• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJENIA SHKODRANE NË LIBRIN E XHAHID BUSHATIT PËR TEATRIN ‘MIGJENI

March 16, 2021 by dgreca

Shënime nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Një dhuratë tejet e çmuar për mua nga Shkodra në javët e para të këtij viti – libri “Teatri ‘Migjeni’, kujtesa e një qyteti” (Biografi, role, intervista, kujtime, biseda, dëshmi, dorëshkrime, ditare, letra, arkiv.. etj.).

Autori i librit Xhahid Bushati, miku im i hershëm që nga fillimi i viteve ’70, është shkrimtar shumë i njohur, me dhjetëra libra të botuar të letërsisë për fëmijë të të gjitha moshave dhe me shumë libra për të rritur, lëvrues i shquar i poezisë, i përrallës, i tregimeve, novelave, pjesëve për kukulla, fitues çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare, i botuar në revistat e specializuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mal të Zi, pjesëmarrës aktiv dhe i vlerësuar në panairet shqiptare të librit, me rol të rëndësishëm në funksione drejtuese në Shoqatën e pavarur të shkrimtarëve shqiptarë të letërsisë për fëmijë e të rinj. Ai është mësimdhënës që nga mesi i viteve ’70, fillimisht në malësitë e Kukësit, më pas në malësitë e Veriut dhe në qytetin e lindjes, pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, kritik dhe studiues serioz i letërsisë, njeri dhe artist me interesa shumë të gjera dhe me pasion e dashuri të mëkuar qëkur ka lindur për Shkodrën e tij, qytetin tonë të përjetshëm.

XHAHID BUSHATI

Që nga mesi i viteve ’80, pas specializimit pasuniversitar në Universitetin e Tiranës, Xhahid Bushati u muar për 15 vjet me gazetari kulturore në Radio Shkodra. Këtu zuri fill edhe libri për Teatrin “Migjeni”, i cili ia mori autorit të tij 31 vjet punë.

Pa të gjitha cilësitë dhe përvojat e mësipërme vështirë të mund të përfytyrohej poetika e kujtesës së qytetit, e përbërë nga jetëshkrime aktorësh, burime arkivore, koleksione gazetash dhe revistash, dëshmi kolegësh, dorëshkrime të vetë aktorëve, letra, intervista që i ka marrë autori i librit, nuk mund të kuptohej poetika e ngjizjes dhe krijimit të këtij libri, i cili përfshin dekada të tëra kujtese të disa brezave të artistëve shkodranë, nuk mund të kuptohet as poetika e leximit të këtij libri.

Teatër është një fjalë e greqishtes së vjetë që do të thotë “vend për të parë”, pra vend ku njerëzit shkonin e shkojnë për të parë jetën e tyre të shndërruar në art. Është hapësirë e shenjtë për aktorët. Është rreze rëntgen për shpirtin e kohës dhe të shoqërisë. Teoritë përkatëse e shikojnë si formë arti të së tashmes: ai ekziston vetëm në të tashmen, dhe menjëherë zhduket. Këtë përgjegjësi e kanë ndjerë edhe aktorët e mëdhenj të Shkodrës. “Në teatër çdo natë lind, rritet dhe vdes një vepër”, është një fjalë e urtë të cilën Bep Shiroka dhe kolegët e tij e kishin si refren të jetës. Prandaj për këtë formë të artit thonë edhe se është një realitet që ekziston vetëm në mendjen e publikut, për rrjedhojë vetëm në kujtesën e publikut.   Edhe Xhahid Bushati e shikon, me të drejtë, si kujtesë të qytetit të Shkodrës teatrin “Migjeni”.

37 emra që i dhanë kuptim më të plotë jetës shkodrane dhe gjenisë shkodrane

Janë 37 emra të mëdhenj pa të cilët Shkodra mijëravjeçare do të ishte e mangët, 37 emra që i dhanë kuptim më të plotë jetës shkodrane dhe gjenisë shkodrane në gjithë gjysmën e dytë të Shekullit XX dhe në gati krejt çerekun e parë të Shekullit XXI.

Xhahid Bushati, në librin e tij, i pari dhe deri tani i vetmi për Teatrin “Migjeni”, një libër që vetëm ai (siç do ta argumentojmë në këto shënime) mund ta shkruante, i ka sjellë këtu sipas rendit alfabetik. Këtij rregulli nuk i binden vetëm emrat Paulin Lacaj ( 28 prill 1914 – 14 janar 1976) dhe Fejzi Spahija. I pari është ai që mendoj se, po të mos mendojnë për historinë e teatrit themeluesit e saj, nuk do të ketë kush të mendojë. Dhe u bë edhe themelues i arkivit, ku ka gjetur lëndë edhe ky libër, ku mund të gjejnë lëndë të gjithë librat, të gjitha veprat e artit që do t’i kushtohen në veçanti këtij institucioni dhe në tërësi këtij qyteti që është djepi i kulturës sonë kombëtare. Lacaj e kuptonte se, me kohën, gjithçka që do të shqiptohej në skenën e teatrit, do të shuhej në eter dhe se ai arkiv do të ishte pavdekësia e teatrit. (“Për të e rëndësishme ishte çdo gjë: një telegram, një ftesë teatri, një pjesë, një shirit incizimi, data se kur është dhënë shfaqja, platforma e regjisorit…”) Autori i librit vë re një veçanti karakterizuese të Lacajt, gjithçka e shkruante me penë. Megjithëse e zotëronte makinën e shkrimit, ai parapëlqente bukurshkrimin e tij, atij ia besonte jetëgjatësinë arkivit, joshjen ndaj studiuesve që do të interesohen për historinë e teatrit. Në fakt, Lacaj çonte më tej traditën e skribëve, shkruesve të saktë e të bukur të teksteve, pa të cilët deri vonë as që mund përfytyrohej asnjë burokraci. Nga kjo trashëgimi, autori i librit, ka shkëputur një faqe shembullore, atë të organikës së parë, mbi bazën e vendimit të Këshillit të Ministrave, datë 24 nëntor 1949, mbi themelimin e teatrit profesionist të Shkodrës, i cili hynte në fuqi më 1 dhjetor 1949.

I dyti, Fejzi Spahija, aktor dhe më vonë drejtor i insitucionit, mendon dhe punon për pavdekësinë e teatrit në një mënyrë tjetër, ai shkruan ditar.  Në libër vijnë fletë ditari nga vitet 1960-1961, shumë të rëndësishme për rritjen profesioniste të institucionit. Ndër të tjera janë penelatat brilante për përcjelljen që ia bëri Shkodra piktorit Simon Rrota, i ndarë nga jeta me 28 janar 1961 dhe eklipsit të diellit të 15 shkurtit të atij viti.

Pa i periodizuar, thjesht mbi kritere enciklopedike, sipas renditjes alfabetike, vijnë 35 emrat e tjerë të mëdhenj: Adem Kastrati (13 shkurt 1909 – 14 qershor 1972), Andrea Skanjeti (21 gusht 1906 – 29 nëntor 1992), Antoneta Fishta (22 janar 1922 – 26 tetor 2006), Athanas (Tano) Banushi (4 shkurt 1927 – , Bep Shiroka (25 shtator 1933 – 1 korrik 2010), Çezarina Çiftja (26 shkurt 1927 – 16 maj 2008), Esat Oktrova (28 prill 1930 – 21 mars 2001), Fadil Kraja (1931), Fatbardh (Bardh) Smaja (2 shtator 1956 – shtator 2016), Gjosho Vasia (28 tetor 1931 – 31 dhjetor 2019), Hajrije Sula, Hasan Smaja (25 korrik 1922 – 23 korrik 1997), Jolanda (Landi) Shala (14 maj 1947 – 22 nëntor 1984), Julka Kakarriqi, Justina Alia, Lec Bushati (10 korrik 1923 – 16 shtator 1996) , Lec Fishta (5 mars 1920 – 4 korrik 1995), Lec Shllaku (3 nëntor 1921 – 4 gusht 2007), Mirjam Bruçeti (15 mars 1949 – , Ndrek Prela (13 mars 1920 – 14 nëntor 2011), Ndoc Deda ( – 22 shkurt 1983) , Nefail Piraniqi (18 mars 1940 – 8 shkurt 1996), Paulin Preka (2 shkurt 1935 – , Pjetër Deda, Pjetër Gjoka (2 gusht 1912 – 12 maj 1982), Preng Lëkunda (6 korrik 1921 – 3 mars 1968), Ramiz Rama (9 nëntor 1911 – 3 korrik 2015), Roza Xhuxha (Anagnosti) (27 tetor 1943) , Serafin Fanko (24 maj 1937 – 29 nëntor 2017), Tefë Krroqi (28 shtator 1924 – 1 dhjetor 1995), Tinka Kurti (17 dhjetor 1932), Violeta Sekuj, Zef Deda (27 korrik 1950), Zef Jubani (2 dhjetor 1910 – 1 dhjetor 1958), Zyliha Miloti (11 janar 1946).

Janë të gjithë zëra enciklopedikë, ku kërkohet që dijetari të bëhet një me artistin e fjalës, stili shkrimor dituror të bëhet një me stilin letrar, çka këtu është arritur më së miri.

Janë të gjithë emra që i zgjojnë nostalgji një brezi më të hershëm se ne, brezit tonë, si dhe brezave pas nesh. Shumë prej tyre kam pasur fatin t’i ndjek në skenën e teatrit “Migjeni” në periudhën time të shkurtër studimore në Shkodër, ndonjë prej tyre edhe e kam takuar e njohur më nga afër në mjediset kulturore shkodrane, më vonë edhe në mjedise të kryeqytetit. I kam ndjekur gjithnjë në emisionet “Teatri në mikrofon” apo “Teatri në ekran” të asaj kohe. Disa prej tyre edhe në filmat që ata kanë luajtur. Shumë nga ata që nuk kam pasur si t’i njoh as t’i shoh, kishin filluar jetën e tyre të dytë, të shndërruar në legjendë, në Shkodrën e tyre. Nga yje tokësorë ishin shndërruar tashmë në yje qiellorë. Nga yje të përditshmërisë shkodrane ishin shndërruar në yje të qiellit të përjetësisë së artit shkodran dhe atij kombëtar.

Nga këndi i një admiruesi të përkushtuar, aq më tepër i një bashkëqytetari, i një njohësi të afërt, nganjëherë edhe shoqëror e familjar, si dhe të një hulmtuesi të zellshëm e të palodhur iu është qasur Xhahidi, i cili ka pasur fatin e veçantë, të privilegjuar, se është lindur e rritur me artin e tyre. Pa këtë përmasë që e përshkon tejendanë librin, vështirë se do t’ia arrinte të sillte jetën 70 vjeçare të Teatrit “Migjeni”, të përbërë nga jetë dhe vepra të të gjithë atyre 37 emrave, të denjë secili për romane më vete.

Kjo jetë 70 vjeçare ka një parajetë që daton, për skenën teatrore, që nga viti 1880, me lindjen e artit amator, por edhe në karnavalet të cilat askund nuk ishin më të bukura se në Shkodër derisa i ndaluan më 1967, prej ku degëzohen teatri dhe humori, të pasuara në estradën, në dramën dhe në komedinë, prej ku degëzohen arti muzikor dhe artet e lojës skenike, derisa pikërisht në Teatrin “Migjeni” do të luhej opera e parë shqiptare, “Mrika”.

Lexuesit i është lehtësuar gjithçka që, nëpërmjet renditjes alfabetike, të bëjë vetë renditje të tjera sipas rrafshesh të ndryshme që libri i ngërthen thellë vetes. Sipas kësaj poetike, do të kishim disa nën-ndarje të emrave të mëdhenj të teatrit shkodra, si (1) jetë të ndërprera (2) talente të ndërprera (3) jetë dhe talente të mbijetuara (4) jetë dhe talente të përmbushura. Në mënyrë të përmbysur do të kishim ata që patën fat në jetë dhe në karrierë, ata që patën peripeci në jetë dhe në karrierë, ata që nuk patën fat të bënin karrierë dhe ata që nuk patën fat të jetonin.

Në kohën tonë qarkullonte shpesh e kudo thënia e Gorkit se rruga e artit është e shtruar me gozhdë.  Për artin skenik në Shkodër majat e gozhdëve ndoshta ishin më të mprehta se kudo tjetër. Artistët e skenës përballeshin me luftën e klasave në shoqëri e në arte, me biografitë e tyre, me sfidat e rritjes artistike, deri me sfidat e jetës së tyre të përditshme.

Vdekjet engjëllore në Teatrin “Migjeni”

Jetë dhe karrierë e ndërprerë është Zef Jubani, sinonim i vetë Teatrit. Në moshën 48 vjeçare, në kulmin e tij artistik, Zefi vendosi të mos e dërgojë shpirtin e tij në qiell, por ta mbajë brenda atyre mureve, ku kishte jehuar edhe zëri i tij. Me biletën në xhep për të parë operën e Prenk Jakovës, papritur e pakujtuar, ai, në krahët e shokëve pushon së jetuari dhe nis përjetësinë e tij. Deri atëherë ka realizuar 40 role, secili më kryevepër se tjetri. I mbeten pa luajtur edhe dhjetëra role të tjera. Vdekja e tij është ëngjëllore.  Xhahid Bushati nuk ka pasur si të takohet, si të njihet, si të bisedojë me Zefin, por arrin të takohet me jetën e Zefit, të njihet e të bisedojë me të nëpërmjet kujtimeve të Tinka Kurtit, Ymer Balës, Ndrekë Prelës, Violeta Sekujt, Bep Shirokës, Antoneta Fishtës, Lec Bushatit, Dionis Bubanit, Xhemal Brojës. Xhahidi i drejtohet metaforikisht Jubanit: “Këto kujtime i mblodha siç mblidhen xixëllonjat, por nëpër vite.”

Në të njëjtën mënyrë Xhahidi rindërton jetën Pjetër Dedës, babait të aktorit Zef Deda, atij që ndërtoi traditën e skenografisë në Teatër, i larguar këso bote në moshën 36 vjeçare. Xixëllonjat e kujtimeve tregojnë se ishte një vizatues i pashoq. Ishte i vetmi që u ndodh pranë Gjergj Fishtës në çastin e vdekjes dhe e përjetësoi atë moment me laps e letër. I tij, në laps e letër, është edhe portreti më i njohur i Mjedës. Ai është rritur jetim, është nga një familje e varfër brez pas brezi. Dhe pas vetes lë, po ashtu, fëmijë të varfër e jetimë. Edhe vdekja e tij është ëngjëllore.

Në një tjetër dritë, tashmë intime, sjell autori Nefail Piraniqin, mikun e tij të ngushtë, me shumë miq të përbashkët, të cilit vdekja ia ndërpreu jetën dhe karrierën në moshën 56 vjeçare. Është një tjetër vdekje engjëllore në Teatrin Migjeni.

Jetë dhe karrierë e ndërprerë dhimbshëm dhe trishtueshëm, në moshën 29 vjeçare, është Çezarina Çiftja, aktorja e parë e profesioniste e teatrit “Migjeni”, së cilës teksa bisedon me autorin e librit, i shpëton një lot “mbi faqen e mplakur…”. Një jetë dhe karrierë e ndërprerë, një poemë tragjike, një dhimbje që për Shkodrën, qytetin më artdashës në botë, nuk ka të shuar as të mbaruar kurrë është Jolanda Shala. Në kapitullin e saj, Xhahid Bushati shpalos poetin më shumë se në çdo kapitull tjetër të librit të tij: “Një jetë me ëndrra! Çelën në maj, u venitën dhe u thanë në nëntor. Një rriskë qielli mbushur me xixëllonja maji!” Më tej: “Fëmijëria e saj rrinte si pikë loti mbi qerpikun e njomë, pezull mbi faqen e brishtë. Prindërit i vdiqën herët.” Të papërsëritshme janë edhe portretet e prindërve të saj, Gasprit, babait violinist virtuoz, Marijes, këngëtares me zë të ëmbël të jareve shkodrane. Është edhe kjo një vdekja engjëllore në Teatrin “Migjeni”.

            Jetë dhe karrierë e ndërprerë është Preng Lëkunda, i larguar nga jeta në moshën 47 vjeçare, në kulmin e përkryerjes artistike në teatër dhe në fillimet e para në kinematografi, pas një sëmundje që e mori brenda ditës. Reklama e shfaqjes ku ai do të luante në mbrëmje, do të hiqej. Preng Lëkuda vdiq! Shfaqja nuk do të jepet. Shkodra mezi mban frymën. Është vdekje tjetër engjëllore në Teatrin “Migjeni”.

Ndërprerjet dramatike në Teatrin “Migjeni”

Karrierë e ndërprerë është Ndoc Deda, i ardhur edhe ai nga një mjerim i skajshëm familjar. E fillon jetën e teatrit 13 vjeç dhe ia ndërpresin kur ai është 44 vjeç. Më 8 maj 1951 kur ia vënë prangat dhe bën 8 vjet burg të rëndë në kampet e punës. Pas daljes nga burgu i kthehet jetës teatrore amatore, por kurrë asaj profesioniste.

Karrierë e ndërprerë, pa rikthim, për arsye biografike, është aktorja Hajrije Sula. Karrierë e ndërprerë dhe e mbijetuar është Justina Alia, e goditur pas Plenumit të IV-t për shkak të Festivalit të 11-të Këngës në Radiotelevizion.

Karrierë e ndërprerë është edhe Lec Bushati, epiku më i madh i skenës dhe ekranit shqiptar, i përballur pothuaj gjithnjë e tejet suksesshëm me role të mëdhenj. Zërin e tij shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë qëkur ai dubloi zërin e Skënderbeut në filmin sovjetik për Heroin tonë Kombëtar. Portreti i zëri të tij, që duket sikur e shqiptojnë grykat e maleve, është më harmonik se te kushdo tjetër me portretin fizik të njeriut. Lec Bushati e ndërpreu karrierën e tij në Paris, kur në sheshxhirimin e tij të fundit, pësoi krizë në zemër dhe iu nënshtrua një operacioni shumë të vështirë. Kështu që në njëzet ditët e fundit të jetës së tij Lec Bushati nuk i pa më skenat as sheshxhirimet.

Të gjithë këta emra janë sinonim i Teatrit “Migjeni”

Jetë dhe karrierë e përmbushur është Andrea Skanjeti, njëri ndër tre regjisorët (bashkë me Esat Oktrovën dhe Serafin Fankon) dhe njëri ndër tre dramaturgët (bashkë me Fadil Krajën dhe Serafin Fankon) që ka lënë përjetë vulën e tij në teatrin “Migjeni”. Skanjeti ka bërë mbi 300 regji në këtë teatër dhe plot të tjera në teatrin e kukullave, është vlerësuar gjithnjë nga kritika bashkëkohore dhe ka marrë titullin më të lartë të atëhershëm, Artist i Popullit. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Athanas (Tano Banushi), të cilin Xhahid Bushati e quan “univers aktoresk”. Ka dalë mbi 1000 herë në skenën e teatrit, ka realizuar mbi 1000 personazhe, në mënyrë brilante. Është aktori komik shqiptar me rrezatimin më të gjerë. Autori i librit nuk ka përtuar t’i shterojë të gjithë përfundimet e arritura nga njohësit më të thellë të artit të tij shumë kompleks dhe të sjellë edhe analizat e sintezat e tij. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Bep Shiroka aktor i roleve të mëdha në drama dhe komedi. Në më se 40 vjet karrierë ka luajtur 160 drama e komedi dhe në shumë filma. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Fadil Kraja, i cili ka në fondin e teatrit rreth 60 drama. Pa to, ky institucion nuk mund të kuptohet. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Hasan Smaja, me mbi 100 role në estradë, realizuar plot kolorit dhe dhe me larmi të pashoqe. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Ndrek Prela, nga 91 vjet 60 prej tyre në skenë dhe ekran, aktor i paharrueshëm i përkryerjes së të ashtuquajturave role të vogla. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Paulin Preka, tetë vite në teatrin e dramës dhe 37 vite në teatrin e estradës, duke realizuar mjeshtër me qindra personazhe. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Serafin Fanko si aktor, regjisor dhe dramaturg që solli përmasën moderne në teatrin e Shkodrës dhe me ndikim në teatrin e kinematografinë shqiptare. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Tinka Kurti, “interpretuesja rrezatuese, me një diapazon të gjerë aktorial në skenë dhe në kinematografi,” – siç e cilëson Xhahid Bushati. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Zyliha Miloti me mbi 50 vjet në skenë. Të gjithë këta emra janë sinonim i Teatrit “Migjeni”.

            Aktorë shumëplanësh, artistë shumëtalentësh

Aktore shumëplanesh është Atoneta Fishta, e sukseshme rolet komike, dramatike dhe në kinematografi. Tano Banushi siç nënvizon Xhahid Bushati, “ishte aktor shumëplanësh. Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, parodinë, vodevilin, farsën, intermexon etj.”.  E suksesshme në dramë e komedi është Mirjam Bruçeti. I suksesshëm në teatër e kinematografi është Ndrek Prela. Aktor i sukseshëm drame dhe humori është Paulin Preka. Aktor i sukseshsëm i dramës dhe komedisë është Ramiz Rama. E suksesshme në teatër dhe kinematografi është Tinka Kurti. Aktore e sukesshme e dramës dhe komedisë është Zyliha Miloti.

Artist shumëtalentësh e personalitet i shumanshëm është Andrea Skanjeti, “drejtor, regjisor, dramaturg, përkthyes, shkrimtar, filatelist, përgatitës fjalori…” Artisti Bep Shiroka tregonte se në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve nuk ishte pranuar si aktor, por si piktor. Me pikturë ka vazhduar të merret gjithë jetën. Ka marrë pjesë në ekspozitat e arteve figurative në Shkodër 25 vjet rresht. . Ishte edhe fotograf. Përveçse aktor i suksesshëm i dramës dhe komedisë, ai është autor i 30 skenografive në teatrin “Migjeni”. Një pasion që e ka shoqëruar nga fëmijëria deri në fund të jetës është ai për kanarinat. Fatbardh Smaja ishte klarinetist i talentuar dhe piktor krahas kushtimit ndaj teatrit dhe televizionit. Gjosho Vasia “parodist e kupletist, aktor e imitues, këngëtar duet me kitarën e tij ‘besnike’”, madje edhe kompozitor e autor tekstesh të këngëve. I tillë është edhe Zef Deda. Kitarist e prestixhator, përveçse kupletist i pashoq është Hasan Smaja. Këngëtare, aktore shumplanëshe e teatrit dhe kinematografisë është Justina Alia. Nefail Piraniqi, krahas galerisë së roleve, ka lënë pas vetes edhe batuta pafund me humorin e tij karakteristik shkodran. Preng Lëkunda deri në fund të jetës krahas skalitjes së roleve u muar me skalitjen e vargjeve poetike. Serafin Fanko, regjisori i katërt i teatrit “Migjeni” është gjithashtu aktor, është dramaturg, është skenograf (ka bërë 18 skenografi të shfaqjeve të veta dhe të kolegëve), i shquar është edhe në Teatrin e Poezisë. Tefë Krroqi është aktor, iu përkushtua poezisë deri në fund të jetës. Shkroi dramë. U muar me përkthime dhe me punë botuese.

Xhahid Bushati e mrekullon lexuesin në çdo faqe të librit të tij duke u marrë në masën e duhur me çdo aspekt të lartpërmendur të 37 figurave të teatrit “Migjeni”. Dhe çdo lexues, në mënyrë të pavarur, mund të nxjerrë prej këndej përfundimin e tij se këta aktorë të mëdhenj, këta artistë të talentuar të Shkodrës dhe të kombit, para se të jenë të tillë, janë njerëz me botë të madhe.

Itinerare teatrore

7 nga të 37 emrat e mëdhenj të artit teatror shkodran nuk kanë lindur në Shkodër. Antoneta Fishta lindi në Vjenë, kur është 6 vjeçe dhe banon me familjen në Korfuz mbetet jetime nga nëna, kthehet në Shqipëri, ia kushton jetën dhe talentin Shkodrës, vdes në Itali. Esat Oktrova lind në Pogradec, mbaron studimet në Moskë, është regjisori i tretë i Teatrit “Migjeni”, për tetë vjet punë, krijon shkollën “Oktrova”, – siç nënvizon Xhahid Bushati. Me origjinë prej babait nga Shkodra, lind në Jugosllavi, në Korçola, Julka Kakarriqi, më 1928, kthehet në Shkodër, ku punon mësuese e pastaj aktore deri në pensionim. Ndrek Prela lindi në Tivar, 5 vjeç erdhi në Shkodër, më 1927 me familjen mërgojnë në Argjentinë, rikthehen në Shkodër, ku ai vdes në moshën 91 vjeçare, pasi ia kushtuar gjithë shekullin e tij. Pjetër Gjoka lindi në Ulqin, erdhi 2 vjeç në Shkodër, ku kaloi fëmijërinë dhe rininë. Jetën dhe karrierën i vazhdoi e i mbylli në Tiranë pa u shkëputur asnjëherë nga Shkodra dhe shkodraniteti i tij. Roza Xhuxha (Anagnosti) lindi më 1943 në Tiranë në një familje mirditore. Një vjeçe vjen në Shkodër ku transferohet babai oficer. Ka një karrierë të pasur në “Migjeni”, para se të vendoset në Tiranë. Tinka Kurti lindi në Sarajevë më 1932, në moshë të re vjen në Shkodër, ku arrin majat e karrierës. Aktorja e regjisorja Violeta Sekuj vjen me martesë në këtë qytet, të cilit ia kushton jetën dhe karrierën.

Është pothuaj rregull: emrat e mësipërm, me ndonjë përjashtim, kanë ardhur nga jeta tejet e gjallë amatore e qytetit, janë formuar në teatër dhe kanë krijuar secili shkollën e vet teatrore. Nuk janë të pakët ata që kanë ardhur nga një fushë krejt tjetër e jetës. Bep Shiroka është nisur për piktor dhe është bërë aktor. Fatbardh Smaja është nisur për muzikant dhe është shkolluar për këtë, pastaj e ka bërë për vete përfundimisht teatri. Edhe i ati Hasan Smaja e nisi jetën si muzikan me një orkestër të vogël popullore, si sportist me një skuadër futbolli. Paulin Preka e nisi jetën si mekanik, e vazhdon si marangoz, pastaj kalon në jetën amatore e profesioniste teatrore. Pjetër Gjoka  më 1933 është mbrojtës në ekipin e futbollit “Vllaznia”, më 1934 është kampion kombëtar dhe përfaqësues i vendit në Olimpiadën Ballkanike të Athinës në trehapësh dhe në stafetë. Është edhe muzikant, pjesëtar i bandës së qytetit në instrumentin e kornos. Në vitet ’30 është ndër  tenorët më të mirë të kohës, saqë Tefta Tashko Koço është e interesuar për një bursë për Konservator. Por pasioni për teatrin triumfon ndaj të gjitha pasioneve. Preng Lëkunda e nisi jetën si endacak nëpër çadrat e ciganëve, edhe pa bukën e gojës. Dhe nuk dihet si erdhi tek Teatri. Me fëmijëri tragjike është edhe Serafin Fanko. Ai niset për balerin. Madje në Asamblin e Ushtrisë. Largohet prej andej dhe merret me punë të tjera. Pastaj vjen shkollimi i lartë në vend dhe jashtë vendit për aktor. Zef Deda e nis jetën si tornitor në Vaun e Dejës, e zbulon Gjosho Vasija si artist dhe jeta e tij merr tjetër rrugë.

***

Djepi i kulturës sonë kombëtare, kryeqyteti antik ilir, qyteti shqiptar më iluminist, Shkodra kishte tri institucione me të cilat e sfidonte statusin e provincës: Institutin e Lartë Pedagogjik, Teatrin “Migjeni”, klubin “Vllaznia”.

Xhahid Bushati, me librin për teatrin “Migjeni” hedh dritë në një nga këto përmasa. Ndërkohë ai nuk ka pushuar dhe nuk pushon së kërkuari dhe së punuari për të ndriçuar në të gjitha përmasat gjeninë shkodrane.

Filed Under: Opinion Tagged With: Migjeni, Skender Buçpapaj, Teatri Migjeni, Xhahid Bushati

NJË TRINI NË TETOR

October 13, 2020 by dgreca

— Sot, datëlindja e poetëve Pano Taçi, Dritëro Agolli, Migjeni – 

nga Visar ZHITI-

TETORI TRALLISËS-

Tetori në traditën tonë të re është tashmë dhe Muaji i Letersisë, sepse lidhet me jetët e vdekjet e disa prej shkrimtarëve më të mëdhenj të letrave shqipe.

Në 20 tetor ndërroi jetë poeti kombëtar Naim Frashëri, kurse në 23 tetor lindi poeti tjetër kombëtar Gjergj Fishta 

                Në tetor kanë lindur dhe sundimtarët e Shqipërisë, Mbreti Zogu I dhe diktatori Enver Hoxha, i pari në 8, i dyti në 16, të cilët kanë lidhje me letërsinë, jo thjesht si personazhë veprash, por që kanë ndikuar dhe në realitetet letrare, për mirë dhe për keq.  

MIGJENI

Pikërisht si sot, në 13 tetor, kanë datëlindjet dhe 3 poetë: Migjeni, Pano Taçi, Dritëro Agolli dhe dy ditë më mbas është dhe datëlindja e liderit të parë demokracisë, Sali Berisha, president dhe kryeministër në posdiktaturë.

DRITERO AGOLLI.

Ndërkaq tetori është dhe muaji i “Sindromës Down”, i vendosur nga Shoqata Kombëtare Amerikanë, që mban po këtë emër, për të senbilizuar dhe ndërgjegjësuar shoqëritë, nismat e së cilës njihen si ajo “Buddy Walk®”, trupi ecën, dhe në Shqipëri, nëse nuk janë harruar veprimtaritë e dikurshme.. Po kështu tetori është dhe muaji i Kancerit të Gjirit. dat;e. 

PANO TACI…

Trallisëse. Është muaji i dhjetë i vitit dhe emri i ij do të thotë tetë, vjen nga latinishtja (octo), sepse romakët në kalendarin e tyre gregorian e kishin muajin e tetë, është vjeshta e tyre në hemisferën boreale dhe pranverë ne hemisferën australe.

Tetori ynë i mbart të gjitha këto, shtrudhshëm, universin dhe arin e vjeshtës, poezinë dhe diktaturën, gjëndjen down dhe cjen e vështirë me një diell të ftohtë si gjiri i murosur i Rozafës.

*  *  * 

Dua t’i kthehem ditës së sotme të tre poetëve. Të ndryshëm nga njëri-tjetri, që kujtohen në mënyra të ndryshme, ndoshta harrohen njëlloj, nga njëra palë ose tjetra e admiruesve. Tre poetë që duhej të na bashkonin, por poezia nuk e bën dot gjithmonë këtë akt, se lind dhe nga rrethanat, që shpesh janë konflikte të mëdha. Sepese kanë lindur dhe sundimtarët bashkë me të. 

Të tre s’janë më. Dhe i përkasin shekullit XX të Shqipërisë, por dhe fillimit të shekullit XXI. Dhe patën sundimtarët e tyre.

Migjeni dhe Dritëro Agolli. Që përkujtohen. Janë në tekstet shkollore dhe medait flasin për ta. Migjeni jetoi nën mbretërinë shqiptare, Dritëroi nën diktaturë. Migjeni mësues fshati, Dritëroi shkrimtar profesionist, deputet. Migjeni nga diktatura u konsiderua si paraprirës i Realizmit Socialist, Dritëroi poet i shquar i tij, që përjetoi dhe postdiktaturën, ndryshimet demokratike, kur Migjeni sikur u zbeh paksa pa të drejtë dhe Dritëroi u godit me të drejtë. . 

Midis tyre, jo vetëm si vitlindjeje, por dhe si fat, është poeti tjetër Pano Taçi, që vjen nga ferri i burgeve dhe që kujtohet më pak.

Një trini poetësh jona. Në kohë diabolike, që morën prej saj dhe i dhanë. Si rrjedhojë dhe tre shqetësime emblematike.

 Migjeni nuk e përjetoi diktaturën e më pastajme, nxitoi të vdesë i ri, por vepra e tij nuk u ndalua nga regimi siç ndodhi me mjaft autorë të tjerë, u studiua, u vlerësua dhe shkëlqeu mynxyrshëm.

Kurse Dritëro Agolli dhe Pano Taçi janë të njëkohshëm, dy dukuri të tjera nën diktaturë, dy rrugë të ndryshme poetësh, edhe pse e nisën ngjashëm, të dy kishin qenë partizanë qysh fëmijë për çlirimin e vendit, ku pas asaj lufte u vendos diktatura më e egër në të gjithë perandorinë komuniste. Krijimtaria e të dyve u përzgjat dhe në moshë të thyer, në shekullin e ri, XXI. 

DEMONI I KRIJIMIT

13 Tetori i tre poetëve si nën shenjën zodiake të djallit metaforik. Jo pse në këtë muaj do të renditen dhe datëlindjet e atyre që kanë sunduar më së shumti Shqipërinë. 

Pani Plak, por dhe engjëlli plak e quanim ne Panon tonë. Aq sa me miq, po aq dhe vetmitar, i përvuajtur dhe buzagaz, që, kur ishte në burg në diktaturë, duhej të ishte më i lirë së brendshmi, i një lirie të tmerrshme, të leckosur si rrobat e të burgosurit, ndërsa kur ishte i lirë e në demokraci, mbeti në burgun e varfërisë dhe të mosmirënjohjes, deri dhe të braktisjes. Edhe botimet e tij janë të varfëra, libra të vobektë. Harrohej në gjallje dhe s’e di a nëpërmendet tani, që ka ikur në qiell.

Dritëro Agolli, autor i njohur poemash e romanesh, tregimtar dhe dramaturg, patriarku i socialistëve, siç e quajnë, por dhe i realizmit socialist, i asaj metode letrare vrastare, siç e sulmojnë, me miq shumë e me lavdira e përvjetorë e statuja e me botime të shumta e luksoze.

Migjeni mbetet poeti më i ri i shqiptarëve, që modernizoi poezinë shqipe, europian i viteve ‘30 dhe klasik, ndërkohë themeltar sidomos në prozën e shkurtër, me shtëpi muze dikur dhe me një teatër në qyetin e tij të lindjes, q;e mban emrin e tij.

Tre poetë, të pangjashëm dhe me fate të ndryshëm, me rëndësi të ndryshme, madje jo dhe aq të pakrahasueshme, mendoj, bashkëkohës aq sa mund të ishin, se e njëjta koha s’është e njëjtë për asnjërin, që shpalosin tri drejtime vulnerabile të letrave shqipe, ku i pari, sipas kronologjisë kohore, Migjeni, zë vend të qëndrueshëm, edhe pse me një libër, të realizmit kritik do të thoshim si në shkollë, por që ndikoi ndjeshëm në shkëputjen e letrave shqipe nga romantizmi i vonë, sarkastik deri edhe kafkian, guxoj të shtoj, duke patur parasysh ca parabola të tij, etj, kurse Agolli, ndër më të shquarit e mëvonshëm, prijës në socrealizmin shqiptar, tregimtar spartan dhe romancier me humor popullor, kur lufta e klasave dhe kulti i individit ishin normë, sa entuziast në socializëm, kur sundonte djalli, i vlerësuar ndërkaq nga udhëheqja, nga djajtë thënë më mirë, po aq i zhgënjyer në demokraci, edhe i trishtë, por prapë i vlerësuar nga udhëheqja e re, nga djajtë e rinj, mund të shtojë ndokush, ndërsa Pano Taçi, që u bë i njohur vonë, por asnjëherë sa ata, ishte poeti i pafat, i vetëbërë, edhe pse dënohej për të mos qenë i tillë. I  burgosur dhe internuar gjatë diktaturës, pra i flakur në ferr, me djallin e armatosur mbi kokë, ndërsa pas rënies së diktaturave, edhe pse viti ’90 e gjeti 62 vjeçar, boton libra të shumtë me poezi, tradicional në trajtim, risi në tema,  i përqendruar në dhimbjet e persekutimit, në terrin dhe qëndresën, e thërret djallin për ta damkosur dhe e gjen atë dhe në mashtrimet në demokraci, prandaj dhe sarkazma bëhet më  e hidhët, edhe banale prej lodhjes, besues dhe mosbesues, i avitet qiellit, por flatrat i ka të thyera dhe i kthehet një dashurie cigane, duke nxjerrë libra erotikë me “poezi pornografike”, të parët në llojin e tyre, që e gajasnin lexuesin me një si donzhuanizëm të allasojshëm shqiptar.

Tre poetë – një trini diabolike? Në kohë diabolike, më saktë. 

ELIPSET E TRE JETËVE

Duke lënë jashtë rastësinë e 13 tetorit, se ç’forcë a mister qiellor deshi që të lindnin në atë datë të vjeshtës së dytë, do të desha të thosha se ka diçka përbashkuese në jetët e poetëve në përgjithësi. Elipset e jetëve kanë dhe pika takimi, ndonjëherë dhe përzierje.

Kur u shua Migjeni, fare i ri, as 27 vjeç, Taçi ishte vetëm 10 vjeç dhe Agolli 7 vjeç, pra bashkëkohësia e tyre është fare e pakët, si të thuash pak vite ajër të përbashkët përthithën në truallim amëtar. Taçi me Agollin u rritën si shkollarë dhe me poezinë e Migjenit.                                                                         Po risjell kronologjinë e tre jetëve, nxjerrë nga botimet e tyre, sepse sintetizon kohë dhe histori të re tonën…

1911- Kur Shqipëria e rropatur ende s’e kishte fituar mëvetësinë, aq e dashur dhe po aq rrezikshme, lindi Migjeni në Shkodër. (në këte vit lindi dhe im atë, Hekuran Zhiti, dramturg, poet satirik dhe aktor i përndjekur). Migjeni arsimimin fillor e mori në vendlindje në një shkollë serbo-ortodokse. E çojnë të studiojë në Tivar. Daja i Migjenit, Jovan Kokoshi nga Kavaja, e dërgon në gjimnazin e Manastirit dhe po këtu, në vitin 1927 kryen Seminarin Ortodoks “Shën Joan Teologu”.                                                                                           1917- Në Rusi shpërthen revolucioni bolshevik, që do të ndryshonte rrjedhën e historisë botërore, fatalisht dhe në Shqipërinë e vogël.

Lind Musine Kokalari, që do të jetë shkrimtarja e parë shqiptare dhe desidentaja e parë grua në perandorinë komuniste, themeluese e një partie opozitare e do të burgosej e më pas do të vdiste në internim. 1928- Parlamenti shqiptar shpall Mbret Zogun I. Shqipëria shpallet mbretëri.     Lind Pano Taçi në Gjirokastër, ku merr dhe mësimet e para, ndërsa gjimnazin do ta vazhdojë në Tiranë me mësues filozofin, shkrimtarin dhe poetin Isuf Luzaj, i ikuri politik, patrioti i dënuar me vdekje.         1931- Ndërsa vazhdonte të bëhej kryeqyteti i ri Tirana, pas bulevardit të madh u ndërtuan 6 pallatet e 6 ministrive, vendi po institucionalizohej ndërkaq, në Jug-lindje, në një fshat të Korçës, në Menkulas të Devollit, lindi Dritëro Agolli. I ati i tij, Rizai, kishte mërguar në Buenos-Aires dhe në Çikago (e dinte përmendësh Khajamin dhe Naim Frashërin, dy poetët më të mirë në botë, sipas tij). 1933- Migjeni emërohet mësues i gjuhës shqipe në shkollën “Skanderbeg” të Vrakës në Shkodër dhe boton në revistën “Illyria” prozën “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”. Dy vjet më vonë kërkon të shkojë në Slloveni për kurime, por kunsullata jugosllave në Shkodër nuk ia jep vizën, punë djajsh dhe ikën në Greqi. Kthehet dhe vazhdon mësuesinë në gjimnazin e Shkodrës.

1936- Shpërngulet në Pukë. Shtypshkronja “Gutenberg”  bën gati 1000 copë të librit ”Vargjet e lira”, por “censura ndalon qarkullimin e tyre”, shkruhej në botimet e mëparshme. (Nuk gjendet në arkiva ndonjë dokument që e dëshmon dhe nuk na duket aq bindës ky fakt diabolik. Sepse Migjeni po botonte dhe po çmohej në shtypin e kohës.) Në fund të vitit përgatit librin e ri “Novelat e qytetit të Veriut”. Në Gjirokastër lind Ismail Kadare, shkrimtari që do të merrte famë botërore.

1937- Mbreti Zog martohet, edhe pse i besimit musliman, me konteshën e bukur katolike hungareze, Geraldinë Appynoi, ndërsa At Gjergj Fishta nxjerr versionin përfundimtar të eposit të tij “Lahuta e Malcis”,  dhe në Pukë Migjeni, me rastin e festes kombëtare, 28 Nëntorin, mban një fjalim para popullit të Pukës. (Sot mbase nuk duket me aq rëndësi, hollësi e tepërt, se mbahen dëndshëm fjalime nga pushtetarët…).

1938- Migjeni niset për në Torino dhe shtrohet në sanatoriumin “San Luigi”. Vdes gjatë natës së 26 gushtit. Zi në botën shqiptare të letrave. Botohen proza dhe poezi të tij.

 1939– Nis Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste. Ajo qëndresë heroike e atyre pak njerëzve në bregdetin shqiptar do të shënonte fillimin e rezistencës me armë në Europë kundër djallit përbindëshëror nazi-fashist.

1941- Themelohet në Tiranë Partia Komuniste e Shqipërisë, të pranishëm në drejtim janë dhe dy demonë serbë…         

1942– Pano Taçi, i përfshirë në lëvizjen antifashiste që 12 vjeç, futet në Debatik (Djemtë e bashkuar, antarë të ideve komuniste) dhe del malit partizan. Dy vjet më pas nxjerr poezinë e parë në “Bleta”. Ia botoi poeti i njohur Lasgush Poradeci. 1943- Dritëro Agolli, edhe ai 12 vjeçar, përfshihet në luftë, (diku shkruhet si 9 vjeçar), bëhet korrier batalioni, teksa i ati është partizan dhe lufton me armë në dorë për çlirim e vendit.

1944- Del libri “Vargjet e Lira” të Migjenit. Shqipëria, e vendosur në anën e drejtë të historisë, çlirohet… (por jo shqiptarët…).

1945- Mbaron Lufta e Dytë Botërore. Fitojnë Aleatët Perëndimore me Bashkimin Sovjetik kundër Boshtit Nazist. Humbjet ishin të mëdha, u vranë 60.754.000 njerëz në botë.

1946- Vendoset shërbimi i detyruar ushtarak. Nisin arrestimet e klerit katolik, Enver Hoxha shkon për vizitë zyrtare në Beograd, kurse Pano Taçi, i përjashtuar nga gjimnazi për “dashuri borgjeze”, i magjepsur pas një vajze të bukur, motër e njërit prej presidentëve të ardhshëm të Republikës në posdiktaturë, tundohet të arratiset në Greqi, që më pas të ikte në SHBA tek gjyshi. Panoja dënohet me 4 vjet burg, në kënetën e Maliqit njeh mes të dënuarve shkrimtarët Mitrush Kuteli, Arshi Pipa, etj. Pas dy vjetësh lirohet dhe e çojnë në internim.                                                                                                                                                       1947- I kthehet Shqipërisë ishulli i Sazanit, qeveria refuzon planin Marshall, Enver Hoxha takohet me Stalinin në Moskë, djalli i vogël me Djallin e Madh dhe Dritëroi boton poezinë e parë “Vullnetari i hekurudhës” në gazetën “Rinia”.  

1951– Bomba në ambasadën sovjetike në Tiranë, pretekst për arrestime intelektualësh, pushkatime, mes tyre dhe një grua, shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati. Pano Taçit ia shtojnë internimin në Savër të Lushnjës, me akuzën se nuk kishte dashur të votonte.

1952- Hapet Kinostustudia “Shqipëria e re”, Dritëroi mbaron gjimnazin e Gjirokastrës, “akademinë e tij letrare¨, siç e quante dhe e nisin për studime në Lenigrad, Sant Petërsburgu i dikurshëm.

1953– Shqipëria në zi për vdekjen e Djallit të Madh, Stalinit. Pano Taçi shkruan poemat për Kosovën “Treni i muhaxhirëve”, “Gryka e Kaçanikut”. E pranojnë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por një vit më vonë kritikohet ashpër për poemën “Kambanari”, si reaksionare që nxit kryengritje.                                                1955- Shqipëria e uritur nuk pranon një ndihmë ushqimore me vlerën 850.000 dollarë nga Presidenti Eisenhauwer, por bëhet anëtare themeluese e Traktatit të Varshavës. Dritëroi martohet në Bashkimin Sovjetik me një ruse të bukur, Nina Novikova, kurse Enver Hoxha takohet me Hrushovin, një tjetër djall, por më i zbutur dhe i rafinuar. Pano Taçi mbetet në internim, me kontroll të rreptë policor.                           1956- Sillen eshtrat e Migjenit nga Italia në Shqipëri, nga Torre di Pelice në Shkodër, në Varrezat e Dëshmorëve. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu shkojnë në Kinë. Djajtë ndërrojnë kah.

1957- Hapet universiteti i Tiranës. Dritëroi nis punën si gazetar në “Zërin e Popullit”. Ribotohet i zgjeruar libri i Migjenit “Vargjet e lira” dhe dekorohet me titullin “Mësuesi i Popullit”.      1960- Mbledhja e 81 partive në Moskë, kacafytje përbindshërore. Pano Taçi lirohet nga internimi.

1961- Ndëpriten marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, vdes Mbreti Zog në Francë, diku afër Parisit, del Vepra e plotë e Migjenit (nën kujdesin e Skënder Luarasit), i jepet “Urdhëri i Lirisë”, kurse Pano Taçi martohet.

1962- Fronti Demokratik në Shqipëri, siç ishte caktuar, i fiton përsëri zgjedhjet 99.99%, me një pjesëmarrje të zgjedhësve 99.99%. Lirika të Pano Taçit përgatiten për botim nga kritiku dhe shkrimtari Drago Siliqi, por befas cilësohen nga lart “pa frymën e kohës, ku zotëron grija kapitaliste”. Pano dënohet me burgim për agjitacion e propagandë, kur djali i tij ishte vetëm 3 muajsh.

1964- Vjen për vizitë kryeministri kinez Çu En-lai, (demonë nga Azia), ndërkaq gruaja ruse e Dritëroit së bashku me djalin ikin përgjithmonë. Pas një viti Dritëroi martohet me gazetaren Sadije Kecaj nga Shkodra, e cila do ta shoqërojë me përkushtim e përkujdesje për më shumë se gjysme shekulli.

1967– Nis fushata kundër besimeve fetare, djalli arrin të mbyllë dhe të shembë të gjitha kishat dhe xhamitë në Shqipëri, ndalohen kopshtet/bahçet private, tërmet në Dibër dhe Librazhd, ndërsa Pano Taçi lirohet nga burgu dhe e internojnë në vendet e tërmetit. Dritëroin e çon shteti për vizitë në Kinë.            1970– Vendi shpallet i gjithë i elektrifikuar. Por mbetet siç kishte shkruar Imzot  Fan Noli: “Pranë dritës – i pa parë”. Pano Taçi vjen në Tiranë, bën punëra nga më të rëndat e më të vështirat ashtu si burg. Vendoset bashkëpunimi mes universiteteve të Tiranës dhe Prishtinës.               1971- Dritëroin e çojnë për vizitë në Kongo dhe nis botimi në revistën “Hosteni” i romanit të tij “Shkqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Kthehet nga Parisi.

1972- Pleniumi IV i Partisë për letërsinë dhe artet, ku dënohet autorë dhe libra, festivali i 12-të dhe artistë. Dritëroi emërohet sekretar për letërsinë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe pas një viti kryetar i saj dhe prapë pas një viti deputet dhe do ta vazhdojë karrierën paralamentare për 30 vjet gjithsej.

1976– Enver Hoxha kritikon Kinën në Kongresin VII të tij, me Kushtetutë shpallet Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë (një emërtim disi i gjatë për një vend tejet të vogël), kurse Pano Taçin e arrestojnë sërish. 10 vjet burg. Përpiqet të vrasë veten. Me bishtin e lugës pret damarët si Esenini. Ia shpëtojnë jetën me zor. Kafe dhe cigare do t’i dërgonte në burg dhe poeti qiellor Lasgush Poradeci. 

1979- Dënimet vazhdonin gjithandej, si më parë. Arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg “për poezitë e tij kundër socrealizmit” dhe autori i këtij shkrimi, kur ende s’ishte bërë 27 vjeç, në moshën që vdiq Migjeni.

1980- Dritëronë e dërgojnë në Turqi. Botohet në Prishtinë, kur Kosova bënte pjesë në ish-Jugosllavi, “Vepra e Migjenit”, në katër volume luksoze dhe monografia për të. 1985- Vdes diktatori Enver Hoxha, djajtë ndihen pa kreun. Pano Taçi lirohet nga burgu dhe përsëri e çojnë në internim, sa më larg Tiranës, në rrethina të Peshkopisë. Lajmërohet se gjyshi i vdes në Amerikë, por dhe babai me nënën në Shqipëri, të cilët i ndjente ende më larg. Djalin nuk e takonte dot, se nuk i lejohej një “armiku të shpallur”.

1987- Vendosen marrëdhënie diplomatike me Kanadanë e R.F. Gjermane. Sipas lajmeve në gazetë, një grup shkrimtarësh, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Nasho Jorgaqi, Androkli Kostallari, etj, i lejojnë të marrin pjesë në grup në një kongres në Itali, në Palermo, më pas Agolli e Kadare shkojnë në Beograd në konferencën për nacionalitetet.      

    1989– Shëmbet Muri i Berlinit, që ndante jo vetëm Gjermaninë në dysh, por dhe botën, me një “luftë të ftohtë” e të gjatë mes tyre. 1990- Rënia e perandorisë komuniste, e diktaturave të saj në Europë. Mbi 100.000.000 numërohen viktimat, të vrarët e saj në të gjithë botën, disidentë, kundërshtarë, martirë. Shumë më tepër se të vrarët e Luftës së Dytë Botërore. Djalli në kohë paqeje qënkësh më i rrezikshëm se në kohë lufte.

Nisin protestat antikomuniste. Dyndjet e shqiptarëve nëpër ambasada, ikja e tyre jashtë. Vendosja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Ramiz Alia (edhe ai ka lindur në tetor, në datën 18…), viziton SHBA. Kadareja kërkon strehim politik në Francë, vjen Nënë Tereza në Shqipëri. Botohet në frengjisht romani i shokut Zylo i Dritëroit, ftohet dhe autori. Mes trazirave kudo, themelohet në 12 dhjetor Partia Demokratike me kryetar mjekun kardiolog, Prof. Dr. Sali Berisha dhe në janarin e mëpastajmë amnisti për të burgosurit politikë.  1991- Dritëroi bën një vizitë në Rusi, kthehet në Shën Petërsburg, në Lendingradin e dikurshëm, ku kishte studiuar. Në Kongresin X të PPSH Dritëroi do të kritikonte hapur vijën partisë-shtet dhe kultin djallëzor të Enver Hoxhës për të cilin kishte kontribuar dhe ai si poet.

1992- Dritëroi me një grup kolegësh shkrimtarësh shqiptarë shkojnë në Gjermani me rastin e botimit të një antologjie të poezisë shqipe. Një vit më pas, në vazhdim të botimeve të tij, Dritëroi nxjerr vëllimin “Pelegrini i vonuar”, etj.

1994 – Pano Taçi 66 vjeçar boton librin e tij të parë “Blerim i thinjur”, ku përfshin shumë poezi të shkruara fshehurazi nëpër burgje dhe internime. Mësuesi i tij i hershëm, filozofi dhe shkrimtari Isuf Luzaj, do t’i shkruante nga SHBA-ja: “Të paskëshe qenë italian, do të udhëtoje në enciklopeditë euro-amerikanë, me Borgesin dhe Kalderonin… Vazhdo të shkruash në gjirin e kombit tonë”… 1996– Tronditet “demokracia e brishtë” nga Djalli i Parave, nga firmat piramidale finaciare dhe të gjithë vendin fillojnë protestat e humbjes, dhuna e rikthimeve. Pano Taçi nxjerr librin tjetër “Dhe vdekja do paguar”, Dritëroi “Çudira dhe marrëzi”, etj, dhe shkon në Greqi. Në parlament qëllohet me armë dhe plagoset deputeti Azem Hajdari, udhëheqësi i protestave studentore. UÇK-ja në Kosovë sulmon forcat serbe.     2000– Pano Taçi boton dramat “Qirinjtë” dhe “Flakë në terr”. Vazhdon me poezitë dhe do të nisë memuaret e veta, të mbetura në dorëshkrim. Zgjedhjet vendore i fitojnë socialistët, Edi Rama – kryetar i Bashkisë së Tiranës. 2001- Bashkia e Pukës i jep Migjenit titullin “Qytetar Nderi”.

2009- Shqipëria futet në NATO. Ndërkaq Pano Taçi është bërë i njohur, ftohet në festivale poezie në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, edhe kur andej bëhej lufta mes gueriljeve të shqiptarëve dhe forcave qeveritare, etj, ndërkaq ai do të bëhet më i dashur për lexuesin, sidomos pas botimeve me erotikë të hapur si “Hukama e Venusit”, “Lakuriq”, etj, edhe pse me pseudonimin letrar, Burgim Pata (“Burgim” përmbledh fatin e autorit, kurse “Pata” bashkon dy rrojket e para të emrit dhe mbiemrit të tij: Pa-no Ta-çi, por dhe flatrat e bardha te fluturimit). Do të marrë çmime letrare, por jo dëmshpërblimin e burgut, do t’i prishin befas shtëpinë për t’u ngritur një pallat në atë truall. Klani i djajve të ndërtimit, do të thoshin…Pa shtëpi muze do të ishin dhe Migjeni, dhe At Gjergj Fishta, etj.   

2011- Dritëro Agolli merr një tjetër “Honoris Causa”, këtë rradhë nga Universiteti Europian i Tiranës…

2012– Pano Taçi shtrohet në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërron jete në 13 qershor, në moshën 84 vjeçare. Kryeministri i vendit, Berisha, do të ngushëllonte komunitetin e letrarëve dhe familjarët. Trupi i tij do të vendosej në hollin e Teatrit Kombëtar, ku do të bënin homazhe miqtë e shumtë, qytetarë e artistë si dhe Presidenti i Republikës.

2014- Botohet në 4 volume poezia e mikut të Dritëroit dhe të Pano Taçit e jo vetëm, Fatos Arapit, poetit që lëvroi një poezi qytetare, më evropiania në vitet e mbylljes të diktaturës komuniste.                                      2017- në 3 shkurt do të mbyllte sytë përgjithmonë Dritëro Agolli, në moshën 86 vjeçare. Do të përcillej me nderime të shumta, me homazhe e duartrokitje dhe me fjalën e kryeministrit Edi Rama. Librari e shkolla kishin marrë ndërkaq emrin e tij. 

                                                                                                                                                TRE ÇËSHTJE DHE NJË DËSHIRË SI PËRFUNDIM

Tre poetë të një datëlindje. Të dashur të tre. Nga të ndryshëm me mënyra të ndryshme. Deri dhe me urrejtje… Sipas meje mund të ngrihen dhe tre çështje, ku ngërthehen keqas konsolidime të mbartura si atavizmë dhe një ardhje e vështirë:

1-Keqpërdorimi i traditës duke u nisur jo vetëm nga keqkuptimi i saj. Së pari ajo u gjymtua në diktaturë, duke përdorur kriterin e “kufizimeve ideore” dhe të “luftës së klasave” edhe në kulturë, u ndaluan autorë të rëndësishëm, klasikë, gjithashtu dhe nga autorët që u lanë, u ndalua një pjesë e veprave, duke u përsëdytur ndryshe ky mëkat, duke himnizuar nga pjesa e mbetur. Pra tradita nuk shikohej pasuri kulturore e vendit dhe si përvojë e shekujve, por se sa i shërbente ideologjizimit dhe çimentimit të regjimit.

2- Diktatura përçau egërsisht letërsinë shqipe, e ndau më dysh, ku njërën pjesë e bëri të sajën, realizëm socialist, i dha kushte begatimi, duke e vënë në shërbimin të vetes, të propagandës “trushplarëse”, ndërsa pjesën tjetër e dënoi, duke pushkatuar autorë, duke burgosur sistematikisht e duke ndaluar vepra, pa u lodhur punoi me të gjitha mjetet diktatoriale, me qëllim që nga kjo pjesë të mos dalë asgjë, të bëhet e mosqenë.

   3- Dukuria e daljes së “letërsisë tjetër” nga burgjet, e autorëve dhe veprave të tyre, që sollën realitete të munguara, duke zotëruar letrat shqipe të pas ‘90. Po sa janë përfshirë ato në jetën letrare kulturore të vendit, edhe zyrtarisht, deri tek tekstet shkollore? 

Në një farë mënyre Letërsia Shqipe e gjysmës së dytë të shekullit XX i përket një metode të veçantë, “Realizmit të dënuar”, sipas meje, sepse i tillë ishte realiteti i tyre.   

Të dënuar ishin jo vetëm ata që u dënuan, që nuk lejoheshin të krijonin, por, tjetërsoj sigurisht dhe ata që u drejtuan të bënin letërsi të socrealizmit, pra s’ishin të lirë, u mashtruan, u përdorën dhe u keqpërdorën.Sado absurde dhe e papranueshme të duket sot, është e habitëshme, por shpjeguese ajo që ka treguar Dritëroi për veten dhe Kadarenë në një intervistë, ku sipas tij, kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, ka thënë: “Ju jeni dy shkrimtarët kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën. Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë mbarë”.          Ai “hosten” për shumëkënd në fakt ishte pushkë. Kur me shkrimtarët e vet veprohej ashtu apo dhe me ata si Pano Taçi që “devijuan”, mendoni se ç’është bërë me kundërshtarët, me ata që ishin kundër doktrinës komuniste qysh në krye e realizmit socialist.                                                                                                                                         Tre çështjet që përçika, duan studime serioze, profesionistët e kritikës, akademikët e letërsisë, etj, teksa duket se ecet zyrtarisht në udhën e lënë, por le të kthehemi për ta përmbyllur te tre autorët e sotshëm. Poetët kanë dhe një jetë tjetër, atë të krijimeve të tyre, një poezi, që vazhdon. Mbetet vepra që, si të thuash nuk ka më as biografi dhe as rrethana, por vetëm vlera.      Kur isha student në Shkodër, në kohën e diktaturës, shkoja në shtëpinë muze të Migjenit. Shikoja reliket e tij, fotot, i veshur hijshëm, me elegancë, me borsalinë, ja dhe stilografi mbi tryezë, që s’dihej çdo të shkruante më tej, aq sa dhe demoni i vdekja duket se iu tremb dhe e rrëmbeu aq të ri. Mes miqsh bisedonin se po të kishte qenë gjallë Migjeni, a do të ishte bërë shkrimtar i Realizmit Socialist? A do ta shmangte dot? Me siguri do të përfundonte në burg, thoshim ose do të kishte vrarë veten. Edhe mund ta vrisnin. Ja, i vranë kumtin e veprës. Po ai vetë e vrau më parë!?… Gjithsesi vepra e tij është e vetëmjaftueshme dhe e pazëvendësueshme, me rëndësi e prijëtare. Tablotë e mjerimit dhe blasfemitë përsëriten. Dhe dhëmbja dhe protesta. Teatri “Migjeni” mund dhe duhej të dramatizonte nga vepra e atij. Dritëroi – këngëtar i baltës së vendlindjes, fëshfërimë grunoresh në Jug, fjalë me shijen e bukës, të pjekur në kryqytet… Prozator dhe me humor thumbues, të cilat dëshmojnë një epokë që s’është, zhgënjimet dhe trishtimi i më pastajmë dhe është e ardhmja që do të gjykojë më shumë e do të vendosë më shumë.Unë si lexues e kam dashur Dritëronë, e kam takuar me kënaqësi të veçantë kudo, në kafene, në parlament, në SHBA dhe kam venë lule pranë bustit të tij…    

Dëgjoj fyellin e  drunjtë, elegjiak të Panit plak, të Panos tonë… shkoja andej nga ishte Kafe “Europa”, ku ai rrinte me orë të tëra, shkruante dhe me porosi të pronarit i çonin dy kafe falas çdo ditë. Po sikur atij t’i jepej në kohë dhe mjaftueshëm dëmshpërblimi i vërtetë dhe puna e pa paguar e 24 viteve burg, e internime, mbase do të kishte dhe ai një kafene të veten, një librari, një… ndarja e shkrimtarëve duket se vazhdoi si në diktaturë, suksesi dhe fama, mirëqenia dhe varfëria po kështu, ishin përcaktuar një herë nga djalli dhe s’kishte zot që t’i ndryshonte… ndërkaq nëpërmend një vegim që kam patur për një portret të Pano Taçit në Kafe “Europa”, pikturë ose skulpturë, me llullën mes dhëmbëve të zverdhur dhe kasketën mbi kryet e zbardhëllyer dhe në një nga qelqnajat e mëdha të dritareve të shkruhej një poezi e tij, që më mrekullonte me thjeshtësinë dhe kumtin, me universalizmin e saj, e dija përmëndësh, të denja për çdo antologji në botë, thosha.

 Diçka i mungon tokës,/ nga qielli t’i zbresë./ Diçka edhe qiellit,/ nga toka t’i ngjitet ka shpresë./ Më bëhet i gjej te vetja/ ç’mungon te gjithësia:/ Qiellit: urrejtja,/ tokës: dashuria.  Mbetet një nga pengjet e mia, një dëshirë ende e vlefshme, që të vihen mureve, të gdhenden gurëve, shkëmbinjve, nëpër parqe e rrugë vargje nga eposi, nene nga Kanuni, lutje nga Shenjtja Nënë Tereza, poezi nga De Rada, Naimi, Fishta, Migjeni, pra nga Rilindja dhe të rilindurit e me radhë deri më tani. Ato do të sillnin më shumë estetikë urbane, jo vetëm të brendëshme, energji pozitive, siç i themi, kulturë, do t’i shërbenin mjedisit si pemët, ajrit si mendimet e bukura, të përbashkëta. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Migjeni, NJË TRINI NË TETOR, Taci, Visar Zhiti

NJË FALENDERIM PËR QENDRËN KULTURORE”MIGJENI” NË BORAS

July 9, 2018 by dgreca

1 Demaku1FALMNDERIT QKSH MIGJENI, ËSHTË KËNAQËSI KUR NJERIU NDJEN SE VLERSOHET PUNA DHE REZULTATI I PUNËS KULTURORE NË MËRGATË /

2 Demaku

Nga Sokol Demaku/

Qërshor muaj i realizimit të proejkteve të mëdha të Ansamblit të valleve të Qendres Kulturore Shqiptare Migjeni në Borås të Suedisë. Këtë vit si asnjë here më parë anëtarët e kësaj Shoqate kulturore të mërgatës sonë ishin nder më aktivet në prezentimin e kulturës shqiptare në mërgatë dhe ate përmes prezentimit të gjuhës, këngës dhe valles shqiptare.Mund të thuhet në këtë shenim gazetaresk se sot për sot këta djem dhe vajza shqiptarë janë edhe ambasador të mirëfillt të prezentimit të kulturës sonë në Skandinavi dhe më gjerë.

Sot do flasim për një vepër të vogël por madheshtore të Krysisë së kësaj Shoqate kulturore, e që të jep të kuptosh se këtu me të vërtetë bëhet punë dhe puna e secilit anëtar vlersohet dhe çmohet për atë të arritur të vet QKSH Migjeni. Gjatë sezonit pranverror në Krysin e kësaj Qendre na thanë se kanë transmetua diku mbi 1500 minuta program në valët e Radio dituria, program i sajuar nga anëtaret e redaksisë së radios, cka të jep me kultua se me të vertetë bëhet një punë e madhe dhe me vlerë ne redaksinë e kësaj Radio. Në redaksi na thanë se tani janë më komod pasi që numri i atyre qe sajojnë programin e radios është shtuar me njerëz profesionist si gazetar, teknik në studio për çka thonë se ka kohë që e kanë ndje këtë nevojë. Thonë se janë të kënaqur edhe me degjueshmerinë e radios e cila është një ndër radiot në gjuhë të huaj që transemton program në rrjetin Radio difuziv suedez dhe në internet.

Kur është fjala të revista janë botuar pesë numra të revistës Dituria, me informacione nga kultura, gjuha dhe puna e mërgmkitarëve në mërgatë.

Është mbajtë me sukses Festivali i shatë i poezisë ”Sofra poetike Borås 2018” ku janë prezentua poetë me poezitë e tyre në shtaë gjuhë e nga viti i ardhm besohet se ku do jetë një Festiva ndërkombëtar ku do involvohet edhe qyteti Borås.

Por ajo çka është për tu lavdruar këtë vit është themelimi i Ansamblit të valleve në kuadër të QKSH Migjeni i cili ansambël për dy muaj pati dy paraqitje madhështore praa publikut suedez dhe ku u vlerësua për punën dhe kontributin në prezentimin e vallës dhe veshjes tradicionale shqiptare.

Duke u mbeshteturë në rezultatet e arritura dhe në kontributin e dhënë të anëtarëve të Ansamblit të valleve, Kryesia e QKSH Migjeni vendosi që për këta djem dhe vasha shumë të vyera dhe të cilët prezentojnë në mënyrë të denjë kulturën tonë në mërgatë tu bëjë një surprizë të vogël për të gjithë në regji të QKSH Migjeni dhe ate me një vizitë një ditore në ”Botën e Asatrid Lindgren” në Vimmerby.

Gjatë viztës në Vimmerby ne morëm opinonet e disa prej anëtarëve të kësaj shoqate edhe pse nuk ishin të gjithë, pasi që disa prej tyre veq më kohë kishin fillua pushimet verore në vendlindje, por na thanë se kjo ka vlerë dhe është një impuls që na shtynë që në të ardhmen të jemi edhe më aktiv në aktivitet e QKSH Migjeni dhe të bëjmë atë më të mirën për ruajten dhe prezentimit të kulturës sonë në mërgatë.

Udhëhqja e Ansamblit të vallëve Anxhela Ziso na tha me rastin e kësaj vizite në ”Botën e Asatrid Lindgren” në Vimmerby ” se ishte dicka e vecantë, sepse ja ku u kthyem serish në atë botën e fantazisë, në botën e fëmijëve. Falmnderit QKSH Migjeni, falmnderit të gjithë atyrë anëtareve që kan kontribua në këtë drejtim.

Edhe redaktori i Radio Diturisë Bahtir Latifi ishte shumë pozitiv në këtë gjest të Krysisë së QKSH Migjeni, i cili u shpreh se po edhe ne kemi nevojë të njihemi me kulturën dhe traditën e vendit ku jetojmë dhe punojmë, sepse një ditë do ua prezentojmë bashkëkombasëve tanë sepse ja vlen të marrim mësim nga këta njerëz me një kulturë të gjërë. Faalmnderit të gjithë atyrë që na kanë mbeshtet, ndihmue dhe kanë kontribua në punën e QKSH MIgjeni që të jemi në këtë nivel të lart kulturor e artistik.

Të gjithë anëtarëve të QKSH Migjeni u uroj pushime të këndshme dhe cmallje në gjirin famiuljar!

Filed Under: Emigracion Tagged With: Boras, Migjeni, Qendra Kulturore, Sokol Demaku

POETI FASLLI HALITI SJELL 15 POEZI NE SOFREN E DIELLIT

September 24, 2017 by dgreca

  F A S L L I  H A L I T I/

1-faslli-haliti-188x300 

  Viz. S.Kamberi “Artist i Popullit”/

 NDËRSA…./                                 

                                 Migjenit /      

1-migjeni

Ndërsa të tjerët mërmëritnin

Migjeni buçiste,

Zgjonte

Të përgjumurit

Ndizte vatrat e shuara.

Kur të tjerët qëndisnin mandilet

Migjeni qepte, arnonte  zhelet e mjerimit

Sapo feks agu gjer në rrezet e mbrame të perëndimit!

 Tetor,  2016

MË HËNGRËT TË GJALLË 

 Erdhi vdekja e uritur

Të më hante

Me uri 

Por më gjeti të tretur

Kockë 

Dhe lëkurë

Ç’të hante e zeza tek unë ?

 1998-2017

 S’PO SHOH ENDE        +

Dëgjoj të këndojnë

Gjelat

Mbi mur,

Mbi gardh

Për çdo natë,

Po dielli s’po lind.

Dita e re ende s’po zbardhë …!

 Korrik, 2016

 PLASËN BUBULLIMAT 

Plasën bubullimat qiejve

Duke bubulluar,

Megjithatë, 

Asnjë pikëz shiu

Mbi tokat e lënë djerrë

Mbi arat e pambjella, të palëruara  

Asnjë pikëz shiu s’bie mbi arat, mbi fushat,

Asnjë pikë shiu s’ua njomë buzët shkrumbuara…!

Korrik, 2016

QENKE BOSHATISUR…

Eh moj fushë,

Fushë,

Fushë,

Qenke zhuritur,

Të shoh gjithë frikë,

    Hambar buke ti i atdheut tim dikur,

Sot hambar kanabis, hashashi me narkotikë…!

     Gusht 2016

EDHE UNË

Kështu janë njerëzit e kësaj bote!

       S’ka njerëz

Pa cene,

Pa vese

Pa të meta,

S’ka

Njeri ëngjëll

S’ka njeri Zot,

Edhe unë njeri jam,

Njeri si çdo tjetër njeri,

Pse kërkoni që unë të jem engjëll, perëndi?

  Shtator 2016

 KAM QENË EDHE UNË… 

Kam qen dhe unë si ju deputet në kuvend,

Por nuk leha

Nuk kafshova

Nuk  rrëmbeva

Nuk u korruptova

Hyra me peshën time

Me  peshën që hyra dola…

*** 

Ju deputetët e kohës së korruptuar

Ju deputetët e kriminalizuar

Po vini bark mish, 

Pasuri…

Por

Shekspiri

Mirë e ka thënë,

Mirë e thotë edhe sot:

Si i pasuri dhe i varfëri,

Si i shëndoshi,

Si i dobti

Kockë 

Dhe lëkurë,

Dy gjellë për kribin janë” përsëri

Krimbi i Vetingut, do t’ju hajë

Me shije, me uri…

***

 Kam qen dhe unë si ju deputet në kuvend,

Por nuk leha

Nuk kafshova

Nuk  rrëmbeva

Nuk u korruptova

Hyra me peshën time

Me  peshën që hyra dola…  

Shtator 2016

SHOH   

Shoh

Ata

Që vjedhin,

Por jo ata që mbjellin!

  Prill, 2011

 MOS U MBAJ  

 Mos u mbaj engjëll…

Engjëll jam !

Engjëll linda, 

Engjëll u rrita,

Engjëll kam qenë,

Engjëll jam prapë !

Dhe engjëll do të jem!

Engjëll ?!

Si kështu, si?

Engjëll pa seks

Dhe ke një lagje me fëmi…?!

Dhjetor 2016

 KËSHTU DERI VONË

I binim

Pragut

Të dëgjonte dera

Dera nuk dëgjonte

I biem

Pragut  

Të dëgjojë dera

Dera nuk dëgjon prapë

Dhe ne mbetemi përjetësisht në prag…

 Mars , 2017

 PO  E ARDHMJA JONË

 E djeshmja

Juaja

E sotmja

Juaja 

E ardhmja

Juaja gjithashtu

Po jona ku qenka kështu ?

 CMIRËZIU

Spiuni

Është si qeni

E gjuan gjahun për tjetrin

Me  devotshmëri, besnikëri,

 Ti nuk je spiun, ti je cmirëzi.

Veҫ ti

Bëhëhesh 

Spiun i zoti

Veҫ si macja

Ti e zë gjahun për vete

E zë për veten tënde miun e zi.

Ti  s’je spiun, je më i keq, je cmirëzi.

 2005

 MË FRIKËSOHESHIN N ZOGJTË

 Në fëmijëri kam qenë terrorist,  kriminel

S’kam lën zog pa vrarë

S’kam lënë harabel.

Edhe sot më friken zogjtë

Edhe pse

I dekriminalizuar

Edhe pse s’jam më

Kriminel

Prapë

Më frikesohen zogjtë

       Jo zogjtë e urtë, por zogjtë rebelë…!

        31 mars, 2017

 VIZA  IME

 Po

Si deputet

Kam nxjerr viza

Viza për njerëz me halle

Jo viza për të ndjekur sportin 

Jo viza për koncerte, shfaqe teatrale.

Jo viza me euro,

Me dollarë

Viza fri

Për t’i shpëtuar verbimin syrit

Dhe jo t’i  nxjerrja sytë

Të dy.

Viza ime:

Vizë që të nxirrte

Nga halli e mjerimi,

Jo  vizë që të zhyste në mjerim, varfëri… 

Viza ime ishte vizë për hall, për fatkeqësi…

 Shtator,  2017

Ҫ’I KËRKOJI JEZUSIT

 Ҫ’i kërkoi

Krishtit 

Ai

Dhe ҫ’i tha

Jezuesi Krishti atij,

Atij që donte të ecte mbi ujë

Siҫ eci vetë Jezusi mbret, Perëndi?

Po

Mund

Të ecësh

Dhe ti si unë,   

Nëse beson si unë Jezusi në Qiell

Nëse beson si unë në Zot,

Nëse beson si pjos… 

Besoj!

Si s’besokam unë?

Mësuesi im! 

Dhe

Vuri

Këmbën e majtë

Dhe vuri këmbën e djathtë mbi ujë

Si mbi një asfalt blu ujor.

Plot

Siguri

Plot besim

U përpoq të ecë mbi ujë,

Por

Besimi

Nuk qe i plotë,

U zhyt në ujin e rimë të qelqtë 

Arriti në bregun tjetër jo me këmbë, por me not. .. 

Tirane, 2017

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: 15 Poezi, Faslli Haliti, Migjeni

Numri 13, numer me fat ne letersine dhe kulturen shqiptare

October 27, 2016 by dgreca

 

1-migjeni-1Nga Sadik ELSHANI/

Per numrin 13 jane te lidhura shume mite, shume besetytni ne shume kultura e qyteterime boterore, Ne shume kultura ai merret si nje numer ters, i pafat, qe sjell vetem fatkeqesi. Shume rruge nuk kane shtepi me numrin 13, ndersa shume ndertesa nuk e kane katin e 13-te. Sidomos dita e premte me date 13 merre si nje dite teper terse. Por ne disa kultura ky numer eshte shume me fat. Ne Itali konsiderohet numer me fat. Ndersa per acteket ai eshte nje numer i shenjte. Amerika eshte krijuar nga 13 kolonite britanike. Ne besimin hebre 13-shi shenon moshen kur nje djale e arrin moshen e pjekurise dhe behet Bar Mitzvah. Per te mos u zgjatur shume, ne internet ka mjaft informacione lidhur mr numrin 13. Po per ne shqiptaret, numri 13 eshte numer me fat, apo i pafat?

Jane tre poete, shkrimtare te shquar te letersise shqipe qe kane lindur ne daten 13: Mitrush Kuteli (13 shtator 1907 – 1967), Migjeni (13 tetor 1911 – 1938), Dritero Agolli (13 tetor 1931 – jeton). Pra, Migjeni dhe Driteroi kane lindur ne te njejten date, ne te njejtin muaj, por ne vite te ndryshme. Qe te tre jane emra te medhenj ne letersine tone dhe secili ne menyren e vet origjinale e pasuroi dhe i hapi shtigje te reja letersise shqipe. Dhe ne muajin e letersise t’i kujtojme keta shkrimtare qe te perbashket e kane numrin 13, daten e lindjes se tyre.Ky shkrim i shkurter eshte nje reflektim per kete date ne letersine shqipe dhe asgje me teper.

2-mitrushiMitrush Kuteli eshte njeri nder shkrimtaret, perkthyesit, publicistet dhe financieret me te njohur shqiptare. Ai mbi te gjitha shquhet si mjeshter i tregimit te shkurter dhe se bashku me Ernest Koliqin (1903 – 1975) eshte themelues i kesaj gjinie letrare ne letersine shqipe. Per motivet e tregimeve te tij u mbeshtet ne traditen e pasur te prozes popullore: legjendat, perrallat, rrefimet, baladat, sidomos ato nga jugu i Shqiperise. Populli, historia e tij me gjithe vuajtjet, sfidat dhe qendresen heroike nder shekuj, ishin muza e Mitrush Kutelit. Ai shquhej per atdhetarizmin e tij ne jete dhe ne krijimtari, prandaj veprat e tij jane shume te fuqishme. Te kujtojme krijimet e tij poetike, “Poem Kosovar”, “Balte shqiptare” e shume te tjera. “Poem Kosovar” eshte historia dhe qendresa e shqiptareve te Kosoves per mbrojtjen e qenjes dhe tokes se tyre, shprehur me vargje shume te fuqishme me plot ndjenja atdhedashurie, shkruar nga nje atdhetar i pashoq. Kuteli e shkroi kete poeme pasi ai e kishte vizituar Kosoven me 1943, tani te bashkuar me Dheun Meme pas nje sundimi te eger 30 vjecar serb. Kuteli eshte autor i dhjetera permbledhjeve me tregime, kritika e studime letrare. Ka perkthyer me mjeshteri veprat e klasikeve te letersise ruse e asaj boterore. Perkthimi i romanit “Shpirtera te vdekura” te Gogolit eshte nje perkthim i perkryer mjeshteror e mjaft poetik.

Migjeni padyshim eshte njeri nder emrat me te dashur ne tere letersine shqipe, sidomos eshte i dashur nga rinia shqiptare. Ai ne tere krijimtarine e tij artistike, si ne poezi, ashtu edhe ne proze, solli dicka te re e te papare gjer atehere ne letrat tona: solli nje stil te ri, nje force te re e te fuqishme shprehese. Me Migjenin fillon nje periudhe e re ne letersine shqipe, ndarja nga tradicionalja dhe romantizmi dhe fillimi i realizmit kritik. Konceptet e reja qe futi Migjeni ne letersine shqipe, teknika artistike, figuracioni, vargu i lire dhe forca shprehese, tematika dhe realizmi me te cilat ai trajtoi problemet e shoqerise shqiptare te viteve te tridhjeta, i hapen letersise shqipe rrugen drejt bashkekohesise, drejt modernitetit, drejt orientimit europian. Migjeni se bashku me Lasgush Poradecin i dhane letersise shqipe vendin e merituar ne letersine dhe kulturen europiane.

Paraqitja e Migjenit ne letersine tone eshte nje dukuri qe rralle shfaqet edhe ne letersine boterore. Me fuqine e tij artistike, Migjeni erdhi si nje meteor ne letersine shqipe dhe vdekja e hershme na e mori si  nje meteor, por me krijimtarine e tij mbeti ne qiellin tone letrar nje yll qe do te shkelqeje gjithmone. Dhe sa me shume kohe qe do te kaloje, aq me teper ai do te shkelqeje, sepse ka nje magjepsje me vepren e tij, me jeten e tij te brishte e te shkurter. Shkoi i ri dhe do te mbetet perhere i ri, i freket dhe aktual. Vepra qe na ka lene trashegim eshte e shkelqyeshme, e perjetshme dhe gjer me sot e paarritshme, e pakalueshme nga askush ne letersine shqipe. Pa i mbushur te njezeteshtatat e mbylli ciklin e jetes se tij, e mbylli krijimtarine e tij brilante dhe i hapi shtigje, horizonte  te reja letersise shqipe.

1-dritero

Edhe Dritero Agolli, se bashku me Ismail Kadarene dhe Fatos Arapin, eshte poeti qe i ka prire brezit te tij. Eshte njeri nder shkrimtaret me te dalluar, me te dashur, me prodhimtare e me me ndikim ne letersine bashkekohore shqipe. Krijimtaria e tij eshte mjaft e pasur ne gjini e lloje te ndryshme krijuese: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenare filmash, reportazhe, etj. Por mbi te gjitha, ai eshte i njohur si poet ne kuptimin e plote te kesaj fjale – mjeshter i vertete i vargut. Qe ne krijimet e tij te para ne poezi, ai u paraqit si nje ze i forte origjinal qe solli nje hov rinor, optimizem e freeski ne letersine shqipe. Dritero Agolli krijoi nje model te ri te vjersherimit, si ne problematike, ashtu edhe ne figuracion dhe zhvilloi nje teknike mjeshterore shprehese te ndjenjave, vrojtimeve dhe shqetesimeve te tij. Lidhja e forte me token, natyren, me prejardhjen e tij fshatare e shpuri ne formimin e unit (kredos) poetik: “S’jam poet, jam fshatar i jugut”. Vargu i tij kundermon me eren e ugarit nga hullite e tokes se zeze dhe na ato vargje shpesh rrjedhe edhe shume raki. Me shume mjeshteri e perdor frazeologjine dhe urtesine popullore, duke i gershetuar natyrshem vlerat tradicionale te poezise ne menyra e forma te reja te shprehjes poetike. Me vargjet e tij plot frymezim, ai krijoi nje bote te tijen, nje bote agolliane ku thjeshtesia e komunikimit te drejtperdrejte, porosite e pergjithshme (universale) dhe shprehja e hapur e plot ndjenja, jane shtylla te forta ku mbeshtetet poezia e tij. Ngrohtesia njerezore e vargjeve te tij ka bere qe lexuesi qe shijon kete poezi, te njejtesohet (identifikohet) me vete poetin. Ky raport i ndersjelle poet – lexues eshte me teper i theksuar te Dritero Agolli  sesa te ndonje poet tjeter ne letersine bashkekohore shqipe, duke e bere poezine e tij te afert pert te gjithe. Kjo fryme poetike eshte mjaft e pranishme edhe ne prozen e tij qe eshte mjaft e suksesshme. Vlen te theksohet, se shumicen e krijimeve te Agollit e pershkon nje fryme e holle e humorit, madje edhe ne situate qe mund te jene shume serioze.

Numri 13 vertet eshte numer me fat ne letersine tone, por nuk ishte me fat per vete jeten  e shkrimtareve te permendur. Migjeni vuajti tere jeten nga tuberkulozi dhe vdiq teper i ri. Po ashtu edhe jeta e Mitrush Kutelit nuk ishte aq e lehte. Ne vitin 1947 e arrestojne dhe e denojne si “Armik te popullit” me 5 vjet heqje lirie. Ne keneten e Maliqit e varrosin te gjalle, por ne castet e fundit e shpetojne. Jetoi ne varferi e me shpirt te plagosur, por gjithmone i paperkulur e dinjitoz. Driteroi ndoshta ishte pak me me fat nga dy te paret. Sapo festoi ditelindjen e 85-te, por edhe ai i kishte dramat e jetes se tij.

Pra, per ne, per letersine dhe kulturen tone numri 13 eshte numer me fat, por per vete keta shkrimtare nuk ishte edhe aq me fat.

Filadelfia, tetor 2016

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dritero Agolli, Kuteli, Migjeni, Numri 13, Sadik Elshani, tre poete

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT