• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Energjia-Takim në Sarajevë, Kosova merr Presidencën

October 14, 2016 by dgreca

 

1-sarajeve

-Kosova merr Presidencën në kuadër të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për 2017-ën/

-Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë do mbahet në Prishtinë/

2-stavileciPRISHTINË, 14 Tetor 2016-B.Jashari/ Në takimin e14-të të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë që po mbahet në kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Sarajevë, Kosova mori Presidencën për vitin 2017.

Ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci pas marrjes së presidencës nga homologu i tij nga Bosnja dhe Hercegovina prezantoi prioritet e propozuara nga Kosova për vitin e ardhshëm që do të jenë njëkohësisht edhe prioritet e këtij komuniteti.Sipas tij, këto prioritete janë në linjë me obligimet kontraktuale që Kosova ka në kuadër të Komunitetit të Energjisë si dhe janë të bazuara nga konkluzionet e axhendës së Parisit, me fokus te kapitulli i zhvillimit të qëndrueshëm, efiçienca e energjisë, burimet e ripërtëritshme dhe ambienti.

Gjithashtu, gjatë vitit të ardhshëm do të vazhdohet me procesin e reformave në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet liberalizimit dhe integrimin në tregun rajonal.Një nga të arriturat shumë të rëndësishme sa i përket Kosovës në këtë takim është miratimi njëzëri i aneksit 8, i cili dëshmon për interferimin e Serbisë dhe krijimin e barrierave në operim të Operatorit kosovar të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut  (KOSTT), parim ky që bie ndesh me përgjegjësitë kontraktuale ndaj Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Ky është edhe një hap që e dëshmon se Serbia duhet të tërhiqet nga interferimi në operim dhe të hyrat e KOSTT, po ashtu shtron nevojën që KOSTT sa më parë të njihet si zonë rregulluese e pavarur në kuadër të ENTSO-I, thekson njoftmi dërguar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës.

Në  kuadër të takimit të 14-të, Gjeorgjia u anëtarësua me të drejta të plota në Komunitetin e Energjisë dhe kjo tregon se komuniteti është një nga partnerët më strategjikë për sektorin e energjisë.Duke përfunduar, ministri kosovar Stavileci uroi që ky vit të jetë një vit i suksesshëm dhe realizimit të prioriteteve. Ai  po ashtu ftoi homologët e tij për pjesëmarrje në takimin e radhës, i cili do të mbahet në Prishtinë në fund të vitit të ardhshëm.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Energjia, kosova, presidenca, sarajeve

Rama-Vuçiç-it:Serbia duhet sa më parë ta pranojë Kosovën

October 13, 2016 by dgreca

*Kryeminsitri Rama e ka shtruar pyetjen se ndoshta Serbia “dëshiron që ta transferojë” këtë ndërmarrje dhe theksoi se Trepça gjendet në territorin e Kosovës./

1-rama-vuciq

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një debati në kuadër të Forumit të Sigurisë në Beograd, të enjten ka kërkuar nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, që Serbia ta njohë Kosovën sa më parë.

“Qëndrimi im është që Serbia duhet sa më parë ta pranojë Kosovën, sepse kështu do të jetë më mirë për të gjithë”, tha zoti Rama, dhe ka shtuar se “ekziston procesi, të cilin e mbështes, e ky është dialogu, që është mjet i rëndësishëm për të ardhmen”.

Ai ka përsëritur se Kosova është çështje për të cilën Shqipëria dhe Serbia nuk pajtohen, ndërsa njëra nga çështjet aktuale e këtyre mospajtimeve, është pronësia e kombinatit Trepça.

Zoti Rama e ka shtruar pyetjen se ndoshta Serbia “dëshiron që ta transferojë” këtë ndërmarrje dhe theksoi se Trepça gjendet në territorin e Kosovës.

“Njerëzit duhet ta kuptojnë se Trepça është xeherore në territorin e Kosovës dhe iu takon qytetarëve të Kosovës, pavarësisht se a janë shqiptarë apo serbë”, tha Edi Rama.

Gjatë debatit, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi do ta vazhdojë dialogun me Prishtinën.

“Kam shumë argumente të them se pala tjetër është fajtore, por këtë nuk do ta them”, tha Vuçiq, dhe ka shtuar se “konkludimi im është se do ta vazhdojmë dialogun në mënyrë energjike dhe të përkushtuar, sepse ky është kusht për zhvillim të të gjithë rajonit, përmirësimit të standardit në Serbi dhe këtë duhet ta bëjmë për të ardhmen e raporteve serbo-shqiptare, që janë dy kombet më të mëdha në Ballkan”.

Duke u shprehur për arrestimin e zyrtarit të latë të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, Vuçiq ka theksuar se edhe ai si kryeministër i Serbisë ka mundur që si argument kyç për ndërprerjen e dialogut ta përdorë rastin e Oliver Ivanoviqit, i cili tash e dy vjet e gjysmë gjendet në burg në Mitrovicë.

“A mendoni me të vërtetë se dikush për shkaqe politike e ka arrestuar Thaçin”, e ka shtruar pyetjen Aleksandar Vuçiqi, dhe ka shpjeguar se ai është arrestuar “në bazë të një fletarresti të vitit 1997”.

Kuvendi i Kosovës tashmë e ka miratuar një rezolutë, me të cilën kërkon lirimin e menjëhershëm të drejtorit rajonal të policisë, Nehat Thaçi, i cili po mbahet nën masën e arrestit në Serbi.

Duke u shprehur për integrimet euroatlantike, Aleksandar Vuçiq, tha se në mesin e popullit ekziston një mbështetje e gjerë për prani më të madhe të Rusisë në Serbi.

“Ju kam thënë qytetarëve se jam kryeministër derisa jemi në rrugën evropiane, por njëherësh do të punoj për t’i ruajtur raportet e mira me Rusinë”, tha Vuçiq.

Për procesin e integrimit evropian, zoti Vuçiq, ka theksuar:

“Ne nuk duhet të turpërohemi se jemi nga Ballkani…por problemi është se shumë njerëz duhet ta kuptojnë vullnetin e popullit dhe atmosferën e përgjithshme, që të gjithë ne e kemi keqkuptuar, së bashku me udhëheqjen evropiane”, tha Vuçiq, dhe ka shtuar se në Ballkan po shtohet nacionalizmi.

Duke u shprehur për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, kryeministri i Shqipërisë, Rama, tha se ky proces është “rrugë e modernizimit”.

“Mendoj se ne, së paku këtu në Ballkan, duhet ta kemi të qartë një pikë të thjeshtë. Procesi i Bashkimit Evropian për ne nuk është udhëtim për të shkuar diku, por është rrugë e modernizimit, e cila është e mundshme për shoqëritë tona, që ta plotësojmë hendekun kah e ardhmja. Kjo është e mundshme vetëm nëpërmjet procesit të integrimit evropian”, tha Edi Rama. (REL) Përgatiti: Fatmir Bujupi

***

Rama: Serbia ta njohë sa më parë Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nisur vizitën dyditore në Serbi me një debat me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, në Forumin për Siguri në Beograd.

Rama përsëriti se me Vuçiqin nuk pajtohen rreth çështjes së Kosovës.

“Qëndrim i imi është që Serbia, sa më parë, ta njohë Kosovën, sepse një gjë e tillë do të ishte e mirë për të gjithë”, tha Rama.

Sa i përket mosmarrëveshjeve të Beogradit dhe Prishtinës në lidhje me kombinatin Trepça, Rama tha se Trepça ndodhet në territorin e Kosovës dhe se u takon qytetarëve të Kosovës.

Vuçiq deklaroi se Beogradi do të vazhdojë dialogun me Prishtinën.(Europa e Lire)

 

Filed Under: Komente Tagged With: kosova, Rama-Vucic, Serbia, Trepca

Kosovë-Tre opsionet shqiptare të vitit 1991

October 11, 2016 by dgreca

ibrahim-rugova_rexhep-ismajli_fehmi-agani

-Çerek shekulli nga Deklarata politike për tre opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare e 11 tetorit 1991, të cilën partitë politike nga trojet etnike e nxorën në Prishtinë/

-“Ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, shprehej Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive para 22 viteve/

presidenti-ibrahim-rugova-e-behlul-jashari-shkurt-2005-ne-60-vjeotrin-e-gazetes-rilindja

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

shtepia-pavaresise-ibrahim-rugova-mbledhje-foto-behlul-jashari

PRISHTINË, 11 Tetor 2016/ Para çerek shekulli, në vitin 1991, Referendumi me të cilin Kosova shpallej Republikë sovrane dhe e pavarur, i mbajtur nga 26 deri 30 shtator me  99,87 për qind të votave pro, pasohej edhe me zhvillime tjera në angazhimet për realizimin e vullnetit kombëtar e demokratik të shqiptarëve në trojet e tyre jashtë kufirit të Shqipërisë. “Deklarata politike për tri opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare më 1991”, është një nga dokumentet e atyre zhvillimeve historike.

Pikërisht para 25 viteve, në 11 tetor 1991, në Prishtinë, është miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm  të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet  sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e  shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë”.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova,  në intervistën që kam zhvilluar në shtatorin 1994 – intervistën e parë ekskluzive të një Presidenti të Kosovës për ATSH-në, duke përkujtuar e vlerësuar dokumentin e tre opsioneve  theksonte se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

“Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?”, ishte një nga pyetjet, në të cilën Presidenti Rugova përgjigjej:

“Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë,  atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.

Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces.

Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës.

Një pyetje tjetër ishte: “Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?”.

Përgjigja e Presidentit Rugova ishte: “Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.

Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.

Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.

Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken”.

Në intervistën që e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, Rugova falenderonte dhe vlerësonet ATSH-në, për informimin nga Kosova e për Kosovën.
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që përfaqëson Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive për ATSH-në derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.

Ai theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova.
Presidenti Rugova besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte.
“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë  është marrë në konsiderim, dhe po  shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej  Rugova para 22 viteve në intervistë për ATSH-në, ku parashikonte ngjarjet dhe zhvillimet që ishin si ëndërr, por që pasuan dhe u bënë realitet.

Këshilli Koordinues

Më 1991 formohet Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare të Kosovë

Më 22 korrik 1991, Partitë Politike shqiptare të Kosovës u pajtuan dhe morën vendim që të themelojnë Këshillin Koordinues të Partive Politike Koordinues të Partive Politike shqiptare të Kosovës, me qëllim të zhvillimit, bashkëpunimit dhe të koordinimit të aktivitetit ndërmjet tyre, si subjekte politike të popullit shqiptar, të konstituimit të ndërsjellë të tyre dhe ndërtimit të platformës dhe të strategjisë së përbashkët për të realizuar synimet e shqiptarëve dhe për t’iu kundërvënë me sukses masave që po ndërmerr pushtuesi për thyerjen e qenies kombëtare dhe për rrënimin e çdo subjektiviteti e sovraniteti të shqiptarëve në Jugosllavi.
Këshillin Koordinues, si subjekte të mëvetësishme dhe të barabarta, e përbëjnë këto parti politike: Lidhja Demokratike eKosovës, Partia Parlamentare e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Socialdemokratee Kosovës dhe Partia Republikane e Kosovës.
Formimi i këtij Këshilli le të hapura mundësi për forma të reja të organizimit dhe të koordinimit ndërmjet të gjitha partivepolitike shqiptare dhe të asociacioneve të tjera.
Këshilli koordinues vendos në pajtueshmëri të plotë të subjekteve politike që e përbëjnë.
Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës u zgjodh dr.Ibrahim Rugova.

Deklarata politike për tri opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare më 1991/

1-Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika eKosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.

2.    Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë përserbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.

3.    Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.

Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush. Kriza në Jugosllavi filloi në Kosovë, me pakënaqësinë e shprehur të popullit shqiptar me pozitën e tij dhe kurrsesi nuk mund të përfundojë pa pjesëmarrjen e më se tre milionë shqiptarëve në Jugosllav. Populli shqiptar rreth shtatë milionësh, si popull autokton e me traditë evropiane, ishte, është dhe do të jetë faktor tejet i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkan dhe në Evropë.

Prishtinë, 11 tetor 1991

Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi

Dr.Ibrahim Rugova, kryetar

1.     Lidhja Demokratike e Kosovës

2.     Partia e Prosperitetit Demokratik

3.     Lidhja Demokratike në Mal të Zi

4.     Partia për Veprim Demokratik

5.     Partia Fshatare e Kosovës

6.     Partia Shqiptare Demokristiane

7.Partia Parlamentare e Kosovës

8-    Partia Socialdemokratike e Kosovës

9.     Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar

10.     Partia Popullore Shqiptare

11.     Partia Demokratike Shqiptare

 

Filed Under: Histori Tagged With: 1991, kosova, Tre opsionet

Kosova deri në fund të vitit arrinë 115 njohje

October 1, 2016 by dgreca

-Ministri Hoxhaj zhvilloi 76 takime në New York, paralajmëron tre njohje të reja/

-Në 22 korrik 2016 Kosova ka marrë njohjen nga Suriname, të 112-tën që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008/

PRISHTINË, 30 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Brenda këtij viti pavarësia e Kosovës do të arrijë në 115 njohje, pasi do të njihet edhe nga tre shtete, paralajmëroi sot në një konferencë shtypi ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.Ai tha se konfirmimin për këtë e ka marrë gjatë takimeve që ka zhvilluar në New-York, ku ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me ç’rast ka realizuar më shumë se 70 takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme.

“Qëllimi jonë i parë në Asamble të Përgjithshme ka qenë se si të ecim më tutje me njohjet ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, kemi takuar përfaqësues të 30 shteteve jonjohëse dhe prej tyre kemi marrë qëndrime pozitive se do ta njohin Kosovën. Deri në fund të këtij viti do të jenë tre vende që do ta njohin pavarësinë e Kosovës”, tha ministri Hoxhaj.

Ai theksoi se qëllimi i dytë gjatë pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë ka qenë zyrtarizimi i raporteve ndërshtetërore me disa nga shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën, me qëllim të avancimit të raporteve bilaterale.

“Fokusi i dytë ka qenë nënshkrimi i marrëveshjeve të marrëdhënieve diplomatike me vendet të cilat e kanë njohur Kosovën por që nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike. Është bërë nënshkrimi i marrëveshjes për marrëdhënie diplomatike me Gambinë, Malavin dhe me Bregun e Fildishtë. Ndërkohë kemi arritur të sigurojmë mbështetje nga Kolumbia, Omani, Jemeni, Samoa dhe Toga për të nënshkruar marrëveshje të marrëdhënieve diplomatike gjatë dy muajve të ardhshëm”, u shpreh ministri Hoxhaj.

Duke theksuar se nënshkrimi i marrëveshjeve për marrëdhënie diplomatike është faza e dytë më e rëndësishme pas njohjes nga shtetet, pasi që pas nënshkrimit sigurohet vota për përkrahje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ministri Hoxhaj e ka vlerësuar këtë proces kaptinë të re për një bashkëpunim më të ngushtë në fusha të ndryshme.

“Fokusi i tretë është sigurimi i votave për Kosovën nëse ne aplikojmë në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe në këtë drejtim ne kemi arritur që të takojmë ministra të jashtëm të Emirateve, Ganës, Tajlandës, Tanzanisë, Egjiptit, Grenadës dhe të shteteve të tjera, prej të cilëve kemi marrë premtimet se nëse Kosova aplikon në ndonjë organizatë ndërkombëtare, në ndonjë agjenci të Kombeve të Bashkuara apo në ndonjë mekanizëm multilateral këto vende do ta mbështesin Kosovën që të anëtarësohet në to”, tha Hoxhaj.

Ai vijoi se, “ideja që të anëtarësohemi nëpër organizata nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e sovranitetit, por ka të bëjë edhe me ushtrimin e sovranitetit dhe pikërisht detyra jonë si MPJ është që ta ushtrojmë sovranitetin. Dhe ne mund ta ushtrojmë sovranitetin përmes organizatave, duke promovuar një politikë të jashtme që i përmbush kërkesat tona të brendshme”.

Hoxhaj tha se, fokusi i radhës gjatë takimeve në New York ka qenë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Vendimmarrja për liberalizimin e vizave sa është e institucioneve në Bruksel po aq është edhe e shteteve nacionale. Dhe në këtë drejtim gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme kam takuar ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës, Bullgarisë, Greqisë, Sllovakisë, Polonisë, Hungarisë, Maltës, Kroacisë, Letonisë dhe Lituanisë me qëllim që nga këto vende të sigurojmë mbështetje dhe zotim për liberalizimin e vizave”, bëri të ditur ministri Hoxhaj.

Ai gjithashtu theksoi se gjatë takimeve me zyrtarë të lartë të shteteve partnere ka diskutuar edhe për avancimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe NATO-së dhe për bashkëpunimin me organizata të ndryshme multilaterale.

Në 22 korrik 2016 Kosova ka marrë njohjen nga Suriname, të 112-tën që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.

Filed Under: Analiza Tagged With: 115 njohje, fundviti, kosova

SHBA, Kosovës 27 milionë dollarë shtesë prej USAID-it

September 27, 2016 by dgreca

-Ambasadori  Delawie: Ne po e ndihmojnë Kosovën që të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të hiqen pengesat ndaj zhvillimit ekonomik, si dhe të rritet besimi i qytetarëve në institucionet demokratike/

PRISHTINë, 27 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me Drejtorin e Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, në prezencën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, si dhe Zëvendëses së lartë të Ndihmës-Administratorit të USAID-it nga Byroja për Evropë dhe Euroazi, Margot Ellis, sot kanë nënshkruar amendamentin e 7-të të Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore.

Me nënshkrimin e këtij amandamenti, Kosova përfiton një shumë shtesë prej rreth 27 milionë dollarë, duke bërë kështu që shuma totale e grantit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën të arrijë në mbi 130 milionë dollarë.

Duke folur për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, presidenti Thaçi theksoi se ky është vërtetim i partneritetit që kemi me SHBA-në në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës, veçanërisht në përmirësimin e sundimit të ligjit, qeverisjes, si dhe në shtimin e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës në sektorin privat.

“I jemi mirënjohës administratës amerikane dhe tërë popullit amerikan për mbështetjen e vazhdueshme vëllazërore për popullin e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kurse, ambasadori  Delawie tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen si përkushtim i vazhdueshëm për të ndihmuar Kosovën që të adresojë sfidat zhvillimore dhe progresin drejt një të ardhme më të qëndrueshme evropiane.

“Ne po e ndihmojnë Kosovën që të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të hiqen pengesat ndaj zhvillimit ekonomik, si dhe të rritet besimi i qytetarëve në institucionet demokratike të Kosovës. Zhvillimi i qëndrueshëm ishte tema kyçe e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë vit. Dhe është e duhur që ta përmbyllim ngjarjen e sotme, duke u zotuar të gjithë së bashku për të përmbushur objektivat zhvillimore të Kosovës përmes një partneriteti dhe bashkëpunimi efektiv dhe pune të palodhshme”, ka thënë ambasadori Delawie.

Amendamenti i 7-të i Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore është vazhdimësi e amendamenteve të marrëveshjes bazë, të nënshkruar më 9 tetor 2013, në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Bazuar në këtë marrëveshje, Kosova është përfituese në realizimin e tri objektivave zhvillimore. Objektiva e parë është përmirësimi i sundimit të ligjit dhe qeverisja që i plotëson nevojat e qytetarëve, e dytë është shtimi i investimeve dhe krijimi i punësimit në sektorin privat, kurse e treta është dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 27 milionë dollarë, kosova, USAID

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër
  • KRIJIMTARIA POETIKE E DRITËRO AGOLLIT
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN
  • Ja pse Venezuela e Maduros nuk është viktimë, dhe pse SHBA po vepron ?
  • Rizza Milla: Radio “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago, 3 dekada në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare
  • Promovohet filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”
  • SHKRIMTARËT, LEXUESIT, KRITIKA…
  • REZISTENCA ANTIFASHISTE SHQIPTARE NË KONTEKSTIN E KOMBEVE TË BASHKUARA KUNDËR NAZIZMIT GJERMAN NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE
  • The Making of the Little Albania in the Bronx Map
  • “TOKA JONË: FILMI, ARKIVA, HISTORIA”
  • Historia e Postës Shqiptare, ura e komunikimit mes shqiptarëve
  • Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Urdhrit Mbretëror të Skënderbeut
  • E vërteta do të vazhdojë të flasë…
  • Luigji Pirandelo njihte gjuhën shqipe, a ishte arbëresh?
  • KRONIKA E KOHËS SË REVOLTËS…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT