• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit

May 25, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, pamje nga Sheshi Ibrahim Rugova në Prishtinë/

-Kuvendi i Kosovës sot në seanca plenare/

-Në Qeverinë e Kosovës pritet emërimi i zëvendëskryeministrit të parë dhe dy ministrave/

-Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 89-të miraton projektligje dhe dokumente tjera/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Maj 2016/ Kosova bëhet me ligj për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, i cili u votua sot me shumicë në seancën plenare të Kuvendit që kishte në axhendë shqyrtimin e dytë, pas miratimit në parim në 18 maj me procedurë të përshepejtuar.

Në prezantimin e projektligjit në Kuvend ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha  se “lufta kundër terrorizmit lidhet ngushtë me programin e qeverisë së Kosovës, i cili parasheh qasje proaktive për bashkëpunim ndërkombëtar për parandalimin e pastrimit të parave”, ndërsa theksoi se,”bashkëpunimi dhe ndërveprimi më i mirë me policinë dhe prokurorinë, në këtë drejtim, është jetik”.

Sot, Komisioni për Buxhet dhe Financa prezantoi vlerësimin se Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit duhet sa më shpejtë të procedohet dhe theksoi angazhimet që ligji të jetë në harmoni edhe me direktivat e Bashkimit Evropian.

Pas kësaj, në leximin e dytë, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan 37 amendamentet dhe pastaj në tërësi ligjin me 58 vota pro, 7 abstenime e asnjë kundër.

Edhe tre projektligje të tjera ishin në axhendë në lexim të dytë, por pasi u tërhoq nga qeveria u shty shqyrtimi i njërit prej tyre – Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Me shumicë votash u miratuan dy projektligjet tjera – për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, si dhe për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Fillimisht sot, Kuvendi i Kosovës, edhe më tej pa opozitën, u mbledh në vazhdimin e seancës plenare,  të filluar në 18 maj me 20 pika në axhendë, 7 prej të clave mbetën të papërfunduara – të pavotuara, në mungesë të kuorumit. Një nga këto pika ishte shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Konventës për heqjen e  Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961).

Para seancave të Kuvendit, u takua qeveria e Kosovës në mbledhjen e 89-të, të 22-tën në vitin 2016, ndërkohë që sipas shtypit të sotëm kosovar kryeministrit Isa Mustafa i kanë shkuar në tavolinë edhe zyrtarisht propozimet e PDK-së për plotësimin e pozitave që kishte Hashim Thaçi deri në zgjedhjen President i Republikës.

Ministër i Punëve të Jashtme është propozuar Enver Hoxhaj, i cili e ka udhëhequr këtë dikaster edhe gjatë mandatit të kaluar. Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi do të kalojë në  pozitën e zëvendëskryeministrit të parë, e në vend të tij është propozuar Gani Koci, aktualisht zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik.

Kuvendi i Kosovës, në përbërjen aktuale është konstituuar në 8 dhjetor 2014, e një ditë më vonë ka votuar qeverinë e re, plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të para afër dy viteve – të 8 qershorit.

QEVERIA E KOSOVËS NË MBLEDHJEN E 89-TË MIRATON PROJEKTLIGJE DHE DOKUMENTE TJERA

Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 89-të të rregullt, të 22-tën në vitin 2016, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, në të cilën ka miratuar projektligje dhe dokumente tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria ka miratuar Projektligjin për Performancën Energjetike në Ndërtesa. Ky Projektligj plotëson obligimet që dalin nga Traktati për Energjinë dhe për Efiçiencën e Energjisë Elektrike. Projektligji plotëson edhe rregullon edhe çështje nga Ligji për Ndërtimin dhe është në përputhje më standardet më të larta evropiane që rregullojnë këtë fushë.

Edhe Projektligji për Ndihmën Shtetërore ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Ky Projektligj përcakton parimet dhe procedurat, kushtet e përgjithshme si dhe rregullat për autorizimin, monitorimin dhe revokimin e ndihmës shtetërore, me qëllim të përmbushjes së obligimeve që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës. Miratimi i këtij Projektligji është edhe një obligim që del nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Rregulloren për obligimet materiale, llojet e të mirave materiale, mënyrën e përdorimit dhe kompensimit të tyre. Rregullorja ka për qëllim përcaktimin e obligimeve materiale dhe kompensimin e atyre të dëmtuara, shkatërruara apo të humbura, të dhëna për kryerjen e obligimit material në gjendje të jashtëzakonshme. Ky akt nënligjor derivat nga Ligji për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore në Republikën e Kosovës.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për aprovimin e klasifikimit të vendeve të punës në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Ky klasifikim është përgatitur nga komisioni i përbashkët qeveritar i Ministrisë Administratës Publike dhe Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje është aprovuar Propozimi për përzgjedhjen e modelit të përzier për financimin publik të organizatave jo-qeveritare në Republikën e Kosovës. Me këtë synohet krijimi i një kornize transparente për shpërndarjen e fondeve publike për Organizatat e Shoqërisë Civile dhe OJQ-të,  që është përcaktuar si një nga qëllimet kyçe të Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013-2017.

Qeveria ka aprovuar edhe vendimin përfundimtar për shpronësimet për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM: Pika Kufitare Kapi, Zona Kadastrale Sfircë, Komuna e Kamenicës.

Gjithashtu, është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e Komisionit të Ankesave për të Huajt.

Kabineti qeveritar është informuar nga kryeministri Mustafa për takimin e zhvilluar me udhëheqjen e Ferronikelit, me përfaqësues të Agjencionit Kosovar  të Privatizimit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, me përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ku ka marrë pjesë edhe ministri i Financave, ku është biseduar lidhur me tejkalimin e gjendjes në Ferronikel.

“Është fjala për një firmë e cila ka një pozitë mjaftë të rëndësishme, që punëson rreth 1 mijë punëtorë dhe për cilët ne si Qeveri jemi të interesuar të japim mbështetje dhe të nxjerrim nga kjo situatë në të cilën është”, tha ndër të tjera kryeministri Mustafa.

Ministri i Administratës Publike ka njoftuar kabinetin edhe për procesin e hartimit të Projektligjet për Pagat për të gjithë përfituesit nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, Ligji, pastrim i parave

Kuvendi i Kosovës, seancë me 20 pika në axhendë

May 18, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Kuvendi i Kosovës në seancë plenare/

-Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit shtyrtohet dhe miratohet me procedurë të përshpejtuar/

-Seanca e Kuvendit të Kosovës pa kuorum për votim përmbylli punimet e sotme/

PRISHTINË, 18 Maj  2016-B.Jashari/ Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, që po zhvillon sot punimet, Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit  u shqyrtua me procedurë të përshpejtuar, pasi më parë deputetetët me shumicë votash vendosën për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit. Projekligji u miratua në parim me shumicë votash – 59 pro, 4 abstenime e asnjë kundër.Nga axhenda u hoq pika e 13-të – shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin  e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, poashtu me shumicën e votave të 65 deputetëve të pranishëm të Kuvendit 120 anëtarësh.

Kuvendi i Republikës së Kosovës është mbledhur sot në një seancë plenare me 20 pika në axhendë, duke nisur me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

U shqyrtuan dhe votuan edhe pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur në 28 dhe 29 prill, Projektligji për ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961), Projektligji për Akademinë e Drejtësisë dhe Projektligji për patentë shofer. 

Në axhendë ishte edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe  Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, i cili u miratua me shumicë – 60 vota pro, 1 abstenim e asnjë kundër.

Zgjedhja  anëtarëve të Bordit Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit nuk kaloi -nuk pati vota të mjafueshme.

Raporti i Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale u miratua me 62 vota pro, 1 kundër e një abstenim.

Edhe raporti i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, si dhe raporti i Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2014 u miratuan me shumicë votash.

Në vijim të axhendës në procedurë kaloi formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave. Në axhendë ishte edhe shqyrtimi i Raportit të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2015, shqyrtimi i Raportit të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave  Personale për vitin 2015, shqyrtimi i Raportit financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2015, shqyrtimi i Raportit të punës së Komisionit të Pavarur për Miniera dhe   Minerale  për vitin 2015, shqyrtimi i Raportit të punës së Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2015, si dhe shqyrtimi i Raportit të punës së Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2015. Por, seanca e Kuvendit të Kosovës nuk kishte kuorum për votamin dhe me paralajmërimin se do votohet një ditë tjetër përmbylli punimet e sotme. Gjatë seancës u dëgjuan kritika për mungesat e deputetëve.

Kuvendi i Kosovës, në përbërjen aktuale është konstituuar në 8 dhjetor 2014, plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të  para afër dy viteve – të 8 qershorit.

Filed Under: Komente Tagged With: Kuvendi i kosoves, në axhendë, seancë me 20 pika

Kosovë-Seanca për Presidentin nuk fillon në orën e paraparë

February 26, 2016 by dgreca

– Zgjedhja e Presidentit të Republikës, pika e vetme e axhendës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit/

-Opozita kundërshton edhe me protesta/

 Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 26 Shkurt 2016/ Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për Presidentin e Republikës filloi me afër një orë vonesë, me 104 deputetë të pranishëm të Parlamentit 120 anëtarësh. E rreth Kuvendit po proteston opozita e bashkuar.Pas paraqitjes së dy kandidaturave, tw Hashim Thaçit e Rafet Ramës, u dha një pauzë 15 minutëshe  që të mblidhet Komisioni për verifikim. Në sallë janë pozita dhe opozita. “Ky Kuvend nuk ka as legjitimitet as legalitetet që të zgjedh Presidentin”, tha lideri i VV, deputeti Visar Ymeri në këto momente jashtë sallës gjatë pushimit. “Do ta kundërshtojmë zgjedhjen, po protesojmë edhe jashtë Kuvendit”, vijoi ai. “Edhe brenda Kuvendit do kundërshtojmë”, tha lideri i VV.Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës është pika e vetme e axhendës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e ftuar për sot në orën 11:00,  derisa opozita kundërshton edhe me protestë gjatë tre netëve e ditëve të kaluara “non stop” edhe me tenda në sheshe e të paralajmëruar “gjithëpopullore” nga ora 10:00 e ditës së sotme, që duket se do jetë e gjatë e edhe me zhvillime tjera.

Kishte paralajmërime nga partia më e madhe në pushtet, PDK, se njëkohësisht në sheshet në Prishtinë do ketë edhe festime për zgjedhjen e Presidentit, por i kandiduari, lideri i këtij subjekti politik, Hashim Thaçi, pas takimeve mbrëmë të Kryesisë me kryetarët e degëve, ka bërë ftesë që të festohet në shtëpi dhe me familjet duke u shprhur se, “asnjëherë nuk duhet të kemi ditë të ballafaqimeve dhe dhunës në rrugë”.

Për President të ardhëshëm të Kosovës është kandiduar lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, sipas marrëveshjes së koalicionit të dy partive më të mëdha kosovare, që në 8 e 9 dhjetor 2014 i dha fund situatës së “ngrirë” dhe mundësoi konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë gjashtë muaj me humbje kohe pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, e që si rezultat i saj lideri i LDK-së, Isa Mustafa, u bë kryeministër.

“Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është nënshkruar nga 43 deputetë të Kuvendit, konform nenit 69, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndërsa për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës janë nominuar dy kandidatë: Hashim Thaçi dhe Rafet Rama”, ka njoftuar para një jave kryeparlamentari Kadri Veseli në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare, ku nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti, nga VV, ka hedhur gaz lotsjellës e për këtë më pas është arrestuar.

Kjo ishte hera e dytë që opozita gaz lotsjellës hedh edhe në mbledhje të Kryesisë së Kuvednit, ndërsa shumë herë ka hedhur në sallën e seancave plenare, madje edhe në sallën alternative, që nga fundvera e vitit të kaluar – fillimi i sesionit vjeshtor, duke vazhduar edhe në sesionin pranveror. Veprime kundërshtuese brenda dhe jashtë Kuvendit opozita ka paralajmëruar edhe për ditën e sotme kur në axhendë është zgjedhja e Presdidentit të Kosovës.

Për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në Kuvendin e Kosovës, në votimin e parë e të dytë duhen dy të tretat e votave, së paku 80 nga gjithësej 120 deputetët, e në votimin e tretë së paku një më shumë se gjysma – 61.

Aktualisht, grupet parlamentare, i PDK-së me 35 e i LDK-së me 33, së bashku kanë 68 deputetë, votat e të cilëve mjaftojnë për zgedhjen e Presidentit në raundin e tretë. Ndërsa, për të pasur kuorumin e nevojshëm dhe zgjedhjen në raundin e parë e të dytë duhen së paku dy të tretat e deputetëve të pranishëm dhe votat e tyre.

Në rrethanat kur nuk mund të llogaritet në votat e opozitës, për zgjedhjen e Presidentit në raundin e parë e të dytë duhen edhe votat e komuniteteve pakicë, pjesë e koalicionit qeverisës – nga grupet parlamentare Lista Serbe me 11, e cila dje ka deklaruar se ende nuk ka vendim përfundimtar, dhe Gjashtë Plusi me 6, gjithësej 17 deputetë.  Të katër grupet parlamentare të koaliciont qeverisës – PDK, LDK, Lista Serbe dhe Gjashtë +,  së bashku kanë gjithësej 85 deputetë.

Pa grup parlamentar janë 4 deputetë dhe mund të llogaritet edhe në vota të tyre pro zgjedhjes së Presidentit. Por, në anën tjetër, ka ndonjë deklaratë nga deputetë të koalicionit qeverisës që kanë paralajmëruar votë kundër.

Partia e kryeministrit Isa Mustafa ka deklaruar se, “pret që të premten të gjithë deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës të veprojnë në përputhje me marrëveshjen politike të përkrahur nga strukturat e LDK-së, në mënyrë që t’i shërbejnë funksionalizmit të plotë të institucioneve të Kosovës”.

Ndërsa, opozita, me gjithësej 31 deputetë (VV 16, AAK 9 e Nisma 6), kundërshton mbajtjen e seancave të Kuvendit edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën plenare, siç ndodhi edhe të premtën e kaluar me tre ndërprerje nga lotsjellësi të seancës së parë të sesionit pranveror dhe ka shpallur “gjendje gatishmërie” për grumbullime protestuese në ditën e orën e seancës për Presidentin kurdoqoftë, që “të pamundësohet zgjedhja”.

Opozita e bashkuar, në përfundim të protëstës së ditëfestës së 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtit, ku sipas saj ishim mbi 100 mijë pjesëmarrës e sipas Policisë kosovare rreth 15 mijë, ka paralajmëruar protestë tjetër në 27 shkurt nëse deri atëherë nuk dorëhiqet “qeveria që ka shkelur Kushtetutën me marrëveshjen për bashkësinë-asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe nuk shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare. Por, protesta “gjithëpopullore” u ftua për një ditë më herët, pasi për sot u ftua seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

“Zgjedhjet mbahen në 10 qershor 2018”,  të rregullta sipas Kushtetutës së Kosovës, dhe nuk do ketë dorëheqje, ishte përgjigja e qeverisë në një konferencë shtypi pasditen e 17 shkurtit pas protestës së opozitës, ku u shpreh e palëkundur në punën e saj, “duke respektuar votuesin dhe ata që u kanë dhënë mandatit që janë mbi 200 mijë votues të LDK-së dhe mbi 230 mijë të PDK-së dhe mijëra tjerë të partive tjera të koalicionit”.

Ndërsa, një ditë pas protestës, nga mbledhja e qeverisë, kryeministri Mustafa dhe zëvndëskryeministri Thaçi i kanë bërë sërish ftesë opozitës që të gjitha çështjet që e preokupojnë, që mund të jenë reale, t’i diskutojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Të zhvillojmë debat demokratik, ashtu siç e do demokracia evropiane dhe properëndimore. Ne jemi në gjendje që të japim argumente për çdo shqetësim dhe kërkesë të çdo qytetari, edhe të atyre që ishin dje në protestë dhe nuk aplikuan dhunë, dhe unë  përgëzoj të gjithë ata që kanë qenë që në mënyrë të dinjitetshme e kanë përfunduar protestën, por po ashtu kërkoj prej krerëve të opozitës që ata të mos veprojnë edhe më tutje në këtë formë, por të kthehen në Kuvend dhe që në Kuvend t’i zgjidhim të gjitha çështjet”, tha Mustafa.

Ndësa, zëvendëskryeministri Thaçi tha se ishte i mirëseardhur vendimi i njerëzve që morën pjesë në protestën e opozitës për të hequr dorë nga përdorimi i dhunës apo, siç shtoi ai, të mos i përgjigjen thirrjeve të eprorëve opozitarë për protestën e organizuar në Prishtinë, për përdorimin e dhunës.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se dhuna nuk çon askund, përkundrazi dialogu është zgjidhje e vetme që duhet të ndodhë, qoftë në Zyrën e Presidentes, qoftë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, siç e tha edhe kryeministri”, tha zëvendëskryeministri kosovar, i cili pritet të merr postin e Presidentit të shtetit e të lërë atë të kryetarit të partisë më të madhe politike aktualisht në Kosovë.

 “Zgjedhja e presidentit të vendit do të ndodhë në afatin e rregullt kushtetues e ligjor në një procedurë të përpiktë dhe një proces transparent gjatë muajit shkurt”, është shprehur  Thaçi.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar nga Kuvendi në 9 prill 2008, më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, e që ka hyrë në fuqi në 15 qershor të atij viti historik, rreth zgjedhjes së Presidentit përcakton:

“Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]

1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës.

4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.

6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.”

Të gjithë, të katër presidentët e Kosovës në 17 vitet e lirisë, duke nisur nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm rreth një muaj në këtë post, si dhe Presidentja aktuale Atifete Jahjaga, janë zgjedhur me marrëveshje politike, koalicionesh, apo edhe me ndërhyrje ndërkombëtare.

Zgjedhje e para parlamentare në Kosovën e lirë që nga qershori 1999 u mbajtën në 17 nëntorit 2001, por kishte vonesë rreth 3 muaj e gjysmë për zgjedhjen e Presidentit e të qeverisë. Vonesa dhe humja e kohës kishte derisa  u arrit  marrëveshja dhe në 4 mars 2002, Kuvendi i Kosovës, për vetëm 45 minuta seancë, në një atmosferë të mrekullueshme, e bëri Kosovën me të gjitha institucionet e zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit 2001: President i Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova (LDK), kryeministër i Kosovës – Dr. Bajram Rexhepi (PDK).

Presidenti i parë i Kosovës nën okupim në kohën e Lëvizjes për Liri e Pavarësi dhe i Kosovës së pasluftës në liri, Rugova, deklaronte: “Çdo ditë ne duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”. Kështu e citonte në 5 mars 2002 në kryetitull gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, për të cilën lideri  historik Rugova ka folur menjëherë pas zgjedhjes President.

Kosovë- Zgjedhja e Presidentit të Republikës, pika e vetme e axhendës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit

-Opozita kundërshton edhe me protesta-

  PRISHTINË, 26 Shkurt /ATSH-Behlul Jashari/.-Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës është pika e vetme e axhendës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e ftuar për sot në orën 11:00,  derisa opozita kundërshton edhe me protestë gjatë tre netëve e ditëve të kaluara “non stop” edhe me tenda në sheshe e të paralajmëruar “gjithëpopullore” nga ora 10:00 e ditës së sotme, që duket se do jetë e gjatë e edhe me zhvillime tjera.

*Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari: Pamje nga Prishtina pak minuta para orës kur do duhej të fillonte seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, 26 shkurt 2016/

Filed Under: Komente, Kronike Tagged With: Kuvendi i kosoves, para zgjedhjes, presidentit

Kosovë-Kuvendi, pushim fundviti

December 17, 2015 by dgreca

-Veseli: Kishim dëshiruar që të kthehet normaliteti për të gjithë deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës. I përshëndesim organet e rendit dhe të drejtësisë për punën e tyre dhe shpresoj se do t’i lirojnë të kthehen në familjet e tyre, veçanërisht para festave të fundvitit, kolegët tanë deputetë/
-Kuvendi emëron Bordin e e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nis pushimi i fundvitit/

-Kuvendi pas seancës së veçantë të fjalimit vjetor të Presidentes së Republikës së Kosovës, vazhdoi seancën e ndërprerë të hënën rreth mesnate në mungesë kuorumi/

-Presidentja Jahjaga: Po ju drejtohem në njërin prej momenteve më kritike të demokracisë tonë të re parlamentare, në një kohë kur vendin tonë e ka kapluar një krizë e thellë politike dhe morale, një përplasje e paparë brenda klasës politike, të cilëve qytetarët e Kosovës i kanë besuar konsolidimin dhe forcimin e sovranitetit dhe shtetësisë së vendit të tyre/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Dhjetor 2015/ Kuvendi i Kosovës  në sallë alternative vazhdoi seancës plenare të ndërprerë rreth mesnatës së të hënës në mungesë kuorumi dhe sot me shumicë votash, 64 pro, 4 kundër e 3 abstenime, bëri emrimin e 8 anëtarëve-drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Të zgjedhurit në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit janë: Petrit Gashi- kryesues, Hasime Mazreku, Hamdi Jaha, Skender Komoni, Ismajl Januzi, Haxhi Arifi, Ranko Gjokiç dhe Bajram Zejnullahu – anëtarë.

“Mandati i kryesuesit e zëvendësit është tre vjet, ndërsa i anëtarëve 2 vjet”, bëri të ditur  kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pasi konstatoi rezultatin e votimit.

“Aktulisht nuk kemi asnjë çështje në pritje për shqyrtim në seancën plenare të Kuvendit. Shkojmë në pushimin, të cilin e kemi dimëror”, u shpreh ai.

“Në të njëjtën kohë, kishim dëshiruar që të kthehet normaliteti për të gjithë deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës. I përshëndesim organet e rendit dhe të drejtësisë për punën e tyre dhe shpresoj se do t’i lirojnë të kthehen në familjet e tyre, veçanërisht para festave të fundvitit, kolegët tanë deputetë”, tha kryeparlamentari Veseli.

Pas zhvillimeve me gaz lotsjellës në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se,  “numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13”.

“Pas 20 minutash do vazhdojmë seancën e mbetur plenare të 14 dhjetorit 2015”, paralajmëroi kryeparlamentari Kadri Veseli, pas fjalimit vjetor të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një seancë të veçantë, pa opozitën, në sallën plenare.

“Ky adrsim është i fundit imi para këtij Kuvendi në prag të përmbylljes së mandatit tim si Presidente e Republikës së Kosovës”, tha Jahjaga.

“Në këto pesë vite nuk ka pasur nder më të madh për mua se të jem Presidentja e Kosovës. Ua them me kuptimin e plotë të fjalës se nuk ka pasur privilegj më të madh se të qëndroj në ballë të një shoqërie që, nën represion, spastrim etnik dhe kërcënim të vet ekzistencës, asnjëherë nuk u zmbraps nga ëndrra e të bërit shtet. Që vazhdon të mbështetet fuqishëm në vlerat më të avancuara të njerëzimit. Që me krenari e lartëson partneritetin dhe miqësinë e thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që synon pa u dekurajuar integrimin në Bashkimin Evropian. Që edhe sot, përkundër vështirësive dhe debatit të ashpër për ta trasuar rrugën e vet, është e palëkundur në përpjekjen për ta bërë Kosovën vend të denjë për të jetuar”, përmbylli fjalën e saj Jahaja.

Presidentja e Republikës, fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës  e nisi me një përshkrim dramatik të situatës: “Po ju drejtohem në njërin prej momenteve më kritike të demokracisë tonë të re parlamentare, në një kohë kur vendin tonë e ka kapluar një krizë e thellë politike dhe morale, një përplasje e paparë brenda klasës politike, të cilëve qytetarët e Kosovës i kanë besuar konsolidimin dhe forcimin e sovranitetit dhe shtetësisë së vendit të tyre.

Në këtë krizë, e cila ka hyrë në muajin e katërt, u sfidua rëndë konsensusi bazik demokratik të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. U sfidua rëndë rendi dhe ligji. U sfiduan sërish.

Në këtë Kuvend, qytetarët e Kosovës, në vend se të gëzojnë mundësinë historike të fituar me shumë mund e sakrificë nga gjenerata të tëra të jenë zot të vetvetes për ta çuar vendin e tyre përpara, u shndërruan në spektatorë të një tensionimi të skajshëm, të një tronditjeje të thellë, të një dhune të pashembullt, të një arrogance të paparë në historinë tonë të re. Në këtë moment kritik për të ardhmen e Kosovës, a kemi nevojë për një thyerje të tillë? A është e mundur që njerëzit, të cilëve qytetarët e Kosovës ua besuan të bërit shtet, ta sfidojnë mu atë shtet për të cilin dikur sfiduan çdo frikë dhe bënë çdo sakrificë?”, tha fillimisht Jahjaga në fjalën e saj.

Para se të procedohet me rendin e ditës, në vazhdimin e seancën në sallë alternative, fjalën e mori zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm, Hashim Taçi, i cili theksoi se, “tash e tutje, me të vërtetë,  asnjë argument Bashkimi Evropian nuk e ka për të shtyrë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Zëvendëskryeministri e ministri Jashtëm, Thaçi, foli sikur edhe dje në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ku u miratua një deklaratë e qeverisë së Republikës së Kosovës me rastin e publikimit të konkluzioneve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian mbi Zgjerimin.

Të hënën, në 14 dhjetor, në rrethanat e tre hedhjeve të gazit lotsjellës nga opozita gjatë ditës në sallën plenare e atë alternative dhe të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në përmbyllje të punimeve të seancës së dytë të  zhvilluar rreth mesnates, u paralajmërua se, “në mungesë të kuorumit, shqyrtimi i propozim-vendimit të qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pritet të bëhet të enjten, më 17 dhjetor, pas adresimit të Presidentes Atifete Jahjaga në Kuvend”.

Në mbledhjen e qeverisë, dje, gjatë shqyrtimit të pikës lidhur me vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare për Privatizim, kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se kjo pikë duhet të riformulohet, pasi qeveria ka vendosur dhe i ka dorëzuar Kuvendit propozimin lidhur me  këtë bord.

“Nuk bëhet fjalë për propozim të ri të vendimit, por vetëm që të shtohet se ky Bord do ta ketë fuqinë e marrjes së vendimit, pas hyrjes në fuqi të ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, dhe se propozimi i qeverisë bazohet në Rregulloren e punës së qeverisë së Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, të hënën, ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në parim në seancën e parë, ku u vendim për shmangie nga rregullorja e punës,
që shqyrtimi i këtij projektligji të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke krijuar mundësinë për shqyrtimin e miratimin tij edhe në leximin e dytë brenda ditës.

Në kohën e pushimit midis dy seancave, projektligji është shqyrtuar nga komisionet përkatëse dhe i është rekomanduar Kuvendit miratimi i tij. Me shumicën e votave të deputetëve, Kuvendi ka miratuar për herë të dytë këtë projektligj, me amendamentet e propozuara nga komisioni funksional.

*Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Fundviti ne kryeqytetin e Kosoves, Prishtine – dhjetor 2015

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, pushim fundviti

Kosovë – Kuvendi në seancë pa opozitën, pas ndërprerjes me gaz lotsjellës

November 30, 2015 by dgreca

-Përplasje në Kuvendin e Kosovës, opozita ballë kordonit të Policisë/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Nëntor 2015/ Seanca e Kuvendit të Kosovës, e ftuar për sot për në orën 11:00, por e pamundësuar nga gazi lotsjellës i opozitës, nisi në këto momente, pak para orës 14:30, në sallën plenare, pa opozitën, me 81 deputetë të pranishëm. Përplasje në Kuvendin e Kosovës kishte edhe rreth orës 13:50 e në vazhdim, derisa kryetari i VV, Visar Ymeri, donte të shëprthejë kordonin policor për të shkuar në sallën e seancave. U gjuajt edhe gaz lotsjellës te kordoni dhe debutetët e opozitës që ishin ballë për ballë. Policët mbajnë edhe gazmaska.Opozita paralajmëroi protestë të pandërprerë gjithëpopullore deri në rrëzimin e qeverisë. Paralajmërimin e bëri para gazetarëve Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të VV.

Kuvendi i Republikës së Kosovës nisi sot para mesditës përsëri me tyum gazi lotësjellës një seancë në sallën plenare mes kundërshtimeve nga opozita e me masa të shtuara sigurie brenda sallës, ndërtesës e jashtë saj, si dhe në hyrje me kontroll të detajuar për të gjithë që kanë hyrë brenda, dersa deputeti Fisnik Ismaili i VV është kthyer prapa pas kontrollit, dhe më pas është arrestuar nga Policia, e cila bëri të ditur se i kanë gjetur dy bombola gazi.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, deputetit Ismaili i është caktuar ndalimi 24 orësh.

Deputetët opozitarë Smajl Kurteshi i Vetëvendosjes dhe Haxhi Shala i Nismës për Kosovën hodhën gazin lotsjellës që pamundësoi nisjen e seancës së Kuvendit sot para mesditës. Ndërkohë, pasdite, njoftohet se është arrestuar deputeti Shala.

“Mbajtja e seancës me policë e bënë këtë vend shtet policor”,  tha kryetari  i AAK-së, deputeti Ramush Haradinaj, pas daljes nga salla me lotjellës.

Seanca pritej të vazhdojë në “sallën alternative”, ku në dy seancat e kaluara nuk është lejuar të shkojë opozita, ndërkohë që mbante sërish mbledhje Kryesia e Kuvendit për të marrë vendimin.

 Me 35 pika në axhendë, për sot me fillim në orën 11:00 është ftuar një seancë e re e Kuvendit të Kosovës, i cili që nga fillimi i sesionit vjeshtor ka përfunduar vetëm dy seanca në “sallë alternative” pa opozitën, e cila e ka bllokuar edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën plenare në kundërshtimet edhe me protesta të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë, veçmas të asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Opozita me gjithësej 31 vota në Kuvendin 120 anëtarësh, për seancën e sotme është mangu për dy deptetë të arrestuar, Albin Kurtin e Donika Kada Bujupin, e me dy të tjerë – Albulena Haxhiun e Faton Topallin të kërkuar për arrestim, që të katërt me fletë arreste pas zhvillimeve në Kuvend me gaz lotsjellës dhe përplasje tjera.

Tre krerët e opozitës, Visar Ymeri i VV, Ramush Haradinaj i AAK e Fatmir Limaj i Nisma-s, janë mbledhur edhe mbrëmë pas manifestimit opozitar  të 28 nëntorit me 35 mijë pjesëmarrës, sipas organizatorëve, por nuk kanë bërë publik planin për seancën e sotme për vazhdimin e bllokadës në Kuvend.

Pas zhvillimeve më të reja, përfshirë ndërhyrjen e Policisë në selinë e VV ku u arrestuan rreth 100 aktivistë, opozita e bashkuar deklaroi se “demokracia ka marrë fund, më s’ka kuptim pasi mendimi ndryshe po shtypet me polici”.

Ndërsa,  Kryesia e Kuvendit të Kosovës u rimlodh në mëngjes dhe konfirmoi mbajtjen e  seancës plenare që e ka ftuar javën e kaluar për ditën e sotme, e të kundërshtuar nga opozita.

Qeveria e Kosovës  edhe në deklaratën e djeshme pas manifestimit të së shtunës të opozitës në Prishtinë theksonte se, “ka treguar gatishmëri për të biseduar rreth shqetësimeve të subjekteve opozitare”. “Në këtë drejtim, qeveria është duke pritur interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, si dhe ka iniciuar ekspertizë ndërkombëtare për procesin e përkufizimit të vijës kufitare ndërmjet vendit tonë dhe Malit të Zi, duke siguruar ballafaqimin e argumenteve të Komisionit shtetëror dhe të opozitës. Prandaj, qeveria vlerëson se askush, andaj as opozita, nuk duhet të frikësohet nga e vërteta, por çdonjëri duhet të ballafaqohet me të. Për qeverinë e Republikës së Kosovës, çdo përpjekje për të përdorur këto procese të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë, për qëllime politike e partiake, është e papranueshme”, theksonte deklarata.

Po dje, ambasadat e Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, në një deklaratë të përbashkët theksonin se, kanë përcjellur nga afër ngjarjet e ditëve të fundit, në Kosovë.

“Jemi të kënaqur që demostratat ishin paqësore dhe duam ti përgëzojmë të gjithë pjesmarresit, e sidomos  Policinë e Kosovës. Ne besojmë në fuqinë e dialogut si mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike dhe inkurajojmë të gjitha palët t’i shfrytëzojnë mundësitë e ndryshme për dialog, duke përfshirë këtu edhe brenda Kuvendit”, theksohej në deklaratë.

Policia e Kosovës është duke hetuar drejt zbulimit se si është futur sot lotjellësi në Kuvendin e Kosovës dhe konfirmon ndalimin dhe shoqërimin në stacion policor  të deputetit Fisnik Ismajli, pasi gjatë kontrollit në hyrje të Kuvendit gjetur gjetur në posedim 2 bombola gazi.

Policia e Kosovës deklaroi se, si institucion i zbatimit të ligjit, lidhur me seancën e  Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe bazuar në vendimin e mëhershëm të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka bërë planifikimet e nevojshme policore, duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë dhe ushtrimin e kontrollit, bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 Policia e Kosovës me zyrtarët e sajë policorë ka filluar me kontrollin e personaliteteve në hyrje të Kuvendit të Kosovës, ku gjatë kontrollit tek deputeti Fisnik Ismajli janë gjetur në posedim 2 bombola gazi, që dyshohen të jenë gaz lotsjellës.

 Zyrtarët policorë bazuar në procedurat ligjore të njëjtin e kanë ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore, të cilat do të ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent, ndërsa mjetet e dyshuara janë konfiskuar në cilësi të provave materiale.

 Me vendim të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës është kërkuar hyrja e personelit të sigurimit në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët konform autorizimeve ligjore kanë hyrë duke formuar kordon sigurie brenda në seancë.

 Ndërsa pas hyrjes së Kryesisë dhe deputetëve në sallën e Kuvendit të Kosovës, në momentin e përgatitjes së fillimit të seancës, përsëri nga deputet të caktuar është hedhur mjet i dyshuar i cili po ashtu dyshohet se është gaz lotsjellës.

 Referuar rrethanave dhe situatës së krijuar në sallën e Kuvendit të RKS-së, ku është hedhur mjeti i dyshuar, Policia e Kosovës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjetit të dyshuar.

 Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore që ka Policia e Kosovës,  është duke ndërmarrë veprimet e saja hetimore drejt zbulimit se si është futur mjeti i dyshuar në sallën e Kuvendit të Kosovës, dhe kohën se kur ka mund të jetë futur ky mjet i dyshuar.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kuvendi i kosoves, pas gazit Lotsjelles, seance pa opoziten

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT