-Ministri Hoxhaj zhvilloi 76 takime në New York, paralajmëron tre njohje të reja/
-Në 22 korrik 2016 Kosova ka marrë njohjen nga Suriname, të 112-tën që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008/
PRISHTINË, 30 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Brenda këtij viti pavarësia e Kosovës do të arrijë në 115 njohje, pasi do të njihet edhe nga tre shtete, paralajmëroi sot në një konferencë shtypi ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.Ai tha se konfirmimin për këtë e ka marrë gjatë takimeve që ka zhvilluar në New-York, ku ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me ç’rast ka realizuar më shumë se 70 takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme.
“Qëllimi jonë i parë në Asamble të Përgjithshme ka qenë se si të ecim më tutje me njohjet ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, kemi takuar përfaqësues të 30 shteteve jonjohëse dhe prej tyre kemi marrë qëndrime pozitive se do ta njohin Kosovën. Deri në fund të këtij viti do të jenë tre vende që do ta njohin pavarësinë e Kosovës”, tha ministri Hoxhaj.
Ai theksoi se qëllimi i dytë gjatë pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë ka qenë zyrtarizimi i raporteve ndërshtetërore me disa nga shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën, me qëllim të avancimit të raporteve bilaterale.
“Fokusi i dytë ka qenë nënshkrimi i marrëveshjeve të marrëdhënieve diplomatike me vendet të cilat e kanë njohur Kosovën por që nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike. Është bërë nënshkrimi i marrëveshjes për marrëdhënie diplomatike me Gambinë, Malavin dhe me Bregun e Fildishtë. Ndërkohë kemi arritur të sigurojmë mbështetje nga Kolumbia, Omani, Jemeni, Samoa dhe Toga për të nënshkruar marrëveshje të marrëdhënieve diplomatike gjatë dy muajve të ardhshëm”, u shpreh ministri Hoxhaj.
Duke theksuar se nënshkrimi i marrëveshjeve për marrëdhënie diplomatike është faza e dytë më e rëndësishme pas njohjes nga shtetet, pasi që pas nënshkrimit sigurohet vota për përkrahje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ministri Hoxhaj e ka vlerësuar këtë proces kaptinë të re për një bashkëpunim më të ngushtë në fusha të ndryshme.
“Fokusi i tretë është sigurimi i votave për Kosovën nëse ne aplikojmë në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe në këtë drejtim ne kemi arritur që të takojmë ministra të jashtëm të Emirateve, Ganës, Tajlandës, Tanzanisë, Egjiptit, Grenadës dhe të shteteve të tjera, prej të cilëve kemi marrë premtimet se nëse Kosova aplikon në ndonjë organizatë ndërkombëtare, në ndonjë agjenci të Kombeve të Bashkuara apo në ndonjë mekanizëm multilateral këto vende do ta mbështesin Kosovën që të anëtarësohet në to”, tha Hoxhaj.
Ai vijoi se, “ideja që të anëtarësohemi nëpër organizata nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e sovranitetit, por ka të bëjë edhe me ushtrimin e sovranitetit dhe pikërisht detyra jonë si MPJ është që ta ushtrojmë sovranitetin. Dhe ne mund ta ushtrojmë sovranitetin përmes organizatave, duke promovuar një politikë të jashtme që i përmbush kërkesat tona të brendshme”.
Hoxhaj tha se, fokusi i radhës gjatë takimeve në New York ka qenë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Vendimmarrja për liberalizimin e vizave sa është e institucioneve në Bruksel po aq është edhe e shteteve nacionale. Dhe në këtë drejtim gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme kam takuar ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës, Bullgarisë, Greqisë, Sllovakisë, Polonisë, Hungarisë, Maltës, Kroacisë, Letonisë dhe Lituanisë me qëllim që nga këto vende të sigurojmë mbështetje dhe zotim për liberalizimin e vizave”, bëri të ditur ministri Hoxhaj.
Ai gjithashtu theksoi se gjatë takimeve me zyrtarë të lartë të shteteve partnere ka diskutuar edhe për avancimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe NATO-së dhe për bashkëpunimin me organizata të ndryshme multilaterale.
Në 22 korrik 2016 Kosova ka marrë njohjen nga Suriname, të 112-tën që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.