri. Cilat janë krijimet që do të trajtoni në të?
Sapo ka dalë nga shtypi libri i tretë me karikatura politike, me titullin “Kthesë”. Është gati për botim edhe libri i katërt. Njëkohësisht kam përgatitur albumin me karikatura dhe ilustrime të librave të cilat në kohën e diktaturës u ndaluan dhe u hoqën nga qarkullimi. Ndërkohë, po merrem me faqosjen e një albumi luksoz me ngjyra, që do të shoqërojë një ekspozitë me karikatura në Kosovë. Ndërsa redaksia e gazetës “MAPO”, me rastin e 5-vjetorit të botimit të saj, do të botojë albumin me karikatura të botuara në këtë të përditshme.
INTERVISTOI : FADIL SHEHU
Florida , mars 2015

Filed Under: Interviste Tagged With: Bujar Kapexhiu, Fadil Shehu, Interviste

INTERVISTA-DIASPORA SHQIPTARE, AMBASADORE E ÇËSHTJES KOMBËTARE NË AMERIKË

March 6, 2015 by dgreca

Intervistë e z. Sulejman Gjana, Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit, dhënë Editorit të Gazetës DIELLIT në SHBA, Dalip Greca/
Z. Sulejman Gjana, kryetar i Legalistëve shqiptarë kreu një vizitë pune në SHBA. Ai ishte mysafir në shtëpinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, pati takime pune me strukturat e Partisë së Lëvizjes së Legalitetit në SHBA, ishte i ftuar në mbrëmjen që “Albanian American Community Center” organizoi në Hartfort-Connecticut dhe në atë që z. Mark Gjonaj organizoi në New York për 7-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës , ku ai përshëndeti; pati takime pune me anëtarin e Asamblesë së Përgjithshme të New Yorkut, z. Mark Gjonaj, dhe me atë të Connecticutit, z. Angel Arce, kishte një takim të frytshëm me kongresistin Eliot Engel, mik i shqiptarve, ishte pjesë e panelit të konferencës mbi dialogun ndërfetar që u mbajt në Muzeun e Tolerancës në New York, u takua me komunitetin hebre, me krerët fetarë etj. Në fund të vizitës z. Gjana dha intervistën e mëposhtme për Gazetën DIELLI. Ndiqeni:
Pyetje: Z. Gjana ju kryet një vizitë në ShBA. Cili ishte qëllimi i kësaj vizite?
Gjana: Vizita ime në SHBA kishte disa qëllime. Së pari, për të takuar anëtarët dhe simpatizantët e Legalitetit që nuk janë të pakët në SHBA. Dega e PLL në SHBA që aktualisht drejtohet nga z. Hakik Mena është një ndër degët tona shembullore si nga historia e saj ku unë gjykoj se Etërit Themelues (founding fathers) të Legalitetit e kanë krijuar këtë degë dhe ideologjinë e PLL, si nga cilësia e përbërjes së kryesisë dhe anëtarësisë aktuale, si nga aktivitetet e kësaj dege në komunitetin shqiptar në SHBA, kontaktet që mban me partnerët tanë amerikanë dhe mbeshtetja e saj për partinë në Shqipëri. Së dyti, vizita ime kishte një axhendë të ngjeshur takimesh me zyrtarë amerikanë dhe miq të Shqipërisë. Po ashtu, kisha një ftesë për të qenë në panelin e konferencës mbi dialogun ndërfetar që u mbajt në Muzeun e Tolerancës në New York. Isha gjithashtu i ftuar në disa aktivitete të komunitetit shqiptar në New York dhe Connecticut me rastin e 7-vjetorit të Pavarësisë të Kosovës. Kisha po ashtu disa takime me përfaqësues të lartë të disa komuniteteve fetare në SHBA, ku ne kemi raporte të ngrohta edhe me komunitetin hebre i cili nuk harron kurrnjëherë mbështetjen që Shqipëria dhe Mbreti Zog ju dha atyre në vitet kur ishin të rrezikuar në vendet e tjera të Europës para LDB. Sigurisht që vizita ime kishte për qëllim edhe të takoj personalitetet dhe shoqatat shqiptare aktive në SHBA me të cilat PLL dhe legalistët kanë një histori të gjatë bashkëpunimi siç është Federata Pan-shqiptare Vatra.
Përse zgjodhët Vatrën për vizitën tuaj të parë?
Gjana: Vatra dhe udhëheqësit e saj kanë dhënë një kontribut të çmuar për kombin shqiptar dhe në kohëra të vështira siç ishin vitet e para të lindjes së mundimshme të shtetit shqiptar, koha e diktaturës komuniste në Shqiperi, periudha e gjatë e pushtimit të Kosovës, demokracia e brishte dhe tranzicioni i pafund në Shqipëri, etj; dhe ky kontribut duhet vlerësuar!
Nga ana tjetër, duhet të rrëfej se unë ndihem si në shtëpinë time tek Vatra dhe kjo për disa arsye: së pari, sepse një histori e gjatë e lidh Legalitetin dhe organizatën Vatra ku shumë personaletite të legalitetit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në strukturat drejtuese të kësaj organizate dhe ku legalistët dhe zogistët shqiptarë i kanë dhënë Vatrës një mbështetje të konsiderueshme në vazhdimësi; së dyti, sepse Vatra dhe Legaliteti kanë si emërues të përbashkët çështjen kombëtare dhe angazhimin e vazhdueshem dhe të pakursyer për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve si dhe për bashkim kombëtar; se treti, sepse Vatra është gjithmonë një burim dhe frymëzim ndjenjash patriotike dhe atdhetare për të gjithë shqiptarët dhe çdo takim tek Vatra dhe me vatranët shërbejnë si ushqim shpirtëror që nxit për të punuar dhe vepruar në shërbim të kombit dhe vendit tonë.
Ju patët takime edhe me përfaqësues zyrtar të politikës Amerikane. Cilin takim do të veçonit dhe çfarë përcollët në këto takime?
Gjana: Natyrisht takimet me anëtarin e Asamblesë së Përgjithshme të New Yorkut, z. Mark Gjonaj, dhe me atë të Connecticutit, z. Angel Arce, kishin një rendësi të veçantë, sepse jetojnë mjaft shqiptaro-amerikanë në këto dy shtete dhe mund të zhvillohen shumë projekte në interesin tonë reciprok. Por, unë do të veçoja takimin në Kongresin amerikan, sidomos atë me Kongresmenin Eliot Engel i cili është një mik i ngushtë i Shqiptarëve. Në të gjitha takimet që zhvillova me zyrtarët amerikanë unë u përcolla vlerësimet e PLL për zhvillimet në Shqipëri dhe rajon dhe theksova aty ky ishte e nevojshme edhe shqetësimet tona lidhur me disa çështje të rendësishme siç janë dekomunistizimi kurrnjëherë i realizuar i shoqërisë dhe organeve të pushtetit në Shqipëri, çështja e pronës, ajo e ish-të përndjekurve politikë, çështja e sistemit që është ndërtuar në Shqipëri në fillim të viteve 90 dhe që diskriminon qindra mijëra zgjedhës dhe përqëndron pushtetin ndonëse jo më në duart e një partie, gjithësesi në duart e dy partive pasuese të saj… Paraqita alternativën e PLL jo vetëm për të ardhmën e Shqipërisë por edhe pikëpamjet tona lidhur me situatën në rajon.
Po në Komunitetin Shqiptar, cila ishte axhenda e takimeve?
Gjana: Përveç vizitës te Vatra, isha i ftuar në mbrëmjen që “Albanian American Community Center” organizoi në Hartfort-Connecticut dhe në atë që z. Mark Gjonaj organizoi në New York për 7-vjetorin e Pavarësisë të Kosovës dhe ku mbajta një fjalë rasti dhe përshëndeta këto ceremoni. Zhvillova gjithashtu 4 mbledhje të veçanta me strukturat drejtuese të degës tonë në SHBA dhe me anëtarë e simpatizantë e PLL. Bëra edhe disa vizita tek disa veteranë të Legalitetit siç janë zz. Musli Mulosmanaj dhe Ndrec Gjergji në New York dhe z. Idajet Bushka në Waterbury të cilit i dorëzova një mirënjohje në emër të PLL “për angazhimin, kontributin dhe mbështetjen e tij ndaj PLL, Mbretit Leka, çështjes kombëtare dhe kauzave tona në kohërat më të vështira”. Pjesë e axhendës time ishin edhe takimet me mediat shqiptaro-amerikane si Dielli, Illyria, Bota Sot dhe Televizori Kultura Shqiptare.
Çfarë mendoni për rolin e diasporës shqiptare në Amerikë në raport me çështjet e pazgjidhura Kombëtare?
Gjana: Besoj se diaspora shqiptare në Amerikë mund të luaje një rol të rendësishëm në favor të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe sidomos të çështjeve kombëtare akoma të pazgjidhura. Ekzistojnë të gjitha mundësitë për të zhvilluar një ndërgjegjësim dhe lobing tek institucionet amerikane në favorin tonë dhe duhen angazhuar të gjitha energjitë e shëndoshta kombëtariste në këtë drejtim. Mund të sensibilizohen edhe institucione ndërkombëtare dhe sidomos OKB dhe mediat e huaja lidhur me çështjen kombëtare shqiptare. Mërgata shqiptare, sidomos ajo në SHBA, ka dhënë provat e veta në të kaluarën përmes një kontributi të paçmueshëm në favor të demokracisë në Shqipëri dhe pavarësisë së Kosovës dhe besoj se një koordinim i veprimeve tona do të japë rezultate të pallogaritshme për kombin shqiptar.
Në takimin në Vatër juve ju shtrua një propozim për të krijuar një bashkim të forcave nacionaliste në Shqipëri, Kosovë e më gjërë. Egziston kjo mundësi? Si e konceptoni një bashkrëndim pune me platformë kombëtare?
Gjana: PLL ka bashkëpunuar gjithnjë dhe është e gatshme që të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike shqiptare që kanë një platformë kombëtariste. Ne e kemi platformën kombëtariste të qartë dhe angazhimin tonë e kemi të shkruar edhe në programin tonë. Nuk e kemi përdorur kurrnjëherë çështjen kombëtare për interesa politike dhe nuk pranojmë demagogjinë që përdorin disa parti apo individë në Shqipëri, Kosovë e më gjërë. Por ekzistojnë hapësira për një bashkërendim të përpjekjeve tona dhe jemi duke punuar në këtë drejtim me disa intelektualë dhe subjekte aktiv në trojet shqiptare.
Çfarë është cështja Kombëtare për Legalistët Shqiptarë?
Gjana: Për PLL çështja kombëtare është e drejta natyrore e popullin shqiptar që të jetojë i lirë dhe i bashkuar në trojet e veta. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm se realizimi i aspiratave tona është një proces që do të kërkojë shumë kohë. Duhen marrë parasysh kushtet dhe mundësitë reale si dhe të respektohet e drejta ndërkombëtare. Por nuk duhet hequr dorë nga e drejta jonë ashtu siç nuk kemi hequr dorë për sa i përket pavarësisë së Kosovës në kohën kur nuk bëhej fjalë për një pavarësi dhe madje nënshkruheshin edhe traktate ndërkombëtare që siguronin status quo-në në Europë. Kujtoni psh Aktin Final të Helsinkit në vitin 1975 dhe ja ku është Kosova sot: një shtet i pavarur!
Si do ta vlerësonit gjendjen e sotme të Shqipërisë nën qeverisjen e koalicionit të Majtë?
Gjana: Gjykoj se gjendja në Shqipëri nuk është aspak e kënaqshme. Premtimet elektorale nuk po mbahen, madje është punuar në drejtim të kundërt. Kriza ekonomike, rritja e çmimeve, papunësia dhe borxhi publik kanë arritur nivele të frikshme dhe indikatorët ekonomik nuk japin asnjë shenjë të përmirësimit të gjendjes në muajt dhe vitet e ardhshme. E drejta e pronës paraqet akoma probleme që asnjë qeveri nuk ka marrë guximin ta zgjidhë në mënyrë të drejtë dhe qeveria aktuale nuk po bën asnjë hap në këtë drejtim. Mënyra e qeverisjes me revanshizëm dhe dhunë nuk është ajo që shqiptarët meritojnë pas traumes që kanë pësuar prej komunizmit. Qeveria socialiste ka shkelur edhe vendime të gjykatës kushtetuese dhe kjo është e papranueshme në një demokraci. Por është e vërtetë se sistemi që komunistët krijuan pas 90-ës është një demokraci e brishtë dhe një i ashtuquajtur tranzicion i pafund. Politikat konfliktuale dhe vendimet arbitrare nuk japin rezultat të dobishëm për vendin dhe unë gjykoj se nuk u shërbejnë interesave të popullit dhe kombit.
Po për zhvillimet në Kosovë, çfarë mendimi keni?
Gjana: Ne kemi qenë të parët që parashikuam një koalicion LDK-PDK pak orë pasi u publikuan rezultatet e zgjedhjeve të qershorit 2014 dhe në analizën tonë e konsideronim këtë koalicion, ndonëse jo të deshiruar prej nesh, si një zgjidhje e përkohshme të situatës paszgjedhore. Nëse do të ishin lexuar me kujdes sugjerimet tona, nuk do të kishim humbur kaq shumë muaj pa qeveri në Kosovë dhe nuk do të kishim krijuar përshtypje negative tek partneret tanë ndërkombëtarë. Ndërkaq, kjo qeveri nuk e ka punën e lehtë dhe zhvillimet politike dhe institucionale që priten mund ta rrezikojnë koalicionin qeverisës.
Lidhur me eksodin e madh të shqiptarëve, unë gjykoj se qeveria e Kosovës ka një përgjegjësi të madhe. Përveç zgjidhjes së krizës ekonomike e shoqërore dhe krijimit të besimit për të ardhmen sidomos tek rinia, besoj se qeveria e Kosovës duhet të kishte marrë masa për të parandaluar një eksod masiv dhe ilegal drejt BE. Ajo që me çudit është se autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë nuk morën masat e duhura për ta parandaluar por lejuan indirekt këtë eksod, i cili në fund të fundit përkeqësoi imazhin e Kosovës në Europë dhe nuk i shërbeu aspak interesave të Kosovës por i shërbeu vetëm dashakeqëve të Kosovës dhe trafikantëve të paskrupuj. Të paktën, presim që organet kompetente të Kosovës të ndëshkojnë ata që organizuan këtë trafik dhe eksod ilegal.
Si do ta karakterizonit gjendjen e të drejtave të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës?
Gjana: Situata e Shqiptarëve në Mal të Zi nuk ka të ngjarë me atë të Luginës së Preshevës dhe Kosovës Lindore në përgjithësi. Edhepse të drejtat e shqiptarëve shkelen si në Mal të Zi ashtu edhe në Kosovën Lindore (ndonëse me një intensitet më të madh në Kosovën Lindore), në Mal të Zi mund të arrihet më shumë nëse faktori politik shqiptar angazhohet për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të të drejtave të shqiptarëve me aq vendosmëri sa i mbron interesat e shtetit malazez. Ndërsa, në Kosovën Lindore raportohen ende raste të shumta të dhunës e presionit ndaj shqiptarëve nga autoritetet serbe dhe gjendja ekonomike është shumë e rëndë sepse atje Shqiptarët trajtohen si popullsi e dorës së dytë. Besoj se Serbia është e interesuar që shqiptarët të braktisin shtepitë dhe tokat e tyre në Kosovën Lindore dhe po përdor të gjitha mjetet për të realizuar këtë qëllim. Dhe për fat të keq, shqiptarët në Kosovën Lindore nuk gëzojnë asnjë mbrojtje edhepse një gjë e tillë do të ishte e mundur nëse qeveria e Kosovës do të kërkonte reciprocitet për çfarë u ofron serbëve në Kosovës dhe nëse diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës do të angazhoheshin në mbrojten e tyre.
Çfarë e pengon suksesin e faktorit shqiptar në Republikën e Maqedonisë.
Gjana: Për mendimin tim, partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të miratojnë ndërmjet tyre një platformë kombëtare të përbashkët që do të ishte minimumi, pa realizimin e të cilit asnjë parti nuk do të pranonte të hyjë në një koalicion qeverisës.
Po marrdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës si do t’i vlerësoni? E shihni të largët bashkimin Kombëtar dhe përmes kujt rruge?
Gjana: Besoj se nëse do të ekzistonte vullneti politik dhe një përkushtim kombëtarist i politikanëve në Shqipëri dhe Kosovë, një bashkim ndërmjet dy shtetet tona do të ishte plotësisht i mundur nëpërmjet një Konfederate Shqiptare ku do të siguroheshin të drejtat dhe interesat e të dy entiteve konfederative por edhe të partnerëve tanë.
Ju lutem, për lexuesin e Diellit, kush është Sulejman Gjana: Ku keni lindur, për cfarë keni studuar, cfarë hoby keni? Cila është familja juaj?
Gjana: Kam lindur në Bruksel në vitin 1970. Kam mbaruar në Bruksel, në vitin 1993, fakultetin e Shkencave Tregtare e Konsullore dhe kam përfunduar edhe studime pas universitare (MBA – Master in Business Administration). Kam punuar si drejtor i shtypit të huaj në Belgjikë për gati 15 vjet dhe njëkohësisht drejtor i një filiali të një grupi të madh francez, “Hachette”. Kam qënë në të njëjtën kohë anëtar i bordit drejtues të “DistriPress”, organizatë ndërkombëtare aktive në sektorin e medias së shkruar me seli në Zyrih. Kam drejtuar po ashtu disa vite katedrën e shkencave të manaxhimit ku isha përgjegjës i lëndes së Marketingut Ndërkombëtar në një universitet privat në Bruksel (ULI).
Familja ime është arratisur nga Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore. Gjyshi im nga nëna bashkë me të gjithë burrat e fisit të tij u pushkatua në Shtator të vitit 1944 nga bandat kriminale komuniste; ndërsa gjyshi im nga babai, pas shumë peripecish, vuajtjesh dhe dënimesh që kishim pësuar në familje nga diktatura komuniste, u arratis në vitin 1956. Familja ime ka qenë pjesë e Legalitetit për vite me radhë e vazhdon të jetë ende. Ndërkohë unë kam qenë që prej vitit 1994 kryetar i Legalitetit në Belgjikë por nuk ka munguar edhe angazhimi im në strukturat drejtuese të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” në Shqipëri: prej vitit 1998 deri në 2008 isha Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë i PLL dhe në vitet 2008-2009 Sekretar Politik, pastaj Nën-Kryetar i PLL nga viti 2009 deri në Kuvendin e fundit më dt. 24 Nëntor 2013 ku u zgjodha Kryetar i PLL. Kam qenë edhe kandidat për Deputet i PLL në qarkun e Kukësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 në Shqipëri.
Kam qenë mjaft aktiv në shumë aktivitete me karakter politik e kombëtar. Isha Nën-kryetar i Grupit të Emergjencës për Kosovën në Belgjikë gjatë kohës së luftës (1998-1999) ; kam qenë Nën-kryetar i shoqatës “Miqtë e Universitetit të Tetovës” në kohën kur ky Universitet nuk gëzonte njohjen e shtetit maqedon (1999-2002) ; kam berë lobing pranë institucioneve të huaja lidhur me manipulimin e referendumit e vitit 1997 për Monarkinë në Shqipëri; kam qenë bashkë-organizator i protestave në favor të pavarësisë së Kosovës në vitet 1998-2000 dhe i protestave “Nano Ik” në Bruksel në vitin 1994. Kam dhënë disa intervista, mbajtur konferenca në Rotary Club të Brukselit si dhe shkruajtur disa artikuj në favor të Pavarësisë të Kosovës. Jam angazhuar edhe në organizim e disa aksioneve me ndihma humanitare për Shqipërinë që prej vitit 1992 dhe kam dhënë një mbështetje edhe në aktivitete kulturore dhe shoqërore në Shqipëri.
Gjatë vitit 2012 kam qenë bashkë-organizator i aktiviteteve më të rendësishme të komunitetit shqiptar në Belgjikë për rritjen e prestigjit dhe përmirësimin e imazhit të shqiptarëve dhe të vendeve tona duke organizuar konferenca shkencore dhe duke promovuar vlerat e popullit shqiptar siç janë bashkëjetesa fetare dhe shpetimi i hebrejve para dhe gjatë LDB.
Jam 44 vjet, i martuar dhe prind i një djali dhe dy vajzave.
Si hobby kryesorë kam leximin dhe udhëtimet.
Jeni penduar që latë Belgjikën për Shqipërinë? Cilat ishin motivet e kthimit?
Gjana: Nuk kam se si të pendohem përderisa e konsideroj angazhimin tim si një vazhdimësi natyrale të një angazhimi të kahershëm në shërbim të popullit e kombit tim si dhe të kauzave dhe vlerave që unë besoj. Aq më tepër që në Shqipëri kam krijuar shumë miq brenda dhe jashtë radhëve të PLL dhe me të cilët ndaj të njëjtat shqetësime lidhur me fatet e vendit tonë. Por, përderisa familja ime jeton në Belgjikë, kaloj mesatarisht një javë çdo muaj në Bruksel.
Cilat janë marrdhëniet e Partisë Lëvizja e Legalitetit me oborrin Mbretëror?
Gjana: PLL ka një lidhje historike me Oborrin Mbretëror Shqiptar dhe ne besojmë se është në nderin e të gjithëve që të zhvillojnë të njëjtat marrëdhënie si tonat me Familjen Mbretërore. Ne kultivojmë një raport të ngushtë me Oborrin Mbretëror pasi na bashkon interesi kombëtar përtej atij politik.
Cfarë mendoni për formën e regjimit në Shqipëri? Do të luftoni dhe për një Referendum të ri?
Gjana: Mendimi im është se sistemi në Shqipëri paraqet shume defekte dhe se sot ka ardhur koha që të ndryshojë ky status quo i dëmshëm për popullin dhe kombin tonë. Lidhur me formën e regjimit, besoj se do të vijë koha kur populli do të kërkojë një referendum të ri. Të pakten ne jemi të angazhuar në këtë drejtim.
Lëvizja e Legalitetit në Diasporë ka pasur si qëllim luftën kundër Komunizmit dhe kthimin e Oborrit Mbretëror në Shqipëri. Po sot, cfarë motivesh ka që mbani degë në diasporë, si në SHBA?
Gjana: Këto dy qëllime nuk kanë qënë eksklusive. Levizja e Legalitetit lindi si një levizje për shtetin dhe sot shohim se shteti shqiptar nuk funksionon për arsye pikërisht të sistemit dhe të politikës. PLL është një parti kombëtariste dhe nuk do të mbarojë kurrnjëherë misioni i vet pa u zgjidhur çështja jonë kombëtare dhe pa u rivendosur legjitimiteti institucional në vend. Për këto arsye dega jonë në SHBA ka një rendësi të veçantë jo vetëm për rolin që luan në komunitetin shqiptar por sidomos në kontaktet dhe lobingun që bën me autoritetet amerikane dhe miqtë e popullit dhe kombit tonë.
Cili është mesazhi për Shqiptarët e Amerikës?
Gjana: Urojmë që çdo shqiptar i Amerikës ta dijë se është një ambasador i popullit të vet dhe të veprojë gjithmonë dhe gjithkund si i tillë. Kështu që përtej faktit që do të jetë një qytetar i denjë amerikan do të ketë dhënë edhe një kontribut për vendin e tij. Kam pëlqyer gjithmonë devizen e Belgjikës “Bashkimi bën fuqinë” dhe besoj se shqiptarët duhet të jenë gjithmonë të bashkuar kur vjen fjala për interesat tona kombëtare.

Filed Under: Interviste Tagged With: ambasadore e Kombit, dalip greca, diaspora shqiptare, Intervista, Interviste, Sulejman Gjana

Lugu i Drinit, është dhe mbetet vendi im më i dashur në botë

March 5, 2015 by dgreca

Intervistë me Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit në SHBA, studiuesin dhe publicistin Tomë Mrijaj/
Pyetje: Ju shpesh herë gjatë jetës tuaj si aktivist i palodhur për çështjen kombëtare dhe posaçërisht për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut në Kosovë, në mediat në vendlindje dhe këtu në Amerikë, keni dhënë intervista me profile të ndryshme. A mendoni, se tani ka ardhur koha që të flisni për historinë e jetës dhe krysisht për rininë tuaj dhe cili ishte shkaku qe ju lat me dhimbje vendlindjen?
Tomë Mrijaj: Ju falënderoj shumë për pyetjen, që në zemër më ngacmon nostalgjinë e pashuar për Atdheun tim. Vendlindja ime Lugu i Drinit, me fshatrat që e rrethojnë, është dhe mbetet vendi më i dashur në botë. Asnjëherë s’më ka shkuar mendja, se sa me mall do ta ndjej mungesën e vendit tim. Gjatë udhëtimeve të ndryshme nëpër botë, mendja më ka shkuar gjithnjë tek vendlindja ime e bukur dhe e dashur, si: natyra, shtepitë, livadhet e gjelbërta, që stoliseshin me lule shumë ngjyrëshe gjatë stinës së pranverës dhe verës, malet mestare të mbuluara me pyje të harlisura dhe dëborë, përshperitjen e cicërimave të zogjve të shumtë ne çdo stinë, gjarpërimin dhe gurgullimën e ujërave të kthjellta të lumit Drini i Bardhë, që përshkon ne mes rreth tre kilometër livadhet e familjeve tona. Në stinën e bukur të verës, bashkë me bashkëmoshatarët kalonim ditë të bukura duke u larë në ujërat e lumit, zinim peshk të freskët dhe kënaqeshim duke soditur natyrën e bukur të trevave tona. Edhe vjeshta dhe dimëri, sillnin në Lugun e Drinit bukurinë e tyre në çdo fushë dhe vargmalet e ulëta përreth. Ishte vërtetë kënaqësi në stinën e ftohtë të dimërit, kur dëbora mbulonte çdo gjë dhe shikonim lepuj, dhelpra dhe shpend te ndryshëm etj. E si të mos ndjehesh krenarë për fëmijërinë e bukur në trevat e bukura shqiptare!? Kështu unë kalova fmëjërinë dhe rininë. Mbas disa vitesh mbarova shkollimin në degën e mësuesisë, ku më pas vijova studimet në Drejtësi. Në jetën e njeriut, ka raste gëzimi por edhe ngjarje të pakëndshme, që ndodhin jashtë dëshirës së tij… Një ditë mbasdite vjeshte, kur po kaloja me biçikletën time në mes të qytezës së Klinës, më tërhoqën vemendjen një grup nxënësish djem dhe vajza të kombësisë serbe, të cilët po vraponin të shqetësuar nga oborri i shkollës “Vuk Karagjiq” drejt qendrës së qytezës, ku ndodhej kafja e pronarit serb Zhikës. I pyes në gjuhën serbe: “Çfarë ka ndodhur, që ju po vraponi të shqetësuar!?” ata duke menduar se unë isha serb, më thonë: “Shoku profesor po rrahën serbët me shqiptarët në klasë.” Ashtu sikurse isha me biçikletë në dorë u nisa shpejt drejt vendit të ngjarjes. Sa afrohem, dëgjoj zhurmë të madhe në katin e parë të një klase. Afrohem te dritarja, që ishte e hapur. Aty shoh se nxënësit e kombësisë serbe dhe arsimtari i edukatës fizike e kishin rrethuar nga të gjithë anët arsimtarin shqiptar të gjuhës shqipe S.M. pranë dërrasës së zezë, ku në njerin kënd ishte dhe tavolina e mësuesit. Arsimtari shqiptar, me trupin e tij të gjatë qëndronte në këmbë i rrethuar dhe po rezistonte goditjeve me grushta dhe shqelma që i vinin nga çdo anë, duke u vetëmbrojtur. Këtë mësimdhënës të ri e kisha njohur në Gjakovë, në Shkollën e Lartë Pedagogjike. Gjaku arbëror, i bashkëkombasit më thirri, që t’i vi në mbrotje, në atë situatë që ai gjendej. U hodha menjëherë në dritare, që ishte e hapur dhe hyra brenda në klasë. Me mirësjellje dhe gjakftohtësi, iu drejtova nxënësve, duke u thënë: Eshtë turp të sulmoni në mënyrë të pahijshme dhe të ushtroni dhunë ndaj mësuesit tuaj! Unë edhe sot mendoj, se ky incident me serbët në shkollë ishte i parapërgatitur. Kështu brenda pak minutash u mbush oborri i shkollës më shumë serb vendas dhe nxënës, që me sa duket kishin lajmëruar njeri-tjetrin. Edhe nga kafja e Zhikës erdhën shumë serbë të tjerë. Lajmi u përhap me shpejtësi. Në shkollë erdhën edhe disa arsimtarë shqiptarë, që i kishin banesat afër shkollës, si: Beqir Beqiri, Tush Kabashi, Ndue Prendi, Lekë Skeli etj. Leka me Nduen ishin ndalë tek dera e klasës dhe me fjalë të mira mundoheshin të qetësonin valën e madhe të serbve, që të nervozuar (irrituar) po hynin në klasë njeri mbas tjetrit. Në ato momente në shkollë vijnë edhe forcat e Policisë nga stacioni, që gjendej jo shumë larg shkollës. Ata kur e panë gjithë atë turme të madhe serbësh, dy policët shqiptarë Isa dhe Ademi, që më njihnin shumë mirë, mu lutën, duke më thënë: “Gjej mënyrën për tu larguar sa me shpejt, që të jetë e mundur sepse nuk kemi asnjë mundësi të ndërhyjmë në këtë masë të madhe serbësh, që janë shpupurishur nga inati..” Mbas shumë përpjekjesh u hodha prap nga dritarja nga kisha hyrë më parë dhe me shpejtësi e mora bicikletën, që e kisha mbeshtetur tek muri. E ashtu gjaknxehtë si isha, si rrufe i dhashë bicikletës dhe nuk e ndija se mbi shpinë dhe kokë fishkullonin vazhdimisht gurët dhe copat e drrasave të gardhit të shkollës. Mbërrita në shtëpi. Babai im po qëndronte në oborr. Ai kur më pa u ngrit në këmbë dhe mu afrua i shqetësuar. Mbasi i tregova të gjithë ngjarjen, nga përvoja e tij jetësore me serbët e pabesë me tha, se: “Duhet të largohesh sa më shpejt nga shtëpia, sepse policia menjëherë do të vijë të të arrestoj në shtëpi.” Më vonë, kam mësuar se atë natë shumë herë policia ka shkuar në shtëpi, duke menduar se mund të më gjenin mua aty. Vetëm familja dhe një rreth i vogël miq të sigurtë i dinin lëvizjet e mia dhe vendnodhjen deri sa u largova përgjithmonë nga Kososva, me mall për familjen, truallin e të parëve dhe gjithçka të mirë, mbasi kisha kaluar fëmijërinë dhe rininë time. Miqtë e mi, që kisha në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi”, më kanë thënëse, se mbas incidentit (që përshkrova më lart), mësimet në shkollë janë ndërprerë për dy javë, në shenjë proteste ndaj shqiptarëve dhe meje. Për situatën e ndërlikuar, im atë kishte biseduar me mikun e tij të ngushtë Dedë Skelin dhe sëbashku kishin vendosur të takonin Kryetarin e Gjyqit Komunal Gojko Koprivicen. Ditën e neserme ata ishin gjendur në zyrën e tij. Ai i kishte pritur shumë ftohtë. Gjatë kthimit në shtëpi, babai dhe miku i tij, kishin biseduar se diçka shumë e madhe fshihej në heshtjen e Kryetarit të Gjykatës. Ata bijnë dakord, që të nesermen Deda të takoj kryetarin në Kafen e Franës së Dedë Gjokës, ku ai drekonte çdo ditë aty. Deda, kishte shkuar me herët në Kafen e Franës dhe e kishte njoftuar Franën për takimin. Me të mbërritur kryetari, Deda e pyet me përzemërsi, ku i thotë: “Gojko, na pritët shumë ftohtë mua dhe Nikollën. U habitëm si nuk na u përgjigjet në pyetjet që ua drejtuam, sidomos kur është fjala për Nikollën, i cili, ka punuar si nëpunës i administratës, duke qenë korrekt. Ai është respektuar nga të gjithë…” Gojko, pasi e dëgjon Dedën me shumë kujdes, i përgjigjet: “Dedo, Nikolla është shqiptaro-madh. Si është i ati është edhe i biri, Toma. Çfarë i është dashur djalit të tij, të shkoj për të ndihmuar një turqeli… Dëgjo Dedë, djali i tij s’ka shpëtim. Ka gabuar rënd. Atë e pret vetëm burgu i përjetshëm.” Deda, ishte ndarë i dëshpëruar nga fjalët e Kryetarit të Gjykatës. Ai kishte shkuar menjëherë drejt tek babai im, për t’i përcjell bisedën, që kishte pasur me serbin e lartë në pushtet. Kishte ra terri i natës. Unë isha nisur drejt shtëpisë për të parë se si qendronin punët. Tek Mulliri i Selmanëve, në rrugën kryesore në atë errësirë takova mikun e familjes tone Dedë Skelin, atë burrë të veçantë në Lug të Drinit, me një trup të gjatë si lisat dhe i veshur shumë elegant me kostumin kombëtar. Në dorë ai mbante cigaren e çelibarit, ku tërë ditën tymoste cigare pas cigareje. Deda, më tha, që të largoheshim nga rruga, ku u zhvendosëm në livadhe pas shelqeve që të mos zbuloheshim nga kalimtarët e rastit. Më tregoi gjatë për takimin që kishte zhvilluar me Kryetarin e Gjykatës për incidentin tim. Ai shtoi se sapo ishte kthyer nga biseda e gjatë me babain tim. Në fund me tha se është mirë që të largohem jashtë Kosovës qysh sonte… Edhe kur mbërrita në shtëpi, baba me tha shkurtimisht, se: “Serbët këtu ti kanë prerë të gjithë rrugët për të qëndruar në Kosovë. Ata kërkojnë burgim të përjetshëm për ty dhe kështu e vetmja rrugë biri im është të largohesh sa më shpejt nga Kosova, sepse të gjithë janë ngritur në këmbë për të arrestuar me çdo kusht. Babai më përqafoj me lot në sy, duke më thënë: “Biri im të kesh kujdes vetën tënde!” Kështu vendosa që të largohem natën me tren. Hypa në trenin e natës duke iu shmangur njerëzve që më njihnin dhe mora rrugën drejt Beogradit… dhe më pas me një tren tjetër preva biletën drejt Parisit… Aty qëndrova për tre vjet. Meqenëse isha i rregjistruar në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë, vendosa të vijoi studimet e larta më korrespondencë për të mos rënë në sy në vendin tim. Kam udhëtuar në Prishtinë, gjatë kohës që kisha provimeve universitare. Në orët e vona të natës mora disa herë rrugën për të vizituar me mall të zhuritur familjen time, por pa rënë në sy të njerëzve që më njihnin… Mbas Parist ndalesa ime e fundit në emigracion ishin Shetetet e Bekuara të Amerikës, ku hapa familjen dhe gjendem edhe sot me djalin dhe vajzat e mia të martuar, me shumë nipa dhe mbesa…
Pyetje: në një libër shumë të rëndësishëm më autor Eugjen Merlika, në hyrje gjendet parathënia e shkruar nga ju me titull: “Kruja – Gjomarku – Nekaj figura të mëdha të kombit tonë nën dritën e letërkëmbimeve shumevjeçare historike”. A mund të na thoni diçka më shumë për përmbajtjen e librit?
Tomë Mrijaj: Para disa kohe, miku im i dashtur studiuesi dhe publicisti i mirënjohur zoti Eugjen Merlika, me banim në Itali, një pinjoll i familjes së studiuesit albanolog, ish Kryeministrit Mustafa Kruja, më dhuroj dorëshkrimin e librit të tij. Duke e lexuar me shume kujdes, mora frymëzimin dhe hodha në letër shënimet e mia, që më vonë i botova si parathënie në veprën e tij shumë të mirëpritur nga kritika në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Çdo shtet e çdo komb, ka figurat e veta të mëdha, me kontribute të çmueshme në arritjet e sukseseve në fushat e ditunisë: në shkencë, art, filozofi etj., qoftë edhe në zhvillimet politike për Liri e Demokraci, në mirëqenien materiale të vendit, ku jetojnë e punojnë.
Këto figura, me të cilat krenohen vendet që i kanë, nderohen e përkujtohen vazhdimisht, vit për vit nga bashkatdhetarët dhe organet shtetnore të tyne.
Vetëm Shqipëria është i vetmi vend, ku figurat e saj janë përbaltë e denigruar pothuajse gjithmonë, e, veçanërisht gjatë regjimit afro 50 vjeçar komunist. Kriteri percaktues i masës së vlerave në zgjedhje të tilla, është pikërisht dobija, që ata i shkaktojnë vendit me ndikime të mira edhe për brezat e ardhshëm. Studiuesi Mustafa Kruja, gjithë jetën ia kushtoi idealit të bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare, në një shtet të vetëm të zhvilluar, demokratik e përparimtar me orientim prendimor.
Një mundësi tjetër, për t’a njoh edhe më mirë botën shpirtëore dhe pastertinë e idealeve të shenjta të figurave të kalibrit si Mustafa Krujës, përveç veprave të botuara ose të mbetura në dorëshkrim, është edhe korrespondenca e pasur dhe origjinale me të afermit e miqtë, me kolegët dhe bashkëpuntorët.
Pikërisht këtij qëllimi i sherben edhe ky libër i mbushur vetëm me dokumente origjinale të paparë ndonjëherë. Me përsonalitete të tillë, ka pas letërkëmbime Mustafa Kruja në mergimin e gjatë në kushte të vështira, ku, përveç punës së rande fizike për të fituar me djersë e me nderë kafshatën e bukës, del në pah lufta e përpjekjet e parreshtura deri në fund të jetës për çlirimin e Atdheut nga rregjimi gjakatar komunist, pa lënë menjanë edhe veprat shkencore në gjuhësi e histori si dhe ato letrare, që mbetën një thesar i vertetë njohurish e të dhënash për specialistët e këtyre fushave.
Sot ka ardhur koha të rishkruhet historia e jonë e vertetë. Kam qenë gjithnjë mes miqve të shquar shqiptarë. Kam pas nderin, kënaqsin dhe privilegjin të njoh në emigracionin e Amerikës, Kapidan Ndue Gjomarkun, Prof. Zef Nekën, Mons. Dr. Zef Oroshi, Prof. Rexhep Krasniqi, Kolonel Xhemal Laçi, Muharrem Bajraktarin etj. Me ata kam udhëtuar shpesh dhe kemi ndejt gjatë për takime pune në shtepinë e Kapidan Ndue Gjomarkut.
Në biseda të shpeshta plot kujtime, është përmendur me respekt emri i intelektualit erudit, linguistit dhe burrit të madh të shtetit, miku i tyre në mungesë Mustafa Kruja (1887-1958).
Kështu më kujtohet kur Kapidani i Mirditës Gjonmarku, në esencë vlerësonte shumë lart figurën e mikut të tij Mustafa Krujës. Ai ndër të tjera thonte, se: “Për nivelin e naltë intelektual, në disa fusha të shkencës e historisë së kombit tonë, flet vetë nënshkrimi i tij në aktin e Pavarësisë së Shqipnisë me 28 Nanduer 1912 në Vlorë, ku ai ishte jo ma shumë se 25 vjeç…”
Profesor Neka, kujton: “Në jetën time pata rast të shkëmbej mendime me shumë figura të shqueme, që dhanë shumë në fusha të ndryshme. Por Mustafa Kruja, mbetet figura ma e naltë e nji studiuesi të çdo disipline shkencore. Unë nga ai mësova shumë, gjatë letërkëmbimeve tona të shumta dhe mund t’a quaj si nji mësues im në jetë. Për te kam lut Zotin ta kursej, për t’i shërbye edhe ma mirë gjuhës e Atdheut tonë të shumëvuejtun…”
Prof. Rexhep Krasniqi, për kolegun dhe mikun e tij të ngushtë kujtonte: “Nji studiues i palodhun si Mustafa Kruja, kombit tonë do t’na i lente nji thesar të çmueshëm sikurse Zoti do t’i jepte jetë ma të gjatë. Ai do t’na krenonte në mesin e figurave botnore…”
Ndërsa themeluesi i Kishës së parë Katolike shqiptare në Amerikë Mons. Dr. Zef Oroshi thonte shpesh: “Pushtimi i vendit tim me 7 Prill 1939 nga Italia fashiste, më gjeti në Romë me studime. Ishin ditët ma të idhta të jetës time. Ardhja e Mustafa Krujës në krye të shtetit, per atë periudhë kohe të shkurt i tregoi pushtuesve të huaj se ka të baj me nji burrë të madh, i cili për çashtjen e Atdheut nuk lshoi pe. Aja u kuptue edhe me dorhekjen e tij, për mos realizimin e plotë të kërkesave…”
Kolonel Xhemal Laçi, në kujtimet e veta tregon, se: “Kryeministri Mustafa Kruja nga nji kundërshtar i Mbretit Zog, u ba këshilltari ma i besueshëm i tij…”
Unë e pergëzoj dhe falnderoj sinqerisht zotni Eugjen Merliken, për këto seri origjinale veprash, me të cilat zbardhet plotësisht e vërteta, për aq sa trajtojnë e i uroj perzemersisht shendet, jetë të gjatë dhe suksese në rrugen e nisur…
Pyetje: Me ardhjen tuaj në New York, duke qenë një i ri plot energji dhe endrra, për ta parë vendlindjen tuaj të çliruar nga nata e gjatë e makinës shfarosëse të pushtimit shekullor serb, ju menjëherë në vitin 1978 u përfshit në lëvizjet patriotike në Amerikë. Duke shfletuar sot me nostalgji shkrimet dhe artikujt e botuar në gazeta dhe revista nga ju, konkretisht në gazetën “Dielli” organ i Federatës Pnashqiptare “Vatra”, emri juaj ndodhet në bordin e kësaj tribune të mirënjohur të atdhedashurisë. A mund të na tregoni se si ndodhi, që ju jeni i pari i ri nga Kosova, që keni aderuar si vatran qysh heret në të mirënjohurën “Vatra” dhe keni drejtuar për shumë vite Degën e Vatrës në Queens, NY!?
Tomë Mrijaj: E kam ende të freskët ditën e pare, kur zbrita në Aeroportin International “John F. Kennedy” në Queens, NY. Ndjeva shumë emocione, mbasi kisha dëgjuar dhe lexuar shumë për hisorinë e Amerikës dhe për kontributin e madh të diasporës, për veprimtarinë e madhe patriotike për çështjen kombëtare, të kohës së Imzot Fan Stilian Nolit, Faik Konicës, Mons Dr. Zef Oroshit, Prof. Rexhep Krasniqit, Kapidanin e Mirditës juristin Ndue Gjomarku, Ing. Xhafer Deva, Prof. Zef Neka, Mit’hat Frashërin, Prof. Luan Gashin, Abaz Kupin, Kolonel Xhemal Lajcin, Kolë Bajraktari, etj., me një pjesë më vonë pata fatin dhe nderin të bashkëpunoj ngushtë, për të njëjtat ideale të shenjta atdhedashurie. Unë mbërrita në New York më 19 Maj 1978 dhe dy muaj më pas u martova. Meqenëse bashkëshortja ime vinte nga Puka, në ditët e dasmës kisha të ftuar shumë miq, që ishin njëkohsisht edhe figura të rëndësishme të emigracionit, nacionalizmit dhe komunitetit shqiptaro-amerikanë këtu në New York dhe gjetkë. Një grup bashkëatdhetarësh, si: Mons. Dr. Zef Oroshi, Ahmet Dervishi, Ymer Doda, Mahmut Cungu, Kolë Bajraktari, Gjeto Sinishtaj, Daut Vathi, Fran Sokoli dhe disa të tjerë, vijnë në shtëpinë time dhe më ftojnë të aderoi në Federatën Panshqiptare “Vatra”, që asokohe i kishte zyrat e saj në Boston. Pasi u urova mirëseardhjen në shtëpinë time, kryetari i “Vatrës” e mori fjalën dhe tha: “Më kanë folur shumë disa miq për ju si intelektual i ri nga Kosova pjesë e shqipes së cunguar, që vatrës sonë i mungojnë njerëz nga kjo krahinë. Ne kemi shumë dëshirë, që tu kemi ju në mësin tonë.” Pasi fola pak për kontributin e Vatrës së Nolit dhe Konicës, gjatë shumë dekadave, sikurse e kishim mësuar në shkollat tona në Kosovë, edhe pse jam i ri në këtë vend, do të përpiqem të jap kontributin tim me gjithë mundësitë e mia, për të mirën dhe qëllimin fismik, që ka kjo organzatë famëmadhe, e cila luajti një rol të madh për përfshirjen e nënës Shqipëri në OKB. Atë ditë më emëruan si Sekretar i Degës së Vatrës për qytetin e madh Queens, New York. Pas pak kohe, vjen sërisht ish Kryetari i Degës Gjeto Sinishtaj, për arsye të tij personale jep dorëheqje dhe drejtimin e degëa së Vatrës e mora unë. Qysh në ditët e para të ardhjes në Amerikë fillova të shkruaj në faqet e gazetës “Dielli” (1909). Shkrimet e mia u mirëpriten shumë mirë nga editori asokohe Xhevat Kallaxhiu dhe lexuesit. Aty si fillim, unë botova një poezi, kushtuar familjes famëmadhe dhe shumë patriotike në trevat tona, me titull: “Kulla e Sadik Ramës”. Poezia u prit shumë mirë. Mbas pak ditësh, në shtëpinë time erdhen dhe më takuan të bijtë e Ukë Sadikut, nipat e heroit të pamposhtur Sadik Ramë Gjurgjevikut: Ismeti, Skënderi dhe Selimi. Ishte hera e parë, që pata kënaqësinë të takoja tre vëllezërit, të cilët, ishin shumë të gëzuar, që unë kisha shkruar një poezi. Ismeti, hapi faqen e gazetës, ku më tregoj poezinë dhe me një buzëqeshje fisnike me solli falënderime të ngrohta nga familja e tij, duke më njoftuar se ishte nipi i Sadik Ram Gjurgjevikut. Ai më tha gjithashtu, se ishte Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit të themeluar në New York, në vitin 1962. Ai më ftoi kërkesën, që ti bashkohem kësaj organizate politike dhe atdhetare, që kishte si synim dhe qëllim (me programin dhe rrugën e saj) bashkimin e të gjithë trojeve etnike shqiptare rreth shtetit amë, sikurse kanë qenë për shekuj me radhë. Për dy vjet me radhë unë dhe shoku i idealeve antikomuniste dhe patriotike, për çlirimin e Kosovës nga kthetrat e shovinizmit të tërbuar serb, punuam pa u lodhur në çdo kohë, për të përgatitur mbarëvatjen e Kongresit, i cili, ishte menduar të mbahej në vitin 1982. Në Kongresin e mbajtur asokohe, unë u zgjodha me vota të lira Sekretar i Përgjishëm i Lidhjes së Prizrenit, detyrë të cilën e mbaj edhe sot e kësaj dite, për 33 vjet me radhë.
Pyetje: Ju keni qenë një ndër bashkëpunëtorët dhe miqtë më të ngushtë të shumë përsonaliteteve të shquara shqiptare në Amerikë dhe gjetkë. Një ndër këto padyshim mbetet edhe meshtari mirditor Dr. Mons. Zef Oroshi. Në një shkrim tuajin dhe më saktë, në hyrje të monografisë tuaj kushtuar Dr. Mons. Zef Oroshit (1912-1989), ndër të tjera saktësisht nënvizoni, se: “Imzot Dr. Zef Oroshi, ruaji të freskët në kopshtin e vogël të komunitetit katolik shqiptar në SHBA gjelbërimin e fesë së gjallë të Krishtit, duke qenë themeluesi e meshtari i parë i Kishës Katolike Shqiptare në mërgimin e largët… Në monentin e përurimit të Kishës së re në Bronx, më 24 shtator 1978… unë pata kënaqsinë e veçantë, që së bashku me pjesëmarrës të tjerë, të përshendes ngjarjen e madhe në komunitetin tonë, duke recituar një poezi kushtuar bariut tonë shpirtëror. Ai më dëgjonte, por kryet e kishte të ulur. Ishte shumë modest e i përvuajtur. Këto cilësi e shoqëruan gjatë gjithë jetës tokësore. Nuk kishte kurrë dëshirë, që të tjerët t’ia përmendinin meritat dhe mirësitë, që kishte bërë gjatë jetës në Mirditë, Europë dhe SHBA…” A mund të na thoni diçka më shumë për këtë personalitet të pa vlerësuar ende sot nga historiografia poskomuniste në Shqipëri!?
Tomë Mrijaj: Të gjithë miqtë e ngushtë të Mons. Oroshit e dinë faktin, se kleriku ynë e kishte mik të ngushtë Profesor Koliqin dhe bashkëpunonte me ide e punime shkrimore me revistën autoritative kulturore-shkencore “Shejzat”, që asokohe dilte në Itali. Me kalimin në amshim të personalitetit të madh shkodran Prof. Koliqit, atdhetari, meshtari i përvujtur, përkthyesi, shkrimtari, studiuesi, teologu dhe filozofi i mprehtë Mons. Oroshi, në faqet e revistës prestigjioze “Shejzat”, në numërin special të vitit 1975, përkushtuar tërësisht Prof. Ernest Koliqit, shkruan 12 faqe me fakte dhe pathos të veçantë punimin: “Fiket Ernest Koliqi, një pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare”, duke e analizuar personalitetin e shquar të kombit në shumë rrafshe. Marrëdhënie shumë të mira, Mons. Oroshi, kishte me intelektualët e tillë, si: veteranin e arsimit shqiptar dhe studiuesin e shquar albanolog, Profesorin e Universitetit të Palermos të Gjuhës Shqipe dhe një shtyllë e fortë mbështëse e Qendrës Ndërkombëtare për Studimet Shqiptare Prof. Karl Gurakuqin; poliedrikun dhe burrin e madh të shtetit Imzot Fan Stilian Nolin, me të cilin dialogoi gjatë si një ekumenik i papërsëritshëm (në prani të Kardinalit të Bostonit Caushing), për endrrën e moçme të bashkimit të kishave shqiptare ortodokse me ato katolike; Eminencën e Tij Kardinalin e New York-ut Terrence J. Cooke D.D., kardinalët italinë: Antoniutti dhe Giovanni Villot; poetin e romancierin e shquar modern, profesorin e Universitetit të Mynihut Martin Camaj; Prof. Arshi Pipa, intelektual i shquar; përkthyesin në gjuhën angleze të poemës “Lahuta e Malcis” të poetit kombëtar Atë Gjergj Fishta, gazetarin e famshëm të Radios BBC në Londër (Seksionin e Gjuhës Shqipe), studiuesin dhe autorin e librit shkencor: “Historia e Shqipnis” Tajar Zavalanin (alias Tomas-Henry Zavalani); bashkëpunëtorin qysh nga numëri i parë në revistën: “Jeta Katholike Shqiptare” (1966), Prof. Dr. Rexhep Krasniqin; Lec Shllakun bashkëpunëtor i revistës dhe editor i revistave së diasporës, gazetaren e famshme të “The New York Timës”, Radios “Voice of Amerika” dhe në Zyrën e Shërbimeve Strategjike të ShBA-së, intervistuesen e shumë personaliteteve dhe presidentëve të Lindjes së Mesme, Nexhmije Zaimi; enciklopedistin nga Malësia e Madhe Prof. Mhill Marku; intelektualin e shquar Pader Paulin Margjokaj O.F.M., që shërbente në Graz të Austrisë; Prof. Zef Vorf Nekaj, poliglot, instruktor dhe hartues i teksteve të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve të Huaja në Ministrinë e Mbrojtjes Amerikane në Montery, California; Prof. Gjon Sinishta, botuesi për 15 vjet i revistës “Buletini Katolik Shqiptar”, poetin dhe editorin e “Diellit” (1909) Xhevat Kallajxhiun, i cili, botoi shumë artikuj për komunitetin dhe Kishën Katolik Shqiptare në Amerikë; albanologun e shquar italian Atë Prof. Giuseppe (Zef) Valentini; Atë Danjel Gjeçaj O.F.M.; Dom Nikoll Kimza, me të cilin udhëtoi nga ish-Jugosllavia në Itali, bashkëpunëtor i ngushtë me revistat: “Hylli i Dritës”, “L.E.K.A.”, “Kumbona e së Diellës”, “Lajmëtari i Zemrës T’Jezu Krishtit”, etj.; Kolonel Abaz Kupi, prijës i denjë i lirisë shqiptare një bir dhe hero i vërtetë i Krujës së Gjergj Kastriotit, të cilit i kreu amanetin, duke i thënë meshë për shpirtin e tij për një vit me radhë; bisnesmenin e suksshëm në Boston veprimtarin, filantropilistin, patriotin dhe bujarin fisnik Anthony Athanas; Dr. Hamdi H. Uruçin M.D.; klerikët e nderuar: Shkëlqësinë e Tij Imzot Rrok Mirdita (sot Arqipeshkëv Metropolitan në Arqipeshkëvinë Metropolitane Tiranë-Durrës); famullitarin e sotshëm të Kishës “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj; misionarin e Krishtit, që shërbeu 10 vjet në Brazil dhe New York, Dom Lazër Sheldijën; kryetarin e Këshillit të Kishës, aktivistin e palodhur Tonin Mirakaj, Ismet Ukë Sadik Berishen; Kapidanin e Mirditës Ndue Gjonmarku, jurist i lauruar në Itali dhe Kryetar i Bllokut Indipendent; mikun e tij të ngusht Baba Rexhepin, Kryegjysh Botëror i Teqes Bektashiane në Detroit; Dr. Çesk Ashta e Kolë Çuni; teologu, filozofi dhe profesori i shquar françeskani Prof. Dr. Andrea Nargaj; Prof. Luan Ahmet Gashin; Dr. Agim Leka; famullitari i Kishës së “Zojës Pajtore” në Detroit Dom Prek Ndrevashaj, Dr. Lec Zojzi M.D. etj. etj.

Pyetje: A është e vërtetë se Monsinjor Oroshi bocat e redaktimit të revistës “Jeta Katolike” i merrte me vete ne makinën e tij?
Tomë Mrijaj: Po. Me daljen e revistës në fjalë të komunitetit katolik në New York, Oroshi i kushtohet tërësisht buletinit që ai vetë themeloi dhe drejtoi. Shkrimet e tij mbajnë nënshkrimin Dom Zef Oroshi dhe pseudonimet: “Theologu”, “Zodiaku”, Redaksia, Drejtoria, D. Z., etj. Dëshmohet me prova, se rreth 70 % të shtypit në fjalë e përgatiste dhe redaktonte vetë, sikurse rikujton sot bashkëpunëtori i tij i ngushtë dhe njëherit edhe Kryetar i Këshillit të Kishës z. Tonin Mirakaj, “Monsinjori e merrte me vete makinën e shtypit, korrigjonte dhe redaktonte me shumë kujdes shkrimet e tij dhe bashkëpunëtorëve të revistës”. Kjo vinte nga fakti, se Oroshi librat i kishte pasion dhe ushqim shpirtëror, sepse Urdhërat Katolike dhe posaçërisht Etërit Françeskan dhe Jezuit, në qytetin e lashtë të Shkodrës e kishin për traditë shtypin e lirë, demokratik dhe luajal, si një tryezë e hapur bashkëbisedimi të lirë mediatik, kulturorë dhe shkencorë asokohe, për të gjithë mendimtarët progresistë shqiptarë dhe të huaj të kohës ndër shekuj.
Pyetje: Cfarë mendoni për kolosët Noli dhe Oroshi?
Tome Mrijaj: Noli dhe Oroshi, janë dy figura të spikatura të komunitetit shqiptaro-amerikanë, të cilët nga studiuesit e sotshëm nuk janë lëvruar. Oroshi, portretizon shumë bukur mikun e tij të dashur Imzot Fan Stilian Nolin dhe komunitetin ortodoks në Boston. Pikërisht përjetimet e veta mbresëlënëse për Nolin dhe frymën dashamirëse ekumenike të tij, kleriku katolik mirditor, i përshkruan në punimin që ia dedikon tërësisht atij në shenjë nderimi dhe respekti, që ai ka bërë jo vetëm si Ipeshkëv i besimtarëve të vet, por edhe si një atdhetar i madh, intelektual erudit etj. Mons Oroshin, ishte ekumenik i papërsëritshëm, vizionar, largpamës dhe me kurajo të fortë civile dhe fetare, burr i matur e i përvujtur, bari i përshpirtshëm dhe atdhetari i flaktë për lirinë e popullit të vet në Shqipëri. Oroshi si intelektual i palodhur dhe shqipërues i librit: “Katër Unjgjijt dhe Punët e Apostujve” (Shkrimi i Shenjtë), u vlerësua me një audiencë private nga vetë Papa Pali VI. Në këtë rast, ne zbulojmë Monsinjorin e thjeshtë, por të përkushtuar vreshtës së Zotit deri në përvujtëri; mikun dhe dashamirin e Të Lumes Nënë Tereza, të cilën ua tregoi nga afër shqiptaro-amerikanëve, në një kohë që qeveria komuniste nuk e lejonte atë të bënte një vizitë tek varri i nënës së vet. Dom Zefi, tha një meshë në oborrin e Kishës katolike Bronx New York më 25 Korrik të vitit 1976. Kjo histori, është sprova e mbijetesës dhe vijimsisë së trashigimisë së gjuhës, kulturës dhe vlerave më të mira atdhetare të një pjese të bijve të trojeve etnike shqiptare, që ndodhën këtu në mërgimin e largët në Amerikë.

Pyetje: Si u prit libri juaj i ri në komunitetin shqiptaro-amerikanë?

Tomë Mrijaj: Më 15 mars 2009, në New York, Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodres”, përkujtoj themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dr. Monsinjor Zef Oroshin. Me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së tij, u mbajt mesha për shpirtin e bariut shpirtëror Dom Zef Oroshit, sikurse e thirrnin të gjithë këtu. Në meshën e përshpirtshme, morën pjese rreth 1500 vetë. Në ceremoni përkujtimore erdhi edhe miku i tij meshtari dhe famullitari I nderuar Dom Anton Kçira, famullitar i Kishës Katolike Shqiptare Shën Pali në Detroit (Michigan), i cili, në predikimin e tij vlerësoi shumë lart figurën e përsonalitetit të madh të botës shqiptare dhe që padrejtësisht është lënë në harresë nga media dhe historiografia komuniste dhe poskomuniste në Shqipëri. Në mbyllje të meshës ai tha se Mons. Oroshi jeton në zemrat tona dhe se do të ishte në nderin e komunitetit tonë në Amerikë, që t’i ngrejmë një bust përkujtimi. Më pas u zhvillua promovimi i monografisë time pranë Qendrës Kulturore “Nënë Tereza”, në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, ku u fol gjerësisht, për jetën dhe veprën e Mons Oroshit, me referues kryesor zotin Tonin Mirakaj, aktivist veteran dhe disa herë Kryetar i Këshillit të Kishës dhe referuan studiues të tjerë. Folësi kryesor z. Mirakaj, mbajti kumtesën: “Jeta dhe veprimtaria e Mons. Zef Oroshit në komunitetin shqiptaro-amerikanë”. Kritika e ka pritur shumë mirë librin: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e Shkrirë për Fe e Atdhe” (Jetëshkrim, New York, 2009). Me interes mund të lexohen shkrimet e studiuesit të mjedologjisë Prof. Mentor Quku (1939-2014), gazetari i Zërit të Amerikës Astrit Lulushi, redaktorit të librit studiuesi Klajd Kapinova, gazetari Beqir Sina, Prof. Azem Gjidija, editori i revistës “Jeta Katolike” Mark K. Shkreli, Prend Buzhala, Bep Kuqani, Vasil Marku, Leonora Gjoka, Leonora Lajçi, etj.

Pyetje: Një ndër personalitetet e shquara të komunitetit shqiptaro-amerikanë, është edhe meshtari i palodhur Dom Anton Kçira, që një jetë të tërë po i shërben Zotit dhe Atdheut, në fillim në Kosovë dhe më pas në Detroit (Michigan-it) SHBA. Ju keni shumë dekada që e njihni këtë figurë të shquar të botës shqiptare në mërgim dhe vendlidje a mund të tregoni diçka të veçantë nga njohja e juaj me këtë personalitet?

Tomë Mrijaj: “Mund të them, se Imzot Kçira, është një burrë i madh e trim. Është një njeri i feshëm e i atdheshëm, pra fetar dhe atdhetar i madh. Imzot Kçira, me jetën dhe veprën e tij, e vazhdon traditën e hershme shqiptare të Pal Engjëllit, Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit, Gjeçovit, Imzot Nikë Prelës e shumë e shumë burrave të famshëm të kombit tonë. Ai është gjithnjë njeri i pajtimit dhe forcimit të besimit në Zotin. Ai është njeri i madh i kombit tonë. Ndihem krenar, që e kam mik dhe krah të fortë mbështetës në punët e Kosovës, vendit tonë të shtrenjtë”. Janë këto fjalë tepër domethënëse, që Presidenti i paharruar historik Dr. Ibrahim Rugova, i përsëriste shpesh në shenjë nderimi dhe respekti të madh, që kishte për mikun e tij të idealeve të shenjta kombëtare, klerikun e personalitetin e shquar të komunitetit shqiptaro-amerikanë, burrin e madh të palodhur të popullit të vet në Amerikë e Kosovë: Dom Anton Kçirën. Kisha katolike shqiptare në Detroit, është më e madhja në botën shqiptare dhe një muze i gjallë historik ose pasqyra e trojeve etnike shqiptare në miniaturë. Kryesia e Lidhjes së Prizrenit me Qendër në New York dhe degët e saj nëpër shtete e qytete të ndryshme nëpër botë e priti me kënaqësi të veçantë ftesën e Këshillit Organizues, pranë Kishës së Shën Palit në Detroit (Michigan), për kremtimin e 70-vjetorit të lindjes së meshtarit të madh të komunitetit shqiptaro-amerikanë Dom Anton Kçirës. Që në moshën adoleshente, unë kam pasur fatin, nderi, privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë të njihem nga afër me jetën e veprën e Dom Anton Kçirës, qysh kur ai ishte meshtarë në vendlindjen tonë të përbashkët në Dardani.
E mbaj mend si sot, këtë burrë të gjatë si lisat e bjeshkëve tona kreshnike, energjik, të palodhur dhe me vizion e vendosmëri të patundur, për t’i çuar gjërat deri në fund. Vështrimi i syve të tij si shqiponjë, karakteri i një burri të fortë dhe stoik përpara vështirësive, që pushtuesit shekullorë serb i bëheshin pengesë meshtarit tonë, në misionin fisnik si fetar dhe atdhetar i flaktë, kam gdhendur thellë në memorien time një pinjoll të denjë të pararendësve të shquar prelatë të Kishës Katolike në trojet etnike shqiptare ndër shekuj. Një koinçidencë historike, sot është dëshmitare e kujtimeve të mia. Ende e kam të freskët kujtimin e 48 vjetëve më parë. Ishte moment shumë i bukur dhe mbresëlënës shugurimi si meshtar në Gjakovë i Dom Anton Kçirës, më 29 Qershor të vitit 1967, në Kishën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit. Prifti i ri kishte marrë kuletin e bardhë, petkat dhe famullinë për ta çuar me devocion në rrugën e vreshtës së madhe të Zotit… 
Një vit më pas, më 13 Qershor 1968, kisha kënaqsinë, nderin dhe privilegjin të marr pjesë në meshën kryesore të Ditës së Shna Ndout (Shën Antonit), që është edhe dita e emrit të vetë meshtarit. Gjatë predikimit plot elokuencë bariu i përvuajtur shpirtëror, ishte i sigurt në përcjelljen e mesazheve fetare dhe atdhetare tek besimtarët e shumtë, që asokohe kishin ardhur nga shumë zona të largëta për ta dëgjuar. Por ai kishte rënë shumë shpejt në sy të keq tek pushteti sllavo-komunist i ish-Jugosllavisë asokohe, që kishte vënë agjentët e UDB-së, që mbetën të habitur nga fjalët plot urrejtje kundër komunizmit… Dom Antoni, që e dinte se UDB-ja ishte prezent me njerëzit e vet, nuk i bënte syri tërr. Mbas meshës krahas urimit të ditës së emrit ai mori përgëzimet nga Ipeshkvi dhe meshtarët e tjerë bashkëcelebrues për predikimet e tij me nivel, që përvetësuan shpirtërisht popullin besimtar. Ishte një rast i rrallë, që një meshtari të ri t’i caktohet nderi të kryesojë meshën dhe predikimin para mijëra besimtarëve.
Pyetje: Familja e juaj dhe ju po vijoni traditën e miqsisë me Derën e madhe të Kapidanit të Mirditës. Cili është opinionin juaj për këtë familje të mirënjohur brenda dhe jashtë trojeve etnike shqiptare?
Tomë Mrijaj: Trojet etnike shqiptare, gjatë shekujve të historisë së lavdishme, kanë nxjerrë burra të shquar të pushkës dhe penës, të cilët, ishin dhe mbetën ndera e krenaria, jo vetëm e krahinës, ku, ato janë lindur dhe rritur, por edhe më gjërë, duke qenë gjithëkombëtarë, për kontributin e madh, që dhanë gjatë jëtës së tyre. Kur këto patriot të shquar, nuk ndodhen sot në mesin tonë, ne me nostalgji përkujtojmë veprën e tyre, që gjithnjë do të mbetët e pavdekshme në panteonin e ndritur të historisë shqiptare. Nga ana tjetër, kur një personalitet të komunitetit tonë shqiptaro-amerikanë e ke njohur nga afër (për shumë dekada), ke folur dhe kuvenduar shtruar, me orë të tëra, në takimet mes liderëve apo bisedave të lira si miq shtëpie këtu, në çdo çast, kur përmendet emëri i Kapidanit të Mirditës Ndue Gjonmarku, më rizgjohen kujtime të hershme të paharruara dhe shumë domethenësë, për këtë pinjollë të derës së famshmë, që ka një histori të lavdishme shumë shekullore. Kur lexon sot bilancin e hidhur, që përjetoi Dera e famshme e Kapidanëve të Mirditës, shohim, se kjo principatë, është ndera dhe krenaria jonë e ligjshme, që mundi të mbijetoi me stërmundime për 5 shekuj mizorisë otomane, por që për hironi të fatit të keq, u tjetërsua (bijt më të mirë të Derës së Kapidanëve) u vranë, u burgosën (torturuan mizorisht deri në vdekje), u internuan familjarisht, në kampet e përqendrimit, u vodhën dhe shkatërruan të gjithë pasurinë materiale, dokumentare dhe sekuestruan kullat e famshme historike në Orosh të Mirditës dhe në qytetin e Shkodrës…). Kjo histori e hidhur, u ndodhi sistematikisht nga bashkëkombasit komunistë, që po me barbarizëm dhe urretje po realizonin planin bolshevik për zhdukjen e plotë të historisë së lavdishme të Principatës zëmadhe të Kapidanëve të Mirditës. Mbas pushtimit dhe kolonializimit pesë shekullorë të Perandorisë Otomane në trojet e Arbërit, shohim, se për fat të keq, kemi shuarjen e plotë të gjithë principatave shqiptare (për një arsye apo tjetër), gjatë rrjedhave të historisë, të cilat sot nuk ekzistojnë më, por që përmenden në analet e historisë dhe librat shkollore të arsimit shqip në trojet etnike shqiptare. E vetmja, që mundi t’i bëj ballë me sukses rrëbesheve të përgjakshme të armiqve shumë shekullorë, ishte dhe mbeti Principata e Dukagjinit, që kulmon me histori të lavdishme të mishëruar tek Pal Dukagjini dhe më pas shumë i mirënjohuri Lekë Dukagjini, që na la trashëgim Kanunin, me të njëjtin emër, që ndryshe është kodi juridik i malësive tona, e cila vijon të ndiqet me respekt deri në kohën moderne. Nga kjo derë principate në fjalë, vjen pinjolli, juristi Kapidani i Mirditës Ndue Gjonmarku, i shkolluar në universitetet më të njohura të Europës, si Austri dhe Itali.
Pyetje: Këtë vit mbushën 4 vjet, kur më 4 Janar 2011, në Spitalin “North Shore” Forest Hills, Queens NY, në moshën 97-vjeçare, u nda nga jeta Kapidani i Mirditës juristi Ndue Gjomarku, i rrethuar nga familja, vëllai Kapidan Nikollë Gjonmarku, djali Gjoni dhe vajzat: Kristina, Bardha dhe Aleksandra. Ishin të pranishëm meshtari ynë Dom Pjetër Popaj dhe miqte e ngushtë të familjes Gjomarku: Dr. Gjon Buçaj Kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe ju miku i familjes. Si u njohët me Kapidanin Ndue Gjonmarku?
Tomë Mrijaj: Me ardhjen time në New York, në vitin 1978, pata fatin, nderin dhe kënaqsinë e veçantë, të njihem nga afër dhe të mbesim miq të pandarë, me mikun e paharruar deri sa ai kaloi në amshim. Në Orosh të Mirditës, lindi më 29 shtator 1914 Ndue Gjonmarku, që i shton gëzimin prindërve të vet dhe vëllait të parë Markut. Kjo familje e madhe oroshase, do të ketë 10 fëmijë, pesë djem dhe pesë vajza. Aty lindën fëmijët njëri mbas tjetrit, duke filluar me Markun, që është fëmija i parë dhe më pas u lind Ndoja, Lleshi (Aleksandri), Deda, Nikolla dhe motrat: Dava, Gjela, Marta, Dila dhe Bardha. Kapidani Ndue Gjon Marku, nga nëna ishte nipi i Bajraktarit të Kurbinit i Gjok Pjetër Pervizi, një përsonalitet i njohur askohe për besë, burrëri, zakone e tradita të hershme e bashkëkohore shqiptare. Babai Gjoni, përkujdeset që djemtë të ndjekin shkollën fillore, ku, midis tyre edhe Ndue Gjomarku vijon pesë vitet e para fillore dhe gjimnazin pranë shkollave private katolike në vitin 1934 në qytetin e Shkodrës. I prirur pas botës së librave dhe kulturës civilizuese perëndimore, adolishenti Ndue niset në vitin 1937 për studime të larta sëbashku me vëllaun Lleshin në Universitetin (College) në Terezianum të Vjenës në Austri. Pas disa vitesh kthehet në Shqipëri dhe pas disa muajsh shkon në Universitetin e Firences (Itali), për të ndjekur studimet e larta në Jurisprudencë. Ai, për asnjë çast nuk e shkëputi lidhjen me vendlindjen, miqte e huaj dhe vendas, të cilët e donin dhe respektonin, mbasi gjithnjë Dera e Kapidanit të Mirditës, ka respektuar popullin e Mirditës dhe krahinat të tjera të Atdheut. Me anije i riu Gjomarkaj në vitin 1943 kthehet në Shqipëri. Jeta studentore, miqtë e rinj dhe shokët në vendindje bëjnë, që ai të zgjerojë rrethin e të njohurve. Kështu sikurse kujtojnë disa bashkëkohës që ende jetojnë sot në qytetin e Shkodrës dhe në Orosh të Mirditës, familja dhe ai vetë, ka pasur nderin, fatin, privilegjin dhe kënaqësinë të marrë pjesë në shumë ngjarje atdhetare, fetare dhe kulturore në qytetin e njohur të Shkodrës etj., duke kuvenduar me krerët, parinë e qytetit, klerikë të lartë katolikë, konsuj dhe udhëtarë të huaj, që vinin shpesh në Shqipëri dhe në veçanti në trevën e Veriut. Gjatë bisedave të lira e pyes Kapidanin, se a keni përjetuar ndonjëherë në jetën tuaj, një çast, i cili, ju ka mbetur në kujtesë. Dhe ai me një buzëqeshje fisniku m’u përgjigj: “Isha shum i ri, rreth 16-17-vjeçar e m’kujtohet rasti kur n’Shkodër po pergaditej nga Kleri Katolik shugurimi i Ipeshkvit të qytetit dhe Primat i Shqipnis Imzot Gaspër Thaçi (1882-1946). Paria e Shkodres, vjen në shtepin time dhe me thon t’ju prij në ket ceremoni të randsishme për qytetin dhe besimtart e devotshëm katolik. U thash se baba gjindet n’Mirditë. Ata me thanë, se ju mund t’a zevendsoni Kapidan Gjonin. Unë me shumë knaqsi mora pjesë në shugurimin e Ipeshkvit. Paria e qytetit, ku banin pjesë krent e familjeve ma të njohuna të qytetit, si: Çoba, Muzhani, Pistulli, Pogu, Bianku, etj., ku ma caktuen vendin n’krye të sofres n’mesin e dy konsujve italian dhe jugosllav. Isha shumë i ri me marrë pjesë në atë rreth të madh, në mesin e atyne figurave të nderueme të qytetit, por e kalova mirë proven e parë, mbasi në Kullën e Oroshit kishim mësue të dëgjonim e jo të flasim…” Në bisedë e pyes Kapidanin, se si e kalonit kohën në malet e pashkëlura të Mirditës. Ai si zakonisht, me një buzëqeshje fisnike, më përgjigjet: “Mirdita, për mue asht vendi ma i bukur në botë e ma i dashtuni. Populli fisnik i krahines së Mirdites, na ka dasht e respektue edhe ma shumë. Na nuk kena prit asnjiher qi populli me na pershndet ne, por na i kena pershendet përpara të gjithë, pavarsisht se a kanë kenë të rij apo ma të vjetër se ne. Na kena shkue shumë mirë me popull dhe kena kenë tamam si nji familje e madhe. E prandaj Oroshi e tanë krahina e Mirditës asht gjithçka për mue e Derën tonë”.
Pyetje: Pse mendoni se Dera e Gjonmarkut ishte alfa dhe omega në luftën kundër komunizmit?
Tomë Mrijaj: E gjithë treva e Veriut dhe qarqet diplomatike e shoqërore të komunitetit shqiptar në atdhe, asokohe e kanë njohur e vlerësuar lart figurën e madhe të Kapidan Gjon Marka Gjonit dhe të bijve të tij: Dr. Mark Gjonmarku (Ministër i Brendshëm), Ndue Gjomarkut dhe Llesh Gjonmarkut, të cilët, gjithnjë kanë qenë shumë aktiv dhe janë marrë përherë me politikë, kurse Ndoja, sikurse e thotë edhe vetë ka pas më shumë kënaqësi në jëtën private e familjare. Atë e bir, duke nuhatur afrimin e furtunës së tërbuar komuniste, që kishte bërë kërdi në Europën Lindore dhe kryesisht në Rusi, fillojnë të përgatisin terrenin për të rizgjuar ndërgjegjën e forcave nacionaliste, që t’i bëjnë ballë komunizmit, kësaj ideologjie të shkatërrimit, moral, material, filozofik, ateist dhe paatdhe të njerëzve, që jetojnë historikisht në trojet stërgjyshore autoktone. Koha kërkonte, që bijtë e shqipes më shumë se kurrë të tregojnë atdhetadashurinë, për të ruajtur vlerat e lënë trashëgim nga të parët, dinjitetin e shqiptarit, fenë, pasuritë private të individit, pluralizmin e mendimeve, përparimin ekonomik dhe lidhjen shpirtërore, ekonomike dhe politike me vendet e Europës Perëndimore. Për të bërë një politikë më të konsoliduar Kapidan Gjoni, në pranverë (mars) të vitit 1944, i jep jetë themelimit të “Grupit Nacional Indipendent”, ndërsa i biri Dr. Marku, duke gjetur përkrahje dhe mbështetje në nismen e vet krijon “Lidhjen e Shkodrës”, duke mbledhur rreth vetës të gjithë eksponentët kryesorë antikomunistë, që ishin rreshtuar në organizatat e mirënjohura nacionaliste, si: “Legaliteti”, “Balli Kombëtar” dhe “Grupi Nacional Indipendent”. Jo rastësisht, por interesat e larta patriotike, e bëjnë Ndojën që të përfshihet menjeherë në politikë dhe sapo merr vesht, se forcat e ashtëquajtura partizane po i afrohen vendlindjes së tij të dashur (Mirditës), lajmëron vëllain e vet në Tiranë, se krahina dhe e gjithë Shqipëria e Veriut po sulmohet nga bisha e kuqe, që për fat të keq kishte emër e gjak shqiptari. Ai, ndër të tjera kërkon të lëshoj kushtrimin e qëndresës me vullnetarët e vendosur antikomunist. Menjëherë i vjen përgjigjja pozitive dhe inkurajuese e vendosmërisë nga i vëllai Dr. Marku, që ishte shumë i shqetësuar për fatet e brishta të vendit. Organizimi i forcave politike dhe luftëtarëve nacionalistë bënë, që një ditë Ndoja të takohet me përfaqësuesit më të lartë të grupimeve nacionaliste të “Legalitetit” dhe “Ballit Kombëtar”, të cilët, gjatë përleshjeve të tyre të mëparshme kishin pësuar humbje në forca, por që nuk iu dorëzuan komunistëve. Ata tashmë kishin arritur në Veri të Shqipërisë. Udhëheqësi i Organizatës “Balli Kombëtar” patrioti Mit’hat Frashëri dhe drejtuesi i “Legalitetit” Abaz Kupi, kishin mbërritur në shtëpinë e Gjon Fushës në Bulger të Mirditës. Mit’hat Frashëri, që mbetet në Mirditë, sëbashku me ballistët e tjerë shkojnë në Sh’Pal, ku, i pret Ndue Gjomarku atë natë dhe të nesërmen i përcjellë me besnikët e tij për në Shkodër. Me shërbestarin e kombit Mirt’hat Frashërin (i biri i patriotit të flaktë të Rilindjes Kombëtare Abdyl Frashërit), Ndoja, do të ketë edhe takime të tjera dhe bashkëpunime të frytshme në luftën e rezistencës kundër komunizmit në Shqipëri, Europë dhe ShBA. Ngjarjet asokohe zhvilloheshin me shpejtësi. Si gjithnjë truri dhe kryet e lëvizjes antikomuniste mbetën në Veri të Shqipërisë, me seli në Mirditë. Nga ana e tjetër Dr. Mark Gjonmarkaj, me të gjithë forcat vullnetare, që kishte nën kontroll, duke mos u demoralizuar, më 26 nëntor 1944 len qytetin e Shkodrës dhe merr rrugën drejt malëve të Veriut. Tashmë Ndoj me bashkëluftëtarët e tij, për pesë muaj në shi e dëborë, luftojnë pa u mposhtur me të gjithë brigadat partizane, të drejtuara nga Mehmet Shehu, me urdhër direkt të gjeneralit e komandantit asokohe Enver Hoxha. Forcat e brigadave komuniste, duke pasë ushtri të madhe në numër dhe të armatosur mirë pushtojnë krahinën e Lumes dhe Lurën, duke iu afruar shumë pranë trevave të Mirditës. Forcat nacionaliste, të drejtuar nga Ndue Gjonmarku gjenden para një rrethimi shumë të vështirë, kur brigadat komuniste sulmojnë në tre drejtime menjëherë, pa i dhënë mundësi nacionalistëve që të organizohen mirë.
Pyetje: Dhe si vijon ngjarja?
Tomë Mrijaj: Në këtë situatë të rëndë të krjuar, sikurse kujton Kapidan Ndoj, asokohe nuk i mbeti asgjë tjetër veçse të ngujohet në Sh’Pal. Kështu fillon një luftë e ashpër, midis komunistëve, që kërkonin të gjunjëzonin e pushtonin me dhunë krenarinë e historisë së lavdishme të Mirditës dhe nacionalistëve, që kërkonin të mbronin vlerat demokratike dhe lirinë e popullit nga një robëri internacionalistëve proletare, që ishin për një botë pa Zot dhe robëri, nata e zezë e së cilës filloi më 29 nëntor 1944 në tërë Shqipërinë. Megjithë rezistëncën e madhe, për tre ditë me radhë, duke parë edhe humbjet e mëdha në radhët e forcave nacionaliste, Ndue Gjomarkaj, jep urdhër për tërheqje në drejtim të Shkodrës, që ishte kthyer në një qendër të madhe të rezistencës antikomuniste. Kapidan Gjoni, Dr. Marku dhe Ndoj takohen dhe zhvillojnë bisedën e fundit, për planin e ri, që kishte menduar Dr. Marku. Kështu, ai kishte vendosur sipas logjikës së tij të shëndoshë, që i ati Gjon Marka Gjoni dhe vëllai i tij i dytë Ndoja, duhet të largoheshin nga Atdheu, me arsyetimin, se nuk duhet të shuhet dera e tyre nga përpjekjet luftarake, që do të bëhen me forcat komuniste. Vërtetë e dhimbshme, por e domosdoshme kjo zgjidhje e menduar shumë mirë nga Dr. Marku, të cilën pas 9 dekadave mbi supe Kapidani Ndue Gjonmarku e kujton me dhimbje, kur flet për momentin e ndarjes me antarët e tjerë të familjes. Ka qenë pikërisht Kisha e Kastratit në Malësi të Madhe, kur Ndoj ka shtrënguar dorën për herë të fundit me Dr. Markun. Atë e bir nisën prej Kastratit në Tuz, Kolashin, Vishegrad, Sarajevë, Zagreb, në Vjenë, Linz dhe në Insbruk, në një dimër të ashpër dhe nën breshërinë e bombardimeve të shpeshta nga forcat e aleatëve. Nga qëndrimi për disa ditë në Insbruk, me një makinë udhëtojnë drejt Italisë, duke kaluar në “Passo di Resia” afër kufirit të Zvicrës. Për pesë muaj ata qëndruan në Merano deri në gusht të vitit 1945 dhe më pas morën drejtimin drejt Romës, që mbetet edhe stacioni i fundit i tij. Me të mbërritur në Perëndim (Itali), Kapidani Ndue, mendoi të bashkoi forcat nacionaliste dhe antikomuniste, për të hedhë bazat e krijimit të një organizate të mirëfilltë politike, kundër rregjimit të kuq të Tiranës zyrtare, që po e zhyste popullin në mjerim. Fryt i këtyre përpjekjeve, është edhe krijimi i partisë politike me emrin “Bloku Kombëtar Indipendent” në vitin 1946 i cili, do të ketë jetëgjatësi deri me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri, më 13 dhjetor 1990, duke i qëndruar me dinjitet deri në fund, ku e mbylli me nderë e njerëzi.
Pyetje: Gjatë vitit 1948, në bashkëpunim me aleatët perëndimore anglo-amerikanë, Kapidanit Ndue i paraqitet rasti për të dërguar vullnetarë, për të përmbysur komunizmin në Shqipëri, duke krijuar në këtë mënyrë Komitetin Kombëtar “Shqipnia e Lirë”, ku, bënin pjesë shumë antarë të Blokut. Ju keni biseduar disa herë me mikun tuaj Kapidanin e Mirditës për këto ngjarje dhe cfarë mund të riprodhoni më shumë nga kujtime tuaja?
Tomë Mrijaj: Në lidhje me këtë mision Kapidani kujton: “Në pikëpamje morale ishem kryenalt, tue marrë në konsiderim luftën kundër rregjimit komunist, vendosa me ftue dy luftarë besnikë, të cilët pranuen pa kurrfarë kundërshtimi. Kështu filloi ndërmarrja e jonë kundër rregjimit komunist në Shqipni”. Bloku, bëri hapin e parë dhe ruajti linjën e përpjekjeve qëllimmirë për të bërë bashkimin e të gjithë forcave antikomuniste shqiptare në mërgatë, që ishin ndarë dysh në Komitet dhe jashtë Komitetit. Kjo inisiativë, synonte afrimin e grupeve të ndryshme dhe harmonizimin më të plotë e të qartë të veprimtarisë së tyre në dobi të atdheut dhe në një front të përbashkët kundër komunizmit. Mirëpo, rruga e nisur nuk ishte e kollajt, mbasi fillojnë polemikat dhe pengesat ndaj inisiatorit të saj mirditor. Përpjekjet e Kapidanit Ndue Gjonmarkut hasin në pengesë, për mospranimin e tij në Komitetin e parë nga ana e përfaqësuesve të organizatës Balli Kombëtar, që zotëronte asokohe të gjitha postet e organizatave. Ndërhyrja energjike e diplomacisë angleze dhe amerikane (përfaqësuesit amerikanë këmbëngulën, që Kapidani të pranohet pa kushte), bëri të mundur që të zgjidhet ky problem dhe kështu Kapidani i Mirditës bëhet një ndër drejtuesit e Komitetit, falë kulturës së shëndoshë perëndimore, vizionit largpamës, për të ardhmen, origjinës me emër shumë të mirë të familjes nga ai vinte, kontributi me armë në dorë, që kishte dhënë drejtpërdrejtë kundër komunizmit etj. Ndue, do të ketë takime të rëndësishme në Itali, me ushtarakë të lartë italianë, sikurse ishte admirali i marinës italiane zotin Talarigo dhe të misionit anglo-amerikan, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Jashtme Italiane. Takime të tjera ka pasur edhe me z. Herbert, një përsonalitet i njohur britanik për çështjen shqiptare, amerikanin z. Mc Lean etj. Gjithashtu Ndoj këmnguli, që në këtë Komitet duhet të përfshihet patjetër edhe intelektuali i shquar ing. Xhafer Deva, mbasi ai ishte një njeri me influencë të madhe në Kosovë dhe në malësitë e Shqipërisë politike. Kapidani Ndue, ka organizuar hedhjen e parashutistëve të grupit të ing. Xhafer Devës në Shqipëri. Kapidani, kishte një respekt të veçantë për atdhetarin e flaktë Mit’hat Frashërin. Për figurën dhe veprën e tij, Kapidani, flet me një admirim të veçantë, për arsye sikurse thotë, se: “Ishte nji njeri me nji prestigj të naltë kombtar dhe pinjoll i nji familje me merita të mëdha atdhetare”.
Pyetje: Si vijon aktiviteti i tij patriotik mbas vitit 1956?
Tomë Mrijaj: Në vitin 1956 Kapidani Ndue Gjonmarku hap familje të re, duke u martuar me zonjushën romane Maria Teresa Agustini, një vajzë e diplomuar në gjuhët frëngjisht dhe anglisht në Universitetin Internacional “Pro Deo” në Romë. Çifti i ri, do të gëzohet me lindjen e tre vajzave: Kristina, Bardha, Aleksandra dhe Gjoni djali i vetëm, që ruan emrin e gjyshit të vet shumë të mirënjohurit Kapidanit Gjon Marka Gjonit. Kapidan Ndue, u interesua qysh në fillim të shkollojë fëmijët në të gjitha nivelet. Kështu vajzat dhe djali mbasi përfundojnë shkollën e mesme, ndjekin dhe përfundojnë me rezultate shumë të larta kolegjet më të njohura në ShBA. Me vdekjen e prindërve të gruas së Kapedanit dhe të babait të tij Kapidanit Gjon Marka Gjoni, në vitin 1966, familja e tij emigrojnë në ShBA. Edhe këtu fillon një etapë e re e lëvizjes antikomuniste, ku, aktiviteti i tij zgjerohet dhe respekti, për kontributin e tij rritet edhe më shumë kur zgjidhet si Kryetar i Blokut dhe për vetë faktin tjetër, se ai tashmë është trashëgimtar i Derës si Kapidan i Mirditës, krenari dhe nder, të cilën e mbajti deri në moshën 97-vjeçare, kur ai kaloi në amshim. Veprimtaria e Kapidanit, është shumë e madhe me shkrime publicistike, në organet zyrtare të Blokut, gazetat: “L’Albanie Libre” dhe “Lajmëtari i të Mërguemit”, që asokohe botoheshin në New York dhe Rome. Famlja, do të ruajë marrëdhënie shumë të mira me klerikët katolikë shqiptarë në emigracion, një traditë e trashëguar edhe nga të parët e kësaj Dere brez mbas brezi dhe shekuj pas shekujve në Mirditë. Kështu qysh në Itali, ruajti lidhje të ngushta me atdhetarët e antikomunistët konseguentë, studiesin, shkrimtarin, meshtarin e palodhur, bashkëvendasin e bashkemigrantin, klerikun e nderuar në të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikanë, nacionalistin e madh, që luftoi me pushkë e pendë, themeluesin e Kishës së Parë Shqiptare në ShBA “Zoja e Shkodrës”, të nderuarin e respektuarin Dr. Mons. Zef Oroshin (1912-1989). Gjatë viteve të fundit të jetës, ai po merrej me saktësimin e disa interpretimeve të gabuara, që i janë bërë (gjatë kohëve të ndryshme) veprës së Atë Shtjefen Kryeziu Gjeçovit me titull: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, të cilin e la në dorëshkrim. Fryt i këtyre hulumtimeve serioze, është edhe botimi në vitin 2002 në New York të veprës së parë me titull kuptimplotë: “Mirdita Dera e Gjomarkut Kanuni”. Mirdita, është krenaria dhe lavdia e dinastisë së Derës të Kapidanit, është vetë historia e pasur e Mirditës dhe Derës së Kapidanëve, bijtë e nderuar të së cilës njeri mbas tjetrit, bënë një epokë të lavdishme gjatë shekujve. Ata sëbashku plotësojnë njeri-tjetrin dhe janë dy anë të së njëjtës medalje të çmuar në xherdanin e pasur të historisë së popullit shqiptar. Mirëpo nga ana e tjetër, shteti e ka për detyrë, të riabilitojë dhe të vendos në piedestalin e nderit të kombit me prova konkrete deshmorët e kësaj Dere, si: Kapidan Dr. Mark Gjomarku, Llesh Gjomarku, që ranë dëshmor në malet e Veriut, në luftën e vendosur kundër komunizmit. Vëllai i tyre, juristi Kapidani Ndue Gjomarku (në pranverën e vitit 1944), ishte i pari, që për 6 muaj me radhë, organizoi dhe ngriti në këmbë Mirditën, në luftën e armatosur, kundër qeverisë komuniste, luftë të cilën e vijoi në emigracion, me organizimin e parashutistëve në malet e Shqipërisë, sëbashku me babain e tij Kapidan Gjon Markagjonin deri me shembjen e komunizmit në Shqipëri në vitin 1990. A mund të mohohet kontributi i madh i antikomunistit Dedë Gjomarku, që kaloi 39 vjet në burgjet e tmershme të diktaturës komuniste dhe vëllai i tyre i vogël Nikolla, i cili, e theu perden e herkut të burgut me guxim dhe kaloi jashtë kufirit!? Gjithashtu edhe nipi i tyre Gjon Marku i Ri, i cili, u rrit në kampet e përqendrimit deri në rënien e komunizmit dhe më pas arriti të bëhet deputet në Parlamentin pruralist shqiptar, duke përfaqsuar trevën e Mirditës, ku, ka dhënë një kontribut të madh me Karitas-in austriak, duke i ardhur në ndihmë popullit të tij të shumëvuajtur, si në ndërtimin e shumë shkollave dhe ringritjen e kishave të shkatërruara.
Pyetje: Kanë kaluar shumë vite, kur ju, keni hapur skedat e para, për të hartuar lëndën e librit: “Marie Shllaku, bijë e Shkodrës dhe martire e Kosovës”. Vit pas viti, pas ecejakjeve me avion në rrugëtimin New York-Tiranë dhe New York-Prishtinë, keni hulumtuar dhe sistemuar tërë materialin studimor, si një bletë punëtore, me durim dhe përkujdesje të veçantë. A mund te na thoni diçka të veçantë për këtë figurë tërësisht të harruar nga diktatira komuniste në Shqipëri dje dhe sot?
Tomë Mrijaj: Marie Shllaku njihet si intelektuale dhe heroinë e grupit atdhetar të Prizrenit në vitet ’40. Maria nga dera e Shllakëve lindi në një lagje të vjetër të Shkodrës, në Badre, e bija e Markut, gjyshi i së cilës kishte ardhë shumë kohë ma parë nga Shllaku malor e legjendar, prej nga mori edhe mbiemrin. Pasi kreu shkollën e mesme pranë Kuvendit të Motrave Stigmatine, ku u dallua për kulturë të gjerë që në rininë e parë: i pëlqente teatri, recitimi, piktura; 20-vjeçare, komunikonte italisht, gjermanisht, frëngjisht e më vonë edhe serbisht, u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë në Romë, po i ndërpreu studimet e rregullta për shkak të luftës. Njëzetvjeçare, për arsye ekonomike, filloi punën në Ministrinë e Punëve Botore në Tiranë. Më 25 shkurt 1943, Marie Shllaku fillon punën në Prizren si Pëgjegjëse e Financave për gjithë krahinën e Kosovës ku, përveç detyrës së saj shtetërore, u lidh ngusht me botën e atyre trevave dhe asnjë nga ata që hynin në zyrën e saj nuk çuditeshin kur lexonin vargje të Poetit Kombëtar At Gjergj Fishtës nga “Lahuta e Malcisë” Më 6 maj 1944 i vjen pushimi nga puna “për motive politike”. Kthehet në Shkodër, për një periudhë të shkurtë për t’u rikthye një herë e përgjithmonë në Kosovë, tashma me një qellim të caktuar qartë: me luftuar përkrah vëllazënve kosovarë, që ato treva martire të mos ngeleshin nën thundrën e shkjaut, si ishin gjasat mbas nënshtrimit të plotë të PKSH ndaj Beogradit. Më 9 shtatori 1944, kur hynë brigadat partizane, ishte në Gjakovë. Largohet prej aty me shumë atdhetarë të tjerë dhe i bashkohet çetës nacionaliste të Smajl Goranit. Ajo lufton përkrah Ndue Përlleshit, Prof. Ymer Berishës, Ukë Sadikut, Mehmet Gradicës, Adem Shalës etj., ndërsa mbante lidhje me At Bernardin LLupin OFM në Pejen e pushtuar nga brigadat e kuqe komuniste dhe ia kishin ridorëzuar me tradhëti sllavëve. Vajza shkodrane mahniti burrat e maleve, me pjekurinë e vendosmërinë e saj që të pajtonte komandantat e shquar Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, të bënte bashkimin e koordinimin e luftës të rreth 50 çetave, që vepronin atëherë në Kosovë, prandaj edhe kalonte sa tek njëra çetë tek tjetra, nga Ndue Përlleshui tek Ukë Sadiku. Ajo ishte e pranishme në çdo takim të randësishëm, në çdo kuvend të burrave të maleve; mbante fjalime e ndizte shqiptarët në luftë çlirimtare. Kushtet e reja kërkonin organizimin politik të atdhetarëve dhe kështu lindi ONDSH, Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, ku veç kontributit të veçantë të profesor Ymer Berishës, një rol shumë të randësishëm luajti Marie Shllaku. Me porosi dhe ndihmen e At Bernardin Llupit ajo strehohet në Dobërdol, në shtëpinë e Dan Pjetrit. Prej aty ajo do të luente një rol të jashtëzakonshëm në organizimin e Kuvendit të Dobërdolit të Ujmirit, e bashkë me prof. Ymer Berishën dhe komandantin Ukë Sadiku ishin udhëheqësit kryesorë të atij Kuvendi, mbajtur 24-25 Gusht 1945 te Llugat e Dan Pjetrit. Fjalimi i Maries në atë Kuvend do të mbahet mend nga shumë pjesëmarrës që i mbijetuan torturës dhe luftës.
Pyetje: A mendoni se e parë në planin e rizgjimit të traditës atdhetare, trimëresha e zgjuar sypatrembur Marie Shllaku, i përket atij brezi të patriotëve shqiptarë, që fatin e lidhën ngushtësisht me atë të popullit të vet, që zemra e re rrahu gjithë jetën për popullin, gjithçka që patën, si: energjitë, aftësitë e dituritë i vunë me ndërgjegje të pastër në shërbim të çështjes nacionale, të realizimit të aspiratave të ligjshme amtare?
Tomë Mrijaj: Martirët e historisë të të gjithë kohërave, me madhështinë e stoicizmit të tyre të gjatë, falë fakteve të reja, që ruan nëna histori, dalin nga labirinthet e heshtjes në momentin e përshtatshëm, kur populli ka nevojë më së shumti për ta. Si të tillë, ata së bashku futën në historinë nacionale në vendin e merituar, pranë librit të madh të kujtesës dhe mirënjohjes së përhershme popullore. Marie Shllaku si bijë e Shkodrës martire e Kosovës, është një rreze drite në errësirën e madhe, që ka mbuluar për dekada historiografinë e figurave të shquara të nacionalizmit shqiptar, që luftuan tërë jetën e shkurtër që kishin, për idealin dhe qëllimin fisnik të të parëve të tyre, bashkimin e tërësisë së trojeve etnike shqiptare. Komunizmi, ishte fatkeqsi për trojet tona. Shumë familje e katunde të Kosovës, u dogjën me themel nga forcat e të ashtëquajtura partizane. U vranë e masakruan, me qindra njerëz të pafajshëm, luftëtarë të lirisë. Antarët e familjeve të tyre, u ekzekutuan, vetëm pse luftonin komunizmin dhe regjimin kolonizues të Serbisë. Nisën të vriteshin një nga një me kurthe e trathti, prijësit e çetave nacionaliste, burra, gra, pleq e shumë fëmijë, për të zhdukur gjithsesi gjurmët e krimit vllavrasës, në emër të një ideologjie boshe, të importuar nga stepat e Siberisë bolshevike askohe. Krimet në fjalë, ishin të studiuara me kujdes nga xhelatët sllavo-shqiptarë, në mënyrë, që historia të mos kishte dëshmitarë të masakrave të kryera ditën për diell, në emër gjoja të “pushtetit popullor”. Duke e parë këtë veprim gjakësor të komunistëve, çetat nacionaliste, filluan të lidheshin më shumë me njeri-tjetrin, duke bashkëpunuar ngushtë politikisht dhe ushtarakisht. Pasi u pushtua dhe u aneksua Kosova më 1945, dhe pasi u ngrit muri më makabër i ndarjes ndërmjet shqiptarëve, regjimi i juntës ushtarake serbe, nuk kurseu asgjë, për t’a terrorizuar, masakruar, përndjekur dhe asgjësuar popullsinë e pafajshme shqiptare, që u robërua nga kjo makinë shfarosëse dhe shpesh me ndihmen e ingranazheve puthadorë e lajkatarë, për fat të keq shqiptarë. Në këto rrethana të reja të krijuara, shqiptarët fituan një status inferior, në krahasim me republikat dhe me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Përkundrejt kësaj gjendje të re, popullsia autoktone e dardanëve, çdo orë, ditë, muaj e vite, kishte grumbulluar një lëmsh të madh zemërimi të natyrshëm. Ata, u rilindën dhe nisën të organizojnë lëvizje, protesta, revolta të organizuara e spontane dhe filluan t’a shprehin në mënyra të ndryshme organizimi. Populli shqiptar, u hodh në kryengritje, por mercenarët komunistë të Titos i shtypën me gjak. Nga një luftë e hapur patriotike, u detyruan, të ndryshojnë taktikë, duke kaluar në ilegalitet. Ata formojnë organizata politike, me përmbajtje të shëndoshë patriotike, për bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Një nga organizatat e rezistencës antikomuniste, që bëri bujë asokohe, është Organizata Nacional Demokratike Shqiptare (ONDSh), në Kosovë, Maqedoni dhe degë në vise të tjera shqiptare në Jugosllavi, në gjirin e së cilës, bënte pjesë vajza e re Marie Shllaku. Populli shqiptar, ka një histori shumë të trazuar, e cila, ka kaluar nëpër kapërcej të ndryshëm kohorë. Këtë histori e përshkojnë momente të hidhura të jetës dhe të veprave të shqiptarëve. Përkushtimi ndaj nacionalistëve martirë të nacionit, përbën një detyrim, për çdo pendë, që të përcjell me përkushtim brëndinë e ngjarjeve historike, duke zbardhur figurën e pastër e të pasur atdhetare të Marie Shllakut, që sakrifikoi çdo gjë, për të bërë nacionin e vet të pavdekshëm dhe nacioni si shpagim e nderon, duke e bërë atë të pëjetshme. Në këtë aspekt, libri hedh dritë, mbi veprimtarinë e vajzes shkodrane, që jetën ia fali në lulen e rinisë Kosoves martire, duke pasur në mendje e zemër emblemen e rezistencës, kundër ballinës së përbashkët komuniste të ashtëquajtur partizan shqiptaro-sllav. Ishte një vizionare e kulturuar, për një të ardhme demokratike, sikurse shumë shtete të Evropës Perëndimore dhe i vinte keq, kur shihte çdo ditë, se ku ishte katandisur atdheu i saj, nën kthetrat komuniste. Tharmi atdhetar dhe ndjeshmëria nacionale, ka qenë model për kohën dhe një shembull për brezat e sotshëm në Kosovë e Shqipëri. Maria, e tregoi me jetën e saj, se ç’kulturë atdhetare kishte zotëruar deri në ato vite dhe sa e si i shërbei mëmëdheut, duke dhuruar jetën, në moshën më të bukur të rinisë. Maria, ishte e mbeti një zë i fuqishëm, kundër dhunës, praktikimit të metodave të pushtetit të diktaturës. Me shembullin pozitiv, është një dëshmi e këngë krenarie e rezistencës, mbijetesës dhe vitalitetit të forcave nacionaliste, që refuzuan pandërprerë pushtetin e juntës komuniste, që po hidhte me shpejtësi rrënjën e farës së keqe. Patriotët e lirisë e Shqipërisë etnike, ekzistencën e tyre e mbështetën vetëm në vlerat e pastra dhe të larta morale, të traditës së kulluar nacionaliste.
Pyetje: U mbushën 33 vjet kur ju jeni zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes me vota të lira nga Kongresi III i Lidhjes së Prizrenit në SHBA. A mund të kujtoni pjesë nga ajo ngjarje rëndsishme për komunitetin dhe mbarë emigracionin në botën e lirë?
Tomë Mrijaj: Kongresi III i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në mërgim, u mbajt në New York më 20-21 nëntor 1982 në SHBA. Në orën 10:00 paradite u hap zyrtarisht mbledhja e Kongresit III të nga ana e Sekretarit të Përgjithsmë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në mërgim, Ismet Berisha, i cili mbasi përshëndeti delegatët dhe pjesëmarrësit, kërkoi ngritjen në këmbë për të kënduar Himnin e Flamurit Shqiptar dhe Amerikan. Lutjet fetare u bënë nga Monsinjor Dr. Zef Oroshi dhe Hamit Perolli. Një minutë zi u mbajt për të gjithë delegatët dhe dëshmorët nacionalistë, që kanë rënë gjatë luftës në kohët e fundit në vendet e banuara prej shqiptarëve në Jugosllavi. Në seancën e mbasditës u formua Komisioni përkatës. 
Ai do të kishte synim revizionimin e Statutit. Dom Prekë Camaj bëri disa propozime, dhe u vendos mbledhja që do të zhvillohej të nesërmen. Në seancën e ditës së dytë të punimeve të Kongresit, Gani Perolli lexoi propozimet e Komisionit të Statutit, që ishin: që tash e mbrapa emri i Organizatës sonë të jetë Lidhja Shqiptare e Prizrenit; asnjë përson nuk ka të drejtë me përfaqësu Lidhjen pa qenë i autorizuar prej Kryesisë; 10 qershori të festohet çdo vit nga Qendra (New York) dhe degët e Lidhjes. Kongresi aprovoi disa propozime të tjera të Komisionit mbi çështjet organizative. 
Ismet Berisha afron pranë Lidhjes klerikun Dom Prekë Camaj, të cilin e propozoi për kryetar. Duke parë, se nuk kishte kandidaturë tjetër konkurente, delegatët i dhanë votën. Për arsye përsonale dom Prekë Camaj pas një kohe të shkurtër dha dorëheqje nga Krysia e Lidhjes. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbledhur nga Këshilli Ekzekutiv në vendin “Liberty” në New York, antarët e Kryesisë emëruan njëzëri Ismet Berisha për kryetar të Organizatës “Lidhja e Prizrenit”, detyrë të cilën e ka edhe sot. Kongresi zgjodhi Sekretarin e Përgjithshëm Tomë Mrijaj dhe dy n/kryetar Myrvet Muça dhe Kolë N.Bajraktari, arkëtar i Organizatës u zgjodh Mustafa Demalija, ndërsa antarë të tjerë të Komitetit Qendror u zgjodhën Fran Sokoli, Gani Perolli, Anton Syku, Hamza D.Abdullaj, Jusuf Adili, Jusuf Çekiçi, Mustafa Vraniqi, Ali Gaçaferi. Në Këshillin e Pleqësisë bëjnë pjesë: Gjon Shtufaj, Aziz Mexhani, Adem D.Çelaj, Musa Vuçiterna, Selim Berisha, Selim Berisha, Sefedin Maxhuni, Abdyl Azizi, Bajrush M.Kosova, Mustafa Demalija. Editor i Buletinit “Lidhja e Prizrenit” u zgjodh ShemsedinVendresha.
Më poshtë po japim një përmbajtje të shkurtër të fjalimeve të përsonaliteteve të shquar shqiptare. Zoti Abedin Mulosmanaj, përfaqësues i Oborrit Mbretëror, falënderoi udhëheqësit e Lidhjes për ftesën, lexoi telegramin e Mbretit Leka I, dërguar Kongresit III të Lidhjes së Prizrenit. “Lufta e jonë duhet të drejtohet kundra sllavizmit komunist. Zoti u ndihmoftë në punën tuaj.”
Dr. Gjon Buçaj, Sekretar i Përgjithshëm i “Blokut Kombtar Indipendent”. “Lidhja e Prizrenit dhe Bloku Indipendent kan bashkpunue dhe do të bashkpunojn ne te ardhmen per nji Shqipni të Madhe”. Zef Mirakaj, foli shkurtimisht mbi historinë e popullit shqiptar dhe rezistencën e tij kundra armiqve te huaj. Ai përmendi datën historike të Lidhjes II të Prizrenit në shtator të vitit 1943 me n/kryetar Dr. Rexhep Krasniqin. Adem Hodo, mbasi i uroi Kongresit punë të mbarë, lexoi një dialog të përpunuar prej tij me titull “Dialogu midis Shqiptari dhe Shqiponjes”, ndërsa dialogun “Kosova e robnuar dhe Shqiponja”, e paraqiti para delegatëve në sallë me inçizim.
Nderim Kupi, Sekretar i Përgjithshëm i OKLL, falënderoi Sekretarin e Përgjithshme të “Lidhjes së Prizrenit” Ismet Berisha, për ftesën. I falënderoi të gjithë ata që flasin kundër armiqve, si: Serbisë, Turqisë, Bullgarëve. Në fund shprehu parrullën e përhershme “Atdheu mbi të gjitha”. Tonin Mirakaj, n/kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra”. “Ky Kongres po mbahet në një kohë kur vëllezërit tonë kosovarë po vuajnë nën thundrën e Jugosllavisë. Serbët, janë ujqërit që e ndrrojnë qimen, por jo zakonin”. Ismet Ukë Berisha, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit në mërgim. 
Ai dha një raport shumë të racionalizuar mbi aktivitetin e Organizatës Lidhja e Prizrenit në mërgim. Ndër të tjera, Ismet Berisha ceku organizimin e demostratave kundra Jugosllavisë në New York, dhe denoncimin e politikës shoviniste të serbvë në Kosovë dhe në krahina të tjera të Jugosllavisë, të banuara prej shqiptarësh. Me vdekjen e Ing. Xhafer Deves, dorëheqjen e n/kryetarit të Lidhjes, zoti Hysen Tërpezes edhe vrasjen e të ndjerit Kalosh Hamdisë, gjithashtu edhe aksidenti i randë i tij, e demtuan mjaft aktivitetin e Lidhjes së Prizrenit, por ajo si organizatë politike nuk u shuajt. 
Shemsedin Vendresha, i ardhur nga Florida, foli mbi ligjet ndërkombëtare, përsa i përket ndalimit të luftrave dhe indipendencës së popujve. Ai tha, se “në vitin 1968, OKB konfirmoi pikëpamjet për të drejtat e njeriut”. Rifat Kolgjini (ardhur nga Belgjika), mbasi falënderoi kryesinë e Lidhjes së Prizrenit për ftesen me marrë pjesë, përmendi kontributin e Dr. Krasniqit e Prof. Vasil Antonit për çështjen e të drejtave shqiptare në Jugosllavi. Mbi 60.000 dëshmorë, kanë dhënë jetën në Jugosllavi qysh prej Lidhjes II të Prizrenit. 
Remzi Barolli, “Sllavët na kanë vrarë dhe torturuar, por Enver Hoxha si kriminelë, ka bërë më shumë. Përse kaq pak shqiptarë kanë ardhur sot këtu?” Preng Gruda, i ardhur nga Detroiti, “Lidhja e Prizrenit asht e të gjithë shqiptarëvet dhe jo vetëm e kosovarvet. Neve, duhet të jemi të bashkuar si një grusht i vetëm. Ne duam trojet dhe Shqipërinë tonë. Duhet të mbledhim sa më shumë ndihma për organizatën tonë.” Mustafë Vraniqi, kryetar i degës në Texas. “Kemi me mijëra vëllezër e motra kosovarë, që dergjen nëpër burgjet e Jugosllavisë. Prandaj, neve na duhet të mbledhim ndihma financiare, për të ndihmuar kauzën e Lidhjes.” Më në fund lexoi dy poezi kushtuar Lidhjes së Prizrenit dhe Adem Demaçit.
Pyetje: A mund ta rikujtosh sot fjalimin tuaj kur u zgjodhet nga Kongresi III në postin e Sekretarit të Lidhjes së Prizrenit në emigracion?
Tomë Mrijaj: Unë thashë se çdo popull, ka historinë e vet në aspektin e zhvillimit të ngjarjeve, që përbëjnë palcën etnike të nacionalizimit, me të cilën mbijetoi në shekuj. Në historinë e lëvizjeve të lavdishme erdhën kryengritjet çlirimtare antiturke 1910 në Kosovë, 6 prill 1911 e udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në qytetin historik të Vlorës, janë frymëzime nga “Lidhja e Prizrenit” 1878. Kërkesë themelore ishte vendosja e autonimisë në viset etnike shqiptare, organizimi i çetave të armatosura nën flamurin shqiptar. Lidhja, ndihmoi në përhapjen e zhvillimin e fjalës së shkruar shqipe, përmes gjallërimit të shoqërive kulturore e patriotike. Revoltat antiturke, të organizuara e spontane, dobësuan shumë pushtetin osman e hapën rrugën e tjetërsimit të mëtejshëm të tij. Lidhja, ishte rrjedhim i zhvillimit të natyrshëm të mentalitetit shqiptar në trojet e veta. Populli shqiptar si komb kërkonte autonominë e natyrshme, një e drejtë që shtetet e tjera të botës e kishin arritur me sukses. Por kjo lëvizje, ishte gjithpërfshirëse. Të rëndësishme ishin selitë patriotike në: Prizren, Gjakovë, Shkodër, Dibër, Gjirokastër, Janinë etj. Ata ushtruan funksione administrative, pushtetin ligjvënës, ekzekutiv, gjyqësor, ushtarak, etj., duke krijuar një shtet paralel.
Turqit, u munduan të shpërndanin Lidhjen, mbasi ajo nuk ishte dakord, të zbatoheshin vendimet, që kishin të bënin me dorëzimin e Plavës dhe Gucisë shtetit të Malit të Zi. Dega e Lidhjes në Shkodër 1880, proklamoi autonominë e vendeve ku jetonin shqiptarët e vendosi pushtetin e saj. Kjo lëvizje u përhap në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, duke u përpjekur të bindë sulltanin, ta njohë autonominë shqiptare, të vendosur në kundërshtim me dëshirën e tij.
Më 1880, në Gjirokastër u mbajt mbledhja e Lidhjes së Prizrenit, për të gjetur rrugën e përbashkët për autonomi e vendime të tjera të rëndësishme etj. Nga burimet historike, mësojmë se shek.XIX, është shekulli i formimit të nacionaliteteve e rizgjimit të levizjeve nacionale. Në këtë rrjedhë historike hyri natyrshëm populli ynë, duke qenë i ngjashëm me disa elementë të rrugës së formit të popujve të gadishullit të Ballkanit, ku afërsia e marrëdhniet midis tyre kanë ndikuar në formimin e fizionomisë së popujve. Si element i dorës së parë, në formimin e nacionalizimit çlirimtar shqiptar, mendojmë se ka ndikuar trashigimia e traditës së pasur patriotike shqiptare, që zënë fill me udhëheqësit popullorë Batot ilirë, për të ardhur natyrshëm tek epoka e madhe çlirimtare e Gjergj Kastriotit. Lidhja, me shumë meritë udhëhoqi lëvizjen nacionale e luftën për autonomi në vitet 1878-1881. Në mënyrë të vijueshme, si kërkesë themelore ishte vendosja e autonimisë nacionale në të gjitha viset etnike shqiptare. E rëndësishme për popullsinë ishte, organizimi i sa më shumë lëvizjeve çliruese të armatosura nën flamurin shqiptar. Hov e ndihmë direkte dha Lidhja, duke influencuar në krijimin, përhapjen e zhvillimin e fjalës së shkruar shqipe, përmes gjallërimit të shoqërive kulturore e patriotike, letrare, etj. Prizreni e Vlora, janë binjake të një ideali të përbashkët atdhetar, ku e dyta s’mund të kuptohet pa të parën, sikurse “Lidhja e Prizrenit”, nuk mund të kuptohet pa epokën e lavdishme skënderbiane etj.
Pyetje: A mund të na përshkruani luftën për mbrojtjen e Kosovës dhe mbajtjen e Lidhjes II të Prizrenit (16-20 shtator 1943)?
Tomë Mrijaj: Tashmë, shqiptarët nacionalistë kishin një përvojë të pasur nga shembulli pozitiv i “Lidhjes së Prizrenit” 1878. Në situatën e re të krijuar, fati dhe interesat e popullit kosovar ishin të kërcenuar seriozisht dhe po shkonin drejt shkatërrimit. Në rend të ditës, doli si një rizgjim tek tradita ndërgjegjja nacionale shqiptare, e cila asnjëherë nuk kishte bërë gjumë letargjik. Për mbrojtjen e kufijve etnikë, me qendresë heroike, luftoi populli Kosovës, kundër shovinistëve sebo-malazias të Drazho Mihajlloviçit dhe brigadave mikse sllavo-komuniste të disa shteteve sllave (serb, malazez, maqedonas, bullgar). Aktiviteti i Lidhjes II të Prizrenit 1943, u shtyp me të gjitha mjetet e makinës shfarosëse të monarkisë Jugosllave dhe shumë shqiptarë u vranë apo u zhdukën. Kjo Lëvizje Çlirimtare e Komitetit të Kosovës kundër serbëve e trathtarëve, nuk mundi të ketë jetë të gjatë. Shpesh historiografia komuniste në Shqipëri e ish-Jugosllavi deri në vitin 1990, është përpjekur të paraqesë ushtrinë gjermane si shkatërrimtare për fatin e Kosovës, kur dihet se Kosova gëzonte një çlirim, e cila për fat të keq nuk zgjati shumë. Gjermanët, me përjashtim të zonës së minierave të Mitrovicës, u tërhoqën shpejt dhe njohën Kosovën si pjesë të Shqipërisë. Gjendja në Kosovë ishte shumë e rëndë dhe ishte e pamundur të shiheshin shenjat e përmirësimit apo të shpresës për lirinë e saj. Sjelljet brutale të pushtuesve italianë, burgosjet, internimet, kishin marrë përpjestime të mëdha si në Kosovë e Shqipëri. Më 7 korrik 1943 në Kosovë u shpall shtetrrethimi. Çetat çetnike serbe e malaziase, kishin fushë të lirë veprimi të stimuluar nga forcat fashiste italiane. Në tragjedinë e Bihorit, u masakruan barbarisht 4000 shqiptarë të pafajshëm, gra, pleq, fëmijë. Ky krim i shëmtuar, ishte bërë nga çeta e çetnikëve të Pavlo Gjurishiqit, të nxitur e armatosur nga komandanti i regjimentit italian në Mal të Zi. Mirëpo sa më e madhe bëhej shtypja ndaj shqiptarëve, aq më i madh rritej zemërimi e kundërpërgjigjja e popullit kosovar, që kishte filluar të riorganizohet gjithnjë e më shumë në male me të arratisurit e shtetrrethimit. Për të penguar dhunën ushtarake italiane dhe të çetnikëve serbo-malazezë në Kosovë ishte e nevojshme të krijohej një udhëheqje që do të bashkonte e kanalizonte të gjithë energjitë e përkushtimin nacionalist të patriotive të lirisë. Me kapitullimin e Italisë, çetat shqiptare, të ndihmuar prej disa formacione të vogla ushtarësh gjermane (të ardhur nga Mitrovica) morën në dorëzim administratën e vendit, duke formuar njiherit ndër të gjitha qendrat e Prefekturave N/prefekturave këshilla autonome ekzekutive. Për ambicie e bashkëpunim me çetat çetnike serbo-malazeze, çetat të ashtëquajtura “çlirimtare” komuniste në Kosovë, kërkonin turbullimin e situatës përmes dredhive e forcës, duke mbjellur frymën e vllavrasjes midis shqiptarëve, sikurse kishin vepruar në shumë zona të Shqipërisë. Për të realizuar qëllimin që synonte shpëtimin e Kosovës e Shqipërisë nga rreziku evident i sllavo-komunizmit, me inisiativën e një grupi nacionalistësh të flaktë të përbërë nga ing. Xhafer Deva, Musa Shehu, Sheh Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zajmi, Lukë Simon Mjeda, Qazim Bllaca dhe Pjetër Vuçaj, më 11 shtator 1943, u zhvillua në Prizren një mbledhje, ku u shqyrtua situata e krijuar dhe nevoja urgjente e masave që duheshin marrë, mbasi çdo vonesë do të ishte e pariparueshme e me rrjedha tragjike për fatet e atdheut. Tri ishin pikat bazë:
1. Thirrja e një mbledhje të përgjithshme popullore me shpirtin e frymën e Lidhjes së Prizrenit, ku do të përfaqësoheshin të gjitha krahinat e Kosovës, Dibrës, Strugës, Tuzit, Ulqinit nëpërmjet delegatëve të zgjedhur nga populli;
2. Deri sa të themelohet e caktohet një autoritet suprem nga Mbledhja e Përgjithshme, për të mbajtur qetësinë, rendin publik dhe situatat e reja që mund të krijohen, duhet të krijohet këshilli autonom ekzekutiv;
3. Ngarkimi i Këshillit Ekzekutiv të Prizrenit me përgatitjen e Mbledhjes së Kuvendit, hapja e të cilit do të bëhej jo më vonë se më 16 shtator 1943.
Më 16 shtator 1943, në shkollën “Bajram Curri” në Prizren u mblodhën mijëra qytetarë, për të përshëndetur fillimin e Kuvendit, që do të pagëzohet me emrin kuptimplotë “Lidhja II e Prizrenit”, ku si pari u zgjodhën: Musa Shehu kryetar, Aqif Bluta n/kryetar, Prof. Rexhep Krasniqi n/kryetar e Bedri Gjinaj sekretar. Këtu u miratuan 6 pika të rendi të ditës, të cilat në esencën e tyre të përbashkët kishin bashkimin e trojeve etnike etj. Në fund u zgjodhën Rexhep Mitrovica kryetar, Musa Shehu n/kryetar, Prof.Kolë Margjini n/kryetar, dhe antarë Sheh Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zajmi, Qazim Bllaca. Më 21 shtator 1943 delegatët u drejtuan në selinë historike të Lidhjes së Prizrenit 1878 dhe nënshkruan me solemnitet vendimet e marra në prani të autoriteteve e popullit të ardhur prej viseve të Kosovës. U hartua Statuti i Organizatës “Lidhja II e Prizrenit”, në të cilën shkruhej mbi themelimin, qëllimin, kopetenca tokësore, financat, dispozitat e posaçme, etj. Ajo kishte 22 nene, të ndarë në disa pika. Mbas pushtimit të Kosovës nga Jugosllavia e Titos, përpjekjet dhe luftimet e çetave nacionaliste në male e fusha nuk kanë pushuar gjatë gjithë vitit 1945, duke dhënë me mijëra dëshmorë. Organizata, me mjete luftarake modeste ka mbajtur në këmbë luftën e mbrojtjes në katër ballinat e kufijve kundër brigadave komuniste serbo-bullgare e malazezo-shqiptare. Këto të fundit të ashtëquajtur shqiptarë, kanë qenë drejtuar nga xhelati Shefqet Peçi e Aqif Lleshi, duke qëlluar pas shpine vëllezërit kosovarë të një gjaku e gjuhe. Numëri i dëshmorëve të rënë në ballë të luftës dhe i viktimave të pushkatuar mbas pushtimit sllavokomunist arriti në 50.000 vetë. Këtu përfshihen drejtues të organizatës, si: atdhetarët e njohur Musa Shehu, Prof. Kolë Margjini, Aqif Bluta, Bedri Peja, Asllan Boletini, Qerim Begolli, Xhevat e Rifat Gegolli, Shyqyri Bej Ramadani, Mustafa Agushi, Sulejman Xhemal Prishtina, Sulejman Ashiku, Av. Esad Berisha, Faik Okllapi, Aqif Tetova, Isak Taniku, Av. Shaban Kamberi, Xhem Gostivari e qindra të tjerë në viset e ndryshme të Kosovës e Maqedonisë. Të gjithë oficerët e ushtrisë dhe xhandarmarisë, që kanë qenë me shërbim janë larguar nga Kosova në Shqipëri, por për çudi nga regjimi i kuq i Enver Hoxhës, Mehmet Shehut e Ramiz Alisë, janë dorëzuar të gjithë autoriteteve jugosllave që i kanë pushkatuar pa gjyq. Të tillë janë dëshmorët antikomunistë si: Kolonel Fuat Dibra, Kolonel Asllan Vela, n/kryetar Sidki Shkupi, Major Hasha, Kapiten Hajdar Planeja, Kapiten Rasim Dajç, kapiten Hysni Rudi, kapiten Gjon Destanisha, kapiten Mark Thani, toger Musli Dobruna, n/toger Qazim Gostivari e aspirant Reshit Kaçaniku. Me gjithë vrasjet, për të frikësuar popullin martir të Kosovës, serbët e komunistët shqiptarë nuk mundën të mposhtin rezistencën e armatosur të forcave nacionaliste. Kështu mbas pushtimit të Kosovës nga fuqitë komuniste dhe mbarimit të lëvizjes së Drenicës, disa çeta nacionaliste zhvillonin pandërprerje aksione lokale kundër dominimit jugosllav. Me guxim, trimëri e vendosmëri luftonte çeta e Ukë Sadik Ramës të Gjurgjevikut bashkë me Prof. Ymer Berishën, që kishte ranë disa herë në përpjekje të armatosura me partizanët komunistë. Më pas, ata kanë kaluar nëpër Prokorupë e në rrethe të Rahovecit, me qëllimin për të mbledhë e organizuar forca të reja. Ai ra i sëmurë nga plagët e rënda, që kishte marrë më përpara. Ukë Sadiku u zu trathtisht, në një banesë dhe u dërgua në Prishtinë, ku u dënua prej gjyqit komunist. U ekzekutua me pushkatim, në vitin 1947 bashkë me disa shokë të tjerë. Ka qenë një trathti e ndërgjeshme veprimi i brigadave komuniste, që luftuan kundër vëllezërve shqiptarë të një gjaku e gjuhe të pushtuar nën Serbi, me një trathti të përligjur. Kështu për të shtypë e shkatërruar këtë rezistencë antisllavo-serbe, bullgare e maqedonëse, në ndihmë të trupave komuniste të Beogradit erdhën brigadat komuniste shqiptare të urdhëruar direkt nga diktatori Enver Hoxha e xhalati Mehmet Shehu, të cilët në terrenin e Kosovës kishin dërguar njerëzit më antishqiptarë e besnikë të sllavokomunistëve të Titos. Duke pasur frikën e një revolte të përgjithshme kundër pushtuesve serbë, komunistët e Tiranës së kuqe, menjëherë morën masat, duke stërvitur e dërguar në Kosovë njësitë partizane, për t’i ardhur në ndihmë Jugosllavisë. Në vend që ushtria shqiptare të bashkohet me forcat nacionaliste, kundër armmikut të përbashkët sllavëve pushtues, ata si trathtarë bënë të kundërtën duke vrarë, prerë, kallur në rrënjë pasurinë shqiptare, për hir të një ideologjie boshe komuniste. Tashmë mbi kurrizin e gjakosur të popullit kosovar ra edhe një pushtues i ri, por që kësaj radhe nuk vinte nga ajri e deti, por nga toka amë e Shqipërisë.
Pyetje: Tani të vijmë tek Lidhja III e Prizrenit e mbajtur më 1962 në New York të SHBA-së dhe lideri i saj zoti Ismet Ukë Sadik Berisha (një ndër bashkëthemeluesit), ndonëse në moshë është ende sot Kryetari LSHP në mërgim. Si dhe pse filloi?
Tomë Mrijaj: Në kohën kur populli shqiptarë në trojet etnike të veta ishte nën kërcënimit e asgjësimit të përditshëm të pushtuesve sllavë (jugosllavë), kur krimet kundër njerëzimit kishin arritur në zenith, kur shqiptarëve u mohohej çdo e drejtë më elementare, atëherë kur diktatura fashiste e manjakut antishqiptar Rankoviçit zotëronte çdo të drejtë, për të masakruar një popull, që nuk ka gjuhë, zakone, tradita, sikurse të sllavëve, koha dhe ndërgjegjja nacionale shqiptare thirri në skenën e historisë së saj, bijtë, nipat më të mirë të Kosovës kreshnike, për t’u tubuar rreth mëmëdheut në emigracion, për t’iu gjendur pranë në ditët më të vështira. Dardania, kërkonte të ripërtërinte vlerat e nacionalizmit të masakruar ndër shekuj nga sllavët dhe pushtuesit e njëpasnjëshëm, që shkelën dhunshëm trojet shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit e Fushës së Kosovës. Mbledhjet e elementit shqiptar në mërgim, nisën në disa qytet e shtete të Amerikës. Tematika e debatet ishin të ndryshmet. Ishte koha kur Balli Agrar, si antarë me të drejta të plota në Lidhjen Internacionale të Katundarve zhvillonte mbledhjen e Kongresit të tyre në Ëashington, më 1-2 shtator të vitit 1961, duke pasur shumë të ftuar. Shumë të rinj kosovarë, me ideale të pastra atdhetare në shpirt, të gjendur në udhëkryqin e jetës patriotike, mundën më së fundi që të gjejnë strehëzën e tyre, që ishte “Lidhja III e Prizrenit”, që nga ana e saj po jepte shenjat e parë të rizgjimit të ndërgjegjës nacionale, nën frymën e traditën e mirëfilltë të Lidhjes së Parë dhe të Dytë të Prizrenit 1878-1943-1962. Situata e nxehtë politike, tensioni midis njerëzve me streset e bartura nga vendlidnja, bënë, që në fillim, shumë njerëz ta kuptonin me vështirësi arkitetin, themeluesin dhe drejtuesin e parë të Lidhjes III të Prizrenit në mërgim Ismet Ukë Berisha. Këto të rinj kosovarë ende ishin të pavendosur, se çfarë rruge do të merrnin, mbasi në diasporë vepronin disa parti politike dhe organizata me qëllime pozitive, për të mbrojtur kudo fatet e kombit. Por kjo, nuk do të thoshte, se midis tyre nuk kishte ndonjë element që punonte me zell e përkushtim për Atdheun. Me dashje ose jo veprimtaria e ndonjë përsoni kishte rrëshqitur nga qëllimi fisnik, për të cilën kishte braktisur vendlindjen, familjen, miqtë, të afërmit, dhe çonte ujë në mullirin e armikut shekullorë sllav. Por, një fjalë e urtë popullore, se “delja që shkëputet nga tufa e ha ujku”. Ismet Berisha, sëbashku me dashamirësit e përkushtuesit e çështjes nacionale, u përpoqën që të bënin sa më shumë të rinjë ushtarë të fateve të atdheut, të mbushur me energji, mbasi të tillë ishin edhe ato vetë. Sigurisht, rruga dhe arritja e qëllimit patriotik nuk ishte aq e lehtë. Ismeti me gjithë fis kishte humbur pjesën më të madhe të njerëzve të zemrës, të vrarë nga sllavokomunistët. Koka e tij dhe shokëve të idealeve atdhetare në Jugosllavi ishte shumë e kërkuar dhe me çmim të lartë. Ai u provokua, për t’u asgjësuar fizikisht nga agjentët e UDB-së që jo rrallë flisnin serbisht. Amerika çdo ditë e vit, mbushej me shqiptarë të rinj të trojeve etnike, ku shumë prej tyre kishin ardhur nga Kosova, kampet e grumbullimit të Austrisë, Italisë. Ata e njihnin mirë gjendjen e atdheut të robëruar. Ismeti, regjistronte me kujdes çdo burim informacioni, përmes emigrantëve politikë. Më 1961, në Beograd ishin mbledhur përfaqësuesit e shteteve neutrale, Nehru, Sukarno, Naseri, Burgiba, Selasija. Duke përfituar nga situata e re politike, u propozua nga Ismet Berisha, të hartohet një Memorandum dhe të dërgohet menjëherë në kryeqytetin jugosllav, përfaqësuesve të lartë të shteteve neutrale pjesëmarrëse. Jugosllavia ishte shkëputur nga Bashkimi Sovvjetik dhe ishte një shtet neutral. Ishte menduar, që një kopje t’i dërgohej kryetarit Tito, si notë proteste ose rezolutë për keqtrajtimin e dënimin kolektiv, që po i bënte shqiptarëve në Kosovë. Ndoshta ky përbën rastin e parë të protestës dikrekte, që nacionalisti demokrat Ismet Berisha me guxim i dërgoi Konferencës Internacionale, që fliste e diskutonte për shtetet neutrale, në një kohë që vetë vendi organizator e mikëpritës shtypte me kërbaç liritë dhe të drejtën e vetëvendosjes së popullit kosovar. I ligështuar çdo ditë për fatin tragjik të vëllezërve kosovarë nën Jugosllavi, propozimin Ismet Berisha ua paqiti përfaqësuesve të Lidhjes Kosovare, si: Prof. Luan Gashi, Halit Maqi, Ramazan Turdiut etj. Mirëpo përfaqësuesit e lartë të Ballit Agrar për SHBA, u shprehën, se në fillim duhet pyetur Prof. Vasil Andoni në Itali dhe kryetari i Ballit Agrar në Francë Prof. Abaz Ermenji. Koha nuk priste, sepse gjendja e rëndë në trojet etnike nuk duronte një zvarritje të pakuptimtë, për vendime, që kërkonin shumë muaj e vite. Nga ana e tjetër, duhet thënë, se një pjesë e të rinjve kosovarë të ardhur rishtas, ishin të dëshpëruar. Meqenëse në Beograd, mbledhja e shteteve neutrale merrte fund pas dy-tre ditëve, propozuan përveç protestës me shkrim, qysh tashti Lidhja Kosovare, të ketë fonde të posaçme, të cilat me kujdes duhet të administrohen e shfrytëzohen për çështje të Kosovës nën kthetrat e nazizmit të ri sllav. Mbledhja mori fund në sallonin e Hotelit “Sheraton Internacional” Washington, DC. Në fund u zgjodh ekipi përfaqësues, me këto emra: Prof. Luan Gashi, Abdyl Henci, Mehmet Krileva, Dr. Fatos Gashi, Isuf Azemi, Isa Vranica, Kadri Bajrami dhe Ismet Berisha. Menjëherë filloi aksioni për grumbullimin e ndihmave, të cilat iu dorëzuan për administrim më 1961 Kadri Bajramit dhe Ismet Berisha. Për Ismetin kishin filluar shqetësime të reja, të cilat kërkonin vrull rinor, energji mendore e fizike. Ai ia doli mbarë për 40 vjet me radhë, si themelues, ushtarë besnik i Lidhjes së Prizrenit për Kosovën e trojet etnike. Ismet Berisha, sapo u kthye nga Washingtoni, gradualisht organizon tubimin e mbarë kosovarëve. Më 20 tetor 1962 nacionalisti Ismet Ukë Berisha shpall themelimin e “Lidhjes III të Prizrenit” në mërgim, meqenëse në vendlindjen Kosovë ishte e pamundur aktiviteti i saj. Ai nuk ishte i vetëm në rrugën e vështirë, por gjeti përkrahjen e njerëzve të shquar të komunitetit mbarëshqiptar. Një kontribut e ndihmë të drejtpërdrejtë dhanë Prof. Rexhep Krasniqi, Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku, Prof. Nexhat Peshkopia, Vasil Germeni dhe Mexhid Dibra.
Yonkers, New York, Intervistoi: Klajd Kapinova

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Klajd Kapinova, Lugu i Drinit, Tom mrijaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT