Nga Mimoza Dajçi/
Personalisht erën e pëlqej shumë. Veçanerisht atë të butën, të lehtën, të emblën, e sidomos lojën e lodrimin e saj. Por nganjëherë ato janë edhe shumë kapriçioze e tepër të rrezikshme, si në rastin e erërave të furishme që sollën uraganin Sandy. Të cilat me forcën e tyre të madhe përpin nën vorbullën e labirinthet e ujit njerëz, shtëpi, kafshë e metro të tëra.
Uragan ky që i solli shumë dëme ekonomisë, e shkaktoi shumë viktima në njerëz. Era shpërndan retë e mjegullën e dëndur. Por unë sot kam dëshirë të ndalem e të flas pak për atë të butën, të lehtën e lozonjaren, që në vjeshtë, në kohë me diell të fryn në fytyrë e nuk të shqetëson aspak, përkundrazi të sjell kënaqësi.
Të vjen në fytyrë pa u ndjerë e na përkëdhel flokët. Na i sjell ato në faqe, sy, hundë e buzë. Eshtë e çuditshme, por nganjëherë bën edhe prapësira, të mer me vete e të ngre lart ne qiell sikur të jesh pendë. Po, po është e vërtetë kështu më ka ndodhur edhe mua kohë më parë. Kur isha akoma fëmijë, gjashtë vjeçare.
Ishte ora 9 – të e mëngjesit. Ndodhesha në oborrin e një shkolle tetëvjeçare në Tiranë. Sapo kisha përcjellë motrën time më të madhe në atë shkollë. Unë isha më e vogël se ajo, por nganjëherë e shoqëroja deri tek dera e klasës së saj. E doja shumë. Në atë moshë, nuk e llogarisja dot nëse edhe ajo më donte aq sa e doja edhe unë. Por kur ajo largohej për diku qoftë edhe për në shkollë unë mërzitesha shumë. Nejse….
Sapo motra u fut ne klasë, e unë kokë ulur po kthehesha për në shtëpi, oborri i shkollës ishte boshatisur. Pa pritur filloj të fryjë erë, si stuhi e lehtë, e cila më mbështolli në vorbullën e saj e më rrotulloi disa herë në formën e një spiraleje. Më pas më ngriti lart për shtatë apo tetë sekonda, e më lëshoi aq butë në tokë, sa mu duk vetja sikur po fluturoja me parashutë. Të gjithë fëmijët e mësuesit e shkollës që më kishin parë nga dritaret e shkollës ishin habitur. Unë u argëtova pak, por ama fajin edhe për këtë sigurisht e kishte era.
Përsëri në kohë vjeshte e dimri, kur nëpër parqe apo trotuare kemi grumbuj gjethesh të thara në ngjyrë të kuqërremtë, era u shkon pranë, i rrotullon nja dy tri herë, pastaj i ngre lart të paktën 50 metra mbi nivelin e tokës. Ato të lumtura fillojnë e këndojnë fër, fër, fër, nën fëshfërima të lehta. E vallëzojnë me njëra tjetrën. Hidhen sa majtas djathtas, lart e poshtë. Kur i shikon ashtu të lumtura në fluturim e sipër të ngjajnë me zogjtë e fluturat nën ngjyrat e ylberit. Duken të gëzuara, të buzëqeshin e të ftojnë të luash me to atje lart në qiell.
Sa naïve që janë. E ku mundet njeriu të kapet pas tyre, vetëm engjëjt kanë krahë.
Por kur era është lodhur e do të pushojë, a e dini se çfarë ndodh me to. I merr e i përplas në tokë me forcë, duke i shkëputur nga njëra tjetra pa ndjerë pikë dhimbje. Ndërsa në orët e vona të natës pastruesit i mbledhin me fshesë e lopatë e i hedhin nëpër gropa për tu bërë pleh.
Pra edhe plehun e kemi dhuratë nga loja e erës.
New York, dhjetor 2012