• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË JETË NË SHËRBIM TË ARSIMIT, KULTURËS DHE TË SHKENCËS SHQIPTARE

July 19, 2015 by dgreca

Nga Mikel GOJANI*/
U bënë 11-vjet kur  arsimi, shkenca dhe kultura shqiptare në Kosovë mbeten pa profesorin, intelektualin dhe veprimtarin e shquar, prof. dr. Gjergj Rrapin, i cili një jetë të tërë ia kushtoi arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Me humbjen e Rrapit familja mbeti pa njeriun më të dashur, studentët mbeten pa fjalën e ëmbël e me shumë kompetencë shkencore, punonjësit shkencorë mbeten pa hulumtuesin e vyeshëm prej sensit të hollë të  çështjeve sociologjike, shoqëria kosovare mbeti pa  veprimtarin  e devotshëm për çështjen kombëtare.

Rruga jetësore dhe veprimtaria, arsimore shkencore dhe atdhetare e prof. dr. Gjergj Rrapit

Kur Kosova rënkonte  nën peshën e rëndë të okupimit  serb, kur popullit shqiptar i shkeleshin të drejtat në mënyrën më barbare, ky veprimtar i devotshëm i kauzës kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ishte ndër të parët që ngriti zërin lart kundër kësaj shtypjeje që  regjimi serb ushtronte ndaj popullit të tij, dhe për asnjë çast deri në frymën e fundit nuk iu frikësuar dhe nuk iu është nënshtrua.
Prof. dr. Gjergj Rrapi u lind më 3.5.1937 në fshatin Stupë të komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu  në fshatin Budisalc (fshat afër vendlindjes), më pastaj një pjesë të gjimnazit real në Pejë. Pas kryerjes së klasës së dytë të gjimnazit ka vazhduar mësimet në  vitin e tretë të shkollës normale në Prizren, e vitin e katërt dhe të pestë i ka kryer në Prishtinë. Ka diplomuar në shkollën normale në qershor të vitit 1959. Pas kryerjes së  normales ka punuar si mësues në fshatrat Ujmirë, Budisalc dhe Zllakuqan të Klinës, ndërkaq në vitin  1963 është inkuadruar në  shkollën fillore “Rilindja” në Terstenik të Pejës. Si drejtor shkolle ka pune në këtë shkollë, po ashtu edhe në  Shkollën e Zllakuqanit.  Në vitin 1969 është regjistruar në Degën e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, ku në këtë degë  ka diplomuar dhe në vitin 1974  ka marrë titullin Sociolog. Me t`u kthyer nga Beogradi është inkuadruar në  Shkollën Politike të Kosovës – Qendrën Krahinore të Arsimit Marksist, në këtë institucion ka  punuar si bashkëpunëtor profesional deri sa ka kaluar në Fakultetin Filozofik në cilësinë e asistentit. Në vitin 1979 është zgjedhur  ligjërues  i lëndës “Metodologjia e sociologjisë” si dhe  lëndën e  Sociologjisë – Kursi i përgjithshëm në  Fakultetin Ekonomik, ndërsa në Degën e Sociologjisë  ka mbajtur ushtrimet nga lënda e  Sociologjisë së përgjithshme”, si dhe lëndë të tjera sipas nevojës. Në vitin 1977 është regjistruar në Shkallën e Tretë në Degën e Sociologjisë, duke i plotësuar të gjitha kushtet e vazhdimit të rregullt të studimeve post-diplomike, sepse i ka dhënë të gjitha seminaret dhe një pjesë të provimeve .  Ka doktoruar në vitin 1986 me temën “Martesa shqiptare”. Ai është ndër themeluesit e katedrës së sociologjisë, meqë ishte i pari sociolog me gradë shkencore i Universitetit të Prishtinës. Prej themelimit të Degës së Sociologjisë deri në vdekje ka qenë  sekretar i Degës  së  Filozofisë dhe Sociologjisë, si dhe shef i Degës i Degës së Filozofisë dhe Sociologjisë. Në kërkime  shkencore nga lëmi i sociologjisë  merret  që nga koha kur ishte student.  Është meritë ekskluzive e profesor Rrapit edhe dalja e  revistës së Shoqatës së Filozofëve dhe Sociologëve të Kosovës “Thema”, që ishte edhe kryeredaktor i saj, se cilës po ashtu edhe i ka dhënë emrin. Meritë tjetër e profesor Rrapit është  se për avancimin e mendimit  filozofik-sociologjik, e ka shkruar elaboratin e parë për themelimin e Institutit të Filozofisë dhe Sociologjisë, mbi bazën e të cilit Fakulteti e themelon institutin në fjalë. Ka botuar libra dhe dhjetëra studime sociologjike. Në vitin 1985 botoi librin “Savremene zadruzhne porodice na Kosovu”. Ky libër është përkthyer edhe në gjuhën  gjermane. Në vitin 1994 botoi librin publicistik  “Kosova e viteve të ndrydhura”, në të cilin libër janë  të përfshira disa shkrime publicistike , diskutime të autorit  të cilat i ka paraqitur në sesione dhe simpoziume të ndryshme shkencore qysh nga viti 1985 e deri në  fundvitet e  `90-ta.   Ky libër është një fryt  i një kohe të rëndë për individin dhe kolektivitetin në  gjithë hapësirat  e ish-Jugosllavisë ku jetonin shqiptarët e sidomos në Kosovë, i cili për afro dy dekada  kjo popullatë u gjend nën  represionin e padurueshëm të hegjemonistëve serbë, vetëm pse shqiptarët i kërkonin të drejtat e tyre demokratike,  nacionale e qytetare, edhe pse shqiptarët ne Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe Kosovën Lindore janë autoktonë që  nga kohët antike, pra pasardhës të ilirëve. Autori Rrapi, në këtë libër  po ashtu tërheq paralelen e luftës së popullit shqiptar kundër tre nacionalizmave: kundër nacionalizmit serb, nacionalizmit malazez dhe atij maqedonas. Çështjen e Kosovës nuk e konsideron  vetëm si çështje të Kosovës, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare, sido që të zgjidhet ajo, sipas tij do të jetë e paqëndrueshme. Çështja e Kosovës mund të zgjidhet drejt dhe përfundimisht vetëm me zgjidhjen e  çështjes shqiptare në  përgjithësi – kjo është edhe ideja kryesore që i përshkon shkrimet dhe publikimet e  tij dhe përgjigja e  Rrapit për fatin e kombit.
Profesor  Rrapi, po ashtu  në vitin 1995 ka botuar  librin “Familjet e mëdha të sotme shqiptare”, ndërkaq në vitin 2000 në Tiranë botoi  librin “Roli i  traditës së zhvillimit ekonomik”, ndërsa në vitin 1997 librin “Sociologjia”, tekst universitar. Rrapi është autorë edhe i shumë  librave  shkollore dhe i botimeve tjera profesionale. Po ashtu, ky studiues ka redaktuar dhjetëra libra të autorëve tjerë, si dhe ka botuar mbi 100 artikuj studimorë profesionalë në periodikun kosovar dhe jashtë.
Në një bibliografi të lënë nga vetë profesor Rrapi, ai shkruan se me punime kërkimore është marrë qysh nga bankat e studimeve, si student i Universitetit të Beogradit. Në këtë drejtim, profesor Rrapi, po ashtu ka shënuar disa nga punimet e botuara në revistat qendrore profesionale në vend si dhe në Kosovë:
– Në revistën “Sociologjia, revistë e Shoqatës së Sociologëve Jugosllav”, nr. 1/1972, e ka botuar studimin me titull: “O zadruzanoj porodici Jakaj iz sela Renovca”;
– Në revistën “Sociologia sela”, që del në Zagreb, në vitin 1976/2, ka botuar studimin me titull: “O zadruzi – tekije”;
– Në revistën “Përparimi” 1978/3/, studimi mbi filozofinë e Altyserit me titull: “Ndryshimet epistemologjike te filozofisë së tij”;
– Në “Përparimi”, po ashtu në vitin 1979, studimin me titull: “Klasikët e Marksizmit mbi fshatin dhe fshatarët”;
– Në revistën “Socioloski pregled”, revistë kjo e Shoqatës së Sociologëve të Serbisë”, në vitin 1979, studimin me titull: “O starom i novom u kosovskom selu”. Studimi në fjalë ka qenë referat i mbajtur në Këshillimin e Shoqatës së Sociologëve të Serbisë në Ivajnicë;
– Në të përditshmen “Rilindja” në vështrimin me titull: “Filozofia marksiste filozofi revolucionare”. Lidhur me librin e prof. dr. Gajo Petroviqit, që mban titullin “marksizëm i revolucija”;
– Punimin e diplomës me titull: “Danasnja Metohiska zadruga”, komision i profesorëve pranë të cilëve e mbrojta temën e propozoi temën për botim të veçantë pa ndonjë ndryshim. U propozua që tema t’i ofrohet Akademisë së Shkencave Serbe në Beograd;
– Në “Rilindje” vështrimin me titull: “Problemet e strukturës shoqërore”, përkitazi me ribotimin e veprës së prof. dr. Mihailo Popoviç, po më të njëjtin titull;
– Shqyrtimi me titull: “Trajtimi shkencor i kategorive sociologjike”, botuar në “Përparimi” 1979, lidhur me veprën e prof. dr. Ivan Kuvaciqit “Znanost i drustvo”;
– Po në revistën “Përparimi”, punim me titull: “Origjina e psikanalizës”, vështrim ky i shkruar me rastin e përkthimit në gjuhën serbokroate të veprës së Erik Fromit, “Misija Sigmunda Frojda”, Beograd 1978;
– Revista “Përparimi”, shqyrtim me titull: “Anatomia klasore e shoqërisë borgjeze, vitin 1979, nr. 4.;
– “Shqyrtim marksiste vetëqeverisëse, revista “Përparimi” 1980;
– Revista “Përparimi”, nr. 3/1980, shqyrtim me titull: “Kontraditat e shoqërisë kapi taliste, përkitazi me ribotimin e veprës së prof. dr. Ivan Kuvaciqit me titull: “Obilje i nasilje;
– Në të dyjavshmen “Fjala”, botohet një vështrim i veprës së Erik Fromit, përkitazi me vdekjen e këtij emri të madh të filozofisë, sociologjisë dhe psikologjisë së sotme botërore’
– Librin “Sociologjia”, tekst universitar, Prishtinë 1997;
– Libri, “familjet e mëdha të sotme në Kosovë” 1995, Instituti i Sociologjisë i Fakultetit Filozofik në Beograd; 16 – a): Ky libër u përkthye në gjuhën gjermane këtë vit (2001), dhe do të botohet në Graz të Austrisë kah fundi i vitit;
– E. Dyrkemi, Përkthimi i librit të tij: “Rregullat e metodës sociologjike”, Prishtinë 1985;
– Roli i traditës në zhvillimin ekonomik, Tiranë 2000;
– Shtjefën Gjeçovi – themelues i sociologjisë urbane, revista “Thema”, 15, 2000; 
- Gati çdo muaj ka realizuar nga një projekt shkencor.
Kështu që, prof. dr. Gjergj Rrapi, është emër i shquar i arsimit dhe shkencës shqiptare. Me rezultatet e arritura në lëmin e filozofisë e të sociologjisë, ka lënë pas vetes aq studime, aq të arritura shkencore e libra, aq e përjetësoi punën e vet në to , sa ai gjithmonë do të jetë emër i nderuar dhe i çmuar jo vetëm në përmasat kombëtare, por edhe më gjerë. Profesor Rrapi tërë energjinë e tij e derdhi në avancimin e punës shkencore në Universitet dhe në mbrojtjen e autonomisë së tij. Në veçanti   kontributi i tij ishte madhor në kohën kur shteti “juridik serb” me tërë potencialin e vet ekonomik, propagandistik, policor e ushtarak, ishte përcaktuar për zhbërjen definitive të  arsimit shqip në përgjithësi, të Universitetit të Prishtinës në veçanti dhe për zhbërjen e Kosovës. Ai ishte një nga ideatorët kryesor për vazhdimit institucional dhe legal të punës së Universitetit nëpër objekte private, pas aplikimit të masave të dhunshme administrative të pushtetit serbo-komunist në Universitetin e Prishtinës. Në mbrojtje të këtij institucioni me interes kombëtar, u gjend në ballë të formave të ndryshme të rezistencës për mbrojtjen e tij dhe të shkollës shqipe.
Prof. dr. Gjergj Rrapi ishte   luftëtar modern,   i denjë dhe i   pakompromis për të drejtat njerëzore dhe kombëtare të popullit shqiptar. Kudo që prezantonte në simpoziume të ndryshme shkencore të niveleve ndërkombëtare, haptas,   në mënyrë të guximshme dhe argumentuese e   prezantonte dhunën dhe gjenocidin serb mbi popullin shqiptar të Kosovës. Padyshim se në këtë kontekst kontributi i tij u sublimua me daljen në dritë të librit “Kosova e viteve të ndrydhura”, të botuar më 1993, në Prishtinë, ku në mënyrë shumë të qartë dhe argumentuese prezanton realitetin shqiptar të atyre viteve, të cilat vërtet ishin të ndrydhura e të rënda.    

Ishte mik dhe krah i djathtë i profesor  Fehmi Agani
              
Gjatë fundviteve të viteve  të `80-ta, kur Kosova rënkonte nën peshën e rëndë  të  okupimit serb, kur të drejtat e këtij populli shkeleshin  në mënyrë më drastike, ai në një simpozium shkencor në Split të Kroacisë  ngriti lartë zërin e protestës kundër  gjithë asaj shtypje që  Serbia ushtronte ndaj popullatës shqiptare. Në këtë simpozium Rrapi u shpreh  se  ne shqiptarëve në Kosovë, popull autokton dhe gjysma e popullsisë në territorin kompakt, si dhe populli i tretë për nga numri në  Jugosllavi, na mban shpresa se Evropa  nuk do ta përsërisë gabimin e saj tragjik ndaj shqiptarëve si në vitin 1913. Pa zgjidhjen e çështjes së  3 milionë shqiptarëve nuk do të zgjidhet çështja e Jugosllavisë. Kriza  jugosllave ka filluar në Kosovë dhe nuk mund të zgjidhet pa Kosovën, është shprehur ndër të tjera Rrapi në Simpoziumin e Splitit.  Janë të shumta  simpoziumet dhe tryezat në të cilat ka marrë  pjesë z. Rrapi, i cili është ndër intelektualët që e ka kualifikuar politikën gjenocidiale të S. Milosheviqit në Kosovë dhe qëndrimet e tij ndaj kësaj politike i kanë përshëndetur prof. Branko Horvat, Rudi Supek, Predrag Matjvejeviq dhe të tjerë.
Gjatë viteve të `90-ta kur angazhimi politik e  demokratik bënte jetën shqiptare, formë kjo e zgjedhur për  daljen nga  ai okupim i hekurt i robërisë, edhe  profesor Rrapi u angazhua në jetën shoqërore e politike. Ishte  themelues i  Partisë Shqiptare Demokristiane, më pastaj edhe i Partisë Liberale Shqiptare. Në vitin 1997 është zgjedhur edhe  kryetar i shoqatës së Filozofëve dhe Sociologëve  të Kosovës. Ishte mik dhe krah i djathtë i profesor  Fehmi Agani.
Prof. dr. Gjergj Rrapi, ishte njëra nga figurat tona që kanë luajtur rol në jetën tonë arsimore, intelektuale, shkencore, kulturore, shoqërore, politike dhe kombëtare në gjysmën e dytë të shekullit që e lamë pas dhe në vitet e para të këtij shekulli. Ai i takon atij brezi intelektualësh, edukuesish e veprimtarësh shqiptarë të Kosovës, të cilët me punën e tyre të përkushtuar, me kultivimin e mençurisë, dijes dhe shkencës, i kanë zgjeruar e zgjeruar gjithnjë kufijtë e lirisë vepruese e të krijimtarisë mendore. Edhe pas shtatë vjetësh e kemi parasysh personalitetin e tij të gjithanshëm: figurën e sociologut, të publicistit e të shkencëtarit, aq edhe të vepruesit politik që nga fundvitet ’80 e deri sa vdiq.

Çfarë paraqet profesor Rrapi në librin e tij, “Kosova e viteve të ndrydhura?”

Profesor Gjergj Rrapi, në vitin 1993 botoi librin publicistik “Kosova e viteve të ndrydhura”. Brenda këtij libri janë të ngërthyera disa shkrime publicistike (diskutime të autorizuara), të cilat i ka paraqitur në simpoziume dhe sesione të ndryshme shkencore në shumë vende të Kosovë, të ish- Jugosllavisë dhe të vendeve të tjera evropiane, qysh nga viti 1985 e deri në frymën e fundit të jetës së tij, më 2004.
Libri “Kosova e viteve të ndryshkura” të profesor Rrapit, është një fryt i një kohe të rëndë për individin dhe kolektivitetin shqiptar në gjithë hapësirat në ish- Jugosllavi, ku jetojnë popullata shqiptare dhe sidomos në Kosovë, i cili , që, për afro një dekadë e gjysmë kjo popullatë gjendet nën represionin e padurueshëm të hegjemonistëve komunistë serbë, vetëm pse kërkojnë të drejtat e tyre demokratike, nacionale dhe qytetare, edhe pse shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbinë Jugore (Kosovën Lindore), janë autoktonë që nga kohët antike, pas ardhjes të ilirëve.
Shkrimet publicistike të këtij autori janë një ditar i veçantë që dallon nga një ditar tjetër. Është ky një ditar i cili nuk është shkruar nga profesor Rrapi, mirëpo është shkruar në një kohë – zezonë, prandaj për këtë fakt edhe bart një të vërtetë të dhembshme, por edhe krenare.
Në librin “Kosova e viteve të ndrydhura, shfaqet një sfond i një natyre të zymtë; rropatjet e këtij populli që shekuj të tërë shkojnë në përballje me historinë; shekuj të tërë ky popull vazhdimisht pinrrohet me lirinë… Janë pamjet ekskluzive që i ka parë dhe i shohin sytë e një intelektuali, fa ti i të cilit është i lidhur ngushtë me fatin kolektiv – kombëtar. Prandaj, nyjëtimi më i thellë, më i qartë, më i guximshëm dhe, jo më tronditës i vullnetit të kombit shqiptar, njëmendësisht në publikimet e këtij vëllimi të këtij autori.
Disa nga temat bosht të përfshira në këtë libër, si “Çështja kosovare në diskursin jugosllav”, “Kosova dhe nacionalizmat”, “Shqiptarët në Kosovë dhe në vendet tjera të Jugosllavisë nuk janë pakicë kombëtare por komb”, “Ç’shoh të diskutueshme në politikën popullatave”, “Vetëdija e ideologjisë si fat tragjik për popullin shqiptar”, “Si u mor autonomia e Kosovës?”,Kosova në aktualitetin e sotëm etj., paraqesin se si Kosova prej se është aneksuar dhe është futur padrejtësisht në bashkësinë artificiale ish- jugosllave e sidomos deri në vitin 1966 ka përjetuar çastet më të vështira në historinë e saj.
Periudha e fundit, në veçanti prej vitit 1981, populli shqiptar në Kosovë dhe në gjithë hapësirat tjera të ish- Jugosllavisë përjetoi ndrydhje të mëdha, aq sa mund të thuhet lirisht, siç shprehet edhe vetë autori, “periudhë e imponimit të obskurantizmit serbosllav”. Në frymën e kësaj logjike dhe sipas konceptit armiqësor në që prinin ASHA të Serbisë, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë” ( e njohur si Francuska – 7), dhe të gjitha institucionet të tjera politike, kulturore e shoqërore serbe, duke elaboruar vazhdimësitë e projekteve famëkëqija, tashmë të njohura dhe të stërnjohura me pretekst që shqiptarët të shpërngulen, pra t’i lëshojnë vatrat e tyre stërgjyshore që i kanë ruajtur me shekuj me fanatizëm, madje edhe të asgjësohen me qëllim të rikolonizimit të Kosovës dhe serbizimit të saj.
Kapitull të veçantë autori i këtij libri i kushton pezullimit të Kushtetutës së vitit 1974, kur Serbia krijoi një gjendje edhe më të tendosur në të gjitha masat e popullit shqiptar në Kosovë dhe jashtë. Duke e vërejtur pushteti okupues serb këtë pakënaqësi të madhe të popullit, në Kosovë solli forca edhe më të mëdha ushtarake e policore, ku Kosovën e robëroi më argumentin e forcës dhe terror të papërshkrueshëm, duke i munguar çdo argument tjetër.
Autori, prof. dr. Gjergj Rrapi, në librin e tij “Kosova e viteve të ndrydhura”, tërheq shumë paralele të luftës së popullit shqiptar kundër shumë nacionalizmave, duke u fokusuar në tre nacionalizmat ortodoks: në nacionalizmin serb, malazez dhe atë maqedonas.
Çështjen e Kosovës, autori nuk e konsideron vetëm si çështje e Kosovës, sido që të zgjidhet ajo, sipas tij do të jetë e paqëndrueshme. Çështja e Kosovës, sipas profesor Rrapit, mund të zgjidhet drejt dhe përfundimisht vetëm me zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi, pra të tërë gjeografisë shqiptare, ku, kjo njëherësh është edhe ideja që i përshkon shkrimet dhe publikimet e tij dhe përgjigjja më autentike e profesor Rrapit sa i përket fatit të kombit shqiptar.
Një ide e këtillë, sipas tij mund të realizohet, në radhë të parë në bazë të rrethanave që po lëvizin në këtë pjesë të këtij globi tokësor, dhe çka është më qenësore për forcat tona politike, ndërtimi i një platforme të përbashkët politike e kombëtare. Kjo platformë do t’i paraprijë këtij synimi që është shumë racional dhe me pretendim që të realizohet në një rrethanë të caktuar politike.
Këto të dhëna dhe shumë të tjera të cilat profesor Rrapi i ka kapërthyer në brendinë e këtij libri, e bëjnë shumë të rëndësishëm këtë libër, i cili do t’i qëndrojë kohërave.
Kjo vlerë e këtij studiuesi nuk është nuk është e vetmja punë e frytshme. Profesor Rrapi punoi edhe vepra të tjera që të cilat do të lënë gjurmë për gjeneratat tona.

U shkëput nga jeta kur ishte në kulmin e fuqive të tij krijuese

Kështu, prof. dr. Gjergj Rrapi u shkëput nga jeta në kohën kur ishte në kulmin e fuqive të tij krijuese, bash në kohën kur bashkëkombësit kishin aq shumë nevojë për talentin e tij të madh, për mendjen e tij të ndritur, për fjalën e tij me autoritet, për veprimin e tij të guximshëm dhe efektiv. Zbrazëtia që la prof. dr. Gjergj Rrapi në frontin e punës e të luftës nuk është aspak e lehtë të mbushet. Por, njerëz si ai mbeten të gdhendur përjetësisht në kujtesën e kombit si pika të ndritshme referimi të historisë së tij.
Le të jenë këta rreshta një homazh e një nderim i thellë për profesorin e nderuar, Gjergj Rrapi, emrin e të cilit do ta mbajmë përjetë të paharruar.
Prandaj, prof. dr. Gjergj Rrapi, mbetet personalitet i shquar i arsimit e i shkencës shqiptare, po ashtu edhe luftëtar i  denjë për të drejtat njerëzore e kombëtare.
Në përfundim mund të konstatojmë se emri dhe vepra e profesor  Gjergj Rrapit do të mbeten  të pashlyera në kujtesën tonë dhe  të brazave që pasojnë, të cilëve u  shërbeu gjatë gjithë rrugës së tij jetësore.
*HOMAZH PËR PROF. DR. GJERGJ RRAPI (1937-2004)

Filed Under: ESSE Tagged With: Mikel Gojani, nje jete ne sherbim te shkences, Prof.dr. Gjergj Rrapi

“VATRA” HISTORIKISHT KA LUAJTUR DHE PO LUAN ROL TË RËNDËSISHËM PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË AMERIKË

May 19, 2015 by dgreca

INTERVISTË ME Z. MARJAN CUBI, ANËTAR I KRYESISË DHE ARKËTAR I SHOQATËS PANSHQIPTARE “VATRA” NË AMERIKË, DHENE GAZETARIT MIKEL GOJANI/
Federata Panshqiptare “Vatra” në Amerikë ka një traditë mbi njëshekullore. Gjatë këtij rrugëtimi historik të kësaj shoqate ka luajtur rol të rëndësishëm në jetën politike, kulturore dhe shoqërore për komunitetin shqiptar të kësaj diaspore në Amerikë.
Kjo shoqatë këto ditë ka pasur kuvendin e saj zgjedhor dhe për t’u njoftuar për arritjet, ecuritë dhe prioritetet e kësaj shoqate për të përditshmen kombëtare “Bota sot” ne biseduam me njërin nga veprimtarët e hershëm të kësaj shoqate, njëherësh edhe anëtar i Kryesisë dhe arkëtar i kësaj shoqate, z. Marjan Cubi.
“Vatra” gjatë këtij rrugëtimi historik 103-vjeçar zhvilloi edhe shumë veprimtari të tjerë gjithherë në shërbim të kulturës dhe të çështjes shqiptare përgjithësisht.
Mikel Gojani: Z. Cubi po fillojmë intervistën me një pyetje: Jeni një nga veprimtarët e shoqatës panshqiptare “Vatra” në Amerikë, çfarë mund të në thoni rreth rrugës historike mbi një shekull të kësaj shoqate bartëse e shumë veprimtarive të diasporës shqiptare në Amerikë. Pra, çfarë mund të shtoni për rolin historikë të “Vatrës”?

Marjan Cubi: Shoqata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”  ka luajtur një rol të rëndësishëm historik- politik-kulturore e organizativ për 103 vjetët e kaluara.   Po  fillojmë që nga themelimi i “Vatrës”  më 28 prill 1912  kur ende nuk kishim as shtet  shqiptar dhe përfaqësuesit e “Vatrës” ishin të detyruar shpeshherë të përfaqësojnë dhe të flasin në emër të kombit për shpëtimin e tokave shqiptare se fqinjët tanë me çdo kusht dëshironin zhbërjen e kombit tonë se e kishin edhe përkrahjen e disa fuqive të mëdha, si  Rusinë, Perandorinë Otomane, Francën dhe të tjera. Prandaj, ishte “Vatra” dhe themeluesit e saj, si Fan S. Noli, Faik  Konica dhe të tjerë që u përpjekjen  me miqtë amerikanë dhe në veçanti me Presidentin e asaj kohe të  SHBA-ve,  Wilson, që ju dha premtimin dhe mbajti premtimin që të themelohet Shteti Shqiptar dhe mos të zhduket e drejta për Shtetin.  Ka shumëçka të thuhet për këtë periudhë deri më 28 Nëntor 1912,  por edhe pas 28  Nëntorit ishin nevoja të ndryshme për Shtetin e ri Shqiptar, me varfëri, me mungesa të përvojës udhë heqëse së shtetit,  prandaj “Vatra” ndihmoi me  fushata, me këshilla, me dërgimin e përfaqësisë në Parlamentin e Shqipërisë etj. “Vatra” gjatë këtij rrugëtimi historik zhvilloi edhe shumë veprimtari të tjerë gjithherë në shërbim të kulturës dhe të çështjes shqiptare përgjithësisht. Qëllimi kryesor i veprimtarisë së kësaj shoqate ishte që t’i shërbejë kulturës sonë kombëtare dhe të sjellë në mes atij komuniteti të diasporës shqiptare më shumë dritë mendimi, më shumë dituri, më shumë vërtetësi… Përpos shumë veprimtarive të rëndësishme kombëtare, kjo shoqatë organizoi shumë ngjarje dhe veprimtari të ndryshme kulturore, si përkujtime të ngjarjeve historike, të figurave kombëtare, koncerte, shfaqje të ndryshme për shqiptarët e Amerikës dhe e ngriti kultivimin e kulturës shqiptare.   Këtu duhet të përmendim shumë pritje dhe përcjellje të politikanëve shqiptarë dhe kontakte me personalitete të shumta të SHBA-ve.Pastaj, vjen  koha Luftës së Dytë Botërore dhe rrethanat e asaj kohe, por edhe më keq pas Luftës së Dytë Botërore dhe për një periudhe 1945 -1955  “Vatra” e hutuar nga Qeveria Komuniste Enveriste  nuk pati sukses të kundërshtojë  Qeverinë e atëhershme, por pas vitit 1955 me gjithë fuqinë e vet e kundërshtoi komunizmin në Shqipëri, por edhe sllavo-komunizmin në trojet shqiptare.  Pas dhe para vitit 1981  “Vatra” u gjend në mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës.  Periudha  e   viteve 90  u  mirëprit nga “Vatra” dhe komuniteti shqiptaro-amerikan. Për rrëzimin e Murit të Berlinit, shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik, shkatërrimin e ish-  Jugosllavisë dhe lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Prandaj shoqata panshqiptare “Vatra” historikisht ka luajtur dhe akoma po luan një rol të rëndësishëm për komunitetin e diasporës shqiptare në Amerikë.
Kuvendin e këtyre ditëve e përshkoi një frymë tepër e ngrohtë dhe bashkëpunuese
Mikel Gojani: Z. Cubi, kjo shoqatë këto ditë ka mbajtur kuvendin zgjedhor, cila frymë e përshkoi këtë kuvend zgjedhor?

Marjan Cubi: Për Kuvendin e “Vatrës”, të mbajtur më 2 maj 2015  mund të them se punimet e këtij Kuvendi u zhvilluan në frymën Demokratike dhe me debate të vlefshme dhe frytdhënëse.  Për kryetar të kësaj shoqate u rizgjodh Dr.  Gjon Buçaj  dhe shpresojmë se dy vitet e ardhshme ‘Vatra” do të realizojë me sukses planin e punës dhe të aktiviteteve.
Mikel Gojani: Cilat janë disa nga objektivat që ka programuar Kryesia e kësaj shoqate për veprimtari të mëtutjeshme?
 
Marjan Cubi: Vatra për vitet në vijim ka shumë synime dhe objektiva. Për shoqatën “Vatra” çështja e kombit tonë akoma mbetet në prioritet, sepse kombi ynë edhe përkundër mbërritjes së frymës së lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës ende nuk i ka realizuar qëllimet e saja dhe se dy Shtetet Shqiptare ende nuk kanë krijuar bazamente të qëndrueshme qeverisëse, sepse akoma janë të korruptuara  dhe janë vende ku nuk dominon ligji, si faktori më i rëndësishëm për funksionimin e një shtetit të lirë dhe demokratik. Por, ne duhet të punojmë për një riorganizim, përkatësisht një riforcim të shoqatës “Vatra”.  Ende nuk kemi të mjaftueshëm nga radhët e rinise, nga radhët e grave dhe na duhet përfaqësimi edhe I një numri më të madh të intelektualëve.
Edhe ky brez yni po bëjmë përpjekje që “Vatrës” t’ia ruajmë namin dhe dinjitetin që ka për një shekull të tërë.
Mikel Gojani: Kjo plejadë udhëheqëse e “Vatrës”, sa është në gjendje të vazhdojë frymën e traditës njëshekullore që ka mbizotëruar në këtë shoqatë?

Marjan Cubi: E vërteta është se është vështirë të bëjmë një udhëheqje si ajo e Fan S. Nolit dhe Faik Konicës, por edhe i disa figurave të shquara të letërsisë, kulturës dhe të kombit që kanë udhëhequr më vonë, megjithatë edhe ne kemi  një udhëheqje mjaft të ngritur dhe të aftë për ta udhëhequr “Vatrën”, por patriotizmi dhe nacionalizmi dhe orientimi demokratik-amerikan e dallon këtë udhëheqësi nga ato të mëhershmet. Megjithatë, edhe ky brez yni po bëjmë përpjekje që “Vatrës” t’ia ruajmë namin dhe dinjitetin që ka për një shekull të tërë.
Mikel Gojani: Cilat janë disa nga aktivitetet dhe veprimtaritë të kohëve të fundit që ka zhvilluar shoqata?

Marjan Cubi: “Vatra” ka  shtuar anëtarësinë; ka  hapur degë të shumta në disa shtete të SHBA-ve; ka pritur shumë liderë shqiptarë; ka kontaktuar shumë zyrtarë amerikanë; ka kremtuar shume festa kombëtare, përkujtuar shumë figura të rëndësishme të historisë, letërsisë dhe kulturës kombëtare; ka organizuar shumë promovime të librave me rëndësi kombëtare dhe bashkë – organizuar aktivitete të shumta në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Mikel Gojani: Sa bashkëpunon shoqata “Vatra” me shoqatat të tjera që veprojnë në Amerikë? 

Marjan Cubi: “Vatra” ka bashkëpunim dhe bashkorganizim me shumë shoqata dhe organizata në ShBA, ose mund të themi më mirë se kohë më parë nuk kemi mundur të jemi kaq afër me shoqata të tjera qe nuk kanë dashur të ofrohen, sepse platforma e tyre politike dhe filozofike ndryshonte nga ajo që kishte “Vatra’, sepse ato në programet e veta kishin ngërthyer një platformë me ideologji siç kishte mësuar Partia Komuniste nga Atdheu nga kishin ardhur.

Të rinjtë intelektualë duhet të rrethohen më tepër rreth “Vatrës”

Mikel Gojani: Sa janë të interesuar të rinjtë e komunitetit shqiptar që jetojnë në Amerikë, kuadro të dëshmuara me bagazh intelektual nga fusha të ndryshme për t’iu bashkëngjitur programit të kësaj shoqate. Pra, sa është interesimi i të rinjve të diasporës shqiptare për t’u aderuar në këtë shoqatë?
 
Marjan Cubi: T’ju themi sinqerisht se ky fakt, edhe pse do të kishte qenë mirë të qëndronte e kundërta, ky interesim i kësaj kategorie nuk është aq sa duhet dhe aq sa ju takon të rinjve të aktivizohen dhe t’i bashkëngjiten Vatrës së Vjetër dhe me përvojë të shkëlqyeshme për veprimtari të shumta.  Është interesante se gjithnjë kanë dëshirë të formojnë organizata të reja dhe jo me jetëgjatësi ashtu si shumë e shumë organizata dhe shoqata që gjatë 100 viteve nuk patën jetë të gjatë. Por, në këto vitet e fundit është një ndryshim në këtë pikëpamje, sepse gjithnjë e më shumë janë ofruar të rinjtë dhe zyrtarë të ndryshëm me profesione të ndryshme.    Shpresojmë që në të ardhshmen do të ofrohen dhe do ta përkrahin “Vatrën”, që e meriton të përkrahet.
Mikel Gojani: Cila është pozita e shoqërive dhe shoqatave të tjera shqiptare që veprojnë në Amerikë?

Marjan Cubi: Këtu ka shumë shoqata dhe organizata, por janë të vogla dhe shoqata lokale,   por edhe këto bëjnë përpjekje dhe veprojnë në shumë për rajonet që ata mendojnë se janë më rëndësi, por “Vatra” është Qendrore- Kombëtare-Demokratike.Disa nga këto shoqata kërkojnë nga “Vatra” që të organizojnë apo të bashkorganizojnë aktivitete të ndryshme.
Kishim për borxh për ta ndihmuar “Vatrën”
Mikel Gojani: Ju zoti Cubi qysh nga fillimvitet e 70-ta kur keni mbërritur në Amerikë keni aderuar në shoqatën Panshqiptare “vatra”, dhe programit të kësaj shoqate i keni mbetur besnik që nga atëherë dhe deri me sot. Madje, para disa dekadave më qëllim që shoqata “Vatra” të vazhdojë suksesshëm veprimtaritë e saj me interes shumëdimensionalë, ju keni qenë në gjendje që të siguroni lokalet e nevojshme në New Jork, përkatësisht në Manhattan dhe t’i kompensoni të gjitha shpenzimet të kësaj shoqate, derisa shoqata ka siguruar objektin e vet, ku gjendet edhe tash si pronë e saj.
Marjan Cubi: Nuk është modesti të flas për vetveten, mirëpo gjatë gjithë kohës sa kam qenë i angazhuar në shoqatën “Vatra” kam bërë përpjekje të jam kontributin tim ta jap në shërbim të kauzës dhe veprimtarive që ka zhvilluar kjo shoqatë gjatë kësaj rruge historike.
Sa i përket çështjes së shtruar rreth lokaleve që kam lëshuar për zhvillimin e aktiviteteve dhe veprimtarive të shoqatës janë lansuar disa keqinterpretime, meqenëse për mua nuk çojnë peshë, mirëpo realiteti duhet të jetë i saktë dhe i qëndrueshëm. Sa për sqarim unë jap argumentet dhe dëshiroj që edhe një herë të ritheksoj (kam sqaruar edhe më herët), se profesor Naum Prifti nuk është informuar mirë dhe në historikun e shoqatës që ka shkruar e  ka shënuar gabimimisht këtë fakt lidhur me transferimin e zyrës së “Vatrës” nga  Bostoni në  New York. Prandaj e vërteta e kësaj çështjeje qëndron ndryshe nga ato konstatime.
 Në vitin 1989  kur Profesor Arshi Pipa u zgjodh kryetar  dhe Vatranët e Bostonit  e pranuan që tani mund të kalojë zyra e “Vatrës “ në New York, sepse New Yorku ishte shumë më aktivë, përkatësisht ekzistojnë mundësi reale më të qëndrueshme dhe më të mundshme për ta ringjallur “Vatrën”.   Kryetari Pipa më ka pyetur mua, por besoj se edhe të tjerët vatranë se na duhet një zyrë mundësisht të jetë në qendër të Manhatanit të New Yorkut. Unë e kam pasut rastin që ta gjej një zyrë mu në qendër të Manhatanit dhe me një qira nga 300 dollarë ne muaj  dhe kam menduar që do ta paguaj unë për një kohë të shkurtër, sepse do të paguajnë vatranët deri në transferimin në zyrën apo shtëpinë e “Vatrës” që u gjend me vonë pas gati pas tre viteve dhe unë  kam paguar më se 13 mijë dollarë pa ndonjë përkrahje nga anëtarët të tjerë të “Vatrës”.   Kjo zyrë  kishte tavolinën, telefonin, fotokopjen, faxin dhe gjerat të tjera përcjellëse të nevojshme për një zyrë. Në këtë zyrë   janë mbajtur mbledhjet e Kryesisë dhe kanë qëndruar kryetari i shoqatës, prof.  Arshi Pipa, editori i “Diellit”  Anton Qefa  dhe po ashtu zyrën e kanë përdorur edhe për fjetje kurdo që kanë  pasur nevojë. “Vatra” edhe tash në këto rrethana duhet të ndihmohet,  dhe për mua janë 36 vite që e kam ndihmuar dhe që jam i pari shqiptar nga Kosova që jam aktivizuar, ndërsa tash kemi mjaft shqiptar të angazhuar në “Vatër” nga të gjitha trojet etnike tona. Kishim me borxh për ta ndihmuar “Vatrën”, prandaj duhet të ndihmohet edhe sot.
 Mikel Gojani: Ju merreni edhe me publicistikë, çfarë keni punuar deri me tash në këtë fushë të letërsisë?

Marjan Cubi: Edhe në këtë fushë kam bërë përpjekje për dhënë kontributin tim. Herë pas here shkruaj ndonjë opinion lidhur me disa tema nga aktualiteti ynë në diasporë. Në vitin 2003 kam botuar librin publicistin “Në emër të lirisë dhe pavarësisë”, që është pritur mjaft mirë, si në Kosovë, po ashtu edhe në Amerikë. Prandaj, edhe sot bëj përpjekje të jem aktiv në aktivitete të shumta, prandaj për shkak të angazhimeve të shumta, nuk kam mundur  të bëj mjaft për letërsinë dhe publicistikën tonë. Mendoj që ky angazhim imi që zhvilloj akoma në kuadër të “Vatrës” do të më pengojë edhe për pak kohë. Të shohim.

• Ju faleminderit!
• Qofshi me nder!

Intervistoi: Mikel GOJANI

Filed Under: Interviste Tagged With: federata Vatra, Marjan Cubi, Mikel Gojani

NDRIÇIMI I SHUMË FIGURAVE DHE I RRETHANAVE HISTORIKE TË KRAHINËS SË PLAVË – GUCISË

April 13, 2015 by dgreca

Shkruan: Mikel GOJANI-Kline*/
Rexhep Dedushaj lindi në vitin 1948 në Vuthaj,nga një familje me tradita përparimtare dhe atdhetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Vuthaj e Guci, ndërsa arsimin e mesëm dhe të lartë i kreu në Pejë, në Gjakovë dhe Prishtinë. Për shumë vite ka punuar arsimtar i lëndës së historisë në shumë shkolla të Rrafshit të Dukagjinit. I detyruar si shumë bashkëvendës të tij, për shkak të angazhimeve të tij u detyrua që të migrojë në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork, ku gjendet edhe tani. Arsyen pse pedagogu dhe veprimtari Dedushaj ka migruar në Amerikë e arsyeton edhe vetë, i cili me këtë rast shprehet: “ Shkaku pse unë jam në Amerikë është hapja e shkollës shqipe në Vitomirice, në “Malla Moskva ” – siç i thonin serbët. Në vitin 1982, kur ata mendonin për t’i mbyllur shkollat shqipe edhe në Prishtinë, unë i përkrahur nga udhëheqësia e Arsimit në Pejë, në krye me Sadik Ukellën, Xhevdet Bashën, Adem Kelmendin, Hajdar Mekaj etj., arritëm ta hapim shkollën shqipe aty. Vidna Rakoçeviq një antishqiptare e dëshmuar atëbotë m’u kërcënua me fjalët më të rënda. Pas vitit 1987 e dini si u zhvilluan ngjarjet dhe udhëheqesit e Arsimit komunal më kërkuan që të largohesha, sepse na paraqitej rreziku që të burgoseshim që të gjithë, prandaj u detyrova të braktis Kosovën dhe të migroj për në Amerikë. Detajisht lidhur me këtë kam shkruar edhe në librin “Si e gjeta dhe si e lashë shkollën shqipe në Prefekturën e Pejës”, shton prof. Dedushaj.
Është mirë kur bëhet përpjekje për t’u ndriçuar çdo segment që përbën historinë e një populli
Edhe në Amerikë, Dedushaj dha një kontribut të çmuar, duke iu mundësuar fëmijëve të diasporës shqiptare në SHBA gjuhën e ëmbël shqipe dhe historinë e kombit. Ka botuar shumë artikuj dhe punime shkencore me temë historike në gazetat dhe revistat shqipe në Amerikë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Deri më tani ka botuar këta libra: “Krahina Plavë – Guci nëpër shekuj” 1993, (i përkthyer edhe në gjuhën boshnjake), “Shpërngulja e shqiptarëve të Plavë – Gucisë”, Nju Jork 1997, “100 – vjet luftë”, Nju Jork 1999, “Si e gjeta dhe si e lash shkollën shqipe në Prefekturën e Pejës”, Nju Jork 2009, “Gjurmë mërgimtarësh”, Nju Jork 2009, “Çung Tahiri i Vuthajve”, Pejë 2013 dhe “Komandanti me plumb në trup”,Pejë 2014. Ka në dorëshkrim edhe shumë libra të tjerë. Në luftën për liri e çlirim kombëtar, u shquan luftëtarë e udhëheqës të sprovuar me trimërinë, burrërinë dhe idealizmin e të cilëve populli ynë i shumëvuajtur në shekuj, i mbanë të gjalla në kujtesën kolektive të tij dhe i përcjell brez pas brezi. Ata qenë me dhjetëra e qindra që dolën nga gjiri i këtij populli, nga “palca e kombit”, siç do të shprehej rilindësi i shquar Zef Jubani. Ata, me aktin, veprimtarinë e guximshme,me qëndresën dhe aktivitetin e tyre mahnitën epokën në të cilën jetuan,çuditën çdo strateg e kronist të kosës, u bënë sfidë shekujve. Këta luftëtarë të paepur dhe udhëheqës të shquar popullorë nuk ishin të vetmuar, por të lidhur me popullin që i lindi dhe i rriti. Një bir i tillë legjendar është edhe Çung Tahiri i Vuthajve, nga Vuthajt e Gucisë së Malit të Zi, por edhe shumë emra të tjerë që ndoqën rrugën e këtij atdhetari të shquar të kombit. Është mirë kur bëhet përpjekje për t’u ndriçuar çdo segment që përbën historinë e një populli. Është mirë kur kjo punë bëhet me zell, përkushtim dhe disiplinë intelektuale. Sidomos është e çmueshme kjo punë kur bëhet për ndonjë personalitet të shquar të jetës historike,për ndonjë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë,që për shkaqe ideologjike dhe shkaqe të tjera politike për aq kohë të gjatë ka qenë vlerësuar shtrembër. E kuptova kështu përpjekjen e autorit Rexhep Dedushaj për të ndriçuar personalitetin dhe veprimtaritë atdhetare të atdhetarit Çung Jahë Tahiri i Vuthajve, po edhe i disa të tjerëve, si Bajram Musa, Bajram Xhuku, Isuf Zymeri, Jahë Tahir Dedushaj, por edhe shumë emra të tjerë të brezit më të ri, si Smajl Isufi, dr. Isuf Isufi – Dedushaj, Naim Dedushaj, Jeton Idriz Dedushaj, e të tjerë. Janë këta emra të shquar të jetës historike, politike dhe shoqërore, që kanë lënë gjurmë nderi dhe krenarie për brezat që do të pasojnë. Krejt më qëllim të ndriçimit të jetës dhe veprimtarisë së këtyre figurave, autori Dedushaj ka shkruar këtë libër, si një vlerë e rëndësishme që këta emra dhe këto ngjarje që i ka përfshirë, të mos i mbulojë pluhuri i harresës as ndryshku i kohë.
Çung Tahiri i Vuthajve dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha
Në epiqendër të shqyrtimit, autori Dedushaj ka figurën e patriotit Çung Jahë Tahirit, i lindur më 1890 në katundin e Epërm, të Vuthajve, veprimtarie e të cilit është shumë e rëndësishme dhe me vlera dimensionale për kohën kur ka vepruar me qëllim të çlirimit të trojeve shqiptare. Sipas evokimeve që autori ka shfrytëzuar nga njerëzit që kanë njohur këtë trim malësor, guximi i tij i mahniste të gjithë. Sipas autorit Dedushaj, Çungu ishte ndër të parët që kishte shkuar në luftën e Grebenit në mbrojtje të Krahinës në tetor të vitit 1912, ku iu kishte plagosur rëndë xhaxhai i tij Smajl Isufi. Pastaj, sqaron autori, ky patriot kalon në mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët. Gjatë Jugosllavisë së parë të Karaxhorgjëve, shpeshherë kishte rënë në konflikt me xhandarët e Gjorgje Llashiqit, që vetëm në territorin e Vuthajve i kishin sajuar 9 kazerma ushtarake për ruajtjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, këtë kufi,të cilin nuk e kishte pranuar asnjëherë deri në vdekje. Në vitin 1920 ky patriot dhe luftëtar i denjë merr pjesë edhe në Luftën e Koplikut, në mbrojtje të Shqipërisë nga okupuesit jugosllavë. Në rrugën e tij jetësore ky patriot i shquar edhe në shumë lëvizje të tjera dëshmoi veten, me heroizmin dhe patriotizmin e tij. Për veprimtarinë e tij atdhetare dhe liridashëse, patrioti Çung Tahiri u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë – dr. Sali Berisha, me rastin e 80-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, me “Urdhër për veprimtari patriotike të klasit II”. Atdhetarizmin, guximin dhe luftën e paepur për çlirimin dhe lirinë e trojeve etnike shqiptare, që dëshmuan përpos Çung Jahë Tahirit, autori Dedushaj e prezanton në mënyrë shumë të thukët edhe për pinjollët të tjerë të kësaj dere më tradita patriotike dhe heroike, deri te brezi më i ri dhe shumë të tjerë që kanë qenë pjesë e këtyre lëvizjeve për çlirim kombëtar. Përpos pasqyrimit të këtyre figurave të shquara të historiografisë sonë kombëtare, autori Dedushaj, po ashtu nuk lënë anësh edhe ndriçimin e disa ngjarjeve të rëndësishme historike që kanë ndodhur në atë krahinë gjatë këtij rrugëtimi historik. Autori Dedushaj në vijim pasqyron ngjarjen e 18 korrikut 1951, kur pas prishjes së marrëdhënieve jugosllave – shqiptare, më 1948, sllavo-komunistët jugosllavë e rivendosën “Murin e Berlinit”në këtë kufirin shqiptaro-shqiptar. Me këtë rast, sqaron autori, çetat kaçake të përbërë nga patriot e atdhetarë të kësaj krahine, u vunë në lëvizje sërish dhe të cilët nuk iu dorëzuan okupatorit serbo-jugosllav. Por, edhe ata që ikën në Shqipëri pas atij viti e më parë, me të vetmin qëllim që ta bindin popullin që të mos i dorëzohet pushtuesit, të mos i mashtrojë doktrina e UDB-ës,që për moto e kishte parullën “përçajë e sundo”, d.m.th. të mos spiunojnë njëri – tjetrin, të mos vriten njëri me tjetrin, të mos pranojnë të shkojnë diversantë në Shqipëri – veprime këto tejet djallëzore dhe të rrezikshme, që i sajonte UDB-eja serbosllave pas vitit 1948. Pastaj, ishte një rezistencë e madhe për moslejimin e mbylljes së shkollave shqipe në Mal të Zi dhe të kërkojnë rihapjen e atyre që ishin mbyllur më parë, të mos lejojnë shpërnguljen masive të shqiptarëve nga kjo krahinë në Turqi dhe vendet tjera. Janë edhe të shumta ngjarje të tjera që gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur në këto pjesë të hapësirës sonë etnike. Autori Dedushaj, në mënyrë shumë kronologjike me këtë rast i prezanton edhe pasojat që ka përjetuar popullata e kësaj krahine pas ngjarjeve të 18 korrikut 1951. Një kapitull të veçantë autori Dedushaj i kushton luftëtarëve të denjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rinjve, Jeton Idriz Dedushaj dhe Ismet Avdi Dedushaj. Jetoni veproi në brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”. Ka marrë pjesë në të gjitha betejat që i ka zhvilluar kjo brigadë në Loxhë, Gllogjan, Prejlep, Maznik, Lumbardh, Jabllanicë (tani Dushkajë) etj., duke luftuar deri në flijimin e tij për lirinë e Kosovës,më 5 qershor 1999, në mes të fshatrave Dashinoc dhe Lumbardh të Deçanit,duke u përjetësuar. Një tjetër luftëtar i lirisë nga kjo familje që në kuadër të batalionit “Atlantiku” nga Amerika, ishte edhe i riu Ismet Avdi Dedushaj, i cili iu përgjigj zërit të atdheut dhe nga Amerika erdhi për të çliruar atdheun e tij, Kosovën. Sipas autorit Dedushaj, nga krahina e Plavës dhe Gucisë, batalionit “Atlantiku” nga Amerika iu bashkëngjiten edhe shumë luftëtarë të tjerë, si Haxhi Balidemaj, Cen Haxhaj, Sadri Mehaj, Ymer Kukaj, Brahim Selimaj, Kujtim e Xhemë Goçaj dhe Arben dhe Milot Buçaj.
Meditimet që ngërthejnë rëndësi shumëdimensionale
Një kapitull të veçantë autori Dedushaj e ka titulluar, “Meditime”, me ç’rast autori i shpalos disa opinione të tij me interes dimensional. Po potencojmë disa nga opinione e tij që autori Dedushaj i shpalos, si Vujanoviqi mashtrohet, Pse po diskriminohet Malësia e madhe, Pse po flijohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ata nën Malin e Zi, 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë: Kontributi i Plavë – Gucisë në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Vuthajt në 100-vjetorin e Pavrësisë, Pse shqiptarët e Plavës e Gucisë nuk flasin shqip, Në kullën e Ali Demë Gecit të Llukës, Eshtrat në Previ kërkojnë drejtësi (100-vjet nga masakra e Privisë në krahinën martire të Plavë – Gucisë, ku malazezët vranë barbarisht 700 shqiptarë), Shkolla fillore Dardania e arsyetoi emrin e vet, Lufta për mbrojtjen e Plavë – Gucisë (1879-1880) dhe dilemat rreth saj, (Me rastin e 135-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) etj. Kështu, në përfundim lirisht mund të konstatojmë se libri dokumentar dhe historik “Çung Tahiri i Vuthajve”, i autorit Rexhep Dedushaj, është një libër e mirë për lexuesit, sepse autori nga njeh me shumë figura dhe ngjarje të rëndësishme historike nëpër disa periudha kohore, në krahinën e Plavë- Gucisë. Ky libër, po ashtu njëherësh edhe e pasuron fondin e librave tanë dokumentarë dhe historik, duke njoftuar lexuesit për shumë fakte dhe dëshmi të panjohura deri me tani edhe rreth këtyre figurave, po ashtu edhe shumë aspekteve dhe ngjarjeve të zhvilluara në këto pjesë të hapësirave etnike shqiptare.

Filed Under: Kulture Tagged With: figurat historike, Mikel Gojani, Plave-Guci, rexhep dedushaj

PASQYRIMI I NJË JETE NË PËRPËLITJE MIDIS ËNDRRËS DHE REALITETIT

March 18, 2015 by dgreca

SHQYRTIME LETRARE/*
Nga Mikel GOJANI/
Romanet e shkrimtarit Sulejman Mato gjithnjë kanë zgjuar vetëdijen e lexuesve dhe të kritikës letrare, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë dhe kanë arritur ta shtojnë interesimin e tyre. Ky interesim ka karakter dimensional, një, për shkak të vlerave që ngërthen poetika prozaike e shkrimtarit Mato, njëherësh edhe nga fakti se pikërisht prozat e tij trajtojnë kohën e kthesave historike me fatet dramatike të protagonistëve që frekuentojnë në prozën e këtij shkrimtari.
Vlerat e komunikimit tregimtar
Romansieri S. Mato, duke strukturuar vlerat sublime të komunikimit të tillë artistik, arrin të pohojë, dhe të na bindë, se realiteti jetësor, i ngritur në realitetin artistik, qartësohet nëpërmes analizës kritike krijuese mbi gjithçka që ka ndodhur dhe mbi gjithçka që ndodh rreth nesh e brenda nesh.
Në letërsinë shqipe, shkrimtari Sulejman Mato ka sjellë edhe romanin e tij të titulluar,”Njerëzit janë si retë”, që është një roman tepër interesant dhe i një rëndësie shumëdimensionale.
Në romanin “Njerëzit janë si retë”, shkrimtari Sulejman Mato sjellë realitetin e një shoqërie të turbulluar, krizën shpirtërore të një brezi me të cilin jeta u tregua dorështrënguar dhe që kërkon dashurinë aty ku vështirë mund të gjendet, duke marrë zhgënjime ndoshta edhe të pritshme.
Studiuesi i veprës së shkrimtarit Sulejman Mato, kritiku letrar, Moikom Zeqo, duke vlerësuar vlerat e këtij romani shprehet: “ Një jetë në përpëlitje midis ëndrrës dhe realitetit të tranzicionit, shqiptarë të traumatizuar nga emigracioni në kërkim të Eldorados. Subjekti dramatik ka në qendër njerëzit e tendosur për të ardhmen, por edhe trafikantë vizash,gomonesh,policë dhe prokurorë të korruptuar, një poet në kërkim të identitetit, një personazh që udhëton në botë me një monolog në kokë,deputetë të lidhur me mafien – një strukturë groteske të shoqërisë, ku nuk mungon drita dhe përsiatjet humaniste. Romani “Njerëzit janë si retë”- vepra më e arrirë e shkrimtarit Sulejman Mato, ndër veprat më të mira të këtij zhanri në Shqipëri – është kronikë, dëshmi, analizë dhe imagjinatë”, shprehet studiuesi Zeqo. Shkrimtari i talentuar shqiptar, S. Mato, në librin “Njerëzit janë si retë”, ka arritur që të sjellë një realitet të hidhur me esencat e saja tragjike, një pasqyrim i përditshmërisë me të cilën përballet individi dhe kolektiviteti shqiptar; një realitet me të cilin përballet shoqëria shqiptare, të një aktualiteti të sotëm me një frymë të re dhe qasje të veçantë në letërsinë tonë bashkëkohore.
Përmbajtja e librit “Njerëzit janë si retë”, i autorit S. Mato, është sjellë nëpër kapituj të veçantë, që përçon mesazhe të rëndësishme përmes narratorit, i cili bën përpjekje që përmes rrëfimit të gjejë shtigje për të dalë nga ky rreth që ka kapërthyer shoqërinë shqiptare. Nga ky rreth i hekurt i këtij realiteti të trishtë, narrator përpiqet të dal përmes revoltës, protestës, dashurisë, indinjatës, thyerjeve të tabuve, paragjykimeve dhe shumë dukurive të tjera. Rrëfimet e autorit që i sjellë në jetë të lënë pa frymë. Autori Mato paraqet një libër me një bazë reale, të gërshetuar me pjesëzën imagjinare.
Romani “Njerëzit janë si retë, i shkrimtarit Sulejman Mato ndjek modelet e rrëfimit realist, të konsoliduar tashmë në krijimet e autorit,bashkë me mënyrën e tij krejt origjinale në qasjen e tematikës sociale me trajtim të spikatur psikologjik. E njohur është tashmë edhe prirja e tij për trajtimin e temave që lidhen me problematikën aktuale social – psikologjike, si mëtim i hershëm për të ndjekur lëvizjet e reja të mendimit, të mënyrës së të ndjerit,kushteve material e më shumë atyre shpirtërore të njeriut shqiptar. Motivet që kanë ngjizur krijimtarinë e këtij autori,e kanë shtysën në vëzhgimin e hollë dhe të vazhdueshëm të evoluimit apo transformimit të psikes së individit dhe të kolektivitetit të realiteti shqiptar. Figurat vihen të veprojnë e të ecin nën trysninë e kushteve politike dhe sociale,por specifika e reagimeve dhe rrugës së zgjedhur kërkohet në veçoritë e karakterit dhe ngjizin strukturën metaforike të veprës letrare. Konfliktet dramatike, në të cilat i përplas jeta protagonistët që frekuentojnë në vepër,përballen denjësisht ose jo, por autori kujdeset të lehtësojë aftësitë e leximit intelektual të lexuesit nëpërmjet paraqitjes tronditëse e rrëqethëse të fakteve të njohura jetësore dhe organizimit të tyre brenda subjektit baladesk së romanit, pa preferuar t’i lërë lexuesit në mëdyshje ekzistenciale, që do të kumbisnin konkretësinë e detajeve të kohës dhe hapësirës. Mëdyshjet dhe sëmbimet janë të realitetit konkret shqiptar dhe jo të fatalitetit konceptual të qenies njerëzore.
Romani i S. Matos, Njerëzit janë si retë, merret me fatin e njerëzve, mbi të cilët kaloi tornadoja e realitetit të egër jetësor, me ngjarjet e dukuritë me ashpërsi e goditje drastike mbi shoqërinë shqiptare;gërshetohen këto për të dhënë problematikën sociale e psikologjike krejtësisht shqiptare në fillimshekullin e XXI, pothuaj në të gjitha përmasat.
Romani “Njerëzit janë si retë i autorit” i S. Mato, në vend të prologut prezanton një mesazh tepër dimensional në formë të vargëzimit, që është një paralajmërim për lexuesin që ka të bëjë me një motiv dhe strukturë esteto-artistike të një shkalle të lartë. Janë këto vargjet përçojnë motivin e zhbërjes së karaktereve nën trysninë e realitetit të rëndë të krijuar në ambientin shqiptar, si variante të të kundërtave brenda këtij njeriu që sjell nota herë – herë edhe nga ato më tragjike. Këto vargje shërbejnë dhe sjellin një gatim real nga një brumë i çdoditëshmërisë së realitetit tonë:
Njerëzit janë si retë…/ Njerëzit janë si retë./ Re-ëndrra, re-vegime,/ re dëshira për qiej të tjerë,/ re pikëllima shirash të vjetra,/ re bubullima të gëzuara fitoresh të përkohshme,/ re- metaforës dashurish mistike, re- flamuj të përgjakura në beteja të humbura, re karvanë të gëzuar shirash në ikje,/re, re, re…/ dhe njerëz, njerëz, njerëz…/ që u ngjajnë reve… (Fq.5).
Në thelb qëndron filozofia defitiste e pamundësisë së njohjes së vetvetes,e pamundësisë së ruajtjes së vetvetes nga e keqja dhe zhgënjimi. Kjo është vetëm endja material e subjektit, premise për ta çuar në përfundimin pesimist ndenjes ekzistenciale.
Fabula që mban në ankth gjatë tërë narracionit
Esencialisht në romanin “Njerëzit janë si retë”, i autorit Sulejman Mato, objekt trajtimi bëhet e keqja, varfëria, dhimbja, që njeriu i shkakton njeriut. Këto fenomene janë konkretizuar dhe shprehur në këtë roman nëpërmjet ngjarjeve dhe rrëfimeve që autori i shtjellon në roman. Fabula e romanit është tejet tërheqëse dhe të mban në ankth gjatë tërë narracionit. Ariani një djalë i ri, i cili njëherësh është edhe bartës i pothuaj gjithë ngjarjeve në roman, të cilit nuk i mungonte guximi, iniciativa, kishte synuar të bëhej dikush në jetë. E ndjente që kishte dhunti për të shkruar,prandaj i vuri vetes obligim që ta kryejë fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dhe e mbaroi. Qysh në kohën e studimeve nisi të shkruante vjersha,skica dhe tregime të shkurtra. Emërimin mësues në Krume të Kukësit e priti më kënaqësi të veçantë,sepse konsideronte se njeriu në moshën rinore ka nevojë për një përvojë jetësor. Jeta në këtë pjesë të lëna larg urbanizmit, me atë jetën e atyre malësoreve më plot vështirësi,përkatësisht në një varfëri të thellë, mirëpo shumë fisnikë, kjo jetë midis këtij vendi dhe këtij realiteti nuk i dukej monotone sa i dukej në kryeqytet. Megjithatë një ditë Arian Bejta u kthye në kryeqytet, që kishte ëndërruar si një kthim triumfal dhe do të ishin kryeredaktorët e revistave dhe gazetave që do ta angazhonin në jetën letrare, apo publicistike. Mirëpo, me përmbysjen e sistemit u përmbysen edhe ëndrrat e tij,sepse Ariani u kthye në kryeqytet në kohën kur mendjet intelektual ishin infektuar me fraza politike. Gazetat dhe revistat ishin mbyllur njëherë e përgjithmonë, poetët në këto kohë shiheshin me dyshim, si njerëz ëndërrimtarë dhe parazitë, naivë dhe romantikë, të cilët nuk janë të dobishëm për asnjë punë të dobishme.
Lidhjet e tij me Marianën, paraqesin një kapitull të veçantë në jetën e tij. Këtë dashuri e ruajti si diçka të shenjtë dhe pas katër vjetëve në Krumë të Kukësit, ndiente shumë mall për të. Në shtator të atij viti Marianës i doli e drejta e studimit për në Fakultetin e Veterinarisë. Këtë të drejtë ajo e quajti një dështim të ëndrrave të saj, ndërsa për familjen e saj një sukses,mbasi ata nuk kishin pretenduar as kaq. Ata nga pushteti i atëhershëm shiheshin me sy të shtrembër për shkak të një daje të tyre i cili kinse kishte qenë organizator i bombës në ambasadën ruse, i pushkatuar po atë vit së bashkë me 25 persona tjerë. Dashuria në mes Arianit dhe Maiianës ishte një dashuri që do të këputej. Realiteti i rëndë që ishte krijuar, ndjenja e ikjes nga atdheu është një ndjenjë që ishte mbëltuar në qenien e gjithsecilit. Këtë ndjenjë e kishte pasur (dhe kishte realizuar), edhe familja e Marianës, e cila familje përmes lotarisë amerikane kishte siguruar vajtjen dhe jetesën në “tokën e premtuar” në Amerikë. Ariani,edhe pse kishte njohuri qysh herët për këtë fakt,që një ditë do të detyrohej të ndahej nga Mariana, ai, megjithatë ndarja i ishte dukur gjithmonë si diçka e largët. Amerika ishte faktori që kishte prerë një dashuri shumë të thellë dhe teper të sinqert në dysh, dashurinë mes Arianit dhe Marianës.
Nuk më pyetët për vizën, – tha ajo pasi hoqën palltot.
-Ah po…
Si kështu?Kur?
Sot në mëngjes. Gjithë dita na kaloi duke lajmëruar kushërinjtë, nisi të tregonte ajo tërë gjallëri,por kur vuri re fytyrën indiferente të Arianit, u step.
Po ti, pse s’gëzohesh?
Përse të gëzohem? Që po ikën në Amerikë?
Po bën sikur sapo e more vesh?Lotaria ka një vit që ka dalë.- Ajo fliste me gjallëri dhe dukej sikur nuk i interesonte trishtimi i tij i ligjshëm,madje sikur ta bënte kastile…Mami u mërzit që sot. Kur po dilja nga shtëpia erdhën tezet për vizitë. Lëre ç’vajti! Qaj e puthu,sikur të na kishte ndodhur një vdekje. Janë mësuar më njëra – tjetrën. S’ka ditë që të mos vijnë,ose ato te ne, ose ne tek ato. Lerë hallën!… Sa mori vesh që kishim marrë vizat,mbërriti në çast duke qarë.
Më keq nga të gjithë e kam unë,- i tha Ariani.
Ngadalë ti… Po na bëhesh si tezet. Më keq e kam unë…, – i tha ajo duke i shtrënguar dorën… (Fq. 18).

Amerika për shumëkë në këtë kohë ishte shndërruar në simbol të lirisë dhe mirëqenies, mirëpo për Arianin ishte kthyer në një bumerang dashurie.
Realiteti i rëndë që ka kapërthyer në gjithë hapësirat jetësore
Në këtë roman, shkrimtari Mato e thellon gërmimin e tij psiko-shoqëror të kësaj kohe të një bote të larmimshme e me vlera të shumanshme e ku personazhet janë të shumë dhe që i përkasin karaktereve po ashtu të ndryshëm, si Nani, Xhema, Famiri, Sandri, Astriti, Arturi, Shpresa, Ademi, Drinit, Luan Qosha, Sydrit Jaupi e shumë të tjerë. Këta personazhe pësojnë një varg zhgënjimesh, të cilët përmes ikjeve dhe misioneve të pafund për në shtetet e Europës, duke rrezikuar edhe jetët përmes kalimit të ujërave të detit, për të gjetur një jetë më të mirë. Autori do theksuar se në këtë kohë të pas diktaturës komuniste na paraqitet rrugëtimi dhe shtegtimi tragjik të njerëzve që përmes gomoneve famëkëqija bëjnë përpjekje për të kaluar edhe ujëra e thella të deteve, vetëm e vetëm për ta gjetur “parajsën”.
Realiteti i jashtëm, në të cilin lëviz qenia fizike e protagonistëve, shërben vetëm si një rrugëtim për të hyrë në realitetin e brendshme, të çuditshëm dhe tepër paradoksal. Protagonistët gjakojnë përfundësisht për t’i rrëfyer fshehtësitë e këtij realiteti të rëndë dhe shumë konfuz për t’i zbuluar thellësitë e mistershme të problemeve esenciale të jetës.

“Po. Po. Duhet ikur nga ky vend… Nga ky vend që s’ka para, nga ky vend me trazira të vazhdueshme dhe gjithfarëllojshme,nga ky vend me njerëz të korruptuar,nga ky vend kur njeriu për njeriun është ujk,nga ky vend ku të rinjtë plaken para kohe,nga ky vend i infektuar në strese,nga ky vend ku ia bëjmë njëri –tjetrit jetën skëterrë. Do iki, do iki,do iki! Do marr me vete “Vlorën”,- tha me vete,pa menduar se pikërisht në këtë çast po merrte një vendim të rëndësishëm për jetën e tij”. (Fq. 80).

Realiteti i rëndë ka kapërthyer gjithë hapësirën jetësore të individit dhe kolektivitetit të vendit. Ikja me gomonet dhe përfundimi tragjik nëpër këto ujëra, duke u nisur drejt brigjeve italiane, ndërkaq dallgët e valëve shumë të rrëmbyeshme dhe të çmendura i bartin në brigjet e Korfuzit. Gjatë kësaj kohe ndodheshin shumë raste të emigrantëve të cilët duke bërë përpjekje për të ikur nga atdheu i tyre, me gomone ishin zhdukur në det të hapur. Nëpër televizionet private njerëzit shiheshin sekuenca nga më të çuditshmet dhe nga më tragjike, që dukeshin sikur të trilluara, megjithatë ishte një realitet i hidhur dhe pikëllues. Shiheshin skena nga më rrëqethëse që syri nuk mund t’u besojë. Të këqijat që kanë lëshuar rrënjë janë të shumta, jo vetëm fenomeni i ikjes dhe i largimit dhe migrimi nëpër vende të Europës, si Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Angli dhe shumë vende të tjera. E keqja qëndron si makth edhe brenda shumë hapësirave të jetës që rëndon jetën e njeriut në atdhe, si blerja e vizave për ikjen jashtë; ndarja e pronave në mënyrë irracionale që shkaktonte plagë deri në vrasjen e njerëzve mes vete për konflikte pronësie. Këto raste dhe shumë të tjera bënin që policët dhe prokurorët të korruptohen; gjakimi i njerëzve të cilët kishin siguruar një qëndrueshmëri ekonomike jashtë, ndërsa dëshironin që të ktheheshin dhe të investonin në atdhe, mirëpo investimi i tyre ishte i pasigurt, sepse i tëri u digjej i tëri, që krijonte ndjenja dëshpëruese për të tjerët për të investuar në vendlindje, realiteti i rëndë politikë, sidomos në prag të zgjedhjeve në vend, sidomos mes dy partive më të mëdha, PD-së dhe PS-së, zgjedhja e përfaqësuesve të këtyre partive politike për deputetë me atribute të pamerituara dhe keqpërdorimi i pozitave nga ana e tyre, kriminaliteti i shprehur deri në skajshmëri, që jetën e qytetarëve e bënin tepër të pasigurt dhe nga që kanë thelluar ndjenjën e jetës së njerëzve dhe shumë të këqija të tjera, japin vulën e këtij realiteti objektiv.
Këto ndërthurje nuk janë kërkime teknikash rrëfimi të ngritura mbi platformë teorike të estetikës dhe procedimit me fjalën artistike. Mirëpo, e vërteta është gati e pabesueshëm e dukurive që ngjyros tragjikisht kohën tonë, por krejtësisht reale, që ngjeshët me linjat e subjektit në prozë.
Romani “Njerëzit janë si retë”, i autorit S. Mato, e ruan unitetin e vet ligjërimore e tematik, duke e lartësuar dhe duke e fisnikëruar përvojën e gjatë artistike e jetësore të shkrimtarit. Kujtimet, përsiatjet e shenjëzimet që dalin nga zëri i ditëve të caktuara, bëhen shënjëzime, përsiatje e zëra të thellësive kuptimore, të thellësisë së ndjenjave, të ideve e të mendimeve.
Shkrimtari Sulejman Mato, prozën e konkretizon me një post scriptum, përmes të cilit shtron pyetjen se “ç’qëllim kanë këto histori njerëzore, të ngjasur me histori resh në ikje, që fshihen nga kujtesa e qiellit”. Autori Mato, si përgjigje i referohet fjalëve të Schopenhaur-it i cili thotë: Të kërkosh një qiell në histori është njëlloj si të kërkosh gjire, lumenj apoluanë tek retë”.
Libri është një vlerë e padiskutueshme, që kontribuon në njohjen edhe më të thellë të letërsisë bashkëkohore shqipe dhe hapjen e një horizonti të ri në përsosjen e shijeve të lexuesit shqiptar.
*Sulejman Mato: Njerëzit janë si retë, roman, botoi TOENA, Tiranë 2010.

Filed Under: ESSE Tagged With: Mikel Gojani, njerzit, romani, si rete, Sulejman Mato

PËRMENDORE NË VARGJE PËR POETIN TË PANDREQSHËM BOHEM TAHIR DESKU

February 28, 2015 by dgreca

LIBËR NGA SIRTARI/
Mëhill Velaj: “100 rrënjë të gjethit bohem” (Antologji poetike për Tahir Deskun), Stamford CT, 2012./
Nga Mikel GOJANI/
Mëhill Velaj, krijues letrar, i cili jeton dhe vepron në Amerikë, përkatësisht në Stamford CT të këtij vendi. U lind në Gllogjan të Pejës, Lugu i Baranit, më 1957. Ka mbaruar studimet e larta, SHLP-në në Prizren, ndërsa Fakultetin Filologjik – degën e Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Për afër dy dekada ka punuar mësimdhënës në shkollën e vendlindjes. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amrikan, që prej themelimit të saj. Një kohë ishte edhe nënkryetar i kësaj shoqate. Po ashtu Velaj është edhe anëtar i Shoqatës së Artistëve Internacional (International Artists and writers Association (IWA), me seli në Ohio, SHBA dhe anëtar i Shoqatës së Poetëve të Botës (World Poets Society), me qendër në Larisa, Greqi.
Në letërsinë shqipe njihet si i cili ka lëruar në shumë zhanre të letërsisë shqipe, në poezi (për të rritur dhe fëmijë), publicistikë, eseistikë etj. Deri më tash ka botuar afër njëzet libra në këto zhanre letrare. Librat e tij janë përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të huaja, si në gjuhën angleze, frënge etj.
Kohë më parë ky krijues letrar ka botuar një libër, antologji poetike për Tahir Deskun, njërin nga poetët më të afirmuar dhe më kualitativë në Kosovë dhe letërsinë shqipe përgjithësisht.
Libri i Mëhill Velajt, “100 rrënjë të gjethit bohem”, është një përzgjedhje krijimesh nga autorë të ndryshëm nga gjithë bota letrare e hapësirave shqiptare, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal të Zi, si dhe nga diaspora në Europë dhe Amerikë, që i kushtohen poetit, publicistit, eseistit dhe reporterit të luftës së UÇK-së, Tahir Desku. Kjo përzgjedhje krijimesh nga autorë, si Mhill Velaj, Ali D. Jasiqi, Abdullah Zeneli, Agim Desku, Angjela Peza, Agim Gashi, Alma S. Zyberi, Adnan Mehmeti, Ardiana Desku, Andrea Danglli, Arbnore Z. Abazi, Agron Mirdita, Bardh Frangu, Doresa Rraci, Ardiana Desku, Dedë Elezaj, Dije Mengjiqi, Drilon Mulliqi, Ejup Ramadani, Fatmir Terziu, Faik Xhani, Fatime Kulli, Frrok Kristaj, Flamur Maloku, Gani Qarri, Gjon Neçaj, Hajdin Morina, Halil Haxhosaj, Haxhi Metaj, Ilir L. Spata, Izet Abdyli, Jehona gashi, Jessica Mulliqi, Jorgo S. Telo, Julia Gjika, Jusuf Lushaku, Kujtim Mateli, Keze K. Zylo, Kozeta Zavalani, Lulzim Logu, Mahir Morina, Lavdim Dushi, Musa Racaj, Marslinda Bajrami, Murat Gashi, Namik Selmani, Naim Kelmendi, Neki Lulaj, Përparim Hysi, Pal Ndrecaj, Raimonda Moisiu, Ruzhdi Berisha, Riza Lahi, Rita Salihu, Rrok Berisha, Sadri Kastrati, Sabit Rrustemi, Sefeme fetiqi, Shpresa salihu, Shaqir Krasniqi,Venka Capa, Xhemil Bytyqi, Vilson Culaj, Xheladin Mjeku, Xhemajl Rudi, Xhelal Tetaj, Zef Përgega etj.
Poezitë e mbërthyera brenda kopertinave të këtij libri janë të organizuara sipas një kriteri tematik. Nëse nënkuptojmë me temë konceptimin poetik ose motivin poetik, në strukturimin e të cilave ndihet dora e botuesit kompetent, i cili ka mënyrën dhe parimet e veta në evidentimin e vlerave të krijimtarisë që merr përsipër të prezantojë. Kështu ky vëllim poetik ndahet në 6 kapituj: Legjenda e re e Rozafës, Simfonia e qyqes për jetën, Pak gjurmë në dheun e Dardanisë, Në yjësinë e engjëjve të lirisë, Dallgët e Kronit të Mbretit dhe “Me zemër Shqipërie e lot Kosovë. Librit po ashtu i paraprin një prolog, përkatësisht një fjalë paraprake, edhe një parathënie informuese dhe mjaft të domosdoshme nga Hajrije Desku, e shoqja e T. Deskut dhe e krijuesit Mëhill Velajt, përzgjedhës i poezive për botim.
Libri i autorit Mëhill Velaj, “100 rrënjë të gjethit bohem”, hapet me poezinë e poetit Tahir Desku, të cilit edhe i kushtohet ky libër. Poezia titullohet: “Kam mundur të vdes”:
Sa e gjatë kjo pushkë,
Që po më bën hije mbi kokë
Te ky shkëmb, ku po e shkruaj
Këtë varg.
Kam mundur të vdes
Për shembull në Beverli Hills
Në Londër, Paris a në Barcelonë,
Bulevardeve të Evropës, të Amerikës,
Mes gjinjve të vashave,
Rimave dhe vrimave.
Kam mundur të vdes larg.
Bukur po vdes,
Tek ky shkëmb
Në këtë varg. (Fq. 5)
Në fjalën paraprake të këtij libri, Hajrije Deskut, pohon se kur Tahir Deskut i filloi prejardhja e dashurisë 20 vite më parë, duket që që atëherë paska filluar për mua prejardhja e kësaj dhembjeje, por nuk e paskam ditur. “Tani, pohon znj. Desku, pas kaq kohësh, e kuptoj mirë se kur miku im bohem hyri në botën e poezisë, qenka bërë sa e pashmangshme, po aq e patjetërsueshme kjo ndjenjë. Dhe, miku im nuk do lot, aq më pak kur ai i arrin kufijtë e përjetësisë, edhe si njeri, edhe si artist. Asnjë pritë nuk e vdes as njeriun, as artistin. Që me idenë e asaj prite, edhe njëri, edhe tjetri nisin një jetë tjetër, jetën e kujtimit. Prandaj, nuk thuhet kot se njeriu vdes dy herë, herën e dytë kur harrohet. Ajo do të ishte veçse një vdekje e bukur ose e domosdoshme për të qenë i pavdekshëm: Nuk është njësoj të vritesh në art si në pritë./ Mjer ai që nuk vritet të paktën një herë në ditë”.
Ndërkaq, autori Velaj, në fjalën e tij shprehet: “Ne shokët e Tahir Deskut, miq e poetë, u bëmë bashkë në këtë libër që bohemit tonë të pandreqshëm t’i ngremë përmendoren me simbolikën e Markquezit mbi simbolikën e vetë Deskut. Dhe, ne me 100 poezi po i vrasim vetminë edhe atij, edhe vetes sonë, duke ushqyer me aq rrënjë atë gjethin që vetë ai po e kërkonte të vdiste në të. Dhe, Tahir Desku u bë kështu i vetmi poet i botës që zgjodhi gjethin për shirat e vdekjes. Dhe, në këtë shtrat po përkundet një engjëll lirie. U përpoqëm të bëjmë të përkundet edhe në çdo shkronjë të vargjeve tona, duke u munduar ta portretizojmë sa jetën, po aq edhe pasjetën e tij. Sa poet, secili e kemi ndjerë edhe si luftëtar lirie dhe si reporter të luftës. Si në vargjet tona, po ashtu edhe në male po i qeshte lirisë. Po aq e kishte të fortë edhe frikën se nuk do ta jetonte atë. Fatkeqësisht, i doli ashtu. Dhe, i mbetën vargjet pa thënë: “Ja, e shihni se nuk vdiqa larg,/ Te Kroi i Mbretit gjeta gjethin,/ Pa e thënë edhe ndonjë varg…”
Siç vërehet nga prezantimi i këtyre poetëve (në mesin e tyre edhe emra të njohur në poezinë shqipe), duhet të besohet se libri,”100 rrënjë të gjethit bohem”, të përzgjedhësit Mëhill Velaj, duhet të besohet sa ka dalë një libër me vlera letrare, e cila mund t’i prezantohet lexuesit shqiptar. Krijuesi Velaj, ka bërë një përzgjedhje autoriale të mirë, mirëpo siç shprehet edhe përzgjedhësi Velaj, se është i vetëdijshëm se jashtë kopertinave i kanë ngelur edhe shumë poetë e krijues të merituar, të cilët për arsye të ndryshme nuk janë përfshirë në këtë libër tematik.
Poezitë e prezantuara të këtyre autorëve në këtë vëllim poetik së pari sjellin autenticitetin e fjalës së tyre, dëshmojnë rrugën e evolimit të vargut të tyre, problematikën që marrin për shqyrtim, në këtë rast prezantimin si vegim drite të figurës së poetit me vlera dimensionale, Tahir Desku.
Kjo poezi reflekton mjaft nga tradita e poezisë shqipe në figuracion, me të cilën ngjizet bota motivore dhe artistike, por kujtimet e vetëdijshme përmes trazimeve të imazheve që ngërthen motive prekin thellësinë e esencës së tematikës.
Mbrëmë foleja e maleve rënkoi,
Vdiq fshatari fytyrëlavër nga rropatjet,
Toka hapi kraharorin e mortajës,
E përpiu atë trup të zhgarrnuar,
Të vajtuar me lot të vajtoreve.
Rrugët u dridhen prej fëmijëve të zverdhur,
Mbeten bimë të tubuara në harresë djerse e gjaku,
Në flokët e blertë të vocërrakëve u derdh malli
Në vatër dashurinë e mori peng.
(Ali D.Jasiqi, Poezia: Rënkim, fq. 62.
Poezitë të këtij vëllimi poetik, ndjehet natyra e fjalës së ngjeshur, si një mënyrë të krijuari dhe të shijuari të bukurisë së saj. Megjithatë, lakonizmi nuk mëton ngushtimin e këndvështrimeve, por gjetjen e thelbit të çastit poetik, të situatës emocionale, të karakterit, që skicohet kryesisht me anë të gjetjes dhe pranëvënies së skajeve të së njëjtit motiv.
Përveç këtyre autorët e pëlqejnë të përdorin figurat stilistike, sidomos metaforën, që i japin fuqi vargut. Në disa poezi ndihet përpjekja e autorëve për të dhënë thelbin filozofik të motivit që kanë marrë për shqyrtim, ata merren me qenien, kuptimin e ekzistencës së saj në mënyrat e tyre, duke i shtruara tezat filozofike, mirëpo edhe duke i dhënë kuptimin motivit, përkatësisht duke përçuar mesazhet shumë kuptimplote dhe të një rëndësie shumëdimensionale.
Libri “100 rrënjë të gjethit bohem”, i Mëhill Velajt, është një kontribut i përgjithshëm i sistematizuesit të tematikës në shqyrtim, një ndihmesë serioze dhe i domosdoshëm për të ardhmen, për gjithë ata që dëshirojnë të merren me këtë figurë të rëndësishme të letërsisë, T. Deskun. Ky angazhim i Velajt është fryt i punës së palodhur mirëfilli krijuese dhe intelektuale në shërbim të letërsisë shqipe, për një shkrimtar tepër të rëndësishëm të letërsisë dhe kulturës shqiptare, të cilit studiuesit me siguri se në të ardhmen do t’i rikthehen pa dyshim dhe figura e vepra e tij do të jenë objekt shqyrtimi dhe studimi, ndoshta edhe më shumë së ç’mendohet tani për tani.
Libri i Mëhill Velajt, “100 rrënjë të gjethit bohem”, është një vlerë e padiskutueshme, që kontribuon në njohjen edhe më nga afër të vlerave letrare, publicistike, eseistike dhe zhurnalistike të Tahir Deskut, krejt këto vlera prezantohen përmes vargjeve që autorët e librit i kanë krijuar.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Mhill velaj, Mikel Gojani, përmendore, tahir desku, TË PANDREQSHËM BOHEM

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT