• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Serbia: edhe-edhe, Kosova: as-as

February 5, 2014 by dgreca

Nga Albin Kurti/

Duke iu falenderuar dialogut me Thaçin në Bruksel, Serbia nuk po ka fare nevojë që të zgjedhë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ajo po avanson në të dy drejtimet: edhe në integrimet evropiane, edhe në Serbinë brenda Kosovës. I fitoi edhe negociatat për anëtarësim në BE, edhe Asociacionin e komuave me shumicë serbe. Negociatat e Serbisë në këto dy rrafshe sot, po bëhen pakrahasimisht më të suksesshme sesa luftërat e saj në dy fronte para dy dekadash.

Askujt në BE, sikurse edhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë, nuk i shkon fare mendja të bëjë sadopak trysni mbi Beogradin zyrtar për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, nuk mund të jetë ndryshe përderisa Thaçi negocion për Kosovën me Serbinë pa kushte për të. Negociatat me Serbinë gjersa ajo nuk e njeh dhe pranon pavarësinë e Kosovës përkthehen në mirëkuptim për këtë mosnjohje dhe mospranim të shtetit tonë. E këtillë është pasoja edhe kur i këtillë nuk ka qenë qëllimi.

Paralelisht me këtë, BE-ja don që kur të zgjerohet me shtete të reja anëtare ato t’i delegojnë asaj sovranitet. Kosova nuk ka sovranitet dhe s’ka se çfarë realisht t’i jep BE-së andaj ajo nuk na e ofron e nuk na e mundëson anëtarësimin. Serbia është sovrane dhe ajo me anëtarësimin në BE ka se çka i bart BE-së.

Dialogu Thaçi-Daçiq në Bruksel paraqet platformën nga e cila Serbisë i hiqen pengesat në shtegun e integrimeve evropiane drejt anëtarësimit të plotë në BE, ndërkaq Kosovës i shtohen pengesat në shtetndërtim duke ia rrudhur perspektivën për sovranitet e integritet territorial, për demokraci dhe drejtësi. Pra, jo vetëm që Serbia po përparon kah Brukseli, por përparimi i saj brenda Kosovës e zgjat rrugën e i zvogëlon gjasat për inkuadrimin e Kosovës në BE (që aktualisht ka mbetur e ngujuar te premtimi bajat për liberalizimin e vizave).

Në anën tjetër, Serbia nuk po ka nevojë as të zgjedhë midis BE-së dhe Rusisë. Ajo sërish po avanson në të dy drejtimet. Mjafton të shikohen takimet e vizitat e ndërsjellta midis krerëve shtetërorë serbë e rusë për ta marrur vesh këtë. Nga përmbledhja e lajmeve për vitin 2013, kuptojmë që kryetari i Serbisë, Nikoliq, i ka zhvilluar tri takime me udhëheqësit politikë të Rusisë. Së pari, dy takime me Putinin: më 24 maj 2013 në Sochi ku nënshkruan Deklaratën për Partneritet Strategjik dhe herën tjetër gjatë vizitës së tij dyditore në Rusi më 29 tetor 2013. (Nikoliq me 25 shkurt 2013 e dekoroi Putinin për “merita të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve miqësore midis Republikës së Serbisë dhe Federatës Ruse” me urdhrin e Republikës së Serbisë me qafore.) Po ashtu, Nikoliq u takua edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, me 12 nëntor 2013 kur ai e vizitoi Beogradin. Gjatë vitit që lamë pas edhe kryeministri i Serbisë, Daçiq, ishte në një vizitë dyditore në Rusi kur me 10 prill pati takim me Putinin. Ndërkaq, zëvendëskryeministri serb, Vuçiq, u takua me ministrin rus të mbrojtjes, Shoigu, më 22 maj 2013, kur po merrte pjesë në konferencën ndërkombëtare për sigurinë evropiane në Moskë.

Serbia nuk ndodhet para zgjedhjes a mundësisë ose-ose por pas përzgjedhjes e zgjidhjes edhe-edhe, kurse Kosova ndodhet në pamundësinë problematike as-as. E, sërish, nuk ka mundur të jetë ndryshe…

Para koncesioneve që vijnë nga negociatat kemi koncesionin që u paraprin negociatave. Negociatat e Kosovës me Serbinë tashmë janë koncesion. Negociatat janë ura që lidh koncesionin themeltar të përgjithshëm që shënon fillimin e negociatave me fundin e urës që shënon koncesionet e panumërta të veçanta. Mirëpo, dialogu Thaçi-Daçiq nuk është aty për t’u përfunduar por për të mos përfunduar. Ky është një dialog që e do vetveten dhe jo marrëveshjen. Marrëveshja e mbyll dialogun, ajo i lidh palët si të ndara për t’i përforcuar ato si palë. Jo edhe në dialogun e Brukselit ku ne s’njihemi as nga pala tjetër e as nga ndërmjetësuesi. Ky dialog na lidh pa na trajtuar ndaras. Ky dialog sjell marrëveshje për të pasur edhe më shumë dialog, edhe më shumë marrëveshje, edhe më shumë dialog, edhe më shumë marrëveshje, edhe më shumë dialog…  Dialogu i keq sjell marrëveshje të këqija për edhe më shumë dialog të keq. Nuk mund të ketë gjëra të mira nga zbatimi i marrëveshjeve të këqija. Çfarëdo zgjidhjesh të arrira në orientime të gabuara janë të kota në rastin më të mirë dhe kundërproduktive përndryshe. Problemi i negociatave Thaçi-Daçiq nuk është thjesht rezultati i keq por premisa e padrejtë; pra, jo gabimet në negociata, por iluzionet për to.

Kundërshtimet e Thaçit (ndaj kërkesave të Serbisë) janë veçse në funksion të prodhimit të iluzioneve (te qytetarët e Kosovës). Gjithçka në Kosovën e Qeverisë bëhet për imazh. Kosova është kthyer në një shesh gjigant xhirimi, në një film set enorm, ku horizonti nuk është ende kufiri.

Të gjithë ata që thonë se ka edhe më keq, duhet t’iu tregojmë që është duke u bërë më keq.

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, kosova, Serbia

Kryeministri Thaçi: E kemi shmangur rrezikun e ndarjes së Kosovës

December 16, 2013 by dgreca

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Zërit të Amerikës se në bisedimet me Serbinë Kosova është shpëtuar nga krijimi i ndonjë autonomie, apo “Republike Serbe”. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se bisedimet me Serbinë është shmangur çdo mundësi e ndarjes së Kosovë dhe krijimit të ndonjë Republike serbe. Ai tha se me zgjedhjet në veriun e banuar me shumicë serbe është hapur rruga e integrimit politik por edhe fizik të asaj zone. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi. kryeministri Thaçi, flet edhe për zhvillimet e brendshme politike pas zgjedhjeve komunale.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, aktualisht Kosova ndodhet në një periudhë të rëndësishme të bisedimeve me Serbinë. Ju sapo përfunduar një raund bisedimesh dhe të premten pritet të takoheni sërish për të diskutuar çështjet e drejtësisë. Çfarë prisni nga ky takim? Hashim Thaçi: Jemi në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme të implementimit të marrëveshjeve që dalin prej marrëveshjes së përgjithshme të prillit të arritur në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Në takimin e fundit jemi dakorduar për integrimin e policisë në mënyrë individuale në institucionet e Republikës së Kosovës. Tani qytetarët atje do të aplikojnë në baza krejt individuale, do t’i plotësojnë kushtet dhe standardet sikur të gjithë policët tjerë të Kosovës. Ndërsa takimi i radhës do të jetë për sistemin e drejtësisë, një sistem unik, një sistem sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kështu që po shkon implementimi ashtu siç është planifikuar. Mund të jetë edhe më konkret dhe i shpejt, por ajo që është shumë me rëndësi është se ka gatishmëri prej shtetit të Kosovës, ka gatishmëri edhe mbështetje edhe nga ana e Serbisë të përmbyllet ky proces sa më shpejt dhe ka një gatishmëri shumë të fuqishme prej baroneshës (Catherine) Ashton, BE-së dhe SHBA-së të vazhdojë të përmbyllet me sukses të plotë ky proces në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit përfundimtar të shtetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Po i kthehemi çështjes së policisë. Ka pasur shumë shqetësime në Kosovës se brenda këtyre strukturave mund të përfshihen edhe elemente që kanë një të kaluar kriminale. A ka një proces të verifikimit të këtyre njerëzve?

Hashim Thaçi: Testimi dhe verifikimi do të ndodhë sikur që ka ndodhur me çdo polic të Kosovës. Në asnjë rrethanë nuk do të jetë asnjë individ që do të integrohet në policinë e Kosovës, që ka të kaluar të dëshmuar kriminale.

Zëri i Amerikës: Kush e verifikon këtë?

Hashim Thaçi: E verifikon policia e Kosovës, EULEX-i dhe mekanizmat tjerë të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Po sa i përket çështjeve të drejtësisë? Beogradi ka ngulur këmbë që të ketë gjykata të veçanta në veri që do të pasqyronin përbërjen etnike. Si në fakt prisni të duket sistemi i drejtësisë atje?

Hashim Thaçi: Sistemi i drejtësisë do të duket si në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, një sistem unik i drejtësisë, i cili do të funksionojë sipas standardeve, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore te Republikës së Kosovës. Pra, nuk do të jetë kriter etnia, por profesionalizmi dhe respektimi i plotë i kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës?

Zëri i Amerikës: Dhe ligjet…?

Hashim Thaçi: Natyrisht, ligjet e Kosovës do të jenë gjithmonë të vetmet të respektuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, por sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, a keni arritur ndonjë pajtim se si do të funksionojë ai?

Hashim Thaçi: Organizimi i zgjedhjeve sipas standardit më të lartë ndërkombëtarë në Kosovë, vlerësimi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare për zgjedhjet lokale që sapo përmbyllëm, ishte një fitore e madhe për Kosovën, një fitore e madhe për institucionet, për partitë politike, por mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës. Pastaj edhe pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje ka rritur kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve, kredibilitetin edhe të brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Organizimi i zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar legjitimimin e plotë të marrëveshjes së arritur në prill të këtij viti në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por na kanë dhënë të drejtë në angazhimet dhe vendimet tona që kemi marrë, sepse ne definitivisht e kemi larguar rrezikun e ndarjes së Kosovës, ndërsa tash kemi një integrim politik, një integrim kushtetues dhe një integrim edhe fizik, në kuptimin territorial por edhe politik të qytetarëve serbë që jetojnë në veri. Pra, tani do të vazhdojmë të punojmë me kryetar të ri që sapo janë zgjedhur. Pres shume shpejt që t’i takoj dhe të vazhdojmë bashkëpunimin në nivel të qeverisë qendrore dhe në nivel lokal. Edhe sa i përket betimit të kryetarëve të ri që janë zgjedhur, kudo që janë, qoftë në veri, qoftë në jug, do të jetë plotësisht në përputhshmëri sikur betimet e të gjithë kryetarëve të komunave, si në Han të Elezit si në Leposaviq, si në Prizren po ashtu edhe në Zveçan.

Zëri i Amerikës: Thatë se më këtë është shmangur ndarja e Kosovës, por, a po ndodhë një ndarje e brendshme siç ka shumë shqetësime në Kosovë, krijimi i një entiteti që tashmë edhe ndërkombëtarisht do të ketë njëfarë legjitimiteti?

Hashim Thaçi: Në asnjë rrethanë diçka e tillë nuk do të ndodhë. Hapat e parë integrues konkret, shihen. Ky integrim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Integrimi politik, integrimi pastaj edhe në nivel institucional edhe me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Ndërsa do të vazhdohet të punohet ngushtë me kryetarët e komunave që janë zgjedhur të rinj. Për herë të parë kemi kryetarët e komunave legjitim edhe në katër komunat e veriut. Ndërsa ne kemi projektet infrastrukturore për investime kapitale të ndryshme edhe në veri. Prandaj mendoj se ky vit ka qenë një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm, por edhe i suksesit historik për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, por edhe integrimin e të gjitha komuniteteve në jetën institucionale dhe shoqërore.

Zëri i Amerikës: Marrëveshjet që keni bërë me kryeministrin serb i kanë mundësuar Serbisë të marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa përshpejtimi i këtyre bisedimeve a është tash një ndihmesë që po i jepni Serbisë që të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim? Hashim Thaçi: Marrëveshjet që kemi arritur si shtet i Kosovës me Serbinë janë të parat në nivel të barabartë si dy shtete. Marrëveshjet janë në interesin e Kosovës, por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këto takime kemi hyrë si fitues, si vend i pavarur dhe sovran. Për herë të parë ballafaqohemi me Serbinë në këto nivele. Ndërsa ajo që ne kemi realizuar është se kemi shpëtuar Kosovën nga ndarja, e kemi shpëtuar Kosovën nga krijimi i ndonjë autonomie apo “Republika Srpska” për serbët dhe tash kemi një Kosovë unike, të integruar, një Kosovë sipas standardeve evropiane që po e ndërtojmë. Ndërsa sa i përket të ardhmes evropiane të Serbisë, natyrisht se e ardhmja evropiane e çdo shteti në rajon, kalon përmes implementimit të kritereve që janë jashtëzakonisht të rëndësishme, atë të fqinjësisë së mirë. Për aq sa Serbia tregohet në fqinjësinë e mirë me Kosovën, po sa më farë do të jetë me BE-në. Por, kjo vlen edhe e kundërta. Nëse ne e mbyllim me sukses normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, atëherë të dy shtetet tona si vende sovrane do të jenë afër BE-së e në të ardhmen edhe pjesë e NATO-s dhe BE-së. Por, kjo vlen edhe për të gjitha vendet tjera të rajonit. Fqinjësia e mirë është kriter kyç për të ardhmen evropiane.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, zgjedhjet që sapo përfunduan dhanë edhe një shenjë tjetër për Kosovën që ka të bëjë me ndryshimin e gjeografisë së brendshme politike të Kosovës. Cili mund të jetë ndikimi i tyre në zhvillimet e ardhshme politike në vend, përfshirë edhe zgjedhjet e përgjithshme?

Hashim Thaçi: Ajo që fillimisht do të doja të theksoja është se ndihem tepër mirë dhe krenar me organizimin e zgjedhjeve fer, të lira, të drejta dhe demokratike sipas standardeve më të larta ndërkombëtare në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ndihem tepër mirë dhe krenar me organizimin e zgjedhjeve për herë të parë pas 14 vitesh. Por, në të njëjtën kohë ndjehem mirë me përkushtimin dhe përgjegjësinë që kanë treguar spektri politik për të marrë përgjegjësi të përbashkëta në këtë proces të rëndësishëm demokratik, por edhe mesazh edhe për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës. Pra, ndjehem tepër mirë që Kosova ka kaluar një test jashtëzakonisht të rëndësishëm evropian për të ardhmen euro- atlantike. Ndërsa sa i përket rezultatit zgjedhor, gjithashtu si kryetar i PDK-së, në të njëjtën kohë, ndjehem shumë mirë që PDK, përsëri është rikonfirmuar si partia numër një në nivel nacional. Natyrisht, jemi dëshmitar të disa befasive sa i përket rezultatit, por për mua si kryeministër i Kosovës më me rëndësi ka qenë standardi zgjedhor sesa rezultati. Por, mund të them se edhe disa befasi që kanë ndodhur, diku kanë qenë, mund të them lirisht, skandale elektorale zgjedhore, si në rastin e Mitrovicës. Por, mund të them se në disa komuna kanë ndodhur disa ndryshime, lirisht mund të them, që i japin kuptim më të shëndetshëm skenës politike kosovare.

Zëri i Amerikës: Pse ishte skandal? A nuk ishte ky dështim i PDK-së në Mitrovicë?

Hashim Thaçi: Unë mund të them se edhe sa i përket përgjegjësive të PDK-së, ne kemi diskutuar dhe natyrisht që do të duhej evituar disa dobësi dhe lëshime që kanë ndodhur në komuna të ndryshme të Kosovës. Por, sot selitë e të gjitha të partive politike në të njëjtën kohë edhe janë të kënaqura, por në të njëjtën kohë edhe janë të dëshpëruara me rezultatin zgjedhor. Por, si kryetar i PDK-së, ju thashë edhe njëherë që PDK edhe pas pesë palë zgjedhjesh, është rikonfirmuar si partia numër një në nivel nacional, si partia fituese edhe zgjedhjeve lokale 2013 dhe me hap të sigurt për t’u rikonfirmuar përsëri partia fituese edhe e zgjedhjeve nacionale 2014.

Zëri i Amerikës: Të cilat mund t’i presim në cilën periudhë të vitit 2014?

Hashim Thaçi: Ne kemi diskutuar dhe lidershipin kosovar edhe sot sa i përket reformës zgjedhore. Fillimisht do të përmbyllim reformën zgjedhore që kërkon një konsensus të të gjithë liderëve politik. Ndërsa, periudhën kohore do ta përcaktojmë bashkërisht, por është shumë me rëndësi që të mos ndodhin zgjedhjet në periudha të ftohta kohore, apo kur janë ditët e shkurtra, kështu që do të jemi fleksibil sa i përket periudhës kohore.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër. Sot është dita ndërkombëtare e luftës kundër korrupsionit e cila Kosovën e gjen të radhitur poshtë në mesin e  vendeve me shkallë të lartë të korrupsionit?

Hashim Thaçi: Drejtësia kosovare tash e 15 vite udhëhiqet nga ndërkombëtarët. Kosova ka bërë hapa konkret në tre-katër vitet e fundit në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Hapa konkret që janë përshëndetur edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Tani është momenti që sistemi i drejtësisë të bartet tek autoritetet vendore, që edhe mekanizmat e EULEX-it që e kanë mandat ekzekutiv të bartin autoritetin tek institucionet e Republikës së Kosovës, sepse Kosova ka dëshmuar pjekuri të lartë politike dhe shtetërore edhe në procesin e negociatave me Serbinë edhe me procesin e organizimit të zgjedhjeve të lira, që nuk mund të krahasohen me asnjë vend tjetër të rajonit. Prandaj, sa më tepër që merr Kosova përgjegjësi në këtë drejtim, aq më e efektshme do të jetë lufta edhe kundër korrupsionit edhe kundër krimit të organizuar.

Zëri i Amerikës: Ka fuqi të brendshme Kosova që ta bëjë një gjë të tillë?

Hashim Thaçi: Definitivisht Kosova është storie e suksesit të plotë, është një vend, nje shtet që është në përmbyllje të konsolidimit dhe sa më tepër merr përgjegjësi aq më të fuqishme do të jenë edhe vendimet edhe përkushtimet tona.

Zëri i Amerikës: Ju keni bërë një strategji për përmbylljen e misionit të EULEX-it. A nuk është pak herët?

Hashim Thaçi: Mendoj se është pak vonë. Kjo ka ndodhur pas konsultimeve edhe me lidershipin tjetër politik kosovar. Janë 15 vjet të tranzicionit demokratik, janë gjashtë vite të Kosovës së pavarur dhe sovrane. Nuk ka ndodhur askund që diçka e tillë të ndodhë kaq gjatë. Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe natyrisht që edhe misioni evropian i rendit dhe ligjit, duhet të përmbyllë punën me sukses. Kështu që ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe hap pas hapi, vitin e ardhshëm, ky mision të bartë autoritetin ekzekutiv tek institucionet legjitime dhe sovrane të Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, Thaci, zeri i amerikes

KOSOVA, DASHURIA IME

December 16, 2013 by dgreca

Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund/

Me serbët ne jemi fqinjë. Në kohë paqeje i japim bukë njëri tjetrit. Mirëpo, në çastin kur serbët mësyjnë tokat dhe shtëpitë tona, shprehet Ali Tahir Aliu, nga Bardhyli ( Bradashi ) i Besianës, ne jemi të shtrënguar t´i ngrejmë pushkët kundër tyre! Toka denbabaden shqiptare, as s´ jepet dhe as nuk falet! Kosova ka një shekull që nuk bën gjumë natën nga pretendimet e Serbisë!../

Ne që trupin e mërguam nëpër botë si pasojë të shtypjes së egër dhe  luftës, jo pak jetën e dhënë nga prëndia po e harxhojmë nëpër vende të huaja, dhe për të huajtë. Unë kujtoj thotë Ali Tahir Aliu, nga fshati Bardhyl ( Bradashi ) i Podujevës, se është çasti që t´i trokasim vetes, dhe t´ia bashkangjesim trupit, mendjen, shpirtin dhe mençurinë, dhe të kthehemi në atdhé. Republika e Kosovës, apo thënë shkurt, Kosova-Shqipëri, është dhéu ynë, gjuha dhe dashuria jonë. Pa këtë adresë të atdheut, ne do të kishim as emër dhe as mbiemër, po vetëm një popull i shkrirë në një populli tjetër. Rruste, më thotë Aliu, shqiptarët janë prindërit të mirë, i duan fëmijët, i duan vëllëzërit dhe motrat, i duan nipërit dhe xhaxhallarët, tetet dhe dajat, fushat dhe malet, krojet dhe lumenjtë, vajzat dhe gratë e bukura, dhe mbi të gjitha e duan gjuhën dhe vendin e tyre ku janë lindur. Unë nuk jam në mërgim se kam dashur të aventuroj këtej, apo se më ka thërritur mërgimi, shprehet Aliu. Mërgimi për të pamërguarin është botë e panjohur, e veshur me para të premtuara, dhe drejtësi të ekzagjeruar. Jeta ime e veshur me mërgim jo herë-herë është, e ëmbël. Mërgimi për atë që është atdhetar, ka shije të thartë dhe gërryese. Ali Tahir Aliu, u lind më 17.03. 1968, në Bardhyl të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, në Besianë. Libri për Kosovën mua më mbeti i pashkruar dhe i papërfunduar. Kryengritjet e Kosovës aso kohe ishin të përditshme, më thotë Aliu. Unë edhe kur bëj gjumë, duart i mbaj grusht, ndërsa ëndrrat e mia janë krejt epike, dhe me beteja të ashpra. Lot më bie në zemër pse s´jam në Kosovë. Nën pushtimin e jugosllavëve, dhe të diktatorit Tito, shqiptarët përjetuam burgun më të rëndë. Të drejtat tona në Jugosllavi, shkileshin vazhdimisht. Në Kosovë, aso kohe vrisnin shumë faktorë. Vriste varfëria, niveli ulët i arsimit, burgosjet dhe shpërnguljet, ndalimi i festive kombëtare, gjakmarrja, ndalimi i flamurit, pabarazia në punësim, dhe diferencimet e pareshtura të kuadrove, bënin që jeta e shqiptarit nën pushtimin serb të ishte jetë e të shtypurit dhe e të burgosurit. Populli ynë nuk e ka thënë kot; “zullumi këputet prej s´trashi”!Rruste më thotë Aliu, një patriot i devotshëm, një atdhetar i formuar, dhe një UÇK-ist që nga ditët e para të luftës. Aliu tregon se e tërë familja e tij 50 anëtarëshe, me prindër dhe xhaxhallarë, u vunë në radhët e UÇK-së, që në ditët e para. Babai im, Tahir Aliu, me profesion murator, UÇK-së i afroi tërë ekonominë familjare dhe njerëzore, për çlirimin e Kosovës. Babi im, Tahir Aliu, që në ditët e para të luftës për liri të Kosovës dhe pavarësi, iu përgjigj thirrjes së UÇK-së, dhe u rreshtu me vullnetarët e Llapit, për t´i këputur prangat njëshekullore të robërisë. Liria çmimin e ka të lartë na thoshte babai, por, ne duhet të jemi gati për çdo sakrificë. Divorci me Serbinë dhe ish Jugosllavinë, Kosovës do t´i kushtoj një det gjaku. Që nga viti 1945, e deri me shpalljen e pavarsisë, më 17 shkurt, 2008, Kosova u përgjak s´i asnjë vend tjetër në Evropë. Komunistët e Titos, e veçmas ata serbë, të Milosheviqit, vranë , prenë rreth 55 mijë shqiptarë. Mirëpo, shtypja Serbe nuk ndalon në vitin 1956, as në vitin 1968 e këtej. Politika gjakatare serbe, vullnetin e Kosovës për Republikë të pamvarme, e quajti armiqësore, dhe çdo kërkesë në drejtim të pavarësisë, Serbia përgjigjej me vrasje dhe burgosje. Ndërsa, dënimet ishin të përditshme. Rreth 800 mijë qytetar të Kosovës ( para se të nis lufta ) u rrahën, u dënuan dhe u persekutuan nga pushtuesi serb. Lufta në Kosovë ishte e pritshme. Zullumi këputet prej s´trashi! Mirëpo, heroi popull, u kryengrit, që lirinë e shkelur, ta fitoj me çdo çmim.  Familja Jashari këtë e dëshmoi më së miri. Thyerja e përgjakshme e Jugosllavisë dhe Lufta me Serbinë, Kosovës i kushtoi me  13 mijë të vrarë, 4500 të zhdukur, 120 mijë shtëpi të djegura, një million të përzënë në 5 kontinentet, 25 mijë gra e vajza të dhunuara, dhe me një ekonomi familjare tërësisht të shkatërruar. Ky çmimi i gjakut dhe i pasurisë, dhënë luftës sonë për liri, bëri që SHBA-të, NATO, dhe e gjithë bota t´i vehet në ndihmë, Luftës për liri të Kosovës. Në atë luftë të pabarabartë Amerika na bëri me shumë duar, dhe fizikisht Kosovën e shpëtoi nga shuarja. Unë dhe familja ime, më thotë Ali Tahiri, një burrë fjalë pak e i guximshëm, lirisë së së Kosovës i kemi dhënë mjaft për kohën. Fal organizimit të mirë, dhe përgatitjes për luftë, Llapi dhe Anamorava, nuk lejuam që të ndodhë Tivari dhe Srebërnica. Babai im Tahiri  ishte i veshur dhe në front të luftës, që nga ditët e para. Tek shqiptarët, kur babai është në luftë me dike, edhe familjarët atë e ndjekin, dhe janë luftëtarë të tij. Bashkim Aliu, im vëlla, i lindur me 2.01. 1983 në Bardhyl të Llapit. Ai në moshë fare të re (18 vjeç ) u radhit në radhët e UÇK-së. Bashkimi bashkë me prindërit, Mëmën, babain, vëllëzërit, motrat dhe xhaxhallarët dhe familjet e gjerë, kontribuan shumë në bartjen e ushqimeve, armatimit, dhe ndihmë të plagosurve. Ne jemi fqinjë me serbët, më thotë Aliu, një biznesmen i sukseshëm në Dortmund të Gjermanisë, i cili në në kohën më të vështirë, Luftën e Kosovës për liri e pavarësi e ndihmoi me 3o mijë marka gjermane. Ne shprehet Aliu, në kohë paqe fqinjëve serbë u kemi dhënë bukë, kur kanë qenë në nevojë. Mirëpo, në çastin kur serbët mësyjnë tokat dhe shtëpitë tona, ne jemi të shtrënguar t´i ngrejmë pushkët njëri-tjetrit! Toka e gjyshit dhe e stërgjyshit, nuk jepet dhe as nuk falet! Kosova ka një shekull që nuk bën gjumë natën. Jo njëherë, por disa herë i kam kafshuar lotët që të mos m´i shohin prindërit, vëllëzërit, motrat, miqtë,  shprehet Aliu, se para nënës nuk kam të drejtë të qajë!..Rruste, Kosovën e kam zemër, e kam shpirt, e kam atdhe. Kosova për mua është kuptimi i jetës sime!..

 

Filed Under: Komente Tagged With: dashuria ime, Dortmund, kosova, Rrustem Geci

Kosova- Luftrat e tjera

November 29, 2013 by dgreca

Nga Zeno Jahaj/

Për Kosovën duhet të zhvillohen, së paku, edhe dy luftra.Luftën e parë e ka vetë Kosova me vetveten. Të bëjë shtet. Përndryshe nuk do të mundë të kuptohet as me fqinjët që kanë mbi një njëqindë vjet mbretërira apo shtete.

Luftën tjetër e ka Europa me vetveten, më saktë zemra e Europës me periferinë e vet, e cila ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Zemra e Europës e njeh Kosovën. Përkundrazi, pesë shtete të periferisë së Europës nuk e njohin atë.

Dikush thotë që arsyeja pse Spanja, Greqia, Sllovakia, Qipro apo Rumania nuk e njohin Kosovën është se këto shtete vuajnë vetë probleme të heterogjenitetit të popujve të tyre e, për rrjedhim, tremben se mos njohja e pavarësisë së Kosovës bëhet shembull për prirjet shkëputëse në to. Kjo mund të jetë një arësye, por jo e gjithë arësyeja, madje jo arsyeja themelore. Katalonja nuk i lindi sot Spanjës. Rumanisë nuk ia nxiti Kosova Transilvaninë. Sllovakia u nda shumë më përpara sesa Kosova. Qiproja ka afro gjysmë shekulli që po ha çfarë gatoi sëbashku me Greqinë. Nuk ishte Kosova si shembull.

Arësyeja e vërtetë qëndron tjetërkund: Spanja, Greqia, Rumania, Qipro e Sllovakia kanë mbetur periferia e Europës, jo vetëm në gjeografi. Papunësia në zemër të Europës është deri në 10%, në periferi ajo shkon sa dy e trefishi, pikërisht me Spanjën e Greqinë të mbajnë rekordet. Pikërisht këto vende renditen me ardhurat më të pakta për frymë në krahasim me tërë vendet e tjera të Bashkimit Europian, me Sllovakinë në vendin e 41-të, Rumaninë në vendin e 60-të, Greqinë në vendin e 42-të e Qipron në vendin e 40-të. Do të ishin pikërisht këto shtete, të cilat, me shpërdorimin e borxheve ndaj Europës, e vunë në pikëpyetje vetë egzistencën e Bashkimit Europian.

Por pas patriotizmit periferik europian për të mos pranuar realitetin e Kosovës duket se qëndron një arësye akoma më e thellë. Spanja e vuan akoma që shtatë shekuj i kaloi nën pushtimin mysliman e arab. Greqia, Qipro e Rumania duket se kanë të vështirë të ndahen nga pasojat e biznatinizmit e nga katër shekujt nën sundimin otoman. Sllovakia vuan akoma inferioritetin e një vendi që ka vetëm njëzet vjet identitet si shtet-komb.

Kësisoj Kosova më së pari duhet të merret me veten. Përkatësinë europiane ta plotësojë me standarde europiane. Të ruhet të mos bjerë në mentalitete, sjellje apo orientime jashtëeuropiane. Për të arritur këto standard, Kosova ka një fat të madh: ka me vete zemrën e Europës, praktikisht atë pjesë të Europës e cila, në Kosovë dhe për Kosovën, bëri luftën e parë të saj për vlera dhe jo për territore.

Lufta tjetër e Kosovës është që, në krah të zemrës së Europës, të fitojë periferinë e Europës.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, luftrat e tjera, Zeno jahaj

Kosova një shtet pa zot shpije, ku kullosin turq e shkije

October 24, 2013 by dgreca

Shkruan: Mr.sc.Nue Oroshi/

Ka kohë që personalisht kam ndezur këmbanën e alarmit përmes opinioneve të mia, të botuara kohë më parë nëpër gazeta e revista si dhe portale informative shqiptare, rreth dominimit të politikes serbe dhe turke në Kosovë. Ky alarm i imi ishte shqetësues për atdhetarët shqiptarë kudo në botë, por nuk u prit mirë nga qarqet politike në Kosovë, e që janë përques të dominimit të politikës turko-serbe në Kosovë. Kohë më parë kisha njoftuar opininin shqiptarë me këto shkrime si, „Dy re të zeza mbi Prizrenin“, „Udhëkryqet shqiptare në mes perëndimit dhe lindjes apo Bashkimi Kombëtarë si rrugë e vetme në 100 vjetorin e Pavarsisë“, „Pse Evropa e ka harruar Kosovën“, Me Beslidhje Kastriotike drejt Shqipërisë Etnike“, apo dhe, „Mallin e shkret e hanë kuajtë e verbër“, „Në Kosovë vriten atdhetarët e perfitojnë pushtetarët“, apo, „Punon fatkeqi e han barkdreqi“, dhe shumë paraqitje të tjera që kishin qëllim parësorë vetëdisimin e shqiptarëve, e që mos ta pranojnë dominimin e politikës serbo-turke në Kosovë. Personalisht e dhashë edhe një shembull konkret të mospranimit të këtyre dy politikave serbo-turke në Kosovë, ku me fakte demantova vendimin e Parlamentit të Kosovës mbi ligjin famëkeq mbi Qendrën Historike të Prizrenit i aprovuar nga Parlamenti i Kosovës i cili jepte kompetenca të paparashikueshme ndonjëherë Kishës Ortodokse serbe, si dhe për një kohë të gjatë e mbrojta logon e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e ku në kët rast ishte direkt e involvuar politika turke e Erdoganit, për heqjen e kësaj logo të shenjtë, sepse i pengonte dhe sot e kësaj dite i pengon politikës turke Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Edhe në këtë rast fatkeqsishtë Asambleja Komunale e Prizrenit e pranoi këtë shëmti, të paparë ndonjëherë tek shqiptarët e vertetë. Aty kam vërtetuar përsonalisht se Politika e Kosovës është nën ndikimin e politikës serbe dhe turke, dhe mua s‘më mbeti gjë tjetër përveç që publikisht të deklaroj dorëheqjen time të parevokushme nga detyra e këshilltarit Komunal në Prizren, dhe të njoftoj opinionin e gjerë shqiptarë, se Asambleja Komunale e Prizrenit është një Asamble e cila është si një Asamble e një Lagjeje periferike të Stambollit, e cila komplet punon për Interesa Turke në Prizren. Fatkeqishtë koha e vërtetoi, se unë kisha të drejtë. E them fatkeqsisht për faktin se kisha dëshirë që mos të kisha të drejtë dhe që politika e Kosovës në përgjithësi, e ajo e Prizrenit në veçanti të orientohen drejtë integrimit të Kosovës në Evropë, por politika në Kosovë tani ka marrë kahje komplet në të kundërten, – pra, ka marrë kahje Aziatike, më një dominim të fortë ruso-serb në këtë politikë. Vizitat e kohëpaskohëshme që bëjnë zyrtarët serbë në Kosovë, Daciq, Vuliç dhe ndonjë tjetër, ku deklarojnë haptas, se Kosova është Serbi, dhe nuk mirret asnjë masë nga udhëheqsit politikë të Kosovës, për tu penguar këto vizita, përveç se ndonjë deklaratë e Hajredin Kuqit që ka për qëllim të bëj biznes politik, dhe që e demanton vetën ende pa dalë ditën tjetër në mjetet e informimit, ende pa le dielli në mëngjes fjalet e Hajredin Kuqit i merr era, dhe ato fjalë tani më janë shëndrruar në objekt talljeje tek populli shqiptar në Kosovë, ku thuhet se: “Kur flet Hajredin Kuqi, në mes të pranverës bie dushku”. Ky veprim i tij është një papërgjegjësi e plotë e fjalës publike të një politikani kontravers që e luan rolin e një politikani të dirigjuar, sikurse të ishte një figurë shahu që lëvizet në çdo drejtim nga shefi i ti Hashim Thaçi. Derisa politikanët serbë për çdo ditë bëjnë propagandë politike në Kosovë pa u penguar fare, sikur Kosova të mos ketë fare institucione shtetërore, këtë propagandë zgjedhore tani e kanë filluar edhe politikanët Turqë. Në fjalimin e djeshëm elektoral në Prizren Erdogan deklaroi publikisht, se Kosova është Turqi, Daciq deklaron, se Kosova është Serbi, dhe unë e njoftoj opinionin e gjër shqiptar, se Kosova tani është mbetur pa zot shpije ku kullosin turqë e shkije. Për këtë tubim elektoral ne Prizren mjetet e informimit njoftojnë, se “Thaçi, Rama dhe Erdogan nuk janë ndalur së shprehuri se janë vëllezër, edhe gjatë vizitës së tyre në Prizren, ku u priten nga shumë qytetarë. Meqë i gjithë ky organizim u bë në kohë fushate, në këtë tubim, në secilin fjalim të tyre, përkrahje iu dha Ramadan Mujës, i cili është kandidat për kryetar të kësaj komune. Kryeministri i Turqisë tha se e falënderon Mujën që personalisht e ka ftuar të marrë pjesë në këtë tubim”. Prandaj, tanimë, elektorati shqiptar në Kosovë, e sidomosë ai në Prizren, duhet ta ketë të qartë, se çdo votë që iu ipet PDK dhe AKR, në Kosovë e në veçanti në Prizren, është votë që Kosovën e largon nga rruga e nisur drejtë integrimitë të Kosovës në Bashkimin Evropian, është votë e cila Kosovën e afron edhe më shumë me politikat serbo-turke, është votë që shqiptarët i orienton drejtë shkrepave të Azisë ku fatkeqsishtë në këto shkrepa tani kemi edhe djemë shqiptarë që po e humbin jetën pa nevojë për pazare të politikës ditore Aziatike, siç është rasti i Sirisë. Dhe për fund shpirtërishtë do ta ndjeja vetën shumë keq, sikurse që mosë ta njoftoja opinionin shqiptar në përgjithësi për një marrëveshje të dytë, që është bërë kohë më parë në mes të Turqisë dhe Serbisë, sepse, për të parën tani opinioni i gjërë shqiptarë është i njoftuar e cila solli pastrimin e trojeve shqiptare dhe dëbimin e shqiptarëve në Turqi, ku Qeveria e asaj kohe e Turqisë aq “respekt” që kishte për shqiptarët, ku për çdo shqiptar që mirrte në shtetin e saj i ipte ish qeverisë jugosllave një mushk. Pra shqiptarët e dëbuar nga toka e Arbërisë shkonin në Turqi me vlerën e një mushke! Ndërsa në marrëveshjen tjetër politike që është tani në veprim në mes të Turqisë dhe Serbisë, Turqia ka marrë obligim që të shtrijë ndikimin politik, ekonomik dhe fetar mbi Kosovën, dhe Kosovën sërish ta kthej nën kthetrat e Serbisë. Prandaj neve Shqiptarëve s‘na mbetet rrugë tjetër përpos ringjalljes së ndërgjegjës Kastriotase, themelimit të një Beslidhje Kastriotike, lidhjes së kësaj Beslidhje me botën Përendimore në përgjithësi e në veçanti me politikën Gjermane. Nëse nuk bëhet kjo, shumë shpejtë Kosova do të vazhdon të mbetet pa përkrahje ndërkombëtare, Evropa mund të shihet vetëm në ëndërr, ndërsa nëpër fushat e Kosovës, sikur hije do të kullosin turqë e shkije.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, kullosin turq e shkije, Nue Oroshi, shtet pa zot shpie

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT