-Zhvillimet pas ftesës nga Haga e dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj: Kosova drejt zgjedhjve parlamentare, të shtatata në liri e të katërta në pavarësi, të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme, të cilat pritet të mbahen në vjeshëtën e vitit 2019/
-“Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike”, është shprehur Haradinaj/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 21 Korrik 2019/ Kosova, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të shtatata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme.
Në mbledhjen e 111-të të qeverisë që e drejton, të premtën e 19 korrikut 2019, kryeministri Haradinaj njoftoi vendimin e tij për të dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës që ka marrë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, duke theksuar se nuk dëshiron në asnjë mënyrë të dëmtojë imazhin e Kosovës dhe se para drejtësisë do të përballet si individ, me besim thellë në pastërtinë dhe drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar.
Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.
Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufijë”, është shprehur Haradinaj në deklaratën e dorëheqjes.
Ai ka theksuar se, pas kësaj dorëheqjeje mandatin ia kthen popullit, sovrani të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike.
“I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.
Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike”, është shprehur Haradinaj.
Për Ramush Haradinajn kjo është hera e dytë e ftesës nga Haga dhe e dorëheqjes nga posti i kryeministrit të Kosovës. Herën e parë Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 nars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës. Në 29 nëntor 2012 u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës.
“Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellur drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, theksonte deklarata e Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës.
Pas dorëheqjes së dytë të Haradinajt nga posti i kryeministrit këtë javë, sipas deklaratave të partive politike, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme dhe priten konsultimet për datën, e cila paralajmërohet të jetë në vjeshtën e këtij viti.
Kosova kishte zgjedhje të parakohshme parlamentare para dy vitesh në 11 qershor 2017 pas mocionit të mosbesimit – rrëzimit të qeverisë me vota të bashkuara edhe nga partia më e madhe e maxhorancës me opozitën dhe vetëshpërndarjes së Kuvendit në 10 maj, tre vjet pas zgjedhjeve paraprake të 8 qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpallen e pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Haradinajn, e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.
Me kryeminitër Haradinaj, Qeveria e Kosovës në bilancin e punës së saj ka edhe dy mbledhje të përbashkëta me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë – në 27 nëntor 2017 në Korçë, e cila ishte e katërta, dhe në 26 nëntor 2018 në Pejë, e cila ishte e pesta. Këto dy mbledhje të qeverive Shqipëri-Kosovë pasonin të parën historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytën në Tiranë në 23 mars 2015 dhe të tretën në 3 qershor 2016 në Prishtinë.
23 QERSHOR 2018: RAMUSH HARADINAJ RIZGJEDHET KRYETAR I AAK-së
-Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është themeluar në 2 maj të vitit 2000/
Në 23 Qershor 2018 Ramush Haradinaj është rizgjedhur kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si kandidat i vetëm në Kuvendin e VIII-të zgjedhor të partisë, të cilën e udhëheqë që nga themelimi.
“Ky besim është obligim i madh”, u shpreh Haradinaj para Kuvendit zgjedhor të AAK-së duke paralajmëuar shumë punë edhe në të ardhmen.
“Me krenari mora përgjegjësinë që të vazhdoj t’i prijë AAK-së, me synim krijimin e vlerës së re të një projekti serioz, me të gjithë qytetarët e vendit”, ka theksuar lideri i partisë Haradinaj, kryeministër i Qeverisë së Kosovës.
AAK është themeluar në 2 maj të vitit 2000 dhe pas zgjedhjeve të para paralamantare të pasluftës ishte pjesë e koalicionit të gjerë qeverisës, ndërsa pas zgjedhjeve të dyta, në koalicon me LDK-në, drejtoi Qeverinë, në 100-ditëshin e parë me kryeministër lidrin e saj, Ramush Haradinajn, i cili dha dorëheqje nga kreu i Qeverisë në 8 mars 2005, menjëherë pasi u njoftua për ngritjen e aktakuzës dhe të nesërmen iu dorëzua vullnetarisht Tribunalit të Hagës, i cili e shpalli të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës në 3 prill 2008 dhe përseri në 29 nëntor 2012 pas rigjykimit.