Nga: Prof. Murat Gecaj/
publicist e studiues-Tiranë/
1.-Pyetje: Jemi njohur vite më parë dhe vetëm kësaj here po më paraqitet rasti të pyes, gjë për të cilën besoj ka interes edhe lexuesi i këtyre radhëve: Duke e lidhur pak me prejardhjen familjare, cilat janë “piketat” kryesore të jetës tënde?
-Natyrisht që çdo njeri ka disa “piketa”, sikur po thoni ju. Janë këto piketa, që të orientojnë në zgjedhjet, që ti bën në jetë. Por ndodh që jo çdo herë këto piketa të vendosen vetëm nga ti. Se mund të ndodhë që vetë bëhesh vazhdues i piketave, që paraardhësit tu i kanë vendosur, duke krijuar në këtë mënyrë atë, që mbetet traditë. Në familjen time jam mësuar me “rregulla” dhe respektimin e të tjerëve, pavarësisht pasurisë, postit ose ngjyrës së lëkurës a shkollimit. Mendoj që kjo frymë, e të respektuarit të njeriut si një qenie e tillë, pason në qëndrime e parime të tjera të rëndësishme të familjes sime dhe të miat. Shkurt, jeta ime është ndërtuar mbi bazën e disa normave e parimeve, të cilat kurrësesi nuk i kam shkelur, pavarësisht presionit ose kushteve e rrethanave të disfavorshme.
Nga njëri krah i familjes sime, kam mësuar se Durimi e Përkushtimi janë çelësa të mrekullueshëm për të ecur përpara. Po prej këtij krahu, kam mësuar se pasuria e vërtetë dhe më e madhe e njeriut është Dashuria dhe Aftësia për t’u dhënë dashuri njerëzve në nevojë. “Të qash është luks, ne nuk jemi aq të pasur, sa ta kemi këtë luks”- është një nga mësimet. Nga ana tjetër, vetë jeta dhe vepra me përmasa kombëtare e paraardhësve të mi (kujtoj këtu emrin e Post-Rilindësit, një nga hartuesit e Abetares Shqipe, i hapjes së shkollave shqipe, themelues i organizatave atdhetare në Bukuresht, kryeredaktor e themelues i disa gazetave, në Shkup, Bukuresht e Vienë, Jashar Erebara), më ka shtyrë në mënyrë të pashmangshme drejt idealeve të shenjta kombëtare, për të cilat kam shfrytëzuar dhe profesionin tim, atë të gazetares.
2.-Nga leximi i “listës” së librave, që ti ke botuar, vërej se ata janë në gjini të ndryshme. Çfarë mund të më tregosh për këtë gjë dhe cila është tematika kryesore e tyre?
-Po, është e vërtetë që kam shkruar e botuar në disa gjini. Janë botime në poezi e prozën e shkurtër, përkthime, studime letrare e publicistikë. Në fakt, një shkrimtar në laboratorin e tij krijues e ka gjithë të drejtën të eksperimentojë, si me veten dhe veprën letrare. Nganjëherë, të duket se e gjen veten në një format teksti dhe herë të tjera ndjehesh komod në një format tjetër teksti. Nuk ka shumë rëndësi për mua kjo zgjedhje, por e rëndësishme është që, kur shkruaj, mundësisht, dua t’i them e t’i shpreh të gjitha mendimet e ndjenjat, që i kam në atë çast ose për atë problematikë, që përbën edhe temën. Pra, përmbajtja është parësore, forma e ndjek atë, përmbajtjen dhe idenë time. Kjo e fundit “vendos”, se në cilin format “ndjehet” më mirë.
Në vëllimet poetike, natyrisht, tematika është sa shoqërore, aq dhe lirike. Madje, me njërin nga botimet, tek “Klithmë dashurie”, eksprimentova duke e lënë thjesht me monotematikë. Libri është botuar më 1996 dhe vinte pas vëllimit tim të parë, po në poezi, më 1993, “Pë r të shoqë ruar një shpresë ”. Ndryshe ishte gjetja artistike në vëllimin pasues, “Arsye e grisur”, më 1998, ku tema shoqërore ose e ashtuqujtura “poezi e angazhuar”, ishte më e dukshme. Për të mbërritur te botimi më i fundit poetik, më 2012, “ Paqe pa Profet” që është më shumë filozofik. Pë rballja e kë tij vë llimi poetik me poezinë evropiane dhe vlerë simi që iu bë asaj nga kritika e specializuar franceze, më bindi se poezia shqipe i ka të gjitha mundë sitë të konkurojë me poezinë botërore, madje dhe të pretendojë për vlerë sa me të larta. Me sa duket, janë shkallët e domosdoshme të jetës dhe të rritjes sime si njeri, së pari, e si poete. E njëjta situatë, pak a shumë, haset edhe në botimet e mia, në prozën e shkurtër. Janë dy vëllime me tregime “Gabimisht dashuruar”, 1998 dhe “Dry me qera”, 2010. Dhe, të them të drejtën, megjithëse i fundit u botua më 2010, jam ende e dashuruar me të. Ato janë pritur mirë edhe nga kritika e specializuar. Kam edhe dy vëllime të “Bibliotekës së Fëmijëve”, njëri është roman-përrallë, botuar më 1995, “Aventurat e 10×10 dhe Munuriro Kokë poshtit”, një roman sarkazëm që i referohej regjimit komunist, gjë për të cilën ky libër një herë u pranua të botohej nga Shtëpia Botuese e vetme në atë kohë “N. Frashë ri”, dhe më pas u hoq nga shtypshkronja si i papërshtatshëm. Tjetri është vetëm me përralla origjinale të cilat u ilustruan, në atë kohë nga ime bijë, Bora, sot piktore, që ishte vetëm 10 vjeçe. Libri u botua më 1998.
3.-Sa dhe si është vlerësuar kjo krijimtari e pasur e jotja, me nderime e çmime të ndryshme?
-Dua të tregoj këtu, se nuk bëj pjesë në asnjë grupim artistësh të Shqipërisë, as në klanet e tyre. Madje, jo më pak se njëherë, kam folur edhe publikisht, pikërisht pë r këtë dukuri të shëmtuar të jetës artistike në Shqipëri. Nuk e kam pranuar asnjëherë faktin që, të marrësh pjesë në një konkurs, duhet të jesh patjetër mik me organizatorët. Po kështu, që të fitosh një çmim, duhet të paguash në forma të ndryshme?! Kështu, që pasi i kam respektuar këto parime të mijat, nuk jam afruar drejt këtyre organizimeve, klanore e tarafore. Por, si gjithnjë, ka edhe përjashtime. Aty ku kam marrë pjesë, jam vlerësuar, më së shumti me çmime të para. Në Tiranë, Tetovë, Prishtinë, Gjilan e Ulqin janë disa nga vendet ku unë kam fituar.Natyrisht që cmimi i parë serioz është më i hershëm. Atë e mora për romanin-përrallë më të mirë, bëhet fjalë për “Aventurat e 10×10 e Munurio Kokëposhtit”|, një roman që u botua më 1995, akorduar nga Shoqata Mbarë kombëtare e Letërsisë për Fëmijë e të Rinj.
Po nuk mund të le pa përmendur këtu pjesmarrjen në Konkursin Ndërkombëtar, të organizuar sivjet në Paris, nga Akademia Evropiane e Artit, në të cilën poezia ime u vlerësua më e mira. Po nga kjo Akademi jam nderuar me titullin, “Plaque d’Honneure”, një nga titujt e lartë, që jepen prej saj. Gjithashtu, po në vitin 2014, poezia ime u nderua me çmim të pare, në Konkursin Mbarëkombëtar Shqiptar “Flaka e Janarit”, që u zhvillua në Gjilan-Kosovë, me titullin “Pena e Flakës”.
5.-A je në vazhdim të krijimtarisë tënde apo ke njëfarë “pushimi”, për të ecur pastaj më tej, në këtë udhë?
-Ha-ha-ha!…Fjalën “pushim” e kam hequr nga përdorimi. Jam gjithnjë në proces krijimi, përherë ka gjëra, që të ngjallin interes, gjithnjë ke mendime, që do t’ua transmetosh njerëzve. Armiku im i vetëm është “Mospasja e Kohës”!…Po përmendi këtu që është në proces botimi libri i Nobelistit hebre, Isaak B. Singer, me një nga vëllimet e tij në prozën e shkurtër. Po kështu, del tani nga shtypi edhe monografia ime, me studime e kritikë për letërsinë shqipe, ashtu si e njoh unë…
6.-Krahas përkushtimit në krijimtarinë letrare, ti je dhe veprimtare shoqërore.Si e përballon këtë “ngarkesë” dhe çfarë kënaqësish provon, gjatë kohës?
-Është ngarkesë fizike, sigurisht dhe mendore. Sepse duhet që të lëvizësh në vende të ndryshme e të takosh njerëz që, ndoshta, kurrë më parë nuk i ke njohur. Por, falë profesionit tim të gazetares, tashmë, kjo për mua është thjesht një rutinë. Marrja e titullit “Ambasadore e Paqes”, të shtyn më shumë të japësh ndihmesën tënde në proceset e Paqes, sa ato të përbotshme, sa ato komëbtare e po ashtu edhe të vetë njeriut. Natyrisht, kjo ndihmesë e imja bazohet, më së shumti, me përkushtimin drejt publikimit të shkrimeve të ndryshme, me problematikat përkatëse.Sikur ë shtë rasti i problematikave të rëndësishme kombëtare në Kosovën e pas luftës, apo problemet e konfliktit Izraelito-Palestinez. Janë dy fusha ku unë jam fokusuar me komente e opinione të ndryshme në rrjetet sociale dhe në shtypin e shkruar vendas dhe jashtë .
Po ashtu, funksioni im, zv.kryetare e Akademisë Evropiane te Artit, për Seksionin Mbarëkombëtar Shqiptar, më shtyn drej gjetjes, paraqitjes dhe përurimit të artistëve shqiptarë, kudo ku ndodhen, në sallonet më të njohra të botës. Vetëm në këta dy vjet, ne kemi paraqitur, në Bruksel, Luksemburg, Paris, Zyrih, Gjeneve, Namur e Ptuj, më shumë se 80 artistë, poetë, piktorë e skulptorë. Nuk është e rastit që edhe u nderuan me çmime, sikur ishte piktori, nga NënBushati i Shkodrës, Lek Rrotani, i cili zuri vendin e parë, në Sallonin e Parisit. Pa përmendur këtu veprimtaritë brenda trojeve shqipfolëse, si në Tiranë, Durrës e Prishtinë…
Secili atdhetar bën për vendin e tij atë, që mundet dhe sa më mirë. Mjafton të vesh edhe një “gur” në këtë ndërtesë. Kjo është një nga kënaqësitë, që unë marr. Por, gjithashtu, emocionohem kur një talenti të ri i mundësohet botimi ose paraqitja e krijmtarisë së tij. Apo më tej, kur ata vlerësohen me cmime…
Mund të flisnim dhe më shumë rreth këtyre temave, që përmendëm më lart. Por mendoj se, ju dhe lexuesi i këtyre radhëve, krijoni njëfarë mendimi për jetën, punën dhe krijimtarinë time modeste.
-Faleminderit për përgjigjet tua korrekte dhe të uroj gjitha të mirat, në punët e përditëshme dhe në jetën familjare!
-Gjithashtu, ju falënderoj Ju, prof.Murati, për këtë bashkëbisedim miqësor e të ngrohtë dhe ju uroj çdo të mirë në jetë!
Tiranë-Durrës, 5 gusht 2014
“SOT ÇELMË KËTU, ME SHUMË LAVDËRI,NJË SHKOLLË SHQIP”
Faqe nga arsimi shqip, në Çamëri/
Nga: Prof. Murat Gecaj/
“Këtu në Prevezë tashti…zunë të mësojnë shqipen. Pa na duhen abetare të mëdha dhe të vogla se, sa herë që i flasim ndonjë shqiptari për nevojën e shqipes, na kërkon abetare. E, kur s’ kemi t’i apim, helmohemi”.
Ashtu si kudo në vendin tonë edhe në krahinën e Çamërisë u bënë përpjekje të shumta për përhapjen e mësimit shqip dhe për çeljen e shkollave në gjuhën amtare. Kështu, në vitet e fundit të shekullit të 19-të, atdhetari Rexhep Demi e bashkërendoi punën me Sabri Prevezën (1862-1929), me synimin kryesor përhapjen e shkrimit të gjuhës shqipe në të gjithë Çamërinë. U dendësua edhe puna për shpërndarjen e librave dhe të gazetave shqipe, si në Çamëri dhe në Shqipërinë e Jugut. Vetëm në Prevezë, Sabriu ua kishte mësuar shkrimin e leximin shqip disa bashkatdhetarëve. Më 1899, ai i shkruante shoqërisë “Dituria” të Bukureshtit, me të cilën mbante lidhje të vazhdueshme:
“Duhet të zgjojmë ata mëmdhetarë, që gjenden në gjumë e të mos i trembemi Fizanit dhe Bosforit, se posa u trembëm këtyre…s’ fitojmë gjëkafshë. Andaj duhet të kemi guxim e shpejtim në shërbesë të mëmëdhesë, sa që të fitojmë qëllimin. Këtu në Prevezë, tashti…zunë të mësojnë shqipen, pa na duhen abetare të mëdha dhe të vogla. Se, sa herë që i flasim ndonjë shqiptari për nevojën e shqipes, na kërkon abetare. E, kur s’ kemi t’i apim, helmohemi”.
Sabri Preveza, si shumë atdhetarë të tjerë të penës e të pushkës, u përfshi nga vala e kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910-1912, që çuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. (Më 1925, i ndjekur nga shovinistët grekë, ai u vendos në Sarandë, ku dhe vdiq).
Po tërë kjo veprimtari atdhetare e arsimore tërhoqi vëmendjen e qarqeve shoviniste dhe prandaj iu kundërvunë përhapësve të shqipes. Ashtu si në krahinat e tjera të Shqipërisë, ata u vërsulën me ashpërsi edhe ndaj atdhetarëve në Çamëri. Më në fund, në vitin 1900 e arrestuan Rexhp Demin, në Filat dhe e dërguan në Janinë, qendra e vilajetit. I kontrolluan shtëpinë, sidomos për të gjetur libra shqipe, gjë që për shovinistët përbënte “faj” të rëndë. Librat e gazetat shqipe, që iu gjetën, ia morën të gjitha. Për “krimin”, që kishte bërë, ky atdhetar u mbajt dy vjet në burgjet e mykura të Janinës. Por edhe aty ai nuk u tërhoq nga puna e tij e frytshme për mësimin e shqipes. Në bashkëpunim me nxënësin e tij, Qamil Çami, themeluan një shoqëri të fshehtë, në të cilën bënin pjesë me dhjetëra nxënës. Ajo mori emrin simbolik “Vëllazëria”.
Ndër synimet kryesore të anëtarëve të kësaj Shoqërie, ishte mësimi i gjuhës amtare shqipe. Kështu, pas përgatitjeve të duhura, u arrit që më 7 shtator 1908, në Filat, të çeleshin dyert e një shkolle fillore në gjuhën shqipe. Në një telegram, të dërguar nga Musa Demi, thuhej: “Me gaz të madh u japim një sihari,q se sot çelmë këtu, me shumë lavdëri, një shkollë shqip dhe bëmë disa fjalë mëmëdhetarisht”.(Gaz. “Lirija”, Selanik, 14.09.1908, faqe 2). Afërsisht, po në atë kohë u hap një shkollë tjetër shqipe në Luros të Çamërisë. Mësuesit e parë të shkollës së Filatit ishin: Qamil Izet Çami, drejtor e mësues dhe Hamit Demi, mësues. Shpejt ata morëm masa dhe për kurse mbrëmjeje, ku të rriturit mësonin shkrim e këndim shqip. Reaksioni i armiqëve ishte i madh, ndërsa vendosmëria e mësuesve dhe e prindërve ishin për ta vazhduar me çdo çmim punën e nisur. Për këtë gjë, mësues Qamili shkroi edhe disa vargje, në të cilat shprehej me entusiazëm: “E hapën e u gëzuan (shqiptarët, shkollën),/ grekët e djallit u helmuan,/ çami, bir’ i astritit/ i dha dërrmën moraitit”. Vështirësitë për libra e mjete mësimore ishin të shumta. Por vetë mësuesi Izet Çami punoi për përkthimin e materialeve të duhura nga gjuha frënge. (Ibrahim D. Hoxha, gaz. “Çamëria”, 18.04.1991, faqe 6)
Veprimtarinë e tij, në shërbim të arsimit kombëtar, Qamil Çami e vijoi më tej, duke bërë të mundur ngritjen e një shkolle të mesme shqipe, po me qendër në Filat. Ndër të tjera, aty do të përgatiteshin mësuesit e rinj për të hapur shkolla shqipe, kryesisht në Jug të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe, ai bashkëpunoi me shtypin e kohës, sidomos me gazetën “Zgjimi i Shqipërisë”, që dilte në Janinë dhe shkroi vjersha me temë atdhetare. Tërë kjo veprimtari i egërsoi shovinistët, të cilët e vlerësuan “njeri të rrezikshëm”, e pushuan nga puna dhe e internuan në një fshat, afër Edrenesë. Megjithatë, nuk iu bind urdhërit, por rroku armët, doli në mal dhe u bashkua me çetat kryengritëse. Pas shpalljes së Pavarësisë, u vu me të gjitha dijet e aftësitë e tij në shërbim të arsimit kombëtar. Mori pjesë aktive në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe e caktuan drejtor shkolle në Konispol. Më pas, e transferuan mësues në fshatra të Beratit dhe, më 1930, në konviktin “Çamëria”-Sarandë. Por, pas tre vjetësh, kur Qamili kishte dhënë aq shumë për Atdheun e arsimin në gjuhën shqipe, vdiq në Tiranë, në moshën 48-vjeçare.
Në vazhdim të punës së bërë, në pranverën e vitit 1910 funksiononin disa shkolla shqipe, përveç asaj të Filatit e Mallakastrës së Çamërisë. Të tilla ishin shkollat në: Konispol, Ninat, Koskë, Janjar, Konicë e Mazarek. Në shkollën Mesare të Leskovikut ishte mësues Haki Glina, intelektual “mjaft i njohur midis atdhetarëve”. Detyrën e mësuesit shëtitës për fëmijët çamë e kryen disa intelektualë atdhetare, ndër të cilët u dallua Hamza Tatzati e të tjerë.
E njohur është dhe ndihmesa, që dha atdhetari Dervish Hima, në verën e vitit 1911. Ai grumbulloi “të holla për të themeluar shkollë shqipe në Filat të Çamërisë”, për të cilën shkruante se: “Kjo shkollë do të jetë shumë e dobishme për ne dhe unë po përdor gjithë vullnetin tim dhe gjithë energjinë time për të arritur suksesin e saj”. Përpjekje u bënë dhe për hapjen e shkollës së Janjarit. Për shkollat shqipe në Filat u caktua si përgjegjës Qamil Efendiu, por në punën e tij i dolën shumë pengesa nga autoritetet qeveritare.
Në Prevezë u kërkua me ngulm që mësimi i shqipes të futej, përveç idadijes, edhe në shkollat fillore turke. Të papërtuar në përhapjen vullnetarisht të mësimit të gjuhës amtare te fëmijët e të rriturit u treguan intelektualët atdhetarë Qamil Çami, Musa Demi e të tjerë. Atdhetarët shqiptarë shtruan detyrë përgatitjen e mësuesve të shqipes në shkollat pedagogjike, që u menduan të hapen në Margariti e Janinë. (Dr. Apostol Pango, Sarandë, 28.02.1999).
Pra, gjatë viteve 1908-1912, ashtu si në krahinat e tjera, mësimi i shqipes në Çamëri mori përhapje edhe jashtë dyerve të shkollave shqipe. Sali Filati (Çeka) shkruante kështu: “Çamëria sot mori një lëvizje përparimi. Ky çip i vjetër i Shqipërisë ngreh gjerdhet nga kopështrat e diturisë dhe sheh bilbilët, lulet, fatbardhësinë e qytetërimit”.(Gaz. “Korça”, nr. 9, 20.05.1910).
Në vitet e mëvonshme, mësimi në gjuhën amtare shqipe në krahinën e Çamërisë u përball me rrethanat e vështira historike, që u krijuan si pasojë e shpërguljeve masive të atyre banorëve, larg trojeve të tyre të stërlashta shqiptare. Megjithatë, kudo që i çuan valët e jetës, në zemrat e tyre mbeti kurdoherë e gjallë dhe pashuar dashuria për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe.
TAKIM I PAHARRUAR ME NEXHMIJE PAGARUSHËN…
Në përvjetorin e lindjes/
Nga Prof. Murat Gecaj/
Tre vjet më parë, bashkë me kolegët Namik Selmani e Zyba Hysa, në përbërje të grupit të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, të cilin e drejtonte i ndjeri dr.Ibrahim Gashi dhe që vizituam Shkupin, Preshevën e Prishtinën, ishim pak kohë mysafirë edhe në banesën e këngëtares së madhe e të paparsëritshme të Kosovës e më gjerë, Nexhmije Pagarusha. Për në shtëpinë e saj na shoqëroi me kënaqësi kolegia e mikja poete nga Prishtina, Shefqete Gosalci. Ndërsa bashkudhatarët tjerë të grupit tonë do të bënin një vizitë të shkurtër, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ndërsa ne morëm udhën për në shtëpinës e znj. Nexhmije”. Për këtë fakt, si me shaka, poeti Selmani u shpreh:”…Ne, do të vizitojmë Akademinë Pagarusha”.
…E, si mund të trokisnim, për herë të parë dhe të shkelnim në shtëpinë e kësaj këngëtareje “bilbil të Kosovës”, pa patur një buqetë të stërmadhe me lule të freskëta ndër duar! Se kështu, sadopak, ne së bashku do të shprehnim nderimin, respektin dhe vlerësimin tonë shumë të madh, ndaj një zonje të madhe, që zërin e shpirtit të saj e nxori prej aty dhe pastaj e shpërndau fuqishëm, nëpër Kosovë e Shqipëri dhe në të gjitha trojet e stërlashta shqiptare dhe deri në disaporën e largët, ku bashkatdhëtarët tanë janë shpërndarë, si i thonë një shprehjeje, “si zogjtë e shqiponjës”. Shefqetja na kishte folur edhe se, ato ditë, Pagarusha nuk kishte qenë mirë me shëndet.
Pra, me këto ndjenja e me shumë mendime në kokën e secilit, trokitëm në portën e banësës së saj mikpitëse. Sakaq, vërejtëm si vezullimë dielli sytë e saj të shëndritshëm e të gëzuar, pamë që fytyra i mori pamje të kuqerremtë dhe i hapi krahët e na u hodh secilit në qafë, si një shqiponjë krenare, që pret vëllezër e motra nga Shqipëria. Nxituam që, secili nga ne, në këto çaste shumë emocionuese, të shkrepnim aparatet tona fotografike. Por, vallë, a mund të shprehej në ato foto, tërë ai mall, respekt e nderim, që kishim në zemrat tona për krenarinë e këngës mbarëkombëtare shqiptare? Sigurisht, që jo!…
Të pritur me dashamirësi dhe të gostitur nga znj.Meli, që i bënte shoqëri e miqësi Nexhmijes, zumë vend në divanët e saj të thjeshtë e të bukur. Ajo përsëri u ngrit dhe na përqafoi me mallëngjim, duke na uruar mirëseardhjen dhe duke na falënderuar për këtë vizitë të befasishme dhe shumë të mirëpritur prej saj. Secili nga ne, përpiqej të zinte vend pranë saj dhe të kuvendonte. Pastaj e ndërronte atë e ia lëshonte shokut, vendin e pëlqyr aq shumë, ku do të çmallej e do ta dëgjonte më nga afër atë zë, që dje, pardje…dhe sa e sa vite më parë, e kemi dëgjuar, po pse jo, dhe fshehurazi në Shqipërinë e rregjimit të shkuar. Në këtë “garë” për të biseduar me Pagarushën, e “fiton” radhën Namiku. Ai shpalos një libër të tij me poezi dhe nisë e lexon një nga ato, që dikur ia kishte kushtuar asaj plot nderim, respekt e mirënjohje. Vërej se këngëtaren e madhe e pushtojnë emocione të fuqishme. Pastaj, si për ta mbështetur krijimin e bukur të kolegut tonë, ajo çeli një dosje të trashë. Prej andej nxori disa poezi, që autorë të ndryshëm ia kanë kushtuar pikërisht asaj. Me duart e zërin, paksa të dridhur, ajo fillon e lexon disa vargje të tyre. Ndërsa ne shprehemi, se ajo meriton jo vetëm poezi të frymëzuara e të bukura, por dhe libra të tërë.
Në këtë mjedis, tashmë të gëzuueshëm, unë gjej rastin e i them Pasgarushës se, kohë më parë, ia kam patur “zili” këngëtarit tonë Ardit Gjebrea, kur e kisha parë në ekranet e TV, që janë takuar e përqafuar bashkë. Po kështu, i flas për kengëtaret e krahinës sime, Malësi e Gjakovës (Tropojë), për Fatime Sokolin, e cila u nda nga jeta në moshë të re; por dhe për Fatmira Breçanin, për të cilat ajo më tha se ua ka pëlqyer zërin dhe këngët e tyre. Por i tregova edhe se, para disa ditësh, “Artistja e Popullit” Vaçe Zela kishte patur ditëlindjen, që e festoi atje në Zvicër. Për këtë arsye, me ndërmjetësinë e mikut tim në Gjenevë, Alfred Papuçiu, i dërgova asaj një mesazh përshëndetjeje dhe urimi. Nexhmija më dëgjon me vëmendje për këto, që i flas dhe m’u drejtua se Vaçja është këngëtare e madhe dhe se është e udhës që mos të harrohen kengëtarët as artistët, të cilët, me zërin dhe shpirtin e tyre, iu përkushtuan Atdheut tonë të përbashkët.
Po edhe Zyba u tregua mjaft e emocionuar dhe, një e dy, e përqafonte fort Nexhmijen, si ta kishte nënë ose gjyshe të veten. I tregoi se kënga brilante dhe e fuqishme e saj pëlqehet shumë, deri në Vlorën e saj. Ndërkaq, Pagarusha nga shikonte ngultazi, me atë qetësinë e saj të admirushme dhe shprehej: “Që dje, unë u përmirësova pak nga shëndeti. Ndërsa sot, qebesa, jam e shëruar plotësisht, sepse më erdhët ju në shtëpinë time e më dhatë fuqi e gëzim. Por, ua jap fjalën, se nuk do të sëmurem, të paktën, edhe për një muaj!…” E vështronim atë në fytyrë dhe mundoheshim të depërtnim në botën e madhe shpirtërore të saj. Hidhnim sytë për rreth e kudo kishte një mjedis të thjeshtë, të pastër e të mirëmbajtur. Ajo na tregoi, me domethënie, se RTVP-ja i kishte lidhur një pension. Më pas, një pension tjetër i dha një fondacion gjerman. Prandaj, mori udhën e shkoi në drejtorinë e RTVP-së dhe u tha prerazi: “Tani, kam një pension të dytë dhe dua që ju të ma ndërprisni, se kështu mund të ndihmoni dikë tjetër. Ndërsa, ju falënderoj për atë pension, që më dhatë deri tani”. E, natyrshëm, kuptojmë se kështu veprojnë vetëm artistët e mëdhenj. Me mirësjellje, i kërkuam lejë Nexhmijes se duhej të ngriheshim, pasi na prisnin kolegët dhe se do të shkonim për një takim me rëndësi, në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë së Kosovës. Por ajo sikur na lutej që të rrimë edhe pak, duke biseduar. Prandaj fjalën e kalonte, sa te Kosova e Shqipëria dhe te të gjitha trojet shqiptare. Se kishte dashuri e mall të pashuar që t’i shihte të gjitha përsëri dhe nëpër to të jehonte, pandërprerjer, zëri i saj i fuqishëm, frymëzues e optimist për një jetë më të mirë, në liri e demokraci, në paqe e lumturi të përbashkët.
…U nisëm ngadalë, që të dilnim nga dera e banesës së Nexhmije Pagarushës dhe na dukej se kishim qendruar vetëm pak minuta aty. E, secili nga ne dëshironte e shpresonte që përsëri do ta vizitojmë e takojmë atë. Ndërsa ajo shprehej, paksa e pezmatuar dhe e mallëngjyer nga ajo ndarje: “Faleminderit, që më vizituat…Ju pres të vini dhe të shihemi një herë tjetër!”
Nga shkallët e banesës së saj, e përshëendetëm plot respekt me duar atë dhe ajo na buzëqeshte, me ëmbëlsinë e një të moshuarjeje dhe artisteje të madhe. Ndërsa na ngjante se na shoqëronin, deri larg, tingujt e zërit të saj të papërsëritshëm.
Tiranë, 7 maj 2014
KOZETA ZAVALANI: ME VEPRIMTARI E BOTIME, SI NJË FUSHË ME LULE SHUMËNGJYRËSHE…
Nga Prof. Murat Gecaj/ 1.Jemi njohur bashkë mjaft vite më parë dhe asnjëherë nuk kam shkruar për ty. Ndoshta, kur e ke një person afër, sikur nuk e “sheh“ atë, pra vëmendjen e drejton diku më larg. E them këtë gjë, pasi kam shkruar për disa kolege e mike të përbashkëta, ndërsa për ty jo?! Pra, me këtë rast, po kërkoj edhe njëfarë ndjese…Që mos të zgjatem, a ma jep fjalën që, deri sa ta përfundojmë këtë bisedë, nuk do të udhëtosh përsëri diku larg, deri në Azi ose Afrikë, siç po ndodh shpesh me ty, në vitet e fundit? (ha,ha) Duke i lënë shakatë, a mund të më flasësh, sigurisht shumë shkurt, për vizitat tua jashtë Shqipërisë dhe me çfarë qëllimi janë bërë ato?
-Fillimisht, ju falënderoj për bisedën së bashku, me një koleg e mik të hershëm, siç jeni ju. Pa iu ndarë bashkudhëtareve të mia, leximit e krijimit, që më kanë ushqyen shpirtin, duke bërë njëkohësisht që jeta ime sociale të zgjerojë hapësirat e mia, duke u pasuruar nëpër mrekullitë e botës, që kam pasur fatin t’i shoh, t’i prek e t’i ndjej. Qëllimi në këto udhëtime ka qenë gjithmonë marrja pjesë në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare, kushtuar letërsisë, gruas e paqes globale, në vende të tillë, si në Holandë, Itali, Amerikë, Poloni, Marrok, Norvegji, USA, Korenë e Jugut, Gjermani etj. Gjithashtu, kam kryer një sërë kualifikimesh pasuniversitare “Mbi menaxhimin e kohës”, nga Vrije University, në Amsterdam të Holandës. Doktoraturë e kam mbrojtur për “Burimet njerëzore dhe lidershipin”, në Institutin ISIDA, në Palermo të Italisë, ku jam laureuar me gradën shkencore “Doktore”.
2.Si kolegët e miqtë tu të shumtë, ndiej kanaqësi për arritjet tua në lëmin e publicistikës dhe të krijimtarisë letrare. Nga Interneti, kam një montazh kopertinash të disa librave tu, si një fushë me lule shumëngjyrëshe. Por ato nuk thonë gjithçka dhe kuptohet se mungon përmbajtja. Pra, cila është tematika kryesore e tyre?
-Krijimtarinë time e kam filluar qysh herët, me botimet e poezive në revistën e fëmijëve “Pionieri” dhe në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Bashkimi”, ku jemi njohur së bashku etj. Më tej, kam vazhduar bashkautore në librin me poezi, “Këngë të para”(Tiranë, 1976) dhe në vëllimet me tregime, “Heronj të heshtur”, nr.2-4-6, (Tiranë, 1978). Ndërmjet viteve 1997-2002, kam drejtuar botimin e gazetave periodike “Edhe Menaxhere” e “Zëri i Arbërit”. Në vitin 2000 e 2002, kam botuar librin “Gra që më kane frymëzuar”(nr.1 e 2), në gjuhën shqipe dhe në anglisht, “Vomen vho have inspired me”. Në vitin 2005, botova vëllimin “Halfvorld”, në anglisht dhe, në vitin 2007, vëllimin “Gjysmëbota”, në gjuhën shqipe. Këto botime janë me mbresa e intervista, marrw nga gra të suksesshme, tw vendit e botws. Përveç këtyre, kam redaktuar disa libra, si dhe buletinin “Të drejtat e Njeriut”, botuar nga QSHDNJ. Në vitin 2010, botova vëllimin poetik “Shtegtare-Migratory”, shqip e anglisht. Gjithashtu, jam bashkautore në antologjinë poetike “Nëna”, nga forumi “Pan Albanian Women Netvork”, si dhe në përmbledhjen “Tregime”, publikuar nga Shtëpia Botuese “ADA”, Tiranë. Në vitin 2012, botova vëllimin poetik “Porta e Shpirtit”, në disa gjuhë: shqip, anglisht, italisht, maqedonisht, turqisht, rumanisht e disa në gjuhën koreane. Më 8 mars 2014, ku keni qenë edhe ju, pra dhe në ditëlindjen time, në sallën “Tefta Tashko” të Ministrisë së Kulturës, përurova romanin “Ankthi” dhe librin publicistik “Frymëmarrje femërore”, si edhe vllimin poetik “Women” në www.amazon.com. Kudo mbizotëron tema e gruas, vështirësitë e rritjes së saj, drejt përparimit e suksesit.
3.Meqenëse edhe unë kam qenë në disa redaksi gazetash dhe përsëri vazhdoj të shkuaj artikuj publicistikë, mendoj se edhe lexuesit duan të dinë më shumë për revistën, që ti drejton, “Stina për ndyshim”…
-Ndryshimet demokratike sollën një stad të ri të botëkuptimeve dhe kërkesave të mia ndaj jetës. Vendosa të punoj për “Familja dhe Media – Fuqia për Ndryshim”, shoqatë e themeluar vitet e fundit, për të ndikuar në forcimin e pozicionit të familjes, nën parullën “Një familje e shëndetshme, për një shoqëri të shëndetshme”. Nën siglën e saj, drejtoj botimin e revistës “Stina për Ndryshim”. Ajo ka për kryefjalë të saj shembuj nga gra të forta e të emancipura, ato modele shpresëdhënëse, për të cilat ka nevojë shoqëria shqiptare. Kështu, duke ecur me vlerat thelbësore njerëzore, si etika dhe forca e karakterit, të rrënjosura fort në ndërgjegjen time nga prindërit e mi, u rrita jo vetëm profesionalisht, por edhe personalisht. Jam anëtare e Shoqatës së Gazetarëve Ndërkombëtarë Profesionistë dhe Rrjetit Botëror të Grave dhe aty përvojën time e kam ndarë me bashkëpuntoret e mia, në shoqatat: “FIDAPA”në Itali, “Women and Peace”, UNESCO në Greqi, “Dirigenteas” në Paris, WIN – Zvicër, “Women Abroad” Angli, Globevomen, CIPE, TIAV dhe VIPP në Uashington D.C. etj. Nga konferencat ndërkombëtare, kryesisht kushtuar grave, kam marrë frymëzim, për të propoganduar arritjet e individëve të suksesshëm, nga vendi e bota dhe për t’i bërë shembuj për shoqërinë shqiptare.
4.Më lart folëm për krijimtarinë letrare. Po planet e afërta dhe të largëta tua, për botimet, cilat janë?
-Meqenëse “Connect Us Communications Canada” me ka shpallur një ndër gratë e shquara në botë, “Women of the Vorld – 2007”, me titullin “Editore dhe nënë, rol model për gratë”, do ta vazhdoj punën time, jo vetëm për ta përligjur këtë titull, por edhe sepse e quaj veten me një mision të veçantë, pra e lindur në 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Grave. Ndaj, do të vazhdoj të shkruaj e të botoj…Me plot iluzione, vizione, koncepte barazie dhe demokracie, do të vrapoj në realitetin “e çmendur” shqiptar. Përpiqem që të ngre diçka dhe disi, ia kam arrijtur. Nuk e di sa do t’i qëndrojë, kjo që po krijoj e ndërtoj, kohës së egër të pseudo-demokracisë. Gjithësesi, shpresoj dhe jam gati t’i pranoj sfidat e realitetit “të egër” shqiptar.
5.Një pyetje e radhës, e cila mund të ishte e para: Cili është jetëshkrimi yt, i përmbledhur ose CV-ja, me termat e reja?
-Kam lindur në Korçën e bukur, qytetin e serenatave, ku edhe jam rritur me flladin e Moravës, duke lexuar shumë mes aromës së blirëve e jargavanëve. Leximi ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin tim të përgjithshëm, duke ma pasuruar shpirtin. Ndonëse më 1982 u diplomova në Fakultetin Ekonomik, të Universitetit të Tiranës, në vitin 1985 jam specializuar për gazetari dhe qysh atëhere puna ime u përqendrua në këtë fushë e në krijimtari. I përkas atij brezi që, për të vazhduar studimet e larta, duhet të deklaroje, “do të shërbej, ku të ketë nevojë Atdheu”. Kështu, siç duket, ai kishte nevojë që të bëhesha ekonomiste, por fatkeqsisht ose fatmirësisht, krijimtaria letrare-artistike më nxiti që ta shihja ekonomisten si një qënie “të infektuar”, brenda meje. Ndaj, të ardhmen e kam parë të lidhur me botën krijuese, artistike e shoqërore.
Pas punës në Televizionin Shqiptar dhe Radio-Tirana, periudhë e cila më rriti profesionalisht në fushën mediatike, kam dhënë ndihmesën time në disa televizione private dhe, së fundi, në një universitet privat. Njëkohësisht, mundohem t’u qendroj pranë, t’i ndihmoj dhe t’u fal sa më shumë dashuri, bashkëshortit tim mjek dhe djemve, Mendit, që u diplomua për arkitekturë dhe Mikelit, që studion për inxhinieri kompjuteri. Ndërkohë, vazhdoj të punoj intensivisht me organizatat ndërkombëtare të grave, duke e bërë sa më të njohur shoqërinë femërore shqiptare, kudo në botë.
6.Si kolegë të shtypit, a mos harruam ndonjë pyetje të rëndësishme? Nëqoftese jo, a dëshiron të shtosh ndonjë gjë tjetër, në fund të bisedës sonë?
-Po, dëshiroj të shtoj faktin që jeta, në njëfarë mënyre, ma ka shpërblyer mundin tim. Jam zgjedhur “Ambasadore për Paqen”, nga Federata e Familjes për Paqen Universale, ku jam kryetare e Këshillit të Paqes për Tiranën, që nga viti 2011 e në vazhdim. Jam nderuar me Çmimin e dytë në “Takimin e Poeteshave Shqiptare”, në Vushtrri të Kosovës dhe me Çmimin e parë për cikël me poezi, nga Redaksia “Nositi”. Kam marrë Çmimin Special, në “Mbrëmjet e Poezisë së Ballkanit”, mbajtur në Korçë, në vitin 2010 e 2012. Në detyrën shoqërore, kryetare për Tiranën e Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi”, jam vlerësuar me titullin e lartë, “Krijuese e Vitit” dhe “Veprimtare e shquar e Shoqërisë Civile”. Në Kongresin e 22-të Botëror të Poetëve, në Larisa të Greqisë, kam marrë Çmimin “Demeter”, të Poezisë Olimp, shoqëruar me “Diplomë Nderi”, nga Festivali i Parë Mesdhetar i Poezisë dhe “Çertifikatën e Meritës”, në vitin 2011. Jam një prej poetëve pjesëmarrës në “Mbrëmjet e 50-ta të Poezisë”, në Strugë dhe poezitë e mia janë botuar në librin “Who is Who”, si dhe në “Poezi nga pesë kontinentet” – “Poetry from five continents” dhe në “Antologjinë Botërore të Poezisë”, për Kongresin e 22-të, në Larissa-Greqi, për Festivalin e 2-të Ndërkombëtar të Letërsisë, në Ordu të Turqisë dhe, më 2013, në Akaka të Turqisë. Në tetor 2013, jam nderuar me “Mirënjohje” në Manifestimin Tradicional Letrar, “Ora e Maleve”, në Rozhajë të Malit te Zi dhe tani, në mars 2014, në “Takimet Poetike të Karadakut”, në Kumanovë të Maqedonisë. Po kështu, jap ndihmesën time me leksione të ndryshme, duke qenë antare e “World Poets Society” (V.P.S.), “Union of Poets” & “Writers e Poets of Human Rights” dhe “International Poets and Writers for Human Rights” (OIPWHR) etj.
Kërkoj ndjesë se, ndoshta, u zgjata me këto informacione vetjake!…
-Jo, përkundrazi, ishte kanaqësi dhe të falënderojmë përzemërsisht, Kozeta dhe të urojmë gjitha të mirat, në jetën vetjake e familjare, me krijimtari të bollshme e cilësore, por dhe në veprimtari shoqërore të pandërprera! Jemi të sigurtë që, si deri tani, përherë do të jesh e pranishme dhe aktive, si në pëurimin e librave tu dhe të kolegëve e miqëve tanë, si në poezi e prozë, në arte figurative etj. Pra, në takime dhe veprimtari të tjera, të bukura dhe sa më mbresëlënëse!
– Edhe unë, ju falënderoj përsëri dhe ju uroj shëndet e suksese, në krijimtarinë tuaj e kudo, në jetë!
Tiranë, mars 2014
DITA E LULEVE, NË SHKOLLËN 9-VJEÇARE “DORA D’ ISTRIA”-TIRANË
Nismë, që ia vlen të përhapet në shkollat tjera/
Nga MURAT GECAJ/
1.Afër 50 vjet më parë…/
Kur u nisa të bëja një vizitë në shkollën 9-vjeçare “Dora d’ Istria” të kryeqytetit, mendja më shkoi në një kohë, afër 50 vjet më parë. Pas mbarimit të studimeve të larta për gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës, më caktuan redaktor në gazetën javore për fëmijë, “Pionieri”. Nuk më kujtohet saktësisht, por sigurisht ishin ndër shkrimet e para, që përgatisja e shkruaja në atë gazetë. Do të bëhej përurimi i shkollës së re, me rastin e 20-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, shkova aty për ta pasqyruar atë ngjarje të gëzuar në jetën arsimore të Tiranës. Me atë rast, bëra edhe disa fotografi, që i ruaja dëshmi të rrallë. Shumë vite më vonë, ato ua çova dhuratë drejtuesve të asaj shkolle, por nuk e di cili ka qenë fati i tyre.Megjithatë, ndjenjat që përjetova këto ditë, lidheshin pikërisht me atë ngjarje, që e përmenda më lart. Por ishte edhe një arsye tjetër, që më nxiti ta vizitoja këtë shkollë. Jo shumë kohë më parë, aty u caktua drejtoreshë znj. Lumturi Vladi, e cila kishte shërbyer mësuese në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto”. Njohja jonë kishte diçka të veçantë, pasi jemi takuar në mjediset e Panairit vjetor të Librit. Ndër botimet e përuruara aty, ishin dhe dy libra, të cilët i kishte redaktuar shkrimtari i njohur, Bardhyl Xhama. Ata i kanë titujt domethënës, “Qindra zemra, në një zemer” e “Dashuri Engjejsh” dhe i kushtohen pikërisht kësaj mësueseje të pasionuar dhe shumë të dashur për nxënësit, por dhe të respektuar nga prindërit e tyre dhe kolegët e saj.
2.Kur flasin zemrat e nxënësve…
Pasi bëra një fotografi me pamjen e shkollës nga jashtë, m’u afrua një nxënës dhe më pyeti nëse mund të më ndihmonte ndonjë gjë. I tegova se do të takoja drejtoreshën e shkollës, pasi isha marrë vesh më parë, përmes Inernetit. Ai buzëqeshi e m’u drejtua me respekt: “Po, mund t’u çoj unë, me kënaqësi, në zyrën e mësuese Lumes, atë e dua shumë…”. Eca ngadalë pas tij dhe arritëm në katin, ku ndodhej drejtoria e shkollës. U përshëndetëm përzemërsisht dhe, pa humbur kohë, znj. Lumturi më njohu me zëvendësdrejtoreshat, Fato Kanushi e Vilma Danja. “Janë koleget e mia dhe kam kënaqësi, që punojmë bashkë”,-u shpreh ajo, me sytë që i shkëlqejnë nga mirësia. Aty e mësova se në shkollë kishin festën e “Ditës së luleve” dhe se do t’i shpallnin fituesit. Prandaj dhe në atë zyrë kishte vazo me lule të bukura, ku u bëra ayre një fotografi, së bashku.
Pastaj zbritëm në katin e parë, kur ishte koha e pushimit ndërmjet orëve të mësimit. Në një mjedis të gjelbëruar, mbushur me vazo lulesh shumëngjyrëshe, erdhën mjaft nxënës e mësues. “Konkursin për lulen më të bukur e organizuam me një kusht,-më tregoi një mësuese,- nxënësi, që dëshironte të sillte vazo me lule, nuk do ta blinte atë, por do ta merrte nga shtëpia e tij”. Ja, përpara kishim mbi 65 vazo të tilla, secila më e bukur se tjetra. Por juria përkatëse kishte shpallur fituese vetëm pesë vazo, që i kishin sjellë nxënësit e klasave: 9-B, 7-A e 8-A dhe 9-C e 9-A. Ndërsa na veçuan emrat e disa nxënësve, që kishin marrë pjesë në konkurs: Arbër Jaho, Emanuela Hoxha, Niki Krypçe, Llukan Kosta, Klaudio Canameti, Adnand Kera, Arla Duxha, Rezart Dyrmishi e të tjerë. Sigurisht, me ato vazo lulesh, mjediset e kësaj shkolle do të jenë më të bukura dhe erëmira.
Kënaqësi për mua ishte edhe njohja me kryetaren e senatit të nxënësve ose me presidenten e shkollës,nxënësen Eva Tavo. Ajo, por dhe një tjetër pjesëtar i senatit, Jasmin Kamberi, nxënës i klasës 9-të B, më folën për përshtypjet e tyre të mira për disa mësuese të tyre, si Mirela Shyti, Mirela Alushani e Shpresa Gorana etj., por edhe për mësuese Lumen. Nxënës Jasmini u shpreh, me sinqeritetin e moshës së tij:“Mësueset tona na japin shumë dhe kërkojnë shumë nga ne. Sillen si shoqe me ne dhe kështu ora e mësimit bëhet më e bukur…Në shkollën tonë tani ka më tepër rregull e qetësi, pastërti e hijeshi…Drejtoresha jonë e re është shumë aktive, me ne nxënësit tregohet mjaft e afërt, e ngrohtë, e komunikueshme e dashamirëse…”.
Duke iu uruar atyre sa më shumë arritje, Evës i dhashë me nënshkrim librin tim publicistik-letrar, “Dorela”,kushtuar mbesës sime dhe që e përuruam dy vjet më parë, në shkollën 9-vjeçare “7 Marsi” të kryeqytetit, nën kujdesin e znj.Dava Marku.
Po të duash të dishë për mendime dhe përshtypje të nxënësve të kësaj shkolle për mesuese Lumen, e ke fare të lehtë, se këtë gjë mund ta shohësh të dokumetuar. Në një dosje të veçantë, lexova e pashë disa poezi, skica e vizatime, që nxënësit ia kishin kushtuar asaj, me shumë dashuri e respekt, në festën e 7 Marsit 2014. Por, po shënoj këtu vetëm ndonjë prej tyre. Pasi thotë në një varg “Ju keni çdo cilësi, që unë dua…”, Verda Torba vazhdon, në poezinë e saj: “…Unë ju dua shumë./ ndaj ju them sot:/ E dashura mësuese Lumja, / si ju s’ ka në botë!”. Por edhe Dezi Imami e ka shfaqur në vargje shpirtin e saj: “Mësuese Lume,/ je një nënë e dytë për mua…”. Gjithashtu, ndjenja e mendime të tilla, në poezi ose vizatime, kanë shprehur nxënësit: Azhena Huca, Almira Alika, Armir Pepkola etj.
Këto vjersha mund të mos kenë ndonjë vlerë të veçantë letrare, por ka rëndësi që kanë buruar nga shpirti e zemrat e njoma të nxënësve të kësaj shkolle, kushtuar msueses e drejtoreshës së tyre.
3.Çfarë tregoi, shkurtimisht, drejtoresha…
Të jem i sinqertë me lexuesit, kur bisedova me ndonjë nxënës ose mësues, dretoreshë Lumja nuk ishte e pranishme, pra e “sajoi” ndonjë punë për të zgjidhur e doli jashtë, duke kërkuar të falur. Pastaj ajo më informoi, shkurt, për disa të dhëna, që ia kërkova.
Në këtë shkollë sivjet vijojnë 850 nxënës, në 27 klasa dhe u japin mësim 32 mësues, të cilët janë me origjinë nga rrethe të ndryshme të vendit. Megjithëse nuk ka shumë kohë, që L.Vladi e drejton këtë shkollë, vëmendjen po e kushtojnë që të ketë kalueshmëri sa më të lartë dhe cilësi në notat e nxënsve, që shprehin cilësinë e përvetësimit të njohurive prej tyre. Për këtë gjë, ajo ka mbështetje dy koleget e drejtorisë, si dhe mësuesit e klasave të ndyshme, duke mbashkëpunuar ngusht me prindërit e nxënësve. Ndër synimet e periudhës në vazhdim, deri në mbylljen e tërë vitit shkollor, është edhe kujdesi për nxënësit e klasave të nënta, të cilët kanë provimet e lirimit. Për këtë qëllim, ndër të tjera, po mbahen lidhje të mira me prindërit etj. Ngjarje me rëndësi në jetën e kësaj shkolle ishte zgjedhja, këto ditë, e Bordit të ri të shkollës. Në mënyrë demokratike dhe të dokumetuar, kryetar u zgjodh Ilirian Sotiri dhe sekretare Shpresa Gorana. Me bashkpunimin e ndërsjelltë, drejtori e bord shkolle, do të arrihet që të zgjdhen çështje të ndryshme, si brenda e jashtë saj.
Krahas procesit mësimor, janë organizuar e do të organizohen edhe në të ardhmen veprimtari kulturore e sportive. Një nga ato ishte ajo me rastin e 7 Marsit, Ditës së Arsimit tonë Kombëtar
Po bisedonim me znj. Lumen dhe aty erdhi pikërisht mësuese Shpresa, e cila na tregoi se kishte ditëlindjen. Me gotën e limonatës, që na seriviri ajo, e uruam për jetë të gazuar e të lumtur dhe arritje në detyrën e nderuar të edukatores e mësimdhënëses. Por këtë ngjarje të bukur, pra ditëlindjen, e kishte edhe nxënësja Kontesha Zhuzhi, të cilin e uruam përzemnërsisht. Të dyja ato, na falënderuan.
…Kur po largohesha nga kjo shkollë, ku takova e njoha mësues e nxënës të shumtë e të përkushtuar, po mendoja me vete: Mos, vallë, ishte rastësi kjo apo diçka e ngjashme, me ndodhjen time aty, ashtu si afër 50 vjet më parë. Pra, edhe atëherë ishte festë, se çeleshin dyert e një vatre të re, diturie e përparimi. Po edhe tani, në mjediset e kësaj shkolle, përsëri kishte ngjarje të tilla të gëzuara: “Festën e luleve” dhe dy ditëlindje, të një mësueseje e të një nxënëseje. Dhe sa mirë është, kur mëson se një kolektiv i tillë mësues-nxënës, si ky i shkollës 9-vjeçare të kryeqytetit, “Dora d’ Istria”, i kryen gjithnjë e më mirë detyrat e përditëshme, në fushën e mësimit e të edukimit, por përjeton edhe ngjarje të gëzuara, si vetjake e kolektive. Prandaj i urojmë të gjithë ata që, sëbashku, të ecin pa u ndaluar në udhë të mbara, të edukimit dhe mirëmësimit të brezit të ri.
Tiranë, 28 mars 2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 8
- 9
- 10
- 11
- 12
- …
- 21
- Next Page »