Nismë, që ia vlen të përhapet në shkollat tjera/
Nga MURAT GECAJ/
1.Afër 50 vjet më parë…/
Kur u nisa të bëja një vizitë në shkollën 9-vjeçare “Dora d’ Istria” të kryeqytetit, mendja më shkoi në një kohë, afër 50 vjet më parë. Pas mbarimit të studimeve të larta për gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës, më caktuan redaktor në gazetën javore për fëmijë, “Pionieri”. Nuk më kujtohet saktësisht, por sigurisht ishin ndër shkrimet e para, që përgatisja e shkruaja në atë gazetë. Do të bëhej përurimi i shkollës së re, me rastin e 20-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, shkova aty për ta pasqyruar atë ngjarje të gëzuar në jetën arsimore të Tiranës. Me atë rast, bëra edhe disa fotografi, që i ruaja dëshmi të rrallë. Shumë vite më vonë, ato ua çova dhuratë drejtuesve të asaj shkolle, por nuk e di cili ka qenë fati i tyre.Megjithatë, ndjenjat që përjetova këto ditë, lidheshin pikërisht me atë ngjarje, që e përmenda më lart. Por ishte edhe një arsye tjetër, që më nxiti ta vizitoja këtë shkollë. Jo shumë kohë më parë, aty u caktua drejtoreshë znj. Lumturi Vladi, e cila kishte shërbyer mësuese në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto”. Njohja jonë kishte diçka të veçantë, pasi jemi takuar në mjediset e Panairit vjetor të Librit. Ndër botimet e përuruara aty, ishin dhe dy libra, të cilët i kishte redaktuar shkrimtari i njohur, Bardhyl Xhama. Ata i kanë titujt domethënës, “Qindra zemra, në një zemer” e “Dashuri Engjejsh” dhe i kushtohen pikërisht kësaj mësueseje të pasionuar dhe shumë të dashur për nxënësit, por dhe të respektuar nga prindërit e tyre dhe kolegët e saj.
2.Kur flasin zemrat e nxënësve…
Pasi bëra një fotografi me pamjen e shkollës nga jashtë, m’u afrua një nxënës dhe më pyeti nëse mund të më ndihmonte ndonjë gjë. I tegova se do të takoja drejtoreshën e shkollës, pasi isha marrë vesh më parë, përmes Inernetit. Ai buzëqeshi e m’u drejtua me respekt: “Po, mund t’u çoj unë, me kënaqësi, në zyrën e mësuese Lumes, atë e dua shumë…”. Eca ngadalë pas tij dhe arritëm në katin, ku ndodhej drejtoria e shkollës. U përshëndetëm përzemërsisht dhe, pa humbur kohë, znj. Lumturi më njohu me zëvendësdrejtoreshat, Fato Kanushi e Vilma Danja. “Janë koleget e mia dhe kam kënaqësi, që punojmë bashkë”,-u shpreh ajo, me sytë që i shkëlqejnë nga mirësia. Aty e mësova se në shkollë kishin festën e “Ditës së luleve” dhe se do t’i shpallnin fituesit. Prandaj dhe në atë zyrë kishte vazo me lule të bukura, ku u bëra ayre një fotografi, së bashku.
Pastaj zbritëm në katin e parë, kur ishte koha e pushimit ndërmjet orëve të mësimit. Në një mjedis të gjelbëruar, mbushur me vazo lulesh shumëngjyrëshe, erdhën mjaft nxënës e mësues. “Konkursin për lulen më të bukur e organizuam me një kusht,-më tregoi një mësuese,- nxënësi, që dëshironte të sillte vazo me lule, nuk do ta blinte atë, por do ta merrte nga shtëpia e tij”. Ja, përpara kishim mbi 65 vazo të tilla, secila më e bukur se tjetra. Por juria përkatëse kishte shpallur fituese vetëm pesë vazo, që i kishin sjellë nxënësit e klasave: 9-B, 7-A e 8-A dhe 9-C e 9-A. Ndërsa na veçuan emrat e disa nxënësve, që kishin marrë pjesë në konkurs: Arbër Jaho, Emanuela Hoxha, Niki Krypçe, Llukan Kosta, Klaudio Canameti, Adnand Kera, Arla Duxha, Rezart Dyrmishi e të tjerë. Sigurisht, me ato vazo lulesh, mjediset e kësaj shkolle do të jenë më të bukura dhe erëmira.
Kënaqësi për mua ishte edhe njohja me kryetaren e senatit të nxënësve ose me presidenten e shkollës,nxënësen Eva Tavo. Ajo, por dhe një tjetër pjesëtar i senatit, Jasmin Kamberi, nxënës i klasës 9-të B, më folën për përshtypjet e tyre të mira për disa mësuese të tyre, si Mirela Shyti, Mirela Alushani e Shpresa Gorana etj., por edhe për mësuese Lumen. Nxënës Jasmini u shpreh, me sinqeritetin e moshës së tij:“Mësueset tona na japin shumë dhe kërkojnë shumë nga ne. Sillen si shoqe me ne dhe kështu ora e mësimit bëhet më e bukur…Në shkollën tonë tani ka më tepër rregull e qetësi, pastërti e hijeshi…Drejtoresha jonë e re është shumë aktive, me ne nxënësit tregohet mjaft e afërt, e ngrohtë, e komunikueshme e dashamirëse…”.
Duke iu uruar atyre sa më shumë arritje, Evës i dhashë me nënshkrim librin tim publicistik-letrar, “Dorela”,kushtuar mbesës sime dhe që e përuruam dy vjet më parë, në shkollën 9-vjeçare “7 Marsi” të kryeqytetit, nën kujdesin e znj.Dava Marku.
Po të duash të dishë për mendime dhe përshtypje të nxënësve të kësaj shkolle për mesuese Lumen, e ke fare të lehtë, se këtë gjë mund ta shohësh të dokumetuar. Në një dosje të veçantë, lexova e pashë disa poezi, skica e vizatime, që nxënësit ia kishin kushtuar asaj, me shumë dashuri e respekt, në festën e 7 Marsit 2014. Por, po shënoj këtu vetëm ndonjë prej tyre. Pasi thotë në një varg “Ju keni çdo cilësi, që unë dua…”, Verda Torba vazhdon, në poezinë e saj: “…Unë ju dua shumë./ ndaj ju them sot:/ E dashura mësuese Lumja, / si ju s’ ka në botë!”. Por edhe Dezi Imami e ka shfaqur në vargje shpirtin e saj: “Mësuese Lume,/ je një nënë e dytë për mua…”. Gjithashtu, ndjenja e mendime të tilla, në poezi ose vizatime, kanë shprehur nxënësit: Azhena Huca, Almira Alika, Armir Pepkola etj.
Këto vjersha mund të mos kenë ndonjë vlerë të veçantë letrare, por ka rëndësi që kanë buruar nga shpirti e zemrat e njoma të nxënësve të kësaj shkolle, kushtuar msueses e drejtoreshës së tyre.
3.Çfarë tregoi, shkurtimisht, drejtoresha…
Të jem i sinqertë me lexuesit, kur bisedova me ndonjë nxënës ose mësues, dretoreshë Lumja nuk ishte e pranishme, pra e “sajoi” ndonjë punë për të zgjidhur e doli jashtë, duke kërkuar të falur. Pastaj ajo më informoi, shkurt, për disa të dhëna, që ia kërkova.
Në këtë shkollë sivjet vijojnë 850 nxënës, në 27 klasa dhe u japin mësim 32 mësues, të cilët janë me origjinë nga rrethe të ndryshme të vendit. Megjithëse nuk ka shumë kohë, që L.Vladi e drejton këtë shkollë, vëmendjen po e kushtojnë që të ketë kalueshmëri sa më të lartë dhe cilësi në notat e nxënsve, që shprehin cilësinë e përvetësimit të njohurive prej tyre. Për këtë gjë, ajo ka mbështetje dy koleget e drejtorisë, si dhe mësuesit e klasave të ndyshme, duke mbashkëpunuar ngusht me prindërit e nxënësve. Ndër synimet e periudhës në vazhdim, deri në mbylljen e tërë vitit shkollor, është edhe kujdesi për nxënësit e klasave të nënta, të cilët kanë provimet e lirimit. Për këtë qëllim, ndër të tjera, po mbahen lidhje të mira me prindërit etj. Ngjarje me rëndësi në jetën e kësaj shkolle ishte zgjedhja, këto ditë, e Bordit të ri të shkollës. Në mënyrë demokratike dhe të dokumetuar, kryetar u zgjodh Ilirian Sotiri dhe sekretare Shpresa Gorana. Me bashkpunimin e ndërsjelltë, drejtori e bord shkolle, do të arrihet që të zgjdhen çështje të ndryshme, si brenda e jashtë saj.
Krahas procesit mësimor, janë organizuar e do të organizohen edhe në të ardhmen veprimtari kulturore e sportive. Një nga ato ishte ajo me rastin e 7 Marsit, Ditës së Arsimit tonë Kombëtar
Po bisedonim me znj. Lumen dhe aty erdhi pikërisht mësuese Shpresa, e cila na tregoi se kishte ditëlindjen. Me gotën e limonatës, që na seriviri ajo, e uruam për jetë të gazuar e të lumtur dhe arritje në detyrën e nderuar të edukatores e mësimdhënëses. Por këtë ngjarje të bukur, pra ditëlindjen, e kishte edhe nxënësja Kontesha Zhuzhi, të cilin e uruam përzemnërsisht. Të dyja ato, na falënderuan.
…Kur po largohesha nga kjo shkollë, ku takova e njoha mësues e nxënës të shumtë e të përkushtuar, po mendoja me vete: Mos, vallë, ishte rastësi kjo apo diçka e ngjashme, me ndodhjen time aty, ashtu si afër 50 vjet më parë. Pra, edhe atëherë ishte festë, se çeleshin dyert e një vatre të re, diturie e përparimi. Po edhe tani, në mjediset e kësaj shkolle, përsëri kishte ngjarje të tilla të gëzuara: “Festën e luleve” dhe dy ditëlindje, të një mësueseje e të një nxënëseje. Dhe sa mirë është, kur mëson se një kolektiv i tillë mësues-nxënës, si ky i shkollës 9-vjeçare të kryeqytetit, “Dora d’ Istria”, i kryen gjithnjë e më mirë detyrat e përditëshme, në fushën e mësimit e të edukimit, por përjeton edhe ngjarje të gëzuara, si vetjake e kolektive. Prandaj i urojmë të gjithë ata që, sëbashku, të ecin pa u ndaluar në udhë të mbara, të edukimit dhe mirëmësimit të brezit të ri.
Tiranë, 28 mars 2014