-Veseli: Të gjithë shqiptarët në veri duhet të dalin në zgjedhje të dielën për të dëshmuar se janë dhe do të mbesin gjithmonë në pronat e tyre/
-Zgjedhjet e jashtëzakonshme në 19 maj 2019 në 4 komunat veriore me shumicë serbe, në listë 57 983 votues/
-Tre parti, dy shqiptare e një serbe, kanë aplikuar të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme: Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe/
-Zgjedhjet e jashtëzakonshme u shpallën pasi kryetarët e katër komunave veriore, të gjithë serbë, kanë dhënë dorëheqje në 27 nëntor 2018, sipas tyre, si reagim pas vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat e Serbisë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 14 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli i shoqëruar nga kandidatët për kryetarë të komunave veriore të Kosovës, kanë bashkëbiseduar me qindra qytetarë shqiptarë për rëndësinë e daljes masive të shqiptarëve në zgjedhjet e së dielës.
“Ka shumë rëndësi dalja e të gjithë shqiptarëve në zgjedhje në komunat e veriut. Duhet të dalin unikë të gjithë në zgjedhje. Është mesazh dalja masive e shqiptarëve në këto zgjedhje sepse tregon se shqiptarët janë aty dhe do të jenë gjithmonë në pronat e tyre. Ne do të vazhdojmë projektet konkrete për të rindërtuar të gjitha shtëpitë e shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga pronat e veta”, tha Veseli.
Nga ana e tyre, kandidatët e PDK-së për kryetar të komunave në veri i siguruan qytetarët se do të punojnë në interes të zhvillimit të komunave të tyre dhe në koordinim e me mbështetje të institucioneve qendrore, do të realizojnë projekte e investime kapitale.
Edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, njëherësh kryetar i PDK-së në Mitrovicë, i siguroi qytetarët e komunave të veriut se do ta kenë përkrahjen e plotë në realizimin e të gjitha projekteve të tyre.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale që do mbahen këtë javë – të dielën e 19 majit 2019 për kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës kanë të drejtë vote 57 983 qytetarë, 970 më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.
Numri i votuesve në Mitrovicën e Veriut është 22 055, në Zubin Potok 8 535, në Leposaviç 18 164 dhe në Zveçan 9 229.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës në mbledhjen e djeshme ka çertifikuar listën përfundimtare të votuesve, bazuar në ekstraktin e Regjistrit Qendror Civil, i cili përpilohet nga Agjencia e Regjistrimit Civil.
Poashtu u bë e ditur se, në të katër komunat numri i qendrave të votimit do jetë 44, ndërsa i venvotimeve 87.
Tre parti, dy shqiptare e një serbe, kanë aplikuar të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme: Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe (Srpska Lista).
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryesuar nga kryetarja, Valdete Daka, në 8 prill ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës me shumicë serbe, të shpallura një ditë më parë nga presidenti i Republikës Hashim Thaçi, për t’u mbajtur në 19 maj 2019.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme u shpallën pasi kryetarët e katër komunave veriore, të gjithë serbë, kanë dhënë dorëheqje në 27 nëntor 2018, sipas tyre, si reagim pas vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat e Serbisë.
Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan, qeveria e Kosovës ka ndarë mjete financiare për Komisionin Qendror Zgjedhor 471,484 euro dhe për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa 18,618 euro.
Në Kosovë komuniteti serb përbën 1.47 % të banorëve sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, kur u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, prej tyre 92.93 % shqiptarë, pa përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.
Në Kosovë, që ka gjithësej 38 komuna, nga10 komunat me shumicë serbe 5 janë të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Paketës Ahtisaari. Po sipas kësaj Pakete, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.