• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, 158 milionë euro investime të jashtme për 5 muaj

August 6, 2015 by dgreca

-Mustafa: Në 2015-ën, vetëm për pesë muaj kemi më shumë investime të jashtme se sa kemi pasur për tërë vitin 2014. Qeveria e Kosovës krijon ambientin për biznes dhe investimet e huaja direkte/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Gusht 2015/ Në Kosovë, investimet e jashtme kanë arritur 158 milionë euro për pesë muaj, tha sot kryeministri Isa Mustafa në një konferencë shtypi, të mbajtur në Prishtinë së bashku me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami. Ai prezantoi të arriturat e qeverisë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe investimet e huaja direkte në Kosovë gjatë gjashtë muajve.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka vlerësuar se gjatë kësaj periudhe është arritur një progres domethënës, në implementimin e prioriteteve strategjike sa i përket përmirësimit të ambientit të biznesit dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Objektivi ynë më i rëndësishëm është që të rritet prodhimtaria vendore, të kemi investime më të mëdha të jashtme në Kosovë, të përmirësojmë bilancin tregtar, të krijojmë vende të reja të punës dhe ta rrisim normën e zhvillimit ekonomik”, theksoi Mustafa.
“E vlerësojmë veçmas faktin se gjatë kësaj periudhe kemi pasur një rritje të investimeve të jashtme. Në bazë të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e jashtme kanë arritur gati 160 milionë euro, ose saktësisht 158 milionë euro për pesë muaj. Ndërsa, për pesë muaj të vitit të kaluar kanë qenë 29 milionë ose për tërë vitin e kaluar kanë qenë 151 milionë, që flet se vetëm për pesë muaj kemi më shumë investime të jashtme se sa kemi pasur për tërë vitin e kaluar”, u shpreh kreu i qeverisë kosovare.

Më gëzon fakti poashtu, vijoi ai. që kemi edhe numër shumë më të madh të firmave me pronarë të jashtëm, të cilat janë regjistruar në Kosovë gjatë gjashtë muajve, përkatësisht janë regjistruar 211 biznese, me pronarë të jashtëm karshi 80 bizneseve, sa kanë qenë për të njëjtën periudhë në vitin 2014.

“Një e arritur shumë e madhe është edhe nënshkrimi i kontratës për Brezovicën me konsorciumin francez, e cila kontratë parasheh që përfundimisht të kemi investime të jashtme prej 410 milionë eurove në Kosovë dhe hapjen e 3000 vendeve të punës, përkatësisht do të kemi 163 milionë euro për tre vitet e para investime të drejtpërdrejta dhe në mënyrë graduale do të rriten edhe vendet e punës”, tha Mustafa.

Ministria, vijoi ai, ka marrë masa gjatë kësaj periudhe në ndarjen e granteve të cilat janë siguruar përmes Bashkimit Evropian në shumë prej 4 milionë euro, janë përkrahur 20 mikro ndërmarrje dhe 16 ndërmarrje të vogla dhe të mesme me këto shuma, dhe ka funksionuar edhe skema voucher përmes së cilës është mundësuar që t’ju jepen këshilla bizneseve sipas kërkesave të tyre.

“Mendojmë se po tregohen shumë efikase edhe Zonat Ekonomike në Kosovë. Zona e Drenasit veç është përmbyllë me 41 biznese dhe më nuk ka vend as për biznese të brendshme as të jashtme aty, por po punohet në zgjerimin e kësaj e zone. Është investuar pastaj në Zonën Ekonomike në Mitrovicë gjatë këtij viti me 200 mijë euro dhe në Zonën Ekonomike në Shtime, ndërsa presim që Zona Ekonomike në Gjakovë të fillojë të realizohet në momentin kur ajo i zgjidh problemet pronësore të kësaj zone dhe poashtu kemi pas investime shtesë në Zonën e Drenasit sa i përket energjisë elektrike dhe sigurimit të ujit”, tha kryeministri kosovar.

Ne, vijoi Mustafa, e vlerësojmë poashtu të rëndësishme edhe organizimin e panaireve dhe pjesëmarrjen e bizneseve tona dhe bizneseve të jashtme në panaire në vendin tonë dhe pjesëmarrja e tyre në panaire në vendet e jashtme.

“Dëshiroj tani të theksoj se çfarë është bërë gjatë kësaj periudhe në rregullativën ligjore dhe në aktet e tjera, të cilat kanë mundësuar që ne të sigurojmë një ambient më të mirë për biznese. Është bërë plotësim ndryshimi i Ligjit për Markat Tregtare dhe Ligjit për Patentën. Esenca e kësaj qëndron në thjeshtëzimin e procedurave për regjistrimin e bizneseve, në mbrojtjen e pronësisë industriale dhe në përmirësimin e klimës së të bërit biznes tek ne”, tha Mustafa.

Ai shtoi se, qeveria ka aprovuar Projektligjin për Treguesit Gjeografikë dhe Emërimet e Origjinës, ndërsa tani kemi në procedurë Projektligjin për Dizajnin Industrial. “Të dy këto ligje bëhen në bazë të kritereve të Bashkimit Evropian, të cilat ne duhet t’i përmbushim edhe me rastin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, por vetëm në situatën kur nënshkruhet Marrëveshja. Ne po i paraprijmë kësaj Marrëveshje edhe me këto ligje”, u shpreh kryeministri kosovar.

Jemi zotuar se do ta formojmë Fondin Zhvillimor të Kosovës, theksoi Mustafa, duke shtuar se hapin e parë e kemi bërë dje në Qeveri me aprovimin e Projektligjit për themelimin e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive, ndërsa më vonë do të vazhdojmë edhe me shtyllat e tjera të këtij Fondi Zhvillimor.

“Ky Fond për Garantimin e Kredive tani për tani përmbledh një shumë financiare prej rreth 15.5 milionë euro, pjesa dërrmuese e tyre, apo rreth 10 milionë e 500 mijë janë si donacion apo kontribut i USAID-it, pastaj kemi kontributin e Bankës Gjermane për Zhvillim, të Zvicrës dhe të Austrisë dhe një milion është kontribut i qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Më vonë ky Fond do të veprojë në bazë të vetëfinancimit dhe jam i bindur se do të jap një kontribut multiplikues në zhvillimin ekonomik”, tha kreu i qeverisë kosovare.
Ajo çfarë e konsiderojmë se është shumë e rëndësishme, vijoi Mustafa, është Projektligji për Investime Strategjike.
“Ne po punojmë tani konceptin e këtij ligji, do ta kemi në Qeveri javën e ardhshme, ndërsa si projektligj do ta përgatisim deri në fund të gushtit. Ne vlerësojmë se me aprovimin e këtij Ligji në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të krijojmë krejtësisht kushte tjera, të cilat do të mundësojnë marrëveshje të drejtpërdrejta me investitorë të jashtëm dhe tërheqjen e investimeve strategjike. Përmes këtij Ligji ne do të përcaktojmë se cilat janë fushat e investimeve strategjike në Kosovë, cilat janë kompanitë të cilat do të konsiderohen si kompani me interes strategjik në pikëpamje të shumës që ato investojnë këtu dhe në pikëpamje të numrit të të punësuarve, dhe cilat do të jenë procedurat përmes të cilave ne do të tërheqim dhe do të arrijmë marrëveshje me investitorët e jashtëm”, theksoi Mustafa.
Ai bëri të ditur se, përmes Ministrisë poashtu janë aprovuar, përkatësisht janë pru udhëzime administrative të cilat e kanë thjeshtëzuar mënyrën e të bërit biznes, të regjistrimit të bizneseve dhe poashtu udhëzime administrative të cilat e kanë rregulluar regjistrimin e bizneseve të jashtme, përkatësisht investitorëve të jashtëm. “Ne do të kemi një portfolio të saktë në të ardhmen të të gjitha investimeve që do të kemi nga jashtë në Kosovë”, paralajmëroi Mustafa.
“Është punuar mjaft shumë edhe në miratimin e standardeve të caktuara, në regjistrimin e markave tregtare, është filluar me rregullimin e tregut të naftës, sepse kemi pasur 44 për qind të pikave të karburanteve në fund të vitit 2014, të cilat nuk kanë pasur licencë të vlefshme. Janë ndërmarrë të gjitha masat dhe ato tani po vihen në kontroll. Kemi kërkesa të mëdha për licenca dhe Ministria po procedon me të gjitha kriteret në mënyrë që ato të plotësohen”, tha kryeministri.
Mustafa shtoi se, në pikëpamje të bashkëpunimit rajonal, në fushën e zhvillimit ekonomik, ne tani jemi duke bërë përgatitjet tek Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe ministritë tjera që merren me fushën e ekonomisë, që të implementojmë detyrime tona që rrjedhin më vonë nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim.
“Kjo Ministri është drejtpërdrejt e kyçur në pjesëmarrjen aktive në aktivitetet e CEFTA-s, edhe në organizimet tjera ndërkombëtare. Kemi aktivizuar Këshillin Kombëtar për Zhvillim. Ky Këshill tani ka filluar të funksionojë dhe përmes këtij Këshilli ne po marrim sugjerime, propozime, masa nga akterët që e përbëjnë, në mënyrë që ecuritë e zhvillimit ekonomik dhe orientimet zhvillimore në të ardhmen t’i orientojmë në interes të zhvillimit më të shpejtë të Kosovës”, tha kryeministri kosovar.
Qeveria e Kosovës vazhdon me punë në këtë verë e muaj pushimesh, ndërsa paralajmëron edhe shumë angazhime edhe në ditët e javët e ardhëshme, veçmas në çështjet zhvillimore të vendit.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme miratoi Projektligjin për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. “Fondi per Garantimin e Kredive po themelohet me një përkrahje të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe në aplikimin e përvojave më të mira të përkrahjes së bizneseve dhe të garantimit të kredive për biznese”, ka theksuar Mustafa në mbledhjen e qeverisë.
Në 24 korrik, kryeministri Mustafa në konferencë për shtyp ka prezantuar realizimin e prioriteteve të qeverisë së Kosovës në fushën e ekonomisë, veçmas në fushën e politikave fiskale dhe rezultateve që priten nga këto politika, ndërsa paralajmëroi se, “në ditët në vijim opinioni publik dhe mediat do të informohen edhe për çështjet e tjera të rëndësishme aktuale”, duke bërë të ditur se po punohej për Ligjin mbi fondin e garantimit të kredive.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se po punohet edhe në projektin e termocentralit “Kosova e Re”, që të sigurohet energji elektrike në mënyrë perspektive për Kosovën.
Është poashtu në negociata që të shihen mundësitë edhe të zhvillimit të projekteve tjera, edhe për termocentralin “Kosovën A”, pastaj në projektet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor 6 që përfshijnë hekurudhën, transmisionin 400 kilovoltësh, rrugën Prishtinë-Shkup dhe autostradën për në Merdar, si dhe në projekte që kanë të bëjnë me bujqësinë e të tjera.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 158 milionë euro, investime të jashtme, Isa Mustafa, osova, për 5 muaj

Kur do ta vizitoj Isa Mustafa Luginën e Preshevës?!…

July 29, 2015 by dgreca

Do të ishte më së e domosdoshme që vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë të kushtëzohen me lejimin nga qeveria serbe që këtë ta bëjnë edhe ministra e zyrtar tjerë kosovar këtë pjesë etnike shqiptare/
Shkruan: Xhavit Çitaku/
Jemi dëshmitarë se pothuajse për çdo ditë ministra e zyrtar tjerë serb vizitojnë Kosovën. Ç’është edhe më keq sjellja e këtyre zyrtarëve nga Serbia po keqpërdorët në mënyrë të vrazhdë dhe kundër rregullave e ligjeve pozitive të vendit tonë. Ata jo vetëm që i takojnë serbët lokal në mjedise të ndryshme, por vetë i organizojnë tubimet dhe i mësojnë se si qytetarët duhet të reagojnë dhe të mos pranojnë në asnjë rrethanë se jetojnë e banojnë në Republikën e Kosovës. Për çdo ditë iu thonë se kjo është tokë serbe, se kjo është krahinë serbe dhe se gjithnjë Serbia do t’i mbështesë e do t’i përkrah edhe materialisht, por edhe në forma tjera. Përkundër këtyre sjelljeve antikushtetuese, qeveria jonë dhe organet tjera kompetente nuk reagojnë fare dhe kështu në heshtje tolerojnë gjithë këtë përzierje flagrante në punët e brendshme të shtetit serb në Kosovë. Zatën kjo heshtje e pakuptueshme ua ka mundësuar këtyre zyrtarëve serb që për çdo herë ta ashpërsojnë gjuhën e urrejtjes që ndiejnë ndaj shtetit të Kosovës.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës të lënë nën mëshirën e regjimit serb
Derisa institucionet dhe organet tjera qeveritare serbiane ndër prioritetet e tyre vepruese kanë edhe gjendjen dhe pozitën e pakicës serbe në Kosovë, fatkeqësisht qeveria e jonë nuk është duke e bërë asnjë hap serioz në drejtim të ngritjes së zërit për padrejtësitë që i bëhen popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës, e cila në mungesë të mbështetjes që do të duhej ta kishte ka zgjedhur disa veprime protestuese që po bien në vesh të shurdhër edhe të komunitetit ndërkombëtar e që është edhe më keq disa familje shqiptare edhe po shpërngulen nga trojet e tyre etnike. Gabim shumë i madh i palës kosovare ishte fillimi i dialogut me Serbinë pa e përfshirë në ato bisedime edhe Luginën e Preshevës, në të cilën jetojnë me shumë banorë shqiptar se sa që janë serb në pjesën veriore. Lëshimi i këtij rasti është një humbje e madhe për një tretman tjetërfare të komunitetit shqiptar në Luginë të Preshevës, që vështirë së do të mund të kompensohet aq lehtë në të ardhmen. Një fjalë popullore thotë se kurrë nuk është vonë, ndaj ekipi negociator dhe qeveria e Kosovës duhet të insistojnë për një baraspeshë të të drejtave që duhet t’i gëzojnë edhe shqiptarët në atë pjesë etnike ilire e jo vetëm që të bisedohet për pakicën serbe, e cila edhe ashtu i gëzon të gjitha të drejtat që ua garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Nëse ka drejtësi ndërkombëtare atëherë ajo do të duhej t’i garantohet edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe jo vetëm një komuniteti konkret, siç është rasti me serbët e Kosovës. Thënë konkretisht, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë mbetur nën mëshirën e regjimit serb, regjim ky që këtë popullatë e trajton krejt ndryshe duke mos bërë asnjë investim sado të vogël për t’ua mundësuar një jetë më të mirë ashtu siç përkujdeset për serbët lokal që jetojnë në një shtet tjetër, përkatësisht në Republikën e Kosovës.
Edhe ministrat kosovar do të duhej të vizitonin Luginën e Preshevës
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, është i pari politikan i këtij rangu që vizitoi shqiptarët e Luginës së Preshevës. Na kujtohen ato pamje të fytyrave të gëzueshme të mijëra shqiptarëve që shiheshin në ekranet televizive. Kjo vizitë iu dha shpresë e vullnet vëllazërve dhe motrave tona në atë pjesë që të qëndrojnë, punojnë e jetojnë për të ngritur një të ardhme të qëndrueshme. Mirëpo, nga Kryeministri i Kosovës asnjëherë nuk dëgjuam asnjë fjalë se ai e ka ndërmend që të marrë rrugë në drejtim të Preshevës. Nuk dëgjuam, po ashtu, asnjëherë të këtë shprehur interesimin e tij për banorët shqiptar në atë pjesë në vizitat që i bëri apo edhe në dialogun që po zhvillohet në Bruksel ku u takua edhe me Kryeministrin serb Vuçiq. Për realizimin e një vizite shumë të nevojshme dhe të mirëseardhur për banorët shqiptar , Isa Mustafa nuk ka kurrfarë pengese sepse ai nuk gjendet në listën e “ terroristëve” shqiptarë të orgeneve ndjekëse të të Serbisë sikurse që janë shumë figura të rëndësishme të UÇK-së, që tani kanë edhe poste të rëndësishme politike . Sigurisht se regjimi serb në fillim do të bënte përpjekje për të penguar një nismë të tillë të të parit të qeverisë së Republikës ës Kosovës, mirëpo insistimi i vazhdueshëm do të përfundonte me lejimin e vizitës në këtë tokë arbërore. Nëse eventualisht këtë do ta pengonte qeveria serbe, atëherë organet tona do të duhej që këtë masë ta aplikojë edhe për zyrtarët dhe udhëheqësit serb që pothuajse për çdo ditë vizitojnë Kosovën. Jo vetëm Isa Mustafa, por edhe ministra e zyrtar tjerë është e udhës që të vizitojnë Luginën e Preshevës në mënyrë që shqiptarët e atjeshëm të ndjehen më të sigurt. Është më së e domosdoshme që të bëhen përpjekje maksimale edhe në aspektin e ndërtimit të ndonjë objekti ekonomik nga të dy qeveritë shqiptare si dhe nga mërgata në mënyrë që fati i banorëve të kësaj ane për të qëndruar në tokën e tyre stërgjyshore të forcohet shumë më tepër se sa deri me tash. Kur ka interesim vullneti e shpresa nuk shuhen kurrë. Mbetet të shihet se sa e si do të punohet në këtë drejtim. Jashtë këtij interesimi nuk do të duhej të mbetën edhe komunat si dhe biznesmen shqiptar kudo që jetojnë, veprojnë e punojnë. Ky aktivitet është sa obligativ, po aq edhe patriotik.

Filed Under: Analiza Tagged With: Isa Mustafa, Lugina e Presheves, Xhavit Citaku

Kosovë-Transformimi i FSK në FAK, proces shumë i rëndësishëm

July 20, 2015 by dgreca

-Mustafa: Falë përkrahjes së parreshtur nga partnerët tanë strategjikë, sidomos nga SHBA, FSK sot është një organizatë e përgatitur mirë dhe e aftë të ofrojë siguri/
Nga Behlul Jashari/-PRISHTINË, 20 Korrik 2015/-Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, është një proces shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe për stabilitetin e përgjithshëm”, shprehet kryeministri kosovar, Isa Mustafa.
“Falë përkrahjes së parreshtur nga partnerët tanë strategjikë, sidomos nga SHBA, FSK sot është një organizatë e përgatitur mirë dhe e aftë të ofrojë siguri në Kosovë dhe rajon dhe të marrë pjesë në misionet paqëruajtëse jashtë vendit tonë. Prandaj, transformimin e saj në Forcë të Armatosur të Kosovës do ta bëjmë duke argumentuar se kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe jo duke adresuar kundërshtarë të këtij transformimi”, thekson kreu i qeverisë kosovare.
“Qeveria nuk ka asnjë kushtëzim për këtë transformim, por ajo vlerëson se duhet të punojmë me tërë spektrin politik kosovar dhe me deputetët e subjekteve që përfaqësojnë popullatën joshumicë për të siguruar përkrahjen e tyre, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës bëhet duke rikthyer dhe duke ndërtuar besimin reciprok”, përfundon kryeministri Mustafa.
Deklarata në ‘Facebook’ bëhet pas një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të përbashkët me shefat e grupeve parlamentare.
Pas kësaj mbledhje, nga Kuvendi u njoftua se, “sa i përket propozim-amendamenteve në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të propozuara nga qeveria e Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, me kërkesë të shumicës së përfaqësuesve të subjekteve politike, Kryesia vendosi t’u japë kohë partnerëve të koalicionit të zhvillojnë konsultimet”.
Por, opozita deklaroi se ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit pasi nuk u pajtua “me vendimin e mazhorances që t’i tërheq nga pika e rendit të ditës ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Isa Mustafa, Shnderrimi i FSK ne FAK

Kosova në një fazë tejet të rëndësishme të integrimit evropian

July 8, 2015 by dgreca

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e pestë plenar të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Korrik 2015- Kosova ka hyrë në një fazë tejet të rëndësishme të procesit të integrimit evropian, theksoi sot kryeministri kosovar Isa Mustafa.
“Tashmë kemi hapur kapitullin e marrëdhënieve zyrtare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmes Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Miratimi nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, dhe më pastaj nënshkrimi si dhe hyrja në fuqi e saj në fillim të vitit 2016, do shënojë marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri Mustafa tha se Marrëveshja për Stabilizim Asociim do të shërbejë si themel i procesit integrues të Kosovës dhe mundësi për zhvillim ekonomik.
“Miratimi i propozimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim nga ana Komisionit Evropian, është një arritje shumë e rëndësishme për Kosovën, që tregon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në zbatimin e reformave në kuadër të axhendës evropiane, dhe tregon perspektivën evropiane të Kosovës”, theksoi ai.
Kreu i qeverisë, vlerësoi përkushtimin e madh të të gjitha institucioneve të Kosovës për zbatimin e kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, si dhe zbatimin e rekomandimeve të misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian, duke shprehur besimin që vlerësimet e fundit të jenë pozitive dhe që Kosova më në fund të marr rekomandimin për liberalizimin e vizave.
“Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave jemi dëshmitarë të një përkushtimi të madh të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, si dhe zbatimi i rekomandimeve të misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian”, tha Mustafa.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në Prishtinë në takimin e pestë plenar të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit, ku ishin të pranishëm edhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Jean Eric Paquet, ministra, deputetë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore e evropiane.
“Në procesin e integrimit evropian, nga Kosova sikurse edhe vendet tjera të Ballkanit kërkohet të adresojnë reforma konkrete, të cilat përmblidhen në tre shtylla: Reforma e Administratës Publike, Qeverisja Ekonomike dhe Konkurrueshmëria, si dhe Sundimi i Ligjit dhe të drejtat themelore. Këto shtylla janë të ndërlidhura me njëra tjetrën dhe janë vendimtare në mënyrë që vendi ynë të justifikojë gatishmërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksoi Mustafa.
Ai falënderoi Komisionin Evropian dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë ofruar Kosovës në kuadër të procesit të integrimit në përgjithësi. “Dhe poashtu të nënvizoj që qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të zbatojë obligimet e saj karshi kërkesave të axhendës evropiane, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të gëzojnë vlerat e shumta të familjes së bashkuar Evropiane, dhe poashtu të kontribuojnë edhe në pasurimin e këtyre vlerave”, përfundoi kryeministri Mustafa.

Filed Under: Featured Tagged With: dialogu, Isa Mustafa, Stabilizim Asocim

Kosova uron mirënjohëse për mbështetjen e pazëvendësueshme të SHBA

July 4, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 4 Korrik.-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, uroi qeverinë dhe popullin amerikan me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë datë të shënuar historike e politike për mbarë njerëzimin, kryeministri Mustafa theksoi se Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një nga ngjarjet e cila përjetohet me ndjenja të veçanta vlerësimi dhe mirënjohjeje nga populli i Kosovës.
Kryeministri Mustafa, në urim thekson se shpallja a pavarësisë së SHBA-ve, shënon lindjen e modelit shtetëror të bazuar në vlerat universale të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit.
Duke çmuar përkrahjen e jashtëzakonshme të qeverisë dhe të popullit amerikan për Kosovën në të gjitha fazat, kryeministri Mustafa shpreh mirënjohjen e qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e pazëvendësueshme që SHBA-të po vazhdojnë të japin për progresin në Kosovë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Isa Mustafa, Pavaresine e SHBA, uron

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT