( Duke lexuar romanin “Këneta e vdekjes” të Makensen Bungos)/
Nga Eugjen MERLIKA/
“Njëri do të përdorte dhunën për të shpërbërë njeriun, ndërsa tjetri do të përdorte durimin për të ruajtur personalitetin. Ishin përballë dy forca të kundërta: dhuna dhe dinjiteti.”
Në këto fjali, që vijnë në përfundim të arsyetimit mbi një ngjarje që shënon një nga pikat kulmore të romanit “Këneta e vdekjes” të autorit Makensen Bungo, mund të përmblidhet i gjithë kuptimi i tij. Shkurtimisht është shprehur një koncept tepër i gjërë, që kalon shumë caqet e veprës e bëhet sinonim i thelbit të një periudhe historike, të cilën autori i librit dhe brezi i tij e jetuan në gjithë intensitetin e saj. Romani pasqyron jetën e përditëshme në një kamp pune të detyruar, në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist, në Shqipërinë e pas luftës së dytë botërore. Ngjarjet zhvillohen në Vloçisht, ndofta më famëkeqi i kampeve të punës, më mizori, më i eturi për gjak e jetë njerëzish. I vendosur diku, në buzë të kënetës së Maliqit, përballë fshatit me të njëjtin emër, për disa muaj u kthye në një përbindësh të llahtarshëm që çdo ditë bluante trupat dhe shpirtërat e banorëve fatkeqë të tij. Një nga përfaqësuesit më të përkryer të terrorit të kuq shqiptar ishte krejtësisht i shkëputur nga takimet me botën që e rrethonte, ishte një ishull torturash, dhimbjesh e vdekjeje.
Autori i veprës, atëhere djalosh idealist, i dënuar nga gjyqi komunist si “armik i popullit” dhe i dërguar së bashku me shokët e tij normalistë në kampin e shfarosjes, na paraqet me një vërtetësi rrënqethëse mjediset, ngjarjet, personazhet që lëvizin në atë mikrobotë të errët e që shkruajnë në kujtesën e tyre “historinë” e saj. Mbas më shumë se katër dhjetëvjeçarësh ato bëma dalin nga kafazi i blinduar i kujtesës e derdhen në letër, nëpërmjet një pende që i ka vënë vetes një qëllim të shenjtë: të dëshmojë tragjeditë e një kampi shfarosjeje, një “gulagu” në stil të njohur bolshevik, të nderojë kujtimin e atyre dhjetra të rënëve në të, të mbushë një zbrazësirë në njohjen e së vërtetës historike, të masakruar për gjysëm qindvjete.
Në këto synime fisnike duket se udhëhiqet nga mësimet e princit të Danimarkës, kur ai shprehet se “ qëllimi i artit në të gjitha kohët ka qenë t’i tregojë fytyrën e vet virytit, pikturën e vet poshtërsisë…”. “Këneta e vdekjes” është një roman i shkurtër, një vepër arti në gjininë e saj të re në moshë. Eshtë pjellë e dhjetë viteve të fundit, kur shembja e sistemit diktatorial komunist solli domosdoshmërinë e paraqitjes së tij në dritën e vërtetë. Letërsia zyrtare e profesioniste, që kishte qënë zëdhënëse e tij, nuk u tregua e gatëshme t’i paraprijë këtij proçesi. U desh që viktimat e terrorit, që arritën të mbijetojnë mbas kalvarit të gjatë të ndëshkimit proletar, të marrin pendat e t’i venë në shërbim të kujtesës së drobitur nga pesha e viteve dhe vuajtjet fizike e shpirtërore. Kështu lindi një rrymë e re, nje farë neorealizmi i vonë, që kishte si objektiv fotografimin e një realiteti tashmë të tejkaluar nga ngjarjet, por të pranishëm në të gjitha qelizat e jetës së Vendit dhe të banorëve të tij. Kështu panë dritën “ Burgjet e mija”, “Rrno për me tregue”, “Shpellja e vrasjes”, “Këneta e vdekjes”, “Rrugèt e ferrit” e plot libra të tjerë që u bënë si fenerë ndriçues të skutave të errëta të së vërtetës së një regjimi, që e bazoi qënien e tij mbi mashtrimin, padijen e krimin.
Mendoj se në këtë pikëpamje romani i zotit Makensen Bungo meriton një vëmëndje të veçantë për objektivitetin që e karakterizon. Lexuesi ka përshtypjen se shikon një film dokumentar, të xhiruar prej së largu nga një person i tretë, vëzhgues i paanshëm i ngjarjeve që “rrënqethin erën”. Episodet e romanit ndjekin njëri tjetrin në një harmoni të plotë, personazhet lëvizin natyrshëm në përputhje me historinë e tyre, bindjet, formimin moral. Autori hyn në thellësi të ngjarjeve e psikologjisë së tyre, i shmanget retorikës së tepërt, por mundohet të kalojë nën rrezet e gjykimit gjithshka vrojton. Ai është i vetëdijshëm se është i pranishëm në një skenë tragjedish pa fund të shkaktuara nga një regjim mizor, se në këtë skenë zhvillohet në vazhdimësi lufta e përjetëshme ndërmjet së mirës e së keqes.
Në qendër të romanit është historia e pesë të rinjve, shokë shkolle në Normalen e Elbasanit, pjestarë të një organizate jo komuniste me emrin “Shqipëria e lirë”, të arrestuar e të dënuar me pesë, katër e dy vjet burg. Janë të gjithë me ide liberale, në kundërshtim me ideologjinë e regjimit në fuqi, ëndërrojnë një Atdhe të lirë, një popull të përparuar, të bashkuar e të begatë në kufijtë e tij natyrorë. I kanë qëndruar dhunës së hetuesisë e kurtheve të saj. Gjykata ka dënuar me vdekje një nga pjestarët e grupit dhe me burgim të përjetshëm një tjetër. Pesë të tjerët caktohen në kampin e Vloçishtit, për të punuar në tharjen e kënetës së Maliqit, që do të trumbetohej më vonë si një “dhuratë” e vyer e partisë për popullin e Korçës. Ajo kënetë, që do të gëlltiste në llurbën e saj lulen e rinisë intelektuale të Vendit, do të mbetej e “pavdekëshme” në sajë të një romani, që do t’ju servirte shqiptarëve për një kohë të gjatë një nga mashtrimet e zakonshme të regjimit.
Sopoti, Vullneti, Ahmeti, Hasani dhe Sala vijnë në kënetë nga burgu i Elbasanit e aty gjejnë të tjerë të dënuar nga vende të tjera si Tirana, Korça etj. Kanë në anën e tyre vrullin e rinisë, forcën e karakterit, vetëdijen e gjendjes, ngrohtësinë e çiltërsinë e shoqërisë mes njëri tjetrit, besimin në drejtësinë e idealit dhe në të ardhmen e popullit të tyre. Gjejnë një mjedis mbytës, në të cilin çdo ditë ju duhet të përballohen me punën e rëndë, ushqimin krejtësisht të pamjaftueshëm, kushtet higjenike shkatërruese, shqetësimet për familjet me të cilat kanë humbur çdo lidhje e mbi të gjitha me mizorinë e pashembullt të personelit të kampit. Para të burgosurve ngrihet si një mal misioni i qëndresës. Eshtë një luftë e pabarabartë mes një grushti banditësh që trupëzojnë krimin e kthyer në institucion dhe njëmijë e pesëqind burrave të ndryshëm nga mosha, formimi, niveli, por të ngjajshëm nga fatkeqësia, idealet e karakteri.
Komandant Tasi, togeri, kapterr Zeneli, rreshter Hitoja, tetar Aliu, polic Skënderi janë në garë të vazhdueshme me njëri tjetrin kush shpik torturën më të dhimbëshme për t’a provuar mbi banorët e detyruar të kampit. Ata përfaqësojnë majën e diamantit të “pushtetit të popullit”, partizanët që dolën maleve për “lirinë” e Atdheut. Janë ushtarët më besnikë të revolucionit që do t’i sillte Shqipërisë barazinë, mirëqënien e përparimin. Në të vërtetë janë kampionë të mizorisë, të mungesës së çdo parimi njerëzor, të padijes. Janë automatë të dhunës më të egër, lloje bishash me fytyra njerëzish, xhelatë për të cilët jeta e njeriut nuk ka as vlerën e një pike uji. Janë ata e të ngjajshmit e tyre, me verbërinë e sadizmin që ju shkon për shtat, garancia e sistemit, shtylla kryesore mbi të cilën mbështetet ai. Janë ata ose shokët e tyre “heronjtë e heshtur”, për të cilët një letërsi e tërë shkroi një mori veprash, duke i lartësuar deri në madhështi…
Për ta të burgosurit nuk janë njerëz, nuk janë shqiptarë, nuk janë vëllezër të një gjaku e të një gjuhe, por armiq “jashtëtokësorë” që kërcënojnë “qytetërimin” e tyre. Për ta dhe ata që i mësojnë ata quhen derra të ndyrë, reaksionarë të poshtër, qelbësira, dhelpra plaka, qena, kriminelë, vrasësa, ndyrësira, caristë. Simbas komandantit të kampit, që ishte një gjysëm analfabet me dy klasë shkollë, vëllai i një udhëheqësi të lartë të partisë: “…që të gjithë janë armiq populli. Këta na burgosën, këta na torturuan, na dogjën, na vranë. Njëzet e tetë mijë dëshmorët këta i kanë vrarë. Këta e dogjën dhe e bënë shkrumb e hi Shqipërinë. Këta do t’i paguajnë krimet e tyre. Këtu do t’a lenë lëkurën këta reaksionarë…”
Duke patur këto bindje, këta udhëzime, këtë urrejtje, vetëkuptohet se çfarë trajtimi i është bërë të dënuarve. Episodet e torturave të përshkruara në libër janë të shumta, zbulojnë një egërsi të pashoqe. Rrahjet me shkop, zhytjet në llucë, mbytjet, dënimet pa bukë, fyerjet, vrasjet janë bërë praktikë e përditëshme. Torturat janë në përpjestim me karakterin e të burgosurvet, me personalitetin e tyre, me vendosmërinë për të mos u përkulur. Në këtë drejtim “shpikjet” e policëve në plotfuqinë e tyre pasurojnë rezervën e madhe të torturave “Prodhim Shqipërie”. Kështu përshkruhet pështyrja nga ana e gjithë të dënuarve të njërit prej tyre, më parë të rrahur e të masakruar nga policët, zhytja në baltë deri në grykë e tregëtarëve korçarë, detyrimi peqinasve për të ngrënë bishtat e cigareve e për të rrahur njëri tjetrin, rrahja për vdekje deri në çastin e fundit të një babai në sytë e të birit, lënia në diell lakuriq mbasi ishte zhytur në llurbën e trashë e deri tek mbajtja varur e njeriut në një shtyllë për gjashtë ditë e netë me rradhë. Duket se strumbullari i këtij mjedisi të zi është kapterr Zeneli, për të cilin autori shkruan: “ Gëzimi i atij përbindëshi ishin torturat dhe lumturia për të ishin vuajtjet që u shkaktonte njerëzve. Ai nuk e kuptonte jetën pa dhunë dhe nuk ndiente qetësi, po të mos kishte torturuar, të paktën një njeri në ditë.”
Në qendër të kampit ishte një barakë që mbante emrin “bibliotekë”, ishte vendi i tmerrit ku kapterr Zeneli dhe kolegët e tij “edukonin” nëpërmjet hurit të burgosurit. Emërtimi është maska që fsheh të vërtetën, si “riedukimi” që mbulon shfarosjen. Këto janë aftësitë dhe meritat e një sistemi që, nëpërmjet fasadës së propagandës, ka bërë përkrahës dhe idhtarë në të gjithë botën. Ka prej tyre që ende sot nuk dijnë apo nuk duan të pranojnë se ç’fshihej mbas asaj fasade.
“Këneta e vdekjes” është një pjesë e vogël e atij realiteti që qe diktatura e proletariatit në Shqipëri, një nga më të errëtat e tij. Autori është i vetëdijshëm për të por ka meritën të mos bjerë në prehërin e dëshpërimit. Mesazhi i romanit është optimist, jeta vazhdon dhe nëse forcat e së keqes e të vdekjes duket se kanë epërsinë. Njerëzit nuk arrijnë të zvetënohen shpirtërisht, siç dëshiron diktatura. Ata vuajnë, pësojnë tortura, në ndonjë rast edhe thyhen, në ndonjë tjetër, me një dinjitet të admirueshëm arrijnë deri në vetëflijim, por në përgjithësi qëndrojnë. Eshtë kjo qëndresë filli i padukshëm që përshkon gjithë veprën, siç ka përshkuar jetët e shumë shqiptarëve në këtë gjysëm qindvjete provash të jashtzakonshme. Eshtë kjo qëndresë që autorin e bën të jetë krenar për shokët e vuajtjeve e për popullin e tij, sepse populli nuk mund të njëjtësohet me një grup kriminelësh që koha i solli mbi krye dhe as me veglat e verbëra të tyre.
Qëndresa ndaj dhunës ishte shumëplanëshe. Ajo fillonte me sytë e përlotur të nënave, grave e bijave që shikonin nga larg bijtë, burrat, baballarët, vëllezërit që, të lidhur me zinxhirë, niseshin për rrugë të largëta. Gruaja shqiptare qe, në këtë provë madhore, heroina e vërtetë e kohës e meriton një pjedistal të lartë. Ajo, femra shqiptare, e nëpërkëmbur nga një mendësi prapanike e trashëguar nga pesëqindvjetori osman, tregoi se qe forca e vërtetë jetësore e kësaj shoqërie. Qe ajo që mori përsipër barrën e familjeve pa meshkuj, të rritjes së fëmijëve pa baballarë, të rrugëve me trasta në dorë për t’i çuar pakë shpresë e pak ushqim të hequr nga goja e fëmijëve të afërmëve të dënuar anekënd Shqipërisë. Qe ajo që i qëndroi trysnive nga më të ndryshmet, në të cilat e vinte një sistem që kishte si synim shprishjen morale e gjymtimin fizik të asaj pjese të popullsisë që nuk mund të bëhej e kuqe. Qenë gra shqiptare ato që pësuan burgjet e interrnimet pa fund, të filluara në lulen e moshës e të përfunduara në pleqëri. Ato përballuan punën e rëndë e privacionet pa mbarim në emër të një koncepti nderi e dinjiteti, që prindër të një tjetër kohe ua kishin futur në gjak.
Atyre që njëjtësojnë dukuri të sotme të mbrapshta të një pakice shqiptarësh me popullin tonë, duhet t’u tregojmë me zë të lartë se cila është në të vërtetë gruaja shqiptare, çfarë provash kaloi ajo në të “uruarin komunizëm”. Ja vlen të kujtojmë bashkë me autorin:
“Ç’kanë pësuar këto nëna!
Nuk harrohet llahtaria e tyre, kur u sollën rrobat e djemve nga birucat, të llangosura me gjak! Nuk krahasohet dëshpërimi i tyre, kur mësuan se sa u dënuan djemtë e tyre të pafajshëm! U demaskuan në lagje. I shanë, i përbuzën, i lanë pa punë, i internuan. I përqafuan djemtë vetëm në ëndërrime. U harruan edhe zërin djemve të tyre. Nga vuajtjet u thinjën para kohe; nga tmerret u rrudhën në moshë të re. Çdo thinjë një vuajtje; çdo rrudhë një tmerr. Në çastet e fundit, në agoni, këtyre nënave u mbetën sytë nga dera, duke vështruar se mos vinin djemtë, për t’i parë për herë të fundit. Por ata ishin larg, shumë larg: në Spaç, në Burrel, në Bulqizë, në Ballsh.”.
Qëndresa na shpaloset në roman jo vetëm nëpërmjet durimit të torturave të përditëshme, të urisë, morrave, fyerjeve, shkopinjve, lodhjes, por dhe të mbrojtjes së botës së brëndshme e përbërësve të saj, të respektit ndaj vetes, ndaj shokut, ndaj kujtimeve, ndaj familjarëve, ndaj vlerave të vërteta që i japin kuptimin fjalës “njeri”. Kështu si qirij në errësirën e batakut të mizorisë ndriçojnë dashuria e Sopotit për vajzën mësuese, amaneti i Daut Burmës “ u thuaj djemve të mi se nuk i kam turpëruar asnjëherë… që për mua të mos e mbajnë kokën poshtë”, mbarimi i at Josifit, misionar i fjalës së Krishtit që deri në frymën e fundit ngjallte shpresën në shembjen e regjimit, solidariteti mes njeri tjetrit, ndarja e racionit të bukës apo çajit me shokët e dënuar, ndërgjegja e vrarë e Salës, dorëzimi fshehtas i pakos shokut, etj.
Qëndresa ndaj së keqes nuk është cilësi vetëm e të dënuarve. Për autorin bota është komplekse e ky vizion e bën të dalë nga skemat manikeiste të të parit të realitetit bardh e zi dhe i jep forcë e vërtetësi mesazhit të romanit. Një nga figurat më të goditura e më tërheqëse, ndaj të cilit ja vlen të ndalemi, është ajo e gjeometrit. Eshtë një djalë rreth tridhjet vjeç, që ka qënë partizan e që është bir dëshmori. Eshtë i ngarkuar të drejtojë teknikisht punimet e Vloçishtit. Dikur i ka besuar idesë se komunizmi do të shërojë plagët e njerëzimit e do të sjellë përparimin e Shqipërisë. Idealizmi i tij hyn në krizë kur sheh dhe kupton të vërtetën. Socializmi i tij me “fytyrë njerëzore” thërmohet nën shkopinjtë e policëve mbi trupat e të dënuarve. Sinqeriteti i natyrës së tij nuk mund të pranojë kompromisin e detyrueshëm të të bërit shurdh e qorr. “ Ne luftojmë që të gjithë shqiptarët të jetojnë në paqe si vëllezër” i tingëllojnë ende në veshë fjalët e komisarit kur ishte partizan. Por para syve të tij tetar Aliu i kishte futur thonjtë në fyt një plaku të burgosur, derisa e le të vdekur përtokë gjithë qejf se tashmë kishte “një armik më pak”. Në një rast tjetër arrin t’i ndalojë dorën policit që kërkon të godasë përsëri Sokolin e shtrirë për tokë pa ndjenja nga rrahja. Dyshimi për ndershmërinë e motiveve të luftës, i le vëndin shkëputjes mendore e ideale prej tyre dhe mjedisit që i ka kultivuar e në të cilin është dhe familja e tij. “ Gjeometrit ju kujtuan Vullneti që e pështynë, Sopoti që e torturuan, Ahmeti që e futën në llurbë. Psherëtiu thellë. Në fytyrën e tij u duk një keqardhje e madhe. Tha ngadalë: pse për këto luftuam ne?” (Thonë se të njëjtën shprehje e pati thënë një ish gjeneral e luftëtar i Spanjës, në plenumin e famshëm të Tiranës më 1956, duke treguar fustanin e Nexhmije Hoxhës që ishte ulur pranë tij.)
Shkëputja bëhet fillimisht në familje, në bisedat e ndezura me vëllanë. Megjithëse autori nuk na e thotë drejt për së drejti, ndofta aty nis dhe rrëzimi i tij. Besnikëria ndaj partisë, në kodet e saj, detyronte paditjen qoftë dhe të vëllait, kur ai nuk është i një mëndje me të. Drama është e fortë por dhe këtu fiton ideja e qëndresës dhe e ruajtjes me çdo kusht të dinjitetit, qoftë dhe me humbje të mëdha vetiake. Gjeometër Petraqi mbetet njeri, shpreh atë që mendon duke përfunduar i dënuar në rrjeshtat e atyre që do të gërmojnë kanalin e tharjes së kënetës. Eshtë një Andrej Taganov në ton të ulët që, së bashku me polic Tafilin, i cili nuk pranon të vrasë të burgosurin që gabimisht i është drejtuar rrethimit, bëjnë pjesë në atë masë jo të paktë shqiptarësh që u zhgënjyen nga socializmi enverian. Shënjat më të vogla të këtij zhgënjimi patën për pasoja nxjerrjen jashtë rradhëve e jo rrallë përndjekjen politike.
Dukuria e daljes jashtë rradhëve është e pranishme dhe në kahun tjetër. Figurat e Myqeremit, të Salës e ndonjë tjetri dëshmojnë një të vërtetë të provuar: pati dhe nga ata që për arsye të ndryshme, të dhunës, mungesës së karakterit, të dobësive, kushteve familjare, ndjenjave etj., u vunë në shërbim të shtypësve e punuan kundër shokëve të vuajtjeve. Nuk është vetëm dukuri shqiptare, por përpjestimet e saj tek ne lenë gojën e hidhur. Autori i romanit nuk e paraqet në përmasa shqetësuese dukurinë, por ai i referohet një periudhe kohore të shkurtër e të largët. Me kalimin e kohës ajo u bë më e plotë e më e dukëshme, duke lënë pasoja të rënda në marrëdhëniet mes njerëzve deri në ditët tona.
Sado i veçuar nga Vendi e bota kampi i Vloçishtit, ashtu si gjithë Shqipëria, nuk mund të mos pësonte pasojat e ndryshimeve që ndodhnin në majën e piramidës e që lidheshin me zhvillimet e kampit socialist. Ishte viti 1948, kur Informbyroja bëri të njohur raporti e saj, që i ve “vulën e zezë” Titos dhe udhëheqjes jugosllave, të cilët kanë meritën të parët të kërkojnë pavarësinë e mendimit dhe të veprimit nga Moska. Regjimi hoxhist, pagëzuar që në lindje nga të dërguarit e marshallit, që për shtatë vjet kishte qenë në rolin e shërbëtorit të tij besnik, pëson një tërmet të fuqishëm. Ministri i brendshëm dhe sekretar organizativ i partisë, së bashku me pasuesit e tij, përfundojnë në hekura. Paniku kapi efektivat e Ministrisë së brendshme, ndërmjet të cilëve dhe xhelatët e Vloçishtit, që mundohen të japin përshtypjen se do të ndryshojnë qëndrimin ndaj viktimave të përditëshme të tyre.
“Të burgosurve iu shtuan shpresat se liria nuk ishte më e largët. Ajo kishte filluar të trokiste lehtë dhe ata sikur e shihnin tani në të gjithë bukurinë e saj. Në këtë kamp ata të burgosur vetëm shpresa e lirisë i mbante gjallë, vetëm ajo ua mbante lart moralin. Ata ishin të sigurt se një ditë liria do t’u vinte, do t’i buzëqeshte, do t’i përqafonte; shpresa e lirisë herë zgjohej, herë dremiste në ndërgjegjen e tyre, po kurrë nuk shuhej. Tani ajo u zgjua…”
U duk sikur ajri ndryshoi e të dënuarit filluan të mendojnë për kthimin në shtëpitë e tyre. Por kjo frymë nuk zgjati shumë e dhuna rifilloi kursin e saj. Sa herë në atë gjysëm qindvjete u ndërsjelltuan shpresat me zhgënjimet. Pothuajse gjithmonë këto ndryshime humori përkonin me çaste të ashtuquajtura “solemne” të historisë së Partisë-Shtet, si prishje marrëdhëniesh me vëllezërit e mëdhenj, kongrese apo vdekje të çudiçme drejtuesish të lartë. Në të gjitha këto çaste secili bënte llogarinë në vetvete mbi atë që kishte për të dhënë apo për të marrë, nëse ndryshimi do të sillte një kohë tjetër, mbasi komunizmi i kishte kthyer shqiptarët në huazues krimesh e huajtës dhimbjesh. Në bisedat e të burgosurve shpalosej mëdyshja e veprimit të mundshëm në çastin kur xhelatët do të humbnin pushtetin. Mjegulla e hakmarrjes turbullonte shpirtërat e Zenelit me shokë që ishin të vetëdijshëm se sa thellë kishin hyrë në llumin e krimeve.
“ Kapterr Zeneli e humbi trimërinë e mëparëshme… Nuk u bërtiste të burgosurve si më parë….Kishte filluar të mos qëllonte më.. Nuk dënonte më kot. Nuk linte më njeri pa drekë. Kishte hequr dorë nga torturat në bibliotekë. Po e vriste ndërgjegja, apo i lindi frika e hakmarrjes?..”
Zenelët do të kuptonin se sa shpirtmëdhenj ishin viktimat e dhunës së tyre vetëm atëhere kur dielli i tyre perëndoi e kur asnjërit prej tyre nuk i hyri as ferra në këmbë prej tyre. Por dhe atëhere,
në poshtërsinë e tyre, nuk patën kurajon t’a njohin këtë fakt e të kërkonin faljen, për të vdekur të pajtuar me ndërgjegjen e tyre të krimbur ose më mirë të paqenë… Ndërsa Sopoti me shokë lirinë e donin për të shpëtuar nga ferri, në të cilin vegjetonin, për t’u kthyer në familjet, për të bërë një jetë normale, për të shkruar e për të luftuar” …që kjo ideologji shkatërruese të shfaroset nga vendi ynë dhe në Shqipëri të vendoset një demokraci e vërtetë.”
Mjerisht, për ta ato ditë ishin tepër të largëta, ndërsa ju desh të përballonin tragjeditë e vdekjes së shokëve. Vullneti, i dërmuar nga ndëshkimet pa arsye, viktimë e poshtërsisë së karakterit të një të burgosuri spiun që, për inate vetiake, shkarkonte mbi të gjithë mërinë e dhunën e komandës. Nuk mundi më të përballojë fizikisht e psiqikisht të keqen. Bota ju errësua në lulen e rinisë, sythet e shpresës u venitën, nëna dhe motra e vogël që prisnin në shtëpi nuk patën fuqi t’i forconin durimin e qëndresës. Kështu një natë të vonë, ndërsa shokët flinin, në vetmi, i ngushëlluar vetëm nga tymi i duhanit, ai mori vendimin fatal. Ju drejtua telave të rrethimit, nga ku breshëria e plumbave të “guardianit të revolucionit” do t’a niste për në botën e përtejme.
Tepër i trishtueshëm është dhe rasti i Salës. Ndërgjegja e vrarë për pozitën e vet prej spiuni të komandës fiton mbi përfitimet që i vijnë nga ai shërbim. Ai e quan të padenjë jetën e tij e, në vetvete vendos t’a ndërpresë atë. Kapitulli i veprës, që përshkruan tragjedinë e tij, ndër më të bukurit e më prekësit e romanit, titullohet “Martesa”. Ajo na sjell ndër mënd një këngë popullore të kurbetit: “ Në të pyettë nëna për mua Thoni djali t’u martua Në të pyettë se ç’nuse muar Mori dy plumba në kraharuar…” Para martesës, siç e quan me qesëndi ai vdekjen, ndjeu nevojën të takojë shokët, me të cilët marrëdhëniet ishin ftohur mbas ndryshimit të tij. Vetëdija e fajit, e poshtërimit, e shkeljes së parimeve, të idealit, të besës shkaktojnë dhimbje të papërballueshme. Para se të paraqitet në gjyqin më të lartë Sala ndjen nevojën e brëndshme të rrëfehet me shokët. Kështu ai thyen akullin e shkon e ulet në mes të Sopotit e Hasanit, shokëve të shkollës, të hetuesisë, të gjyqit. Ju flet atyre me zemër në dorë:”…Por dijeni, ama, se këtë punë të ndyrë unë kurrë nuk e kam bërë me dëshirë, por vetëm nga e keqja, nga vuajtjet, nga tmerri. Unë nuk rezistova dot. U përkula, u mposhta, u zhyta në llumin e turpit….Por dijeni mirë se për ju nuk kam thënë asnjë fjalë të keqe, asnjë, asnjëherë. Edhe më kanë frikësuar për ju, edhe më kanë rrahur, edhe më kanë torturuar, por nga goja ime nuk ka dalë ndonjë fjalë për ju. Asnjë. Për të tjerët kam thënë, por jo ndonjë fjalë që t’i rëndonte, kurrë, në asnjë rast. Këtë e di Zoti që është lart në qiell…”
Sala i penduar, gjykatës i paashëm e i rreptë i vetvetes, kërkon faljen e shokëve. Burrëria shqiptare e njerëzore ndoshta sugjeron këtë zgjidhje si më të mirën e gjykimeve mbi këto plagë të hapura që na ka lënë ende një e shkuar e dhimbëshme e shpesh e turpëshme. Shokët e falin, e quajnë përsëri shok, e fusin në gjirin e tyre. Për të ky gjest është shelbues dhe e bën që të shkojë i qetë drejt “ nuses shumë të bukur, yll e hënë, të veshur me të bardha”, drejt së panjohurës “ nga s’na u kthye kurrë udhëtari”. Eshtë një skenë tragjike, e denjë për penelin e një Goje: Sala hedh hapat drejt telave, shokët të shtangur i luten të kthehen, ndërsa ai vazhdon duke kënduar “ këngën e mjellmës”. “ Unë kurrë s’kam qënë i poshtër. Kurrë! Të lig e të poshtër më bëri komunizmi. Vëllezër! Kurrë mos e harroni komunizmin ! Kurrë!” Eshtë porosia e fundit e një njeriu, të cilin regjimi në të cilin jetoi, i shkatërroi gjithshka, i vrau respektin për veten, i mori jetën në lulen e moshës. Mesazhi i kësaj skene është tepër i fortë. Ai i ngjan një simfonie bethoveniane që nuk njeh kufij kohe e hapësire, që hyn thellë në shpirt e bën të mendosh gjatë mbi thelbin e saj.
“Mallkimi i nënës” titullohet kapitulli i fundit i romanit. Éshtë meritë e autorit që, nga ana emocionale dhe artistike, romani shkon në rritje. “Një tis dëbore po shtretëzohej edhe mbi kënetë. Ata punonin në mes të kënetës së ngrirë si fantazma dhe në kamp ecnin ngadalë, të heshtur, të raskapitur, si hije në muzg. Të moshuarit filluan të lenë amanetet e fundit…”
Në këtë pjesë jepet bukur ideja e një diçkaje që shkon drejt fundit. Afrimi i dimrit bën të pamundur vazhdimin e punimeve. Të burgosurit gëzohen kur marrin vesh se do të kthehen në burg, në dhomat e paajrosura e të qelbura. Atje nuk do të kenë për detyrë normën e përditëshme, as për dënim të përditshëm shkopinjtë e policëve. Por fytyrat e tyre nuk e shprehin gëzimin. Shikimet e tyre treten lart në qiell, madhështinë e të cilit do t’a dëshërojnë, e poshtë nën tokë ku duan të përshëndeten me shokët e mbetur përjetë aty, në baltën e kënetës.
Ata, të rënët e baltrave të Maliqit, ishin kurbanët që duhej t’i thereshin tharjes së kënetës, siç ishin të tjerë që u flijuan në të tjera kampe, në të tjera “vepra të socializmit”. Numuri i tyre është i panjohur, siç janë të panjohura dhe varret e tyre, siç është e panjohur për pjesën më të madhe të shqiptarëve dhe historia e tyre.
- I lamë në këtë kënetë, por jo për t’i harruar.
- Me siguri do të vijë një ditë që ata do të kujtohen.
- Dhe populli do të ngrejë një memorial.
Se sa profetike ishin këto parashikime të shokëve që mbijetuan mund të vërtetohet nga fakti
se asnjë përmendore nuk u ngrit për ta, asnjë rrugë apo shkollë në Shqipëri nuk mban emrin e tyre. Ata mbetën “armiq” siç mbetën “heronj” varrmihësit e tyre. Shqipëria zyrtare “demokratike” e njehsoi historinë e tyre me disa letra… pa vlerë. Madje dhe Europa tërthorazi na thotë se kujtimi i tyre nuk i shërbeka ecjes përpara, mbasi kujtesa historike duhet të funksionojë, por për viktimat e nazifashizmit…
Ata mbetën në kujtesën e shokëve, të bashkëvuajtësve, të familiarëve, por dhe në kujtesën e Kombit, mbasi Kombi është i përjetshëm. Kësaj kujtese i shërben dhe romani i zotit Makensen Bungo, që përfundon me një mallkim, me mallkimin e një nëne, e nënës së Vullnetit, që nuk u kthye me shokët në burg, që mbeti larg, përtej urës së Qabesë të Shqipërisë komuniste.
Romani ja ka arritur qëllimit në tërësinë e tij. Ai e ka realizuar porosinë e Hamletit. Lexuesi ngulit në mëndje një të vërtetë të hidhur , të trishtuar, por gjithmonë një të vërtetë, larg paçavureve të një tjetër “Kënete”, që mund të quhet një manual i përsosur dizinformimi. Jam i mendimit se përkthimi e botimi në gjuhë të huaja do të ishte mjaft i dobishëm. “Këneta e vdekjes” , me stilin e saj realist e dinjitoz, do të shërbente për të shpërndarë mjegullnajën e mashtrimit që mbulon të vërtetën e një epoke. Më duket e udhës të falënderojmë shkrimtarin për punën e tij të lëvdueshme e të urojmë që sa më shumë vepra të këtij lloji të shohin dritën në letrat shqipe.
Maj 2002