100 vjet me Dr. Lazër Radin, 26 Janar 1916 – 26 Janar 2016./
Si u njoha me Dr. Lazër Radin/
Nga Marsida T. Najdeni/*
E kam të vështirë ta mendoj sesi deri para pak vitesh nuk njihja asgjë për Dr. Lazër Radin. Jeta në Shqipërinë post komuniste më shkoi pa njohur shumë mëndjeartë shqiptarë t’letërsisë së mohuar. Kjo kurrësesi s’qe për fajin tim, mosha e vogël më shfajëson; ama, shfajësim nuk ka për shtetin dhe ministrinë e arsimit, sepse këtë plejadë intelektualësh i kishte mohuar rrënjë e dhëmballë. Mendoj se dhe sot shumë nga t’mohuarit nuk mësohen ende. Unë u largova e re nga Shqipëria, por fakti që më habit ështe se shumë emra të këtyre intelektualëve të mohuar s’përmenden në shkollat tona. U deshte Amerika e largët dhe një biblotekë mijra milje tutje nga ku jetoja që të njihja Dr. Radin. Para pak vitesh kur isha studente në universitet karta e biblotekës së shkollës më lejonte të hulumtoja në mbi 100 bibloteka të Amerikës. Më qe bërë ves të kërkoja libra mbi Shqipërinë nga autorë të huaj. Po ves mu bë dhe të kërkoja libra në gjuhën Shqipe. E në këtë lëmsh vesesh më del nga kërkimi libri “Shqipëria në vitet ’30-të” kronikë e përjetuar nga Lazër Radi. Vetëm 1000 kopje ka ky libër, sesi kishte përfunduar libri i tij në atë biblotekë në fund t’Amerikës mbetet mister. Kjo ndodh kur të mençurin dhe të mirin nuk e vlersojmë dot ne si shoqëri shqiptare, por na i ngren lart bota. Qofsha gabim…
Libri ndodhej mbi 8 orë larg nga ku gjendesha unë. Kjo nuk më pengoi aspak duke qenë se vitet ’30-të për mua përmbajnë një debulesë t’veçantë. Nuk ngurova dhe e porosita. Mbas katër ditësh më vjen një njoftim se libri kishte ardhur në biblotekën e shkollës dhe duhet të shkoja ta merrja. I ndjeri Lazër sikur ma kishte njohur shpirtin dhe në kopertinë të librit ishte Tirana ime e dashur, e mbi të gjitha Sahati i famshëm i saj me të cilin ndjehem e lidhur genetikisht. Vendosja e Tiranës në kopertinë, siç e shpjegon dhe vetë autori, ishte për të treguar se në vitet ’30-të Tirana ishte epiqendra e intelektualizmës shqiptare.
***
“Shqipëria në vitet ‘30-të” kronikë e përjetueme nga Lazër Radi. Libri u botua pa redaktim, Tiranë 1998, vetëm 1000 kopje.
Librin e mora ndër duar pa ditur kurrgjë nga jeta e autorit. Shkova tek cepi im në katin e tretë të biblotekës dhe fillova ta lexoj këtë libër suprizë. Gjëja e parë që më goditi qe Shqipja tërheqëse me të cilën qe shkruar. Ne sot nuk dimë as ta shkruajmë dhe as ta flasim aq ëmbël gjuhën tonë. Sa më shumë e lexoja aq më shumë më bëhej i zgjuari Lazër sikur belbëzonte ndonjë këngë të lasht. Sa e kushtëzueme më duket Shqipja që shkruajmë sot. Dëshira për t’shkruar me fjalë të mëdha dhe fjali të gjata sidomos me fjalë të huazuara na ka ndrydhur. Edhe mohimi i t’shkruarit në dialekt mua personalisht më kufizon sëtepërmi. Ndërsa tek Shqipja e Dr. Lazër Radit thjeshtësia merr krahë e të vjen butë, fjalitë janë të shtruara, edhe fjalori i pasur Shqip pa fjalë t’marra borxh i japin një ngjyrim marramendës temës së Lazrit. Aty gjen dhe dialektikën dhe njëtrajtsimin shkrirë aq qetë bashk. Libri të njeh me një Shqipëri të largët, një dokument i rrallë i realitetit t’athershëm. Prej librit mëson si zhvillohej jeta në disa qytete të Shqipërisë etnike dhe mardhëniet që kishin shqiptarët ndërvete. Aty njihesh dhe me vetë Lazër Radin. Vërtetë një kronikë e përjetuar ku të habit memorja e Dr. Radit, sepse shumë histori tregohen me detaje mbreslënëse. Kështu isha humbur disa ditë në botën e largët të një Shqipërie si nëpër përralla, herë herë e hareshme dhe herë herë rrënqethëse plot dhimbje. Mbasi e mbarova librin dhe u mahnita me fuqinë intelektuale te Dr. Lazër Radit doja ta njihja edhe më këtë personalitet.
Nga kërkimi për të njohur Dr. Lazër Radin, ku mësova se prej vitesh ishte ndarë nga jeta, arrita të njoh një tjetër Rad, po aq i shkëlqyer sa i pari. Puna e palodhur e të birit Jozef Radi për të treguar gjithë veprën e të atit, jo vetëm që ma ka bërë Dr. Lazër Radin aq të njohur tashmë, aq të afërt, por fitova dhe një mik të rrallë si Nini (Jozefi). Edhe pse diferenca e brezave midis nesh mund të them që kur hyjmë n’atë botën letrare-histori shqiptare nuk na dallon asgjë. Bisedat e pafundme me Ninin në dialektin e ëmbël tiranas, që ai e njeh dhe e do aq shumë, bisedat për të atin dhe veprën e madhnishme që na ka lënë mbrapa, për intelektualët e mohuar, për familjet e mëdha me taban që vuajtën karvanin poshtërues komunist, për t’pavdekshmen ndjenj tonën anti-komuniste, për familjet tona që i dashurojmë pafundësisht, si tifoza të dy të bardheblusë Tirona, janë për mua tashmë pjesë e ditëve të mia. Vepra e Dr. Lazër Radit duhet mësuar dhe studiuar nga të gjithë. Ai ishte një intelektualë me aftësi natyrale për letërsi, shkurt kishte lind për at’ punë. Sot në këtë 100 vjetor të lindjes së tij, them se përshkrimi më i saktë është se tek ai gjejmë rrugëtimin e gjithë historisë së popullit shqiptarë në shek. XX. Jeta e Lazrit është sinonim i ngjarjeve historike të Shqipërisë. Lindi gjatë luftës parë botërore në Prizren, ku gjysma e mushkërisë Kosova i qe shkëputur Shqipërisë. Fëminia e tij në Prizren, realitetin e të cilit vetë Lazri e ka përshkuar aq i panjëanshëm dhe thellësisht saqë duket sikur e shikon si film. Dëbimi më 1929 që iu bë nga serbët prej vendlindjes.
Shkollimi tij në Tiranë, Shkodër, Durrës gjatë periudhës së Zogut, e më pas Romë për jurisprudencë. Botimet e tij të para në shtypin shqiptarë. Miqësia me Migjenin, Musine Kokalarin, Mit’hat Aranitin dhe qindra të tjerë. Dënimi i padrejt me burg gjatë sistemit komunist prej te kamufluarit “Gjygji Special”, vuajtiet e të shoqes nëpër burgje, vuajti në 5 kampe internimi plus dhe internimi familjarisht në Savër, Prizrenin që s’e pa dot, puna e palodhur për të shkruar sa më shumë dhe pse jetonte në vendin më të varfër si Savra e Lushnjes….
Ato pak vite që jetoi mbas rënies së sistemit i kaloi i ngurosur mbi tavolinë 12 orë në ditë për të shpalos të vërtetën. Edhe pse e sulmonin “demokratët” e 25 vjeçarit të fundit, ai qëndroi energjik deri në fund. A nuk kam të drejtë atëhere kur them se jeta e Lazrit është fiks jeta e Shqipërisë? Qindra artikuj në shtyp ku datojnë nga 1935, dhjetra libra të shkruar si “Një verë me Migjenin,” “Njeriu i rrugës së gjatë,” “Misteret e një ministri” etj, dhjetra libra të tjerë të përkthyher “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve” të Mark Milanit, “Qytete dhe fantazma” të Jovan Duçiqit, përkthen Frojdin, Jungun, Platonin etj. Kjo është vepra që ka lënë mbrapa i ndjeri Lazër. Kushdo që ka dëshirë ta njohë dramën shekullore të popullit shqiptarë duhet patjetër të lexoi Dr. Lazër Radin. Realistin e letërsisë shqiptare.
*Ne fotografi: Durrës, 1938. Dr. Lazër Radi student.