-Mustafa: Me emrin e Presidentit Rugova lidhen sukseset e arritura në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/ ISTOG, 14 Nëntor 2015/ Me emrin e Presidentit Rugova lidhen sukseset e arritura në Kosovë, tha sot kryeministri kosovar Isa Mustafa. Ai deklaroi kështu gjatë vizitës në Istog, ku pas takimit me udhëheqësit komunalë ka vendosur gurthemelin e Memorialit kushtuar Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në qendër të qytetit.
Kryeministri Mustafa e ka cilësuar rast të veçantë vizitën që i është bërë punimeve në Muzeun Memorial kushtuar Presidentit Rugova, që do të financohet nga Buxheti i Kosovës me pjesëmarrjen e Komunës.
“Është fjala për nderimin e një njeriu shumë të madh, Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, njeriut që ka dhënë shumë për shtetin e Kosovës, dhe me emrin e të cilit lidhen shumë suksese që Kosova i ka arritur gjatë kësaj periudhe”, theksoi kryeministri Mustafa.
Presidenti historik, lideri arkitekt i pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, lindi në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut.
Që para më se dy dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për shtet duke theksuar se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”.
Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, më 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lidri i Lidhjen Demokratike të Kosvës, e cila më shumë se parti lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.
Në 24 maj 1992, pas deklarimit të popullit të Kosovës në referendum për pavarësi një vit më parë, Rugova në zgjedhjet e para nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdiednt i Republikës së Kosovës, e cila ishte shpallur në vitin 1990, por nuk ishte njohur ndërkombëtarisht.
Si gjithmonë, edhe më 4 mars 2002, duke u inaguruar në Parlamentin e Kosovës president i pas zgjedhjeve të para nacioanle të pasluftës, Rugova thoshte: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.
Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, tha shumë prerë Ibrahim Rugova më 6 tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.