• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUAN SHKURTA, IA KUSHTOI TËRË JETËN SHKOLLËS DHE DIJES

October 25, 2015 by dgreca

Nga Prof.Murat Gecaj*/
Mësuesi i palodhur Luan Rushit Shkurta,tërë jetën ia kushtoi shkollës dhe dijes. Punën e arsimtarit e filloi, kur ende s’i kishte mbushur të tetëmbëdhjetat dhe e vazhdoi atë për mbi 40 vjet me radhë. Punoi me përkushtim, mësues dhe drejtues në shumë shkolla të Përmetit. Kudo që shërbeu e jetoi, la pas emrin e mësuesit dhe drejtorit novator e tepër energjik.Ai ishte i lidhur ngusht me nxënësit dhe mësuesit. Me dijet dhe guximin e tij, theu barrierat dhe metodat e vjetra ,që e mbanin nxënësin ,mësuesin dhe prindin larg problemeve themelore të mësimit dhe edukimit.Kjo bënte që ai të arrinte rezultate të larta , kudo që punoi dhe të gëzonte miqësinë dhe respektin e tyre të përhershëm.
Luani lindi në Zhepovë të Përmetit, më 5 shkurt të vitit 1949, në një familje të nderuar, me tradita e kulturë. Mësimet e para i kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme pedagogjike e përfundoi në Tiranë. Për arritje të shkëlqyera, me të cilat ai u diplomua në këtë shkollë, emri i tij gjendej me shkronja të arta në qendër të kryeqytetit, ndërmjet maturantëve më të mirë të Shqipërisë, për brezin e tij. Motra e tij, Nafije Abazi ,që në atë kohë vazhdonte shkollën pedagogjike bashkë me të, tregon se e ndiente veten tepër krenare, që vëllai saj shkëlqente në të gjitha lëndët dhe që i ndihmonte pa u lodhur, jo vetëm atë ,por të gjithë shokët dhe shoqet e shkollës.
Krahas punës së përditshme në profesionin e mësikmdhënësit, Luani i nisi studimet e larta në degën histori-gjeografi, pranë Universitetit të Tiranës, të cilat i përfundoi me rezultate të mira.Falë këmbnguljes , aftësisë së vëçantë për të mbajtur mend dhe mundësive, që iu krijuan për të punuar e jetuar në disa vende të botës , ai mësoi të flasë dhe të shkruajë lirshëm gjuhën greke dhe italiane. Njohja e përsosur e këtyre gjuhëve të huaja dhe temperamenti i veçantë i tij,bënë që ai të krijonte një shoqëri të gjerë edhe përtej kufijve të vendit.
Kush jetoi dhe punoi bashkë me të dhe nuk iu gëzua miqësisë dhe shoqërisë së tij të rrallë. Kush u mat me Luanin dhe nuk e ndjeu veten “të mundur” nga forca e logjikës,puna e palodhur dhe pathyeshmëria e karakterit të tij ,për të kapërxyer çdo pengesë dhe vështirësi. I lexuar dhe me një kujtesë të jashtëzakonshme, ai kishte gjithmonë një këshillë optimiste për këdo që takonte. Luani ishte burrë i pamoshë dhe energjik, ndaj pleqërinë nuk e provoi kurrë.
Por, fatkeqësisht, pas një sëmundjeje të pashërueshme,pikërisht natën e 14 tetorit të këtij viti , mësuesi dhe edukatori i paharruar, Luan Shkurta u nda përgjithmonë nga jeta.Ishte e vështirë t’i thoshe “lamtumirë”, sepse ai kurrë s’do ta pranonte atë! Megjithatë , me qindra ishin njerëzit, që kishin ardhur për ta përcjellur për në banesën e fundit, nga brenda dhe jashtë vendit.
Udhëtoi për 18 orë ,nga Italia në Shqipëri,për të dhënë shpirt i qetë, në vendin e shtëpinë e tij, në tokën amtare. I bindur se la pas gruan e tij fisnike dhe të fortë, Trëndelinën ,tre fëmijët e mrekullueshëm, Almën,Cenin dhe Kelën ,si dhe shumë nipër e mbesa, që i donte dhe e donin aq shumë! Me humbjen e tij, fëmijëve do t’u mungojë babai i tyre i shtrenjtë dhe udhërrëfyesi për të ndjekur drejtimin e duhur në jetë. Bashkëshortes do i mungojë krahu i saj i djathtë, motrave e vëllezërve vëllai i madh, që dinte t’u qëndronte pranë, në ditë të mira e të vështira,ndërsa shkollës dhe arsimit, por dhe prindërve të nxënësve, mësuesi dhe drejtuesi i përkushtuar.
Luan Shkurta la pas emrin e tij të mirë .Ndaj,nga goja e të gjithë atyre, që e njohën, del ngushëllimi kuptimplotë: Qoftë i paharruar përjetë!
Tiranë, tetor 2015
—————————————–
(x)Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë

Filed Under: ESSE Tagged With: Luan Shkurta, Murat Gecaj, nderroi jete

NJË “DREKË LETRARE”,NË BREGDETIN E DURRËSIT…

October 20, 2015 by dgreca

Nën kujdesin e mikut, Kadri Tarelli/
Nga Murat Gecaj/
1.Kishte disa ditë që, kolegu e miku ynë i përbashkët, Kadri Tarelli, arsimtar veteran e publicist i njohur, e kishte “projektuar” një takim të ngrohtë, ndërmjet disa krijuesve ose, siç po dëshiroj ta pagëzoj tani, një “drekë letrare”. Nuk ishte hera e parë, që ai e bënte një gjë të tillë. Megjithatë, kësaj radhe kishte një arsye tjetër të përligjur. Pra, jo shumë kohë më parë, ai bëri një operacion jo aq të vështirë, aty në qytetin bregdetar, por që pas tij iu desh të qendrojë afër tri javë në spital. Sigurisht, lidhjet me mikun tonë nuk i ndërpremë, në ato ditë të pakëndshme për të. Dikush i bëri vizitë në spital, ndërsa të tjerë i telefonuan, për ta mësuar gjendjen e tij shëndetësore, por edhe për t’ia larguar sadopak mërzinë njohur, që përjeton secili, kur ndodhet brenda mureve të një spitali.
Ndoshta, u zgjata paksa, në këto radhë hyrëse. Ndërsa, po e zbuloj këtu një “sekret”. Megjithëse dje ne u takuam me Kadriun dhe kaluam së bashku jo pak orë, me sa di unë, asnjëri nga ne nuk pyeti as nuk bisedoi, për sa tregova më lart. Pra, dashur pa dashur, sikur e lamë të gjithë pas krahëve ose në harresë, atë që kishte ndodhur. Kjo gjë erdhi se, për fat të mir, miku ynë Kadri tani është i shëruar e në gjendje të kënaqshme shëndetësore dhe urojmë që ai të jetë i tillë, përgjithnjë!
2.Pasi gjatë udhëtimit ishim lidhur 2-3 herë me celular, kur zbritëm nga autobusi i linjës Tiranë-Durrës, unë dhe miqtë e mi, Viron Kona e Bashkim Saliasi, e takuam Kadri Tarellin në stacionin e trenit. Sakaq, aty ia mbërriti me veturën e tij, ish-drejtori i një gjimnazi të atij rrethi bregdetar, Bajram Gashi. Kështu, të katër shkuam në afërsi të Detit Adriatik, përballë Universitetit të Durrësit. Me shaka, i thamë mikut tonë vlonjat, Vironit, se ai nuk shkëputet ose nuk qetësohet dot, pa dëgjuar shushurimën e valëve të Adriatikut…
Kur po ecnim drejt një lokali mikpritës, në bregdet, pamë që aty na prisnin kolegë e miq të tjerë, të cilët i kishin të njohur që më parë. Sigurisht, kjo ishte një suprizë tjetër e Kadriut dhe befasi e këndshme për ne. Ja, po ua tregoj emrat e atyre, që tashmë janë të njohur, në fushën e letrave dhe të botimeve: Vaso Papaj, Shpend Topallaj e Agim Bajrami.
Pasi kishim zënë vend rreth dy tavolinave, duke përshëndetur e kërkuar të falur për vonesën e saj të përligjur, aty mbërriti poetja Merita Kuçi-Thartori, drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare”14 Nëntori” të Durrësit. Me atë, ishim takuar e njohur edhe më parë, pra kur shkollën e saj e vizituam bashkë me arsimtarin e krijuesin e njohur shqiptar, me banim në Boras të Suedisë, Sokol Demaku.
Si për ta “ëmbëlsuar” tërë takimin tonë, Merita na vuri përpara disa pasta, që i shijuam të gjithë me kënaqësi. Ndërsa Bajrami na gostiti me produkte nga shtëpia e tij në fshat, si djathë dhe speca turshi me gjizë, aq të kërkuar, sidomos gjatë pijes. Nuk mund të lë pa përmendur këtu, se unë u “vetëpërjashtova” nga mezetë, me peshk e prodhime deti edhe pse jam rritur brigjeve të Valbonës kaltëroshe. Ka vite që nuk e ha peshkun, edhe pse në fëmijëri shpesh i kam ngrenë troftat pikaloshe, që i zija me koshin e thuprave të shelgjeve, i shoqëruar nga bashkamoshatarët e mi?!
Kur tavolinat u mbushën me gjitha të mirat dhe ngritëm dollitë e para, bisedat tona morën “zjarr”. Kadriu nuk harroi ta çonte shëndetin edhe për një të ftuar tjetër, në këtë takim, pra për arsimtarin e publicistin Sejdo Harka, i cili nuk mori dot pjesë, për arsye familjare. Siç mund ta nënkuptojë secili lexues i këtyre radhëve, pothuajse tërë kohën, bisedat tona u sollën rreth krijimeve e botimeve tona, për letërsinë e artin etj.
Ndërsa mjedisi u gjallërua më tepër, kur fjalën e morën poetët. Ata nuk mbajtën “fjalime”, por nisën të lexonin poezi të tyre, sigurisht, ndër më të zgjdhurat. Kështu, recituan bukur e me pasion: Vasoja, Shpendi e Agimi. Përkrah kishim edhe Meritën, e cila nxori nga çanta disa fletë të thjeshta, ku e kishte të derdhur frymëzimin e saj poetik. Kështu, ajo recitoi me pasion e frymëzim, dy-tre krijime të bukura të saj.
Ju kërkoj ndjesë këtyre kolegëve, që nuk arrita t’ua shënoj dot titujt e poezive të tyre, që recituan. Por nënvizoj se ato ishin me tamatikë të larmishme, që nga ajo atdhetare e shoqërore, për dashurinë etj. Pas çdo rectimi, nuk munguan as duartrokitjet tona, në shenjë pëlqimi e miratimi, si të poezive dhe recitimeve.
3.Nuk dua të zgjatem më shumë, në këto pak radhë, por tregoj se, pasi qendruam aty jo pak kohë, me pëlqimin e të gjithëve bëmë një shëtitje pranë brigjeve të Adriatikut.Me atë rast, së bashku, bëmë disa fotografi, për t’i patur kujtim nga ajo “drekë letrare”. Vërtetë ajo u organizua, ashtu si spontanisht, por na la mbresa të pashlyera në kujtesë. Prandaj, falënderimi ynë shkon, së pari, për “sebeçiun”, kolegun e mikun tonë të përbashkët, Kadri Tarelli. Gjithashtu, e falënderojmë mikun Sh.Topallaj, i cili na dhuroi, me nënshkrim, disa libra të tij, si: “Ironia e moshës”(poezi të zgjdhura), “Unë kam qenë në Mat’hauzen”(roman biografik, për tropojanin Ahmet Zenel Çekaj) etj. Mirënjohje shprehim edhe për arsimtarin veteran, B.Gashi, i cili na shoqëroi, me makinën e tij, deri në kryeqytet. Kënaqësi ishte për mua, kur sëbashku e sollëm në kujtesë këngëtarin e njohur popullor, Dervish Shaqja e ai më dha një kopje të shkrimit, shoqëruar me dy fotografi, që ka publikuar, “Dervish Shaqja: 30 vjet, në dorë sharki, zemrën në Kosovë dhe vetë në Shqipëri”.
…Urojmë e shpresojmë që, përsëri e përsëri, ne do të shihemi, të çmallemi e të bisedojmë përzemërisht me njëri-tjetrin dhe, pse jo, të recitojmë e të këndojmë, së bashku. Se kështu jeta jonë bëhet më e bukur, merr ngjyrat e kaltra të Adriatikut dhe të luleve plot aromë, që ndodhen pranë tij.
Tiranë, 20 tetor 2015

Filed Under: Reportazh Tagged With: Dreke letrare, Kadri Tarelli, Murat Gecaj

NËPËR FAQET E GAZETËS “NIKAJ-MËRTUR”…

October 14, 2015 by dgreca

Nga Murat Gecaj/
Ndoshta, ndonjë lexues mund të mos e dijë, se ku ndodhet krahina malore e Nikaj-Mërturit. Ajo është pjesë e Malësisë së Gjakovës (Tropojë) dhe kufizohet me krahinën e Dukagjinit të rrethit Shkodër. Për lashtësinë dhe traditat e saj të çmuara atdhetare, kulturore e shpirtërore etj., që janë trashëguar brez pas brezi, do të duheshin faqe të tëra. Për njohjen, ruajtjen dhe çuarjen përpara të tyre, ka disa vite që është ngritur dhe funksionon një shoqatë atdhetare, shoqërore e kulturore, me të njëjtin emër, e cila tani ka kryetar Av.Gjin Niklekaj.
Për ta pasqyruar sadopak jetën dhe veprimtaritë e kësaj Shoqate, është viti i shtatë qëkur del gazeta periodike, me titullin “Nikaj-Mërtur”. Në redaksinë e saj bëjnë pjesë disa intelektualë të njohur të krahinës, me drejtor Pashk Prekën dhe kryeredaktor Dedë Qokaj (dede.qokaj@gmail.com). Kjo gazetë përgatitet dhe botohet me përkushtim, duke përballuar edhe vështirësitë e njohura financiare.
Kësaj here, po ua tregojmë shkurtimisht përmbajtjen e numrit 7, të gazetës “Nikaj-Mërtur”…
Në faqen e parë është editoriali i shkruar nga Jak Përpali dhe që vazhdon në faqen e dytë, “Ndarja me trojet e të parëve, si endje nëpër tallze drite”. Duke folur me dhimbje, për largimin e të rinjve e të rejave nga toka amtare, ai nënvizon se rinia, “nisi shkëputjen nëpër ëndrra të mjegullta, plot shpresë dhe si nëpër një trandje, që ngjitej prej nëntoke, ajo zbriste nga qiejt e ndërfutej nëpër shpirtëra…”. Në faqen e tretë flitet për zgjedhjet e zhvilluara këtë vit, në Shoqatën “Nikaj-Mërtur”, nga doli edhe Asambleja përkatëse, me njerëzit e ngarkuar sipas të gjitha fshatrave të krahinës. Në të, bëjnë pjesë edhe dhjetë përfaqësues nga Kosova.
Faqja e katërt i kushtohet ceremonisë së organizuar për dhënien e titulli “Qytetar nderi” i Nikaj-Mërturit, gazetarit të njohur sportive, Mejdan Zhivani (pas vdekjes).
Krahina e Nikaj-Mërturit është e njohur edhe për traditat e bukura në fushën e artit e kulturës, por dhe të arsmit. Këtij qëllimi i shërben shkrimi i ing.Sokol Meshit, shoqëruar me fotografinë e Mark Mitrit, “Dinastia artistike e Paplekajve; arti dhe muzika në Nikaj-Mërtur”. Po në faqen 5 dhe që vazhdon në të 16-tën, është intervista me intelektualin e krahinës, prof. Lush Susaj, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës, përgatitur nga Dedë Qokaj. Gjithashtu, interesant është shkrimi i faqeve 12-13, me titullin “Gurra nikajmërturase dhe shpirti artistik popullor”, nga Ndoc Bushgjoka.
Në faqet gjashtë dhe shtatë të kësaj gazete bien në sy shkrimet e prof. Musa Krajës dhe Mujë Buçpapajt, që i kushtohen dy librave të autorit Frrok Vukaj, pas atij të mëparshmit, duke formuar kështu një “triptik”, për jetën arsimore të vendlindjes së tij dhe tërë Malësisë së Gjakovës, në përgjithësi.
Duke shkruar për “Historinë e dyerve të mëdha të krahinës së Nikaj-Mërturit”, autori Ylli Prebibaj ndalet në disa prej tyre dhe konkretisht jep të dhëna me interes për “Derën e Sadik Gjergjit të Palçit”, për Adem Sadikun dhe Fetë Sadik Gjolin-“Martir i Demokracisë” e Ukë Çunin.
Në faqen 14 është botuar shkrimi i arsimtarit e publicistit, nga fshati Zogaj i Tropojës, Ibrahim Hajdarmataj, kushtuar librit të prof. M.Gecaj, “Për ju, krijuese” dhe ai që pasqyron veprimtarinë për arsimtarin e poetin e paharruar Selim Aliaj, i cili u shpall “Qytetar nderi” i komunës Tropojë. Shkrimi me titullin “Burrat zemërbardhë e orëmëdhenj i tretë dheu, por koha s’i harron”, me autor Dedë Zhivanin, na jep të dhëna rreth librit “Amaneti i pashkruar” dhe veprimtarisë përuruese të tij, që i kushtohej birit të paharruar të krahinës Nikaj-Mërtur, Dedë Rrustemi (pas vdekjes).
Në faqen përmbyllëse të gazetës “Nikaj-Mërtur” janë botuar katër fotografi me ngjyra, nën titullin domethënës, “Curraj i Epërm, mrekullia e bjeshkëve”.
Duke e uruar redaksinë e gazetës “Nikaj-Mërtur” për botimin e këtij numri, shpresojmë e presim, që ai të pasohet me botime të reja, sa më cilësore dhe në përshtatje me kërkesat e lexuesve të shumtë të saj.
Tiranë, 13 tetor 2015

Filed Under: Komente Tagged With: “NIKAJ-MËRTUR”, Murat Gecaj, NËPËR FAQET E GAZETËS

NË EKSPOZITËN E PIKTURËS “ENIGMA”, TË DHIMITRA MISRASI-“LUSHA”

September 25, 2015 by dgreca

Nga Murat Gecaj/

Siç dihet, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit tonë, herë pas here, zhvillohen veprimtari të ndryshme e mbresëlënëse, kulturore e artistike. Kështu, p.sh., aty bëhen përurime librash, festohen ditëlindje krijuesish etj. Por, jorrallë, hapn ekspozita pikture ose fotografike.Në ketë shënim, dëshiroj të përmendi se, nga data 17-25 shtator 2015, aty  qëndroi e hapur Ekspozita me emrin “Enigma”, nga piktorja emigrante në Greqi, Dhimitra Misrasi-“Lusha”. (Ajo do të jetë hapur edhe nesër).Këtë Ekspozitë e kanë vizituar shumë banorë të Tiranës, ndër ta edhe piktorë e skulptorë, punonjës të artit e kulturës, poetë e shkrimtarë,  artistë e publicistë etj. Sigurisht, ata kanë krijuar përshtypjet e tyre rreth përmbajtjes e realizimit artistik të  afër 45 punimeve të paraqitura.Unë nuk mund të bëj vlerësime të sakta për këtë ekspozitë edhe për faktin se nuk jam specialist i kësaj fushe, por dhe sepse nuk është qëllimi i këtij shënimi ose kësaj skice, që po publikoj. Ekspozitën në fjalë pata rastin që ta shihja pikërisht  sot.Në përgjithësi, më bënë përshtypje pikturat e kësaj autoreje të talentuar. Një shikuesi a vizitori jo specialist, i tërheqin vëmendjen si tematika e pikturave, por edhe ngjyrat e ndezura të tyre, pasqyrimi i botës shpirtërore të portreteve të realizuara, detajet artistike  etj. Veçanërisht, janë të pëlqyeshme peisazhet e ndryshme. Pikërisht, pranë një pikture të tillë, pata kënaqësinë që të bënim një foto, bashkë me piktoren  Dhimitra Mistrasi-“Lusha”.Me këtë rast, e urojmë këtë autore, si për çeljen e kësaj ekspozite në kryeqytetin tonë dhe për vazhdimësinë e krijimtarisë, gjithnjë e më të bukur. Shpresojmë e presim, që në to të ketë kurdoherë frymën e dashurisë për vendlindjen dhe të pasqyrojë sa më bukur: traditat e mrekullueshme të popullit tonë,  botën e pasur shpirtërore njerëzve dhe shijet artistike të bashkatdhetarëve tanë, kudo që ata ndodhen!

Tiranë, 25 shtator 2015

Filed Under: Mergata Tagged With: Enigma, Murat Gecaj, NË EKSPOZITËN E PIKTURËS, TË DHIMITRA MISRASI-“LUSHA”

RIKTHIM NË MUZEUN HISTORIK KOMBËTAR…

August 14, 2015 by dgreca

Nga: Prof. Murat Gecaj/1.Kur paraditën e sotme po shkoja për në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit, përsëri mendoja se sa shpejt ikin: ditët, javët e muajt, por dhe vitet. Kështu, sillja ndërmend afër 5 vite të shkuara, kur pikërisht në atë sallë ishim tubuar për të marrë pjesë në përurimin e dy librave të autores së njohur, tashmë me banim familjarisht në Nju Jork, Kozeta Zylo. Atëherë, isha takuar me atë në Ministrinë e Arsimit e Shkencës, në shoqërinë e mikes së përbashkët, publicisten e studiuesen Vjollca Spaho. Pastaj u njoha edhe me bashkëshortin e Kozetës, Qemal Zylon. Të them të vërtetën, më dukej që me ata isha takuar vite më parë. Arsyeja ishte se, përmes Internetit, ishim lidhur disa herë dhe kisha dijeni për veprimtarinë e tyre të shquar, në Bashkësinë Shqiptare të Nju Jorkut e më gjerë. Këtë gjë ata e realizonin jo vetëm me botimet e tyre, por dhe përmes tri shkollave shqipe në Nju Jork: Staten Island, Manhattan e Brooklyn dhe valëve të televizionit të tyre, “Alba Life”.
Me atë rast, Kozeta përuroi librat “Një fjongo dielli nga Nju Jorku”(poezi) dhe “Refleksione shpirtërore”(Kritika dhe esse).Për atë veprimtari bëra një shkrim modest dhe e publikova, në atë kohë, por dhe në librin tim “Për ju, krijuese”(Tiranë, 2015).
Kështu, edhe sot kisha kënaqësi të veçantë që t’i takoja përsëri ata, tashmë në përurimin e dy librave të rinj të Kozetës. Po shkoja aty bashkë me Vjollcën e mikun tim nga Mirdita, Fran Nikollin, por dhe me sa e sa krijues të tjerë të njohur, poetë e shkrimtarë, publicistë e artistë. Ne do të merrnim pjesë në një gëzim të përbashkët, i cili nuk ishte vetëm për Kozetën e Qemalin, por dhe për fëmijët e tyre, për nipa e mbesa, si dhe për familjarë tjerë të tyre, kolegë e miq të saj të shumtë, për ish-nxënës e bashkëkrahinas nga Tepelena etj.
2.Fjalën e hapjes dhe moderimin e tërë veprimtarisë, për përurimin e librave të Kozeta Zylos, “Diaspora, si krah shqiponje”(Esse, refleksone e reportazhe) dhe “Kujtime, si fletës libri”(poezi), e mbajti artisti i njohur Kujtim Gjonaj. Jam i vetëdijshëm se për lexuesit nuk mund të jepen hollësira, në një shkrim të zakonshëm, për ato që u thanë gjatë asaj veprimtarie të bukur, e cila zgjati rreth dy orë. Secili nga folësit u ndal në vlerat e disallojshme, jo vetëm të këtyre dy librave, venë në qarkullim nga SHB “Bota Shqiptare”, por dhe për punën e përkushtuar të kësaj autoreje të pasionuar dhe të palodhur për çështjen mbarëkombetëtare shqiptare, në Bashkësinë Shqiptare të Amerikës.
Gjatë veprimtarisë përuruese u duartrokit nxehtësisht “Artistja e Popullit” Margarita Xhepa, e cila lexoi poezi të zgjdhura nga libri i ri i Kozetës. Pastaj, njëri pas tjetrit, studiues e kritikë letrarë, poetë e shkrimtarë, u ndalën në pamje të ndryshme të këtyre dy librave, sidomos të poezive të frymëzuara të K.Zylos.
Kështu, u ndoqën me vëmendje të veçantë diskutimet e zëvendësdrejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi dhe kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, Pandeli Koçi. Më pas folën presidentja e “Albanian Exellence”, Flora NIkolla dhe krijuesit e botuesit e njohur: Laureta Petoshati, Novruz Shehu, Kujtim Mateli, Kozeta Zavalani e Piro Loli.
Duke e vlerësuar lart punën dhe botimet e çmuara të Kozeta Zylos, Lidhja e Shkrimtarëve “Pegasi”, me President Kristaq Shabanin, i dha asaj titullin “Personalitet i lartë i letrave shqipe”, dëshminë e të cilit ia dorëzoi artistja Flutura Maçi. Ndërsa organizata “Albanian Excellence”, e shpalli atë “Anëtare Nderi”, për ndihmesën e vyer në përçimin e vlerave më të mira të shqiptarizmës në Diasporë.
Në mbyllje të kësaj veprimtarie të bukur e mbresëlënëse, foli krijuesja e talentuar Kozeta Zylo. Ajo i falënderoi përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit e folësit në përurim. Kujtim i paharruar për të pranishmit ishin librat e dhuruar nga kjo autore, fotografitë e përbashkëta etj.
Tiranë, 14 gusht 2015

Filed Under: Komunitet, LETERSI Tagged With: Historik Kombëtar, Murat Gecaj, RIKTHIM NË MUZEUN

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 21
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT