Kryeministri: I gatshëm për t’u ulur që nesër, për Reformën në Drejtësi dhe Reformën Zgjedhore. Pritet përgjigja e kreut të opozitës/
Në Shqipëri kryeministri Edi Rama ripërsëriti sot ftesën drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për t’u takuar dhe biseduar për Reformën në Drejtësi. Një ditë më parë në një intervistë për Top Channel, zoti Basha kishte shprehur gatishmërinë për të biseduar “pa kushte” me kryeministrin në çdo moment. Nisur nga kjo gatishmëri, kabineti i zotit Rama i është drejtuar sot kabinetit të zotit Basha duke theksuar se “ftesa që Kryeministri i ka dërguar zotit Basha mbetet gjithmonë e hapur”. Në fund të marsit të shkuar zoti Rama ftoi publikisht në një takim kreun e opozitës, i cili nga ana e tij e refuzoi atë duke e kushtëzuar me zbatimin më parë nga ana e shumicës së vendimeve të Gjykatës kushtetuese për mandatet e tre deputetëve socialist.
Në letrën e sotme kabineti i zotit Rama thekson se “Kryeministri është i gatshëm të takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike që nesër në orën 11:00. Zoti Basha është sigurisht i mirëpritur të caktojë orën e takimit në çdo rast. Duke qenë se vendi i takimit është lënë në zgjedhjen e Kryeministrit, ai mund të zhvillohet në Sallën e Hartave, në godinën e Këshillit të Ministrave”.
Procesi i Reformës në Drejtësi duket se ka mbetur pezull pasi opozita paraqiti një seri propozimesh lidhur me tekstin e ndryshimeve kushtetuese të rishikuar nga ekspertët e misionit amerikan të Ndihmës Ligjore OPDAT dhe ata të misionit europian EURALIUS. Dy ditë më parë zoti Basha deklaroi se opozita është dakort me pjesën që ka të bëjë me antikorrupsionin dhe se ka pranuar propozimet e ndërkombëtareve lidhur me vendimmarrjen për emërimet në institucionet e drejtësisë, ndërsa për strukturën e re të sistemit të Drejtësisë u shpreh se edhe Komisioni i Venecias, por edhe varianti i rishikuar “kanë përcaktuar se arkitektura që pamundëson kapjen e sistemit është përgjegjësi e ligjvënësve”, për këtë arsye, theksoi zoti Basha “nuk mund të ketë një formulë e në veçanti, pranueshmëri të një formule që nuk garanton moskapjen politike”. Por ndërkohë zoti Basha ngriti si një cështje urgjente edhe ndryshimet në Kodin zgjedhor, pasi sipas tij pa garantuar zgjedhje të lira e të ndershme Shqipëria nuk mund të shpresojë hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Për këtë arsye, sipas kabinetit të zotit Rama “kryeministri do të jetë i shoqëruar nga kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, si edhe nga kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Bashkim Fino. Zoti Basha është mëse i mirëpritur të vijë i shoqëruar sipas dëshirës së tij. Në kuadër të këtij takimi, Kryeministri do të dëshironte të trajtonte sëbashku me Kryetarin e Partisë Demokratike, çështjen e Reformës në Drejtësi, atë të Reformës Zgjedhore dhe çdo çështje tjetër me rëndësi dhe interes të përbashkët”, përfundon letra e kabinetit të kryeministrit.
Ndërsa pritet përgjigja e kryetarit të opozitës, një gjë duket se është e sigurt, takimi nuk do të mund të zhvillohet nesër, siç propozon kryeministri, pasi zoti Basha do të jetë jashtë vendit, deri të martën, pasi do të marrë pjesë në një takim të Partive Popullore europiane.(Kortezi: VOA)