SHTETI HELEN 5 VJET JASHTE EUROZONES?/
Ministrat e Financave të Eurozonës nuk kanë arritur në asnjë përfundim ditën e shtunë, pas një samiti dramatik maratonë, kanë vazhduar edhe sot bisedimet në një klimë të mbushur me skepticizëm,ndasi dhe pozicionime të ndryshme për sa i përket propozimeve që ka sjellë Greqia në institucionin europian për të marrë një paketë financiare, të tretën sipas radhës dhe për të shmangur falimentimin e plotë të saj.
Por edhe në ditën e dytë të samitit të Eurogrupit ,mes negociatave të konsideruara prej shumicës së tyre si shumë të vështira, partnerët e Athinës kanë kërkuar prej saj premtimin për reforma akoma më të thella në sistemin ekonomik dhe financiar para se të japin dritën jeshile për një kredi shumëmiliardëshe.
Vendet anëtare të Eurozonës thuhet se janë të ndara në tre grupe, në ato që përkrahin qëndrimin e ashpër të Gjermanisë, e cila siç u bë e ditur kishte gati një plan për daljen e Greqisë për 5 vjet nga Eurozona, ose reforma të ashpra dhe siguri politike për zbatimin e tyre.
Në vendet asnjanëse që presin si do të shkojnë negociatat dhe në vendet pro Greqisë që janë të pakta, por që përbëjnë një aks kryesor në familjen europiane, siç është Franca, që ndihmoi Greqinë në hartimin e propozimeve të reformave, por edhe Italia që ka frikën se do të jetë edhe ajo në epiqendër të tregjeve, në rastin e një “Grexit” të mundshëm.
Në përfundim të samitit të ministrave të eurozonës janë bërë të ditura edhe hollësitë që përmban drafti i masave të reja që europianët kërkojnë nga Athina:
• Përputhje të plotë me programin afatmesëm për arritje e tepricave primare deri në 3.5% deri në 2018,
• Zbatimi i reformave ambicioze për reformën e pensioneve
• Reforma në tregun e ushqimeve
• Barnave dhe artikujve të konsumit të përditshëm dhe liberalizimi i çmimeve
• privatizime në tregun e energjisë
• Reforma në marrëdhëniet e punësimi
• Forcimi i sistemit financiar
• Një program i ri dhe i fuqishëm i privatizimeve në përgjithësi
Ministrat e Financave i japin stafetën e bisedimeve liderëve të vendeve të Eurozonës, ku vëmendja e të gjithëve tashmë fokusohet në faktin se si do të veprojë kancelarja Merkel.
Të gjithë analistët vlerësojnë se një “Greqxit”, pra një dalje e Greqisë nga Eurozona, do të shkatërrojë aksin franko-gjerman duke dëmtuar imazhin kryesor të BE-së.
Ndërkohë anulimi i samitit të 28 vendeve të BE-së interpretohet si një lajm i mirë për Greqinë, pasi thuhej se ishte i domosdoshëm në rast të një dështimi të bisedimeve dhe liderët e familjes europiane do të diskutonin vetëm për ndihmën humanitare që do t’i jepej Athinës në këtë rast, duke i siguruar ushqime dhe barna.
Por nga ana tjetër tregon se marrëveshja për Greqinë nuk do të mbarojë kaq shpejt dhe do të duhen shumë ditë e javë, në fillim që Greqia të marrë një ndihmë të përkohshme dhe të mos falimentojë, e më pas, në bazë të reformave që do të miratojë dhe ecurisë, parlamenti i saj të marrë me këste edhe paketën e madhe të ndihmës që përllogaritet pothuajse e në nivelin e paketës së parë që mori në vitin 2010.
5 VJET JASHTE EUROZONES?/
Zyrtarisht mendimi gjerman për propozimet e reja greke për çështjen e borxhit ka qenë diplomatik, duke shfaqur hera-herës një skepticizëm të thellë, por jozyrtarisht thuhet se Berlini e ka të qartë; Greqia duhet të largohet nga Eurozona.
Të paktën kështu shkruan media gjermane. “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, duke cituar një dokument, sipas saj, të dalë nga Ministria e Financave, e drejtuar nga Wolfgang Schaeuble, thotë se plani grek nuk bind.
“Propozimet nuk janë të besueshme. Do t’u themi kolegëve tanë grekë që nuk kanë bërë asgjë për të forcuar besimin e ndërsjelltë”, thuhet në dokument.
Ajo që përforcon këto lajme është deklarata e ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schaeuble, i cili i përshkroi bisedimet si “tmerrësisht të vështira”.
Vetë Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh skeptike më herët. Ajo reagoi të premten, ku shkurtimisht tha se masat e reja duhet të shkojnë përtej atyre që kreditorët kishin kërkuar me parë nga Greqia.
Mediat ndërkombëtare flasin se Merkel tani është në presion dhe mes dy zjarresh; borxhin grek nga njëra anë dhe popullin gjerman nga ana tjetër. Në një sondazh të zhvilluar së fundmi gati gjysma e tyre kërkon që Greqia të lërë Eurozonën, si edhe kolegëve ndërkombëtarë, që nuk e duan një skenar “Grexit”.
Informacioni është jozyrtar dhe i pakonfirmuar, por mediat gjermane këmbëngulin se plani i Athinës për 12 miliardë euro, do të rrëzohet dhe Greqia do të largohet nga Eurozona, por jo përfundimisht. Të njëjtat burime thonë se Gjermania do të propozojë një pezullim 5-vjeçar për palën greke në Eurozonë, një kohë që Berlini e cilëson si të mjaftueshme për Athinën për të ristrukturuar borxhin e saj.
Në orët e para të së shtunës, Parlamenti grek kaloi me shumicë dërrmuese votash draft-propozimet e qeverisë Tsipras, që i janë paraqitur huadhënësve ndërkombëtarë. Mes propozimeve bëjnë pjesë shumë reforma dhe masa shtrënguese, të cilat qytetarët i rrëzuan në referendumin e së dielës që kaloi.
Sipas ministrit të Financave, Euclid Tsakalotos, propozimet e reja kanë vërtetë pika të vështira me rritje taksash dhe reforma të ashpra, por ka edhe favorizime për Greqinë si: dhënia e një frymëmarrjeje të re nëpërmjet financimit për të mos falimentuar, mundësia e një ristrukturimi të borxhit grek, apo paketa e masave dhe investimeve për zhvillimin e ekonomisë, të cilat do të nxjerrin vendin nga recesioni.
Vlerësohet se paketa e ndihmës përmban financime prej 53.5 miliardë euro, si dhe rreth 15 miliardë për rikapitalizimin e bankave, ndërsa masat shtrënguese thuhet se shkojnë në rreth 12 miliardë euro./Raport nga Top Channel
Jo-ja nuk është fjala e fundit
Pas dorëheqjes së Ministrit të Financave Varoufakis Greqia kërkon një fillim të ri në negociatat me kredidhënësit. Por pozicionet janë ngurtësuar./
Nga Jani Padimitriou/
Që dy orë pas mbylljes së lokaleve të zgjedhjeve ishte e qartë: në bazë të rezultateve paraprake të Ministrisë së Brendshme të Athinës, në këtë kohë kampi-Jo ndodhej me 61 përqind të votave shumë përpara dhe mori thuajse në çdo zonë elektorale shumicën e votave.
Pasoi një festë në qendrën e Athinës të mbështetësve të Jo-së, deri në orët e para të mëngjesit. Kjo në një kohë kur të gjitha sondazhet e ditëve të fundit patën sugjeruar një garë kokë më kokë. Kryeministri Alexis Tsipras, i cili e thirri referendumin për propozimet e kursimit duket më i fortë në pozicionin e tij.
Numri i nevojshëm i pjesëmarrësve, prej 40 përqind që referendumi të shpallej i vlefshëm, u tejkalua mjaft me shifrën 65 përqind. “Edhe vetëm pjesëmarrja e madhe e njerëzve e largon çdo dyshim për ligjshmërinë e referendumit”, deklaron Nikos Filis, zëdhënës i Grupit Parlamentar të partisë së majtë Syriza, në intervistë me televizionin grek Mega.
Arsyeja për këtë deklaratë: të gjithë gjykatësit kushtetues dhe jo së fundi Këshilli i Evropës patën shprehur para referendumit dyshim nëse referendumi ishte në përputhje me ligjet – para së gjithash për shkak të pyetjeve të paqarta dhe shumë komplekse, si dhe kohës jashtëzakonisht të shkurtër të fushatës elektorale.
Pas fitores së qartë të papritur të kampit-Po, në shtypin e Athinës janë shtuar spekulimet për një Grexit, për daljen e Greqisë nga Eurozona. “Dakordim ose Grexit” është pyetja që shtrohet tani e tutje, bën të ditur gazeta ekonomike liberale Kathimerini. “Reforma ose Grexit”, është titulli i shkrimit të gazetës Ta Nea. Një interpretim tjetër bën Avgi, gazeta partiake e të Majtëve grekë: “61 përqind i thonë jo politikës së rreptë të kursimeve.”
“Populli ynë mund të rezistojë”
Megjithë reagimet e ashpra nga vendet e BE, qeveria Tsipras e kupton referendumin jo si një fund, përkundrazi, si një fillim të ri të negociatave me kredidhënësit. “Ne punojmë që të arrijmë një dakordim. Populli ynë ka treguar se ai mund të rezistojë”, deklaroi Ministri i Brendshëm, Nikos Voutsis të dielën në një intervistë televizive.
Dhe shtoi: “Një javë të tërë duruan njerëzit në Greqi, me siguri që do të durojnë edhe disa ditë më shumë”, një aludim për mbylljen e bankave me urdhër të qeverisë të hënën e kaluar (29.6.), hap që ndoshta, në mungesë ta parave do të zgjatet.
Ekonomisti Kostas Stoupas beson se qeveria greke ndodhet në një rrugë pa krye dhe do të konfrontohet me pasoja të pakontrollueshme javët dhe muajt e ardhshëm për shkak të mbylljes së bankave. Sipas mendimit të tij kërcënon zvarritja e pagesave në shërbimet publike, si dhe mungesë ushqimesh, medikamentesh dhe e benzinës. Stoupas është i sigurtë: “Fitorja e Jo-së në referendum e vështirëson pozicionin e negociatave të Greqisë.”
Kthim në tryezën e negociatave
Qeveria e Athinës e sheh këtë ndryshe: përfundimi i referendumit nuk është porosi për t’u prishur me donatorët, deklaroi Kryeministri Tsipras në një fjalim televiziv të dielën në darkë. Ka padyshim zgjidhje të qendrueshme, megjithatë me kredidhënësit duhet folur edhe për një ristrukturim të borxheve greke.
Vetëm pas referendumit grek nis “pjesa substanciale e negociatave”, tha zëdhënësi i qeverisë, Gavriil Sakellaridis. Prej kohësh kryeministri Tsipras ka premtuar se do të arrihet një dakordim me donatorët “brenda 48 orëve pas referendumit”.
Disfata e papritur e rëndë e kampit të Po-së ka pasoja jo së fundi edhe për opozitën në Athinë: para një takimi krize të të gjithë drejtuesve të partive me Presidentin e shtetit Prokopis Pavlopoulos të hënën (06.07.) dha dorëheqjen udhëheqësi i opozitës konservatore dhe ish-kryeministri Antonis Samaras. Kryetar i ri i përkohshëm i partisë do të bëhet ish-Presidenti i Parlamentit Vangelis Meimarakis, i cili i ka kërkuar Kryeministrit Tsipras ta realizojë tani premtimin për “dakordim brenda 48 orësh.”
Kriza financiare greke, presidenti Nishani takim me Guvernatorin Genti Sejko
Presidenti Bujar Nishani është takuar me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko. Kreu i shtetit i ka kërkuar Guvernatorit informacione të imtësishme rreth rreziqeve të mundshme ndaj sistemit tonë bankar.
Ai kërkoi të informohej edhe mbi impaktin mbi ekonominë shqiptare në përgjithësi, duke pasur parasysh faktin se shteti fqinj i Greqisë është edhe investuesi kryesor i huaj në Shqipëri.
President Nishani u informua gjithashtu edhe mbi masat e marra si edhe rreth ndjekjes së kujdesshme e të vëmendshme të situatës financiare që po bëhet nga Banka e Shqipërisë.
DITA E PARE E ALARMIT NE GREQI
GREQIA NË ALARMIN E SHPËRBËRJES DHE RRËNIMIT…/
Shënime në ditën e parë të kapitullimit të Greqisë/
Nga Abdurrahim ASHIKU-ATHINE/
Banka Evropiane vendosi për të ngrirë fondet drejt bankave të Greqisë ku sistemi financiar grek gjendet pranë rrënimit…
Sot në mëngjes qepenat e hekurt të të gjitha bankave në Greqi kanë rënë përtokë si në një ditë të madhe zie.
Flitet që kështu do të qëndrojnë deri më 6 korrik, të hënën pas referendumit popullor të nxitur nga Qeveria Cipras.
Radhë të gjata pranë bankomateve në shpresë të tërheqjes së “bukës së ditës”, vetëm 60 euro. Kjo në rastin e lumtur kur në sirtarët e bankomatit ka para…
Në disa bankomatë radha ishte shthurur, ishin mbaruar paratë…
Radhë të gjata për karburant në të gjitha pikat e shpërndarjes. Ke të drejtë të marrësh vetëm 20 euro benzinë, me para të thata në dorë. Kartat e kreditit nuk kanë vlerë…
Dyndje në aeroporte nga turistët në kthim urgjent drejt vendbanimit të tyre në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian…
Alarm në sistemin zyrtar të turizmit. Zëdhënës deklarojnë se për turistët nuk ka kufi pagesash nga bankomatët…
Greqia është në kolaps. Greqia është deklaruar e rrënuar ekonomikisht.
Po kush paguan për këtë gjendje të Greqisë?
Pamja që zotëronte sot Athinën (dhe të gjithë Greqinë), nga vëzhgimi i thjeshtë me sy, tregon se ata që e paguajnë janë njerëzit e thjeshtë, ata që rrinë në radhë për “bukën e ditës”, për “benzinën e ditës”, për shpenzimet për energjinë elektrike, ujin, qiranë…
Në radhë për 60 euro-t e “bukës së ditës” nuk sheh ata që e iniciuan dhe e çuan në këtë derexhe Greqinë, që ia ulën kokën dhe ia thanë të ardhmen.
Greqia nuk sheh të ardhme. Ajo është në kaos. Është para një referendumi ku sido që të votojë, t’i thotë “JO” apo “PO” shpresat i ka të shuara.
Evropa, nëpërmjet “zërave të kamur” është e pranishme në të gjitha dritaret e vogla të televizioneve greke.
Tjerr lesh për të nxjerrë fill në furkë pa bashkë.
Gjendja e tanishme në Greqi, rrënimi ekonomik e shpirtëror i saj, është në baraspeshe midis politikës greke dhe evropiane, midis marrësve dhe dhënëseve të parave, të miliardave.
Evropa kërkon paratë që ka dhënë. Greqia refuzon që t’i japë. Nuk ka ku t’i marrë. Taksat, uljet e pagave dhe të pensioneve, rritja e TVSH për produktet e domosdoshme që mbajnë jetën gjallë kanë një kufi prekjeje. Evropa këmbëngul që këto të ulen, që populli të paguajë dhimbshëm ndërkohë që ata që e çuan Greqinë në këtë derexhe, të pasurit, miliarderët, paratë e krimit dhe të korrupsionit, të vjedhjes së madhe të fondeve akorduar ndër dhjetravjeçarë, janë ngrirë në banka të njohura për hermetikshmërinë e tyre dhe dyert e dritaret e mbyllura.
Evropa i ka dhënë paratë por nuk ka kontrolluar kurrë ku shkuan dhe si u përdorën, nuk ka kontrolluan se si ato u rikthyen në bankat nga ishin marrë në llogari private të pushtetarëve. Nuk kontrolloi se në Greqi djali apo vajza, për 15-20 vjet nga vdekja e prindit merrte pensionin e tij. Nuk kontrolloi se në Greqi askush nuk paguante taksë për shtëpinë, për pagën që merrte, për sipërfaqet e mbjella me ullinj, vreshta, drithëra, pambuk, duhan, agrume…
Ishte jashtë vëmendjes së donatorëve evropianë kontrolli ndaj parave në adresë të zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë ku një pronar me 10 ullinj shkruante se ka njëmijë, një blegtor me 10 dele shkruante se ka pesëqind…
Evropa që këto në vendet e veta i mat këto me mikrometër nuk e kërkoi dhe nuk e kontrolloi që kjo gjë të bëhet edhe në Greqinë anëtare e Bashkimit Evropian, anëtare e Evropës së Bashkuar, pjesë e të njëjtit sistem monetar, euros.
Greqia livadhisi si deshi, shiu në lëmë pa grurë, mori dhe nuk dha, vodhi ditën me diell…
Populli grek ka hyrë në një tunel pa grykë dalje, udhëton në errësirë pa një qiri të ndezur.
Evropa, nga sa shoh e dëgjoj nga zërat që më vijnë në ekranin e vogël nga Brukseli, është në alarm.
Një personalitet i saj fton popullin grek të votojë “PO” ?!
Njëqind vjet të shkuara një filozof botonte një libër, librin me titullin “Mbi parullën e Shteteve të Bashkuara të Evropës”. Konkluzioni i tij ishte se një Evropë e Bashkuar në kushtet e kapitalizmit është utopi…
Evropa u bashkua…
Evropa po shpërbëhet…
Greqia është hallka e parë e zinxhirit të saj të dobët bashkues…
Mbas saj mund të këputen hallka të tjera…
Mbase hallkën greke, në ditët në vijim, Evropa e pasur do të mundohet ta saldojë me një pikë çeliku apo bronzi.
A do të mbajë?
Dyshoj…
Shpresoj…
Shpresa është e vetmja dëshirë njerëzore që nuk vdes…
Ndërsa ndjek fytyrat dhe zërat në ekranet e vegjël të televizioneve grek mendimi më ndalet tek një e katërta e shqiptarëve, tek mërgimtarët që në këtë rrënim të Greqisë e ndjejnë veten si “kalit kur e godasin në kokë”. Nuk di nga të shkojë…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 29 qershor 2015
A keni ndonjë pikë loti për popullin tuaj?
Nga Kolec TRABOINI/
Pushtetarët tanë po qajnë hallin e krizës greke. Në të vërtetë populli grek e ka një barrë të rëndë dhe kjo barrë e rëndë është kasta politike që ka mbajtur mbi supe, e cila, e papërgjegjshme, e solli Greqinë në fatin e perandorisë romake, që e zhytur në qejfe e la popullin në mjerim e fundi dihet. Perandoria me shkëlqimin më të madh në histori, që kishte vënë botën nën vete, shtrirë në tre kontinente, u shkërmoq, humbi si të mos kishte qenë kurrë. Greqia nuk është në ato përmasa, dhe ngrehina greke aq shumë e stimuluar dhe përkëdhelur nga Fuqitë e Mëdha në orekse të mëdha, nuk besoj se do të shkaktojë atë efekt që solli shembja e perandorisë romake, e cila solli si pasojë futjen e kontinentit në errësirën shumë shekullore. Errësirë që do të vazhdonte deri me shfaqjen e madhërishme të Rilindjes së ndritur Europiane. Më së shumti kriza ekonomike greke do të shkatërrojë imazhin e një Greqie të lumtur, të një llastice ballkanike, vend ku europianët e kishin si një parajsë ku mund të kalonin pushimet dimër verë, nën diell e pranë detit, mund të bënin qejfe të shfrenuara në ekzotikën e buzuqeve e të pjatave që thyheshin me zhurmë nën avuj uzoje e vere mesdhetare. Në Greqinë ku paraja shkonte lumë e ku taksat nuk paguheshin së pari nga qeveritarët e korruptuar, pasurinë e të cilëve e gjeje me shumicë në bankat e Zvicrës, kishin jahte të padeklaruara, shtëpi të shumta madje të implikuar në këto afera edhe ministrat e deputetët grekë. E që të mos harrojmë, Greqia gjatë gjithë ekzistencës së saj si shtet ka qenë e përkëdhelura e Europës. A mund të gjeni një shtet që brenda kufirit të 80 vjetëve të dyfishojë territorin e vet, duke gllabëruar troje e popullsi të kombeve të tjera e duke i tjetërsuar ato me dhunë deri në kufijtë e gjenocidit mbi banorët e kombësive të tjera. Sepse pas gjenocidit turk mbi armenët kemi gjenocidin grek mbi shqiptarët e Çamërisë, ndërkohë që Europa heshtte.
Sot Greqia ka një shtet me sipërfaqe 131 mijë e 940 kilometra katrorë, ku pothuaj një e treta i janë rrëmbuer shqiptarëve, ajo që grekët e quajnë Epir grek janë të gjitha toka arbërore, e megjithatë orekset e të përkëdhelurës së Fuqive të mëdha evropiane nuk i mungon oreksi me shpikjen e shpifur “Vorio Epiri ine eleniki”. Greqia ka mbi 11 milion banorë, nga të cilët, një e treta janë shqiptarë apo dhe arvanitë, pra shqiptarë të hershëm, të cilët nuk kanë asnjë të drejtë, mohohen, nuk u njihet gjuha e tyre, kultura arvanite arbërore është përvetësuar. Sot dalin çolejt me veshjet kombëtare të shqiptarëve si roje në parlamentin grek dhe evropianët ngazëllehen prej traditave të vjedhura, kinse nuk i dinë shkrimet e konkluzionet e Jakob Philipp Fallmerayer, se revolucioni grek ishte “purely Shqiptarian Albanian, not a Hellenic Revolution”. Pra një revolucion i shqiptarëve dhe jo i grekëve dhe kjo e shkruar pikërisht në vitin 1833, vetëm 3 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë. Po sot, pas një shekulli e gjysmë ku janë shqiptarët që bënë revolucionin grek, është fjala për pasardhësit e heronjve arvanitas, që nuk kanë asnjë të drejtë etnike në shtetin e ri që formuan vetë me gjakun e sakrificat e tyre.
Pra kjo Greqi e përkëdhelur nga fuqitë evropiane, në sajë të së cilës ka mbijetuar, është e natyrshme që do të mbijetojë sërish, do të gjendet një mënyrë që të mos bjerë në gjendjen shkatërrimtare të ekonomisë, sepse nuk janë interesat e Europës ta shkërmoqin si fuqi në Mesdhe përballë vendeve arabe. Aq më tepër se territori grek ka shërbyer gjithherë si një urë kalimi të emigrantëve nga Lindja e Mesme për në Europë. Nëse Greqia do të dalë nga sfera financiare e euros është e natyrshme që duke qenë jashtë kontrollit evropian, ajo për të thithur para do t’i hapë portat e Europa do të shohë një vërshim të ri e të paparë të emigracionit arab në drejtim të saj. Me gjithë ashpërsinë në dukje, europianët e bashkimit do ta përkëdhelin e ledhatojnë edhe më tej Greqinë. Nuk ia vlen barra qeranë ta humbë, por ama sa më shumë që e ndihmon Europa, aq më shumë orekset greke shtohen. Duhet patur parasysh se sasinë më të madhe të parave të marra nga Bashkimi Europian ajo i ka kaluar në furnizimin e ushtrisë me armatime. Si mund të konsiderohesh në krizë, kur shpenzon marramendshëm për armatime supermoderne, tej e përtej programit të NATO-s për anëtarët e aleancës?
Le t’i referohemi shifrave. Në vitin 2008, Greqia ka shpenzuar për ushtrinë rreth 9.3 biliard dollarë dhe është konsideruar importuesi më i madh i armëve konvencionale në Europë. Si mund një vend në krizë që për vitin 2013 të shpenzojë 3 biliard Euro e të mbajë një personel ushtarak prej 108 mijë e 874 vetë. Si mund të konsiderohesh në krizë kur sjell ushtrinë në kufirin me Shqipërinë, sikur të jemi në gjendje lufte, në një kohë që financon pensionet e shqiptarëve, që për interesa ekonomike e mohojnë kombësinë e vet, vetëquhen grekë e marrin pension rreth 380 euro në muaj, pra sa dyfishi i një pensionisti mesatar në Shqipëri, i cili ka punuar tërë jetën dhe jeton mjerueshëm. Ndërsa pensioni mesatar i një pensionisti grek është 700 euro, ku e ku me gjendjen katastrofike të pensionistëve shqiptarë.
Zërat qaramanë të shtetarëve e politikanëve shqiptarë që po lotojnë për krizën greke e kanë një shkak sigurisht, i druhen faktit se mbi 500 mijë emigrantë shqiptarë të mbetur pa punë e mjete jetese do të kqyrin të kthehen në shtëpitë e veta, në Atdhe, e do të bëhen një forcë e lirë pune që do të shtojë varfërinë e krisjet sociale në Shqipëri. Pra thënë shul shqip, qeveritarët kanë hallin e vet edhe ata, duan të mos kenë kokçarje, të vazhdojnë të notojnë në luks e të mos u prishet rehati prej revoltave popullore. Gjithsesi, problemi i emigrantëve shqiptarë në Greqi qëndron, janë në zgrip, kriza së pari do të kalojë mbi ata, por ne jemi shqiptarë që anipse në fat të keq historik, lodhjet, vuajtjet e mundimet na kanë bërë të rezistueshëm. Bëjmë çdo punë, përballojmë vështirësitë dhe mbijetojmë. Dhe besoj se emigrantët shqiptarë do të mbijetojnë edhe në këtë situatë të vështirë sepse pakësohen punët, falimentojnë firmat dhe qytetarët grekë bëhen më dorështrënguar.
E parë në një plan tjetër, do të pyesja këta qeverisës apo deputetë që po shqetësohen aq shumë për krizën greke, se sa i ka të ardhurat një pensionist grek dhe sa e ka një shqiptar, flasim për kushte profesionesh të njëjta. I ballafaqoni e do të shihni se sa poshtë është niveli i jetesës së shqiptarëve, e pastaj përrallisni nëpër gazeta se kriza greke po bën hatanë tek fqinji i jugut dhe ne qenkërkemi bukur mirë, pa krizë. Kur s’na thonë dhe në lumturi! Kur në të vërtetë ne jemi nën nivelin e detit dhe nuk ka sesi t’i ndjejmë dallgët e krizave. I qajmë hallin kalorësit se i varen këmbët e vetë jemi zhyt mbyt…në fund të detit të krizave.
A keni gjë të thoni për situatën ku ndodhemi të nderuar shtetarë e deputetë, ministra e ofiqarë? A keni gjë të thoni se si mund të jetohet me 100 euro në muaj që ju shtetarë e deputetë nëpër restorante klasi i lini bakshish? A e dini ju që qeverisni se shteti grek që ka afro tre-katërfishin e popullsisë në raport me Shqipërinë dhe pesë fishin e sipërfaqes, ka një qeveri me 16 ministra, ndërkohë që qeveria jonë që është në një vend të vogël fare, me 28 mijë kilometra katrorë sipërfaqe dhe popullsi 2 milion e 800 mijë banorë, ka një qeveri të rëndë me 20 ministra, ndërkohë që kabineti i presidentit amerikan përbëhet nga 15 ministri. Si është e mundur që populli i varfër shqiptar të mbajë mbi supe gjithë këtë barrë të rëndë? Kujt i hyn në punë se çfarë bën gjithë ditën, ta zëmë, Ministria fantazmë për marrëdhëniet me parlamentin. Parlamenti me Qeverinë janë veç njëmijë hapa larg njëri-tjetrit, e në vend të një postieri vëmë një ministër me një aparat ku rregullojnë taraf e miqësi. Ka një ministri të Mjedisit krejt kot, se nuk ka mbetur ta mbrojë mjedisin një ministri që pushton trotuarin në rrugën “Mihail Duri” në Tiranë dhe qytetarët detyrohen të kalojnë në mes të rrugës, nën rrezikun e ndonjë përplasje që mund t’u kushtojë jetën. Kujt i duhet ministria e Inovacionit e Administratës Publike, një sajesë sa për t’i gjetur vendin një zonje me lidhje e miqësi familjare? Çfarë dreqin bën ministri i shtetit të Qeverisjes vendore? Qeverisja vendore tashmë realizohet nga 61 kryebashkiakë, thuaj të gjithë të partisë në pushtet. Kryeministri dashka një ministër të veçantë për të komunikuar me kryebashkiakët e partisë së tij? Veç kur e thua se kemi pesë ministri më shumë se shteti amerikan me 380 milionë banorë dhe ekonominë më të fuqishme në botë, më të vërtetë ndjehemi rehat, sepse nuk ka krizë që mund t’i bëjë gjë këtij vendi të vogël me qeverisje të madhe dhe me korrupsion gjigant, me të madhin në Ballkan, bashkë në këtë meritë me vëllezërit tanë në Kosovë. Po le t’i kthehemi Greqisë për të cilën qajnë me lotë e me bot politikanët e shtetarët tanë nën ison e vajtojcave të parlamentit shqiptar.
A keni gjë të thoni cili është standarti i jetesës në Greqi dhe cili është në Shqipëri? Se thirrje për të pasur dhimbje se Greqia po fundoset nuk kanë efektin e duhur tek ata që janë vetë të mbytur. Grekët morën aq shumë para nga Europa e tani nuk kanë si t’i paguajnë. Le të mos i paguajnë. Kush kishte dha. A nuk bëri dhe ish Jugosllavia kështu? Asnjë para nuk u ktheu kreditorëve. Qeveritarët tanë të papërgjegjshëm, që notojnë në luks, që bredhin nëpër Europë e botë, që e kanë bërë Parisin si shtëpi e dytë, që na i vënë edhe fotot e udhëtimeve të veta nëpër faqet e e mediave sociale elektronike, duke u mburrur se hanë e pinë me paratë e shqiptarëve, duhet të dinë këta, më shumë se të përkëdhelur të fatit – anëtarë të klanit, se jemi ne për të qarë e qeshur, e jo grekët.
Ju që jeni në krye, që gëzoni privilegje kur populli juaj vuan, qani hallet e popullit shqiptar se për atë ju paguan aq shtrenjtë. Se për grekët mendon Gjermania, Franca, Anglia, Rusia, Serbia dhe tërë miqtë e saj që historikisht e kanë përkëdhelur kur ne na i vinin hanxharët në trup të Atdheut, për të ushqyer oreksin e pangopur të saj me tokat shqiptare. Ne nuk gëzojmë kur tjetri vuan, qoftë ky dhe fqinji ynë që na ka vjedhur vatanin, por vuajtjet tona nuk paskan një të ngjashëm në këtë Europën tonë ku jetojmë që kur janë shfaqur qeniet e para njerëzore mbi tokë, por mjerisht e tragjikisht jemi të përjashtuar.
Fillimi e fundi i fjalës: A keni ndonjë pikë loti për popullin tuaj?!
28 qershor 2015