• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një Monument i Nënë Terezës në Malin e Dajtit?

August 30, 2021 by s p

Nga Dritan Zaimi /


Shumë ide interesante kanë lindur me “po sikur…”. E ndërsa jo të gjitha idetë mund t’ja vlejnë të realizohen, jam partizan i mendimit se çdo ide ja vlen të thuhet e të dëgjohet. Shumë ide vdesin nga hezitimi për tu shprehur dhe shumë të tjera nga pamundësia e ideuesit për ti realizur vetë, por kur është fjala për një të mirë të përgjithëshme, çdo ide ja vlen të shprehet, ndoshta dikush tjetër ka mundësinë për ta realizuar.Po sikur të ndërtonim një monument të Nënë Terezës në majën më të lartë të Malit të Dajtit? Humanistja më e madha shqiptare,  fituesja e çmimit nobel meriton të nderohet në mënyrë dinjitoze.  Shumë njerëz në botë atë e njihnin kur ende nuk kishin dëgjuar asgjë për Shqipërinë, ajo ishte pasaporta ndërkombëtare e prezantimit të shumë shqiptarëve  në botë. “Vij nga vend i Nënë Terezës, Shqipëria” ishte prezantimi i përherëshëm i shumë artistëve, sportistëve apo miseve përfaqësuese të Shqipërisë në botë, dhe prezantim ky mjaft dinjitoz. Po ndersa Nënë Tereza e ka kryer mësë miri misionin e saj në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve sikur ishte e gjalle edhe pas vdekjes, në sajë të famës së saj, po ne shqiptarët sa kemi bërë për të?Në shumë vende, figura të tilla me famë dhe impakt të madh në botë, nderohen duke i’u vendosur monumentet në majat më të larta dhe dominuese, ndërsa ne në Shqipëri ende nuk kemi një muze të vizitueshëm për ti treguar fëmijëve tanë dhe vizitorëve të huaj më shumë për atë që kanë dëgjuar apo lexuar për Nënë Terezën dhe lidhjen e saj me tokën shqiptare. Dhe kjo nuk duhet bërë si për hatër të Nënë Terezës. Jo, Nënë Tereza  bëri mjaftueshëm për të nderuar vetë veten e saj dhe madje gjithë kombin, dhe përfaqëson simbolin më të mirë të sakrificës sublime në mbrotjetë paqes dhe në ndihmë të vobektëve në botë.Këtu nuk bëhet fjalë për të nderuar Nënë Terezën, se fortë e nderuar është edhe pa të, të cilën e ka nderuar bota mbarë që për sëgjalli, këtu është fjala që ne të nderojmë vetë-veten, të vlerësojmë vlerat kombëtare, lehtësisht të atribuara nga ndërkombëtarët dhe me to te krenohemi më tej.Kështu, pra, përse te mos i ofrojmë Tiranës një tjetër atraksion të fuqishëm turistik, një monument me përmasa sinjifikative të Nënë Terezës, vendosur në majën më të lartë të Malit të Dajtit. Monument i cili të jetë dominues dhe lehtësisht i dallueshem ditën dhe natën në sajë të ndriçimit të përshtatshëm. Një motiv më shumë që vizitorët të vazhdojnë ecjen e tyre drejt majes së malit, në një eksperiencë që gërsheton aventurën, kulturën dhe besimin, fare pranë Tiranës dhe aeroporti me të njëjtin emër?Kur do të fillojmë të mendojme seriozisht për figurat dhe pasuritë tona kombëtare? Jo, ju lutem mos mendoni se është e pamundur, mos mendoni se malet i kemi vetëm për antenat drastike të kompanive celulare apo televizive?  Këtyre kompanive që shfrytëzojne malet tona dhe na bombardojnë çdo ditë me rrezatimin e tyre “bamirës” mund tu kërkohej që njëkohësisht dhe sëbashku të projektonin dhe realizonin këtë projekt në shërbim të shqiptarëve. Le të shpresojmë se ndoshta dikush ka mundësi që të shkojë përtej idesë, drejt një realizmi që do të na kënaqte dhe do na bënte krenar ne të gjithëve.

Filed Under: Kulture Tagged With: Dritan Zaimi, monument, Nene Tereza

Bëni një monument për këpucarin Sadik Memeti

August 26, 2016 by dgreca

Nga Gëzim Zilja/

Sadik Memeti (Diku) është këpucari i lagjes Skelë. Ka dyzetepesë vjet që e kryen atë profesion. Nuk ka kryer asnjë heroizëm, nuk ka qenë partizan, nuk ka qenë sekretar partie, as deputet, nuk ka vjedhur, nuk ka qenë në burg për asnjë arsye, nuk është themelues i asnjë partie dhe nuk ka kërkuar favore prej tyre. E bija studion në fakultetin juridik në Tiranë dhe është studente e shkëlqyer.

-Nuk i kam zenë njeriu derën as për të drejtë studimi dhe as për nota.

Kur thotë këto fjalë buzëqesh dhe më shikon në sy. Unë e kuptoj nëntekstin: E ku do të shkoj? Këta të gjithë duan para, por unë nuk u jap asnjë qindarkë. Vajza po qe  e zonja le t’i fitojë të gjitha vetë.Ndërkohë në dyqan vijnë dhe ikin të burra, gra, të rinj, të reja por edhe fëmijë. Diku i dëgjon plot durim, u thotë ditën, kur të vijnë t’i marrin këpucët dhe nuk pranon parapagim .

-Duhet t’u pëlqejë puna pastaj të bëjnë pagesën- përgjigjet kur e pyes. – Pastaj ka nga ata që nuk kanë lekë dhe i bien me vonesë. Më shumë se dymijë lekë të vjetra nuk u marrë. Kur dikujt nuk i pëlqen çmimi, gjithë dashamirësi i thotë: -Jep sa të duash. Edhe po nuk pate nuk ka gjë- dhe vazhdon i qetë punën. Edhe kur vijnë fëmijë edhe kur vijnë të rritur ai i trajton me të njejtën mirësi.

Bën muhabet shtruar, më shikon hera-herës në sy, pa ndaluar punën. Më sqaron me durim se sandalet e nipit duhet pa tjetër të qepen me spango të fortë që të mbajnë, se ngjitësi është i dobët dhe nuk mban në lagështirë. Te Diku ka rregulluar këpucët babai im, unë, fëmijët e mi dhe tashmë nipi im. Katër breza me rradhë! Lagjja Skelë me gjithë rrethinat ka njëzet mijë banorë dhe pjesa dërrmuese vijnë këtu dhe rregullojnë këpucët, çantat dhe gjithçka tjetër prej meshini ose egeliti që mund të meremetohet. Shpesh rri deri vonë për të qenë korrekt me klientët, sepse ‘’këpucët i duan shpejt se i duan për dasëm, ose nuk kanë të tjera’’. Në mur janë të varura Licenca, rregjistrimi në QKR dhe një lajmërim që thotë: Ju lutem merrni kuponin tatimor. Në një anë të murit mbi raft, janë tre palë sandale dhe tre katër palë këpucë të meremetuara, që i pashë dhe vitin e kaluar. Kanë mbi dy vjet por nuk kanë ardhur t’’i marrin. Le të jene aty kushedi edhe kujtohen të zotët, thotë Diku.

Nuk ka një certifikatë mirënjohjeje, as medalje, as fletë falënderimi të varur në mur nga ndonjë institucion Shtetëror ose Shoqatë. Në një vend me kaq pak njerëz sa Shqipëria, jepen aq shumë dekorata, medalje e certifikata mirënjohjeje, nga presidenti, kryeministri, ministrat, institucionet e tjera shtetërore, e shoqatat saqë ngelesh pa mend. Në Vlorë japin vlerësime Bashkia, Qarku, Prefektura, Komunat, Universiteti Ismail Qemali, Shoqatat atdhetare e jo atdhetare, që Vlora ka me dhjetëra etj, etj. Dekorohen oficerë e ish oficerë të Enver Hoxhës, ish partizanë, aktivistë, shkrimtarë, poetë, shkencëtarë(?), politikanë, mësues, mjekë, biznesmenë, madje arrijnë sa u venë rrugëve të qytetit emrat e baballarëve e të afërmve, që nuk kanë asnjë kontribut qytetar.  Po kjo është tjetër çështje.

-Diku, nuk ke asnjë dekoratë? Ke dyzetepesë vjet që u shërben njerëzve, – bëj shaka me mikun tim të vjetër.

-Ç’i dua? Pse pak janë këto? tregon me dorë lejen e  QKR-së dhe lajmërimin për tërheqjen e kuponit tatimor.

Nuk thotë fjalë të mëdha Diku. As që do t’u shërbejë njerëzve sa të kem frymë, as që unë i dua njerëzit, as që meremetoj falas ndonjëherë, as që më njeh i madh dhe i vogël, asgjë të tillë. Nuk ka nevojë. Brenda një ore pashë me dhjetëra njerëz, që hynin e dilnin në  dyqanin e tij të vogël, atje prapa fasadës, në zemër të Skelës, që përkuleshin gjithë respekt e mirënjohje dhe uronin: Rrofsh o Diku! Faleminderit! Të të rrojnë fëmijët! Dritë t’u bëftë! Po sa mirë i ke rregulluar more!? Duken si të reja! Hallall, hallall!

Nëse kurrkush nuk kujtohet për t’i dhënë një medalje a dekoratë këpucar Dikut, i ngrini një monument a përmendore, atje në qendër të Skelës! Nuk ka nevojë për diçiturë. E njohin të gjithë, i janë mirënjohës, e duan i madh dhe i vogël. Është njeri i mirë, i ndershëm, jeton me djersën e ballit dhe i shërben komunitetit të Skelës prej më shumë se dyzet vjetësh. Nuk mjaftojnë të gjitha këto t’i ngrihet një monument si përfaqësues i vlerave njerëzore?! Ai nuk ka shpallur Pavarësinë e Shqipërisë as ka firmosur ndonjë traktat të rëndësishëm. Por në kohërat që jetojmë është një shembull për t’u ndjekur nga çdo shqiptar, kudo jeton e punon.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Zilja, monument, Sadik Mehmeti

Bifurkacioni i Nerodimes, një monument shumë i veçantë për Kosovën

June 5, 2016 by dgreca

– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në përurimin e funksionalizimit të Bifurkacionit të Nerodimës, ku u shënua edhe Dita Botërore e Mjedisit/

–Mustafa: Përveç infrastrukturës do të hapim perspektivë ekonomike në fshatrat e Ferizajt/

 FERIZAJ, 5 Qershor 2016-B.Jashari/ Bifurkacioni i Nerodimes është një monument shumë i veçantë për Kosovën, tha sot kryeministri Isa Mustafa.

“Këtu në ndarjen e këtij lumi në dy lumenj, të cilët na qesin pastaj në dy dete të ndryshëm, në Detin Egje dhe në Detin e Zi, është një rast i veçantë i cili është këtu tek ne në Kosovë. Ne kemi dëshirë që ta kultivojmë, ta mbajmë mirë, të zhvillojmë turizëm, të krijojmë kushte që njerëzit të vijnë dhe ta vizitojnë sepse vërtetë meriton vizita dhe meriton kujdes”, tha kryeministri, duke falënderuar Komunën, Ministrinë e Mjedisit dhe Komisionin Evropian për investimet.

Kryeministri Mustafa, më tej tha se këto investime tani duhet të rikthehen dhe t’u jepet vlera e tyre.

“Të punojmë dhe të japim shembull të mirë se si duhet të kujdesemi në mënyrë që mjedisin ta bëjmë më të përshtatshëm për njerëzit, për qytetarët tanë, për fëmijët tanë dhe për ardhmërinë tonë”, theksoi ai.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në përurimin e funksionalizimit të Bifurkacionit të Nerodimës, ku u shënua edhe Dita Botërore e Mjedisit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministra, deputetë, kryetari i komunës së Ferizajt dhe shumë qytetarë e ambientalistë.

Kryeministri Mustafa tha se Dita Botërore e Mjedisit flet për ndërgjegjësimin e njerëzimit për kujdes ndaj planetit dhe ndaj mjedisit si dhe marrjen e përgjegjësive për mjedisin.

“Edhe motoja e kësaj dite është që ne të kujdesemi për vendin tonë, të kujdesemi për planetin dhe të marrim përgjegjësinë për të. Është edhe ditë e njerëzve sepse është në vullnetin e tyre, në përgjegjësinë e tyre, që ata të marrin masa pozitive që të përmirësojnë ambientin në të cilin jetojnë”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, tha se Dita Botërore e Mjedisit është një datë e veçantë për Kosovën sepse është ditë kur mund të shpalosen të gjitha vlerat e mjedisit të Kosovës, vlera të shënuara edhe në përmasa botërore e të cilat meritojnë të mbrohen në mënyrë institucionale.

Ministri Agani foli edhe për faktin se shumë prej këtyre vlerave janë të kërcënuara si pasojë e proceseve të ndryshme degraduese, duke shprehur përkushtimin e plotë të qeverisë së Kosovës për të punuar edhe më shumë që këto degradime të parandalohen dhe të ndërpriten dhe që këto vlera të mbrohen.

Ministri më tej ka folur për çështjet e shumta globale mjedisore që kanë nevojë për vëmendje urgjente siç janë ndryshimet klimatike, siguria mjedisore dhe zhvillimi i qëndrueshëm mjedisor.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa tha se funksionalizimi i Bifurkacionit të Nerodimes është ngjarje shumë e rëndësishme për Ferizajn dhe Kosovën, pasi që e vendos në rrugë të mirë këtë fenomen të rrallë për të luajtur rolin që ka në pasurinë turistike e natyrore.

Sfarqa tha se funksionalizimi i Bifurkacionit paraqet një prej vendimeve më domethënëse të qeverisë për të ndihmuar Ferizajn që të realizoj synimet zhvillimore të saj.

Ai më tej tha se komuna e Ferizajt, me përkrahjen e qeverisë së Kosovës dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, ndodhet në prag të nisjes së investimeve të rëndësishme zhvillimore.

“Këto investime pritet të përmirësojnë ndjeshëm gjendjen infrastrukturore dhe gjendjen e qytetarëve të komunës së Ferizajt dhe të rrethinës”, tha Sfarqa, duke përmendur fillimin e ndërtimit të Spitalit Rajonal në Ferizaj, zgjidhjen e problemit të hekurudhës, zgjerimin e rrugëve nacionale dhe hyrje daljet e Ferizajt, si dhe investimet në Hidrosistemin e Lepencit, që do t’ia zgjidhin Ferizajt përfundimisht problemet e ujit të pijshëm dhe të ujitjes.

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot edhe fshatrat Dardani dhe Zllatar të komunës së Ferizajt, ku mori pjesë në përurimin e rrugës së re të ndërtuar me standardet më të larta evropiane, me gjatësi 3200 metra dhe gjerësi 6 metra, që lidh këto fshatra me magjistralen Ferizaj-Gjilan.

Kryeministri Mustafa u prit nga qindra banorë të këtyre fshatrave si dhe nga kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, deputetë të Kuvendit të Kosovës, asamblistë  komunalë dhe përfaqësues të tjerë locale.

 

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Mustafa tha se ndërtimi i kësaj rruge me standard, justifikohet më së miri me pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në këtë përurim.

 

“Në qoftë se një investim nuk përjetohet nga qytetarët, nuk përjetohet nga njerëzit për të cilët bëhet dhe nuk pranohet nga ata, atëherë ai investim nuk e ka edhe vlerën e vet. Unë vlerën më të madhe të kësaj rruge e shoh në ju, në pjesëmarrjen e juaj këtu sot, në këtë numër të madh të njerëzve që e shënojnë këtë sukses, si sukses të tyre”, tha kryeministri.

 

Më tej, Mustafa tha se këtij suksesi do t’i shtohen edhe suksese të tjera.

 

“Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që edhe zhvillimin ekonomik ta shpërndajmë kështu. Siç po ndërtojmë rrugë do të ndërtojmë edhe fabrika të vogla nëpër vendbanimet e juaja, në mënyrë që ju të gjeni punë këtu, këta të rinj dhe fëmijë që janë këtu të gjejnë ardhmërinë e tyre dhe perspektivën e tyre në këtë vend, në këto fshatra, në këtë komunë, në këtë Kosovë që e duam kaq shumë dhe që se zëvendësojmë me asnjë vend tjetër”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur përkrahjen për kryetarin e komunës edhe për kërkesat që i ka për rrugët e tjera.

 

Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, falënderoi kryeministrin Mustafa për praninë, duke theksuar se ai po i ndërron pamjen jo vetëm Ferizajt por edhe Kosovës përmes investimeve që po bën.

 

Kryetari Sfarqa tha se pas përfundimit të kësaj rruge, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, do të punohet që ky lokalitet të lidhet edhe me Komunat e Gjilanit dhe të Vitisë.

 

“Vetëm 3 kilometra nga këtu mund të lidhet rruga që shpie në magjistralen Gadime-Gjilan, që do ta lehtësoj qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave që lidh komunat tona si dhe me komunën e Vitisë në fshatin Remjan”, tha Sfarqa.

 

Ai më tutje tha se banorët e këtij lokaliteti duke qenë njerëz punëtorë e të vyeshëm janë bërë pjesë e zhvillimeve dhe e realizimit të planit qeverisës të Komunës së Ferizajt dhe më gjerë.

“Komuna e Ferizajt po bën investime në të gjitha sferat infrastrukturore për t’ua lehtësuar qytetarëve jetën e tyre, për të krijuar një perspektivë për të gjithë, në mënyrë që lëvizjet që ka pas ky lokalitet nga fshati në qytet të ndërpriten sepse edhe Zllatari edhe fshatrat tjera po marrin gjithnjë e më shumë pamjen e fshatrave evropiane”, tha kryetari Sfarqa.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, monument, Nerodima

SETA, MONUMENT HISTORIE DHE TRIMËRIE

October 7, 2015 by dgreca

Setën, ashtu si edhe degët e tjera të Drinit të Zi që nga Zalli i Okshtunit e deri Mallë të Lurës i kanë marrë njerëz morali i të cilëve është “As fëmijët e mi, as fëmijët e fëmijëve të mi, nuk do të kenë nevojë të punojnë…”

Nuk e di në se në këtë valle hedh këmbët deputeti i Dibrës, djali i Çidhnës ministër i ekonomisë Shkëlqim Cani…
Nuk e di. Ashtu si nuk e di në se do të fillojë hapja e tunelit për të parë dritë Rruga e Arbërit, ashtu si nuk e di se çfarë përgjigje kanë marrë kinezët për kërkesën e tyre për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës, dënimin me mbytje të luginës më të madhe dhe më pjellore të Drinit të Zi…
Nuk e di edhe në se çidhnakët me “pushkë ngrehur” e “ballë djersitur” në histori, do të ngrihen në këmbë…/
Shkruan: Abdurahim Ashiku, gazetar/ Athine/E kam jetuar Setën ndryshe nga degët e tjera që mjelin malet për ta përcjellë shkumën e vluar të mbi Drinin Zi.
E kam jetuar në shkulmin që buron nga gjiri i malit e në rrjedhën që zbret nga liqenet. E kam fotografuar dhe jam fotografuar përballë ujit që  përplaset gurëve të latuar të shkëmbit.
E kam jetuar në “tamë të vijës”, atje ku merr rrugë një kanal që i foli kohës me një  “piketë me plumb pushke”, me trimërinë më të pastër e më heroike të dibranëve, me rrjedhën e ujit në gjashtë kilometra  mbi e mes shkëmbinjve të paarritshëm deri atëherë, me tetëqind metro tunel nëpër Gjalicat asokohe të pakalueshme…
Në korrik të vitit 1967 uji i Setës vaditi për herë të parë tokat e Çidhnës për të vijuar në vitet më tej drejt Dardhës e Reçit nga njëra anë, me sifon drejt Sinës e po me sifon drejt Fushës së Çidhnës dhe Kastriotit deri në Vakuf në dhjetor 1969…
Edhe sot, po të kalosh anës kanalit të Setës, Gjalicave, rrugicës si fije peri që varet pas shkëmbinjve pyet i habitur “Çfarë njerëzish kanë qenë ata që u varën në këto hone të thella, që çanë malin dhe krijuan këtë vepër ujore, këtë vepër arti me përmasa marramendëse?”
Në gazetën “Bashkimi” të 30 gushtit 1967 shkruhej: “…Më 1 mars filloi puna. Uji në bazë të planit duhej ti jepej fshatarëve në vitin 1969, kurse ai filloi të rrjedhë 6 muaj pas fillimit të punimeve, pra dy vjet para afatit…Ishte planifikuar të punohej gjatë tre vjetëve, të hapeshin tre tunele, të punohej në 6 fronte pune. U punua 6 muaj, u hapën 13 tunele, u punua në 26 fronte pune njeri më i vështirë se tjetri…”
Nuk ka degë të Drinit të Zi ku të jetë shkruar kaq pastër trimëria dhe begatia, heroizmi i vjetër dhe heroizmi i ri i një populli që e ka në gjak punën, shpatën dhe barotin…
Atje ku derdhet Seta u shkrua për herë të parë, me majën e shpatës, trimëria e përbashkët e shqiptarëve, fitorja e madhe kundër ushtrisë më të madhe, më agresive e më të pajisur në armë dhe urrejtje, kundër Perandorisë Osmane, në betejën e Torviollit…
Atje, në brigjet e saj u derdh aq gjak sa nuk ishte derdhur asnjëherë në trojet shqiptare. Mënia e osmanlinjve nuk njohu kufi, shoi një qytet të tërë, qytetin e Çidhnës, folenë e trimërisë dibrane…
Nuk dua të hy në “thekrin e historisë”. Është i dendur, më i dendur se kudo në Dibër. Le të hyjnë historianët…
Thashë në fillim se e kam jetuar Setën më gjerë se degët e tjera të Drinit të Zi. I kam përshkuar Gjalicat duke e matur çdo hap, duke e ndalë vështrimin e fiksuar pamjen e kanionit në tërë madhështinë e tij ku frika herë bashkohej me bukurinë e herë ndahej për të udhëtuar në një unazë pambarim.
Në vitin 1988 kam fiksuar disa fotografi mbi Setë, mbi burimet e Sopanikës, të rralla në natyrën e Dibrës. Asokohe ishte llogaritur që pa prishur bukurinë e rrjedhës të merrej “një brazhdë ujë” e nëpërmjet një stacioni pompimi, pasi të ngjitej në lartësitë e fshatit Kodër-Leshe të kalonte Drinin për tu dhënë ujë të pastër të pijshëm fshatrave që nga Fusha e Çidhnës deri në Brezhdan e Ushtelencë. U salduan, u lyen me zift dhe u futën në thellësi të tokës tubacionet. Kam fiksuar në celuloid saldimet parafundore në lagjen Sopote-Ashike të Brezhdanit…
Nuk e di se çfarë u bë me tubat. Nuk kam dëgjuar e lexuar për këtë ujësjellës që do t’ia ndryshonte jetën dibranit të Topalltisë përveçse një “përurimi punimesh” natën pa hënë në Kastriot, në maj të vitit 1996…
Në rrugë satelitore, në mjetet e komunikimit të gjerë më vjen një lajm, më vjen një skicë, më vjen një kob fjalësh…
Flitet për një hidrocentral…
Jo për Skavicën. Për të heshtet si para një furtune…
Flitet për një hidrocentral mbi Setë…
“Ky hidrocentral do të përbehet nga tre vepra marrje anësore. Skema e shfrytëzimit të këtij hidrocentrali është tepër karakteristike dhe interesante sepse ka në përbërje një mori veprash për vet faktin e shfrytëzimit hidroenergjetik. Të tre veprat e marrjes të cilat do të ndërtohen rreth kuotës 489 m (e para në shtratin e përroit të Satës dhe dy të tjerat në dy degët në krahun e djathtë të rrjedhës së saj), tre dekantuese, tre basene presioni, nga të cilët dalin tre tubacione me presion me të cilët para hyrjes në tunel bashkohen në një të vetëm. Gjithashtu mbas bashkimit të tubit në një të vetëm me D=200 mm, tubi hyn në tunel rreth 800 m, dhe disa metra më andej hyn prapë në një tunel 140 m ku tubi i presionit do jetë futur në tunel dhe mbas daljes së tij shkon direkt në godine që do të ndërtohet në afërsi të derdhjes së përroit në lumin Drin rreth kuotës 385 m.
Nuk mund të heshtja. Shënova…
Ky është shkatërrimi total i bukurisë së bukurive dibrane, masivit të Setës. Gjithë këto tuba, gjithë këto tunele, gjithë këto vepra marrje do ta shkatërrojnë tërësisht Setën. Në librin tim PO DIBRËS! JO SKAVICËS! kam shënuar se Seta mund e duhet të mbajë vetëm një hidrocentral me një digë mbi hidrocentralin ekzistues, digë e cila do të krijojë një liqen të bukur mes dy maleve të Gjalicave që formojnë një “tunel natyror”. Nëpër liqenin e krijuar mund të vendosen gondola që mes mrekullisë historike dhe heroizmit të pashembullt të dibranëve për hapjen e kanalit të Setës do të mahnitnin turistët të cilët më pas, me një teleferik nga burimi i Setës në Gurë Lurë do të ngjiteshin tek Liqeni i Luleve…
Setës nuk duhet ti shpërbëhet bukuria natyrore. Çdo gjë atje duhet të ndërtohet në interes të turizmit malor në kompleksin natyror Çidhën, Pllajë, Gurë Lurë, Liqenet e Lurës, Fushën e Pelave… për të vazhduar më tej në Vanas, Varosh… Zall Gjoçaj…Kurbnesh…

Haki Përnezha, një studiues i pasionuar i historisë dhe i vlerave të Çidhnës shkruante me ironi..
…Ju lumëshin duart zotërinj të HEC-Seta 4. Populli i kësaj ane me zemër ju përgëzon pasi juve nuk ju ka zënë gjumi i natës derisa shtitë në dorë këtë burim ujor i cili është pjesë e jetës, e gjakut dhe e historisë shekullore të të parëve tanë deri në ditët e sotme. Lavdi Zotit erdhët ju, që na e qani hallin dhe na sillni gjithë ato te mira sa ne nuk dimë si t’ju falënderojmë për këtë nder që na bëni duke e shkatërruar përfundimisht ekosistemin e kësaj perle natyrore siç është Kanioni i Setës…
Një mik që aktualisht po ndërton një HEC të tillë si ky i juaji por në një vend tjetër te Dibrës me tha: “TANI AS FËMIJËT E MI, AS FËMIJËT E FËMIJVE TË MI, NUK DO TË KENË NEVOJË TË PUNOJNË…”

Seta, ashtu si edhe degët e tjera të Drinit të Zi që nga Zalli i Okshtunit e deri Mallë të Lurës në derdhjet e tyre në Drinin e Zi i kanë marrë njerëz morali i të cilëve është “As fëmijët e mi, as fëmijët e fëmijëve të mi, nuk do të kenë nevojë të punojnë…”
Nuk e di në se në këtë valle hedh këmbët deputeti i Dibrës, djali i Çidhnës ministër i ekonomisë Shkëlqim Cani…
Nuk e di, ashtu si nuk e di në se do të fillojë hapja e tunelit për të parë dritë Rruga e Arbërit, ashtu si nuk e di se çfarë përgjigje kanë marrë kinezët për kërkesën e tyre për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës, dënimin me mbytje të luginës më të madhe dhe më pjellore të Drinit të Zi…
Nuk e di edhe në se çidhnakët me “pushkë ngrehur” e “ballë djersitur” në histori do të ngrihen në këmbë…

Abdurahim Ashiku, gazetar

Athinë, 25 shtator 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku, HISTORIE DHE TRIMËRIE, monument, SETA

Kuvendi i Lezhës, monument i kujtesës historike të shqiptarëve

March 1, 2014 by dgreca

Koment nga Kryetari i Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj/

Lezha, megjithëse, një qytet i njohur që në lashtësi, si qender administrative,  me vazhdimësi të jetes urbane, nyje e rendesishme tregëtare e ushtarake  në kryqëzim të rrugëve të principatave, gjithmone është njohur dhe identifikuar si qytet i Kuvendit dhe Beslidhjes së parë të Shqiptarëve .Në këtë qytet, 570 vjet më parë,  në mars të vitit 1444, u zhvillua Kuvendi i Kombëtar, ku lindi Besëlidhja e Lezhës, një lidhje politiko-ushtarake, si aleance e princerve shqiptare kunder pushtimit otoman. Ne kulm  të mesjetës, kur retë e zeza të pushtimit otoman kërcënonin me luftë shkatërrimin dhe asimilimin e qytetërimit shqiptar dhe europian, u shfaq në skenen historike si protagonist, kalores,  komandant  legjendar dhe politikan i spikatur Gjergj Kastrioti – Skenderbeu.

Shfaqja e Skendebeut ne historine  e Arberise dhe  Europes u realizua ne rrethana te favorshme te krijuara ne fund te vitit 1443 ne juglindje te kontinentit, ku rezistenca e armatosur e popujve kunder perandorise otomane kishte arritur suksese  historike.Kur Huniadi  në fund te vitit 1443, kapërceu Moraven dhe sulmoi në befasi  ushtrinë turke, një grup prej 300 kallorësish shqiptarë me në krye Gjergj Kastriotin  iu shmangen luftes për të marrë rrugen drejt perendimit  në vijen e vjeter Egnatia duke kaluar në grykë të Vardarit, në Dibër dhe  Mat për të ndaluar në Krujë kryeqendren e Kastrioteve.  Atë dite, Huniadi  pat thënë: E fitova betejen në çastin që  Gjergj Kastrioti kthente kalin e tij drejt Arbërise”.

Me të hyrë në Krujë Gjergj Kastrioti, hoqi rrobat e komandantit turk dhe veshi rrobat e princit të Krujes, ndërroi fenë për të marrë mbeshtetjen e Europes dhe Papatit, futi nën sundim kështjellat që i paten lënë të parët, duke vene ne vend autoritetin dhe influencen e familjes së Kastriotëve në trojet e Arbërit.

I rritur e arsimuar në oborrin e  Sulltanit, njohës i forces dhe dredhive  të perandorisë,  ishte i bindur se pa aleatë të brendshem dhe të jashtëm nuk mund të  ndalohej superfuqia ushtarake e kohes.  Në rradhë të parë  mendoi të organizonte bashkimin  politik e ushtarak te shqiptareve  për t’i bërë ballë invazionit otoman.

Ai thirri  në Lezhë  Kuvendin e krerëve shqiptarë të principatave.

Prijësit shqiptarë, deri atëhere të përçarë dhe në luftë në mes tyre më shumë se sa kunder pushtuesit otoman, e pranuan  thirrjen e Skendërbeut, të bindur tashmë se kishte ardhur koha dhe ishte shfaqur njeriu  që mund të udhëhiqte  popullin  dhe mund të drejtonte  kryengritjen e armatosur  kunder perandorise osmane me sukses të padëgjuar deri atëherë.

Në katedralen e Shënkollit  në Lezhë,  për herë të parë në histori u ulen bashkë, Nikoll Dukagjini e Lek Zaharia, Gjergj Araniti e Theodhor Muzaka, Gjergj Balsha e Pjeter Spani, Lek Dushmani e Stefan Cernojeviç, të cilët  moren vendime me vlera historike për popullin dhe trojet shqiptare.

Në Lezhë u hodhen themelet  e shtetit te bashkuar arbëror, u vendos ngritja e ushtrisë së bashkuar të principatave dhe u bë bashkimi i financave.  Në vend  u krijua një  konfederatë principatash të pavarura. Kuvendi  pati rol transformues në jetën e arbërve të mesjetes, ndikim evident ne zhvillimet historike te mëvonshme, dhe kontribut  të pa zevendesueshem nëe formesimin e identitetit tonë kombëtar.

Kuvendi i mbledhur  në Lezhën shqiptare, dikur Kryeqendra e Dukagjinëve tani nën Venedikun, ishte  edhe  garanci  per Republikën  për paqe e miqësi nga ana e Skenderbeut, principatave shqiptare dhe  ushtrise se bashkuar te Arberise. Nga ana tjetër kënaqte Dukagjinët të cilët kishin qenë zotëruesit  e mëparshëm të ketij qyteti.

Barleti thotë se Gjergj Kastrioti iu drejtua  krerëve te principatave: “ Ejani, pra, kryetrima, merrni harkun dhe mbroni me lavdinë më të madhe atdheun, gratë, femijët dhe të mirat tuaja, silluni atyre qetësine e vertetë të lirisë”.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, doli nga Kuvendi i Lezhes  prijës i ushtrisë së përbashkët dhe udheheqes i Lidhjes  me nje ushtri nga i gjithe  vendi  i gatshem për betejat e ardhshme,  pasi prijësit e arbërit tashme i kishte venë  në besë.Ai realizoi  Beslidhjen e Lezhes,  beslidhjen e pare shqiptare, i dha jete shtetit të njohur e të Arbërit, organizoi dhe udhehoqi kryengritjen e armatosur, ku u farketua shpirti dhe krenaria e tyre,  filloj të shkruhej epopeja historike e popullit shqiptar.Gjon Muzaka, nje nder bashkëpunëtorët e bashkëluftëtarët e Skenderbeut thote :  “Pak kohe pasi u bë kryegjeneral i  princave të Shqipërisë, pati ndër mend të bëhët zot i tërë vendit”.

Deri në Kuvendin e Lezhës Skendërbeu  ka qenë vetem një ushtarak. Fjalimi  i tij  apologjik  i politikes se luftes dhe organizimit të kryengritjes së armatosur, , vendimet qe mori  ky  kuvend,  dhe ngjarjet   që e pasuan, treguan se Ai tashmë ishte edhe një politikan e dorës së parë dhe strateg ushtarak i klasit të lartë.

Në Lezhë Gjergj Kastrioti vuri themelet e pushtetit të tij jo vetem ushtarak por edhe politik e më gjerë. Këtu ai u bë kryegjeneral e ushtrive të bashkuara dhe u   hodhen themelet  dhe  hapi i pare i lidhjes kombëtare.

Pas kuvendit, Lezha u kthye në qendren diplomatike te Arbërise  mesjetare. Pas lidhjes së Lezhës, Skendërbeu dhe Arbërit do të luftonin tani e mbrapa jo vetëm për të mbrojtur pavarësinë e atdheut të tyre por për të  shpëtuar nga kërcënimi islam  qyteterimin e europian.  Arberia e projektuar prej Gjergj Kastriotit do te ishte pjese e Europes.

“Gjergj  Kastrioti me luften e tij per nje çerek shekulli me rradhe  mbajti në balancë fatin e sinisisë ballkanike” – thekson Noli.

Shqiperia nën udheheqjen e Skenderbeut u bë kryeqendra dhe fusha e veprimeve ushtarake të krishtërimit europian kunder  kryefuqise turke. Europa kishte shpresa të mbaronte  me shpaten e Skendërbeut atë që nuk mundi ta bëjë me armët e saj në Marice  me 1362, në Kosovë me 1389, në Nikopoli me 1396 dhe në Varnë me 1444. Në betejat historike që zhvilloi e fitoret e mëdha që korri në fushëbeteje në të katër anët e tokës së Arbërit që nga Torviolli në Berat e Moglicë, në Krujë , Danjë e Sfetigrad, në Albulenë, Vajkal e Preze, Skendërbeu mori  nderimet më të mëdha tëe Papatit  dhe Europes si kryegjeneral i perendimit kunder Turqise.

Beslidhja e Lezhes  ishte veç te tjerash  nje akt emancipimi i princerve shqiptarë, tregues i ndikimit te ideve te rilindjes në shoqërinë dhe realitetin shqiptar të mesjetës. Kuvendi i Lezhës, hodhi themelet e bashkimit kombëtar dhe çoi përpara zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit drejt nje shteti të njësuar feudal shqiptar, te cilin  e impononin kushtet  historike. Kuvendi i Lezhës,  ka mbetur perjetë një pike referimi e model organizimi ië rendit juridik dhe shoqërise shqiptare në histori. Ajo përbën një kapitull të lavdishëm të historisë sonë dhe asaj europiane.

Ky kuvend ka frymëzuar në shekuj luftrat për liri, perpjekjet për progres dhe kuvendet për bashkim të popullit tonë.  Ai frymëzoi  Kuvendet e Besëlidhjet e Shën Mërisë në Mat (1594), Kuçit (1614),Te Arberit, me 1703, Janinës (1820), Beratit (1828), të Prizrenit (1878), të Pejës (1899), të Ferizajt (1908,  Kongresin e  Manastirit 1908, të Greçës (1911), të Junikut (1912), të Sinjës (1912), të Ferizajt (1912), Kuvendin e  Vlores 1912, Kongresin e Lushnjes 1920, të Bujanit (1943-1944), Pezes, 1942, e deri tek kuvendet e pajtimit te gjaqeve te cilet  kane patur per  baze Kuvendin e Lezhes.  Kuvendi i Lezhës mbetet modeli i  bashkimit të shqiptarëve i bashkëpunimit në mes tyre për zhvillimin e vendit drejt progresit.

Mesimet e  ketij Kuvendi  jane te rendesishme edhe sot, veçanarisht kur vendi ynë përballet me sfida të reja drejt integrimit në strukturat evropiane.

Kontributi i Ushtrive te Bashkuara te Lidhjes se Lezhes nen udheheqjen e Gjergj Kastriotit, ne shekullin e 15 dhe kontributi i pamohueshem  i tyre ne mbrojtje te qytetërimit europian është një këmbanë që bie edhe në kohe paqeje dhe që vjen  si mesim nga historia.

Në kohën që Shqipëria është në një proces të pakthyeshem integrimi në BE dhe pret  marrjen e statusit të vendi kandidat, duhet marrë në konsideratë  edhe kontributi i vyer i popullit shqiptar gjate historisë, i cili në një periudhë të errët të Europes, vuri në rrezik të gjithë ekzistencen e tij në mbrojtje të këtij qytetërimi.

Mësimet e Kuvendit të Lezhës e vendimeve të tij, modeli i bashkimit dhe mënyra e bashkëpunimit,  janë kurdohere si pike referimi për ndërtimin e së tashmes dhe së ardhmes sonë të përbashkët.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: kujtese historike, Kuvendi i lezhes, monument, Viktor Tushaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT