• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT

May 6, 2026 by s p

Nga Paolo Giovio

Përkthyes: Luket Hasaj/

Paolo Xhovio (Pal Jovi; 1483-1552) ipeshkëv i Noçerës, mjek, humanist, historian, biograf, figurë e rëndësishme e Rilindjes italiane, në veprën e tij Elogia virorum bellica virtute illustrium (1), e cila fillimisht u botua në Firence (1551), e përshkruan kështu Heroin tonë legjendar në jetëshkrimin me titull “Georgius Castriotus Scanderbechus Epiri princeps” (Gjergj Kastrioti Skënderbeu, princi i Epirit):

“Asnjë princ ose komandant ushtarak i krishterë nuk bëri luftë më të rreptë dhe më të suksesshme kundër turqve se Gjergj Kastrioti: asnjë nuk doli fitimtar në beteja më shpesh se ai. Ky u quajt Skanderbeg nga barbarët. Dhe me të vërtetë i ati, Gjoni, i cili mbretëronte në Epir (Arbëri) dhe në atë pjesë të Maqedonisë që shikon nga deti Adriatik, pasi nuk mundi t’i bënte ballë ushtrisë turke fqinje, bëri paqe me Muratin me kusht që t’i jepte peng djemtë e tij, ndër ta Gjergji dallohej shumë si nga forca e shpirtit ashtu edhe nga pashia.

Mori edukim të mirë në oborrin e sulltanit, dhe i mësuar me kujdes jo vetëm në kulturën dhe zakonet e barbarëve sipas fesë muhamedane, por edhe në përdorimin e çdo lloj arme të atij shteti, aq mirë, sa kur ishte ende djalosh, u emërua sanxhakbej, gradë që do të thotë udhëheqës i një reparti të madh kalorësish.

Pëlqehej shumë nga Murati, sepse kishte pamje fytyre të një mbreti dhe shenja të dukshme se një ditë do të bëhej komandant suprem. Dhe me të vërtetë, çdo ditë me kënaqësinë e madhe të Muratit e kishte zakon të bënte stërvitje ushtarake me shokët e tij në kopshtet sulltanore, në të cilat ua kalonte me zhdërvjellësi dhe fuqi trupore të mahnitshme edhe atyre që ishin më të mëdhenj në moshë.

Prandaj, meqenëse shfaqte, para moshës ushtarake, një forcë të pamposhtshme me shtatin e tij të lartë si dhe një zgjuarsi të jashtëzakonshme, Murati e dërgoi në Azi kundër mbretit të Cilicisë, dhe në atë luftë fitoi famë të madhe me bëmat e tij, kur në një duel vrau një skith (tartar) që kishte dalë fitues shumë herë, i cili krenohej me fuqinë e tij dhe sfidonte gjithkënd; dhe po kështu duke u ndeshur me të njëjtin guxim me një gjeneral të shquar pers, pasi kishte bërë sfidë për dyluftim kalorësiak dhe kishte ftuar një luftëtar të një rangu me të nga ushtria e armikut, e shpoi me heshtë dhe e rrëzoi përtokë.

Ndërkohë që Gjergji po shkëlqente me trimërinë e vet në luftë dhe Murati e kishte me sy të mirë, i vdiq i ati, dhe tashmë hordhitë osmane kishin pushtuar me dhunë qytete dhe fortesa që ishin në zotërim të tij. Për këtë Skënderbeu u ankua, por Murati i dha shpresë se së shpejti do t’ia kthente shtetin atëror. Por ai nuk u besoi aspak premtimeve mashtruese të sulltanit barbar, dhe me shkathtësi e zotësi të pashoqe, arriti në Epir, dhe me një ferman të falsifikuar mori kryekështjellën e principatës atërore, dhe duke i mbledhur popujt e Epirit dhe të Maqedonisë, të cilët e njohën si trashëgimtar të ligjshëm [të Gjon Kastriotit], u zgjodh Princ me aklamacion, dhe atje bëri për vete zemrat e popullit që kishte çliruar, dhe për vite me radhë i shpartalloi dhe i zmbrapsi sa e sa herë ushtritë e pathyera më parë të Muratit dhe të birit, Mehmetit. Pëveç kësaj, në këto luftëra fitoi nder shumë të madh ushtarak, sepse, edhe pasi Murati e sulmoi Krujën me ushtri të panumërt dhe me armë të mahnitshme artilerie, dështoi në përpjekjet e tij për ta pushtuar, dhe vdiq pak më vonë nga hidhërimi; Skënderbeu mundi në betejë shtatë pashallarë gjeneralë të famshëm osmanë dhe mori kampet e tyre.

Këto ngjarje dhe sukseset e tij të pashembullta i përshkroi në një vepër të veçantë Marini nga Shkodra, duke ua lënë kujtim pasardhësve, i cili e lartësoi Skënderbeun aq sa mundi me oratorinë e vet.

Por pak kohë më vonë, Gjergji bëri një armëpushim me Mehmetin, i cili po përgatitej të shkatërronte Greqinë; dhe Skënderbeu, Prijësi i ushtrisë epirote (arbërore), vendosi të mbronte Ferdinandin e Napolit që mezi po i bënte ballë ushtrisë anzhuine. Ai iu përgjigj menjëherë thirrjes së mbretit për ndihmë dhe me ardhjen e tij, pasi kishte kaluar nga Epiri në Pulje, forcat franceze u shpartalluan keqas dhe mbreti e pohonte se shpëtoi nga trimëria e rrallë e Gjergjit. Por pasi kishte mbaruar armëpushimi, dhe ndonëse Mehmeti kishte vrarë perandorin e Grekëve dhe kishte marrë me forcë Bizantin (Konstandinopojën)(2), kishte shkatërruar edhe Perandorinë e Trebizondit(3), dhe pasi kishte pushtuar mbretëritë e Cilicisë, të Misisë dhe të Ilirisë dhe kishte vrarë mbretërit e tyre, prapëseprapë, edhe ky, si i ati, Murati, nuk mundi ta shtinte në dorë Krujën, meqë e mbronte Gjergji, i cili u shkaktoi rrethuesve më shumë se një disfatë.

Prandaj, Papa Piu, pasi u kishte bërë thirrje mbretërve të krishterë krishterë të rroknin armët dhe i kishte shpallur luftë Mehmetit, mendonte se nuk mund të zgjidhej një Kryekomandant më i mirë se Gjergji për t’u ndalur hovin dhe për t’i thyer barbarët, dhe për këtë ishte plotësisht i bindur, saqë vendosi ta kurorëzonte Mbret, jo vetëm të gjithë Epirit, por edhe të Maqedonisë. Por plani i Piut nuk u realizua, sepse vdiq në Ankonë. Papa i ri, Pali i II nuk iu kushtua aspak çështjes së luftës që ishte me rëndësi, edhe pse Gjergji kishte shkuar në Romë me vështirësi të madhe, për ta bindur me elokuencën e vet që të mos e humbiste kohën me çështje të vogla, si dhe për t’i kujtuar Kolegjit të Kardinalëve, këtyre njerëzve të papërvojë dhe të ngathët, rrezikun që i kanosej sigurisë së të gjithëve nga lakmia dhe guximi i shfrenuar i barbarëve, të cilëve nuk mund t’u bëhej ballë nëse nuk do të bashkoheshin forcat e të gjithë Evropës.

Ai nuk bëri më ndonjë gjë tjetër të denjë për lavdinë e tij të mëparshme, duke mos pasur më shpresë për një marrëveshje të përbashkët. Dhe kështu kur gjendej në Lezhë, pranë lumit Drin, teksa po kuvendonte me Proveditorin venedikas për çështje lufte, e zunë një palë ethe të forta. Duke u ndier çdo ditë e më i këputur, dhe duke ditur se po afrohej ora e fundit, ia besoi Senatit të Venedikut të birin, Gjonin, që ishte ende i vogël, ushtrinë dhe gjithçka kishte. Pas pak kohe ndërroi jetë, në moshën 63 vjeç, në vitin 1467 [1468].

Gjergjit, siç mendoj unë, nuk ia kaloi kush as me forcë fizike, as me guxim dhe as me suksese ushtarake. Kishte përherë në shoqëri të tij mbi 2000 ushtarë nga më të zgjedhurit, por edhe kur e shtonte numrin, fuqia e tij ushtarake nuk arrinte më shumë se 6000 kalorës dhe 3000 këmbësorë të armatosur lehtë. Prandaj thoshte se fitoret nuk arrihen me numër të madh por me ushtarë të vjetër e me përvojë. I mbante mend emrat ushtarëve të vet dhe ua dinte trimëritë dhe ishte nder i madh për atë që ai i jepte të pinte nga potiri i tij kur ishin në tryezë. Me këtë njerëzi të bashkuar në gjithçka me një bujari të madhe, fitonte shumë simpatinë e popullit të vet, duke parë tek ai edhe një devotshmëri të madhe, e cila kishte shumë rëndësi për të bërë për vete zemrat e njerëzve.

Por kur dilte para i armatosur, kishte sy kaq të qeshur dhe një elokuencë kaq të gjallë, saqë i nxiste ushtarët e tij të ndërmerrnin çdo aksion luftarak të vështirë, dhe kështu i bënte jo vetëm të luftonin si dragonj, por edhe të egër dhe përbuzës ndaj armiqve mizorë. Kishte trup të gjatë dhe të ngjeshur, gjymtyrë të forta, hundë të dalë e të kthyer bukur si shkabë, duke përfaqësuar pa dyshim arketipin e Heroit të Madh.

Dhe këtë paraqitje të hijshme e shohim pastaj se e kanë trashëguar pas tij zotërinjtë e kësaj dere, të cilët u vendosën në Pulje, siç mundëm ta shikonim nga krahasimi i portretit që kemi në Muze e në mënyrë të veçantë tek Ferrante stërnipi i tij, Markezi i Çività Sant’ Anxhelo-s në Gargano, i cili vdiq në betejën e Pavisë i vrarë nga dora e mbretit(4). Pasardhësit e tij tregonin atë që është shkruar edhe nga historianët, se Gjergji kurrë nuk refuzoi të luftonte, kurrë nuk iku nga fushëbeteja, kurrë s’iu tremb syri përpara asnjë rreziku, kurrë s’u plagos, përveç një herë lehtë nga një shigjetë në këmbë, vrau me dorë të vet mbi 2000 armiq, pjesa më e madhe barbarë, në shumë beteja; dhe se në luftim e kishte zakon t’i vriste armiqtë vetëm me një të rënë, duke përdorur me fuqi dhe mjeshtëri një shpatë të madhe dhe të rëndë, me të cilën i priste dysh deri në kërthizë dhe shpeshherë u këpuste lehtësisht krejt supet dhe krahët.

Meqenëse armiqtë që kishin shpëtuar gjallë nga betejat po rrëfenin tmerrin e këtyre prerjeve lemeritëse në sarajet e sulltanit në Bizant, për habinë e të gjithëve, vetë Mehmeti dëshiroi të shihte shpatën e asaj dore të fuqishme me forcë të pazakontë dhe e mori aq lehtë nga Gjergji, i cili ia dërgoi në Bizant: sepse thuhej se ishte e kalitur aq mirë, sa s’kishte asnjë armaturë trupi, madje as prej hekuri, që mund t’i rezistonte goditjeve të saj.

Zëri i trimërisë së pashoqe të këtij Heroi kish marrë dhenë kaq shumë, saqë pas vdekjes së tij, turqit, pasi pushtuan pothuajse krejt Epirin, kërkuan varrin e Skënderbeut në Lezhë, dhe plot admirim, e nderuan me devocion, dhe si njerëz besëtytë i nxorën nga varri eshtrat e këtij Burri kaq të madh dhe i morën me vete me shumë respekt, pasi secili besonte se do të ishte i sigurtë dhe i pathyeshëm në luftë, po të mbante të varur në qafë një hajmali me një grimë nga eshtrat dhe hiret e Komandantit të pamposhtur.”

1 – Pavli Jovii, Elogia virorum bellica virtute illustrium, Lib. III, ff. 144-147, Petri Pernae, Bazel 1575.

2- Konstandini XI Paleologu (1404-1453) ishte sovrani i fundit i Perandorisë Bizantine, i cili u vra duke luftuar heroikisht në Konstandinopojë më 29 maj 1453.

3 – Perandoria e Trebizondit apo Trebizondës (1204 – 15 gusht 1461).

4 – Beteja e Pavisë u zhvillua më 24 shkurt 1525 gjatë Luftës së Italisë të viteve 1521-1526 midis ushtrisë franceze të udhëhequr personalisht nga Mbreti Françesku I dhe ushtrisë perandorake të Karli V të Habsburgëve.

Filed Under: Histori Tagged With: Luket Hasaj

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT