• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYETARI I VATRËS: NUK ËSHTË SITUATA E PËRSHTATSHME NË SHQIPËRI PËR TË KTHYER ESHTRAT E NOLIT

December 21, 2015 by dgreca

VATRA E MBYLL VITIN 2015 ME TAKIMIN E KESHILLIT DREJTUES, KOKTEJIL DHE ME DEBAT PËR NOLIN DHE E SHPALLËN VITIN 2016-VIT I KONICËS/
Të Dielën me 20 Dhjetor 2015 u mblodh Këshilli Drejtues i Vatrës nën drejtimin e kryetarit Gjon Bucaj, i cili mbajti para anëtarëve një raport të shkurtër për veprimtarinë e Kryesisë dhe të degëve në periudhën mes dy mbledhjeve të Këshillit, 20 Shtator 2015-20 Dhjetor 2015.
Kryetari përshkroi veprimtaritë që ka organizuar Vatra, festimin madhështor të Festës së Flamurit Kombëtar, 103 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, jo vetëm nga qendra por edhe nga degët, si në Washington, Florida(Tampa-Clearwoter,Orlando, Jacksonville), Toronto, Hartford etj.
Në Vatër, tha kryetari në raportin e tij, po shtohen përherë e më shumë vizitorët nga vendlindja, nga Kosova, Shqiperia, Lugina e Preshevës, Maqedonia.Në këta tre muaj Vatrën e kanë vizituar shumë personalitete, shkrimtarë, politikanë, shtetarë,ambasdor, konsuj, sic ishet rasti i zv/Kryeministrit të Maqedonisë, i amabsadores Shqiptare në Uashington, apo i diplomatëve nga Kosova.
Kryetai i Vatrës përmendi edhe veprimtaritë e organizuara nga bibliotek Noliane dhe Kryekisha e Nolit(e Shën Gjergjit)në Boston, ku një grup nga kryesia ishte pjesmarërs: kryetari Bucaj me zonjën, zv/kryetari Agim Rexhaj me zonjën, anëtari i kryesisë së Vatrës dr. Skënder Murtezani me zonjën, anëtari i nderit i Vatrës, ambasador Mal Berisha me zonjën , Editori i diellit Dalip Greca me zonjën etj, ku kryetari Bucaj dhe mal berisha mbajten kumtesa qe u mirepriten.
Vatra ka mbajtë kontakte me personalitete amerikane, sic kanë qenë takimet e zv/kryetari Agim Rexhaj në takimin vjetor të Komitetit Kombëtar për politikën e Jashtme Amerikane, ku Ambasadorja Rosemary A. DiCarlo, mori detyrën e Presidentes së Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane, dhe Këshillit Amerikan te Atlantikut, apo takimi me kongresmenin demokrat Joe Crowley etj.
Po ashtu kryetari përmendi promovimet që ka organizuar Vatra si promovimin e librit të ambasador Mal Berishës “Realitete Shqiptare-Britanike”, apo promovimin e dy librat që kontribuojnë në rishkrimin e Historisë tonë Kombëtare :” Masakra e Tivarit” dhe “Lufta Civile në Shqipëti 1943-45″ të autorit Uran Butka. Para pak ditësh Vatra promovoi librin e Kol Bib Mirakës”Vetvrasja e një Kombi” , promovim që synoi të dërgonte mesazhe për vlerësimin real të figurave të luftës së Dytë Botërore etj.
Si veprimtari të rëndësisihme kryetari Bucaj përshkroi edhe krijimin e Forumit ët Rinisë së Vatrës që u konkretizua me 19 Dhjetor.
Gjatë seancës së pyetje-diskutimeve u aktivizuan disa nga anëtarët e Këshillit. Debat u bë për nismën e Degës së Vatrës të Queensit për kthimin e eshtrave të Fan S. Nolit në Shqipëri. Kryetari i kësaj dege dr. Skënder Murtezani, këmbënguli, që duhet të nisin procedurat bashkbiseduse, po qe nevoja edhe gjetja e dy avokateve, qe te emrren me ligjet amerikane, sepse askush nuk mund ta pengojë kthimin e arkitektit të Vatrës dhe kishës autoqefale Ortodokse te Shqiperise, qe të kthehet në Shqipëri, për të cilën ai shkriu jetën. Në debat morën pjesë Zef Balaj, editori i Diellit, Lek Mirakaj, Mehmet Kadrija e të tjerë. Kryetari i Vatrës ne perfundim tha: ”Unë jam interesue për t’u informue mbi mundësinë e realizimit të këtij propozimi, i cili në vetvete nuk asht i ri, mbasi ka qenë përmendë edhe me rastin e bajtjes së eshnavetë Faik Konicës në Shqipni.Për realizimin e atij projekti, janë tri palë që duhet të koordinojnë nji veprim të tillë: Shteti Shqiptar, Kisha Ortodokse në Shqipni, si dhe Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë, kjo e fundit me pëlqimin e klerit dhe të laikëvet, tue pyetë të gjitha famullitë. Noli nuk ka lanë testament që të dërgohet ose jonë Shqipni, por e ka lanë në kompetencën e Kishës edhe të ekzekutuesit të trashigimisë së tij. Si përfundim, stuata e sotme në Shqipni, nuk asht e përshtatshme për transferimin e eshnave të Imzot Nolit, por propozimim i “Vatrës” mbetet i hapun për të ardhmen.

Këshilli diskutoi edhe për nëj propozim ët Kryesisë për ta shpallë vitin 2016 vit të Konicës. Këshilli e miratoi mendimin e kryesise dhe ishte në një mendje për të sponsorizuar botimin e dy romaneve misterioze të Gjoni të Krujës(Faik Konicës), sponsorizim që ka dhe bashkëpunimin “Djemtë e Shën Marisë” dhe disa qytetarëve të qytetit Worcester MA.
Keshilli la si detyre per te ardhmen riorganizimin dhe funksionimin e deges se Vatres per Nju Jorkun, qender.
Në fund u shtrua një koktejl me ushqime et traditës shqiptare dhe pije. Kryetari percolli urimet per Krishtlindje dhe Vitin e Ri 2016!

Filed Under: Vatra Tagged With: Gjon Bucaj, keshilli drejtues, Konica, noli, Vatar

KUR MOHOHEJ KONICA

April 25, 2015 by dgreca

Nga Anton CEFA/
Nga fundi i viteve ’50 dhe fillimi i viteve ’60, kur fryma liberale e Hrushovit u duk se po fillonte të shkrijë ngricat e hapësirës së jetës shqiptare dhe të kulturës sonë, u ngarkuan profesorët Vehbi Bala dhe Jup Kastrati të përgatitnin nga një monografi, i pari për Fishtën dhe i dyti për Konicën, për t’i riabilituar dy kolosët e mëdhenj të kulturës dhe të veprimtarisë kombëtare. (Duhet thënë se për regjimin diktatorial komunist mohimi deri në vdekje dhe riabilitimi deri në apoteozë i personaliteteve të ndryshme, sipar erërave të interesit politik, nuk përbënin ndonjë pengesë a vështirësi).
Në këtë rast, Dh. S. Shuteriqi – atëherë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, si dhe një ndër ideusit kryesorë të historiogarfisë sonë letrare – qe shprehur në mënyrë konfidenciale, ndoshta për të arsyetuar qëndrimet e tij: “Ne i nxjerrim nga dera, ata na futen nga dritarja” (Ishte fjala për Fishtën dhe Konicën). Dhhe megjithëse, këto ishin “fjalë veshi”, ato morën dhenë. Ishte etja për kulturën e vërtetë kombëtare, dëshira e madhe për njëfarë lirie si dhe shpresa se diç e mirë po ndodhte, që i përhapte ato.
Mirëpo menjëherë, me përcaktimin kategorik të Diktatorit që u deklarua haptas kundër “revizionizmit hrushovian”, në Mbledhjen e Përfaqësuesve të 81 Partive Komuniste që u mbajt në Moskë në nëntor të vitit 1960, as që mund të bisedohej më për riabilitimin e dy kolosëve dhe aq më pak për botimin e monografive për jetën dhe veprën e tyre., që ishin plotësisht gati dhe, me sa dimë, ishin dorëzuar për botim.
Si në çdo diktaturë, dhe diktaturat më të egra janë ato të kuqet, në Shqipëri, në çdo fushë e për çdo gjë, ka vepruar diktati. Kjo është një dëshmi më se e qartë që vërteton se ndalesa e botimit të monogtafive për Fishtën e Konicën u bë thjesht për arsye politike.
Aq është e vërtetë, sa po në këtë vit, u shndërrua në letër romani “Krim e ndeshkim” i Dostojevskit, që ishte përfunduar së shtypuri dhe priste të dilte në shitje (dhe këtë fat pati edhe ndonjë vepër tjetër), ndërsa një përmbledhje poezish e poetit të madh rus Sergej Esenin, që qe botuar në atë periudhë, u fut menjëherë në indeksin e librave të ndaluar të bibliotekave dhe u zhduk nga raftet e librarive.
Sigurisht, kishte përfaqësues të kulturës dhe të institucioneve kulturore që qenë fanatizuar mbas poltikës “largpamëse” të Partisë, ose të tillë puthadorë që ishin gjithnjë të gatshëm të plotësonin me një ëndje shtinjake çdo fjalë e porosi “të dhënë nga lart”; por kishte padyshim, bile edhe më shumë, edhe të tillë që nuk u vinte mirë për këto gjëra që po ndodhnin, por që nuk mund të bëzanin, sepse pipëtimma më e vogël donte të thonte “t’i biesh murit me kokë”. d. m. th. burgim e më pas internim, internim i familjes, vënie në shënjestër të “luftës së klasave” e farefisit, shokëve, etj.
Natyrisht, nuk mund të mohohen edhe qëllimet dashakeqe, impulset e gjelozisë dhe prirjet ambicioze e dukuri të tjera negative të psikologjisë individuale të shkrimtarëve e studiuesve të letërsisë, të cilat shpjegojnë zellin e tyre për të anatemuar zi e më zi të aftët.
Kritika letrare zyrtare nuk arriti deri në atë shkallë sa të mohojë talentin letrar, kritik e publicistik të Konicës, siç ndodhi në ndonjë rast me Fishtën, të cilit iu mohua edhe talenti.
Në tekstin e fundit zyrtar të historisë së letërsisë shqipe, që vinte deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, Botim i Akademisë së Shkencave, Institutit të gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, 1983), qenë “përjashtuar” nga letërsia shqipe Fishta, Konica, Mithat Frashëri, Koliqi,, At V. Prendushi, Dom Lazer Shantoja, At Donat Kurti, At Bernardin Palaj, Dom Ndre Zadeja, Arshi Pipa, Martin Camaj etj. Këta përmenden aty këtu vetëm sa për t’u hedhur baltë e për t’u diskredituar me çdo kusht. Konica në këtë tekst rreshtohet në të ashtuquajturen “rrymë reaksionare” të letërsisë sonë, ku përmenden si kryesorë edhe Fishta e Sqiroi (f. 112).
Lidhur me vepra të tilla si “Shqipëria si m’u duk”, “Dr. Gjëlpëra . . . “, etj., është thënë se “shpesh e paraqiti në mënyrë të tillë të errët pamjen e vendit, sa ushqeu mosbesim në një të ardhme të përparuar dhe, përgjithësisht, në forcat popullore përparimtare”. (Po aty, f. 471).
Errësohet fakti se veprat madhore letrare Konica i shkroi në vitet ’20 e mbas, kur pati përfunduar nevoja e “mitizimit” të vlerave etnopsikologjike të popullit tonë, e cila qe përcaktuese në periudhën e Rilindjes; në atë periudhë kur rilindësit punonin për të zgjuar vetëdijen kombëtare. Mbas formimit të shtetit shqiptar, në plan të parë dilte formimi i qytetarit, bile i qytetarit demokrat dhe prandaj Konica dhe shkrimtarë të tjerë u përpoqën të nxirrnin në pah të metat e tij, për t’i ndrequr.
Ndërsa në hullitë e veprimtarisë atdhetare, Faiku etiketohet si “politikan i paskrupull”; për “Albaninë” thuhet që u vu në shërbim të poltikës austro-hungareze ndaj Shqipërisë.
Në fushën e kritikës letrare, Konica akuzohet se mbrojti pikëpamjet regresive, sipas të cilave “kritika nuk është shkencë”, se “kritika është subjektive”, etj. Natyrisht, Konica, ndër të tjera, pohonte që “kritika letrare nuk është një shkencë, ku çdo e thënë mund të pohohet me dy e dy bëjnë katër”. E thënë qartë, me saktësi dhe bile në formë matematike! A mund të hidhet poshtë një gjë e tillë? Mandej, a mund t’i hiqet subjektiviteti gjykimit të një vepre letrare? Sigurisht që estetika e kritika letrare e Konicës nuk kishte si të mbështetej e të përfitonte nga metoda “shkencore” e realizmit socialist dhe sidomos nga mendimi teorik i P. P. SH.-së dhe shokut Enver Hoxha!
Kritika letrare zyrtare e ka paditur Konicën edhe sepse “u prir më shumë nga rrymat estetizante e impresioniste të kritikës borgjeze të fundit të shek. XIX” (Idem, ibidem f. 127). Për kritikën letrare të realizmit socialist, rrymat estetizante e impresioniste dhe çdo rrymë tjetër e filozofisë, estetikës dhe kritikës letrare “borgjeze” ishin një sakrilegj, para së gjithash politik. I mbështetur në dijenitë e tij të gjera rreth kulturës dhe letërsisë botërore dhe falë talentit të tij, Konica nuk qe thjesht nismëtar në këtë fushë; ai i vuri themele kritikës sonë letrare. Ndonjë rrëshqitje e shkaktuar sa nga shkaqe letrare aq edhe nga shkaqe jashtëletrare., siç ishte rasti i Naimit, i trajtuar drejt nga Sabri Hamiti në veprën “Faik Konica: jam unë” si një temë-obsesion për Konicën, dhe në të cilën u shfaqën “hujet dhe huqet” e tij, nuk qe dhe nuk u paraqit ndonjëherë si shkaku kryesor pët ta “përjashtuar” atë nga letërsia shqipe.
Veç kësaj, Konica nuk u përjashtua vetëm nga letërsia, ai u “përjashtua” nga e gjithë veprimtaria e tij atdhetare dhe mbi personalitetin e tij u hodh për afër 50 vjet një baltë e neveritshme.
Breznitë shqiptare që u rritën dhe u burrëruan gjatë viteve të diktaturës kanë fare pak njohuri për kulturën shqiptare, në përgjithësi, dhe letërsinë në veçanti, që lulëzoi në Kosovë dhe në diasporat tjera shqiptare të shpërndara nëpër botë, prandaj ato i gëzohen veprimtarisë së ethshme që po bëhet që nga rrëzimi i diktaturës për të mbushur zbraztitë e krijuara.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Konica, KUR MOHOHEJ

Faik Konica mes himnizimit dhe kritikës së psikologjisë së popullit tonë

March 18, 2015 by dgreca

Nga Anton Çefa*/
Historikisht në kulturën shqiptare dhe veçanërisht në letërsinë tonë janë përvijuar dy qëndrime ndaj psikologjisë etnike të popullit tonë: përlavdimi deri në mitizim dhe kritika deri në akuzë. Të dy qëndrimet kanë synuar gjithnjë në një hulli të përbashkët: në emancipimin shpirtëror të popullit, në kulturimin dhe përparimin e tij në çdo fushë.
Si një popull i lashtë me një nivel të konsiderueshëm qytetërimi, më tepër të supozuar se të dëshmuar, duke pasë marrëdhënie afrie me popujt grekë e romakë, që arritën shkallë të larta të qytetërisë, dhe duke u ndodhur në një trevë kryqëzimi kulturor të rëndësishëm, tek ai që heret u kristalizua një psikologji e veçantë etnike, dalluese, që u bë në të njëjtën kohë një ndër faktorët përcaktues të dorës së parë të mbijetesës së tij. Kjo strukturë shpirtërore, ashtu siç na dëshmohet në folklorin, historinë, kulturën dhe aspektet e tjera të jetës materiale, shoqërore dhe shpirtërore të popullit, sa e lashtë aq edhe origjinale, erdh e u ruajt nga tjetërsimi, i ndikuar nga faktorë të jashtëm e të brendshëm shpirtërorë e joshpirtërorë deri në ditët tona. Tharmi i saj edhe sot e kësaj dite plazmon jetën e popullit tonë në të gjitha shfaqjet e saj.
Larg mendësh, sot në ditët tona ta mitizojmë e ta shpallim me mburrje, larg mendësh ta absolutizojmë pozitivitetin e saj, po edhe larg mendësh çdo mohim i origjinalitetit dhe rolit të saj në fatet kombëtare të popullit tonë.
Rilindasit u kapën më së forti ndaj këtij faktori për të realizuar qëllimin e tyre, zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, që kishte rënë në një letargji përhumbjeje gjatë shekujve të sundimit otoman dhe prandaj ata edhe e mitizuan, duke ngritur në superlativ cilësitë pozitive të popullit tonë, vlerat morale e shoqërore të tij, virtytet karakterizuese të “racës”, siç i thonin ata, bëmat e tij historike, etj. Në ballë të këtij trajtimi qe Naimi, apostulli.
Po edhe në këtë periudhë nuk mungoi ana tjetër e medaljes, ajo e kritikës që bëhej për të prekur në sedër shqiptarin me qëllimin e aktivizimit të tij në veprimtarinë e gjithanshme kombëtare.
Kronologjikisht, periudha e mitizimit të psikologjisë sonë etnike në kulturë dhe në letërsi vjen deri më 1912 dhe bile deri më 1920, kur në rend të ditës së çështjes shqiptare qëndronte pavarësia dhe formimi i shtetit shqiptar.
Mbas këtij viti, d. m. th., mbas formimit të shtetit shqiptar, për trojet që përfshinte ky, në plan të parë përvijohet formimi i ndërgjegjes së shtetasit, qytetarit.
Qëndrimi i ideologëve, shkrimtarëve, publicistëve, etj, ndaj këtij problemi lidhet natyrisht edhe me faktorë të tjerë, përveç kronologjisë historike. Rol të veçantë në këtë mes, në fushën e letërsisë artistike, lot gjinia, lloji letrar. Destinacioni i veprës letrare përbën gjithashtu një element përcaktues në këtë fushë. Nëse vepra qe sendërtuar për të huajt, atëherë po, vazhdon përlavdimi i shqiptarit, i vlerave të tij shpirtërore, i kulturës, i së kaluarës së tij historike; por ndryshon puna nëse ajo është destinuar për popullin tonë. Në këtë rast, ajo sendërtohet mbi tehun e një kritike të ashpër, shpesh edhe shumë të ashpër.
Veprimtaria letrare e Konicës, e shikuar në këtë prizëm, përbën objektin e trajtesës sonë.
Kjo veprimtari kronologjikisht i takon dy periudhave. Shkrimet e Konicës, të botuara në “Albania”, siç dihet, i takojnë fazës së dytë të Rilindjes, përkatësisht nga viti 1897 deri më 1909. Konica, lidhur me problemin që po trajtojmë, nuk i shmanget qëndrimit të përgjithshëm të rilindasve. Aq më tepër kur shkrimet janë shkruar për të huajt. Kjo është kahja kryesore e tyre. Por nuk përjashtohen rastet në të cilat ai duke iu drejtuar shqiptarëve, i kritikon, bile mjaft ashpër, ashtu siç ka ditur e ashtu siç e ka pasur zakon. Por as që nuk duhet menduar – siç fatkeqësisht është shkruar – që Konica e bën këtë për të diskredituar shqiptarin, për ta përbaltur shpirtin e tij, ose i nisur nga mosbesimi për forcat progresive të popullit tonë; përkundrazi, ai e bën këtë për ta tronditur e zgjuar ndërgjegjen e tij. Pikërisht ashtu siç bënte Vaso Pasha dhe gjithë rilindasit tjerë në raste të tilla.
Veprat kryesore në fushën e letërsisë artistike, Konica i shkroi në vitet ’20: “Një ambasadë e zulluve në Paris” (botuar më 1922), “Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit” (1924), “Shqipëria si m’u duk” (1929). Kjo është periudha kur para kulturës e letërsisë sonë, siç ka vënë në dukje Namik Resuli (në kumtesën “Faik Konitza në qindvjetorin e lindjes”, mbajtur në Seminarin e organizuar nga “Vatra” me rastin e këtij 100-vjetori dhe botuar në librin “Faik Konitza 1876-1976”, në N. Y. nën redaktimin e Eduard Liços), ngrihet e mprehtë detyra e formimit të qytetarit, të nënshtetasit, prandaj, ajo përdori kryesisht armën e kritikës, që parakupton vënien në dukje të të metave me qëllim përmirësimi.
Në veprimtarinë e Konicës, kjo detyrë vjen e kristalizohet në synimet dhe përpjekjet e tij për një oksidentalizim kategorik të shqiptarit, të jetës dhe të kulturës së tij, të organizmave shoqërore e shtetërore. Prandaj ai e mprehu kritikën ndaj të metave, duke përdorë me sukses, falë talentit, inteligjencës dhe kulturës së tij humorin e mprehtë, ironinë tallëse, sarkazmën e pamëshirshme, groteskun asgjësues.
Mbështetur në këtë trajtim kritik të jetës e të kulturës shqiptare, me tendencë mohimi e diskreditimi dhe me një dozë të theksuar dashakeqësie u akuzua Konica se gjoja “paraqiti në mënyrë të tillë të errët pamjen e vendit, sa ushqeu mosbesimin në një të ardhme të përparuar e përgjithësisht në forcat popullore e përparimtare…” (Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Historia e letërsisë shqiptare”, f. 471).
Në të njëjtën mënyrë u damkos edhe Fishta: vargje në të cilat poeti satirizonte shqiptarin për cilësitë e tij negative, sado qesharake që na duket, u trajtuan në rangun e një kredoje poetike, sikur ai i kishte shkruar me qëllim që ta diskreditonte atë. Natyrisht, këto “marifete” komentesh për një lexues të veprave të Konicës e të Fishtës nuk ecnin; por rininë shqiptare nën diktaturën e egër komuniste, që nuk i kishte lexuar veprat e tyre, lehtësisht e lajthisnin.
Tani ju marr leje të hapi një parantezë lidhur me shkakun e vërtetë të mohimit të Konicës. Eshtë thënë që Konica u mohua sepse hodhi baltë mbi kulturën shqiptare, gjë që nuk përbën shkakun e vërtetë, por një argument të stisur. Në diktaturën e kuqe çdo gjë bëhej e diktuar nga lart; në më të shumtën e rasteve, e orientuar nga pozita thjesht personale ose teket, hujet e huqet e diktatorit. Kështu lidhur me Konicën kritikëve zyrtarë iu desh të sajonin vetë “argumentet” për “çkishërimin” e mallkimin e tij, ishin apo nuk ishin të bindur për to.
* * *
Me qëndrimin ndaj etnopsikologjisë dhe psikologjisë së personazhit të veprës letrare lidhet edhe gjinia e lloji letrar. “Një ambasadë e zulluve në Paris” është pa dyshim një vepër alegorike që aludon tek bota shqiptare; në të njëjtën kohë ajo është një vepër satirike, “një satirë par excellence”, siç e emërton shkrimtari e studiuesi Sabri Hamiti. (Sabri Hamiti, “Faik Konica jam unë”, f. 74). A mund të pritet në një vepër satirike t’i thurën himne objektit të shkrimit, përveçse për ta tallur? Zullutë janë në gjendjen shoqërore e psikologjike të turmës. Udhëheqësi intelektual, atdhetari idealist, Plugu, përpiqet të ndikojë dhe t’i udhëheqë drejt vetëdijësimit të etnicitetit dhe të identitetit të tyre, për t’i futur në rrugën e qytetërimit dhe për t’i shndërruar ata në një komb. Në këtë vepër në mënyrë alegorike, Konica ka dënuar mitizimin në ballafaqim me kritikën, vënien në dukje të të metave. Dy metoda të kundërta të procesit të edukimit, kulturimit e vetëdijësimit të masave. Kështu, kur Plugu – mbasi ka mbajtur një fjalim para turmës së zulluve, duke bërë të qartë se për Evropën e qytetëruar, zullutë s’janë asgjë më tepër se negër dhe se evropianët ose i shajnë, ose i përqeshin dhe vetëm disave u vjen keq, por të gjithë i përbuzin – i vënë në ikje, sepse i ndjekur nga turma që donte ta linçonte për këtë “akuzë” të pamëshirshme, fillon të thurë këngë të bluara sipas mides logjike e estetike të turmës, kjo kënaqet. Turma ekzaltohet sidomos për faktin që këngët përfundojnë gjithnjë me glorifikimin e Zululandit: “Rroftë e qoftë Zululandi!”
Dhe këtu hapim një parantezë të dytë. Lavdërimi parapëlqehet dhe ndikon në mënyrë të veçantë tek naivët, njerëzit e pakulturuar dhe fëmijët. Njeriu i rritur, inteligjent dhe me kulturë ka nevojë t’i vihen në dukje të metat. Kështu është edhe për popujt. Na duket se populli ynë pëlqen lavdërimin më tepër se kritikën. Një situatë të tillë psikologjike na e dëshmon folklori ynë, sidomos fjalët e urta. Megjithëse populli thotë edhe: “Mos iu hidhëro pasqyrës, kur turirin e ke të shtrembër”.
“Atij nuk i pëlqejnë lëvdatat,- shkruan Namik Resuli për Konicën – vetëm lëvdatat që i thureshin këtij populli sikur të ishtë më i miri i botës; prandaj nis të nxjerrë në shesh edhe të metat, edhe veset e tij e kundra këtyre turret e lëshon shigjetat plot helm me bushtëri të hollë, pikërisht ashtu siç kishte filluar të bënte në vjershë një tjetër shok dhe mik gjenial, Gjergj Fishta.” (Libri i cituar më llart, f. 10).
Edhe një problem tjetër të rëndësishëm, lidhur me trajtesën tonë, na sugjeron vepra në fjalë. Për triumfin e idesë e të çështjes kombëtare, në përgjithësi, vetëdijësimi kombëtar i turmës kërkon trajtimin e individit e më pas të qytetarit, shtetasit. Lidhur me këtë problem kryesor, në gjithë veprën kullon një dozë e fortë skepticizmi që, për mendimin tonë, nuk duhet interpretuar si mohim i aftësisë dhe i mundësisë së shndërrimit të turmës në një element të ndërgjegjshëm. Një gjë e tillë dëshmohet me faktin se Konica teorikisht nuk ia ka njohur shqiptarëve psikologjinë e turmës, të kopesë. Siç është shprehur ai në veprën “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, karakteristika e parë e shqiptarit është individualizmi. Në Shqipëri nuk ka turmë, shqiptari ka besim në vete, në situata të paqarta merr vendim vetë. Bindjen e vet Komica e ilustron edhe me konkluzionin e dr. Herbart Luis: “Në Shqipëri nuk ka masa indiferente popullore”. Më tej, individualizmin e shqiptarëve dhe mungesën e shpirtit të turmës, autori ynë e trajton si pengesë të dorës së parë për bashkim kombëtar. (Shih, Faik Konica, Vepra, mbledhur e përgatitur nga N. Jorgaqi dhe Xh. Lloshi, Tiranë, 1993, f. ).
Vetvetiu del pyetja: me që në Shqipëri mungon psikologjia e turmës, ç’është gjithë ajo dramë e udhëheqësit intelektual për ta vetëdijësuar atë? Apo shqiptari e humbi individualizmin karakteristik dhe u shndërrua në kope? Shkurt, këtu kemi të bëjmë me një kontradiktë e Konicës.
Vepra tjetër, më e rëndësishmja, “Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit” është gjithashtu një vepër satirike, por në ndryshim me të parën, kjo nuk është alegorike. Kryesisht në pjesën e dytë, Konica diskuton drejtpërdrejt rreth problemeve shqiptare të kohës.
Në fillim të viteve ’20, populli shqiptar e kishte dëshmuar vitalitetin e tij. Me Kongresin e Lushnjës dhe me Luftën e Vlorës, ai shpallej para botës se është i aftë e i vendosur të marrë në dorë me çdo kusht fatet e tij. Një argument i rëndësishëm ky, për të vënë në dukje tharmin e një psikologjie pozitive. Po pikërisht, ky prag ngjarjesh – formimi i shtetit shqiptar në një pjesë të trojeve të tij – kërkonte një mobilizim të madh, ndërgjegje të lartë patriotike dhe potencë intelektuale për të bërë që ky shtet i porsa formuar të funksiononte si duhej. Ajo që kishte formuluar Fishta më 1921 shumë qartë: “Nuk asht mjaft që të jetë Shqipnija; duhet ta mbajmë!” (“Hylli i Dritës”, 1921, nr.1).
Paraqitja tek “Dr. Gjëlpëra…” e Shqipërisë së kohës me ngjyrat më të zeza, e zhytur në varfëri, iniorancë, fanatizëm, hajni, mashtrim, rushfet, dhe e shqiptarëve “si njerëz të mërzitur nga bota e vetja e tyre…” nuk dëshmon humbjen e shpresave ose mosbesimin e autorit ndaj së ardhmes së vendit. Aq më tepër, ajo nuk plazmon mesazhin e veprës. Në këtë vepër, përballë intelektualëve të tjetërsuar: ministrit Salemboza dhe doktorëve Protagoras Dhalla dhe Emrullahut, vihet figura e intelektualit shqiptar me formim e kulturë perëndimore, i cili si atdhetar idealist do t’i përvishet punës për emancipimin e popullit. Veç përmirësimit të shëndetit, ai do të dritësojë e do të frymëzojë rrugën drejt së ardhmes. Dr. Gjëlpëra, që është mishërimi i ideve, i idealeve dhe kulturës së Konicës, do ta projektojë shpëtimin në emancipimin shpirtëror të kombit. Dhe janë shtresat e popullit që e kanë ruajtur më mirë autenticitetin. Kur dr. Gjëlpëra bie në kontakt me to (E ku? – Në Pazar!), ai bindet për këtë dhe në ndërgjegjen e tij ravijëzohet shpresa e besimi në to.
Vepra e tretë dhe e fundit e viteve ’20 “Shqipëria si m’u duk”përbën një analizë të hollësishme shoqërore e psikologjike të shoqërisë shqiptare, bazuar në udhëtimin e autorit në Shqipëri, më 1928. Nuk kemi të bëjmë këtu me novela e romane satirike e alegorike, por me një vepër dokumentare të argumentuar, ku nuk mungojnë fare të gjitha ngjyrimet e satirës koniciane. Ideja e trajtuar në themel të veprës është se çështja kombëtare pengohet nga vetë shqiptarët e pikërisht nga shtresa të tilla si ekspertët, robotët dhe levantinët. Këta të fundit, më të rrezikshmit, kanë humbur vetitë karakteristike kombëtare, janë çoroditur, nënvlerësojnë e mohojnë çdo vlerë kombëtare dhe mitizojnë si snobë çdo gjë të huaj. Në hullinë e ballafaqimit të psikologjisë etnike të popullit tonë me psikologjinë e tjetërsuar të levantinëve kristalizohet qartë rëndësia e ruajtjes së autenticitetit të çdo gjëje kombëtare, në fushën e psikologjisë, kulturës, zakoneve, etj. Në vitet ’20 dhe më vonë në vitet ’30, në gjirin e kulturës shqiptare, të ideologjisë dhe të letërsisë artistike ka vepruar një rrymë e fuqishme e inteligjencës që mendonte se e ardhmja e kombit tonë, duke synuar qytetërimin perëndimor, duhej të nisej nga përpunimi e zhvillimi i vlerave të larta psikologjike të brumit tonë etnik.
Eshtë pikërisht ky një nga mesazhet më të rëndësishme që i përcjell kohës sonë jeta e veprimtaria e Konicës.
*(ribotim)

Filed Under: Featured Tagged With: Anton Cefa, Konica, kritikes, mes himnizimit, psikologjise

NE, KONICA dhe britmat….

September 1, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/
“Nyja Gordiane”, në mitologjinë greke ishte një lidhje e komplikuar dhe e bashkuar fortë prandaj i rezistoi çdo përpjekje për ta zbërthyer.., derisa nuk u zgjidh me shpatë nga ana e Aleksandrit të Madh! Shprehja në fjalë përdoret edhe në ditët tona, sidomos nga politikanët, gjithmonë si metaforë për çështje që nuk zgjidhen.
Ne që e shkruajmë këtë vështrim gazete, do të bëjmë përpjekje që sadopak të mënjanojmë apo përjashtojmë çdo paralelizëm a krahasim mes njerëzve që kanë jetuar dhe vepruar në periudha të caktuara kohore. Faik Konica, një njeri i cili në komunitetin intelektual shqiptar, konsiderohet si një ndër eruditët më të mëdhenj, kushedi sa herë kishte bërë përpjekje ta rrënojë atë kështjellën e inatit homerik të bashkëkohanikëve të tij. Nuk e bëri dot, sepse edhe ai “këmbë krye ishte pjesë e inateve në fjalë”. Të tilla inate kishte me Fan Stilijan Nolin, Shahin Kolonjën dhe me të gjithë kongresistët e Manastirit (hiq mënjanë Ndre Mjedën dhe At Gjergj Fishtën). Njohësit e mirëfilltë të biografisë së tij thonë, se ai pos që ishte një njeri mendjefemër, njëkohësisht konceptohej a njihej me “higjienën e tij cerebrale” skajshëm të zhvilluar, dhe si rrjedhojë e gjithë kësaj nuk i duronte po edhe nuk i parapëlqente “retorikat spekulative” të njerëzve që i shkonin vërdallë. Për këtë dhe çështje tjera, Arshi Pipa në vitin 1944, shkroi këtë paragraf briliant “.., e sigurisht Konica qe mendja ma e ndrituna e gjithë historis sonë letrare. Noli punoi shumë ma tepër e ma me fryt. Por Konica qe për cilsin. Të tjerë dhanë punën: ai dha tonin. Aristokrat i lindun. Por ndodhi shpesh qi nuk e kuptuen. Aristokrat edhe kur shau, ashtu si vetëm ai dinte të shante! Kishte nji faj sidomos (faj tamam aristokrati!): nuk mund të shifte tjetër kënd sipër vehtes, bile as pranë vehtes. Por në të vërtetën cili mund t’i afrohej? Dhe në se gjejmë ma të madhin përfaqsues të gegnis te Fishta, ndeshim kulmin e faqes tjetër jo te Naimi, jo te Noli, por te Konica”.
Mbajmë mend vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, kur ne kalamanjtë e lagjës sonë, “hanim dajak” nga bashkëmoshanikët, dhe kur nuk na e mbante prapanica që t’ ua kthejmë me të njëjtën masë, fillimisht i shanim dhe më pastaj e lakonim atë fjalinë: “Do shihni kur do kaloni kah mëhalla e jonë?” Dhe ata nuk kalonin dot kah mëhalla jonë. Sot dhe si përherë, ka do gjëra që janë dhunti të Perëndisë, ca të tjera janë dhunti të natyrës, do të tjera pjellë të trashëgimisë familjare, politike dhe ca të tjera që me kohë kalojnë në vese negative. E ato mbase duhet të jenë sharjet (një herë në një opinion t’imin kisha shkruar se kjo “dynja e jona shqiptare u kurdis me të shara”). Tekefundit, sharjet tona ishin fëmijënore, ishin sharje të përditshme, mujore dhe “sharje sezonale, siç sot do të thotë doktori i lagjës sonë”. Po cilët ishin sharjet e të përzgjedhurve të popullit shqiptar!?.., rrahjet dhe sharjet mes deputetësh shqiptar, në institucionin ligjdhënës të Republikës së Maqedonisë (para ca ditësh), mos vallë ishin një “delikatesë politike” e zbehtë dhe e shëmtuar, a mos vallë ishte një “sihariq i madh”, një dijarizëm dhe diletantizëm i radhës apo një shfaqje rebelizmi i kurdisur, i sajuar dhe mbase edhe (mos dhashtë Zoti) i porositur!? Pavarësisht se të gjithë ishin me faj, pavarësisht se të gjithë kishin të drejtë, pavarësisht se të gjithë, sot e gjithë ditën vuajnë padrejtësitë e “pronarit të kazinos politike të Shkupit”, pavarësisht se të gjithëve u shteret durimi, megjithatë, atyre nuk mund t’u lejohet që kur do t’ua dojë qejfi e kur do u teket të hapin trastën e tyre të mbushur me: kushedi sa palë mend, me kushedi sa palë siklete, me kushedi sa palë qejfe e fodullëke, me kushedi sa mijë inate, me kushedi sa “furgona” të (mbi)ngarkuar me britma a ulërima, me kushedi sa fyerje që nuk janë në natyrën e burrërisë shqiptare, me kushedi sa e sa derte.., megji-thatë ata nuk kanë të drejtë të fyejnë nënën dhe motrën, ata nuk kanë të drejtë t’i bëjnë “zullum” të drejtës së çdo shqiptari për të qenë në pozitë a opozitë, nuk kanë të drejtë ta kontestojnë mendimin ndryshe.., nuk kanë të drejtë që në “emër të ca budallakive” të tyre që sakaq të nxisin e ndezin armiqësinë, grindjet dhe urrejtjet ndërmjet njëri-tjetri, ata nuk kanë të drejtë të krijojnë gënjeshtra dhe më pastaj tu besojnë verbërisht. Ju të nderuar, që lexoni këtë vështrim gazete, pa më kallxoni e më thoni, se ç’faj kanë nënat dhe motrat tona, ç’faj ka sovrani dhe vota e tij deliberative, e tjerë.
Në çdo profesion dhe në veçanti në kuadër të lëmisë së filozofisë së politikëbërjes, ka do gjëra e do finesa që mësohen në kohë të caktuar dhe, po nuk i mësove, përgjithmonë mbetesh i mangët, i painformuar dhe në instancë të fundit, mbetesh i paragjykuar. Psikiatrit thonë se ky çrregullim i sëmurë, vështirë kurohet. Që “forca e intelektëve të tyre” të mos konceptohet si ajo e kalamanjëve të vaktit tonë, do të ishte mirë që deputetët a të përzgjedhurit e popullit, refrenet e tyre paranojake t’i zëvendësojnë me ato të arsyes, me ato të aristokratit, me atë të butësisë dhe urtësisë së atdhetarit të mirëfilltë.., dhe, nëse këto nuk do t’i bëjnë, atëherë misioni i tyre politik (zyrtar) përgjithmonë do mbetet si ai mendimi i padrejtë, i paqartë, i paredaktuar dhe në instancë të fundit si ajo Puna e Sizifit.
Thonë, se fukaraja nuk ngopet me bukë, dikush me frymë, tjetri me inate, dikush me cinizëm, me gjëra të paqena, me veprime mashtruese, me sajime të rrezikshme, të kota dhe skajshëm të ulëta.., intelektuali nuk ngopet me perceptime a mendime të kualifikuara, ca të tjerë nuk ngopen me shtrembërimin a nëpërkëmbjen e gjenealogjive të familjeve të njohura, ca nuk ngopen me fjalët dhe buzëqeshjet cinike, ca të tjerë nuk ngopen me thashetheme, me fodullëke, me budallakina dhe të gjithë (toptan) edhe me paragjykime. Të gjitha këto (mos) ngopje nuk ua zgjidhin hallet dhe dertet e jetës qofshin ato materiale, morale, politike, atdhetare e tjerë halle. Askush nuk dialogon me arsye po as nuk merret me qetësi. Dhe kur nuk e bëjnë këtë, atëherë hallin e trashin dhe e shndërrojnë në “Nyjë gordiane”: gjegjësisht në një çështje shumë të ndërlikuar.
Nga kjo mesele e koklavitur që u “hetua” në hapësirat e kuvendit të Republikës së Maqedonisë, gjithsecili shqiptar i ndërgjegjshëm detyrimisht duhet të distancohet.., jo nga frika, jo nga hatëri, jo për hirë të përcaktimit partiak (politik), jo për interesat personale a edhe të dikujt.., por thjeshtë për hirë të vëmendjes dhe ndërgjegjës sonë kolektive.., thuaj për mirëqenien tonë materiale dhe kulturore.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fadil Lushi, Konica, ne dhe britmat

KANË THËNË PËR THEOFAN S. NOLI

March 26, 2014 by dgreca

Me rastin e përvjetorit të 49 vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan Stilian Noli/

 Konica për Nolin/

   Me rastin e kremtimit të Ditës së Flamurit, u poqa me shokun e vjetër, peshkop Fan Nolin, të cilin nuk e kisha parë disa vjet. Fan Noli, (një njeriu që ka lojtur një rol aq të madh në lëvizjen tonë dhe është aq i njohur mund t’i përmnedet emri pa ndonjë titull si një fytyre historike, pa hyrë në ndonjë pakësim nderimi në këtë mungesë titulli), Fan Noli, thom, s’ka ndërruar shumë.

Heronjtë e Homerit shkëmbejin fjalë të ashpra, pastaj bashkoheshin si më parë. Sado që s’jemi si ata heronj, m’u kujtuan kur u poqa me një fytyrë me të cilën kam luftuar aq shumë kohë si shok, edhe pak kohë si kundërshtar. Me Fan Nolin merrem kurdoherë vesh më lehtë, se flasim një gjuhë: kuptohemi se njeriu që shkruajti muzikën e Don Giovanit bëri një punë më të madhe se njeriu që shpiku telefonin, ose kur themi se Partheoni edhe Tarxh Mahali janë monumente më të larta se Kulla e Eifelit, e cila është një mijë këmbë e lartë. Fan Noli është edhe i ri, prova më e mirë është se është i zoti të qeshë. Në bëfshi mundimin e këndoni një letër time të botuar në numër të Janarit të së përkohshmës “Judge” në Nju Jork, do të shihni se ç’kuptim të thellë i jep zotërisë për qeshje.

Fan Noli jo vetëm është i ditur në muzikë, po ka zotësinë e rrallë të stërvitë të tjerë në atë mjeshtëri të bukur, dhe t’i stërvitë në pak kohë. Ç’humbje për Shqipërinë që një njeriu të atillë nukë i jepet rasti të organizojë stërvitjen muzikale të popullit në shkolla të vendit! Ç’humbje që nukë i jepet rast të organizojë një universitet popullor në Shqipëri, ku njerëz të pjekur të venë një a dy orë ditën të stërviten!

Fan Noli është hequr nga politika edhe më shumë se sa jam hequr unë. Kuptohet se një njeri i mendjes ka nevojë për siguri dhe për dinjitet; po t’i jepeshin këto, do të ish një fitim për Shqipërinë.

…Atë Noli do të mbetet në histori të Shqipërisë si burri që harriu i pari, me hir të vullnetit dhe të hollësisë së tij, të këllasi zyrtarisht gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë është një ogur i bardhë në udhë të përparimit tonë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët ta harrojnë.

Leshzi, me sy të mprehtë, një fizionomi të qeshur, gati të presë një shaka dhe ta kthejë me uzurë, mendjehapur, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave, Atë Noli nga kultura dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes Italiane. 

Hasan Dosti për Nolin

           …Fan Noli ka qenë një fytyrë qendrore në historinë e vendit t’onë. Ky burrë simbolizon sinthezin e virtuteve të racës arbënore. Të shumta e të paçmuarshme janë veprat që ai i ka kushtuar Atdheut, në fushën e kulturës e të edukimit të popullit.

Po, përmbi të gjitha, qëndron ndërmarrja e themelimit të Kishës Autoqedale të Shqipërisë, e çkëputur nga Patriarkati i Fanarit, që ka qenë qendra arkane e mohimit të të drejtave të kombësisë s’onë.

Fan Noli i madh i ynë ka qenë patrioti që ka menduar, gjykuar e vendosur se autoqefalia e kishës kombëtare është akti plotësues i pamvarësisë dhe sovranitetit të Shtetit. Dhe kështu burri i madh kauzës së autoqefalisë i ka kushtuar nxehtësinë e patriotizmit, energjitë shpirtërore, inteligjencën e mrekullueshme dhe kulturën e gjerë theologjike e filosofike.

Me rastin e përkujtimit të këtij prelati të lartë, mendimi dhe emocioni ynë drejtohen edhe nga martirëzimi i tre prelatëve të tjerë të Kishës orthodokse shqiptare: e kam fjalën te Pappa Kristo Negovani, Papa Stathi Melani – poet, dhe Papa Llambri Ballamaçi. Megjithëse të edukuar në shkollën greke dhe të dorëzuar priftër prej peshkopësh grekë, këta u rrëmbyen nga mistika e racës dhe e gjakut shqiptar. Si bij të popullit ata i janë vënë me mish e shpirt çështjes së edukimit politik kombëtar. Kështu ata janë bërë objekt i mallkimeve dhe ndjekjeve të Fanarit dhe më së fundi u martirizuan prej andartëve grekë…

 Ernest Koliqi për Nolin

 …Stefan Stiljan Noli, nji ndër personalitetet ma të spikatuna qi shprehi nga gjini i vet kombi shqiptar, paraqitet posi nji fytyrë poliedrike, d. m. th. e shumanëshme, e cila gja lodhë menden e kujdo kur vjen momenti me dhanë nji gjykim synthetik mbi rrolin qi ai luejti në botën shqiptare. Kush jeton si i ndodhi atij ma se tetëdhdhetë vjet dhe në nji periudhë historike ndër ma të stuhishmet qi njofti njerzimi, lehtazi bahet objekt kritikash sepse nji jetë kaq e gjatë rrethohet, në fazat e ndryshme të saj, me drita e me hije të cilat ndoshta shkaktohen nga rrethanat, nëpër të cilat u përshkue, ma tepër se nga nji vullnet i prem e i paravendosun m’u sjellë si u suell.

Si të gjithë njerzit me nji vlerë të veçantë, edhe Fan Noli nderohet e përçmohet me ngulmim qi shpesh herë arrin në parosizëm ndër lëvduesa e prozhmuesa të tij. E verteta asht se veprimtarija e nji njeriu, qi gjatë tetëdhetë vjetve rresht gjallese në ket shekull u dha me mish e me shpirt mbas sendërtimit të nji ideali, i cili synthetizonte në vete qellime fetare e kombtare, shoqnore e kulturore, duhet vu në nji kandar të drejtë. Gabimet ase në datsh të thuesh fajet qi Fan Nioli ka mujtë me ba, nuk ia zbresin vlerën tri veprave të pashoqe qi ai kreu, pasojat e mira të të cilave edhe sot ndiehen në rrjedhë të historisë shqiptare e janë: themelimi me 1909 i fletores “Dielli”, preludium i themelimit të Shoqatës Panshqiptare Vatra në Boston, me 1912, në bashkëpunim me Faik Konicën, – pranimi shpëtues i shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, me 17 dhetuer 1920, e krijimi i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare. Edhe po të pranojmë për hypothezë se Fan Noli pat njolla, këto tri vepra të shkëlqyeshme krejt ia shlyejnë…

 Mitrush Kuteli për Nolin

 Kompleks dhe gjenial është personaliteti i Fan S. Nolit. I pajisur me një kulturë të gjerë, të mbledhur si për çudi, në rrethana kaqe kundërshtare, e në një jetë kaqe të turbulltë, njohës i kaqe gjuhrave, i kaqe dishiplinave të ndryshme, i kaqe klimateve shpirtërore. Me një sensibilitet artistik kaqe të zhvilluar, ay mban brenda tij edhe njatë dhuratë të madhe që u jep Filla – fjala është e tija – njerzve: dhuratën e krijesës. Gazetar, theollog, orator, dramaturg, historian, kritik, letrar, kompozitor e gjithmonë poet. Fan S. Noli ka sjellë në gjithë degat ku ka punuar një sulm të tijnë, një verb të panjojtur, madhor.

Edhe të gjitha këto dhurata, gjithë ky veprim i tija, prej dyzet e ca vjet, vetëm në shërbim të një ideali: ideali shqiptar. Një ideal, si t’i thuash, shoqëror – kombëtar; gjithëmonë shoqëror, gjithëmonë kombëtar.

Fragment nga letra e George Bernard Show drejtuar Nolit

    U gabuat në zanatin kur u dorëzuat klerik. Libri juaj “Bethoven and   the French Revolution” nuk është predikimi a hagjiografia e një kallogjeri, po është vepra e një kritiku e biografi të dorës së parë. E lexova që në krye gjer në fund me kënaqësinë më të madhe, duke qenë vetë mjeshtër si muzikant, kritik dhe artist-filozof professional. E dini ndoshta se njeiu kurrë nuk lexon librat, që i dhurohen me thasë, ashti siç m’i dërgojnë mua.

…Ju jam thellësisht mirënjohës

G. Bernard Show, më 11 nëntor 1947

Qerim Panariti për Nolin

   “…Noli ish një person kompleks dhe ekstraordinar i shumë-anëshmë nga çdo pikëpamje: i thellë dhe i gjerë nga mejtimet, enciklopedik nga dituria, “rebel” që nga vogjëlia dhe një gjigant intelektual.

Ndjenjën si “rebel” e manifestoj në gjimnazën Greke në Endrene në vitin e fundit akademik, kur autoritetet e gjimnazit pushuan nga puna një nga profesorët më të çkathtë. Noli kujtoj se profesoriit iu bë një padrejtësi dhe një-me-një organizoj një demonstratë të studentëve në favor të profesorit. Për shkak të këtij rebelimi, autoritetet e gjimnazit refuzuan t’i japin diplomën gjer në Shtator në vënt t’ia jepnin në Qërshor, sipas zakonit.

Më duket se nuk gabohem shumë po t’a karakterizonj Nolin si Prometheun e Rilindjes Shqiptare. Prometheu, pas mithollogjisë kllasike, pruri zjarrin në botë dhe munt të karakterizohet si shkencëtari i parë i botës kllasike. Për çpikjen e zjarrit, domethënë për sjelljen e dritës në botë, perënditë ziliqare dhe reaksionare, dërguan një kovaç i cili e mbërtheu Prometheun pas një shkëmbi të zi  dhe e la atje të torturohet gjer të vdesë.

Noli si mithollogu kllasik, i pruri dritë popullit Shqiptar që t’i stërvitë mëndjen, se me shkrimet eë tij mësuam se vijmë nga një racë e moçime, që i dha Evropës përdorimin e hekurit, një kontributë tepër importante për botën para-historike. Që t’a kuptojmë më mirë këtë çështje vlen të theksohet se Ilirianët, stërgjyshët tonë, filluan të përdorin hekurin në një kohë kur Athina dhe Roma s’ishin dëgjuar fare në historin’ e njerëzimit.

Peter R. Prifti për Nolin

   “… Më kujtohet Kuvendi i “Vatrës” më 1958. Siç dihet, Noli ish “Kryetar Nderi” i “Vatrës”, dhe si i tillë nuk merrte pjesë në punët e përditshme të organizatës. Megjithatë, vinte në kuvendet e “Vatrës”. E kish zakon të bënte një vizitë ceremoniale gjatë punimeve të kuvendit, për t’u përshëndetur me delegatët. Për 10 a 15 minuta punët e kuvendit ndaleshin. Rifillonin pasi shkonte Noli.

Kristo Thanasi ish atë vit kryetar i “Vatrës”. Unë rrija pranë tij. Sapo hyri Noli në sallën e kuvendit, Kristua mu afrua e më tha më zë të ulët, “Ai është fuqia prapa ‘Vatrës!”. Kristua deshi të më jepte të kuptoja se, ndonëse ai vetë ishte kryetar i “Vatrës”, baza e organizatës dhe burimi i vërtetë i fuqisë së saj ishte Fan Stilian Noli. Atë çast unë kuptova më mirë influencën e madhe të Nolit brenda “Vatrës”, si edhe midis Shqiptarëve kudo në Amerikë.(Dielli-Arkiv)

 

Filed Under: Histori Tagged With: Kane thene per Nolin, Konica, Mitrush Kuteli, Peter Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT