• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MESAZH LAMTUMIRE PËR LEK GOJÇAJ…

August 11, 2020 by dgreca

– I PAMUNDËSUAR PËR TA LEXUAR NË CEREMONINË PËRCJELLËSE –

NGA MARJAN CUBI-DIELLI-

Lekë Gojçajn e kisha mik dhe më ka ligështu në shpirt ikja e tij e parakohshme. Na kishte lidhë ngushtësisht në shpirt Shenjtëresha me gjak shqiptar Nënë Tereze dhe Dr. Ibrahim Rugova..

Tek Leka shihja ndërlidhjen e patriotizmit me përkushtimin fetar. E kam parë këtë në shumë momente:

-E kam përjetuar në Vatikan më 1988 në audiencën me Papa Gjon Pali II, ku ishim të pranishëm. Kujtoj se mesazhi i Papës derjtuar shqiptarëve, na mbushi shpirtrat me jetë!

E kam parë tek përpjekjet e Lekës me vëlla Pashkun, për të përjetësuar Nënën Tereze në SHBA dhe Trojet Etnike me Shtatoret, që nisën në të gjallë të saj.

E kam përjetuar, në udhëtimin tonë drejt Kalkutës –Indi dhe pjesmarrjen në homazhe dhe ceremoninë e varrimit të Nënë Terezes-Shtator 1997. Nëna Terezë ndërroi jetë me 5 shtator 1997, ndërsa ceremonia e varrimit do të organizohej me 13 shtator. Ne u nisëm nga aeroporti Kenedy në orën 8 të mbrëmjes të 9 shtatorit dhe arritëm në Kalkuta me 11 shtator. Përgjatë të gjithë udhëtimit Leka fliste plot pasion për jetën dhe përkushtimin e Nënës Terezë mes të varfërve.Me mijëra e mijëra njerëz prisnin në radhë, ndër ta dhe fëmijë të vegjël me lule ndër duar, për të hyrë tek Kisha e Shën Thomait, ku ishte vendosë trupi i Nënë Terezës. Radhët kanë vazhduar për gjashtë ditë. Ishin radhë të pafundme, por njerëzit qëndronin pa u ankuar për lodhjen e pritjeve të gjata.

          Sjell në mendje mëngjesin e 13 shtatorit 1997, kur Leka, më takon dhe më tregon se ka qëndruar pa gjumë tërë natën nga emocionet e forta të shkaktuara nga përjetimi i asaj çfarë kishim parë gjatë atyre ditëve, ku qytetarë nga e gjithë bota nderonin bijën e gjakut shqiptar, nënën e të varfërve të Botës, Nënë Tereza.

Leka kishte thurur në mendjen e tij vargje, që i kushtoheshin Nënë Terezës.Kujtoj:

Oj Kalkuta e Indisë

Je qyteti i varfërisë

Tani u bëre i historisë…

Nënë Tereze, bijë e Shqipërisë

Ti qe drita e fëmijërisë

U bëre Shënjtëreshë e Lumnisë

Lutu për Tokën e Shqiptarisë…!

Homazhe prane arkmortit me Trupin e Pajete te N Terezes-Nga e djathta Pashk e Lek gojcaj, Marjan Cubi, Simon Simolacaj.

Ishin ditë të paharruara ato që kaluam së bashku me vëllezërit Lek dhe Pashko Gojçaj dhe Simon Simolacaj. Në orën 9 të mëngjesit të 13 shtatorit zumë vend në stadiumin e qytetit, ku ishin të pranishëm rreth 25 mijë besimtarë. Kishin ardhë aty kryetarë shtetesh, personalitete të larta fetare dhe qytetare,ishte dhe presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani, Kryeministri i asaj kohe i Kosovës Bujar Bukoshi dhe personalitete të tjerë. Në orën 10 të mëngjesit ushtarakët bartën arkivolin me trupin e Nënës Terezë dhe e vendosën në qendër të stadiumit, ku ishte ndërtuar altari, ku u zhvillua mesha e Dritës. Gjithçka ishte e mbushur me emocione. Krerët e lartë fetarë përcollën Lutje. Më pas personalitete shtetërore vendosën lule, në fillim Kryetari i Shtetit Shqiptar, Prof. Rexhep Meidani. I pranishëm edhe Imzot Rrok Mirdita, shqiptarë nga Europa dhe Amerika, jo vetëm nga Nju Jorku, por edhe nga Detroiti.

Me 14 shtator , në orën 3 pasdite , Dom Anton Kçira, ngriti meshë tek varri i Nënë Terezës. Në këtë meshë morëm pjesë edhe ne shqiptarët e Amerikës, shqiptarë nga Gjermania, si dhe Motrat Misionare. Të nesërmen morëm rrugën e kthimit dhe pas 18 orësh fluturim, zbritëm në New York.

    Me Lekën ishim edhe në Rambuje , Shkurt 1999, ishim bashkë me një delegacion në vizitë në Kosovë , menjëherë pas luftës, ishim bashkë në Shqipëri në vizitën historike të Papa Gjon Palit II në Shqipëri, të pranishëm në shugurimin e 5 Arqipeshkeve, ndër ta dhe Imzot Rrok Mirdita…Ishim me Lekën dhe bashkatdhetarë të tjerë në nëntor 2000, duke ndjekur zgjedhjet lokale në Kosovë…Gëzim të veçantë provoi Leka me 2 Korrik 2002, në inaugurimin e Shtatores së Nënës Terezë në Prishtinë, kur dr.Rugova çmoi dhe vlerësoi lartë veprën e vëllezërve Gojçaj…

        Do të isha bashkë me Lekën e vëlla Pashkun në Lumturimin e Shejt Nëna Terezë, prill 2003. Në shtator 2010, ne përjetuam bashkë Shejtërimin e Shetjtëreshës Tereze, ndërsa në shtator 2014, shkuam në Tiranë dhe përjetuam vizitën e Papa Françeskut dhe Lumturimin e 39 martirëve.

Unë mendoj se Leka me vëlla janë nga më bujarët e shqiptarëve: Ata nuk kursyen asgjë për Fe e Atdhe: 100 Mijë dollar i dhuruan për ndërtimin e Kishës Zoja e Shkodrës në New York, 100 Mijë dollar i dhuruan për Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë; mijëra dollar për Shtatoret e Nënë Terezës në SHBA dhe Trojet Etnike shqiptare, dhuruan për xhamia e teqe, investuan në vendlindje në objekte sociale; ata dhuruan mijëra dollar në fushatat për presidentë, senatorë e Kongresmenë amerikanë, për t’i kyçur e përkushtuar ata në çështjen Shqiptare. Ata dërguan prej Amerike edhe arkmortin për të ndjerin Dr. Ibrahim Rugova.

Rrallë gjenë njerëz të tillë kaq të përkushtuar, bujarë e fisnikë.

Të qoftë e lehtë toka e Amerikës i dashur mik Lek Gjeto Gojçaj!

Pusho në Paqë!

Filed Under: Featured Tagged With: Marjan Cubi, MESAZH LAMTUMIRE PËR LEK GOJÇAJ

MARJAN CUBI DHE VATRA NGUSHËLLOJNË FAMILJEN JAKAJ

April 20, 2020 by dgreca

Një ndër viktimat e COVID-19 në Queens, New York, është edhe Mark Jakaj, djali i dajës i Marjan Cubit, arkëtar i Vatrës. 

Vatra dhe gazeta e saj Dielli, bashkohen me Marjanin dhe familjen e tij, duke i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes Jakaj dhe miqëve për humbjen e njeriut të tyre të Dashur.

      Mark Jakaj ndërroi jetë të Mërkurën me15 Prill në moshën 51 vjeçare, duke mos e përballuar betejën me virusin e padukshëm COVID-19.

      Duke iu përgjigjur urdhëresave të shtetit për moslejimin e grumbullimeve në funeral dhe në pamundësi për të pritur ngushëllime, familja do të organizoi varrim privat. 

Lutemi bashkë me familjen!

Markut i pushoftë shpirti në Paqë!

Filed Under: Politike Tagged With: Marjan Cubi, Mark Jakaj, nderroi jete

FUSHATA E 110 VJETORIT TË GAZETËS “DIELLI” PO MERR PËRKRAHJE

January 26, 2019 by dgreca

Fushata për 110 vjetorin e Gazetës Dielli, e hapur nga editori në mbledhjen e  zgjeruar të kryesisë së Vatrës me 24 Jnar 2019, krahas dhuruesëve të parë po merr mbështetës të tjerë.

– Ja dhuruesit e rinj: Ambasador Mal Berish $ 200.00, Gazetari Sinan Kamberaj $200.00, Anëtari i kryesisë Marjan Cubi $300.00. Alfons Grishaj $250.00, Mondi Rakaj $250, Uka Gjonbalaj $200.00,Asllan Bushati $200.00.

Dielli

Bashkatdhetarë, doni të dhuroni?

Dërgoni një Chek (Pay to: VATRA- Memo-110 vjetori i Diellit) ose Money Order në adresën:
VATRA
2437 Southern BLVD
BRONX, NY 10458

I falenderojmë dhuruesit e deritanishëm.

Përsërisim thirrjen e Editorit të ditës së enjte, 24 Janar 2019:

***

VATRANË, FUSHATA PËR DIELLIN FILLOI

 

– NËNKRYETARI Z. AGIM REXHAJ JU FTON NË GARË DUKE PRIRË ME $500.00!

 

– GARA NISI ME DHURIMET E PARA: MARJANA BULKU $200.00, NAZO VELIU $200.00, AGIM REXHAJ $500.00, DALIP GRECA $200.00-GARA ËSHTË E HAPUR!

Të Enjten në mbrëmje,24 Janar 2019, gjatë takimit të Kryesisë, ku u miratua programi për festimin e 110 Vjetorit të Gazetës”DIELLI”, Editori njoftoi hapjen e Fushatës. E para që iu përgjigj thirrjes ishte anëtarja e Kryesisë së Vatrës zonja, Marjana Bulku me $ 200.00(dyqind dollarë).Menjëherë iu përgjigj sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu po me $200.00.
Nënkryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj e mbështeti garën, duke prirë, dhuroi $500.00. Në mbyllje të celjes simbolike të fushatës, Editori dhuroi $ 200.00. Gara mbetet e hapur!
Vatranë; është radha juaj të tregoni bujarinë dhe frymën vatrane. Dielli ka 110 vjet që mbahet me dhurime të nxitura nga fryma vatrane dhe shpirti bujar i shqiptarëve të Amerikës.Le të vedosim të gjithë nga një gur në kështjellën e shqiptarizmës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, Kështjellën me emrin e bukur VATRA & DIELLI. Secili kontribuon me aq sa mundet, por gur -gur bëhet kalaja. Kështu e kanë mbajtë Kështjellën e shqiptarizmës vatranët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Drejtues dhe Kryesi të Degëve të Vatrës
Vihuni në krye të degëve dhe kontribuoni në këtë fushatë që synon të përballojë veprimtaritë kushtuar 110 vjetorit të DIELLIT dhe Konsolidimin në këtë shekull të dytë të gazetës tonë të dashur.
Ju të zgjedhur në strukturat e Vatrës, tregojeni me vepra se dini t’u prini fushatave të Vatrës. Është koha të kryeni obligimet tuaja!
Ju biznesmenë, që ju akrakterizon shpirti i patriotizmit, mbështetni gazetën, që ka regjistruar 110 vite jetë të Kombit tonë. DHURONI!
Për ju miq të Diellit dhe të Vatrës, që keni dëshirë të përfshiheni në fushatën tonë, dërgoni një Chek (Pay to: VATRA- Memo-110 vjetori i Diellit) ose Money Order në adresën:
VATRA
2437 Southern BLVD
BRONX, NY 10458

 

Filed Under: Featured Tagged With: Alfons Grisha e Mondi Rakaj, asllan Bushati, dalip greca, dielli, Mal Berisha, Marjan Cubi, Sinan Kamberaj

Kosovë-Me vatranë nga SHBA, në Ekspozitën për Rugovën

August 8, 2018 by dgreca

-Në ekspozitë, fotografi e dokumente edhe nga udhëtimet e takimet e Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/1 Marjan

2 Marjan

3 Marjan 1

5 Marjan

-Si në një udhëtim nëpër kohë e histori, në ekspozitën “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës” në Muzeun e Kosovës në Prishtinë, me vizitorë edhe nga mërgata shqiptare, si gjithë verës edhe gjatë javës, kur këtu erdhën nga Nju Jorku edhe vatranë – Marjan Cubi, anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, bashkë me bashkëshorten Dila/

3 BehlulSPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 5 Gusht 2018/ Në kryeqytetin e shtetit të dytë të shqiptarëve Muzeu i Kosovës është i hapur edhe këtë të diele të parë të gushtit 2018, me vizitorë edhe nga mërgata shqiptare, si gjithë verës e edhe gjatë javës, kur këtu erdhën nga Nju Jorku edhe vatranë – bashkë me bashkëshorten Dila erdhi Marjan Cubi, anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, njëherësh arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
Erdhën, pasi më parë ishin në Katedrale, ku Kisha Katolike në Kosovë organizoi në 1 Gusht Ditën e Diasporës dhe u mirëpritën nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili i priu Meshës solemne në bashkëmeshim me meshtarët dhe misionarët që shërbejnë në diasporën shqiptare, si edhe nga Vikari Gjaneral, Mons. Lush Gjergji dhe të gjithë.
Për vatranët e ardhur nga SHBA Marjan e Dila Cubin kishte plot mirëpritje edhe në Muzeun e Kosovës, nga drejtori Skënder Boshtrakaj dhe nga të gjithë, poashtu.
“Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, është ekspozita historike që u hap në 24 maj 2018, në Muzeun e Kosovës në Prishtinë dhe vazhdon të e hapur gjatë gjithë verës, deri në muajin shtator, që të kenë mundësinë ta shohin edhe bashkëatdhetarët – shqiptarët që vijnë në atdhe, në tokat shqiptare nga gjithë bota.
Në Kosovë 24 maji, me simbolikë shtetformuese, shënohet si Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjes në këtë ditë – në 24 Maj 1992, në të parën herë, të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.
Me Marjan Cubin, që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është për shumë vite veprimtar për çështjen shqiptare, për lirinë e pavarësinë e Kosovës, bëhemi edhe ciceronë derisa e shikojmë ekspozitën në Muze për Presidentin historik Rugova, të cilin ai e shumë shqiptarë të tjerë, vatranë, e kanë pritur e përcjellë shumë herë në SHBA e unë në Kosovë e kam intervistuar ekskluzivisht dhe pyetur edhe në shumë konferenca shtypi e takuar edhe na raste tjera.
Dhe, derisa në ekspozitë shikojmë dokumente e foto dëshmi kohe, kujtojmë:
Para 26 viteve, në mbledhjen 2 majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli për datën 24 Maj 1992 zgjedhjet e para shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë, pavarësisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.
Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti kandidaturën e Dr.Ibrahim Rugovës për President të Kosovës dhe ai u përkrah edhe nga partitë e tjera politike dhe u votua unanimisht.
Zgjedhjet për Presidentin e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet ku kishte shqiptarë nga Kosova.
Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet në Kosovë konstatonte edhe se, “nga së paku 130 vende për Parlament, 100 janë zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, pra, në bazë të sistemit të shumicës, ndërsa 30 vende janë zgjedhur përmes sistemit proporcional”.
Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar.
Zgjedhjet në Kosovë u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet evropiane. Këto zgjedhje i përcollën 82 ekipe gazetarësh apo të agjencive të lajmeve nga mbarë bota.
Vlerësimet e vëzhduesve dhe gazetarëve nga bota ishin se zgjedhjet ishin të mira, të rregullta dhe fer, por të zhvilluara në kushte të jashtëzakonshme okupimi.
Të gjitha këto i kam raportuar nga 24 maji 1992, kur nisa raportimet për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare. Raportimet i bëja nga zyra e telexit në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes së përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me orientim e përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, e që kishte nisë të dalë nga 18 janari 1991 dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja dhunshëm me ndërhyrje policore nga regjimi okupues i Beogradit. Që atëherë edhe themeluam bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë, me marrje nga Tirana të shkrimeve të Agjencisë Shtetërore të Lajmeve dhe botimin e tyre në gazetën e vetme të përditshme shqiptare në Prishtinë.
Zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda okupimi e shtetrrethimi nga regjimi i dhunës serbe, të mbajtura në 24 maj 1992, ishin zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtatorit 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive, të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 24 viteve, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.
Ajo intervistë e parë e një presidenti të Kosovës – Rugovës dhënë Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë është botuar në shumë media shqiptare e në botë, e edhe në Kosovë në gazetën e asaj kohe “Bujku”, ballina e faqe të tjera të së cilës janë të ekspozura te “Shtypi i kohës”, pjesë e ekspozitës “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”.
Kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet Sovran dhe i Pavarur në Referendumin e mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991, konstatonte Komisioni Qendror për Zbatimin e Referendumit në raportin e tij të botuar në ballinën e gazetës “Bujku”, në numrin e 4 tetorit 1991.
Me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, gazetën e rezistencës shqiptare në Kosovë “Bujku” e lexojmë në ekpozitë…
Aty pranë lexojmë edhe ballinën e gazetës Rilindja të 3 Korrikut 1990 për ngjarjen e madhe të 2 Korrikut historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës.
Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 korrik 1990, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”
Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në një intervistë të botuar në 15 prill 1990 në revistën “Fjala” në Prishtinë, duke komentuar debatet që zhvillohen në atë kohë thoshte: “Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës pak më vonë do të dalim me një Deklaratë Kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për Kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur Kushtetuese për Pavarësi, të 2 Korrikut 1990, të Kuvendit të Kosovës.
Pak më vonë Presidenti historik Rugova do të deklarojë se, “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” (“Hrvatski rubikon”, qershor Zagreb-Kroaci).
Rugova si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila tashmë tubonte rreth 700 mijë anëtarë, përshëndet dhe mbështet i pari Deklaratën e 2 Korrikut 1990, duke e quajtur një dokument historik dhe Deklaratë për Pavarësinë…
Më herët, në vitin 1989, në kremtimin e serbëve të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, të cilën e kishin humbur, Rugova e quante provokim për shqiptarët. “Është thjesht një festë shoviniste serbe”, deklaronte ai.
Dy ditë para se në atë “festë” në vendin e Betejës së Kosovës – në Gazimestan afër Prishtinës të vinin rreth një milionë serbë dhe tërë krerët e atëherë Jugosllavisë dhe Serbisë, Ibrahim Rugova do t’i deklarojë gazetës së njohur gjermane “Shpigel” më 26 qershor:
“Nëse Serbia përpiqet për të shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë një kryengritje. Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë një populli i vogël. Në të kaluarën sa herë që një popull i vogël është përpjekur të luajë rolin e një fuqie në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e tij”. Pas kësaj deklarate Rugova kërcënohet seriozisht nga pushteti.
Në ditën e kremtimit të Betejës së Kosovës, ku kishte folur lideri serb Milosheviç, që u bë i njohur si kasapi Ballkanit, i cili më vonë përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, Rugova në banesën e tij i jep intervistë gazetarit të “Zëri të Amerikës” që kishte përcjellë manifestimin e serbëve, në të cilën denoncon kremtimin si shovinist dhe antishqiptar.
Dhe, në atë kohë, në muret e hyrjes së ndërtesës ku banonte Rugova serbët kishin shkruar një parullë shoviniste e makabër, në gjuhën e tyre serbe, që përkthyer shqip thoshte: “Vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë”…
Dhe, derisa shikojmë dokumente e foto të ekspozitës për Presidentin historik të Kosovës, Marjan Cubi kujton edhe se po në vitin 1989, Dr. Ibrahim Rugova në vjeshtë për herë të parë shkon në Nju Jork, ku merr pjesë dhe flet në një tubim kushtuar 300-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit të tij të dashur Pjetër Bogdani.
Në ekspozitë, ndalemi gjatë para fotove me Shenjëtëreshën Shqiptare Nënë Terezën, me Presidentin Amerikan Bill Clinton e personalitete të SHBA e të Botës…
Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka takuar të Lumen Nënë Tereza, nobelisten-nënën tipike shqiptare, që është edhe e gjithë botës, siç është shprehur ai.
Ishte viti 1995, kur në 7 dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen. “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova. Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington.
Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, pas takimit me Nobelisten Shqiptare Nëna Terezë në Aeroportin e Romës, të nesërmen, në 8 dhjetor mbërrin në Uashington dhe takohet me Sekretarin Amerikan të Shtetit Uoren Kristofer, për herë të dytë brenda vitit 1995, pas takimit të parë në 22 qershor, kur po ashtu, takohet me liderin e shumicës në Senatin Amerikan, Robert Dol.
Në rrugëtimin drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës, Presidenti historik Rugova kishte udhëtime të shpeshta drejt Uashingtonit, ku në vitin 1994, në 4 shkurt, kishte takuar Presidentin e SHBA-ve, Bill Clinton. Takimi u zhvillua në hotelin “Hilton” të Uashingtonit, para fillimit të Lutjes kombëtare të mëngjesit, që organizohet për çdo vit në kryeqytetin amerikan.
Presidenti Amerikan Clinton, Nënpresidenti Al Gore e personalitete të tjera ndërkombëtare, prezentuan sfidat aktuale dhe ftuan për çaste të prehjes shpirtërore, udhëheqje morale dhe paqësore të politikës botërore.
Pas kthimit në Prishtinë në 14 shkurt 1994, Presidenti Rugova theksonte: “Vlerësoj shumë të rëndësishëm dhe të dobishëm takimin me Presidentin Amerikan Clinton, i cili shfaqi shqetësime për gjendjen në Kosovë dhe vlerësoi lart politikën tonë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës me mjete politike e në rrugë paqësore”. Clinton dhe Al Gor përsëritën qëndrimin se SHBA-të nuk do të lejojnë zgjerimin e konfliktit në Kosovë.
“Unë e kam takuar Presidentin Rugova dhe jam admirues i flakët i tij si dhe i hapave të rëndësishëm që populli i Kosovës i ka bërë për zvogëlimin e mundësive të përhapjes së një dhune me përmasa të gjera. Ne po e vëzhgojmë situatën për së afërmi atje. Për të penguar konfliktin në rajon ne kemi dërguar trupat tona në Maqedoni”, deklaronte Nënpresidenti Amerikan Al Gore në 27 prill 1994.
Edhe në vitin 1998, në 29 maj, më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në 24 mars 1999, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaron: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton thotë se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.
Personalite të larta nga e gjithë bota, sa herë që vijnë në Kosovën e lirë e të pavarur kujtojnë me vlerësimet më të larta Presidentin historik Rugova.
Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar gjatë takimit.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.
Në mbrëmjen e 24 marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.
“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s.
Presidenti Amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 janar 2006 të Presidentit historik të Kosovës Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…
Këto ngjarje nëpër kohë që i përkujton ekspozita në Muzeun e Kosovës i kemi kujtuar edhe gjatë vizitës në 16 gusht 2016 në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë të delegacionit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku ishin edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj, e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…Vatranët Presidentin Rugova e kanë pritur e shoqëruar në të gjitha vizitat në SHBA…
Është një rrugë e gjatë dhe me shumë sakrifica e kontribute derisa Kosova dhe shqiptarët kanë arritur këtu ku janë: Kosova është e lirë 19 vite, nga 12 Qershori 1999, kur nisën të hyjnë forcat shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s. Pavarësia e Kosovës, e shpallur para 10 viteve, në 17 Shkurt 2008, është njohur deri tani nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së. SHBA-të e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që në ditën e parë pas shpalljes. Nga vendet fqinje pavarësinë e Kosovës nuk e ka njohur ende vetëm Serbia, ndërkohë që në Bruksel vijon dialogu për normalizim marrëdhëniesh, ndërmjetësuar nga BE e mbështetur nga SHBA….
Që prej 22 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, në 12 janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.
Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 qershor 1996.
Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.
Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë.
Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në shtator të vitit 1999.
USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 10 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 korrik, Tina Kaidanoë është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanoë solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 korrik 2008 atëherë nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili pasoi Presidentin historik Rugova – të kohës së paraluftës, luftës e pasluftës, në liri e drejt pavarësisë.
Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit që ende vazhdon.Në Muzeun e Kosovës Marjan Cubi edhe ka shkruar në një faqe në Librin e Ekspozitës, duke shprehur e theksuar përshtypjet më të bukura e kujtimet e shumëta nga takimet me Kryetarin Historik dhe Legjendar Dr. Ibrahim Rugova, kur shkonte në SHBA…
Si nga një udhëtim nëpër kohë e histori dalim nga ekspozita “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës” që vijon të jetë e hapur në Muzeun e Kosovës, ku shohim në katin tjetër edhe ekspozitën arkeoloigjike duke na u bërë ciceron edhe historiani Arben Arifi, një i njohur i Marjan Cubit, me të cilin fillimisht u takuam në Katedralen Nëna Terezë, e më pas para se të nisen bashkë drejt Klinës e Gjakovës pinim kafe e kuvendonim në një një nga restorantet tradicionale shqiptare në Prishtinë…

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Marjan Cubi, me vatranët, Muzeu, Presidennt Rugova

4 MIJË SHQIPTARË NË DITËN E TRASHËGIMISË KOMBËTARE NE SHBA

June 7, 2018 by dgreca

1 a valltaret e vogla1 a Rozafat dom Pjeter

NGA MARJAN CUBI-DIELLI/*

Kryetari i Qendrës Kulturore “Nënë Tereza”/

Qendra Nënë Tereza, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”  e nderuar për aktivitetet kombëtare nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me dekoratën e lartë “Mjeshtër i Madh” e ka kthyer në traditë të përvitshme organizimin e Ditës së Trashëgimisë Kulturore Shqiptare “Albanian Cultural Heritage” në fillimit të muajit qershor. Edhe këtë vit festa u organizuar të dielën e parë të qershorit, me datë 3, në Parkun madhështor në Kensico Dam Plaza, Valhalla, Westchester,NY plot bukuri natyrore- aty ku shqiptarët cdo fillim maji përkujtojnë heroi Nik Mrnacaj. Parku ishte si në festë, i zbukuruar me flamujë të shumtë shqiptarë e amerikanë,i hijeshuar përvec gjelbërimit natyror edhe nga veshjet plot kolorit me kostume kombëtare e bluza me simbolikën e Flamurit Kuq e Zi. Kjo traditë është e mbartur për dekada të tëra këtu në Nju Jork.

Ishin më shumë se 4 mijë bashkatdhetarë të ardhur jo vetëm nga Nju Joku, por edhe nga shtetet e afërt si CT dhe NJ. Gati i gjithë Kombi shqiptar ishte ay, nga veriu në Jug. Të gjitha krahinat etnike përfaqësuan Kombin shqiptar me tradita e kulturë të lashtë. Të gjitha moshat u përfshinë në festën e bukur të traditave kombëtare dhe përjetuan emocionalisht bukurinë e valleve, këngëve, garave sportive, kuzhinën e shijshme shqiptare etj. Bizneset po ashtu u ekspozuan në tenda të vecanta. Dukej se në mjedise organizohej një panair shqiptar.

Festa e këtij viti ishte madhështore edhe për faktin se koha ishte e bukur, me diell dhe të gjitha aktivitetet e planifikuara në kalendarin e kësaj dite u zhvilluan konform kalendarit. Dom Pjetri, famullitari i palodhur i Kishës “Zoja e Kodrës” tek mori pjesë në këtë ditë të trashëgimisë Kombëtare, tha se ruajtaj e traditave, kulturës, përcjellja e tyre tek brezi i ri, tek fëmijët e lindur në Amerikë, është obligim kombëtar. Ai tha se edhe koha ishte në favor, madje ishte lutur gjatë meshës për këtë qëllim.

Komisioni organizator , i kryesuar nga Fran Çota, ishte në krye të veprimtarive të shumta, ku ishte fokusuar Dita e Traditave. Krahas zhvillimit të garave në shumë lloje sporti, u organizua dhe në miting celebrues, që u hap nga famullitari dom Pjetër Popaj. Në fjalën e tij përshëndetëse famullitari dom Pjetër Popaj falenderoi pjesmarrësit e shumtë në këtë festë kombëtare të Trashëgimisë Kombëtare Shqiptare, në ditën plot diell, në këtë park madhështor plot bukuri natyrore, falenderoi komisionin dhe të gjithë veprimtarët që ishin në krye të përgatitjeve dhe ata që drejtuan garat dhe koncertet e bukura. Si gjithëmonë priu grupi i valleve”Rozafat” i përgatitur nga Mjeshtrja e Madhe, koreografja e palodhur Angjelina Nikaj. Dom Pjetër Popaj përgëzoi fëmijët e veshur bukur me kostumet kombëtare nga krahina të ndryshme shqiptare si dhe për vallet e bukura që kërcyen.

Në ditën e Traditave shqiptare, pjesmarrësit u përshëndetën edhe nga Shefi Ekzekutiv i Ëestchester County, z. Latimer, i cili edhe kishte mundësuar lejen e organizimit të veprimtarive, duke e vënë Parkun në dispozicion të shqiptarëve.

Një përshëndetje të vecantë u ka drejtuar pjesmarrësve dhe i ka përgëzuar për ruajtjen e traditave Kombëtare këtu në SHBA, ish Kongresmeni repubikan, Joe DioGuardi, zëri i fuqishëm i shqiptarëve në Ëashington e më gjerë.

Në pistën plot hapsirë natyrore të parkut u vallëzua dhe u këndua shqip për orë të tëra. Grupi muzikor i kryesuar nga këngëtari Hajro Ceka, përherë i pranishëm në veprimtaritë e Qendrës Kulturore Nënë Terza, u tregua si përherë i palodhur dhe me reportorine  tij të pasur i argëtojë pjesmarrësit.Edhe këngëtarja e talentuar Violeta Vokrri u duartrokit për zërin e bukur dhe repertorin e pasur. Koncerti i këngëtarëve u shoqërua me valle. Shumë valltarë dhe këngëtarë e gjallëruan festën e traditave. Faleminderit të gjithëve! U takofshim sërish pas një viti me një program artistik të pasur dhe me gara të forta sportive!

*Fotografite i shihni ne Facebook(dielli vatra)

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Dita e Trashegimise Shqiptare, Marjan Cubi, ne Nju Jork

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT