Kosovë-Përsëri goditje me vezë/
-Qeveria dënoi sulmin ndaj kryesuesit të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror/
Prishtinë, 11 janar 2015/Qeveria e Republikës së Kosovës në një komunikatë për media e dënon ashpër sulmin qyqar të grupeve parapolitike brenda tre partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës për Kosovën, kundër Murat Mehës, kryesues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
“Aktet e ulëta dhe të dhunshme të kryera nga aktivistët e tre partive opozitare, të cilët po hedhin ‘molotovë’ mbi policët dhe institucionet e vendit, po dëmtojnë pronat private dhe po lëndojnë qytetarët dhe gazetarët, janë veprime që kanë për synim zhytjen e vendit në anarki, duke mos kursyer tashmë as jetën dhe shëndetin e njerëzve”, thuht në komunikatë.
Më tej shtohet se, pas djegies së planifikuar të institucioneve një ditë më parë, tashmë aktivistët e tre partive po sulmojnë qytetarët e vendit me qëllim që të mbjellin frikë dhe mundësisht të provokojnë reagime dhe konflikte ndërmjet qytetarëve të vendit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës fton qytetarët që të mos bien pre e këtyre provokimeve, por që të bashkuar të refuzojnë skenarët e errëta të cilët po synojnë t’i zhbëjnë të gjitha sukseset e arritura në Kosovë për dekada të tëra, me të vetmin qëllim realizimin ambicieve politike”, thekson komunikata.
Qeveria e Kosovës fton organet e rendit që të marrin masa për kapjen e kryesve të këtyre sulmeve qyqare dhe parandalimin e përsëritjes së veprime të tilla të ulëta, të dirigjuara nga selitë e tre partive opozitare.
“Qeveria e Republikës së Kosovës me këtë rast shpreh vendosmërinë e saj të plotë, për të punuar në realizimin e synimeve të qytetarëve të Kosovës për zhvillim ekonomik dhe integrime evropiane, me mbështetjen e qytetarëve të vendit dhe në partneritet të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, përfundohet në komunikatë./b.j/
….
Goditet me vezë Murat Meha
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje e goditën me vezë sot Murat Mehën, Kryetarin e Komisionit qeveritar për caktimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi.
“Ai si Kryetar i atij komisioni, ka bërë lëshime të mëdha, me ç’rast mbi 8 mijë hektarë tokë të Kosovës ia ka dhënë Malit të Zi. Si rezultat i marrëveshjeve të tilla që dëmtojnë rëndë sovranitetin e Republikës së Kosovës, shteti jonë tash e sa muaj është në krizë të thellë politike. As pas konstatimeve të ekspertëve se marrëveshja për demarkacionin është gabim, ky milioner i qeverisë së kosovës nuk reflektoi.
Aksionet dhe protestat tona nuk do të ndalen, deri në tërheqjen e marrëveshjeve të dëmshme, dhe deri në largimin e kësaj qeverie. Deri atëherë, përgjegjësit për këto dëme nuk do t’i lëmë të qetë”, deklaroi VV.