-Informacion i Policisë së Kosovës, i orës 16:30, lidhur me veprimet policore te Kuvendi i Republikës së Kosovës/
–AAK:Arrestohet Pal Lekaj- Ju që po arrëstoni deputetët, po ia shkurtoni jetën qeverisë suaj/
-Pas orës 14:00, protestuesit kanë filluar të shfaqin dhunë duke hedhur mjete të ndryshme me ngjyrë si dhe mjete të forta drejt zyrtarëve policorë dhe drejt objekteve shtetërore.Si pasojë e dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, në disa lokacione të ndryshme janë dëmtuar 5 vetura zyrtare, njërës prej tyre i është vënë zjarri. Pas orës 15:00 nga protestues të dhunshëm është hedhur një mjet i dyshuar koktej molotovi drejt një veture të blinduar të Policisë së Kosovës, si dhe janë hedhur mjete të forta drejt dy veturave patrulluese policore, të cilat janë dëmtuar/
PRISHTINË, 14 Dhjetor-B.Jashari/ Policia e Kosovës deklaroi pak më parë se, lidhur me seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe bazuar në vendimin e mëhershëm të Kryesisë së Kuvendit, ka bërë planifikimet policore duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë dhe ushtrimin e kontrollit, bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës me zyrtarët e sajë policorë ka filluar me kontrollin e personaliteteve në hyrje të Kuvendit të Kosovës, ku gjatë hyrjes me urdhëresë të Gjykatës kompetente zyrtarët policorë kanë ndaluar deputetin Ismajl Kurteshin (të VV) për mosrespektim të arrestit shtëpiak, me rastin e pjesëmarrjes së tij në manifestimin/protestën e datës 12 dhjetor 2015 në Gjilan.Të njëjtit me vendim të organeve të drejtësisë i është zëvendësuar masa e dënimit nga arrest shtëpiak me masën e dënimit prej 30 ditësh paraburgim. Po ashtu në seancën e Kuvendit janë paraqitur edhe dy deputetë, të cilët janë nën masën arrestit shtëpiak, dhe për këtë Policia e Kosovës bazuar në detyrat zyrtare dhe procedurat ligjore i ka informuar organet e drejtësisë për mosrespektim të arrestit shtëpiak.
Para fillimit të séance, me vendim të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, është kërkuar hyrja e personelit të sigurimit në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët konform autorizimeve ligjore kanë hyrë duke formuar kordon sigurie brenda në seancë. Ndërsa, pas hyrjes së Kryesisë dhe deputetëve në sallën e Kuvendit të Kosovës, në momentin e përgatitjes së fillimit të seancës, nga deputetë të caktuar është hedhur mjet i dyshuar gaz lotsjellës. Pas hedhjes së gazit lotsjellës seanca është anuluar, për të vazhduar me mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku edhe aty gjatë mbajtjes se mbledhjes së Kryesisë nga një deputete është hedhur një mjet i dyshuar gaz lotsjellës, bën të ditur me tej Policia e Kosovës. Në njoftimin e dëguar shtohet se, puna e Kuvendit ka vazhduar në sallën alternative për disa orë, e cila pastaj është ndërprerë serish me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës nga deputetë të opozitës. Referuar rrethanave dhe situatës së krijuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku është hedhur mjeti i dyshuar, Policia e Kosovës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjeteve të dyshuara. Bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente, pas daljes nga objekti i Kuvendit të të Kosovës është ndaluar deputeti Pal Lekaj (i AAK), i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme.Policia më tej thekson se, gjatë kohës sa pritej të fillonte seanca dhe gjatë zhvillimeve të mëtutjeshme në Kuvend, një grup prej rreth 150 personave kanë qëndruar jashtë Kuvendit duke protestuar.
Pas orës 14:00, protestuesit kanë filluar të shfaqin dhunë duke hedhur mjete të ndryshme me ngjyrë si dhe mjete të forta drejt zyrtarëve policorë dhe drejt objekteve shtetërore. Si pasojë e dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, në disa lokacione të ndryshme janë dëmtuar 5 vetura zyrtare, njërës prej tyre i është vënë zjarri nga persona të dyshuar. Pas orës 15:00 nga protestues të dhunshëm është hedhur një mjet i dyshuar koktej molotovi drejt një veture të blinduar të Policisë së Kosovës, si dhe janë hedhur mjete të forta drejt dy veturave patrulluese policore, të cilat janë dëmtuar. Po ashtu, vijon Policia, deri më tani në bazë të informacioneve të deritanishme (16:30) nga protestues të dhunshëm është dëmtuar edhe një veturë civile. Policia thekson se, referuar situatës së krijuar dhe dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, njësitet policore janë detyruar të veprojnë duke përdorur mjetet e ligjshme, për të shpërndarë protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll. Protestuesit e dhunshëm gjatë shpërndarjes dhe lëvizjeve të tyre në lokacione të ndryshme kanë tentuar të bllokojnë dhe pengojnë qarkullimin e trafikut, duke vendosur mjete të ndryshme në rrugë, duke përfshirë edhe kontejnerë mbeturinash. Gjatë intervenimeve policore deri më tani janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore 3 protestues të dhunshëm. Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore që ka Policia e Kosovës, është duke ndërmarrë veprimet e saja hetimore drejt zbulimit se si është futur mjeti i dyshuar në sallën e Kuvendit të Kosovës, dhe kohën se kur ka mund të jetë futur ky mjet i dyshuar. Policia e Kosovës vazhdon me realizimin e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore, përfundon deklarata.
***
AAK: Ju që po arrëstoni deputetët, po ia shkurtoni jetën qeverisë suaj/
Paranoja e shefave politik të qeverisë nuk ka të ndalur. Pas arrestimit, me urdhër të tyre, të deputetit Pal Lekaj dhe djalit të tij, i cili po mbahet në burg tash e sa ditë, në orët e vona, plolicia ka arrestuar edhe dy deputete të AAK-së, Time Kadriajn dhe Teuta Haxhiun.Me arrëstimet e fundit, ky pushtet po dëshmon se është dikatatorial dhe komunist dhe përballë paranojës së humbjes së pushtetit, nuk po lë gjë pa bërë, vetëm për t’i mbrojtur pozitat e veta.
Skenaret e qeverisë për mbajtjen e seancave plenare dhe përpjekja e tyre për të kriminalizuar opozitën dhe për ta bërë njejt si veten, nuk do të kalojnë, sikundër nuk do të kalojnë as marrëveshjet anti-Kosovë që i kanë nënshkruar ata.AAK, u bën me dije urdhërdhënësve se me burgosjen e deputetëve, qeveria po ia shkurton jetën vetës dhe jo deputetëve. Ata do të jenë të lirë dhe do të jenë gjithmonë në mbrojtje të interesit kombëtar të Kosovës, pavarësisht skenarëve të Isa Mustafës e Hashim Thaçit.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, aktualisht ushtrues detyre i shefit të grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, pas përjashtimit nga séance e sotme plenare, dhe me të dalë nga ndërtesa e Kuvendit, është marrë nga policia e Kosovës.Është hera e dytë që deputeti Lekaj, bëhët cak i arrestimit politik, me qëllim të frikësimit të tij, për cfarë policia e Kosovës, ditë më parë ia kishte arrestuar edhe djalin dhe po i a mban në paraburgim.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i dënon ashpër aksionet politike të policisë kundër deputetëve dhe familjarëve të tyre, dhe bën më dije se nuk ka forcë që e mposhtë dhe e zbrapsë këtë parti, nga kauza e saj e drejt për mbrojtjen e kushtetututës dhe të integritetit territorial të vendit.
Kriza politike nuk zgjidhet me polici por me mjete politike.
Ata që po e përdorin pushtetin për interesa përsonale, do të përfundojnë më turp. Opozita do ta mbijetojë dhunën e pushtetit, sepse e ka mbështetjen e popullit.
AAK