Shkruan: Prof. Dr. VEBI XHEMAILI/ Universiteti Shteteror i Tetoves/
Atdhetarët shqiptarë të etshëm për liri e barazi, filluan menjëherë të organizojnë klube të shumta në tërë Shqipërinë, të flasin e të shkruajnë shqip, pa frikë. Me të shpejtë u hapën shumë shkolla dhe klube shqiptare, në shumë qendra të krahinave tona. Patriotët shqiptarë në çdo tubim deklaronin, “Tani erdhi dita edhe për neve të themi lirisht që jemi shqiptarë, gjer më sot nuk mund të deklaronim këtë haptazi se na prisnin gjuhën ose na hidhnin në burgje”. U fol shqip për të parën herë në mbledhjen e mbajtur me patriotët shqiptarë në Selanik.[1]
Lëvizja kombëtare shqiptare u kthye ngadalë edhe kundër disa personave të Turqisë, të cilët më parë u përpoqën që t’i zbatojnë reformat në jetë. Sidomos kundër mytesarifit të Prishtinës, Ismail Agë Fejziut, pastaj edhe kundër Efendi Amed Hamdiut etj. Në lidhje me këto ngjarje, Austro-Hungaria ka sjellë këtë përfundim: “Në qoftë se Austro-Hungaria do të depërtonte në jug, do të vinte në kundërshtim me shqiptarët dhe do të humbte influencën e saj midis krerëve të saj politikë, e cila do të shkonte në favor të politikës italiane. Në raportin e 20 korrikut, Zamburi do të shkruajë Erentalit: ”Tubimi i Ferizajt në fillim pati karakter lokal e më vonë u përfshi e tërë Shqipëria Verilindore, ku fjalën kryesore e patën Prizreni, Tetova, Shkupi dhe Prishtina, ndërsa siç thamë edhe më lartë promotor i kësaj ideje ishte Rexhep Efendi Tetova”.[2]
Por, kjo dëshirë e madhe dhe e flaktë e atdhetarëve shqiptarë nuk vazhdoi gjatë, turqit e rinj së shpejti treguan fizionominë e vërtetë se janë nacionalistë e të pa epur. Edhe shqiptarët, si dhe udhëheqësit e tubimit nuk ditën ta shfrytëzojnë situatën e re të krijuar dhe ta kthejnë në interesin e tyre. Krerët shqiptarë treguan paaftësi dhe nuk ishin në gjendje të organizojnë një kryengritje të përgjithshme për t’u çliruar nga sundimi osman. Qëndrimi i tyre ishte i pavendosur, duke lënë fatin e lëvizjes në duar të disa hoxhallarëve fanatik, gjë kjo që u pa më së miri më 24 korrik, kur u mbajt konferenca e krerëve shqiptarë dhe u vendos që të dërgohet një delegacion te Sulltani. Krerët shqiptarë ishin të pavendosur dhe të ndarë në dy rryma. Kjo më së miri vërtetohet në raportin e konsullit serb nga Prishtina, i cili do të shkruajë në lidhje me revolucionin: “Shqiptarët nuk kanë një qëndrim të prerë në kërkesat e tyre me xhonturqit”.[3]
Dështimi i parë i shqiptarëve filloi që në tubimin e parë, të mbajtur në Shkup, më 24 korrik 1908, në solemnitetin për Kushtetutën, ku Turqit e Rinj nuk lejuan të marrin pjesë të gjithë ata që kishin ardhur nga Vilajeti i Kosovës, gjithsej 4000 kosovarë që ishin nisur me tren, por u lejuan vetëm 60 krerë më të zgjedhur, të cilët me tren të veçantë i sollën në Shkup, për të marrë pjesë në manifestimet gazmore që i kushtoheshin suksesit të lëvizjes revolucionare të Turqve të Rinj. Në këtë rast, komiteti i Shkupit manifestoi mosbesimin e tij të kujdesshëm, duke udhëzuar turmën e partizanëve të tyre që të qëndrojnë në largësi të caktuar prej qytetit.[4] Por, edhe këta, në fund, nuk morën pjesë në këtë solemnitet, pasi që me kushtetutë nuk ishin të pranuara kërkesat e tyre. Përfaqësuesit shqiptarë, në tubimin Shkupit u parashtruan xhonturqve kërkesa të reja; u kërkua anulimi i reformave dhe të institucioneve të tyre, si dhe largimi i të huajve nga Turqia e të tjera.[5]
Po ashtu, këtë mendim negativ për kushtetutën e dhanë edhe disa krerë shqiptarë në klubin e Shkupit, që u thirr me kërkesën e këshillit të oficerëve të Turqve të Rinj, që të marrin mendimin e shqiptarëve në lidhje me kushtetutën, si Ibrahim Zajmi, Zenjel Beu dhe Bajram Curri, të cilët u prononcuan për kushtetutën, por dhanë disa vërejtje për regjimin e ri. Në këtë mbledhje u vendos që të themelohet një klub i ri, i përfaqësuar nga të gjitha nacionalitetet, që do të merrte për detyrë mbrojtjen e kushtetutës dhe formimin e policisë prej tyre.[6]
Tanimë turqit e rinj, së bashku me përkrahësit e tyre, filluan përsëri fuqishëm të kërkojnë nga pushteti aktual i xhonturqve, një pushtet të dorës së fortë, me ndihmën e së cilës do të mund të turqizonin të gjithë popujt e nënshtruar në kuadër të Perandorisë Osmane. Politika Xhonturke filloi shumë shpejt restriksionin ndaj lirive të arsimit dhe gjuhës shqipe.[7] Kjo ishte arsyeja që ata caktuan dhe vunë menjëherë mbikëqyrës kudo nëpër klubet shqiptare, që do të përcillnin lëvizjet dhe tubimet e shqiptarëve, sepse dispononin me të dhëna për përcaktimet politike të shqiptarëve dhe luftës të tyre për autonomi.[8] Xhonturqit, duke u mbështetur në nenin 8 të Kushtetutës që vërtetonte “se të gjithë nënshtetasit që jetojnë në kuadër të Perandorisë Turke, prej cilës do përkatësie fetare që ishin, prej atij momenti do të quheshin vetëm qytetarë turq, apo osmanli”. Këtë e dëshmon më së miri Kryeministri turk, Ibrahim Haki Pasha, në diskutimin e vet në Parlament, ”statuti i ka shkri në një bashkim të gjithë kombësitë që përbëjnë mbretërinë otomane”.[9]
Turqit e rinj, pasi morën pushtetin në duart e veta, filluan ndër qytetet shqiptare organizimin e komiteteve turke të bashkimit, ku merrnin pjesë shqiptarë e turq. Klubet e para u organizuan në Shkup, Manastir, Selanik, Dibër e tjerë. Klubi i Shkupit, qysh në shator të vitit 1908, numëronte 120 anëtarë. Në këtë klub bënin pjesë nëpunës turq, oficerë dhe paria e vendit. Por, ka pasur për anëtarë edhe shqiptarë katolikë.[10] Gjatë kësaj kohe u formuan gjithsej 30 klube në Shqipëri. Por, rol të rëndësishëm jashtë Shqipërisë Etnike ka luajtur Klubi i Stambollit. Në Tetovë, klubin e xhonturqve e udhëhiqte Rexhep Efendi Tetova.[11]
Me këtë veprim antishqiptar, kur xhonturqit filluan përsëri të mbyllin klubet shqiptare, ata u bindën se ishin të mashtruar pas fitores së revolucionit dhe stabilizimit të pushtetit nga ana e Turqve të Rinj, prandaj këta atdhetarë kurrë nuk u pajtuan me servilizmin e bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë. Kjo rrymë progresive demokratike e përbërë nga një pjesë e shëndoshë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, aspironte autonominë e Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane. Ajo filloi të organizohet duke aplikuar një rezistencë të fortë kundër veprimeve të parisë xhonturke. Krerët e Lëvizjes Kombëtare kërkonin me vendosmëri zbatimin e kushtetutës sipas premtimeve të dhëna; për shkollat, për gjuhën shqipe etj. Ndihmesë të madhe për ngritjen e vetëdijes kombëtare dha edhe shtypi i kohës si; “Bashkimi i Kombit” – Manastir, “Shkopi”-Kajro, “Drita” -Manastir, “Korça” -Korçë, “Dielli” -Boston, “Shqipja e Shqipënisë- Sofje e tjerë, që kërkonin të ndahen trojet shqiptare nga Perandoria osmane.
Patriotët shqiptarë kërkonin funksionimin e klubeve dhe zgjidhjen e autonomisë së Shqipërisë. Mirëpo, në këto rrethana të reja politike, kur turqit e rinj u forcuan në pushtet, ata dita-ditës filluan ta ashpërsonin sundimin e tyre, duke e absolutizuar veprimin politik dhe institucional kundrejt shqiptarëve. Ata ndaluan që publikisht nëpër mbledhje të flitej gjuha shqipe, duke i dënuar të gjithë ata pjesëmarrës që nëpër mbledhje kërkonin autonomi. Megjithatë, ligjëratat e patriotëve shqiptarë përfundonin si zakonisht me fjalët: “Rroftë liria, rroftë Shqipëria”. Shumica e patriotëve shqiptarë dhe e popullatës që i kishin besuar me të madhe politikës xhonturke dhe demagogjisë së saj, u gjetën të zhgënjyer. “Është e ditur që programi i turqve të rinj është krejt në kundërthënie me çështjen tonë kombëtare”, shkruante gazeta “Kombi”.[12]
Përfaqësuesit intelektualë në Stamboll, në bashkëpunim me krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nuk i habiti fare metoda e veprimit politik të turqve të rinj. Xhonturqit nga klubet e veta mënjanuan nacionalistët më të njohur (aktivistë) shqiptarë dhe i zëvendësonin me njerëz të tyre. Pas grabitjes së pushtetit, turqit e rinj kaluan në kontrarevolucion.[13] Këta reformistë, me këto veprime antishqiptare, “po rikthenin para shqiptarëve regjimin e vjetër të kamufluar, me rendin parlamentar”.
Në këto rrethana të vështira për Shqipërinë Etnike, rol të rëndësishëm në jetën politike-arsimore për shqiptarët ka luajtur komiteti “Bashkimi” nga Manastiri, kështu që gjatë muajt gusht-shtator 1908, me aktivitetin e tij kombëtar u themeluan shumë klube shqiptare. Klubi i parë kombëtar që u themelua vetëm pak ditë pas shpalljes së fitores së revolucionit xhonturk, ishte ai i Manastirit, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm për arsimim kombëtar në këtë periudhë. Pas tij u themeluan në Shqipërinë lindore edhe klube të tjera, si në Ohër, Strugë, Dibër, Kumanovë, Shkup dhe Tetovë.[14] Gjatë vitit 1909, numri i tyre me karakter politik dhe kombëtar u rrit në mbi 30 klube.[15]
Pas forcimit në pushtetin ekzekutiv, Turqit e Rinj kërkuan nga udhëheqësit e klubeve shqiptare që të shpallnin botërisht se nuk merreshin me politikë, por vetëm me çështje kulturore. Tanimë këto klube, e në veçanti ai i Shkupit, i cili ishte i shpallur si më i rrezikshmi për pushtetin aktual, mbikëqyreshin dhe kontrolloheshin nga emisarët e xhonturqve (në këtë drejtim ka pasur edhe shumë shqiptarë që e kishin harruar kombëtaren dhe punonin për interesat e tyre shtetërore. V.Xh).
Patriotët shqiptarë që ishin të vendosur për të fituar autonominë e Shqipërisë, u bindën në politikën totalitare të qeverisë së re në krye me udhëheqësit xhonturq, kur ajo botërisht nxori ligjin për zgjedhjet e reja parlamentare në shtator të vitit 1908, ku të gjithë votuesit dhe kandidatët e ardhshëm për deputetë, duhej të deklaroheshin si osmanli, që do të thotë se ishte obliguese njohja e gjuhës turke. Me këtë ligj, çdo kandidat i nominuar për deputet në parlamentin turk, duhej të hiqte dorë nga gjuha dhe përkatësia nacionale.[16]
Turqit e rinj, në të gjithë zonat votuese morën masa të ashpra që t’i pamundësojnë patriotët shqiptarë të zgjidhen për deputet në parlamentin turk. Në këto rrethana të vështira politike për shpëtimin e kombit, nga kjo situatë e krijuar, me të madhe kontribuoi Klubi i Manastirit, në ngritjen e frymës revolucionare dhe masivizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarizmit në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit. Me udhëzimet e Komitetit Qendror “Bashkimi”, për lirinë e Shqipërisë u themeluan dhe vepronin edhe komitetet e fshehta lokale, me karakter politik, si në Prizren, Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Strugë, Elbasan, Korçë, Ohër, Shkup dhe Tetovë.[17]
Për të pasur një kontroll më të mirë mbi lëvizjen e intelektualëve shqiptarë të asaj kohe, situatën politike në Shqipëri më së miri e përshkruan konsulli rus nga Manastiri: ”Për çdo lëvizje nëpër qytetet shqiptare kërkohej leje e posaçme”.[18] Në këto rrethana të vështira gjeopolitike, dominoi mendimi i intelektualëve vizionarë, “se për ta ruajtur Shqipërinë Etnike nga pansllavizmi serbo-bullgar, u propozua që Shkupi të njihej për kryeqytet të katër vilajeteve. Në atë kohë, si qendra më të mëdha të rezistencës shqiptare dhe luftës për autonomi ishin: Klubi i Manastirit, i Selanikut, i Stambollit dhe i Shkupit.
Klubi i Shkupit ishte më i fuqishmi dhe numëronte mbi 120 anëtarë, ku shumica ishin anëtarë të devotshëm dhe të rregullt.[19] Më i njohuri ishte Bajram Curri, që vlerësoi lartë shkollën dhe arsimimin shqip. Ishte kryetar nderi i Klubit shqiptar të Shkupit, që u solidarizua me Kongresin e Manastirit për alfabetin latin, ndërsa më 1924 e zgjodhën kryetar nderi të Kongresit Arsimor Kombëtar, që u mbajt në Tiranë. B. Curri hapi shkolla në Kosovë, në bashkëpunim me patriotë të tjerë dhe dërgoi studentë në Normalen e Elbasanit, sikundër që kishte bërë më herët edhe Hasan Prishtina. Në këtë drejtim, në pjesën e qyteteve të Shqipërisë Lindore, si në Strugë, Gostivar, Tetovë dhe Shkup, kanë zhvilluar aktivitete arsimore Hamdi Bej Ohri, i cili për këto aktivitete u burgos në burgun e Manastirit, ndërsa Dervish Hima u largua për Bukuresht. Në këto rrethana tejet të tendosura politike, kur qeveria xhonturke ushtronte presion të paparë kundër shqiptarizmit, populli i bashkuar rrethoi selinë e komandës në Manastir, ku ndodhej gjenerali Osman Pasha, i cili më në fund kur e pa se s’ka rrugëdalje tjetër, u përgjigj: “Edhe unë jam me popullin”.[20]
PËRJASHTIMI I MIT’HAT FRASHËRIT NGA DETYRA
Lëvizjen Kombëtare Shqiptare e ka ndihmuar me të madhe Klubi i Stambollit dhe ai Selanikut, ku për kryetar ishte Mithat Frashëri. Në Shqipërinë Lindore, si klube më të rëndësishme ishin: ai i Shkupit dhe “Bashkimi” i Manastirit. Klubi i Manastirit kishte një rol më nacionalist, në krahasim me klubin e Stambollit dhe të Shkupit, “të cilët në fillim ishin me politikën xhonturke”.[21] Por duhet potencuar se shumë klube shqiptare, pas revolucionit xhonturk, i kishin vu vetes për detyrë që të pavarësohen shkollat dhe kishat nga ndikimi tejet i rrezikshëm i Patrikanës greke. Më 1 shkurt 1909, në Korçë u formua Lidhja e veçantë, me emrin “Lidhja Shqiptare-Ortodokse e Korçës”. Sipas statutit të saj, lidhja kishte për qëllim mbrojtjen e gjuhës, ajo kërkonte nga Patriarku i Patrikanës greke në Stamboll, mbrojtjen e të drejtave nacionale dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishat e Shqipërisë, që do të plotësonte kërkesat e shqiptarëve ortodoksë.[22] Shqiptarët në këtë kohë i dhanë rëndësi shumë të madhe shtypit dhe alfabetit latin. Sipas njohësve të mirë të rrethanave të kohës, nënvizohet se në këtë kohë kombi shqiptar intensivisht e ka përjetuar periudhën më të fuqishme të ringjalljes së vet nacionale.[23]
Disa udhëheqës të klubeve politike shqiptare, në të njëjtën kohë ushtronin pozicione të larta në qeverinë xhonturke. Por, në anën tjetër, ata kurrë nuk e harruan Shqipërinë. Shembull tipik është Mit’hat Frashëri, i cili deri në prill të vitit 1910 mbante postin e drejtorit politik në udhëheqjen e Vilajetit të Selanikut dhe mori pjesë në Kongresin e Parë të Manastirit, si dhe atë të Elbasanit. Turqit e Rinj tentuan ta largojnë Mithat Frashërin për në Bagdad, për të qenë sa më larg popullit shqiptar dhe ngjarjeve politike në Shqipëri. Ky atdhetar, tanimë i njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në qendra më të mëdha diplomatike si luftëtar i denjë për çështje kombëtare, nuk pranoi të largohet nga Shqipëria. Për këtë u dënua nga Qeveria turke me largim nga puna.[24]
[1] Albania, vep, e cit. f. 266.
[2] Raport i Zamburit, dërguar ministrit të punëve të Jashtme të Austrisë Erentallit, më 20 korrik 1908.
[3] Raport nr. 809, i konsullit serb nga Prishtina, më 7 korrik 1908.
[4] Shtojcë e raportit të Sir G. Loëther, nr. 105. Më 25 korrik 1908.
[5] I.G. Senkieviç, Osvoboditelnoe dvizhenie albanskogo naroda v 1905-1912, Moskë 1959, f. 106.
[6] Gazeta “Politika”, Beograd, më 24 korrik 1908.
[7] Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, vep. e cit. f. 25-26.
[8]“Inostrani”, Beleshke o Albaniji, 1908-1912, “Srpski knizhevni gllasnik”, XX, Beograd 1937, f. 548.
[9] AIH-Tiranë, Kronika e ndodhive në Shqipëri 1908- 1912, (si mbas proces-verbaleve të Parlamentit Osman të botuara në Fletoren Zyrtare “Takvimi Vakaji”).
[10] Manol Pandevski, Politiçkite partii i organizacii…, f.282
[11] Tetovo i Tetvsko niz istorijata, vep e cit. f. 288.
[12] Gazeta “Kombi”, 24 korrik 1908.
[13] G. A. Aliev, Turcija v. period pravlenija mladoturk, Moskva, 1973. f. 99.
[14] Masar Kodra, Mladoturska revolucija i Albansko Osloboditellno Dvizhenje, “Gllasnik” INI, Shkup 1968, f. 125; Hysni Myzyri, Lufta e Shqiptarëve të Maqedonisë për shkollën shqipe gjatë viteve 1908-1912, botuar në librin, “Shqiptarët e Maqedonisë”, Shkup 1994. f. 299.
[15] Manol Pandevski, Politiçkite parti i organizaciji…, f. 414.
[16] I. G. Senkeviç, Osvoboditelnoe dvizhenie albanskogo naroda v 1905-1912 god. Moskva 1959, f. 124.
[17] Shukri Rahimi, Gjurmime historike të Rilindjes Kombëtare, Prishtinë 1986, f. 206.
[18] Raport i I. Zhivnojevit, nga Manastiri, Ambasadorit të vet Ivan Aleksejeviç, në Stamboll, Manastir, më 14 nëntor 1908.
[19] Masar Kodra, Mladoturska revolucija i Albansko Osloboditellno Dvizhenje “Gllasnik”, INI, punim i cit. f.125.
[20] Mihajl Grameno, Novela dhe kujtime, Prishtinë 1969, f. 210-212.
[21] I. G. Senkieviç, …, f.114
[22] Kanonizma e Lidhjes Shqiptare të Kongresit të Lidhjes Ortodokse, Korçë 1909.
[23] I. Gologanov, Albanskiot vapros, “Blgarska zbirka”, Sofje 1910, lib.IV, f. 224-230.
[24] A.M. Shkup, Raport i konsullit austo-hungarez nga Selaniku, nr.53/3. IV. v. 1911.