• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BARBARA BUSH, “GJYSHJA E AMERIKËS”, NDËRROI JETË

April 20, 2018 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Barbara Bush, e quajtur si në përkëdhelje, “Gjyshja e Amerikës”, ose “gjyshja e të gjithëve” — bashkshortja e Presidentit të 41-të dhe nëna e Presidentit të 43-të të Shteteteve të Bashkuara, ndërroi jetë më 17 prill në moshën 92-vjeçare në shtëpinë e saj në Huston të shtetit Texas, e rrethuar nga familja. Ajo la pas, “plot shtëpinë”: Bashkshortin e saj prej 73-vjetësh, ish-presidentin Xhorxh H.W. Bush, pesë fëmijtë me bashkshortët e tyre, 17 nipa e mesa dhe shtatë stërpnipa dhe stërmesa.  Në një njoftim për publikun me rastin e vdekjes , ish-Presidenti Xhorxh W Bush tha se, “Nëna ime e dashur ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare. Laura, Barbara, Xhena dhe unë jemi të pikëlluar, por zemërat tona janë të qetësuara sepse e dimë se shpirti i saj është i qetë… Unë jam me fat që Barbara Bush ishte nëna ime. Ajo do na mungojë  shumë mua dhe familjes….”.

1 lamtumire2 buishet betim ok1tereza ok1 bushet qeshinPresident Bush, second right, and first lady Laura Bush, right, leave Saint John's Church in Washington, Sunday, Jan 27, 2002, with former President George H. W. Bush and former first lady Barbara Bush after attending Sunday service. President Bush will deliver his first State of the Union address on Tuesday. (AP Photo/Susan Walsh)2 Lamtumira

Barbara Bush ishte bashkshorte, nënë, gjyshe, stërgjyshe e devotshme dhe mbështetëse e përkushtuar në luftën kundër analfabetizmit. Ajo ishte direkte në komunikim me median dhe me të tjerët, një karakateristikë e të folurit troç që e dallonte ish-Zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara. “Njerëzit më duan”, kishte thënë ajo me një rast, “sepse e dinë që unë jam e drejtë, se i dua fëmijtë dhe se e adhuroj dhe respektoj bashkshortin tim”.   Barbara Bush, njihej gjithashtu edhe për shërbimin ndaj të tjerëve, për vullnetarizmin e saj për të ndihmuar personat dhe familjet në nevojë, gjë që e ka bërë atë ndër figurat më të dashura në historinë e këtij vendi dhe në zemërat e të gjithë atyre që e njihnin dhe me njerëzit me të cilët takohej edhe rastësisht.

Me zgjedhjen e bashkshortit të saj president të Shteteve të Bashkuara në janar të vitit 1989, Barbara Bush ishte e vetdijshme se ajo vet nuk ishte zgjedhur në asnjë detyrë zyrtare por kishte urdhëruar stafin e saj se, “Çdo ditë duhet të bëjmë diçka për të ndihmuar të tjerët.”  Kështuqë, përveç ceremonive zyrtare si zonja e parë e vendit, në të cilat ajo duhej të merrte pjesë, Barbara Bush u angazhua në shumë veprimtari organizatash bamirëse, pikërisht, për të ndihmuar ata të cilët kishin nevojën e ndihmës nga shoqëria.

Ajo kishte marrë përsipër një numër kauzash për të ndihmuar të pa strehët dhe të moshuarit, për të ushqyer të uriturit, ndërmori përpjekje  për të luftuar sëmundjen e Sidës dhe ishte në krye të fushatës për të ndihmuar fëmijt. Por mbi të gjitha, Barbara Bush do të njihet për fushatën e saj kundër analfabetizmit – për mundësinë e shkrim-leximit për të gjithë, për fëmij dhe për familje.  Nën udhëheqjen e të ndjerës, Fondacioni i saj me këtë mision që ajo ka themeluar për këtë qëllim, gjatë viteve, ka mbledhur më shumë se 110-milion dollarë, në mbështetje të programeve kombëtare për të luftuar analfabetizmin, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara. Ajo e shihte këtë program dhe arsimin në përgjithësi si një doemosdoshmëri, që sipas saj ndihmonte sado pak familjet dhe fëmijtë e tyre në nevojë, ashtuqë të kishin një mundësi më të madhe për të qenë të suksesëshëm në jetë.E orientuar gjithmonë nga familja dhe kujdesi i saj për të, Barbara Bush është cituar të ketë thënë se, “Ajo që ndodhë në shtëpinë tuaj është po aq e rëndësishme sa edhe çfarë ndodhë në Shtëpinë Bardhë.”  Thënë ndryshe, çfarë ndodhë në Shtëpinë e Bardhë duhet të jetë shembull për të gjitha familjet amerikane. Për periudhën që shërbeu në Shtëpinë e Bardhë si familja e parë e Amerikës, familja Bush ishte me të vërtetë shembull për të gjitha familjet amerikane dhe kredia për këtë, pa dyshim, i shkon të ndjerës Barbara Bush, e cila vente rregull dhe zbatonte disiplinën.

Ndërkaq, udhëheqsit dhe ish-udhëheqsit më të lartë të Amerikës kanë dërguar mesazhe ngushëllimi me rastin e vdekjes së Barbara Bush duke e cilësuar atë si një grua e cila ishte e përkushtuar ndaj familjes dhe atdheut të saj, por edhe ndaj shërbimit për të mirën publike.  Presidenti Trump dhe bashkshortja e tij e cilësuan atë si një “mbështetëse e fortë e familjes amerikane, e cila do të mbahet mendë për dedikimin e saj të fortë ndaj atdheut dhe familjes, të cilave ajo u shërbeu me devocion”.

Ish-presidenti Obama dhe bashkshortja e tij, u shprehën se do të, “jenë përgjithmonë mirënjohës ndaj Barbara Bush për bujarinë dhe për zemërgjërsinë që ajo tregoi ndaj nesh gjatë viteve tona në Shtëpinë e Bardhë, por për më tepër, i jemi mirënjohës asaj për mënyrën se si ajo jetoi dhe veproi gjatë gjithë jetës së saj – si një testament se shërbimi publik është i rëndësishëm dhe vepër fisnike për të gjithë, si shembull i dinjitetit dhe modestisë, cilësi këto që pasqyrojnë karakteristikat më të mira të shpirtit amerikan.”  Ndërsa ish-presidenti Xhimi Karter dhe bashkshortja e tij e kujtuan Barbara Bush si “gruan e një familjeje të dedikuar ndaj shërbimit publik, e cila mbështeti vullnetarizmin si një mundësi që të gjithë qytetarët të marrin pjesë në përparimin e vendit.”

Familja Bush është e lidhur drejtë për drejtë edhe me fatin e Kombit Shqiptar në fund shekullin e 20 dhe fillim shekullin e 21. Historia ka shënuar tanimë se  Presidenti Xhorxh Bush i vjetër më 25 dhjetor, 1992 i dërgoi presidentit kriminel serb Millosheviç paralajmërimin që historia e njeh si “Paralajmërimi i Krishtlindjes” e në të cilin thuhej se “Në rast konflikti në Kosovë, i shkaktuar nga Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi”.  Ishte ky një paralajmërim nga Presidenti Xhorxh Bush i vjetër dhe i cili u përsërit më vonë edhe nga administrate Klinton duke u bërë kështu baza e politikës amerikane ndaj Kosovës, politikë që më në fund çoi në ndërhyrjen e NATO-s, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në sulmet e ajrore që përfunduan në çlirimin e Kosovës.  Dhe më 10-6-2007 gjatë një vizite në Tiranë, një Bush tjetër, pikërisht djali i Bushit të vjetër, Presidenti Xhorxh W., bëri deklaratën me të cilën defakto shpalli pavarësinë e Kosovës nga kryeqyteti shqiptar, duke thënë se “Mjaft është Mjaft – Kosova është e pavarur”.

E ndjera Barbara Bush kishte deklaruar me një rast se, “Unë dhe Xhorxh Bush jemi dy njerëzit më të lumtur dhe më me fat në botë”.  Edhe ne shqiptarët mund të themi se ishim me fat të madh që në këtë periudhë të historisë së Kombit shqiptar ishin dy presidentë të familjes Bush (babë e djalë), të cilët për hir të detyrës së tyre në krye të Shteteve të Bashkuara, historia dhe fati ynë i ftoi që të luanin rolin kryesor në historinë e Kosovës dhe të Kombit shqiptar.  Ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Bush për humbjen e bashkshortes, nënës dhe gjyshës tuaj dhe falënderimet tona për rolin që kini luajtur në historinë e Kombit shqiptar!

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Barbara Bush, Frank shkreli, Gjyshja e Amerikes, Lamtumire

LAMTUMIRE AGIM KARAGJOZI!

April 5, 2018 by dgreca

1 ok karagjozi agim2.IMG1 a zyhdi1 a salle1 Dritan1 agim rexha1 Bucaj
LAMTUMIRE AGIM KARAGJOZI-FOTOREPORTAZH/
2 Teuta3 armanoMatthew1 Nipi vogel1 agim alickaj1 father
Te merkuren me 4 Prill 2018 iu dha Lamtumira e Fundit Kryetarit historik te Vatres, ing. Agim Karagjozi, i cili e drejtoi Vatren per 2 dekada, nderkohe qe ishte pjese e saj per 60 vjet. Ceremonia e organizua ne Shtepine Mortore ishte nje percjellje dinjitoze e Kryetarit, pa te cilin, Vatra nuk mund te kete kuptim. Kryetari aktual i Vatres, z. Dritan Mishto gjate percjellejes e cilesoi ate si Kryetar i perjetshem i Vatres.
1 Idrizi1 CamiMarjani fletzyhdija varri1 zyhdija lule1 angel
Fjalen e Lamtumires ne emer te familjes e mbajti djali, Zyhdi Karagjozi,i ci drejtoi edhe ceremonine.
Nderuan me pjesmarrjen e tyre pervec vatraneve edhe Konsullja e Pergjithshme e Republikes se Kosoves,zonja Teuta Sahatcia, qe e cilesoi z. Karagjozin nje mik i madh i Kosoves dhe i Dr. Rugoves, Keshilltari i Misionit Shqiptar ne Nju Jork,Armando Shandro, i cili pershendeti ne emer te Ambasadores Besiana Kadare, – bashkqytetare e “Qytetarit te Nderit” te Gjirokastres Agim Karagjozi. Fjalen ne emer te Federates Panshqiptare te Amerikes Vatra e mbajti Kryetari Dritan Mishto. Zv. Kryetari Agim Rexhaj, bashkepunetor i hershem i z. Karagjozi, tregoi se si u njoh dhe cfare mesoi nga “mesuesi” i tij kryevatran, ish Kryetari i Vatres dr. Gjon Bucaj, permes Eulogy-se ne gjuhen angleze, shprehu dhimbjen dhe vleresoi lart kontributin e z. Karagjozi ne Vater; Editori i Diellit tregoi per bashkepunimin me z. Karagjozi per ringritjen e gazetes Dielli dhe solli nje poezi te ndjere qe ish Kryetari i vatres pati shkruar per Shpetimin e Vatres me 1986, dy nipat e z. Karagjozi, Matthew dhe Evan, percollen ndjenjat e tyre per gjyshin e dashur; nderkohe qe Agim Alicka ngushelloi ne emer te Liges Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe presidentit te saj Joe DioGuardi, ne emer te komunitetit dibran ngushelloi Lavdrim Cami, i cili vleresoi kontributin e z. Karagjozi ne Diasporen shqiptare te Amerikes. Gazetari dhe studiuesi Idriz Lamaj ne fjalen e tij ngushelluse drejtuar familjes Karagjozi dhe vatarneve shprehu konsiderata te larta per shpirtin atdhetar, per kontributin Kombetar te ish Presidentit te Nderit te Vatres. Ne ceremoni u lexuan edhe mesazhet e ngushellimit qe mori Familja Karagjozi dhe Federata Vatra. Nder mesazhet qe u derguan permendim: Mesazhin e Presidentit te Shqiperise z. Ilir Meta,te Pendershmit Arthur Liolin, te Ish Presidentit te Shqiperise, Dr. Sali Berisha, te Kryetarit te Opozites z. Lulzim Basha,te Familjes te ish Presidentit Historik te Kosoves Dr. Rugova, te deputetes Monika Kryemadhi, te Profesor Sami Repishti, te Ambasadorit Mal Berisha, te biznesmenit dhe veprimtarit Xhim Xhema, te ish drejtorit te Zerit te Amerikes per Euro-Azine z. Frank Shkreli, dhe dhjetera mesazhe te tjera.
Lutjen Fetare e kreu father Nikodhini i Kishes Orthodokse shqiptare ne Queens, NY.Father Nikodhin lexoi edhe Mesazhin e derguar nga Kancelari i Kryekishes se Shen Gjergjit ne Boston I perndershimi Arthur Liolin.
Pas ceremonsie u be varrimi ne nje shterngate te vertete shiu.Z. Marjan Cubi solli mesazhin e dom. Pjeter Popaj, Famullitar i kishes Zoja e Shkodres, ku vleresohej kontributi i z. Karagjozi ne Vater dhe ne komunitetin shqiptar dhe ngushellohej Familja dhe Vatra.
LAMTUMIRE AGIM KARAGJOZI, KRYETAR I PERJETSHEM I VATRES!
* Dielli ne Print do te botoj nje speciale te plote.

Filed Under: Featured Tagged With: agim karagjozi, dalip greca, Lamtumire

LAMTUMIRË I DASHURI YNË FIQRI PROGRI

March 11, 2018 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika/
1 ProgriFiqri Progri (7. VI. 1938 – 3. III. 2018)/1 Fiqiri Progri

Fiqiri Progri:Bie Borë/

Me 3 Mars 2018, në UMass Hospital, në Worcester MA, pas një sëmundjeje të gjatë, u nda nga jeta piktori i talentuar korçar Fiqri Xhevdet Progri. Takimet për të folur u kryen më 7 mars në “Marcadante Funeral Home & Chapel” (370 Plantation Srteet) në një sallë, ku anash arkivolit ishin vendosur lule dhe disa piktura shumë të bukura të të ndjerit. Të nesërmen, po në ambjentet e kësaj godine, para nisjes për në vorrezat “Hoppe Cimetery”, erdhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit këtij biri të shquar të Korçës shumë shokë, miq e të afërm. Familjarët e tij falenderuan të pranishmit dhe treguan disa nga momentet interesante të jetës së Fiqriut.

1 Fiqiri tablo 2

* * *

Fiqiriu u lind më 7 Qershor 1938 në qytetin e Korçës në familjen e Xhevdet Demir Progrit, një familje e lidhur me Luftën Antifashiste. Xhevdeti, pas luftës i rriti katër fëmijët duke punuar rëndë si traktorist. Në vitin 1951 Fiqiriu mbaroi shkollën 7-vjeçare dhe nuk u regjistrua në gjimnaz, por në një kurs njëvjeçar pikture të cilin e drejtonte në ambjentet e Kishës Katolike të Korçës piktori i talentuar Vangjush Mio. Vitin tjetër ai shkoi në Tiranë ku konkuroi në Liceun Artistik për pikturë dhe e fitoi konkursin. Liceu Artistik në atë kohë ishte shkollë e mesme 6-7-vjeçare, katër vjet shkollë e rregullt dhe 2-3 vjet specializim. Fiqiriu, edhe pse mbaroi shkollën me rezultate të larta, nuk kërkoi të shkonte jashtë shtetit për të vijuar studimet, por u kthye në qytetin e lindjes për të filluar punën si mësues viztimi, me qëllim që të ndihmonte familjen e tij. Kështu në vitin 1958 ai u emërua mësues vizatimi në gjimnazin e Pogradecit. Një vit më vonë u thirr për të kryer shërbimin ushtarak, të cilin e kreu në Kukës si daktilografist, hartues parullash, hartash, etj.

Pasi përfundoi shërbimin ushtarak 2-vjeçar, më 1961 Fiqiriu u kthye në Korçë, ku u sistemua në Uzinën Mekanike si teknik për të mësuar e kualifikuar mekanikët si të lyenin me bojra makineritë dhe pjesët e ndryshme të makinave.  Mbas disa muajsh u emërua në Pallatin e Kulturës si piktor.Në vitin 1966 Fiqiriu u martua me vajzën kolonjare Lumturi Aliçka. Lumturia (shkurt Lumja) ishte pasardhëse e një familjeje të madhe me origjinë nga Frashëri.Në vitin 1973, kur filloi organizimi i festivalit folklorik kombetar në Gjirokastër, Fiqriu shkoi gati në gjithë fshatrat e rrethit të Korçës, ku mblodhi jo vetëm kostume popullore të plota, por edhe pjesë të ndryshme të dëmtuara. Nga kostumet dhe copat e jelekëve, xhamadanëve, tirqeve, fustaneve të grave, shamive, çorrapeve, kësulave, që ai mblodhi, arriti të paraqiste 36 lloje kostumesh për gra, burra e fëmijë të zonës së Korçës në një album kostumografik. Kjo pasuri e panjohur deri atëhere i dha Fiqriut emrin e mirë dhe kënaqësinë e punës krijuese. Grupi folklotik i rrethit të Korçës në Festivalet Folklotike të viteve 1978, 1983, 1988 zuri vendin e parë, kurse rrethit të Gjirokastrës, rrethit organizues, i jepej flamuri.Fiqiriu u aktivizua dhe si bashkëpunëtor gazetash. Ai botoi disa shkrime për arritje dhe probleme të kulturës në Rrethin e Korçës. Në vitet 1985-1987 e transferuan për të punuar  në prodhim në Ndërmarrjen Artistike. Pastaj e emëruan mësues vizatimi në shkollën 8-vjeçare “Sotir Gura”, prej ku më 1990 doli në pension.Në shtator të vitit 2000, ai me bashkëshorten erdhën me lotari në SHBA ku ishin sistemuar më parë, Iliri si asistent pedagog në WPI dhe Adriana me bashkëshortin Nesti dhe vajzën Rafaelia. Për arsye moshe dhe shëndeti ai nuk kërkoi punë, por shërbeu si taksist i Lumes, e cila u punësua në një piceri dhe si kujdestar për mbesat Rafaelia dhe Alexia.

Ai luftoi gjatë me sëmundjen, të cilën nuk mundi ta mposhtte…

Djali i tij, ing. elektrik PH.D. Ilir Progri, foli në anglisht dhe në shqip. Ai ka ndjekur krahas studimeve inginerike dhe disa kurse fetare dhe e njeh mirë “Biblën”. Prandaj ai tregoi disa nga karakteristikat dalluese të edukatës së shëndoshë që u dha ky baba dy fëmijëve të tij, si vullnetin, korrektësinë dhe dashurinë ndaj punës, ndaj familjes dhe shoqërisë. Edukata që ai u dha fëmijëve, theksoi Iliri, ishte një edukatë me moral të shëndoshë, në përputhje me mësimet e profetëve të lashtë dhe të nxënësve të Jezusit, prej të cilëve ai solli dhe disa citate. Iliri e kishte shpënë babain e vet të dëgjonte dhe disa predikime fetare të disa pastorëve të pregatitur mirë. Edhe pse Fiqriu nuk arriti të besonte, ai pati një përmirësim në jetën e tij: e la duahnin dhe e rralloi pijen e rakisë. Shumë të krishterë dhe disa kisha, e mbylli fjalën e tij Iliri, do të luten për shpëtimin e shpirtit të tij.

Fjalimi i Ilirit në anglisht ishte printur si fletëpalosje në katër faqe dhe u shpërnda midis pjesëmarrësve…

Lumturia, bashkëshjortja e të ndjerit, tregoi si u realizua njohja dhe martesa e saj me Fiqriun. “Në fillim, tha ajo, nuk më pëlqeu emri i tij Fiqo, si e thërrisnin shkurt, por logjika e tij, bisedat me kripë dhe karakteri i pastër, më bënë ta dashuroja gjithnjë e më shumë. 52 vjet martese na kaluan si 52 javë. Vështirësitë e jetës me Fiqriun i kaluam  me optimizëm, sepse i tillë ishte ai. Porosinë që më dha: “Të bëhesh e fortë e mos u dorëzo!” do ta mbaj si amanet.

Piktori Dhimitër Çika, i cili kishte kaluar shumë vjet në shoqëri me Fiqriun në qytetin e Korçës dhe këtu në Worcester, solli kujtime nga veprimtaria krijuese e kolegut të tij:

“Fiqriu ka qenë një nga piktorët më prodhues të rrethit të Korçës. Ai na mbante shumë afër ne të rinjve. Të punoje e të bisedoje me të, nuk mërziteshe kurrë.

Ai kishte kulturë të gjerë si në fushën e artit dhe në historinë tonë kombëtare e atë botërore. Dinte të na këshillonte për procese të ndryshme të punës dhe për mënyrën si t’i motivonim kërkesat për lëndët e para, pa ngutje e pa inat.

Punët e tij janë vlerësuar në shkallë rrethi dhe në shkallë kombëtare. Ai ka marrë shumë çmime lokale në ekspozita të organizuara në rrethin e Korçës dhe më 1974 peisazh-kompozimi i tij “Dita e Çlirimit të Korçës” u vlerësua me çmim të dytë në konkursin kombëtar.

Puna e tij me albumin kostumografik është një punë që ka zënv vend si një nga thesaret tona më të çmuara.

Me këmbënguljen e tij u realizua blerja e veprave të artit prej ndërmarrjeve të ndryshme pasi ato vlerësoheshin në konkurset e rrethit.

Fiqri Progri, për mendimin tim, do të mbetet në trashëgiminë artistike të Korçës si një nga piktorët më të talentuar bashkë me piktorët Spiro Xega, Todi Dallta, Vangjush Mio, Kristaq dhe Vangjush Tushi, Rafael Dembo, etj.

Gjithashtu ai do të kujtohet dhe si një shahist i zoti dhe shok i muhabetit e i rakisë që mblidhej me shokët e tij për të kaluar orë gazmore mbas punës…”

Mbesat Rafaelia dhe Alexia, shprehën dashurinë e respektin e tyre për gjyshin e rrallë, përkushtimin e tij për rritjen dhe edukimin e tyre, punë të cilën nuk mund ta bënte asnjë bebysiter amerikane. Falë kësaj pune sot këto dy mbesa flasin shqip.Të përlotura ato mbyllën fjalën e tyre duke thënë: “ Gjyshi ynë çdo ditë na tregonte barcoleta e shakara, sa që na duket se ai do të ngrihet tani e do na thotë: “Ua hodha, kjo ishte një shaka, unë nuk kam vdekur.”

Pas kësaj, kortezhi u nis për te vorrezat “Hoppe Cimetery” ku u krye varrimi, i cili u parapri nga një shërbim liturgjik që e kreu Iliri.

Anesti Dine, dhëndri i të ndjerit Fiqri, porositi gjithë pjesëmarrësit të shkonin së bashku për drekën e lamtumirës tek restoranti në adresa 1394 Main Street, ku sejcili vijoi të tregonte kujtimet e veta për të paharrueshmin Fiqri.

I përjetshëm qoftë kujtimi i piktorit dhe shokut tonë Fiqri Progri!

Filed Under: Opinion Tagged With: FIQRI PROGRI, I DASHURI YNË, Lamtumire, Thanas L Gjika

KOMUNITETI SHQIPTAR I DHA LAMTUMIRËN PASHKO GOJÇAJ

January 12, 2018 by dgreca

2 Gojçaj Pashku

Don Lush Gjergji: Vëllezerit Gojçaj i mbushën shumë sheshe dhe rrugë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe SHBA, me shtatoret e Nënës Tereze. Edhe më shumë i plotësuan shumë zemra me fisnikëri, bujari dhe bamirësi, duke bërë atë të famshme dhe të pranishme në mendjen dhe zemrën e  popullit tonë./

1 arkiv mesha1 Prifti larg1 tre prifta1 salle me arkiv1 a dom Pjet varrimi1 a Luigj Rakaj

Siç kishte njoftuar Gazeta Diellit, gjatë ditës së djeshme, e Enjte, 11 Janar 2018 nga ora 2.00 PM deri në orën 9.00 PM në Shtëpinë  Mortore Yorktown, komuniteti shqiptar nga SHBA, Kanada, Europa si dhe nga vendlindja, zhvilloi homazhe në nderim të Pashk Gjeto Gojçaj, i cili ndërroi jetë me 10 Janar 2018, pas një qëndrimi disaditor në spital prej një sëmundjeje të pashërushme. Komuniteti shqiptar e ka nderuar veprimtarin dhe biznesmenin bashkatdhetar, duke formuar radhë të gjata para funeralit.Ka qenë një pjesmarrje shumë e madhe.

1 a leka zonja varrim1 Leka Marjan1 a Lek mesazh Ipeshkevi1 a Mesha kjoIMG_92631 a StatujaHomazhe bënë edhe diplomatë nga Konsullata e Kosovës, drejtues te shoqatave te komunitetit, biznesmene, aktiviste etj. Kryetari i Vatrës, z. Dritan Mishto, i shoqëruar nga zv. Kryetari Agim Rexhaj dhe  bashkëpunëtorë të tij, ka ngushëlluar Familjen Gojçaj.

Sot, e Premte 12 Janar 2018, në orën 11.00 AM, në Kishën Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës” u organizua Mesha e funeralit e udhëhequr nga Famullitari Dom Pjetër Popaj.

Ceremonia e varrimit u organizua në varrezat Gate of Heaven në Nju Jork. Pas Lutjeve fetare të udhëhequr nga Dom Pjetër Popaj, në emër të Familjes Gojçaj, z. Luigj Rakaj ka falenderuar meshtarët dhe pjesmarrsit në ceremoninë e varrimit si dhe të gjithë komunitetin shqiptar, që iu ndodh pranë Familjes në këto çaste të vështira.Rakaj përmes një fjalimi emocionues ka përshkruar jetën e Pashk Gojçaj si dhe kontributin atdhetar të familjes Gojçaj, e cili ka bërë më shumë se dhe vetë shteti shqiptar për përjetësimin e Shënjtëreshës shqiptare Shën Tereza.

Më pas aktivisti Lek Përlleshi, ka lexuar mesazhin e Bibliografit të Shën Terezës, Don Lush Gjergji, i cili në emër të Ipeshkëvit të Kosovës, Imzot Dodë  Gjergjit, ka përcjellë ngushëllimet më të thella dhe ka vlerësuar veprën Kombëtare të Familjes Gojçaj.

Në mesazh shkruhej:Edhe një mik, vëlla, bamirës, kaloi në amshim-Pashk Gojçaj. Ky njeri, shqiptar, i krishterë, familjar, së bashku me vëllanë Lekë Gojçaj, ishte i shquar dhe i dalluar si mërgimtar në SHBA jo vetëm për punë dhe sukses personal, familjar, por mbi të gjitha për angazhimin dhe veprimin në dobi të çështjes kombtare.

Qysh nga vitet 90-të, kur Shqipëria së fundi ishte hapur pas diktaturës së egër komuniste-ateiste, ndërsa Kosova ishte në gjendje tejet të vështirë, shumë të rrezikshme, me batica dhe zbatica të papara, me rreziqe të shumta, me thyrje të mëdha politike, shoqërore, kulturore dhe shpirtërore, vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, ndër të parët nga SHBA-ja u bashkërënditën me prijësin tonë historik Dr. Ibrahim Rugovën në kërkim të zgjidhjes me mjete pasqësore jo dhunore. Ata shumë shpejt u bënë bashkëpunëtorë dhe përkrahës të tij, të popullit tonë në Kosovë.

Njohuritë, pasuritë, miqësitë e tyre i vunë në shërbim të të mirës së përbashkët, të mbijetesës sonë, dhe një pjesë të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë, ia kushtuan bashkëpunimit me miqtë tanë kombëtar dhe ndërkombëtar.

Mishërimi i kësaj strategjie dhe bamirësie erdhi në shprehje nëpërmjet Nënës Terezë, si pasojë e logjikshme dhe natyrore e nderimit, falenderimit dhe imitimit të saj në botën tonë shqiptare. Ata i mbushën shumë sheshe dhe rrugë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe SHBA, me shtatoret e Nënës Tereze. Edhe më shumë i plotësuan shumë zemra me fisnikëri, bujari dhe bamirësi, duke bërë atë të famshme dhe të pranishme në mendjen dhe zemrën e  popullit tonë.

Dhe së fundi angazhimi në ndërtimin e Shenjtërores dhe Katedrales”Nëna Terezë” në Prishtinë, që ishte sfidë për të gjithë ne. Edhe në këtë fushëveprim, vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, nuk kursyen asgjë, për të qenë pjesë aktive dhe bamirëse, si bijë shpirtëror të Shën Terezës, të popullit tonë.

Në emër të Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkëvit të Kosovës, të klerit dhe besimtarëve tanë, shprehim ngushëllimet tona të krishtera, të përcjellura me nderime, falenderime, uratë dhe dashuri.

Për këto dhe shumë vepra të tjera të mira, Zoti, të ndjerin pashk Gojçaj, e shpërbleftë me Paqe, dritë, jetë dhe lumturi të amshuar, ndërsa familjen e dashur dhe të nderuar Gojçaj, me ngushëllime!

Pushoftë në paqë!

Prishtinë, 10 Janar 2018

(Korresp. i Dielli-t)

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, kronike, Lamtumire, Pashko Gojçaj

Lamtumirë….

August 4, 2017 by dgreca

arshi_pipa 2(1)

Poezi nga Arshi Pipa/

1-anton-cefa

(Përgatiti për botim Anton Çefa)

Lamtumirë/

Delni e m’thoni udhembarë,/

mbanje veten t’forta,/

dridhnje n’erë shaminë me ojna/

prej mbi prak, o motra!/

 

Me shaminë fshini prej syshë

lotët tuej te votra,

hidhnje n’erë . . . nji dallëndyshë

ka me u ba, o motra!

Do ta shquej ndër mija tjera

te ku m’hodhi shorta

përtej detit n’dhena t’hueja

ku po shkoj, o motra!

Neli

Asnji sa Nelin s’deshta

ndër gjith’ shokët e burgut.

Kishte hijen e murgut,

kishte fjalët e thjeshta

qi n’buzë si lule çelin,

lule vjeshte të rralla,

e kundërmojnë të gjalla

te kujtesa ku ngelin.

Nji katundar ai ishte

prej Durrësi, nga rrethet.

E shtypshin keqas ethet,

me reuma ndër kërbishte,

përveç plagës mbi gju

qi mori n’arrati,

kur vëlleznit e ti

u vranë, ai vetë u zu.

 

E hiqte edhe ma keq

për ushqim, kishte lanë

tre kalamaj pa nanë

te votra me dy pleq,

por kurr s’e pata rrokë

n’aq ngushticë e nevojë

me namë e me shpërgojë,

nji herë me u grindë me shokë.

 

Shok, shpesh të kam kujtue.

Nji provë dojsha dhe e gjeta.

Prej asaj dite jeta

Pat kuptim me u jetue.

 

Mbramje katundare 

Gjallnohet mbarë katundi

kur dita vjen tue shmangë.

Bariu me dhent përpara i la fushoret

tue fishkullue nji kangë.

Ndër ara punët sosën.

Lëshoi kostari kosën,

djersën nga balli fshinë qi rrjedh mbi gushë.

E vasha e nuse me shtambat mbi krye

te kroni i lanë me u mbushë.

Blegërojnë e dhen e dhi mbledhun ndër vathë,

lodrojnë kingjat rreth nanash

tek hyjnë e dalin tbanash

kalamaj përmbas grashë me kambë zbathë.

Nji derë mbyllet e çilet,

përgjegjet pallja e lopës qi po milet.

E dyndet nata tue përzanë kuqloshe

dritën përtej kodrinash

qi shkojnë zhdërvjelltas tue value kah deti.

Nji grue i këndon foshnjes

tue e lëkundun te djepi.

Përgjumet nana foshnjen tue lëvitun,

dridhet nji maje plepi,

e mandat qi pikojnë erna përdarin

e shejin rrotull barin.

Navigare necesse

« N’oqeanin e pamasë,

lundërtarë mbi zgavrra lisi,

çka kërkoni ju me hasë

ku ndër gjire joshë avisi ?

Para jush e mbrapa mjegull,

valë qi ndiqen rretheqark

ndër bunaca e shqota shrregull,

e nji qiell qi u mbyllet çark ! »

 

« Qielli i çamë rrezitë ylbera,

fundi i detit ka visare,

na përcjellë me vringull era

anash botës kufitare.

Ndiej! Kërset me u thye anija,

vjen nji frymë, na jemi gati,

velat ndenë për ne dashnia

e lundrojmë me busull fati.”

Agim

Andrrat bahen të shkurta,

flurojnë të shpejta

n’ajrin e rralluem,

u ndihet murmurimi.

 

Te hyjzit vezullimi

Asht i shqetë,

e fryjnë era t’ imta.

 

Fërgullon tash e cikun

gjethnaja.

 

Agim te maja.

 

 

Legjenda e Drenicës

 

Uluron murrani i çmendun,

fshan si bishë me zhgjetën n’bri.

Davaritet mjeglla e dendun

mbi katundin shkrumb e hi.

 

E mbi buzën e nji rrmorje

duket tash nji kullë mënjanë.

Nji djalosh përmbas dritorje

rrin mendueshëm e nuk bzan.

 

Asht për rrugë e n’armë shtërngue:

bomba dore me gjerdanë.

“Loke, s’mundem me mungue;

lamtumirë kam ardhë me t’thanë.”

 

Qan e ama e duert i mbeten

tu’i përdredhë n’idhnim e fshan:

“Dy qi pata shkuen e mbeten…

bir o bir, ku don me m’lanë?

 

Mbushë s’i ke ti pesëmbdhetat,

kush at gja s’ta ven ty barrë…”

“Nanë, do t’shkoj me u ba me çetat,

gjakun vllezënve me u marrë!”

 

“Kanë me t’vra: si tu vëllezën,

si tët at, i pushkatue!

Ku na len, ah, mue fatzezën,

tande motër fatshkretue?”

 

“Lene, nanë! Ma keq me  e mbyllë:

ktu me e gjetë si berr e presin.

Shqe veç janë, me hyll pa hyll.

Qymen kanë ndërrue, jo vesin!

 

Lene t’shkojë, e mbarë ju dhashtë.

Ktheftë me nder. Por n’qoftë, o vlla…

(Perendija mos e thashtë!)

gjakun vetë kam me ta la!”

 

Fishkullon murrani rrmores,

me frullizë tue uturi,

hyn ndër hekrat e dritores

nalt te kulla shkrumb e hi.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, Arshi Pipa, Lamtumire

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT