-Zv/Ndihmësja e Sekretarit të Shtetit për Energji dhe Resurse Natyrore: SHBA fuqishëm mbështet çdo përpjekje që ka për qëllim rritjen e sigurinë së energjisë, zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë dhe hapjen e mundësive për zhvillim ekonomik/
PRISHTINË, 8 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Zv/Ndihmësja e Sekretarit të Shtetit për Energji dhe Resurse Natyrore të SHBA-së, Mary Warlick, ka vizituar sot pasdite Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), me ç’rast ka rikonfirmuar mbështetjen amerikane për sektorin e energjisë të Kosovës.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se vizita në KEK me zyrtaren e SHBA-së ka për qëllim të shohin nga afër punën që po bëhet, cilat janë sfidat momentale me të cilat ballafaqohen drejtuesit e kësaj kompanie, e po ashtu edhe sfidat e të ardhmes.
Zv/Ndihmësja e Sekretarit të Shtetit për Energji dhe Resurse Natyrore, Mary Warlick tha se SHBA-të besojnë se siguria e furnizimit me energji është esenciale për rritjen ekonomike dhe inkurajojnë Kosovën në modernizimin e sektorit të saj të energjisë.
Ajo tha se e vet Zëvendëspresidenti Amerikan në vizitën e fundit në Kosovë e ka nënvizuar faktin se fuqizimi i sigurisë së furnizimit me energji përmes Termocentralit Kosova e Re do t’i sigurojë Kosovës energji të qëndrueshme, respektivisht zhvillim ekonomik.
“Ky Termocentralit i ri i dizajnuar nga kompania amerikane Contour Global pritet të reduktojë ndotjen dhe kjo do të sjell benefite të rëndësishme për qytetarët”, tha Warlick.
Ajo theksoi se, SHBA fuqishëm mbështet çdo përpjekje që ka për qëllim rritjen e sigurinë së energjisë, zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë dhe hapjen e mundësive për zhvillim ekonomik.Ministri Stavileci tha se, jemi në një proces të vazhdueshëm të implementimit të projektit Termocentralit Kosova e Re. “Deri tani kemi bërë shumë hapa në drejtim të finalizimit të disa prej çështjeve kryesore, të cilat na mundësojnë të vijmë në fazën e ndërtimit të Termocentralit dhe besoj se në javët në vijim do të ketë zhvillime të reja, pra do të kalojmë në një fazë tjetër”, tha ai.
Stavileci tha se në këtë rrugëtim që nga fillimi kanë qenë së bashku me partnerët, të cilët Kosovën e përkrahin, sidomos në ato fusha që lidhen me zhvillimin ekonomik, që si parakusht ka furnizimin stabil me energji elektrike.
“Ne si qeveri kemi ardhur në një moment të themi kritik për të ardhmen dhe stabilitetin e sektorit të energjisë, i cili lidhet me zhvillimin ekonomik. Kemi vendosur t’i bëjmë realitet disa projekte që janë nisur më herët. Ne po ashtu jemi duke përgatitur Strategjinë e Energjisë 2016-2025 ku do adresojmë të gjitha problemet me të cilat përballet sot sektori i energjisë sepse nuk ka ekonomi stabile pa energji stabile”, tha ministri Stavileci.Stavileci dhe Warlick kanë vizituar edhe fabrikën për prodhimin e paneleve solare J.v.G – Jaha Energy në Fushë Kosovë.