• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIGJI PËR SIMBOLE KOMBËTARE NË MAL TË ZI

November 20, 2017 by dgreca

                       1 Nik Gashaj

Nga Nikë Gashaj/Në periudha të ndryshme historike flamuri shqiptar ka qenë i ndaluar në Mal të Zi, si për shembull pas demostratave të studentëve në Kosovë me 1981. Si problem është paraqitur përdorimi identik i flamurit shqiptar në Mal të Zi me flamurin e shtetit shqiptar. Mirëpo, jam i mëndimit se qendrimet të tilla janë të pa baza, sepse flamuri shqiptar ka cilësi të dyfishtë: është jo vetëm simbol shtetëror, por dhe simbol kombëtar, prandaj dhe të shqiptarëve në Mal të Zi.

Në kohën e pluralizmit politik, që nga viti 1990, përsëri është lëjuar përdorimi i flamurit shqiptar në Mal të Zi, por ka pas raste të intervenimit të policisë dhe të ndalimit të përdorimit publik të flamurit shqiptar duke e konsideruar atë si flamur të shtetit të huaj.

Ministria për të drejtat e njeriut dhe të pakicave ka qenë e angazhuar për hartimin e projekt ligjit të ri për zgjedhjen dhe përdorimin e simboleve kombëtare të pakicave. Si antar i Grupit punues për hartimin e ligjit në fjalë, që në fillim të punës ua kam ndarë  antarëve të Grupit me shkrim propozimet e mia në lidhje me ligjin. Ndër të tjerat u kam shkrua: “Popujtë pakicë dhe bashkësitë tjera nacionale dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë të përdorimit dhe qitjes së simboleve tradicionale kombëtare.

Simbolet nacionale të pjesëtarëve të popujëve pakicë ose të bashkësive të tjera  kombëtare pakicë të cilat mund të përdoren individualisht apo në bashkësi me të tjerët janë simbolet tradicionale  kombëtare të cilat janë përdorë deri me tani.

Simbolet e popujëve pakicë ose të bashkësive tjera nacionale pakicë nuk guxohen dhuntisht me i ndërrua, me ia imponua popullit pakicë  ose bashkësive nacionale pakicë dhe pjesëtarëve të tyre, as që guxohet që simbolet kombëtare të përdhosen.

Në njësin e vetëqeverisjes lokale në strukturën e popullatës së saj populli pakicë ose bashkësia nacionale pakicë të cilat bëjnë pjesë me më se 5%, simbolet e tyre kombëtare janë në përdorim publik.Simbolet kombëtare të popullit pakicë ose të bashkësisë nacionale pakicë të cilët në nivelin e komunës nuk e arrrijnë 5% në strukturën e popullësisë mund të jenë në përdorim publik në vendbanime ose në Bashkësi lokale në territorin e saj nëqoftë se në ato hapësira e arrijnë 15 përqindje të popullësisë”.Kjo ka qenë me rëndësi, përarsye se   5%  ua mundëson shqiptarëve përdorimin e flamurit kombëtar  në komuna: Ulqin, Tivar, Tuz, Plavë , Rozhajë dhe Guci. Propozimi i tillë është pranua nga Grupi punuas, nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, respektivisht nga Qeveria e Malit të Zi.

Më tutje kam shtua: Simbolet kombëtare në përdorim publik mund të qiten në ndërtesat dhe hapësirat e vetëqeverijses lokale, të ndërmarrjeve dhe të institucioneve publike, gjatë festave shtetërore dhe të festave të pakicës kombëtare ose të bashkësisë tjetër nacionale kombëtare.

Përdorimi privat i simboleve kombëtare  të popullit pakicë ose të bashkësisë nacionale pakicë dhe të pjesëtarëve të tyre në njësitë e vetëqeverisjeve lokale është i lirë. Prandaj dhe të shqiptarëve në Mal të Zi.

Në përdorimin privat, simbolet e popullit pakicë ose të bashkësisë tjetër nacionale pakicë mund të përdoren e të qiten dhe pa flamur shtetëror.Njësitë e bashkësive lokale në të cilat jetojnë popujtë pakicë ose bashkësitë tjera nacionale pakicë janë të detyruara që me statatutet e veta  më detajisht ta rregullojnë çështjen e përdorimit të simboleve të tyre kombëtare, në pajtim me ligjin”.

Puna e Grupit punues në hartimin e ligjit për simbole kombëtare nuk ka qenë e lehtë. Natyrisht, se ka pasë dhe qendrime të ndryshme dhe polemika. Por më në fund Grupi punues me shumicë është dakordua dhe ka arrijtur rezultate pozitive në hartimin e projekt-ligjit.Qeveria e Malit të Zi e ka  përcaktua propozimin e ligjit për zgjedhjen, përdorimin dhe të qitjes publike të simboleve kombëtare. Përcaktimi i propozimit të ligjit  nga Qeveria e Mali të Zi, në esencë i përmbanë elementet pozitive të hartuara nga Grupi punues, sikurse janë: simbolet kombëtare konsiderohen ato simbole të cilat pjesëtarët e popujëve pakicë dhe të bashkësive tjera nacionale pakicë i përdorin për prezentimin dhe shprehjen e identitetit kombëtar (neni 2); simbolet kombëtare janë stema, flamuri dhe himni(neni 4); në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjestarët e popullit pakicë ose të bashkësisë tjetër nacionale pakicë e bëjnë shumicën e popullësisë, sipas rezultateve të fundit të regjistrimit të popullësisë, në ndërtesat të organeve të vetëqeverisjes lokale dhe të institucioneve publike themeluesi i të cilave është komuna, respektivisht shteti, vazhdimisht valvitet flamuri  i atij populli pakicë ose  të bashkësisë tjetër nacionale pakicë(neni 11); në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjestarët e popullit pakicë ose të bashkësisë tjetër nacionale pakicë  e bëjnë më shumë se 5% të popullësisë, sipas rezultateve të regjistrimit të fundit, në ditën e Festës të atij populli pakicë ose të bashkësisë tjetër nacionale pakicë, në ndërtesat e organeve të vetëqeverisjes lokale, qitet dhe flamuri i atij populli pakicë ose të të bashkësisë tjetër nacionale pakicë(neni 12); flamuri kombëtar i popujvë pakicë qitet dhe në hapësirat e klulbëve të deputetëve etj.

Etalonin e stemës  dhe të flamurit, si dhe shënimin për nota të himnit do ta përcaktoj me marrjen e vendimit Këshilli i popullit pakicë ose të bashkësisë nacionale pakicë.Pajtueshmërin për vendimin e Këshillit kombëtar e jep Qeveria e Malit të Zi.

Prandaj, për marrjen e vendimit të lartëpermendur ekziston përgjegjësia e Këshillit Kombëtar  të shqiptarëve në Mal të Zi në atë aspekt që Flamuri kombëtar të mos  pësoj ndryshime, por të përcaktohen për flamurin tradicional kombëtar shqiptar. Këshilli Kombëtar shqiptar, parasëgjithash duhet ta ketë parasysh Kushtetutën e Malit të Zi, neni 79, ku thuhet: pjesëtarëve të popujëve pakicë dhe të bashkësive tjera nacionale pakicë u garantohen të drejtat dhe liritë të cilat mund t’i shfrytëzojnë individualisht dhe në bashkësi me të tjerët: në zgjedhjen, përdorimin dhe qitjen publike të simboleve dhe në kremtimin e festave kombëtare (pika 2). Andaj, sipas kësaj dispozitë kushtetuese vetëm pakicat, prandaj dhe shqiptarët në Mal të Zi kanë të drejtë me i përcaktua simbolet e veta kombëtare.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ligji, ne Mal te zi, Nik Gashaj, SIMBOLE KOMBËTARE

Kosovë-Kuvendi miraton rezolutë për vlerat e UÇK-së

October 28, 2016 by dgreca

-Kuvendi i Republikës së Kosovës zotohet që brenda 6 muajve do ta miratojë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim/

1-kuvendi

-“Debat parlamentar për vlerat e UÇK-së në raport me situatën e krijuar”, ishte pika e vetme e axhendës së Kuvendit të Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të zhvilluar dje, të ftuar me urgjencë, me kërkesën e mbi 40 deputetëve, pas vërtetimit nga Gjykata e Apelit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës në rastin e njohur si “Drenica 2”, për 10 të akuzuarit që ishin komandantë e pjesëtarë të tjerë të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës/

PRISHTINË, 28 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës  në një rezolutë që miratoi sot paralajmëron se brenda gjashtë muajve do nxjerr Ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për liri dhe pavarësi.

“Debat parlamentar për vlerat e UÇK-së në raport me situatën e krijuar”, ishte pika e vetme e axhendës së Kuvendit të Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të zhvilluar dje, të ftuar me urgjencë, me kërkesën e mbi 40 deputetëve, pas vërtetimit nga Gjykata e Apelit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës në rastin e njohur si “Drenica 2”, për 10 të akuzuarit që ishin komandantë e pjesëtarë të tjerë të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës është zhvilluar me shumë debate dhe replika pozitë-opozitë, me akuza e kundërakuza të shprehura edhe me fjalë të ashpëra dhe deri afër përplasjes fizike në një moment.Duke përmbyllur seancën mbrëmë kryeparlamentari Kadri Veseli paralajmëroi një seancë të veçantë plenare në muajin nëntor për të trajtuar çështjen e shprehjeve parlamentare që mund dhe nuk mund të përdoren në Kuvendin e Kosovës.Pas votimit të rezolutës, sot Kuvendi i Kosovës zhvillon edhe një seancë tjetër, të rregullt, ku një nga 17 pikat e axhendës është Propozim-Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës adresuar Unionit Europian për liberalizimin e vizave, e cila ndërlidhet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe edhe pas takimeve të zhvilluara nuk është harmonizuar plotësisht nga subjektet politike parlamentare të pozitës dhe opozitës.

Filed Under: Komente Tagged With: Kuvendi i kosoves, Ligji, Vlerat e UCK

Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit

May 25, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, pamje nga Sheshi Ibrahim Rugova në Prishtinë/

-Kuvendi i Kosovës sot në seanca plenare/

-Në Qeverinë e Kosovës pritet emërimi i zëvendëskryeministrit të parë dhe dy ministrave/

-Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 89-të miraton projektligje dhe dokumente tjera/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Maj 2016/ Kosova bëhet me ligj për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, i cili u votua sot me shumicë në seancën plenare të Kuvendit që kishte në axhendë shqyrtimin e dytë, pas miratimit në parim në 18 maj me procedurë të përshepejtuar.

Në prezantimin e projektligjit në Kuvend ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha  se “lufta kundër terrorizmit lidhet ngushtë me programin e qeverisë së Kosovës, i cili parasheh qasje proaktive për bashkëpunim ndërkombëtar për parandalimin e pastrimit të parave”, ndërsa theksoi se,”bashkëpunimi dhe ndërveprimi më i mirë me policinë dhe prokurorinë, në këtë drejtim, është jetik”.

Sot, Komisioni për Buxhet dhe Financa prezantoi vlerësimin se Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit duhet sa më shpejtë të procedohet dhe theksoi angazhimet që ligji të jetë në harmoni edhe me direktivat e Bashkimit Evropian.

Pas kësaj, në leximin e dytë, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan 37 amendamentet dhe pastaj në tërësi ligjin me 58 vota pro, 7 abstenime e asnjë kundër.

Edhe tre projektligje të tjera ishin në axhendë në lexim të dytë, por pasi u tërhoq nga qeveria u shty shqyrtimi i njërit prej tyre – Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Me shumicë votash u miratuan dy projektligjet tjera – për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, si dhe për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Fillimisht sot, Kuvendi i Kosovës, edhe më tej pa opozitën, u mbledh në vazhdimin e seancës plenare,  të filluar në 18 maj me 20 pika në axhendë, 7 prej të clave mbetën të papërfunduara – të pavotuara, në mungesë të kuorumit. Një nga këto pika ishte shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Konventës për heqjen e  Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961).

Para seancave të Kuvendit, u takua qeveria e Kosovës në mbledhjen e 89-të, të 22-tën në vitin 2016, ndërkohë që sipas shtypit të sotëm kosovar kryeministrit Isa Mustafa i kanë shkuar në tavolinë edhe zyrtarisht propozimet e PDK-së për plotësimin e pozitave që kishte Hashim Thaçi deri në zgjedhjen President i Republikës.

Ministër i Punëve të Jashtme është propozuar Enver Hoxhaj, i cili e ka udhëhequr këtë dikaster edhe gjatë mandatit të kaluar. Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi do të kalojë në  pozitën e zëvendëskryeministrit të parë, e në vend të tij është propozuar Gani Koci, aktualisht zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik.

Kuvendi i Kosovës, në përbërjen aktuale është konstituuar në 8 dhjetor 2014, e një ditë më vonë ka votuar qeverinë e re, plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të para afër dy viteve – të 8 qershorit.

QEVERIA E KOSOVËS NË MBLEDHJEN E 89-TË MIRATON PROJEKTLIGJE DHE DOKUMENTE TJERA

Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 89-të të rregullt, të 22-tën në vitin 2016, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, në të cilën ka miratuar projektligje dhe dokumente tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria ka miratuar Projektligjin për Performancën Energjetike në Ndërtesa. Ky Projektligj plotëson obligimet që dalin nga Traktati për Energjinë dhe për Efiçiencën e Energjisë Elektrike. Projektligji plotëson edhe rregullon edhe çështje nga Ligji për Ndërtimin dhe është në përputhje më standardet më të larta evropiane që rregullojnë këtë fushë.

Edhe Projektligji për Ndihmën Shtetërore ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Ky Projektligj përcakton parimet dhe procedurat, kushtet e përgjithshme si dhe rregullat për autorizimin, monitorimin dhe revokimin e ndihmës shtetërore, me qëllim të përmbushjes së obligimeve që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës. Miratimi i këtij Projektligji është edhe një obligim që del nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Rregulloren për obligimet materiale, llojet e të mirave materiale, mënyrën e përdorimit dhe kompensimit të tyre. Rregullorja ka për qëllim përcaktimin e obligimeve materiale dhe kompensimin e atyre të dëmtuara, shkatërruara apo të humbura, të dhëna për kryerjen e obligimit material në gjendje të jashtëzakonshme. Ky akt nënligjor derivat nga Ligji për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore në Republikën e Kosovës.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për aprovimin e klasifikimit të vendeve të punës në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Ky klasifikim është përgatitur nga komisioni i përbashkët qeveritar i Ministrisë Administratës Publike dhe Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje është aprovuar Propozimi për përzgjedhjen e modelit të përzier për financimin publik të organizatave jo-qeveritare në Republikën e Kosovës. Me këtë synohet krijimi i një kornize transparente për shpërndarjen e fondeve publike për Organizatat e Shoqërisë Civile dhe OJQ-të,  që është përcaktuar si një nga qëllimet kyçe të Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013-2017.

Qeveria ka aprovuar edhe vendimin përfundimtar për shpronësimet për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM: Pika Kufitare Kapi, Zona Kadastrale Sfircë, Komuna e Kamenicës.

Gjithashtu, është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e Komisionit të Ankesave për të Huajt.

Kabineti qeveritar është informuar nga kryeministri Mustafa për takimin e zhvilluar me udhëheqjen e Ferronikelit, me përfaqësues të Agjencionit Kosovar  të Privatizimit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, me përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ku ka marrë pjesë edhe ministri i Financave, ku është biseduar lidhur me tejkalimin e gjendjes në Ferronikel.

“Është fjala për një firmë e cila ka një pozitë mjaftë të rëndësishme, që punëson rreth 1 mijë punëtorë dhe për cilët ne si Qeveri jemi të interesuar të japim mbështetje dhe të nxjerrim nga kjo situatë në të cilën është”, tha ndër të tjera kryeministri Mustafa.

Ministri i Administratës Publike ka njoftuar kabinetin edhe për procesin e hartimit të Projektligjet për Pagat për të gjithë përfituesit nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, Ligji, pastrim i parave

Kosovë – Gjykata Speciale, ligji hyn në fuqi pas dy javësh

September 1, 2015 by dgreca

-Lufta e armatosur e qytetarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe e përkrahur nga forcat e NATO-së, ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës, luftë kundër forcave ushtarake, policore, paramilitare dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 1 Shtator 2015/ Në Kosovë, drejt krijimit të Gjykatës Speciale, Ligji për Dhomat e specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të specializuar, është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe hyn në fuqi pas dy javësh, në 15 shtator.
“Me këtë ligj themelohet dhe rregullohet organizimi, funksionet dhe juridiksioni i Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të specializuar”, thuhet në nenin 1 “fusha e veprimit dhe qëllimi i ligjit”, ndërsa në nenin e fundit – 65 thuhet se “ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”. Ligji është miratur në Kuvendin e Kosovës në 3 gusht 2015, është shpallur me dekretin e datës 20 gusht nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në nenin 1, pika 2, thuhet edhe se “Dhomat e specializuara brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të specializuar janë të domosdoshme për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të parapara në Ligjin nr. 04/L-274, për garantimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe për garantimin e procedurave penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase në lidhje me pretendimet për krime të rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare të kryera gjatë konfliktit në Kosovë dhe pas tij, krime të cilat ndërlidhen me ato që janë raportuar në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Dok 12462, i datës 7 janar 2011, dhe të cilat kanë qenë objekt i hetimeve penale të kryera nga Task Forca Hetimore Speciale (“TFHS”) e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (“PSRK”)”.
Ndërsa, në nenin 2 “përputhshmëria me Nenin 55 të Kushtetutës”, thuhet: “Çdo kufizim i të drejtave dhe lirive themelore bëhet në përputhje me nenin 55 të Kushtetutës për qëllime objektive dhe të arsyeshme që janë shprehur në këtë nen, në pajtim me kapitullin II të Kushtetutës dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe procesit të drejtë. Këto qëllime janë në interesin e Kosovës si shoqëri e hapur dhe demokratike dhe janë në shërbim të përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të Kosovës. Në përputhje me nenin 55 të Kushtetutës, këto kufizime shqiptohen vetëm në masën e nevojshme për përmbushjen e këtyre qëllimeve jetike”.
Ndërsa, Ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, siç thuhet në nënin e fundit – 10, “hyn në fuqi gjashtë (6) muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”. Në këta gazetë në 31 gusht 2015 është publikuar edhe ky ligj, e poashtu është miratur në Kuvend në 3 gusht e është dekretuar në 20 gusht nga Presidentja.
Fillimisht, në preambulë, thuhet:
“Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në mbështetje të Nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Duke konfirmuar edhe një herë qëndrimin dhe besimin e paluhatshëm që Lufta e armatosur e qytetarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe e përkrahur nga forcat e NATO-së, ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës, luftë kundër forcave ushtarake, policore, paramilitare dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovë;
Duke njohur sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), të mbështetur nga NATO, e udhëhequr nga SHBA-të dhe aleatet e saj, të cilët ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës;
Me qëllim që të mbrohet dhe zbardhet e vërteta për proceset e mundshme gjyqësore që do të zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara, pa ndonjë ndërhyrje dhe veprim të mundshëm i cili do të mundësonte ndërprerjen e këtij procesi dhe i cili do të mund të linte njollë të pazgjidhur në historinë e re të Republikës së Kosovës;
Duke ritheksuar zotimin e Republikës së Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj;
Duke rikonfirmuar gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës në vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, i paraqitur edhe në Marrëveshjen Ndërkombëtare të ratifikuar në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (Ligji nr. 04/L-274);
Miraton
Ligj për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara”.
Në nenin 1 – “qëllimi”, thuhet: “Ky ligj ka për qëllim mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara”.
Mdërsa, në nenin 2 – “fushëveprimi” thuhet: “Dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj çdo personi i cili akuzohet për krimet e pretenduara në proceset
gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara duke përfshirë mbrojtjen juridike për personat e akuzuar dhe mbështetjen financiare të anëtareve të ngushtë të familjes së tyre për udhëtimet që ndërlidhen me procedurat gjyqësore, që mbahen jashtë Republikës së Kosovës”.
Neni 9 – “aktet nënligjore” përcakton: “Ministria e Drejtësisë miraton akte nënligjore për zbatimin e këtij ligji, më së largu tre (3) muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit”.
Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur sesionin pranveror me seancën e jashtëzakonshme të nisur pak para mesnatës së 3 gushtit, që ishte e treta brenda ditës për ndryshimet kushtetuese dhe ligjet drejt krijimit të Gjykatës Speciale.
Në 11 gusht, grupet parlamentare opozitare të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, dorëzuan në Gjykatë Kushtetuese kërkesën ku kontestohet kushtetutshmëria e amendamentit nr. 24 lidhur me formimin e Gjykatës Speciale, të votuar më 3 gusht 2015 nga Kuvendi. Lidhur me këtë kërkesë të opozitës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk është deklaruar ende.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, GJYKATA SPECIALE, hyn në fuqi, Ligji, pas dy javësh

„ HOPE & PEACE“ MBËSHTET LIGJIN E LUSTRACIONIT DODA & IDRIZI

January 5, 2015 by dgreca

Organizata e Gruas Shqiptare – Amerikane me Seli në New York – SHBA (The Women’s Organization “Hope& Peace”) ndjek vazhdimisht me vëmendje situatën politike, ekonomike e sociale në vend. Me anëtaret tona shpesh bisedojmë rreth ngjarjeve të ndryshme, kryesisht për të drejtat e gruas e fëmijëve në familje e shoqëri.
Në takimin tonë të rradhës në qendër të diskutimeve ishte hapja e dosjeve të ish sigurimit të shtetit shqiptar gjatë periudhës së regjimit komunist. Nga njoftimet e fundit jemi shumë të indinjuara që në Parlamentin Shqiptar anashkalohet Ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracionin i sjelle nga shoqeria civile dhe mbeshtetur nga studentet e dhjetorit, të persekutuarit politike dhe dy deputetë të parlamentit të Shqipërisë, i cili megjithëse është depozituar në parlament nga deputetët prej më tepër se një muaji nuk merret në konsideratë, përkundrazi, qeveria miraton një ligj, që sipas deputetes Doda, është i përgatitur me qëllimin e pastër për të mbrojtur krimin politik të djeshëm dhe për të rënduar vetëm ata që dikur u shtrënguan nga sistemi.” Ligji i paraqitur nga shoqëria civile, ish të përndjekurit politikë, studentët e dhjetorit dhe deputetët Doda e Idrizi, ka gjetur mbështetjen e diasporës shqiptare. Z. Lek Mirakaj, Pellumb Lamaj, të dy ish të burgosur politikë, shpesh në media e kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre për hapjen e dosjeve e zbatimin e ligjit të lustracionit, po ashtu qendrim të qartë dhe pa asnjë ekuivok ka mbajtur edhe Liga Qytetare Shqiptare Amerikane kryesuar nga Z. Joseph DioGuardi dhe Znj. DioGuardi të cilët janë prononcuar pro hapjes së dosjeve.
Edhe ne si organizatë gruaje në SHBA (disa nga ne ish anëtare të Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike të Shqipërisë) nëpërmjet kësaj deklarate paraqesim shqetësimin tonë ndaj makinacioneve të qeverisë shqiptare, e cila ndërsa deklaron se është për njohjen e së vërtetës, ashtu si thotë me të drejtë deputetja Dodaj, fut në Parlament një ligj paralel, ndërsa tregon arrogance dhe nuk do t’ja dijë fare ndaj ligjit që e kanë sjellë ata që i kanë provuar në kurriz vuajtjet e diktaturës.
Organizata e Gruas Shqiptare – Amerikane me Seli në New York “Hope& Peace” e mbështet ligjin për hapjen e dosjeve dhe lustracionin paraqitur në Parlament nga shoqeria civile dhe mbeshtetur nga studentet e dhjetorit dhe të persekutuarit politike. Organizata jonë i bashkohet të gjithë mbështetësve të kësaj kauze të rëndësishme për të ardhmen e vendit, ndërkohë ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare dhe kryeministrit të Shqipërisë të mos bëhet pjesë e farsave që kanë qëllim anashkalimin e një procesi të hapur dhe fair.
Të mos harrojmë se nga akuzat fallco të ish sigurimit të shtetit u vranë mizorisht njerëz të pafajshëm. Burra, gra e fëmijë, nëna, motra, vëllezër, djem e vajza të reja nuk gëzuan moshën e tyre më të re e të bukur, sepse diktatura bashkë me viktimat e pafajshme do të dënonte edhe të gjitha familjet deri në shtatë breza.
Këto krime mostruoze duhen publikuar. Kemi pritur gati gjysmë shekulli ndërgjegjësim, pendesë, por askush nuk e ka deklaruar një të tillë. Priti populli shqiptar që vuajti diktaturën më e egër në Europë që dosjet të hapeshin. Por më kot, çdo shpresë ishte e humbur.
Nga individë të ndryshëm thuhet se dosjet janë zhdukur, janë hapur e janë ndryshuar. Ata individë që kanë guxuar e kanë vënë dorë tek këto dosje duhet të dalin përpara drejtësisë, sepse kjo tregon se kanë vijuar akoma manipulimet për të fshehur genocidin dhe masakrimin popullit tonë edhe gjatë tranzicionit.
Llogjika është e thjeshtë, përderisa ish të burgosurve, ish të pushkaturave e ish të internuarve politikë u është njohur botërisht e drejta e dëmshpërblimit politik ashtu duhen të bëhen publike edhe emrat e autorëve të krimeve.
Organizata jonë këtë deklaratë për shtyp njëherësh do ta dërgojë edhe pranë organizmave ndërkombëtarë, me shpresë që e drejta e këtij populli të vuajtur padrejtësisht të vihet në vend, jo për hakmarrje, por për dinjitet njerëzor.
Për Organizatën – The Women’s Organization “Hope & Peace”
Themeluese
Mimoza Dajçi

Filed Under: Komunitet Tagged With: Doda& Idrizi, dosjet, Hope & Peace, Ligji, Lustracion

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT