Të gjithë bashkë le të bëjmë thirrjen për t’i ngritur një monument në Prishtinë e Tiranë për z.Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, heronjëve të gjallë të kombit shqiptar
LEONORA LAÇI- NEW JERSEY/
Duke lënë pas motin e keq të këtyre ditëve, retë i lanë vend diellit për të shndritur edhe më fortë teksa Liga Shqiptaro-Amerikane në ambientet e RP Prime Steak and Seafood Restorant bëri promovimin e librit “The quest for albanian freedom and the end of Yugosllavia”(botuar në vitin 2021) Hon. Joseph J.DioGuardi and the Albanian American Civic League 1985-1993, një libër me dokumente historike të mbledhura dhe edituara nga dr.Faton Bislimi. Zbardhja e veprimtarisë së ish kongresistit z.Joseph J.DioGuardi dhe znj.Shirley Cloyes DioGuardi këshilltare për çeshtjet ballkanike që është konsideruar dhe si Shote Galica, nuk është e vështirë, vështirësia e këtij libri qendron tek ajo se çfarë duhet ndarë si më e rëndësishme pasi për të shkruar për Ligen Qytetare shqiptaro-amerikane mund të dalin libra vëllimor.
Ky aktivitet i kaloi përmasat e një promovim libri pasi vet prania e Senatorit të njohur amerikan Robert Menendez i shoqëruar nga bashkëshortja simpatike znj. Nadine Arslanian, si dhe Ambasadori i Misionit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara në Nju York z.Ferit Hoxha Ambasadori i Kosovës në Uashington z.Ilir Dugolli, Ambasadori Frymzim Isufaj, historiani i njohur Jusuf Buxhovi, biznesmene, dhe anëtarë të kryesisë së Liges na dëshmuan për rendësinë që ka historia që mbanë mbi supe kjo organizatë, po ashtu u përcollë aktiviteti dhe nga gazetarë të ndryshëm.
Ish- kongresmeni z.Joseph J.DioGuardi dhe znj.Shirley Cloyes DioGuardi i uruan mirëseardhje pjesëmarrsëve duke i dhënë fjalen Senatorit Robert Menendez, pasi uroj një vit sa më të mbarë për të gjithë, ai i falenderoj organizatorët për ftesën dhe vlerësoi punën e z.Joseph DioGuaridi dhe z.Shirley Cloyes DioGuardi për çështjen e Kosovës konkretisht, por dhe për shqiptarët në përgjithësi. Senatorit Menendez iu drejtuan pyetje nga Joe DioGuardi dhe z.Agim Aliçkaj, pyetjet ishin rreth qendrimeve të përfaqësuesve special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perendimor, qartësimi i qendrimeve të tyre dhe nevoja për mbajtjen e një degjese në Kongres. Senatori Menendez vuri në pah që politika zyrtare Amerikane është e përqendruar aktualisht tek konflikti në Ukrahinë por së shpejti do merremi me çështjen e Ballkanit Perendimor dhe do kërkohen sqarime nga zyrtarët e Depertamentit të Shtetit në lidhje me qendrimet e tyre.
Në fjalët e mbajtura nga të ftuarit u fol për rëndësinë e Liges Qytetare dhe se sa e rëndësishme ka qenë veprimtaria e kësaj organizate për të ndikuar në arenen ndërkombëtare. Folën dy anëtar të kryesisë të Ligës z.Faik Lita dhe z.Agim Aliçkaj. Anëtari i Kryesisë së Ligës z.Agim Aliçkaj ndër të tjera: “ Populli i Kosovës luftoi për lirinë e tij nga pushtimi serb për më shumë se një shekull. Në 30 vitet e fundit ishin tre faktorë vendimtarë që sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, rezistenca paqësore e Lëvizjes Demokratike të udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova, rezistenca e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me në krye Adem Jasharin dhe heronj të tjerë, si dhe aktiviteti lobues në Uashingtoni i udhëhequr nga Joe DioGuardi. Ndihma amerikane dhe bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë erdhën si rezultat dhe kombinim i këtyre tre faktorëve.
Historia e pavarësisë së Kosovës do të jetë e mangët nëse një monument për Joe-n dhe Shirley-n nukë ngritet në Prishtinë. Ata nuk do të pranonin mirënjohje nga politikanë të korruptuar e të shitur. Pritet që Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti ta bëjnë këtë. Ose kjo do të bëhet një ditë nga qeveritë e mëvonshme.
Puna profesionale, e pavarur dhe e fuqishme e Ligës në Uashington do të vazhdojë deri në mundjen përfundimtare të Serbisë kriminale. Për mua dhe miliona shqiptarë në mbarë botën, Joe dhe Shirley janë personalitete dhe heronj të vecante. Është një nder I madh që i njoh dhe punoj ngushtë me ta në të mire të kombit të jashtëzakonshëm shqiptar për më shumë se 31 vjet. Faleminderit Joe, Shirley dhe Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane!”- permbylli fjalen e tij anëtari i kryesisë z.Aliçkaj.
Ndërsa dr.Faton Beslimi u ndal tek libri i botuar dhe thelbi i këtij librit. Ky libër nuk do ishte realizuar pa mbështetjen e ngushtë me Joe dhe Shirley si dhe anëtarët e kryesisë së Ligës. Pas këtij libri do të pasojë një tjetër që do të përfshij harkun kohorë 1994-2008.
Libri fillon me historikun sesi DioGuardi filloi të punoj për çështjen shqiptare, për të vazhduar me relacionet e paraqitura para Kongresit Amerikan që na njohin me përpjekjet e z.DioGuardi për cështjen shqiptare. Libri përfshin periudhën nga viti 1985, vit kur DioGuardi u zgjodh Kongresist në USA për herë të parë dhe i pari kongresmen që u mor me çështjen shqiptare dhe përmbyllet me vitin 1993 kur filloi shpërbërja e Jugosllavisë. Një punë kolosale e paimagjinueshme për të qenë zëri i shqiptarve në Uashington, aty ku zëri i shqiptarve nuk ishte dëgjuar më parë, ose ishte mbytur si përherë nga lobet e shteteve ballkanike që e donin kombin shqiptar të përçarë që ta sundojnë më mirë. DioGuardi nuk u bë vetëm zëri i Kosovës por dhe i Shqipërisë së dalë nga një sistem diktatorial që e kishte shkatërruar dhe ndjenjën e kryengritjes, një popull që ecte pa drejtim tek e panjohura. Ky libër është vetëm maja e ajsbergut të një veprimtarie më shumë se 30-vjeçare të Liges Qytetare Shqiptaro-Amerikane që pa Joe dhe Shirley do ishte e pamundur të kishte rezultatet e deshiruara. Po ashtu pa mbështetjen e pakufishme të veprimtarve shqiptar që nuk kursyen asgjë për lirinë e Kosovës.