• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në axhendën evropiane…Do të vazhdojë të ketë përkrahjen e BE-së

September 13, 2016 by dgreca

 

2-mustafa-apostolova-Shefja e re e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e Bashkimit Evropian (PPBE) në Kosovë, Natalia Apostolova: Që nga viti 1999, tre miliardë dollarë të asistencës së BE-së në Kosovë. Duam ta sjellim MSA-në më afër njerëzve, për këtë kemi krijuar një instrument të ri të quajtur Axhenda Evropiane e Reformës. Për liberalizimin e vizave, BE-ja është shumë e vetëdijshme se sa i rëndësishëm është për Kosovën/

-Dimitris Avramopolous i ka deklaruar Minsitrit te Jashtem, kryediplomatit te Kosoves, z. Enver Hoxhaj, se beson që kilometri i fundit i Kosoves drejt Evropës pa viza nuk do të zgjasë edhe shumë/

PRISHTINË, 13 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Avancimi i rrugës evropiane të Kosovës është biseduar sot në një takim njoftues të kryeministrit Isa Mustafa me shefen e re të Zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e Bashkimit Evropian (PPBE) në Kosovë, Natalia Apostolova.

“Në takimin me kryeministrin e përsërita edhe një herë përcaktimin tonë të plotë që Kosova është lartë në axhendën evropiane dhe se Kosova do të vazhdojë të ketë përkrahjen e BE-së në rrugën e saj evropiane”, u shpreh ajo pas pritjes në kryeministri.

Apostolova tha se, Bashkimi Evropian është partneri, donatori dhe përkrahësi kryesor tregtar i Kosovës. “Që nga viti 1999 tashmë kemi shpenzuar 3 miliardë dollarë të asistencës së BE-së. Kemi krijuar vende pune, po e ndihmojmë ekonominë e vendit dhe po bëjmë gjithçka që qytetarët e Kosovës të jetojnë më mirë”, theksoi ajo.

Në të njëjtën kohë, vijoi Apostolova, i thashë kryeministrit se tash që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është nënshkruar, puna e vështirë fillon tani.

“Puna do të jetë shumë intensive. Bashkimi Evropian, Zyra e BE-së dhe PPBE do të ju qëndrojnë pranë për t’ju përkrahur në këtë rrugëtim shumë sfidues. I theksova kryeministrit që duam ta sjellim MSA-në më afër njerëzve. Për këtë ne kemi krijuar një instrument të ri të quajtur Axhenda Evropiane e Reformës. Shumë shpejtë do të kemi vizita në Kosovë nga Drejtori i Përgjithshëm Danielsson dhe Komisioneri Hahn për të shpjeguar iniciativat konkrete që rrjedhin nga kjo Axhendë e Reformave në mënyrë që të paraqesin idenë evropiane te qytetarët”, tha ajo.

Shefja e Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së bëri të ditur se i ka thënë gjithashtu kryeministrit që janë të interesuar për zhvillimin e institucioneve në Kosovë dhe në këtë kontekst sidomos për shtyllën e qeverisjes së mirë.

“I kërkova kryeministrit të na njoftojë me masat konkrete që qeveria po ndërmerr në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, sepse kjo është diçka ku Kosova ka hapësirë për përmirësim. Ne jemi këtu për ta ndihmuar qeverinë në këtë përpjekje”, theksoi përfaqësuesja e BE-së.

Apostolova tha se në takim me kryeministrin Mustafa kanë folur edhe për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i cili është shumë i rëndësishëm. “Siç tha edhe kryeministri, ne jemi të interesuar shumë për intensifikimin e tij”, vijoi ajo.

Përfaqësuesja e BE-së tha se, u pajtuam me kryeministrin që të kemi takime të rregullta në mënyrë që zyrat tona të gjejnë mënyrat për të avancuar më tej axhendën evropiane të Kosovës.

“Për liberalizimin e vizave, theksova se BE-ja është shumë e vetëdijshme se sa i rëndësishëm është për Kosovën. Ne po punojmë shumë me Parlamentin Evropian dhe me shtetet anëtare për këtë çështje. Por, Kosova duhet gjithashtu të veprojë sa i përket demarkacionit të kufirit si dhe luftës kundër korrupsionit. Do të ndihmojmë kryeministrin dhe qeverinë në këtë përpjekje gjithashtu”, tha ajo.

Si PPBE, vijoi Apostolova, kam theksuar se të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve, shoqëria civile, të drejtat e grave dhe fëmijëve do të jenë prioriteti im. “Unë do të punoj ngushtë me kryeministrin dhe zyrën e tij në këto çështje, si dhe në luftën kundër terrorizmit i cili është një kërcënim për të gjithë ne”, tha përfaqësuesja e BE-së.

Apostolova në përfundim të fjalës e falënderoi shumë kryeministrin për këtë vizitë të parë duke u shprehur se pret që të kenë një bashkëpunim të dobishëm në të ardhmen.

Ndërsa, fillimisht tha se është e nderuar dhe me entuziazëm po e merrte detyrën e re si Shefe e Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë.

“Po e them këtë duke e pasur në mendje përvojën time shtatë vjeçare në procesin negociator të vendit tim Bullgarisë me Bashkimin Evropian. Prandaj, ajo që i thashë kryeministrit është se e njoh shumë mirë se çfarë pune të vështirë keni para vetes por që unë jam shumë e gatshme të ju përkrah pa rezervë në këtë proces”, tha ajo.

Shefja e re e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me kombësi bullgare, takimin e parë njohës e ka zhvilluar me presidentin Hashim Thaçi, një ditë pasi mori detyrën në 1 shtator, kur në të njëjtën datë kanë marrë pozitat tre krerë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë – edhe Shefja e re e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), grekja Alexandra Papadopoulou dhe komandanti i ri i KFOR-it, Gjeneral Majori italian, Giovanni Fungo.

DEKLARATA E PLOTË E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA:Pata nderin të pres në takim njoftues znj. Natalia Apostolova, e cila tash e tutje do të jetë Shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, si dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë.

I dëshirova mirëseardhje dhe suksese në detyrën e saj e cila ka rëndësi për avancimin e shumë proceseve për Kosovën në Bashkimin Evropian.

Duke  pasur parasysh përvojën shumë të pasur të znj. Apostolova në kuadër të Bashkimit Evropian në Bullgari, por edhe përfaqësimit të saj në vendet e tjera mbi 25 vjet, besoj se ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer dhe rezultativ që e kemi pasur edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, në mënyrë që Kosova të gjejë vendin e vet dhe të intensifikohen edhe më tutje marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit biseduam për proceset konkrete që kanë të bëjnë me avancimin e rrugës evropiane të Kosovës.

Biseduam për procesin e Stabilizim Asocimit,  proces i cili po tregohet i suksesshëm në Kosovë, por që dëshirojmë që edhe më tutje ta dinamizojmë dhe të implementojmë me sukses këtë marrëveshje.

Biseduam po ashtu për procesin e dialogut me Serbinë dhe përkushtimin e Kosovës për dialogun, por po ashtu theksova nevojën që Bashkimi Evropian të bëjë trysni mbi Serbinë, në mënyrë që të implementohen marrëveshjet e deritanishme të arritura, sepse ka zvarritje të këtyre marrëveshjeve, të cilat ndikojnë pastaj edhe në zvarritjen e proceseve europianizuese, për të cilat ne jemi të interesuar në mënyrë esenciale.

Biseduam po ashtu edhe për procesin e liberalizimit të vizave, si një proces shumë i rëndësishëm për ne. Theksova përkushtimin tonë që ne të përplotësojmë edhe kriterin e fundit, i cili ka mbetur, por po ashtu edhe falënderova për vendimin e LIBE-s, që me këtë të procedohet në Parlamentin Evropian, që është një besim për Kosovën, por po ashtu edhe për të gjithë atë që Kosova ka bërë deri më tani në plotësimin e të gjitha kritereve, të cilat kanë qenë shumë më shumë sesa kriteret që i kanë pasur vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian me të gjithë mekanizmat po përkrahë Kosovën, por ne po ashtu kërkojmë përkrahje edhe më të madhe rrugës integruese evropiane të Kosovës, pasi që konsideroj që Kosova dhe populli i saj meriton plotësisht një përkushtim më të madh që t’i bashkëngjitet familjes së madhe evropiane.

Ne jemi thellësisht të bindur se edhe Bashkimi Evropian ka nevojë për Kosovën dhe për potencialin e saj progresiv, human, ekonomik, politik dhe aspekte të tjera, që e pasurojnë atë.

Ne do të punojmë me përkushtim me znj. Apostolova dhe të gjithë përfaqësuesit tjerë të Bashkimit Evropian që Bashkimi Evropian kërkon prej nesh, për anëtarësimin tonë sa më parë në Bashkimin Evropian

Konsiderojmë që integrimet euroatlantike janë aspiratë jona, vizion, përkushtim dhe synim i padiskutueshëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj.

Faleminderit znj. Apostolova, të uroj mirëseardhje dhe sukses në Kosovë.

***

TAKIMI I KOMISIONERIT  PER MIGRACION DHE PUNE, Z. AVRAMOPOLOUS  ME MINISTRIN E JASHTEM

eh_avramopolous

-Në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, Komisioneri për Migracion dhe Punë të Brendshme të BE-së, Dimitris Avramopolous, ka deklaruar se beson që kilometri i fundit drejt Evropës pa viza nuk do të zgjasë edhe shumë/

Strasburg, 13 shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar në Strasburg, Komisionerin për Migracion dhe Punë të Brendshme të BE-së, Dimitris Avramopolous me të cilin ka diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.Në takim me Avramopolous, i cili është njëri prej mbështetësve kryesor të Kosovës në BE për heqjen e vizave, Hoxhaj e ka njoftuar me zhvillimet e brendshme dhe zotimin e Qeverisë së Kosovës për ti përmbushur obligimet e saj.Njëherësh, ministri Hoxhaj ka kërkuar edhe vendim pozitiv në javët që vijnë sapo të përmbushen këto kritere, thekson njoftimi i dërguar nga Strasburg.“Në takimin që kisha me Komisionerin Avramopolous dhe me shumë deputetë të tjerë të Parlamentit Evropian, kemi marrë një zotim të madhë dhe të plotë se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza drejt Evropës në momentin kur i plotësojmë kriteret e fundit që kanë mbetur pa u plotësuar” ka thënë Hoxhaj.Nga ana e tij, Avramopolous ka deklaruar se beson që kilometri i fundit drejt Evropës pa viza nuk do të zgjasë edhe shumë.“Jam shumë i lumtur që e takoj sërish një mik të vjetër dhe të mirë, Enver Hoxhaj, ministrin e punëve të Jashtme të Kosovës. Ne zhvilluam një diskutim shumë të mirë, si gjithnjë. Edhe njëherë ritheksuam vullnetin tonë për të lëvizur përpara. E dini që në këto muajt e fundit, së bashku, Qeveria e Kosovës dhe Komisioni kanë punuar për ti tejkaluar pengesat e fundit që nuk janë arritur ende në mënyrë që të arrijmë atë moment ku qyetetarët e Kosovës ti gëzojnë të drejtat dhe ti gjejnë dyert e hapura për të lëvizur pa viza në Evropë. Ashtu siç e kam theksuar gjatë vizitës sime të fundit në Prishtinë, ne jemi në kilometrin e fundit. Ju siguroj që ky kilometër nuk do të zgjasë edhe më”, ka thënë Avramopolous pas takimit me Hoxhajn.

Në margjina të punimeve vjeshtore të Parlamentit Evropian në Strasburg, Hoxhaj ka takuar ndaras edhe eurodeputeten, Ulrike Lunacek, raportuesin në hije për Kosovën nga grupi S&D, Antonio Panzeri, udhëheqësin e Delegacionit për Kosovë dhe BeH, Tonino Picula, Kryetarin e grupit S&D, Gianni Pittella së bashku me Tanja Fajon, raportuesin për Kosovën, David McAllister dhe bashkëudhëheqësin e Komitetit për Politikë të Jashtme të PE, Elmar Brok.

Në këto takime, ministri Hoxhaj i ka njoftuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, raportin mes Kosovës dhe BE-së, si dhe për dialogun Kosovë Serbi. Po ashtu, ka kërkuar mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave.Në ditën e parë të vizitës në Bruksel, Hoxhaj ka takuar Komisionierin Hahn, Shefen për Politikë të Jashtme, Mogherini dhe takime në NATO./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Apostolova, kosova, Mustafa, në axhendën evropiane, perkrahje BE

Kosovë-Gjendja e sigurisë, e qetë dhe stabile

September 11, 2016 by dgreca

-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni: Policia kosovare ka kapacitetet e nevojshme për luftimin e kriminalitetit, duke përfshirë terrorizmin, krimin e organizuar, korrupsionin, krimet kibernetike, ekonominë informale dhe të gjitha dukuritë tjera negative në shoqëri/

2-policet1-poicia

-Policia e Kosovës 17 vjet, nga 176 në mbi 8900 pjesëtarë/PRISHTINË, 11 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Policia e Kosovës është profilizuar si strukturë e organizuar profesionale me të gjitha njësitet operative, është kompozuar me të gjitha njësitet funksionale, nga policia e lagjes e deri te njësitet elite të intervenimit të shpejtë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni ka thënë se gjatë 17 vjetëve të ekzistimit të saj Policia e Kosovës është zhvilluar dhe profesionalizuar aq sa tani është ndër institucionet më kredibile në vend. Maxhuni në një intervistë sot për gazetën kosovare “Zëri” ka thënë se me gjithë incidentet e shkaktuara kohëve të fundit, gjendja e sigurisë vlerësohet e qetë dhe stabile dhe se prioritet i Policisë është siguria dhe funksionimi i shtetit ligjor. Sipas tij, terrorizmi është një sfidë jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet më të zhvilluara në rajon dhe në botë, megjithatë ai thotë se Policia kosovare ka kapacitetet e nevojshme për luftimin e kriminalitetit, duke përfshirë terrorizmin, krimin e organizuar, korrupsionin, krimet kibernetike, ekonominë informale dhe të gjitha dukuritë tjera negative në shoqëri.

Ai gjithashtu ka thënë se Policia e Kosovës i nënshtrohet vetëm kontrollit civil demokratik siç është e paraparë në Kushtetutë e ligje dhe se nuk është në shërbim të subjekteve apo individëve të caktuar.

Këtë javë, në 8 shtator, qeveria e  Kosovës ka aprovuar vendimin për t’i rekomanduar kryeministrit të Kosovës vazhdimin edhe për një mandat në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunit. Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar lartë punën e Policisë së Kosovës dhe menaxhimin e saj, jo vetëm gjatë kësaj periudhe sa është mandati i kësaj qeverie, por edhe në vazhdimësinë e punëve që ka kryer edhe Policia edhe Maxhuni, duke theksuar edhe pajtimin që të emërohet edhe për  një mandat tjetër.

E themeluar 17 vjet më parë, Policia e Kosovës tani numëron mbi 8900 punonjës dhe vlerësohet si një ndër policitë më profesionale në rajon dhe vazhdon të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin e lirë prej 17 vitesh dhe të pavaur nga 17 shkurti 2008.

Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur në qytetin e Vushtrrisë Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Brezi i parë i kandidatëve kishte 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës, një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale, i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshrirojnë të bëhen pjesëtarë. Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës vlerësohet me standarde të larta.

Filed Under: Komente Tagged With: kosova, qetesia, rendi

Kosova, përherë përkrah SHBA-së

September 11, 2016 by dgreca

 

1-kosova-amerik-Akademi përkujtimore në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-Miqësia mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë e përhershme, ndërsa bashkëpunimi bilateral do të vazhdojë të thellohet/

*PRESIDENTI THAÇI: NE JEMI PRANË POPULLIT MIK AMERIKAN/

*KRYEMINISTRI MUSTAFA PËRKUJTOI VIKTIMAT E SULMEVE TERRORISTE TË 11 SHTATORIT/

PRISHTINË, 11 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Prishtinë, në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë, u mbajt Akademi përkujtimore në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

KRYEPARLAMENTARI VESELI: KRENARË PËRKRAH SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

Kryeparlamentari Veseli tha gjatë fjalës së tij se 15 vite më parë bota pa me sy dhe ndjeu me zemër një nga momentet më dramatike të historisë bashkëkohore – sulmin e pashembullt terrorist mbi kullat binjake në New York.

“Atë ditë, anë e kënd botës, u tronditën zemrat njerëzve nga të gjitha kombet e racat, kulturat dhe religjionet. U tronditën zemrat e njerëzve që besojnë në lirinë njerëzore, në të drejtat e njeriut, në demokracinë dhe paqen mes popujve. Janë këto

vlera supreme, të cilat, sot, tek Shtetete Bashkuara të Amerikës gjejnë garantuesin kryesor”, tha kryeparlamentari Veseli.

Kreu i legjislativit theksoi se qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ndihen krenarë që janë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër terrorizmit.“Ne ndihemi krenarë se liria jonë, shteti ynë i pavarur dhe sovran, janë të lidhura në mënyrë të pandashme me emrin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne ndihemi krenarë duke qenë populli më proamerikan në botë. Kjo nuk është as oportunizëm, as servilizëm. Përkundrazi, është mirënjohje morale për përkrahjen vendimtare që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë popullit tonë në momentet më të rënda të tij”, tha Veseli.Kryetari Veseli po ashtu tha se qytetarët dhe institucionet kosovare asnjëherë nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë dilema rreth partneritetit me SHBA-të.“Zërat individualë që vënë dyshime mbi këtë partneritet, e që lansojnë ide të mjera  për aleanca të reja, janë zëra kundër Kosovës dhe të adhmes së saj. Ne nuk mund  t’i definojmë interesat tona nacionale strategjike duke mbyllur veshët apo injoruar qëndrimin amerikan mbi zhvillimet në vendin tonë”, tha Veseli.

Kryeparlamentari Veseli tha në ceremoni se miqësia mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë e përhershme, ndërsa bashkëpunimi bilateral do të vazhdojë të thellohet.

PRESIDENTI THAÇI: NE JEMI PRANË POPULLIT MIK AMERIKAN

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar në ‘facebook’: Në përvjetorin e 15-të të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ne jemi pranë popullit mik amerikan për të ndarë me të dhimbjen për humbjen e mbi 3 mijë qytetarëve të pafajshëm, si dhe për të shprehur angazhimin tonë të palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit.Po ashtu, shprehim respektin tonë për fuqinë e madhe shpirtërore të këtij kombi madhështor, i cili e përballoi këtë tragjedi me kurajë e fisnikëri, dhe dhimbjen e ktheu në forcë për të luftuar terrorizmin.Ato akte mizore terroriste ishin sulm ndaj mbarë botës së lirë e demokratike që synonin të shkelnin mbi parimet dhe vlerat humane universale, të cilat ne i konsiderojmë të shenjta e të paprekshme, prandaj ne i jemi mirënjohës shtetit amerikan për udhëheqjen e luftës kundër terrorizmit botëror.

Në ato sulme humbën jetën edhe tre bashkëkombës tanë, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj, gjë që tregon se terrorizmi na kërcënon të gjithë e nuk njeh fe, racë apo komb. Prandaj, kjo ditë përkujtuese duhet të shërbejë gjithashtu edhe si një thirrje kundër dhunës, jotolerancës, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.

KRYEMINISTRI MUSTAFA PËRKUJTOI VIKTIMAT E SULMEVE TERRORISTE TË 11 SHTATORIT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në përvjetorin e 15-të, ka përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste në SHBA, të cilat morën jetën e mijëra njerëzve dhe shkaktuan pasoja të tjera të mëdha.

Kryeministri Mustafa tha se më 11 shtator 2001 në Nju Jork, në objektin e Pentagonit dhe në Pensilvani, u sulmua bota demokratike dhe vlerat më kulmore të saj.

“Nga atëherë, vende të ndryshme të botës ishin cak i sulmeve terroriste dhe viktima të shumta të pafajshme pësuan nga këto akte barbare. Por, koha po e dëshmon se bota demokratike në krye me SHBA-të, e prirë nga vlerat më të larta humane, është sot më e fortë dhe më e vendosur në përballje me këtë të keqe globale. SHBA-të, populli i saj dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në mbarë botën, përkundër dhimbjes së pamasë, nuk u gjunjëzuan më 11 shtator dhe janë sot më të përkushtuar se kurrë në fuqizimin e vlerave të lirisë, të demokracisë e të mirëqenies, anekënd globit”, ka thënë kryeministri.

Duke shprehur nderimin dhe duke përkujtuar të gjithë viktimat e 11 shtatorit, kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta globale, të udhëhequra nga SHBA-të, në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Mustafa, perkrah SHBA, Thaci, Veseli

SHBA mbështet energjinë në Kosovë

September 8, 2016 by dgreca

 

1-tc-kosova-b

2-energjia-Zv/Ndihmësja e Sekretarit të Shtetit për Energji dhe Resurse Natyrore: SHBA fuqishëm mbështet çdo përpjekje që ka për qëllim rritjen e sigurinë së energjisë, zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë dhe hapjen e mundësive për zhvillim ekonomik/

PRISHTINË, 8 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Zv/Ndihmësja e Sekretarit të Shtetit për Energji dhe Resurse Natyrore të SHBA-së, Mary Warlick, ka vizituar sot pasdite Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), me ç’rast  ka rikonfirmuar mbështetjen amerikane për sektorin e energjisë të Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se vizita në KEK me zyrtaren e SHBA-së ka për qëllim të shohin nga afër punën që po bëhet, cilat janë sfidat momentale me të cilat ballafaqohen drejtuesit e kësaj kompanie, e po ashtu edhe sfidat e të ardhmes.

Zv/Ndihmësja e Sekretarit të Shtetit për Energji dhe Resurse Natyrore, Mary Warlick tha se SHBA-të besojnë se siguria e furnizimit me energji është esenciale për rritjen ekonomike dhe inkurajojnë Kosovën në modernizimin e sektorit të saj të energjisë.
Ajo tha se e vet Zëvendëspresidenti Amerikan në vizitën e fundit në Kosovë e ka nënvizuar faktin se fuqizimi i sigurisë së furnizimit me energji përmes Termocentralit Kosova e Re do t’i sigurojë Kosovës energji të qëndrueshme, respektivisht zhvillim ekonomik.
“Ky Termocentralit i ri i dizajnuar nga kompania amerikane Contour Global  pritet të reduktojë ndotjen dhe kjo do të sjell benefite të rëndësishme për qytetarët”, tha Warlick.
Ajo theksoi se, SHBA fuqishëm mbështet çdo përpjekje që ka për qëllim rritjen e sigurinë së energjisë, zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë dhe hapjen e mundësive për zhvillim ekonomik.Ministri Stavileci tha se, jemi në një proces të vazhdueshëm të implementimit të projektit Termocentralit Kosova e Re. “Deri tani kemi bërë shumë hapa në drejtim të finalizimit të disa prej çështjeve kryesore, të cilat na mundësojnë të vijmë në fazën e ndërtimit të Termocentralit dhe besoj se në javët në vijim do të ketë zhvillime të reja, pra do të kalojmë në një fazë tjetër”, tha ai.
Stavileci tha se në këtë rrugëtim që nga fillimi kanë qenë së bashku me partnerët, të cilët Kosovën e përkrahin, sidomos në ato fusha që lidhen me zhvillimin ekonomik, që si parakusht ka furnizimin stabil me energji elektrike.
“Ne si qeveri kemi ardhur në një moment të themi kritik për të ardhmen  dhe stabilitetin e sektorit të  energjisë, i cili lidhet me zhvillimin ekonomik. Kemi vendosur t’i bëjmë realitet disa projekte që janë nisur më herët. Ne po ashtu jemi duke përgatitur Strategjinë e Energjisë 2016-2025 ku do adresojmë të gjitha problemet me të cilat përballet sot sektori i energjisë sepse nuk ka ekonomi stabile pa energji stabile”, tha ministri Stavileci.Stavileci dhe Warlick kanë vizituar edhe fabrikën për prodhimin e paneleve solare J.v.G – Jaha Energy në Fushë Kosovë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, energji, kosova, SHBA

Kosova para 26 viteve: Republikë me Kushtetutë

September 7, 2016 by dgreca

 

4 Rugova-Dhe, drejt Referendumit për Pavarësi, që u zhvillua para çerek shekulli, nga 26 deri 30 shtator 1991/

-Kushtetuta e 7 Shtatorit 1990 përcaktonte: Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit shqiptar…Territori i Republikës së Kosovës është unik, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm…/

-Presidenti Rugova: Referendumi i shtatorit 1991, akt që afirmon tutje dhe garanci për realizimin e Pavarësisë së Kosovës/

-Ngjarje të rëndësishme të Kosovës të mëse çerek shekullit/

-Vatranët e shqiptarëve nga SHBA në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ku u shtyp dhe u përkrah Deklarata e 2 Korrikut e  Kushtetuta e  7 Shtatorit 1990, u organizua Referendumi për Pavarësinë e Kosovës i 26-30 Shtatorit 1991…

SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

2 agim marjan

1 Parlamenti i Kosoves6 Behluli

4 Kushtetuta

5 BehluliPRISHTINË, 7 Shtator 2016/ Kuvendi i Kosovës para 26 viteve, në 1990, pas Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të 2 Korrikut, të shpallur në Prishtinë, u rimblodh në qytetin jugor të Kaçanikut në 7 Shtator dhe miratoi Kushtetutën e Kosovës të saposhpallur Republikë, në seancën që u pasua edhe me Referendumin e deklarimit për Kosovën shtet Sovran dhe i pavarur para çerek shekulli, në  funshtatorin 1991, të mbajtur me vendimin e Kuvendit, në marrëveshje me subjektet politike kosovare. “Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqëve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë”,  përcaktonte Neni 1 i Kushtetutës, ndërsa Neni 8 siguronte: “Teritori i Republikës së Kosovës është unik, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm. Kufijtë e Republikës mund të ndryshohen vetëm në bazë të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me vullnetin e shprehur të popullit me të cilin ka të bëjë ndryshimi”.Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federatës.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli gjatë një bisede që kam zhvilluar.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pa kthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, shprehet Ilaz Ramajli.

Deklarata e Pavarësisë e 2 Korrikut u pasua me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim. Në Referendum dolën 914.802 veta – 87,01 për qind e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.

RUGOVA: REFERENDUMI I SHTATORIT 1991 ËSHTË AKT QË AFIRMON TUTJE DHE GARANCI PËR REALIZIMIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS. REFERENDUMET SHQIPTARE U RESPEKTUAN NË LONDËR

Referendumi u pasua me zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, të 24 majit 1992. Raportimet që i bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – ATSH në Kosovë. Raportimet i bëja nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e ATSH-së në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes të përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që përfaqëson Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për ATSH-në në shtator të vititi 1994, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.Ai vlerësonte se, Referendumi i fundshtatorit 1991 është akt që afirmon tutje dhe garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës.Një nga pyetjet e intervistës me Presidentin Rugova ishte: Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.Përgjigja e Presidentit Rugova ishte kjo: Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët.

KOSOVA REPUBLIKË ME KUSHTETUTËN E VET ISHTE DHE NJIHEJ SI DEKLARIM I FUQISHËM I VULLNETIT KOMBËTAR, POLITIK E DEMOKRATIK

Në 2 Korrik 2015 në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës u mbajt seancë solemne dhe u vendos e shkruar në mermer Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 për pavarësinë e Kosovës, pranë Deklaratës së Pavarësisë të 17 Shkurtit 2008 të Kosovës shtet i njohur deri sot nga 112 shtete anëtare të OKB-së.Në përkujtim të ngjarjeve historike është shfaqur edhe filmi dokumentar i seancës së Kuvendit të Kosovës të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në 2 Korrik  dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator 1990.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por njihej në botë si “shteti paralel i shqiptarëve të Kosovës” për pothuaj një dekadë, ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Kosova e lirë nga qershori 1999, prej vitit 2001 deri para tetë viteve, ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Kosova para 8 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në  9 prill 2008, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 qershor.

Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesëë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e GJND-së.

Zhvillime tjera të rëndësishme brenda tetë viteve të pavarësisë ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, pikërisht para katër viteve -në 7 shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

NË KAÇANIK PLLAKË PËRKUJTIMORE PËR 7 SHTATORIN 1990

Në shënimin e jubileut të 25-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990,  para një viti në Kaçanik u zbulua pllaka përkujtimore, e cila i dedikohet kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e 7 Shtatorit 1990 ishin kundërpërgjigje ndaj agresionit kushtetues serb mbi Kosovën, përmes këtyre dy akteve u përgatitën kushtet juridike drejt pavarësisë, u theksua me atë rast nga drejtuesit e shtetit të Kosovës.

VATRANËT E SHQIPTARËVE NGA SHBA NË SHTËPINË KU U SHTYP DHE U PËRKRAH DEKLARATA E 2 KORRIKUT E  KUSHTETUTA E  7 SHTATORIT 1990, U ORGANIZUA REFERENDUMI PËR PAVARËSINË E KOSOVËS I 26-30 SHTATORIT 1991…

Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e vizitoi në 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku ishin edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.

Presidenti Rugova në përurimin e Shtëpisë-Muzeut të Pavarësisë së Kosovës në 23 dhjetor 2002 theksonte: Në këtë shtëpi u shtyp dhe u përkrah Deklarata e Pavarësisë së Kosovës (e 2 Korrikut 1990),  Kushtetuta e Republikës (e 7 Shtatorit 1990) dhe u organizua Referendumi për Pavarësinë e Kosovës më 1991 (26-30 shtator).

Pastaj u nxor dokumenti i tri opcioneve nga të gjitha partitë politike të trojeve shqipare, u organizuan zgjedhjet e para parlamanetare – presidenciale më 1992 (24 maj) dhe aktet e tjera…Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës…

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: 26 vjet, Behlul Jashari, kosova, me kushtetute

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Historia e Postës Shqiptare, ura e komunikimit mes shqiptarëve
  • Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Urdhrit Mbretëror të Skënderbeut
  • E vërteta do të vazhdojë të flasë…
  • Luigji Pirandelo njihte gjuhën shqipe, a ishte arbëresh?
  • KRONIKA E KOHËS SË REVOLTËS…
  • A BIG DAY FOR KOSOVA IN THE U.S. CONGRESS
  • “Helmimet në Kosovë 1990-1992”
  • Rikornizimi i Luftës së Trojës: Një luftë e harruar civile pellazge
  • Shqipëria e çudisë letrare…
  • Kursit i mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, si kontribut atdhetar në mërgatën shqiptare të Greqisë
  • Sounds of Albania…
  • Fuqia e vërtetë…
  • Qyteza dardane në Kodren e Pecës – Kukës
  • Realiteti i përballueshmërisë për amerikanët
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN, PRINCIN E MIRDITËS, MBI DORËZIMIN E SHKODRËS DHE FATIN E ARDHSHËM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT