• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në vend të një requiem për Kolec Çefën

August 27, 2021 by s p

Imzot Gjergj Meta – Ipeshkvi i Rreshenit/

Kolec Çefa paska vdekë! Paska vdekë një burrë i vyer!Lajmin ma dha Klaudia Bumçi e Radio Vatikanit. Më erdhi keq, por më shumë turp nga vetja që Koleci jo vetëm ka vdekë, por tashma edhe qenka varrosur në Shkodër e nuk kam qenë për me i thanë dy uratë e me ia hedhë një grusht dhe. Për ma shumë asnjë rresht nekrologji apo një kronikë sado të vogël lajmesh, së paku ne tv lokale të Shkodrës, për një njeri i cili ia kushtoi jetën e tij arsimit dhe kulturës, punoi me Mons. Frano Illinë, botoi libra e shkrime duke lartësu punën dhe rezistencën e klerit në Shqipëri, na dhuroi tekste kritike dhe dokumenta të panjohur për Fishtën, shkrime të shumta, përmbledhë në vëllimin “Kur e vërteta flet ndryshe” botuar në vitin 2010. Koleci nuk mund të ikte kështu, anonim. Nuk e meritonte. Koleci u lind në Shkodër me 26 shkurt të vitit 1937 prej Tefës e Rozës. Punoi mësues në Pukë e në Katunde të Shkodrës ku e kujtojnë me shumë respekt. Kolecin e kam njohur personalisht në Tiranë kur kam qenë prift krejt i ri në Katedralen e Tiranës. Aty vinte në meshë për çdo ditë diele. U bëmë miq e shkoja shpesh ta takoja te shtëpia e tij. Një burrë i urtë e i shtruar, energjik në biseda, plot dije e kujtesë historike, një katolik i devotshëm. Kishte zgjedhur të jetonte i pamartuar, por i përkushtuar ndaj kulturës dhe historisë, sidomos për pjesën veriore e veçanërisht për Shkodrën që nuk e hiqte nga goja. Vitet kalonin e unë lëviza për misione të tjera, por sa herë qëllonte puna në Tiranë ne shiheshim e bisedonim, edhe pse shkurt, në shkallët e Katedrales së Shën Palit. Trupi i tij i gjatë, folkët e bardha dhe biseda e shtruar e bënin Kolecin një burrë dhe bashkëbisedues të këndshëm. Kishte gjithmonë diçka për të thënë. Kishte njohur pothuajse të gjithë meshtarët e vrarë apo të burgosur e mund të fliste për secilin prej tyre. U kushtoi shkrime e jetshkrime, përderi edhe Marie Tucit të stigmatineve. Me gegnishten e tij shkodrane Koleci dëgjohej pa t’u bërë i mërzitshëm. Kohët e fundit nuk e kisha parë më e as kisha dëgjuar për të. Sigurisht vdekja vjen një ditë për të gjithë e nuk mund të bëjmë tjetër veçse t’i përgatitemi asaj sa më mirë të jetë e mundur. Koleci me siguri, me fenë e gjallë që ka pasur, i është përgatitë asaj. Vdekjen ia kemi hak Zotit, por anonimatin nuk mund t’ia lejojmë vetes, sidomos për njerëz si Kolec Çefa që i kanë dhënë diçka vendit, shoqërisë, historisë dhe kulturës. E koleci i ka dhënë edhe Kishës. Pushofsh në paqe Kolec e na fal që vetëm tash u kujtuam për ty. Fale edhe Shkodrën që aq shumë e deshe, por që ndoshta e hutuar nga jeta e zymtë e këtyre kohëve, nuk u kujtua për një bir të sajin të devotshëm. Krishti të pastë në parriz Kolec!

+ Dr. Gjergj Meta

Filed Under: Kronike Tagged With: Dom Gjergj Meta, Kolec Cefa, Requiem Kolec Cefa

Fishta: “Gja ma e lehtë nuk asht se me ia njitë vedit atdhetar e tjerët me i mbajtë se s’janë atdhetar”.

October 21, 2016 by dgreca

Një replikë me Prof. Nasho Jorgaqin/

Nga Kolec Cefa/

Per fat të mirë, dyert e replikës janë hapur, pakashumë, dhe ne mund të hyjmë nëpërmjet tyre në replika konstruktive,  objektive, etike: pa indoktrinim m-l, pa mllefe latente, pa degraduar në vulgaritet, duke i dhënë hapësirë jetësore dokumenteve të shpëtuara e fakteve të jetuara e jo fjalëve pa baza, të hjedhura në erë, për të krijuar një atmosferë virulente, për të ftohur e shuar atë ngrohtësi të madhe zemre që nderonte prestigjin e poetit kombëtar.

Lexova me andje artikullin emotiv të Z. Frano Kullit, artikullin plot buon sens të Mustafa Nanos, si edhe artikullin me mbështetje historike të Romeo Gurakuqit. Mendova të shkruaj edhe unë disa fjalë të vërteta e jo pa vend, për të qartësuar figurën madhore të kombit tonë.

“Për fat të keq, shkruan Prof. Dr. Nasho Jorgaqi në artikullin e tij…, kleri katolik nuk u gjend me ato forca që u hodhën në luftë kundër pushtuesve fashistë. Përkundrazi,  kleri katolik në një mënyrë a në një tjetër i hapi rrugën pushtimit italian, e mirëpriti ushtrinë agresore duke cilësuar legjionet e saj “Pëllumba të Krishtit”…”.

Fjalët e “mirëpriti”…,e “Fishta  si prelat i lartë…nuk mundi t’i shpëtojë “tundimit”që i bëri fashizmi”… janë fjalë me nëntekst pejorativ, fjalë pa shije, pa vërtetësi, pa prudencë, fjalë të mbërthyera në pranga indoktrinimi. Një lajthitje: Shkruhet: “Fishta, prelat i lartë”,  jo: Fishta nuk ka qenë prelat i lartë, por ka fituar autoritet të madh në saje të veprimtarisë së tij e dëgjohej me respekt. (më gjatë shif veprën time: “Nëpër gjurmët e Fishtës”).

Në fakt, në Shkodër edhe gjetkë dëshirohej e mirëpritej ndihmë italiane për rrëzimin e Zogut për të cilin kishin shumë dyshime, jo pushtimi italian. Kemi të drejtë të pyesim: Ku mbështetet autori që pohon një gënjeshtër? Pushtimi fashist u bëri shumë presione klerit katolik: fashistët ngulmonin të hiqej provinciali, Pader Ciperian Nikaj (më vonë i torturuar e i pushkatuar nga diktatura); të merren masa ndaj klerikëve antifashistë; kërkonin të zhvillohej lënda mësimore për fashizmin; ( u shënjua lënda në orar të mësimeve, u caktua profesori dhe dita, në fakt nuk u zhvillua asnjë orë mësimi, sipas bisedave gojore me gjuhëtarin P. Justin Rrota; ndersa Karl Gurakuqi shkruan: “Gjatë vjetëve 1939-1943 nuk asht vu si landë mësimi gjuha italiane” ); synonin të mbyllnin gjimnazin-lice  Illyricum; të pezullonin revistën “Hylli i Dritës”, etj. Fashistët bënin çmos të trembnin françeskanët. Parini, përfaqësuesi i  Musolinit, mbërriti me i thanë një ditë Pader Anton Harapit: “In somma, voi altri volete essere stato dentro lo stato”(Pra, ju doni të jeni shtet mbrenda shtetit”). Shkollës ia hoqën subvencionin. Po, mbi të gjitha mungonin mësuesit. Atëherë, Pader Donati, drejtori, shkoi te ministri i arsimit për të kërkuar mësues. Ministri iu përgjigj: “Ju e keni krye misionin tuej. Tash ka ardhë koha me vu nji rrasë perkujtimore në shkollën tuej e mos me e çue ma gjatë”. Ndërsa  Mëkambësi Meloni përsëriti fjalën: “Hiqni Provincialin e të gjitha ndreqën”.

U lajmërua Fishta që gjëndej në Romë, i cili ngulmoi në Vatikan e çoi përgjigje: “Për së shpejti keni me i çilë shkollat… e mos ta lëshojmë”. (Këto të dhëna, edhe më gjatë, i kam pasë prej gojës së Pader Donatit, drejtorit të shkollës dhe, kur erdhi koha e u hapen kishat, i kerkova provincialit, Pader Kavolinit, dorëshkrimin, e kompiuterizova me Z. Klajdi Kapinovën e redaktova dhe P. Kavolini e botoi).

“Pader, e pata pyetë njëherë Justinin: Pse keni botue në revistën tuej materiale fashiste, si p.sh. Statuti i Partisë Fashiste”? Më pati përgjigjur: “Na çuen materialin, na nuk e botuem. Na thirren e na thënë se do t’ ju mbyllim revistën (na e pezulluan). Na u mblodhem dhe vendosem ta mbajmë revistën”. Kështu u botuan ato materiale!

U zgjata në presionet e fashistëve në fushën shkollore, por presione tjera kanë rënduar edhe në fusha tjera, si: në kuadrin klerikal, në anën financiare, në diskritimin e klerit, françeskanët i paditnin në Vatikan, se merren me politikë, etj.

Kuptohet këtu nuk është vendi të sqarohet ana financiare, por nuk mund ta besojmë në asnjë mënyrë, sa shkruan një historian, si konkluzion: “Kisha katolike, e kushtëzuar dhe nga nevojat e mëdha financiare, përkrahu si partner të mundshem shtetin fashist”…Kisha katolike ka qenë kontigjenti i parë i flijimit. Pra, të flasin dokumentat, jo na. Që kanë marrë pare klerikët kryesorë të katër feve në formë subsidesh, kjo dihet. Këtu duhet vërtetuar çfarë trathtiet kanë bërë klerikët si shpërblim të pareve të marrura. Në jetën e vet, kleri katolik në Shqipëri është gjetur shumë herë ngusht, por nuk ka ceduar, si shkruan Fishta: “frangar non flectar”. Ndersa dokumenti që sjell Profesori është mirë, besohet më shumë duke u dhënë letra e plotë, e jo “ndër të tjera”, pa të ndyeme mizash, në origjinal e në përkthim, kuj i drejtohet e rrethana e udhëzime tjera, që të mos lihet hije dyshimi, sidomos kur je duke i marrë nderin tjetrit.

  1. Nikollë Mazreku (Nikë Barcolla), autori i punimit “Skandali i Kordinjanos” më ka treguar:

Një ditë erdhi një personalitet ushtarak fashist e më hodhi në tavolinë një zarf.

-Më tha: Jepja famullitarit.

-Çka ka zarfi mbrenda, e pyeta.

-U pergjegj: C’të duhet ty, ti je sekretar, jepja famullitarit.

-Nuk marr zarfa të mbyllun dhe pa adresë të shkrueme dhe ia hodha në tavolinë zarfin në mënyrë jo fort të njerzishme.

E mori zarfin me pare dhe u largue tanë nerva.

Mbas pak kohe, Dom Nikollën (autorin e “Skandalit Kordiniano”) e transferuan në Kryezi të Pukës ku e arrestoi partia e bëri kështu afro 40 vjet burg e internim. Edhe një pasazh.

Kam lexuar korespondencën e shumë klerikëve katolikë (letrat janë të ruajtura në AQSH) e më ka çuditë fakti që shumë prej tyre dalin borxhlij. Kështu borxh janë P.P. Gjeçovi, Marlaskaj, Anton Harapi, Bernardi Palaj, Mati Prendushi etj. etj.

Pader, i drejtohet P. A. Harapi A. Marlaskajt, ti po shkon në Tiranë. Luigji (Gurakuqi) më ka do pare borxh. Ti mos ia përmend, por në t’i dhaftë, m’i nis shpejt se jam ngusht”.

Por, po kthehemi te klerikët “fashistë”

Lexoni“ Përkujtesën” (promemorien)( botohet per here të parë), për të parë si e “mirëpriten” françeskanët fashizmin.

 

Promemorje

 

Së pari, Per autoritetet civile e ushtarake, në rrethana jo të zakonshme, ose në rrethana të tensioneve politike nderkombtare, dyshimi asht një detyrë.

Së dyti, Per detyrë mirësie, klerikët janë mbajtë në kufijt e drejtësisë e mbrenda fushës së natyrës të gjendjes së tyne, me ndihmue autoritetet në fuqinë krejt atë që mund të nxisin të mirën e vërtetë morale e material të shtetit.

Kjo premtue edhe në lidhje me propozimet të bame prej Kom. Melonit Provincialatit Françeskan të Shqipnisë lidhun me vendosjen e disa fretenve tanë në liceun françeskan të Shkodres, pra: Dr. Atanas Gegaj, Dr. Gjon Shllaku, P. Lekë Luli e P. Antonin Fishta dhe Pader Anton Harapi, të gjithë mësues në gjimnazin – lice të Shkodres, Provincialati ka marrë masat që vazhdojnë: (nenvizimi im, K.C.).

  1. Pader Atanas Gegaj e Pader Gjon Shllaku do të mbahen jashtë Provincës per një kohë të pacaktueme.
  2. Pader Lekë Luli prej Shkodre do të vendoset në një prej famullive tona të Malsisë, mbas gjaset, në dioqezën e Pultit.
  3. Pader Antonin Fishtës, pjesëtar I Këshillit, do t’ikerkohet rregull .
  4. Persa i takon P. Anton Harapit, provincialati nuk e mendon të nevojshme me marrë masa speciale, e kjo, per këto arsye:

Së pari, provincialati ka bindjen e plotë që P. Anton Harapi, as me fjalë, as me vepra nuk ka dhanë kurr rasë me dyshue në sinqeritetin e besnikërinë ndaj regjimit të ri në Shqipni.

Së dyti, komisioni perfaqësues shkodran shkoi në asamblenë kombtare me mandatin t’i ofrojë kunorën shqiptare një anëtari të dinastisë së lavdishme të Savojës e jo Madhnisë së Tij aktual mbretit e perandorit tonë. Qe Pader Antoni që, me fjalën e tij të meçme, i paraqiti idenë e bashkimit personal.

Në fund, provincialati mban pozitivisht të sigurtë, se dyshimet mbi sinqeritetin e besnikërinë e Pader Anton Harapit dhe të motrave të nderueme stigmatine kanë qenë krijue nga insinuacionet malinje e të interesueme ndonjë të treti që, ma pak se kushdo tjeter, do ta kishte dashtë me e ba.

Nga e gjitha kjo (sa thamë ma nalt) arrijmë te fakti që P. Anton Harapi asht një personalitet i njohun, mundet me u thanë në tanë Shqipninë, e per ma teper një meshtar rregulltar që nuk të jep shkas me e qortue.

Për këtë, Provincialati e mbanë se çdo masë e improvizueme, marrë në ngarkim të P. Harapit, në kuptimin e propozimeve të Kom. Melonit do të ishte një padrejtësi e besoj mjaft në politikë.

 

P.G. Fishta ofm

 

Shënoj: Pader Antoni ka qenë kundërshtar i Italisë, ka pasë probleme, madje i internuar (me forma të ndryshme) nga Italia, prandej të mbrohej ai, ishte si të vepronte kunder politikës italiane. Më thonte Pader Justini: “Pader Antoni ka qenë regjent në kohën e gjermanëve e na thonte: “Luftën e fitojnë anglezët”. Pra, asht mbajtë si filoanglez! Me rastin e 12 prillit, Dergata shkodrane paraqiti kërkesat që të çojshin tek ruajtja e Pavarësisë.( ma gjatë, lexo Prof. Dr. A. Plasari, “Anton Harapi redimensus”. Këto kerkesa i nenshkrou edhe Fishta.

Ka gjurmë në letërkëmbim që Fishta u del zot fretenve të perfolun më lart. Po e ilustrojmë me një shembull: Ndonëse P.Gjon Shllaku pati debate politike, herë edhe kundërshtare me Fishten, Pader Gjergji i dha lejen e nderhyri të shkonte në Perëndim për specializim, i propozoi provincialatit që “Hyllin e Dritë ta drejtonte P. Gjon Shllaku.

 

Dela Roka nuk e paraqet si duhet P. Anton Harapin:

asnjë fjalë per perpjekjet e tij në dobi të ruajtjes së tërësisë territoriale të atdheut, asnjë fjalë për bashkëpunimin me Fishten e Gurakuqin për memorandumin dhënë konsullit francez në Shkodër të përpiluar nga ai e firmosur nga malsorët tanë të Veriut, përkthyer nga Gurakuqi e dërguar Konferencës së Paqes në Paris, asnjë fjalë për qëndrimin opozitar ndaj zullumeve të qeverisë së kohës, as për përpjekjet për një arsim kombëtar, asnjë fjalë per veprimtarinë e tij shoqërore, letrare, për veprat e tij. etj.

Kleri katolik e ka nderuar, e ka dashur Pader Antonin, i ka besuar në çdo kohë detyra të rëndësishme.

Kryeipeshkvi zgjodhi At Antonin të merrte pjesë në Dergatën e 12 prillit, ndonëse ishte i njohur si antiitalian, apostafat per t’u thanë italianëve se qëndrimi i Pader Antonit asht qëndrimi i klerit katolik. Dela Roka nuk tregon, pse u zgjodh Pader Antoni e ç’qendrim mbajti ai në këtë Dergatë.

Po japim një dokument që flet për besimin e nderimin e klerit ndaj P. Anton Harapit edhe më vonë.

Shkoder, 24. VIII. 42

Shkelqesë

Me rasën e ardhjes së P. A.Harapit në Tiranë, Ju paraqesim nderimet e përshëndetjet t’ona të përzemërta.

Shka ka me folë P. Antoni me Shkelqesën t’Uej, asht edhe fjalë e jona, posaçe per shka u perket shkollave katholike, sistemit të dhetave e kerkesës të taksave të enteve kishtare.

Jena të sigurtë se keni me i marrë para sysh me kujdes të veçantë.

Gasper Thaçi A.M.  d.v.

Luigj Bumçi, Ip. i Lezhës d.v.

 

 

Po nxjerri nga dorëshkrimet e Fishtes edhe letrën e mëposhtme, shumë sqaruese):

 

E ejte, 24 gusht 19…

Fort i nderti At Provincial,

 

Mbasi më duhet me shkue në Luogotenencë e neser kam në mendë me u nisë per Tiranë, po deshe, interesohem pranë Ekselencës së Tij Jakomonit per çeshtjen e Pader Antonit (Harapi) e të Pader Lekës (Luli), si kemi pasë rasë me folë goja-gojas.

Ju lutem me më autorizue me shkrim per këte punë, tue më diftue njiheri, në e pranoni, mbas gjithë hallit, që Pader Antoni të largohet per do kohë jashtë Shkodret e Pader Leka të dalë, edhe ky per do kohë prej Shqypnie, pse mundet me ndodhë, që s’më del me ia mbushë menden Luogotenentit mos me e tjerrë çashtjen ma gjatë.

Nderkaq, Ju puthi dorën e Ju lypi bekimin,

  1. Gjergj Fishta OFM

 

Besoj, se vetem këto fjalë që shkrova e që janë të dokumentuara me shkrim, mjaftojnë t’u përgjigjën fjalëve të profesorit se kleri katolik e “mirëpriti” pushtimin fashist e se Fishta“nuk mundi t’i shpëtojë tundimit që i bëri fashizmi”.

Pastaj, nuk na duket e drejtë të përgjithësohet qëndrimi i tërë klerit katolik me qëndrimin e ndonjë rregulltari a kleriku të veçuar që shkruan për “Pëllumbat e Krishtit”. Po t’i kishte shkruar këto fjalë kryeipeshkvi metropolitan, që perfaqësonte klerin katolik, katolikëve u duhet ta ulin zërin në këtë rasë.

Në periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare, pa ndonjë angazhim direkt, pergjithësisht, kleri u afrua, në parim, me Ballin Kombëtar që përfaqësonte idenë kombëtare, Shqipërinë Etnike, por nuk hyni në partinë e Ballit.

Edhe gjindet ndonjë rast i rrallë, si: Dom Zef Shestani që punonte me rininë balliste. Kleri katolik shqiptar e dinte çfarë do ta gjente nën komunizmin ateist, se e kishte parë në Bashkimin Sovjetik.

Kleri katolik përfaqësoi elementin më kundërshtar ndaj fashizmit në vendin tonë, duke perjashtuar ndonjë klerik , si: D. Lazer Shantoja e P. Bernardin Palaj që kishin bindjen se ideja fashiste do ta përballësojë idenë bolshevike: kruente e ateiste që në 1939 kishte zhdukur, pothuaj, tërë klerin e vet të krishterë. Sa per pader Bernardinin, dimë që është kritikuar nga provincialati per përzierje në çështje politike, më 1925, madje deri në kërcnim për ndeshkim brenda Urdhërit.

Unë që kam listën e klerit katolik në tryezë, shoh se shumë më tepër janë klerikë antifashistë se klerikë “profashistë”. Kujtojmë këtu klerikët e internuar a të arratisur, si: Pader Anton Harapi, P. Lekë Luli, P. Gjon Shllaku, P.  Atanas Gegaj, si edhe klerikë tjerë, si: P. Frano Kiri, P. Donat Kurti, P. Justin Rrota, Dom Nikollë Mazrreku, D. Ndre Zadeja, P. Pjeter Meshkalla, P. Aleks Baqli, P. Zef Pllumi etj., etj. antifashistë të thekur.

Politikisht, Fishta akuzohet, se 1) “Ka përgatitur pushtimin fashist”, (Në asnjë dokument të derisotëm nuk del ndonjë firmë nga Fishta (veç ndonjë artikull), as nga kleri katolik që të kenë thirrë a përgatitë pushtimin fashist. (Pastaj edhe nga kleri katolik pati të internuar, e të arratisur nga fashizmi).

Më tregonte P. Frano Kiri, atëherë drejtor i shkollës françeskane: “Unë nuk i kam xjerrë nxanësit me përshëndetë fashistat. Ndersa shkolla shtetnore i ka xjerrë”. Kanë ardhë e më kanë ba presion. E pra, drejtori i përgjithshem i shkollave françeskane ka qenë Fishta!

2) Eshtë përpjekur të fashistizojë popullin tonë; 3)“Ka përshëndetur pushtimin fashist”; pohime të  hjedhura në erë, pa kurrfarëvërtetësie.

Fishta ka kenë ksenofob, më thonte P. Viktori, komentuesi më i sakti, më i vërteti e më i besueshmi i Fishtës,  e ka shkruar Valentini dhe e dokumenton “Lahuta… Për të huajt në Shqipëri (italianët) Fishta shkruante: në satirën “Barabba” (1898)

“Kot me rrahun uj n’havan:

Se ktu i hueji s’ka çka ban.

Barni rraqet, pra, edhe shkoni…”.

Ndërsa për të huajt që vinin si miq, shkruante: “… bukën para por t’ia shtroni… me i besue mos u besoni”.

Fishta pranoi që Shqipnia të jetë nën udhëheqjen e Princit të Savojës, per të ruajtur kufijtë etnikë të atdheut, sikur me 1911 pranoi që Shqipëria të rrinte në çadrën e sulltanit per të ruajtur kufijtë etnikë të atdheut. (“… do të kishte kenë dam fort ma i vogël me vuejtë nën zgjedhë të turkut, se me kenë gri prej kristianëve” (Proza 1, f.324). Njashtu si pranoi të rrinte nën Princ Vidin, pikërisht për të ruajtur kufijtë, e atdheut.

Pranuan edhe një radhë politikanësh që Italia të dërgonte një princ nga shtëpia e Savojës per fronin e Shqipërisë. Përmendim: M.Kruja, M.Libohova, Mehdi Frasheri, Turhan Pasha, L.Gurakuqi (më i rezervuari) etj. As në telegramin drejtuar Duçes që ftojnë Italinë me kusht të na garantojë pavarësinë e integritetin…(shih, K. Cefa, “Nëpër gjurmët e Fishtës” f.86-87), nuk figuron asnjë firmë kleriku katolik, as në pohimin e Valentinit: “ Ernesti (Koliqi) me Mustafen (Kruja), me D. Lazrin (Shantoja), me Sheuqet Verlacin, Gjon Marka Gjonin, me Kolë Bibë Mirakaj, u zhgënjyen e u hidhëruan shpejt, kur nga ana italiane u ndërruan kartat në tavolinë e iu dha regjimit të ri një impostim jo komunuelth, siç ishte bashkëpajtuar, por një perandori. Por zarja e hedhur qëndronte e fiksuar në tavolinë e kush mundte ta terhiqte”? Në Dergatën e 12 prillit Fishta qe pjesëtar, por pa të drejtë fjale. Kleri katolik ngarkoi të flasë Pader A. Harapin e jo Fishten. Mendojmë se Fishta ka qenë dakord me çka do të thojë Pader Antoni, ndryshe nuk do të kishte shkuar, aq më tepër, për të firmosur. Antoni njihej si antiitalian, madje kishte pasë përndjekje nga Italia. Me këtë, kleri donte t’i thonte Italisë, se qëndrimi i P. A. Harapit, është njëkohësisht qëndrimi i mbarë klerit katolik.

Nji ditë pyeta Pader Justinin: Pader, pse ka kryesuar në Dergatë një françeskan, kur dihet që klerin katolik e përfaqëson kleri dioqezan, Kryeipeshkvi metropolitan, ipeshkvi etj., dhe pse nuk qe kryesor Fishta, poeti kombëtar. M’u pergjigj: Kryeipeshkvi ka diskutuar me P. Antonin e kanë përgatitur çfarë do të flasë P. Antoni në mbledhje. Fishta ishte afruar me Italinë, se nuk shihte alternativë tjetër, Pader Antoni njihej si kundërshtari më i fortë.

(Sa shkrova, ma kanë dëshmuar gojarisht P. Justin Rrota para 1964, e Dom Mikel Koliqi, Kardinali, anëtar i kësaj  Dergate ku perfaqësonte klerin dioqezan, mbas 1992). Një herë tjetër, më bisedonte  P. Justini,”na mblodhi Fishta në rafretorium e na tha: “Sot do të vijë e do të na flasë një personalitet fashist. Të mos mungojë kush”. U mblodhem. Kur hyri Fishta me personalitetin fashist, u ngritën dhe dolën jashtë P. Gjon Shllaku (i torturuar e i pushkatuar më vonë nga diktatura), P. Lekë Luli ( i torturuar e i pushkatuar nga diktatura), P. A. Harapi (i torturuar e i pushkatuar), P. Atanas Gega, P. Antonin Fishta e ndonjë tjetër që s’po më kujtohet.

Edhe një indikacion i besueshem:

“Sot asht zhvillue takimi me Cianon në Legatën Italiane në Tiranë… Nga pala shqiptare ishin: Gjon Marka Gjoni, Pater Anton Harapi, Ndoc Pistulli, Zenel Broja e të tjerë. Arsyetimeve të Cianos për rendin e ri që do të sillte… Gjon Marka Gjoni iu pergjigj shkurt: “Nuk i kemi pasë fjalët kështu. Na e kemi kërkue ndihmën italiane për rrëzimin e Zogut, por jo per ta zevendsue me pushtimin italian, as me bashkimin e kunorave”… Por Pater Antoni, gjoja tue perkthye fjalët e Gjonit, iu pergjigj Cianos se populli shqiptar pikësëpari mendonte per pavarsinë e vet politike e se nuk do të pranonte asnji “rend”, sado i mirë t’ishte, po të mos respektonte pavarsinë e sovranitetin e shtetit dhe të popullit shqiptar…Ndoc Pistulli në emër të asamblistave shkodranë lexoi deklaratën e perpiluar prej Pater Anton Harapit…”.(Ejell Coba, “Jetë e humbun”, T.2012, 126-7).

 

Fishta ka qenë i bindur se Shqipëria mund të ruajë kufijtë e të zhvillohej vetëm me mbështetjen e një shteti të madh. Austro-Hungaria e, më vonë, Italia interesoheshin per Shqipërinë, per një Shqipëri jo të cunguar.  Astro-Hungaria ndiqte politikën e luftës kundër pansllavizmit. Për këtë, aspironte ose të pushtonte Shqipërinë që të mos lejonte sllavët të delshin në Durrës, të pushtonin Veriun shqiptar, ose të ringjallnin ndërgjegjën kombëtare nëpërmjet shkollave, a duke përgatitë kuadro etj. etj., që shqiptarët të ndërgjegjësoheshin e ta mbronin vetë atdhenë e tyre. Zgjodhi rrugën e dytë. Rivaliteti austro-italian mbante pezull fatin e Shqipërisë. Fishta shkruan: “Desh Austria e Italia, / prandej n’veti duel Shqipnia”.”Veprimeve austro-italiane u shoqëroheshin edhe manevrat dinake të qeverisë osmane, që nuk deshi të pranonte  as humbjen e Shqipërisë, as pavarësinë e saj”, shkruante Fishta në Letrën derguar V. Prendushit. Fishta kishte të rrënjosur bindjen se Shqipëria nuk i kishte elementet e nevojshme per t’u themeluar si shtet i pavarur. Fishta nuk njihte teorinë e mbështetjes në forcat e veta, sikurse nuk e njifnin as nacionalistët tjerë. Enver Hoxha e shpiku, populli e vuajti. Teza e Fishtës ishte: “ Shqipnia me Italinë”. “Unë nuk them që italianët do ta shpëtojnë, por them e pohoj se askush nuk mud ta humbasë Shqipërinë pa pelqimin e qeverisë italiane. Të ashtuquajturit nacionalistë shqiptarë e kanë hedhur poshtë formulën Shqipëria me ndihmën e Italisë, por ata nuk kanë mundur akoma të na percaktojnë një formulë tjeter politike…”.

Pra, deri më 1918 Fishta donte mbrojtjen austriake. Madje tallej me synimet italiane: “Orëpremja Itale\ Vlonen e Durrcin\Lakmon der n’Tale\. Pse i muer çikën\Kjo Malit t’ Zi\Don me i dhanë Shkoder\ Plavë e Guci.

Mandej erdhen ngjarjet që bënë jehonë:  Konferenca e Paqes (e Fishta kishte formulën “Shqipnia me ndihmën e Italisë”); Kongresi i Lushnjes, Lufta e Vlonës, (Në prozën, “Kufijt e Shqypnis” Fishta deklaroi“Pa Vlonë nuk ka Shqypni”! Edhe pse, për interesa kombëtare mund të pranonte alternativë), ngjarje që të ndërrojnë mendim, të ndërrojnë qëndrim, të ndërrojnë rrugë. Marrëdhëniet e reja me Italinë i shikonte me dyshim e mosbesim e i demaskonte  me bindje e energji. Fishta demaskoi qëndrimin antishqiptar të Italisë në çështjen e Shkodrës (në këmbim me Fiumen; në mbrojtjen ndaj Esat Toptanit, në çeshtjen e Princ Vidit)… Gjatë vjetëve 1913-1914 Italia komplotoi  kunder ekzistences së shtetit shqiptar. Kujtojmë pastaj Luftën e Vlonës, qëndrimin antiitalian tek poema “Palokë Cuca”(1922), ku tallë propaganden italiane ndër njerëzit e thjeshtë, predikuar nga shkollat e huaja që pa na shkimbin çdo ide kombëtare. Kam pasur bindje se Shqipëria nuk mund të formohej, veçse me ndihmën e një fuqie të madhe dhe se, pas zhdukjes së Austro-Hungarisë, vetem Italia ishte ajo që do të kishte pasur të gjithë interesin të formonte një Shqipëri, mundësisht sa më të madhe”.  (Lufta e pop.shqip. për çlirimin kombëtar 1918-1920, v.II, f.214-219}.

Për të mos u zgjatë, po citojmë konsullin jugosllav për klerikët katolikë:

“ Që janë antisllavë, e kam dijtë; që janë antiitalianë, nuk ma ka marrë mendja”. (Fjala është për qarqet politike agresive).

“Ditën kur u pushtue Shqipnia, takova Dom Ndre Zadejën, më thonte një plak, po shkonte me thanë meshën. I thashë: Dom Ndre, Italia po pushton Shqipninë. Iu mbushen sytë me lot e u largue tue thanë: “Eh, Shqipnia e shkretë, tesh po humbë””. (kalimthi po shënoj se poeti i “Letres së hapun” kundër Kordinianit u torturua e u u pushkatuamë 1945). Kardinal Koliqi më ka tregue: Dom Ndrenë e kanë mundue shumë. Kam pasë qelinë ngjitë me qelinë e Dom Ndreut. Pa pushim, ndigjojshe tanë dhimbje, eh, eh. E njofta se ishte zani i Dom Ndreut.

Sa herë që Italia kishte synime ekspansioniste ndaj Shqipërisë, Fishta ishte italofob.

Sa herë që e sillnin konjukturat pro Shqipërisë, Fishta bëhej italofil. Shumë politikanë nuk panë rrugë tjeter.

7 prilli permbysi mendime protektorati, asistence, komunuelthi e bashkimi. Qe vetem pushtim. Italia gënjeu sheshazi, se kishte premtuar se do të ruhej pavarësia e Shqipërisë, mashtroi haptazi qëndrimin e vet pushtues.

Fishta ishte per Shqipërinë me Italinë, jo nën Italinë;

për bashkëpunim, jo per nënshtrim;

per zhvillim paralel, jo të diferencuar;

për një Shqipëri të zhvilluar europiane, jo të privuar e të izoluar.

Fishta mbetet flamurtari më i madh i Shqipërisë europiane!

Një episod: Tek po bisedojshim një ditë, Pader Marini (Sirdani) më pyeti:

  • Hee, Kolec, çka ke lexue?
  • Iu përgjigja: Kam lexuar veprën tande, Pader, “Shqypnija e Shqyptarët”.
  • A të ka pelqye?
  • Po pader, veç pak faqeve, (atyne që flitshin per Italinë e Musolinin).
  • U kuq e m’u drejtue: “Ndigjo, Kolec, mos i lexo librat me sytë e komunistavet. Më foli per klerin ortodokës e musliman. Mandej shtoi: “Kleri katolik ka kenë krejt patriotik, veç ndonjë rasti të veçantë, të cilin e ka dënue vetë kleri. I vetmi gabim që kemi ba, asht se jemi afrue me Italinë ma shumë se duhej”.
  • Perfundoj: Fishtës iu ba një nderim i veçantë ditën e vorrimit. Homelinë e mbajti Imzot Thaçi, i cili, nder tjera tha: “Para dy-tri ditësh shkova me pa Fishtën në spital, më tha: “Po më vjen keq, se po ju la Shqypninë e pushtueme”.

Fishta:“Dersa t’mundem me ligjrue/E sa gjall’ me frymë un jam/ Kurr, Shqypni,s’kam me t’harrue/Edhe n’vorr me t’permend kam”.

Filed Under: Opinion Tagged With: At Gjergj Fishta, Kolec Cefa, replikë me Prof. Nasho Jorgaqin

Palaj – Kruja në letërkëmbim të pabotuem

June 3, 2016 by dgreca

NGA KOLEC ÇEFA/

Palaj e Kruja, dy fryte të jetës sonë shoqnore, intelektuale, politike gjallnuen të heshtun, të panjohun, pse diktatura fshehu ajkën e mendimit të tyne, pa lanë të perhapën mesazhet e veprimtarisë së tyne, pa lanë të ngrohemi nga forca e ndjenjave të tyne patriotike e të frymëzohemi nga perkushtimi i tyne atdhetar e shoqnor. Të dy patën parime e bindje nacionaliste, patën atdhetarizëm të vërtetë, të dy andërruen per nji Shqipní etnike të lirë, të zhvillueme e prendimore “ekonomikisht e pavarun e politikisht neutrale”, per një Zvicër në Ballkan, si e andërronte Gurakuqi, mësuesi, kolegu e shembulli frymëzues i tyne. Të dy i karakterizonte forca e fjalës: Fjala e Palajt ka ma shije letrare, fjala e Krujës ma shumë shije gjuhësore; fjala e Palajt ma shumë ndjenja shpirtnore, fjala e Krujës ma shumë frymë politike.

Në periudhën kohore 1921-1924 të dy u rreshtuen e u aktivizuen në Opozitë kundër Zogut. Palaj qe antar aktiv i Grupit “Ora e maleve”, Kruja qe krejt afër këtij Grupi e bashkëpunoi me antarët: Gurakuqin, Fishtën, Mjedjejt, Harapin, Palajn; ma haptë, edhe me Hasan Prishtinën e Bajram Currin, e gjithashtu ma haptë, me Qazim Koculin, Nolin, etj.

Një ditë po bisedojshe me Pader Justinin. Ra fjala per Mustafa Krujën.

“Unë i thashë:

– Po ai ka kenë fashist, more Pader.

– Jo Kolec, – m’u pergjigj Pader Justini i premë. – Mustafa nuk ka kenë fashist.

– Po ai ka kenë kuisling, more Pader.

– Po, Kolec, kuisling po, por fashist nuk ka kenë”.

Shkodra shkroi per tê: “Vetëm emni i tij âsht një forcë per patriotët e një kërcnim per trathtarët”.

Pas dështimit të madh të dhetorit 1924, sidomos mbas vrasjes së Gurakuqit e Currit, duheshin ide të reja per ideale të vjetra. Duhej koncentrue tanë energjia opozitare e popullit drejtue prej Mustafa Krujës, Qazim Koculit, Koço Tasit per të vû në jetë idealet e Gurakuqit e Currit, “tue perjashtue si antishtetnore parimet e bolshevizmit per reforma shoqnore”, per me shpëtue këtê Zvicër në Ballkan. Pra, shkruen Palaj: “ Na duhen prijësa nën një prijës e një ushtri nën prijësa. Ushtrinë e kemi – populli” e prijësi duhet të jetë Mustafa Kruja të drejtojë direktoriumin e perbamë prej Tasit, Koculit, perfaqësuesave të Gurakuqit e të Currit. E, Shqipnia të ketë tri parti të drejtojnë jetën e politikës shqiptare. Pa, kurrfarë paragjykimi, Frati i Dukagjinit e mbështetë fatin e kombit në këtê kohë tek Mustafa, Qazimi, Hasani…

Sa shkruem ma siper, na u munduem me dhanë material e do të vazhdojmë per këto dy figura që duhen studiue dhe ia lamë kritikës së paster, të mêçme e të paanshme t’i ndriçojë me dritën e së vërtetes, me fakte ndër duer, me një interpretim të qartë, të saktë, bindës, por këtê nuk mund ta bajnë mehmurët e diktaturës a papagalat e partisë. Ma mirë presim pak, të dalin si janë me unin e tyne dinjitoz e na të jemi mirënjohësit per sa kanë dhanë e jo bukëshkalët.

Po japim ma poshtë edhe një letër të pabotueme të P. Bernardin Palaj dergue M. Krujës:

18.IV. ?

 Fort i dashuni Mik!

 Flas e shkruej në bazë të parimeve të zgavrueme në zgjanimin e statutit të Lushnjes, tue besue se Zotnia Juej, edhe pse hartuesi i atyne parimeve kalbet në dhe, luftën e bani per ide shtetnore, që së bashku me Gurakuqin keni rrahë sa herësh në kullme të bisedimeve e të perpjekjeve diplomatike që u inspiruene me dukjen e mbretit në Shqypni, u rrahen në tryezë internacionale prej jush, pa pasë kurrnji fuqi toke perkrahëse, perveç Perendije, u sanksionuene me statutin e zgjanuem të Lushnjes, u nenshkruene me gjakun e Revolucionit të Qershorit e u vulosne per jetë me gjakun e Gurakuqit e të Bajram Currit. Theksoj, pra, qysh në fillim se kjo âsht baza e çdo perpjekjes, kjo âsht lidhja e dy mendjeve që shkeptas prej shoqi-shoqit marrin e japin per të gjetë posibilitetin ma të ardhshmin per të ngjitun në maje të malit nji gur, që, si thotë Át Noli, me dukjen e Ahmetit, kur kujtojshim se tashma do t’u kapshim në maje, ma fort per faje indishiplinatece, se per kontribucion internacional, na u shkep duersh e na u rrotullue në humbneren e vjetit 1914-1915 te humbnerja e Paktit të Londres. Unë jam i njimendimit plotsisht me Ju, se veç koncentrimi i të gjitha fuqive të shëndosha perreth nji bashkëveprimit sistematik e të drejtuem prej prijësash të shëndoshë kah idealizmi, të mund, tue shfrytëzue divergjencat e të perjashtëmve e presionin tiranik të mbrendshem, me marrë frenat e shtetit në dorë nji çetë antiklikare nacionaliste, që projektin e Gurakuqit ta zbatojë me sukses.

Per me i dalë këtij qellimi, do të dallojmë tri punë:

  1. a) Gjendja e Shqipnisë mbas zhdukjes së Ahmetit;
  2. b) Mënyra ma e mundshme per me zhba veprën e damshme të tiranit pa provokue nji luftë civile latente;
  3. c) Ideja konkrete shtetnore, që, nëmose nder pika trigonometrie, do të jetë e gjeometrizueme prej atij o atyne që të paraqesin revolucionin e ri të shtetit shqiptar para diplomacisë europiane tue kapercye nëper Scyllat e Caribdet e çashtjeve të kaperthyeshme që, mbas vdekjes a zhdukjes së vet len tirani në koncesione e konvencione të lidhuna në bazë të nji statuti, që në kurrnji pikëpamje nuk i pershtatet legalitetit.

Para se të rrëzohet shtëpia por, shpresoj se s’keni me kenë teper largas nder mendime per në theksojsha se duhet të jenë gati landa e re e punëtorët e dishiplinuem nën drejtimin e nji arkitekti. Landa ndoshta nuk do të ishte teper punë e vështirë per me u sjellë, punëtorët edhe po i dishiplinon tirania dita me ditë, pra, lypet arkitekti e këtij rendi nuk mund të randojë ngjeti, veç në Mustafa Krujën, Qazim Koculin e Koço Tasin, shkeptas prej çfarëdo klike, që, ditën e zhdukjes së Ahmetit e të feudalëve, do të zhduket paralelisht me tiranë, tue i lëshue rend evolucionit të lirë e vullnetmirë të nacionalistave të tre grupeve, që dora-doras e të betuem mbi vorrin e Bajram Currit, Gurakuqit, Avni Rustemit e të Zija Dibres, t’i perveshen shpejt, por me siguri nji operacioni rrajësuer per me shpëtue këtê Zvicer në Ballkan. Këtu por na del nji divergjencë mendimesh, jo fort e parandësi per zbatimin e nji plani që, tue i besue jetës së kalueme e parimeve të njohuna të zotnisë suej, per deri ne ketê pikë, besoj se nuk do të tregojë nji diferencë të madhe në paralelizmin e mendimeve.

Pika âsht kjo: pikëpamja jonë kundrejt busoles internacionale para, gjatë e mbas revolucionit, kqyrë nëper prizmin e errët që ajo paraqet mbas tragjedisë a komedisë, si të duesh me e quejtë me Chamberlain a Loid Georgjin së Gjenevës. Këtu të permbledhim njiherë menden tonë!

Âsht nji fakt që Ententa në luftën me armë, me diplomaci, me ekonomi u diftue e nënrendueme hegjemonisë së dollarit amerikan e, pa bashkëveprimin e Gjermanisë e të Rusisë, kurrsesi e zoja me garantue nji paqe të sanksionueme teper me gjak të nxehtë, si thotë në këto ditët e fundit Lord Georg në Versailles.

Si din gjithkushi, sot mbas katastrofës së Gjenevës, firmatarët e traktatit të Versajës jo veç nuk mund t’i kundershtojnë Gjermanisë në Lidhje të Kombeve, por, bile, megjithëse e dinë se Gjermania âsht minatori i trakteve të bame qyshë në Versajë e deri në Lokarno, megjithë këto pranojnë ket kercnim, per me zhgatërrue blokun ruso-gjerman, që me traktatin Virt-Cicerin-Roteman u lidh deri më 1928. Per kedo që ndoq, sado, së largut luftën e popujve të ndryshem, per me gjetë qandrën e re të nji ekuilibri të bjerrun me luftë të perbotshme, per kedo, po tham, âsht fare e kollajtë me e pa tensionin e spiraleve të reja: na kemi dy maje në Europë: nji në London e nji në Moskë. Rreth Ententen e vogel e të madhe me satelitët e vet e perreth Mosket, deri sot bare, Berlin e popuj të mujtun me minoritete të ndrydhuna, që, me dizinteresimin e Amerikës per politikë europiane buerën çdo avokaturë per mbrojtjen e autodeterminacionin e vet pranë aeropagut komiku-ingliz në Lidhjen e Kombeve, ku fati i neutralëve e i kombeve, që gjeografikisht gjindej ndershej Ententofilave, do të shartohej mbas koincidencës së interesës së shteteve mujtësa, që në atë aeropag formon shumicën klasike të unanimitetit të votave.

Me këtê gjendje, na shofim se tue dënue porsi antishtetnore parimet e bolshevizmit per reformen shoqnore, Rusia me Gjermani do të ishin dy të vetem avoketën që në nji aeropag paneuropian, kishin me mbrojtë tezin tonë; Amerikanët konkurrencën e lirë e garancinë e minoriteteve e prej Ententes nuk mund të presim tjetër, veç tragjeditë e vjetëve 1914-15-24. Këta e diftuen se Shqipnia per ta porsi shtet vërte indipedent ekonomikisht e politikisht, âsht nji ekrasit i pandamë që minon çdo marrëveshje ndermjet shteteve fqîj: âsht nji urë kalimit per “Drang nach Osten” e per Rusi që ndryshej, faret ndryshej, e mendojnë konfiguracionin ballkanik.

Të zotët e pozicionit në çashtje të Shqipnisë janë sot, pa dyshim, firmatarët e Paktit të Londres, si edhe të kompromisit Loyd Georg-Clemanceou-Nitti e… Robert Cecil.

Shqypnia, pra, âsht nji satelit i vogël, që ekzistencën e vet ia detyron rivalitetit internacional, perfaqsue prej dy grupeve: nji perba prej anglezësh, francezësh, italianësh, jugoslavësh e grekësh që, tue mos mujtë me coptue Shqipninë, pa gandue interesat shtetnore të vetat, janë konden me shfrytëzue çdo gjendje në Shqypni, mbas nji akordi të bamë mbi nji bazë reciproke interesash, tue u perpjekë, por mëshehtazi, ku me konvencione, ku me pengime ekonomike e me kercnime me perpi shtetin shqiptar mbrenda spirales së politikës shtetnore, me perjashtimin e plotë të konkurrentave tjerë. E, ky âsht shkaku i atij që trandë çdo pozicion shtetnuer që mundohet me marrë çdo qeveri, sado nacionaliste e vullnethekurt që kjoftë.

Tjetri grup perbahet prej gjermanësh, rusësh e amerikanësh me disa shtete ma të vogla, si: Bullgari, Magjari e ndoshta edhe Turki. Nder këta, gjermanët e rusët shfaqen si të kishin interesë jetësore per nji Shqipní vërte indipendente e forcue mbrenda kufijve të natyrshem të vet; Amerikanët, perveç kësaj pike, si dihet, janë mbrojtësit e konkurrentat ma të parët në konkurrencën e kështu që, po të kishte Shqipnija këto tre avoketën nder ato gjykatore, ku priten e shartohen fatet e kombeve, Shqipnija ishte konsolidue nëmose si shtet i dalun prej luftet.

Fati por deshi që Shqipnija perveç Vilsonit, mos të kishte kurrnji avokat që ta mbronte këte ide shtetnore, kuptue ashtu, si do të kuptohej prej çdo shqiptarit që nuk don me e pa Shqipninë nji gur ku mbështetet palla herë e Anglisë, herë e Francës me satelitët e vet, per me ekuilibrue a skuilibrue pozicionin ballkanik mbas barometrit të politikës shtetnore të tyne.

E, pra, kjo krizë aq e shembtueshme per popullin shqiptar ka me vijue deri sa avoketent e vërtetë të çashtjes shqiptare mos ta nxjerrin këtê shtet prej gjireve të Ententes e, kjo kohë nuk shifet se do të agojë para 1928-30, nji periudhë që kurrkushi sot nuk di me thanë, a thue ka me sjellë paqen e perbotshme, apo rrenimin e Europës.

Këtu, pra, s’ka tjeter, veç prej miqve të vërtetë me lypë nji moratorium astensioni të politikës direkte prej nesh me ta, derisa të shfrytëzohet divergjenca e të kointeresuemve fqij anmiq në favor të rindertimit të shtetit shqiptar mbrenda atyne bazave konvencionale që ata vetë i mbajnë porsi bazat e natyrshme të nji Shqypnie vërtetë neutrale e e zoja me ekuilibrue çashtjen ballkanike e adriatike. Ky, lum Mustafa, âsht shkambi që do të shperthehet sot prej nesh, per me dalë nesër në lamën e nji politikës reale me miq e anmiq. Këtu lypet njeni!

Uliksi shqiptar, i vetmi njeri që do të kishte mujtë me drejtue barkën e shtetit shqiptar neper gjiret e hatashme të këtij rivaliteti internacional, sot kalbet nën dhe, e na naufragt të gjithë jemi turrë me ia ngjitë timonit, pa pasë uzdajë të plotë asnjeni në tjetrin; kështu që, ndërsa anija siellet në atë gjiri ku e shtynë plumbi i Baltion Stambollës, Ahmeti flenë i qetë, Baltionat tallen me Shqipninë e shkretë, me këtê Penelope që shtynë nji ditë në tjetrën, kot tue kqyrë sytë e ndonji Telemakut të shkretë që, perveç uzdajet, nuk ka ma tjetër perdoresh, veç me mbytë nanën e veten.

I dashun Mustafë! Era prap na ka hjedhë nder brigjet e Trojës… te koha e Ali Pashë Tepelenës mbrendë, te koha e Esat Pashës, 1915-1918 jashtë. Prap me mbytë Trojen!

Këtu duhen prijësa nën nji prijës e nji ushtri nën prijësa. Ushtrinë e kemi gati: populli i shkretë i lodhun prej tiranije pret ditën se kur po na vjen; por, tue pa se prijësat e tij janë hallakatë pikë-pikë, nji dëshprim e kapë që e lodhë ma teper se tiranija që e ban tiraninë ma të kandshme se nji oligarki zhonturke-klikare. Kush âsht ai i çmendun, që e mohon këtê fakt se qe kah ditë do të ishte kaperdi kjo gjendje, po të kishin ra në godi Noli, Koculi, Mustafa Kruja, Tasi, Shaqir Curri e Shuk Gurakuqi, Xh. Bushati e R.Dani? Po të kishin kapë rremat e barkës së shtetit, të rrëxuemen Gurakuqi e në drejtimin e Qazim Koculit me mësye Adriatikun, a thue sakt se deri tash nuk do të kishim dalë në breg, ku ma se nji Telemak pret ditën e kushtrimit? Boll dam per ne! Ahmeti me tufë kecanash, por të lidhun rreth nji orakullit, dërmoi monarkizmin shqiptar me gjithë prijësa të vet, pse këta, të kuptueshmit me edukatë politike nuk ditën, pse s’deshen me dalë prej klanit personal, nji lëngatë psikike e shqiptarit të shkretë e me u ba regjiment i organizuem, i drejtuem e i primë prej nji prijësi të vullnetshem.

Qe pse u rrutullue shkambi dje, s’mund të ngjitet sot e ka me u rrotullue neser, pse udhëheqësit nuk janë dakord me vijue politikën shtetnore të Gurakuqit, mbas dekës së tij, jo pse s’dinë, por pse nuk duen. E tash shifet se ku kanë dashtë me dalë ata komplote që u bajshin në Tiranë, ndërsa Gurakuqi mbronte çashtjen e perbashkët në Lidhjen e Kombeve.

A din çka, lum Mustafa. Këtu nder ne mbas tiranijet lypet nji diktaturë me nji diktator per krye e këtu të bjen Ty, pse…je i krutanë e ju veç mundeni me dyndë strofullin njiherë e pergjithmonë tiranisë feudale e klikare, me impozue nji sistem administrimi që i pershtatet besimit të plotë të tre elementare e neser me i dorëzue Shqipninë Skanderbegut të vogël, per të cilin prit se u banë mjaft do vorre, sidomos ai i Shpellës së Dragobisë.

Per me i dalë këtij qellimi duhet nji direktorium i perbamë prej Tasit, Koculit, perfaqësuesave të Currit e të Gurakuqit, që t’i japin drejtimet e nji Mustafë per krye që të çojë me energji sot e me urtí nesër planin e Gurakuqit në vend. E, mos u tremb, se nuk kishe me kenë vetëm: nji lidhje ushtarësh intelektualë gurakuqjanë e currista perreth teje kishin me të mjaftue per me zhbi feudalizmën në Shqipninë e Mesme, me zhdukë klikë e klikarë e me i lanë lamën e lirë zhvillimit të këtyne partinave:

  1. Në Shqipnítë Mesme e të Jugut, partija e bulkut, nën kryesinë tuej.
  2. Në Vlonë e në Korçë, partija nacionaliste, nën kryesinë e Qazim Koculit, Nolit, Tasit.
  3. Në Kosovë, Shkodër:

Qendra e Nordit nën partinë e Gurakuqit e të Bajram Currit që në bazë të pikave të caktueme prej Gurakuqit per formimin e kësaj qandre në 1924 të bijnë ndershej të evolucionit të politikës së shtetit shqiptar.

Prej Hasan Prishtinës lypë atdheu nji vade kohë, nji armëpushin me shtet jugosllav, deri sa të konsolidohet gjendja e re, pra, abstenim, prej anës sonë kah çashtja e minoriteteve, tue formue Hasani me kosovarë nji klub indipedent per mbrojtjen e minoritetit shqiptar nën avokaturën e gjermanëve e neser edhe të rusëve, pranë Lidhjes së Kombeve.

Deri sa të konsolidohet shteti e të shfrytëzohet rivaliteti i të interesuemve per çashtjen adriatike, shteti shqiptar me ndjekë rrjedhjen e austriakëve kundrejt Tirolit.

Hasan Prishtina do të ishte i vetmi diktator që, tue drejtue çdo veprim, ka nji qellim të caktuem, mbrenda gjashtë muejve kishte me vû qetësinë e sigurinë në vend, me gatue evolucionin e natyrshem të partive, që permendem sypri e me nji asemble omogjene me vû Shqipninë mbrenda binarit të vet, mbas atij projekti që Gurakuqi i paraqiti popullit shqiptar me proklamën e qeverisë revolucionare. Mirëpo, Hasani sot nuk mund të permendet per mos me urtue drejtperdrejt ma të parin shfrytëzues, Jugosllavinë e per konsekuencë Francën. Prandej Hasani do të rrijë rezervë e mësheftë po, por jo e paorganizueme, ashtu si ta lypë rrethana politike. Hasani do të jetë organizuesi indirekt i Grupit të Currit, perba prej nji elementi, per faqe antiirredentist. Si të hinë gjermanët me shokë në Lidhje të Kombeve ka kush sulmon çashtjen e minoriteteve.

Mbas Hasan Prishtinës mund t’i perveshen diktaturës vetem dy vetë: Mustafa Kruja e Qazim Koculi, rrethue prej nji moraturiumit monarkist latent që me energji të percjellin shtetin neper fazat e kritikshme, deri sa t’i kapet qellimit – pa revolucion, por me nji evolucion të natyrshem.

I duelëm këtij qellimi, atëherë ka shpëtue Shqipnija e meritimi i jet (i mbetë) prap nji kruetani.

Të marr ngrykë

At Bernardin Palaj (firma)

(Origj. në AQSH, F. P., botue per herë të parë në “Milosao”, 17 maj 2009)

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Cefa, Palaj - Kruja në letërkëmbim të pabotuem

Mbresa nga vepra: “Françeskanët e mëdhaj”e autorit Át Zef Pllumi

February 3, 2016 by dgreca

“Françeskanët e Shqiperisë e kanë prej vetes pregjudicialen e atdhetarizmit dhe kundërshtarët e tyre nuk mund ta mohojnë veprën e dobishme që këta kanë zhvilluar per liri e unjisi të kombit”.
Faik Konica/
Nga KOLEC ÇEFA/
Jeta e njerëzve të mëdhaj e vepra e tyne të terheqin në rrugën e idealeve; jeta e virtytshme dhe pastërtia shpirtnore të tërheqin në rrugën e moralit; forca e karakterit e vuejtja per ta mbajtë të paperlyem atë, të terheqin në rrugën e së drejtes. Këtê hov shpirtnor shijon lexuesi, tue lexue veprën e Át Zef Pllumit “Françeskanët e mëdhaj”.
Nostalgji kujtimesh, episode bashkëjetese, copa jete e jetë idealistësh, ide e projekte martirësh personazhe, ndiesi vlerësimi e stime ia ngrohën zemrën fratit të persekutuem; ia ndezën mendjen e lodhun nga ndeshtrashat; ia forcuen dorën e pafuqishme e Pader Zefi shkruen per Imzot Vinçencin e ndiejshëm e të dashun që u shue në burgun e vuejtjeve e të dhimbjeve tue kërkue “Mehr Licht”; per Át Antonin që thonte: “Sulmet ma të mëdha popullit nuk ia bajnë anmiqtë, por veset”, e vetë hyni në Regjencë me sandale e kambëzbathë e doli nga Regjenca po me sandale e kambëzbathë; per Át Ambrozin per të cilin Justini në një autobiografi “ad simplicem usum” shkruente: “Mësuesi em, kolegu em, frati per zemër teme, ma i miri e ma i meçmi i Provincës… Kam shkue me pa aulën (ku ka dhanë mësim në Romë, K.Ç) e e kam puthë me nderim ku kishte mësue Dogmatikë…”; Át Justinin e paralizuem, por sistematik e me vullnet pune të palodhshëm që punoi me piskërr gjuhëtari per të zbulue visaret e gjuhës sonë; Át Marinin e butë e të dhimbshëm ndaj vuejtjeve njerëzore, por të fortë e të paperkulshëm ndaj dhunës komuniste; Pader Bernardinin e Pader Donatin, falë zellit të të cilëve sot shijojmë ajkën e folklorit tonë; Pader Palin, nyjë e pastër historike që na fali ditarin e vet objektiv e plot vertetësi ngjarjesh historike; Pader Benediktin, të palodhunin enciklopedist e Pader Gjon Shllakun e shkëndijave të gjenialitetit e mbi të gjitha: kolosët shpirtnorë e kulturorë të popullit tonë: Fishtën e Gjeçovin.
Këta françeskanë me zemër të madhe, mendje të ndritun e emën të paharrueshëm, jetuen në atë Kuvend shndërrue në burg ku dhuna u mundue të shuente shpirtin e dashunisë, ku mediokriteti vulgar desh të zhdukte ajkën e intelektualizmit shqiptar, ku antivlera desh të errësonte e të perlyente vlerën e njëmendtë e të shkatërronte atë vend ku idealet e verteta të binomit “Fe e Atdhe” lulëzuen perherë plot gjallní, freskí, fisnikërí.
Pader Zefi, i rritun ndër ta, na tregon, se ata françeskanë të thjeshtë e të vuejtun qenë etën të mëdhaj, etën të fesë, të kombit, të kulturës e të karakterit tonë; etën që ruejtën virtytet tradicionale; e ata etën nuk mund të vdesin, nuk mund të perlyhen, nuk mund të harrohen! Ata qenë “drita e krypa” e shoqnisë sonë shqiptare!
Kush i njohu, i deshi; kush i studioi, perfitoi; kush i shkoi mbrapa, u ba i dobishëm, sepse ata qenë idealet “Fe e Atdhe” me fjalë, me shembull, me jetë. Ata harxhuen tanë energjitë e veta njerëzore: forcën e virtyteve të tyne shpirtnore, forcën e dijeve të tyne, fitue me mund në universitetet ma të mira europiane, forcën e karakterit të tyne të pathyeshëm, të paperkulshëm, farkue gjatë një jete të vështirë, plot vuejtje e ndeshtrasha.
Autori i këtyne mbresave ka pasë fatin e bardhë të njohë mirë e të rrijë me: Pader Justinin, letrat e reliket e të cilit i ruen me dashuni e i shikon sa herë “kur vjen ma i thershëm malli me më trazue”; Pader Vitorin i cili i shkruente, në atë kohë, letër Justinit: “Çka të keshë, thueja Kolecit se ai di ku me më gjetë”; Pader Marin Sirdanin të cilit i fsheha librat në arkën e pajës së nanës; Pader Donatin që më fali dorëshkrime; Pader Franon që na thonte me nervozitet: “Shkolla juej (shtetnore) ka qitë nxanësit me flamur me pritë fashistat, shkolla jeme (ka qenë drejtor i shkollës së fretenve) nuk ka pranue me i nxjerrë”; Pader Benediktin, vepra e të cilit u muer në raftet e Degës së Punëve të Brendshme e u botue në emen të tjerakuj; Pader Agustinin e heshtun që vuente në shpirt martirizimin françeskan e Pader…, Pader…
Sa herë kaloi kah ai Kuvend, mendoj per ata virtyte që nuk u perlyen; per ata penda të papagueme që nuk rrëshqiten; per ata karaktere që nuk u thyen, e tham me vete:
Këtu kanë jetue françeskanët e mëdhaj!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kolec Cefa, Mbresa nga një veper e re: “Françeskanët e mëdhaj, t Át Zef Pllumi

ÁT PASHKO GJADRI S.J. – KONICA NË NJË LETËRKEMBIM PATRIOTIK TË PANJOHUN

January 27, 2016 by dgreca

NGA KOLEC CEFA*/
Vitet 1877-1954 caktuen kufijtë kohorë të hapsinës jetësore të këtij meshtari jezuit shqiptar, ndërsa permbajtjen e percaktoi fundi i çthurun e i pafuqi i pushtimit turk në Shqipní e fillimi i egër i pushtetit komunist. Edhe pushtimi i vjeter, edhe pushteti i ri, kaluen pa lavdi, tue lanë prapambetje të gjithanshme, plagë të thella e mbi të gjitha zvetënim moral ndër njerëzit. Por edhe aty, njerëz si Át Gjadri formuen karakter të fortë, shprehën ndjenja njerëzore, dëshmuen atdhetarizëm të flaktë, zotnuen kulturë të gjanë, e punuen me zell e vullnet të paperkulun. Zotnonte pesë gjuhë të hueja: latinisht, greqisht, italisht, gjermanisht, anglisht.
Dr. Pjeter Pepa në veprën voluminoze shenon: “Ka qenë profesor në Seminarin Papnor në retorikë e në humanitet, ka qenë profesor në Kolegjen Saveriane, se ka veprimtari të pasun në Misionin Shetitës ndër malsitë tona, si: Pult, Shalë, Shosh, Dushman, në Malsi të Madhe, Mirditë, etj. sidomos me falje gjaku, me ndihma e bamirësina, aty ku gjendja materiale, shpirtnore e kulturore ishte ma e vështirë”.
Pushtimi i gjatë, i lodhun e tashma i liberalizuem turk e lejoi të bahej meshtar katolik; pushteti shqiptar komunist ia ndaloi veprimtarinë fetare, shoqnore, kulturore. E filloi veprimtarinë e hapun si bashkëpunëtor i revistës me emën “Albania”. Shkroi edhe shumë artikuj të shperndamë në organe të ndryshme, por e ndërpreu ndër burgjet e komunizmit shqiptaro-sllav. Në moshë mjaft të thyeme provoi nëperkambjet, perbuzjet, keqtrajtimet, diskriminimet in odium fidei e torturat çnjerëzore.
Një jetë plot vuejtje, por me ideale të paperkuluna, plot shqetësime, por edhe plot shpresë.
Ky njeri, me atë potencial të madh shpirtnor e kulturor u arrestue dhe “u gjet fajtor” per “krime kundër shtetit”, u dënue dhe provoi tortura në moshën madhore, sa, kur doli nga burgu, pas pak muejsh vdiq.
Edhe sot jehona e këtij emni të frymëzon respekt per ideale të nalta, ndjeshmëni per vlera morale, perkushtim per veprimtari shoqnore.
Át Gjadri, i urtë e i butë, i dashun e i virtytshëm, i ditun e patriot, i shkroi këtë letër Konicës së “Albanisë”:

Fort i dashuni atdhetar,

Oh, sa kënaqet zemra jonë, kur posta na bie Albanien e cila pernjimend âsht shkrue në gjuhë të fortë e të kullueme e i del lighirtorit (lexuesit) një shkollë e vertetë per gjuhen e per interesat e atdheut të vet.
T’perhapet “Albania” sidomos në Shkodër e jo vetem nder katolikë, por edhe nder zotnitë tjerë e punet e Shqyperisë shpejt kishin me u mirësue, jo me luftë e gjak, por me paqe e me të mira.
Por mjerisht anmiku i Shqyperisë perpiqet gjithsesi që mos të bashkohena e mos të lidhena per lulzim të kombit tonë si u lidhne babat tonë në kohën e të dashtunit Skanderbegut.
Po (ndoshta âsht kjo nji anderr e jeme) unë kujtoj se të gjithë shqiptarët do t’i ngulin sytë në këtë Diellin e Shqypnís, në daçin me dalë prej territ që i mblon, do t’ia mësojmë qyshë në vocërri jetën e punët e tij e sidomos dashuninë që mbajti per dheun e vet. Por këto punë i di Zotnia jote ma mirë se na, e tjetër qellim nuk patme tue të shkrue këtu, veçse të shfrejmë me nji mik të dashun dhimben e zemres sonë per mjerime të Shqypnís.

Dhe pergjigjja që mendojmë ne e Faik Konicës:

Shumë i nderuari bashkatdhetar

E kam lexuar me interesin më të madh letrën, që Ju kini pasur mirësinë të më shkruani dhe do ta botoj të perkthyer shqip, kuptohet, pa treguar autorin. Mendimet tuaja janë të drejta, mësimet tuaja patriotike.
Per fat të keq, atdheu ynë vuan nga një sëmundje e çuditshme: të gjithë njerëzit te ne kërkojnë të urdhërojnë dhe asnjë nuk do të bindet.
Shqiptarët kanë humbur sensin e të bindurit dhe, sa kohë të vazhdojnë kjo prirje anarkike, është vështirë të bëhet diçka.
Ne duhet të luftojmë e mënyra më e mirë per ta bërë është të veprojmë gjithmonë me shpirt bashkimi e mirëkuptimi.
Unë do të pranoj me kënaqësi gjithmonë sugjerimet tuaja e këshillat tuaja dhe ju lutem, i dashur bashkatdhetar, të kini besim në devocionin tim.

Faik Konica
22. IV. 1906
(Origjinali âsht frengjisht, perkthimi imi. Letra gjindet në AQSH, në dosjen e Bazhdarit, botohet per herë të parë.
*(Botoi Dielli, 18 Shtator 2015. Ribotim me rastin e vitit te Konices)

Filed Under: Komente Tagged With: Át Pashko Gjadri S.J, Kolec Cefa, Konica, leterembim i panjohur

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT