• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KUJTESË 145 VJETORI I KONGRESIT TË BERLINIT 

June 15, 2023 by s p

PERG.  NDUE  BACAJ

HYRJE:

Fuqitë Europiane e thirrën Kongresin e Berlinit me 13 qershor 1878. Ata u  përqendruan në çeshtjen që kishte shkaktuar thirrjen urgjente të Kongresit-zvoglimin e ndikimit rus në Ballkan…1.  Kongresi i Berlinit do të fillonte punimet tre ditë pas Lidhjes së Prizrenit dhe kishte si qellim rishikimin e Traktatit të Shën Stefanit, të atij viti, të cilin Rusia ia kishte imponuar Perandorisë Osmane , si dhe për të krijuar mardhënie politike të qendrueshme në Ballkan. Gjithashtu kongresi donte të kufizonte hegjemonin ruso-sllave në Ballkan. Në kongres morën pjesë përfaqësuesit e gjashtë fuqive të mëdha të Europës: të Gjermanisë, të Anglisë, të Francës, të Rusisë, të Austro-Hungarisë dhe të Italisë.2.  Gjermania përfaqësohej me kancelarin e saj  Otto Bismark , Franca me ministrin e jashtem Vadington , Anglia me lordit Beaconsfield,  Austro-Hungaria  me ministrin e jashtem Adrassy , Italia me kontin Korte (Corte) , Rusia me ministrin e jashtem Gorkaçov , ndersa perandoria  Osmane kishte tre perfaqesues , Mehmet Ali Pashen , Karatheodhori Pashen  dhe  ambasadorin e saj në Berlin  Sadulla Pashen… Delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha. Ai mund të diskutonte për çdo çështje të rendit të ditës, por nuk kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit. Shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) u ftuan vetëm për të parashtruar kërkesat e tyre. Ndonse në Berlin po të diskutohej edhe për fatin e popullit shqiptar, delegacioni që dërgoi Lidhja e Prizrenit (Abdyl Frashërin dhe Pashko Vason), me nismen e vet, nuk e pranuan të fliste në Kongres. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark. Gjatë kësaj kohe nga trojet shqiptare u formuluan dhjetëra peticione, protesta  e memorandume që iu dërguan kongresit të Berlinit gjatë muajve qershor-korrik 1878. Por përveç peticioneve, protestave dhe memorandume kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë etnike , parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomiste.  Këtë kërkesë Lidhja e Prizrenit ia përcolli me anën e Abdyl Frashërit dhe Pashko Vasos Kongresit të Berlinit me 15 qershor. Megjithëse platforma e autonomisë ishte pranuar nga shumica e qarqeve patriotike shqiptare, nuk munguan t’u paraqiten Fuqive të Mëdha edhe kërkesa të tjera, që parashikonin formimin e një shteti të pavarur shqiptar.3.  

PROTESTA E MEMORANDUME QË SHQIPTARËT U  DËRGOJNË FUQIVE TË MËDHA TË EUROPË DHE KONGRESIT TË BERLINIT!

Në ditën e fillimit të kongresit të Berlinit me 13 qershor 1878  një grup atdhetarësh shkodranë i dërguan një memorandum kryeministrit  anglez, nepërmjet lordit Beaconsfield, (kryetar i delegacionit anglez në Kongresin e Berlinit), ku ndër të tjera “thuhet”: “…Ndërsa përfaqësuesit e fuqive të Mëdha të Evropës janë mbledhur në Kongres, për të gjetur zgjidhje të arësyeshme dhe të ligjshme çeshtjeve të ndryshme që pëbëjnë çeshtjen Lindjes, sigurisht nuk do të jetë i huaj zëri i shqiptarëve midis shumë të tjerëve që kerkojnë drejtësi duke terhequr vemendjen e përfaqësuesve fuqiplotë. Dhe aq më tepër duhet shpresuar se Çeshtja Shqiptare do të shtrohet në tryezën e bisedimeve , mbasi të gjitha kombësitë e tjera nën perandorinë Osmane kanë një qeveri dhe një diplomaci që ua shpreh dëshirat , vetëm  Shqipëria nuk ka asnjë lloj përfaqësie. Duke mos pasur qeveri të vetën, ajo nuk mund të përfaqësohet vetë, dhe nuk mund të përfaqësohet as nga perandoria Osmane… Evropa e njeh historinë tonë. Stergjyshrit tanë që u munden , por nuk u mposhtën nga armët  turke , ruajtën pavarësinë e tyre, karakterin kombëtar, traditat, gjuhen, edhe pse me fe të ndryshme, shqiptari , qoftë katolik, ortodoks ose musliman, e urren si sundim turk, ashtu dhe çdo sundim tjetër të huaj… Shqipëria ka një faqe të lavdishme në historinë e kombeve që nga Skenderbeu….”. Në fund të memorandumit shkruhet Shkodër 13 qershor 1878-SHQIPTARËT.4.  Po me 13 qershor (1878) , Dega e Lidhjes së Prizrenit (Shkodër), me pelqimin e gjithë vilajetit të Shkodrës dhe të Dibres, muhamedanë dhe katolikë bashkë , vendosen me i dergue një telegram kongresit të Berlinit me lutje që Tivari, Shpuza, Podgorica t’i mbetëshin Shqipërisë. Telegrami u nënshkrua prej 500 vetëve…5.  Me datën 15 qershor 1878, Lidhja  Shqiptare e Gegërisë i drejtohet Kongresit të Berlinit me një protestë kundër aneksimit të tokave shqiptare nga Bullgaria, Serbia e Mali i Zi. Nënshkruesit e protestës  janë përfaqësues të Jenipazarit, Dibres së Sipërme, Tetovës, Shkupit, Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës, Pejës, Gucisë, Senicës, Tashlixhës, Lomit, Latinët (Katolikët) e Prizrenit, të Gjilanit e Pejës.6.  Po me datën 15 qershor (1878) popullsia e Podgoricës, Shpuzës, Zhabjakut dhe të krahinave të Grudës e Kuçit , i drejtojnë një protestë Kongresit të Berlinit kundër lëshimit të tokave të tyre Malit të Zi si dhe kundër akteve barbare të kryera prej autoriteteve malazeze. Nga emrat e nënshkruesve sipas krahinave shqiptare , mendova të cilësoi ata të Grudës, të cilët janë: Ibrahim Hysejnoviq, Baca Kurti, Pllumb Gjeka e Smajl Martini dhe të Kuçit: Ram Hysi, Nik Deda, Lul Vuksani, Mirash Pera, Stojan Gjeli e Mus Melini…7.  Ndërsa me 16 qershor (1878) nga Shkodra nënshkruhet  protesta e krahinave të Shqipërisë së Mesme , të Veriut  të Tivarit, të Trieshit, Tuxhemiles, Kuçit etjerë, që i drejtohej kongresit të Berlinit  kunder coptimit të Shqipërisë. Ajo kërkon respektimin e të drejtave kombëtare… Është “interesant” se po me dtaën 16 qershor (1878) nga Shkodra nënshkruhet edhe protesta tjetër e fuqishme dhe organizuar  nga 324 perfaqesues thuajse të të gjithave krahinave të Shqiperisë së veriut dhe asaj të mesme…Unë me këtë “rast” mendova të cilësoi vetem disa  nga emrat më sinjifikativ që nënshkruan protesten..nga Shkodra me rrethinat, Dukagjini etj…si: Jusuf  Sokoli, Farnçesk Çoba , Pjeter Ashiku , Daut Boriçi , Filip Suma , Selim Gjyrezi , Zef (Xhuzepe)  Muzhani , Hafiz  Jusuf  Repishti , Pjeter Lazer Pistulli , Alo  Tabaku ,  Anton Zojzi , Tahir  Bushati , Gjon (Xhiovani) Çurçia , Dul Grizha , Pjeter Guraziu , Ahmet Haxhi  Ademi , Engjëll (Anxhelo)  Curani , Paulo Simon Noga , Pjeter A. Suma , Alush Fishta , Françesk Pema , Gjon (Xhvani) Çoba , Haxhi Selim  Karakaçi , Zef (Xhuzepe)  Vasa , Hasan  Quku ,  Pjeter Çapaliku , Mark  Lula , Marash Kola , Gjekë Gega etj. Si dhe nga Malësia e Madhe nënshkruajnë: Dedë  Gjon  Luli , Çun  Mula , Nikollë Mirash Hasanaj – Hot ; Ujk Gila e Merandia (Mirash) Nika –Kelmend ;  Gjel  Vuksani e Paskal (Pashko) Deda- Kastrat ; Smajl Martini, Baca Kurti, Pllum  Gjeka e Ibrahim  Hasani –Grudë ; Dedë  Nika , Lul  Vuli e Mus  Milia –Kuç ;  Dedë  Hysa e Mirash  Musa –Triepsh ; Marash  Dashi- Shkrel ; Sokol  Mustaf  Bajraktari , Meto Dema , Abdyl  Kurti e Mem Shabani- Koplik ; Fasli  Gruemira –Gruemire  ; Tafil Bisho e  Ali Tahiri – Grizhe ; Mehmet Rrjolli e Hajdar Huka –Rrjoll ; P. Mark Loshi nga Reçi ; Tak  Elezi –Lohe…  Vlenë të theksohet se edhe komunitetet shqiptare që jetonin jashtë  trojeve të tyre  ishin soldarizuar me  protestat energjike kundër kongresit të Berlinit , që po planifikonte coptimin e mëtejshem të trojeve shqiptare. Një ndër keto protesta me  rëndësi historike është edhe ajo e  shqiptarëve me banim në Stamboll të cilet  me daten 18 qershor (1878) u dergojnë një protestë domethenese perfaqesusesve  të Fuqive të mëdha në Kongresin e Berlinit  kundër qellimeve  aneksioniste të Greqisë ndaj tokave shqiptare…8.  Po me datën 18 qershor nga Mirdita, krerët e Mirditës, Pukës, Kthellës, Malësisë Lezhës dhe Lurës u drejtohen me një protestë të plotfuqishmëve të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit, për njohjen e autonomisë krahinore, si dhe të drejten për krijimin e një shteti autonom…9.  Është interesant se kur nënshkruhet Protesta, perveç krerëve të krahinave të “paralajmruara” në fillim, shënohet se nënshkruajnë protesten edhe prijësit e Ohrit të Vogël… 

DISA NGA VENDIMET E KONGRESIT TË BERLINIT:

Pas një muaji punimesh të kongresit dhe pas një lufte të ashpër diplomatike me 13 korrik u nënshkrua Traktati i Berlinit. Sipas këtij Traktati përfitimet politike dhe teritoriale të Rusisë dhe shteteve sllave të Ballkanit u paksuan. Kufijët e Bullgarisë autonome u zvogluan tri herë. Krahinat shqiptare, që Traktati i Shën Stefanit ia jepte Bullgarisë, do të mbetëshin nën sundimin Osman. Serbia nuk zgjerohej në drejtim të Mitrovicës dhe të Prishtinës, por iu dhanë krahinat e Pirotit , të Trenit, të Vranjës, dhe të Nishit që i qenë premtuar Bullgarisë. Malit të Zi i jepëshin krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës dhe të Kolashinit. Kongresi mori në shqyrtim edhe kërkesat e Greqisë që nuk kishte marrë pjesë në Luftë kundër perandorisë Osmane dhe vendosi që kufiri i ri në Tesali dhe në Shqipërinë e Poshtme të caktohej nga një komision turko-grek. Si vijë kufiri rekomandohej vija që formonin lumenjtë Kalamas dhe Selemvria, duke i dhënë kështu Greqisë, perveç tokave greke që i takonin, edhe treven shqiptare të Çamërisë. Në këtë mënyrë Kongresi i Berlinit e trajtoi Shqipërinë si plaçkë tregu dhe e bëri objekt coptimi në favor të shteteve fqinjë ballkanike. Këto vendime cenonin rëndë të drejtat dhe interest kombëtare të popullit shqiptar. Prandaj ato e shtuan edhe më tepër zemrimin e shqiptarëve.  Nga katër anët e vendit pati protesta kundër coptimit të trojeve shqiptare.10.  Kongresi i Berlinit ua njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ai ripohoi gjithashtu vendimin e mëparshëm për t’i dhënë Rumanisë Dobruxhën Veriore dhe për t’i shkëputur asaj provincën e Besarabisë në favor të Rusisë. Kufijve të Serbisë e të Malit të Zi ai u bëri ndryshime të rëndësishme. Me këmbënguljen e Austro-Hungarisë u vendos që Serbia të mos zgjerohej nga ana jugore (në drejtim të Novi Pazarit, të Mitrovicës dhe të Prishtinës, të cilat Vjena i lakmonte për vete)… Për të njëjtën arsye, me këmbënguljen e Vjenës, Malit të Zi iu pakësuan së tepërmi përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim të Hercegovinës dhe të Novi Pazarit…. Aneksimi i Ulqinit nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që anijet tregtare malazeze të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës….11.  Vlen të shënohet se Fuqitë e Mëdha duke hasë në pengesa për zbatimin e vendimeve në Shqipërinë Etnike, e morën edhe njëherë çeshtjen në shqyrtim. Italia mori nismën me propozime , me anën e të deleguemit të saj Kontit Korte, që në vend të Plavës e Gucisë, t’i jepej Malit të Zi Hoti e Gruda, mbasi këto dy krahina bonoheshin prej katolikëve e kështu vija e kufinit do të caktohej në bazë të vijëe së shënueme në protokollin e Berlinit, tuj lëshue 2/3 e fisit të Grudës, një pjesë të Hotit e kullotat e stanet e Kelmendit…. Në këto kushte dega e Lidhjes së Prizrenit Shkodër shpalli vendimin e marrun prej gjithë fiseve: “Me luftue deri në iken e fundit të gjakut në mbrojtje të trojeve shqiptare…”.12.  Kongresi i Berlinit bëri në fakt bëri të mundur ndryshimin e vendimeve të Shën Stefanit në një muaj të vetëm…. Vendimet u morën në sajë të dy këndvështrimeve të cilët kishin qënë të pranishëm edhe në kuvendet e tjera të këtij lloji: Turqia duhej fuqizuar, Rusia duhej zbrapsur. Bullgaria e Madhe, e cila përbënte themelin e planit rus u nda në tri pjesë. Ndërmjet Danubit dhe maleve Ballkane do të shtrihej principate vet-qeverisëse e Bullgarisë e cila nuk kishte asnjë detyrim ndaj sulltanit perveç pagimit të një tribute vjetor, ndërmjet maleve Ballkane dhe Rodope do të shtrihej Rumelia lindore e cila do të ishte e pushtuar ushtarakisht nga turqit, por do të qeverisej nga ana administrative nga një i krishterë; province e Maqedonisë  që mbetej, do t’i kthehej sulltanit në mënyrë që ai të luante një rol aktiv në Ballkan. Kështu Bullgaria u shkëput nga duart e carit. Për të qetësuar sadopak carin rus, kongresi i Berlinit i kënaqi dëshirat e tij në disa aspekte më të vogla. Cari mori Besarabinë nga Rumania të cilën e kishte humbur që prej 1856 dhe i dha aleatit të tij të fundit Dobruxhen  bullgare. Në Azinë e Vogël , cari zgjeroi kufijtë e tij në Armëni duke marrë edhe qytete të rëndësishme si Karsin dhe Batumin. Edhe me këto lëshime të vogla, Austro-Hungaria dhe Britania e Madhe u treguan të kujdesëshme për të marrë kompensim. Bosnja dhe Hercegovina që kishin qenë në krizë, iu besuan Austro-Hungarisë për t’i pushtuar e administruar…. Austro-Hungarisë iu dha e drejta për të mbajtur garnizone, por për të administruar, sanxhakun e Novipazarit i cili dante Serbinë nga Mali i Zi. Edhe Britania e Madhe, nën drejtimin e përkryer të Lord Bikonsfildit, arriti të marrë ishullin e Qipros, të cilin sulltani e lëshoi pasi kishte siguruar ndihmën britanike në rast të ndonjë sulmi rus në teritoret aziatike….13.  Bisedimet e përfaqësuseve të fuqive të mëdha europiane ishin të gjata dhe të bujshme dhe përfunduan me nënshkrimin e  traktatit të Berlinit. Në bazë të këtij traktati Bullgaria e Shën Stefanit u përgjysmua. Tokat në jug të maleve të Ballkanit e deri në detin Egje u banë “Krahina Autonome e Rumelisë Orientale”.14.  Gjithashtu pas debatesh, Kongresi i Berlinit , duke marrë parasysh kundërshtimin që bëri Anglia për Kretën dhe Rusia për Maqedoninë, nuk pranoi që këto t’i jepeshin Greqisë, ndërsa për pretendimet greke në Epir, Perandoria Osmane deklaroi haptas se aneksimi i Epirit nga Greqia do të ishte i rrezikshëm për të dyja palët, pasi aty mbisundonte popullsia shqiptare, e cila do t’u shkaktonte telashe si Greqisë, ashtu dhe Turqisë. Më në fund u vendos që kufiri në Thesali dhe në Epir të caktohej nga një komision turko-grek. Megjithatë, Kongresi rekomandonte si vijë kufiri lumin Kalamas në Epir dhe lumin Selemvria në Thesali. Në rast se Greqia e Turqia nuk do të merreshin dot vesh ndërmjet tyre, thuhej në nenin 24, atëherë do të ndërhynin Fuqitë e Mëdha. Vlenë të shënohet se meqë Kongresi i Berlinit kishte qenë i mendimit se një korigjim i kufijjve midis Greqisë dhe Turqisë (kupto trojeve etnike shqiptare të pushtuara nga Turqia N.B.), ishte me vend, takimet u bënë, në fillim në Prevezë (shkurt dhe mars 1879, pastaj në Kostandinopojë në fund të vitit 1880 dhe fillim të 1881…15.  Në përfundim të Kongresit të Berlinit hapsirat tokësore që fituan Serbia dhe Mali i Zi ishin shumë të mëdha në krahasim me teritoret e tyre fillestare, por ato shkelnin vetëm anëve të hapsirës shqipfolëse. Ishin tronditëse, sepse përfshinin lokalitete ku shqiptarët përbënin shumicën dërmuese të popullsisë…16.  Shqiptarët gjatë kësaj kohe nuk u mjaftaun vetëm në “luftën” me pendë, me protesta, memorandum e kërkesa, por nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u organizuan në mbrojtje të trojeve shqiptare me pushkë. Betejat janë të shumta dhe heroike që fillojnë me Luftërat në mbrojtje të Plavës e Gucisë, Hotit e Grudës (1878-1881), Lufta në mbrojtje të Ulqinit (1880), Lufta e Majes, Lufta te Ura e Sutjeskës, Lufta te Ura e Zharnicës etj.17.  

BIS MARKU PËR “SHQIPËRINË”, NË MES TË VERTETËS DHE GËNJESHTRËS  SERBE TË VLADAN GJEORGJEVIQ-it… 

Shkrimtari, studiuesi dhe historiani i njohur Jusuf Buxhovi i bazuar në arkiven e dokumenteve të Kongresit të Berlinit ndër të tjera do të shkruante: “U bënë më shumë se njëqind vjet që kur spekullohet me një thënie të kancelarit të parë gjerman, Bismarkut, se gjoja ka thënë se “Shqipëria është vetëm koncept gjeografik, ndërsa shqiptarët nuk ekzistojnë”! Farkëtuesit e këtij konstatimi, në radhë të parë historianët serbomëdhej në krye me Çubriloviqin, Haxhivasilevin, Garashaninin e të tjerë që vijnë deri në ditët tona, gjithnjë kanë cituar një “studim’ të Vladan Gjorgjeviqit (kryeministër i Serbisë në prag të Luftës së Parë botërore), ku ai një libër pamflet kundër shqiptarëve, të botuar në vitin 1913 në disa gjuhë dhe në disa qendra evropiane, sjell mendimin e Bismarkut “të cituar nga dokumentet e Kongresit të Berlinit…. E vërteta, megjithatë, është tjetërfarë. Gjykuar nga dokumentet origjinale të kongresit të Berlinit që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë gjermane në Bon, si dhe nga dokumentet që u botuan në Gjermani me rastin e kremtimit të njëqindvjetorit të mbajtjes së Kongresit të Berlinit në një vëllim të madh nga “Herald Boldt Geiss”, mund të thuhet se ky “konstatim” i Gjorgjeviqit nuk ekziston fare. Në seancën e dhjetë, së cilës i referohet Gjorgjeviqi, shihet qartë se çështja shqiptare nuk është zënë n’goje fare. Përkundrazi, për shqiptarët dhe problemet e tyre që lidhen me Serbinë dhe Malin e Zi bëhet fjalë në dy seanca të tjera: në atë të shtatën dhe në të trembëdhjetën. Në seancën e shtatë, të datës 26 qershor 1878, në të cilën u bë fjalë për Serbinë dhe kufirin e saj të ri në drejtim të Bosnjes dhe të Portës në pikën katër të vendimeve të seancës, në mënyrë deçizive Bismarku formulon këtë konstatim. “Kazatë shqiptare: Vushtria, Karshumlia, Yrkyp (Prokuple) dhe Leskovici nuk duhen të ndahen nga Porta. Nëse Kongresi do të vendoste që një pjesë e kësaj hapësire të shkëputet, pjesa Prepolac-Shluht (Takhali Khan Getsidi) pjesët midis Karshumlisë dhe Prishtinës duhet të mbesin në Turqi, në mënyrë që të ruhet rrethi i Prishtinës dhe i Vranjës, të cilat njëherë duhet të paraqesin pjesën veriore të kufirit të Portës”. Ky pasus i protokollit të Kongresit gjendet edhe në botimin komplet të materialeve të Kongresit të Berlinit, botuar nga Imanuel Geiss (në faqen 238). Në paragrafin shtesë të protokollit të tetë, në pikën dy, po ashtu Bismarku gjatë dokumentit fjalë për fjalë angazhohet që “Rrethet shqiptare Rozhaja dhe Gucija, si dhe Malësia e Hotit dhe e Kelmendit, po ashtu të banuara me popullatë shqiptare, t’i mbesin Portës”, (shih faqe 258). Në pikën c të të njëjtit protokoll prapë ndeshim propozimin e Bismarkut në këtë formë decidive që i është paraqitur kongresit, e ku thuhet: “Pasi qe rrethi i Tivarit, bashkë me qytetin banohet eskluzivisht prej shqiptarëve, duhet të mbetet nën mbikqyrjen e Portës” (shih faqe 259). Në protokollin e seancës së dymbëdhjetë të datës 4 korrik Bismarku kërkon që përfaqësuesi i Turqisë në Kongres, Mehmet Ali Pasha, të deklarohet se Turqia do të mbrojë popujt joturq në Ballkan, në radhë të parë shqiptarët… Përfaqësuesi turk Mehmet Ali pasha, në mbledhjen e 4 korrikut, pas insistimit të Bismarkut, do të deklarojë, e kjo do të shënohet në protokoll  “se Porta do të respektojë veçoritë etnike të qyteteve dhe krahinave shqiptare si Plava, Gucia, Tivari…” Në të njëjtin protokoll madje shënohet fjala përfundimtare e Mehmet Ali Pashës ku thuhet: Tivari shqiptar nuk mund t’i shkëputet Shqipërisë (faqe 296). Në dobi të këtij konstatimi flet edhe një material tjetër që ruhet në Arkivin Shtetëror gjerman në Bon. Fjala është për hartën e re të Ballkanit dhe të pjesës evropiane të Perandorisë Otomane, që iu prezantua diplomatëve në Berlin nga ana e Bismarkut pas mbylljes së Kongresit. Në këtë hartë shihet qartë përkufizimi etnik i tokave shqiptare dhe i Shqipërisë së mbetur në kuadër të Portës – në veri shkon deri te Vranja- në lindje, zbret kah Tetova deri në Ohër dhe shkon në jug deri në Janinë dhe Artë. Kjo hartë ka qëndruar një kohë të gjatë në kabinetin e Bismarkut.18.  

NË VEND TË NJË EPILOGU: NË KUJTIM TË NJË MIKU DHE NJË ARMIKU TË SHQIPTARËVE…

Vlen të kujtohet se perkundër politikes zyrtare të fuqive të atëhershme të Europes , kishte edhe zëra intelektualesh potencial të cilet e shihnin  në sy realitetin historik dhe konkret të trojeve shiptare. Studiuesi britanik  Artur Xhon Evans  botoi “Letrat Ilire” po në vitin 1878 , pasi kishte vizituar (një vit më parë) , Durresin , Shqiperinë Veriore dhe Kosoven me në krye Prizrenin . Pershtypjet e vizitës së tij  ky studiues i permbyllte  me  fjalët : ” Gjithçka më bënë të kujtoj se nuk jam  as në mes të sllavëve  e as në me të turqve. Keta janë me të vertetë bashkëpatriotët  e Skenderbeut  dhe të Aliut të Tepelenes – shqiptarë , trashigimtarë të fortë si shkëmbi ,një racë luftarake  dhe gjithmonë e pamposhtur…”.  Me sa duket fuqitë Europiane të kohes kishin vendosur të mos degjojnë potenciale intelektuale të pa-anshme si studiuesin britanik  Evans , por të “degjonin” Karl Marksin , mikun e sllavëve dhe armikun e shqiptarëve , filozofin e proletarëve ( të atyre që  populli u thoshte horra) i cili ndër të tjera shkruante: “Arnautët (shqiptarët),janë pjesërisht të krishterë  të ritit ortodoks –grek dhe pjesërisht  musliman ,ku duke gjykuar persa i njohim janë pak të pergatitur  per tu qytetruar. Prirjet e tyre grabitqare  duhet të detyrojnë çdo qeveri  fqinje  ti mbajnë nën trysni të rreptë ushtarake …Nuk mund të mohohet fakti se gadishulli i quajtur Turki  europiane  është pasuri natyrore e trashiguar  nga stergjyshrit  e races  sllave të jugut… Rival të sallavëve  janë vetem barbaret arnaut  dhe turqit të cilët  prej kohesh duhen denuar si kundershtaret më të egër të qytetrimit e perparimit , perkundrazi sllavë janë bartës të qytetrimit…”.(Se çfarë “qytetrimi” suallen sllavët në Ballkan e më gjërë , këtë e kanë treguar vazhdimisht luftrat dhe krimet e shovenëve serb mbi popujt jo serb të Ballkanit e veçanarisht mbi shqiptarët  autokton të Kosovës..).19.  

REFERENCAT: 

1.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.288, shtëpia botuese “KARTË E PENDË”, Tiranë 1995. 

2.Robert Elsie, Fjalor Historik i Shqipërisë, fq.325-326, Sh.B.”UEGEN”, Tiranë 2011. 

3.https://fjala.al/2021/07/14/kongresi-i-berlinit-ceshtja-shqiptare-nuk-perfillet-nga-fuqite-e-medha/  

4.Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave,  fq.21-23…Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978. 

5.Hamdi Bushati ; Shkodra dhe Motet, traditë, ngjarje, njërëz Vëll. I. Fq.429-430, Shkodër 1998. 

6.AMAE, CPC, Ambasada e Francës pranë Portës Osmane, Turqia, vëll.nr.417, f.558, shtojcë e raportit 98… përkthyer nga Frangjishtja- Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978, fq.29. 

7.AQSH i RSH, fondi i kongresit të Berlinit , dok.nr.5, përkthyer nga orgjinali turqisht- Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978, fq.31. 

8.PAAA, Turqia 129, vëll.II; Aktet e Kongresit të Berlinit , II, 1878, dok.33, perkthyer nga orgjinali frengjisht- Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978, fq.32-38. 

9.HHStA, PA, Konsullata e Shkodrës, XXXVIII/26, 230, 235, 240, 243, 248. Shtojcë e informacionit të konsullit të Austro-Hungarisë në Shkodër Lipih, date 24 qershor 1878…- Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978, fq.38-39. 

10.Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave  të Rep.Shqipërisë, fq.102, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994. 

11.https://fjala.al/2021/07/14/kongresi-i-berlinit-ceshtja-shqiptare-nuk-perfillet-nga-fuqite-e-medha/ + Ferdinand Schevill; BALLKANI-historia dhe qytetrimi, fq.328-329, sh.b. Eugen, Tiranë 2002. 

12.Hamdi Bushati ; Shkodra dhe Motet, traditë, ngjarje, njërëz Vëll. I. Fq.431, Shkodër 1998. 

13.Ferdinand Schevill; BALLKANI-historia dhe qytetrimi, fq.327-329, sh.b. Eugen, Tiranë 2002.

14.Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.172-173, botues Phoenix-shtëpia e librit, botim i dytë 1998.

15.Zhan Klod Faveirial, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, fq.459, Plejad 2004. 

16.Serge  Metais ,HISTORI E SHQIPTARVE  nga Iliret deri te pavarësia e Kosovës, fq.253, Tirane-2006. 

17.Më hollësisht shih Hamdi Bushati ; Shkodra dhe Motet, traditë, ngjarje, njërëz Vëll. I. Fq.432-434. 

18.Jusuf  Buxhovi, ky shkrim është pjesë e rubrikës “Arkiva PRINT” që hap Politiko.al me materiale të nxjerrë nga fondet e Periodikut dhe të Librit të Biblikotekës Kombëtare. Botuar në Gazeta “RD”, e shtunë 4 mars 1995, faqe 2. Marrë nga gazeta “Rilindja” e Kosovës. 

19.Ndue Bacaj, https://gazetadielli.com/nga-lidhja-e-prizrenit-ne-lidhjen-shqiptare-te-prizrenit/ JUNE 17, 2022 BY S P.

Filed Under: Komente Tagged With: Ndue Bacaj

NË PERKUJTIM TË NGRITJES SË FLAMURIT KOMBËTAR NË DEÇIQ

April 8, 2023 by s p

NGA NDUE BACAJ

Sukseset e dy javëve të para, 24 mars-06 prill, të kryekryengritjes kundër turke-osmane të Malësisë Madhe e më gjërë do të sillnin atë ditë të shenjtë , të enjtën e 6 prillit  1911 kur trimat kryengrites çuan në vend, amanetin e Gjergj Kastriotit dhe fjalen e prijesit legjendare Ded Gjon Luli, duke e ngritur flamurin kombetar me shqiponjen dy-krenore në majen Bratiles së Deçiqit, që u LA me gjakun e shtatë deshmorve Kojas : Dokë Preç Kercaj, Tomë Uc Ivanaj, Marash Lucë Gjokaj , Cak Uc Ivanaj, Gjeto Tomë Kolçaj, Kolë Dokë Marashaj, dhe Gjeto Gjekë Ivanaj, të cilet ranë heroikisht njeri pas tjetrit per flamurin kombetar shqiptare, dhe sot ata janë të perjetsuar në një memorial në Kojë . Ndersa Nikë Gjelosh Luli, Gjon Ujkë Miculi dhe Pjeter Zefi janë flamurtaret e paharrur të shqiptarisë.1. Ketë ditë historike luftoi e gjithë Malesia, që arriti të valvitë në driten e diellit , atë flamur që per shekuj kishte qendruar i “burgosur” nga pushtuesi  turko-osman , por i strehuar mrekullisht në shtëpiat e malësorëve, që e ruanin si sytë e ballit, por larg syrit vigjilent të hafijeve turkoshake…Kjo dritë e Flamurit kishte filluar të rilindë së-bashku me kryengritjen, në Rapsh te Hotit, në Malesi të Madhe. Kjo epope-drite i ngjanë një meteori, që sa më shumë vite i afrohet qiellit, aq më shumë i bënë dritë tokës… Me 6 prill të vitit 1911, Malësia e Madhe “Etnike” nxorri nga katakombet turko-osmane në dritën e diellit Europian, Flamurin kombëtarë të Gjergj Kastriotit –Skenderbe.. Në këtë ditë të paharruar nga mali i DEÇIQIT valvitet flamuri jonë Kombetarë i larë me lot e gjak per 432 vite rrjesht. Deçiqi është “Oxhaku” nga i cili ka dalë “tymi i bardhë” i ngritjes së flamurit kombetar, por është edhe “Oxhaku” që shperndau shkendijat që fluturuan nga Veriu në Jug, duke ndezur në të gjithë Shqiperinë idealet e flamurit dhe mvehtësisë… Ky “Oxhak” i shqiptarisë nuk u fikë kurr edhe pse mbi të u derdhen pa papushim ; rrebeshe, stuhi, gjakë, lotë e mundime. Tash mbi një shekull në trojet tona bëhet be ; pasha njatë flamur që u ngrit në Deçiq… Atë ditë (me 6 prill 1911) Lekët e Hotit, Grudes, Trieshit, Kojes, Orahoves, Fundnave, Kastratit, Kelmendit, Shkrelit, Dukagjinit etjerë, mbas fjales së Dedë Gjon Lulit :”Bini, bini sokola, he në krajlni ju shkoft zani”. Rrugën flamurtaret ia hapen vehtes në mes të mitrolozave e mauzerreve të turkut, sikur të ishin badema derdhun mbi nuse e krushq ditën e dasmes, e jo plumba, që shkepusin jetë e shtrijnë burra për tokë.. Në pak orë u gjeten në maje të Deçiqit, dhe shpalosen në ajër të lirë të Malesisë Madhe at Rub të Kuqe me Shqipe të Zezë që tash 450 vjet kishte ndejë palua e diku edhe harrua, ndër skutat ma të fshehta të Shqipnisë robnueme..”.2.
Kesaj dite fatlume, fetari, atdhetari dhe poeti i embel malsor, dom Aleksander Sirdani i kushtonte vargjet brilante :
“Nalt Flamuri perhillet,
Armikut s’i leshon cak,
Me besë Arbnori lidhet,
Me gjakë mbrojt Atdheun me gjakë,
Ngallnjyese kthen Malesia,
N’Deçiq Flamuri të valojnë,
Plot gjak e jetë i kushtojnë.
……………………………
Kuq e Zi Flamuri perhillet,
N’dor Ded Gjo’Lulit trim,
me Gurakuqin mblidhet,
Shqipnia me një kushtrim“.3. 

Në atë ditë me 6 prill (1911) shqiptari i vertet mbushi mushkeritë me frymen e lirisë, e brohoriti në Zemer të vet :”Rrnoft Shqipnia”.4.
Ndersa poeti kombetarë At Gjergj Fishta këtij Flamuri i kushton një poezi që e titullon ; “Hymni i Flamurit Kombëtar”, nga e cila citoj:
“….Mbi njatë Flamur Perendia
Me dorë t’vet Ai e ka shkrue:
“ Per shqiptarë do t’jet Shqipnia
Kush ua prekë, ai kjoftë mallkue !
……………………………………
Ma mirë dekë me u shue nën hije
T’Flamurit tonë në fushë t’mejdanit,
Se me rrnue nji jetë robnie
Per nën sukuj t’huejë t’Ballkanit…! 5.  

Kjo krye-kryengritje dhe ky Flamur (në trojet tona) identifikohet shpesh me figuren madhore të Malësisë e Shqiptarisë, heroin e popullit Ded Gjon Luli që thoshte : “Flamuri i ka të gjitha, ai ka besen, ka pushken, ai ka brenda gjithë Shqiperinë.. atij i falen, atë e ndjekin mbrapa të gjithë, çka është shqiptarë i vertet..”. Keto ditë heroike të Malësisë Madhe i pershkruan mrekullisht edhe poeti pogradecar, Lasgush Poradeci në poemen me titull “M B I   T A”, nga e cila citoj:

 “…Ku ngrihet kombi peshë,

Ku mposht t’urryerin armik

Malsija burrereshë;

Malsija që bën sulm ne zjarr

Po si dragoj me fletë,

Siç bënte sulm ngadherimtar

Gjergj Kastrioti vetë.6.

Ndersa gazeta “Liri e Shqipnisë”, që botohej në Sofje nga Kristo Luarasi do të shkruante: “Nji punë e bukur ndër këta burra, që leshi i kresë të çohet përpjet prej gzimit, që këta fatosa luftojnë me flamur të kuq me shqiponjën e zezë me dy krena, due me thanë me flamurin (bajrakun) e Skenderbeut”.7. Në këtë përkujtim të ditës së ngritjes të flamurit nuk po mundem të lë pa kujtuar edhe aktin heroik të grudasit trim-dragua Nikë Pretash Leci – Sinishtaj, per të cilin Risto Siliqi (pjesmarres në kryengritje me pushkë e pendë) do të shkruante: Fatosi shqiptar, i flakti trim prej Grudet Nikë Pretashi në betejen per marrjen e fortesës të Shipshanikut, kur e pa se turqit ishin të fortë në ketë forsadë e mbasi …shqiptaret topa nuk kishin vetëm luftonin me plumba, i plasi zemra e u nis në pikë të vrapit kalasë perpjetë edhe pse si breshen pikojshin plumbet në të gjitha anet …mberriti tu bedeni , ku me një hov murin e shkaperceu, pos sa e kapi murin e derës të hymjes së kalasë perbrenda e priti batarja e plumbave të nizamit..e ra deshmor në kambët e armiqëve …!
Me hov të luanit, me guxim burrash,
Desht ta rendojnë kalanë me dorë;
Prej njiqind singinash, prej njiqind plumbash
Mbrenda bedenit u ba therorë.! 8.
Ndersa trashigimia gojore thotë se Nikë Pretash Leci është hellur mbi gryken e Topit turk që qellonte malësorët kryengritës…
Per luften e kryengritesve malësor në Deçiq shkruan edhe autori i librit “DUKAGJINI” (Zef Gjeta), nga i cili citoj: “ Në luften e Deçiqit dhe në ngritjen e Flamurit Kombetar moren pjesë edhe vullnetarë nga Shala e Shoshi . Në luften per ngritjen e Flamurit, midis të tjerëve u vranë edhe Bal Gjoni nga Nicaj-Shalë dhe Bush Delia i Shoshit. Kur u ngritë Flamuri në Deçiq dhe më vonë, populli i Shkodres e Malesisë i kendoi kengen:
“Vigmen tue i dhanë Shqipnisë, po anë e mbanë
Bini bre burra bini ksaj Turki
Dirgu moj djelmni, e bjer në tiran
Me nji Gurakuq, me nji Dedë Gjo’Lul
Me nji Mehmet Shpend, me nji Prel Tul
Me ne janë Lekët që u shkrinë per Shqipni …“ 9.
Dita e Flamurit tonë kombetar është një ditë e madhe, që deshmojë me zë të lartë, deri në kupë të qiellit, se shqiptaret e themelisht malsorët kanë ruajtur per shekuj fillin (shpesh të holluar) të perkatësisë sonë Europerendimore.. Ngritja e Flamurit në një ditë pranvere e bënë me domethënse ketë eveniment historik, pasi pranvera në kalendarët enciklopedik të popujve “ njihet “si : Pranvera e ringjalljes, pranvera e dashurisë, pranvera e luleve, ndërsa në kalendarin enciklopedit të memories sonë prej 6 prillit 1911 “kujtohet” edhe si pranvera e Flamurit… Ky flamur nga Deçiqi, nisi udhetimin 600 ditore (6 prill 1911 – 28 nentor 1912) deri në Vlorë, i cili si flaka olimpike udhëtoi duke lëshuar dritën e dhanë kushtrimin, se kush është shqiptarë i vertet duhet të rrokë armet e t’i dalë zot atdheut… Nga Malësia filloi udhetimin 523 ditor nga veriu në jug të Shqiperisë edhe memorandumi i Greçes (23 qershor 1911) i cili sherbeu si bazë e programit politik të shpalljes së pavaresise nga Vlora me 28 nentor 1912… Nga Malesia e Madhe moren vrullë dhe udhëtuan nëpër Shqiperi e Europë per ditë e muaj edhe korifejt e shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë , Ismail Qemali , Luigj Gurakuqi , Isa Boletini, Dom Nikollë Kaçorri etjerë , të cilet kishin marrë besimin , bekimin e sigurinë se koka e Shqiperisë (jo vetem nga ana figurative), Malesia e Madhe Etnike me në krye kryetrimin e urtë të atdhetarisë Dedë Gjon Lulin do të ishin në perjetësi në krye të luftës , perpjekjeve dhe kerkesave jetësore e ligjore për një Shqiperi të lirë e të mosvarme. 

SHËNIM: Qindra atdhetarë që dhanë jetën si me lindë në këtë krykryengritje  janë shpallur dëshmorë të atdheut, dhe me datën 27 prill (2023), do të organizohet cermonia e këtij vlersimi të shumpritur…

REFERENCAT: 

1.”Hylli i Drites” 1932/11, fq.575 , revista “Leka” 1937/6, fq.249-250, (Flamuri i kuq ne Deçiq), Kol Kamsi “Kronikë e Agimit te Lirise”, “Leka” 1937/VIII-XII, fq.371-372.
2.At marin Sirdani, Flamuri në Deçiq, revista “Leka”, nr.6 -1937, fq.249.
3.Dom Aleksander Sirdani, sot i beatifikuar nga selia e shenjtë-Vatikani.

4.Klajd Kapinova, Në mes Kryqit dhe Atdheut, fq.63.

5.At Gjergj Fishta, Mrizi i Zanave, poezia me titull “Hymni i Flamurit Kombëtar”.
6.www.forumishqiptar.com + edhe nga ripublikimi në http://kosova.albemigrant.com/?p=5458#more-5458. 

7.“Liridashësi” gazeta “Liri e Shqipnisë”, (që botohej në Sofje nga Kristo Luarasi), nr.4, dt.13 prill 1911. 

8.Risto Siliqi, “PASQYRA” e Diteve të pergjakshme nëtë pestin Shekull të Shqipnisë të Ronueme, fq.81-82, Trieste 1912.
9.Zef Gjeta “DUKAGJINI”, fq.412-413. 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ndue Bacaj

SHËNIME PËR 145 VJETORIN E TRAKTATIT TË SHËN STEFANIT

March 3, 2023 by s p

(3 mars 1878-3 mars 2023)

NGA NDUE  BACAJ

145 Vite më parë, me 3 mars të vitit 1878 do të nënshkruhej Traktati i  Shën-Stefanit. Madje ky traktat si për ironi do të quhej traktati i paqes, pasi thuhej se i jepte fund Luftës Ruso-Turke që pat shpërthyer më 24 Prill 1877. Ku  pas luftimeve të ashpra, që zgjatën për pothuajse një vit, trupat ruse kishin arritur (fitimtare) në fshatin Shën Stefan, rreth 17 km në afërsi të Stambollit. Në këto kushte humbëse perandoria turko-osmane  (për të shpëtuar diçka nga vehtja) ishte e gatshem të linte hali teritore shqiptare për të zbutur perseri shpirtin e zuçitur dhe  grykësinë e pafashitur  të klysheve të Moskovit në Ballkan… “Sinjalet” ishin dhënë që mbas kongresit pansllavist që u mbajt në Moskë (1867), me protokollin e Londres (1877), me marrëveshjen e Budapestit (1877), e veçanarisht me nënshkrimin e armëpushimit në Edrene me 31 janar (1878), per të “kulmuar” me Traktatin e Shën Stefanit të dates 3 mars 1878..1.  Për këtë traktat historiani anglez William Miller do të cilësonte se : ”Traktati i Shën  Stefanit synonte me rregullua simbas interesave ekskluzive të popujve sllav,  fatin e një zone të Europes ku kanë interesa edhe kombe të tjerë”.2.  Pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve rusë, kontit Nikolla Ignatiev e Aleksandër Nelidov dhe atyre osmanë Safet Pasha, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Sadullah Beu, Ambasador në Oborrin Perandorak të Gjermanisë, u nënshkrua ky traktat. Për shkak të epërsisë ushtarake, Rusia abuzoi shumë me Traktatin e Shën-Stefanit, duke thelluar mosmarrëveshjet ndërmjet popujve të Ballkanit. Traktati i Shën Stefanit, perveç autonomisë që parashikonte për disa shtete sllave, traktati  parashikonte që këto “shtete” të zgjeroheshin edhe më shumë trojeve, kryesisht shqiptare.. Sipas Traktatit, u krijua shteti bullgar me kufij shumë të gjerë, ndërsa Rumania, Serbia dhe Mali i Zi deri atëherë principata autonome nën vasalitetin e sulltanit osman, fituan pavarësinë e plotë. Serbia do të zgjerohej nga jugu në drejtim të viseve shqiptare të Kosovës. Sipërfaqja e saj rritej nga 37,7 mijë km2 në 52,7 mijë km2. Edhe Mali i Zi rritej nga 4,7 mijë km2 në 15,7 mijë km2. Territoret e Bullgarisë do të zgjeroheshin deri në brigjet e liqenit të Ohrit).3.  Sipas nenit një të këtij traktati Mali i Zi do të merrte trojet etnike shqiptare të banuara prej shqiptarëve: Ulqinin, Tivarin, Krajen, Anen e Malit, pjesën e sipërme të bregut të lumit të Bunës, gati krejt liqenin e Shkodrës, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë, Rugoven, Kelmendin… Ndërsa sipas nenit tre Serbia do  të aneksonte troje etnike shqiptare të Kosovës, deri në krahinen e Prishtinës. Neni gjashtë i këtij traktati i jepte Bullgarisë jo vetëm portin e lakmueshëm të Selanikut, por edhe krahinat etnike shqiptare të Korçës, Voskopojës, Pogradecit , Strugës , Dibrës , Kërçovës , Gostivarit , Tetovës , Shkupit , Manastirit, Kumanovës etj. Siç duket shumica e trojeve etnike shqiptare do të viheshin nën dominimin e sllavëve dhe të kishës ortodokse. Gjithashtu ëndërra e vjetër ruse e pansllavizmit dhe dalja në detin Mesdhe, më në fund do të bëhej realitet.4.  (Ndërkohë Greqia nuk arriti të përfitonte asgjë nga ky traktat).  Turqia si humbëse e luftës me Rusinë , kishte pranuar diktatin e Rusisë per  të  shkëputur  shumë teritore nga perandoria e vet. Megjithse shumë nga  keto teritore ishin safi shqiptare, emri i Shqiperisë as nuk zihej me gojë..5.  Pra siç shihet shumica e trojeve Shqiptare do të  ishte nën dominimin sllav… Ndërsa “Grimca” e mbetur Shqipëri momentalisht do ti lihej perandorisë osmane që pritej nga dita në ditë të shembej , dhe ajo çfarë po “tepronte” nga Shqiperia Etnike “shpresohej” se do të mbetej nën këto rrënoja në perjetsi.6. Historiani Ferdinand Schevill në librin e tij kushtuar historisë dhe qytetrimit të  Ballkanit për Traktatin e Shën Stefanit do të shkruante: “Paqja” e  Shën Stefanit ishte një nga më të ashprat që ishte arritur ndonjëherë në historinë e lindjes”.7.  Pradaj kur ishin shpallur kushtet e Traktatit të Shën Stefanit u dha kushtrimi në kancelaritë e Europës. Filluan menjëherë perçapjet për rivizimin e këtij traktati , me qellim që me kufizue lakmitë toksore të Rusisë dhe satelitëve të saj në Ballkan. Mbas një vargu shkëmbimesh diplomatike në mes të kryeqyteteve kryesore të Europës u vendos të mblidhej nji kongres në Berlin “ku do të mund të bisedoheshin themelisht të  gjitha çeshtjet që kishin lidhje me traktatin e Shën Stefanit.  Kongresi i Berlinit do të hapej më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Europës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman: Otto Bismark.9. Vlen të cilësohet se zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e Selanikut, të Stambollit, të Izmirit, të Adanasë e të Sirisë…10.  Edhe në këto kushte të pafavorshme shqiptarët, Traktatit të Shën Stefanit dhe “pasuesit” të tij Kongresit të Berlinit do ti përgjigjeshin “flakë për flakë” me pendë e pushkë të udhëhequr na  patriotët shqiptar të të gjitha trevave shqiptare me organizimin më të lartë mbarkombëtar: Lidhjen Shqiptare të Prizrenit , që do ti fillonte punimet me 10 qershor 1878, duke sensibilizua Europen dhe organizua shqiptarët në mbrojtje të trojeve të tyre etnike… Mjerisht edhe sot cari i “ri” i Rusisë, Vladimir  Putin, por edhe putinët  e tjerë më të vegjël në Ballkan po kërkojnë që të ringjallin Traktatin famkeq të Shën Stefanit të 145 viteve më parë. Por tani kohrat kanë ndryshuar dhe Europa e re me BE-n, në bashkëpunim të  plotë me SHBA-n dhe NATO-n, janë sfiduesit potencial të carit të ri dhe dhe mbështetësve të tij sllav në Ballkan e më gjërë… Por me gjithë këtë, veçanarisht ne shqiptarët duhet të jemi vigjilent e të mos harrojnë historinë e “helmuar” të së shkuares, se  po të harrohet ka rrezik të na “helmojnë”edhe të sotmen…  

REFERENCAT: 

1.Histori e popullit shqiptar; fq.97-99, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave  të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994. 

2..William Miller; Perandoria otomane dhe trashigimtarët e saj , fq.384, London 1913. 

3.https://www.facebook.com/MuzeuHistorikKombetar/posts/3197272090335542/  

4.Edwin Jacques; Shqiptarët-historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.286, sh.b. Kartë e Pendë, Tiranë 1995, + Serge Metais; Histori e shqiptarëve  nga Ilirët deri te pavaresia e Kosovës, fq.265-266, sh.b. “55” Tiranë 2006.

5.Edwin Jacques, po aty fq.286. 

6.Ndue Bacaj ; Nga Lidhja e Prizrenit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit: Albdreams.net dhe https://gazetadielli.com/nga-lidhja-e-prizrenit-ne-lidhjen-shqiptare-te-prizrenit/17 qershor 2022. 

7. Ferdinand Schevill; BALLKANI-historia dhe qytetrimi, fq.327, sh.b. Eugen, Tiranë 2002.

8.Tajar Zavalani; Histori e Shqipnisë, fq.172, Botim i dytë: Phoenix , 1998. 

9.https://sq.wikipedia.org/wiki/Kongresi_i_Berlinit. 

10.https://fjala.al/2022/03/03/formimi-i-lidhjes-se-prizrenit-shen-stefani-traktati-famekeq-ku-rusia-coptoi-tokat-e-shqiptareve/, + Libri : Spastrimi Etnik, dokumente  historike mbi një ideologji serbe , mbledhur, përkthyer dhe komentuar nga Mirko Grmek, Mark Gjidara dhe Neven Simac me parathenie nga Ismail Kadare,sh.b.”55”Tiranë 2002. 

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

ZEF HOTI ZOGU I ZANËS, DJALI I STARËS E TRIMI I SPANJËS

February 24, 2023 by s p

(Kujtesë me rastin e 86 vjetorit të rënies në luftën e Spanjës-13 shkurt 1937)

NGA  NDUE  BACAJ  

Më 1936 alenca e quajtur Fronti Popullor, (i përbërë nga socialistë, komunistë e  republikanë  , (edhe me ndihmen e inernacionalistëve majtist dhe Stalinit), fituan zgjedhjet përseri si në vitit 1931, kur kishin dëbuar mbretin Alfons XVII dhe shpallë Spanjën Republikë, Këtij “grupimi”  iu vu përballë grupi i djathtë i quajtur “Falanga Spanjolle” me në krye gjeneralin Franko. Në këto kushte nga Spanja u lëshua kushtrimi për ndihmë , kundër focave falangiste të Frankos. Një nga shqiptarët  që “degjoi” kushtrimin  internacionalist të  vitit 1936  per të shkuar vullnetar  në luftën kundër  fashizmit në Spanjë ishte edhe malësori prej Hotit  Zef  Prelë Hoti. Zef Hoti  kishte lindur në Stare të Hotit, por  pasi kishte mbetur jetim  (i kishte vdekur babai) , për aresye “mentaliteti…” nëna e tij ishte detyruar që me jetimët e saj të ç’vendosej per të jetuar në Krujë.  Jeta  e kesaj familje hotjane  në Krujë  kishte qënë  e veshtirë , por  kisha katolike atje ishte munduar  t’a  ndihmonte  per  t’ia bërë disi më të lehtë  jetesen. Gjatë këtyre viteve  Zef  Hoti ishte dalluar si djalë inteligjent e trim , gjë që e kishte vertetuar edhe kur ai humbi vëllan… Kisha  katolike dhe famulltarët e saj françeskan të  Krujës të asaj kohe  , perveç ndihmes për të jetuar kishin menduar që djalin intiligjent Zef Hoti  ta  shkollojnë si mos më mirë , dhe per këtë ata e kishin derguar  me financimet e tyre të arsimohej në “qendren” e kultures dhe arsimit të Europes , në Francë.  Zef  Hoti në Francë  filloi të  shkollohet dhe  të integrohej me shoqeritë më perparimtare të asaj kohe, (thuhet se u lidh edhe me partinë komuniste franceze). Në këto kushte  në tetor të vitit 1936  Zef  Prelë  Hoti  vendosi  t’i pergjigjet kushtrimit  per të luftuar  fashizmin në Spanjë. Në  të vertet Evropës të  atyre viteve  kishte filluar  t’i  hynte flaka e  dy ideologjive  që kishin në themel, diktaturën dhe ndalimin e të drejtave themelore të njeriut, duke përfshirë edhe lirinë e besimit.  Ndonse ideologjia komuniste dukej disi  më “humane”  në fakt  ajo ishte “thjesht” njera anë  e të njëjtes medalje me fashizmin , i cili si në Gjermani dhe në Itali ku kishte triumfuar ai quhej  nacional-socializem , ku fashizmi apo nazizmi  njihej  si krahu i djathtë   i kesaj ideologjie , ndërsa  komunizmi njihej si krahu i majtë.  Fashistet në këtë kohë kishin zgjedhur si fushë beteje për të  zgjeruar marrjen e pushtetit me dhunë në Europë , Spanjen .. Pas kushtrimit  të rrezikut fashist në Spanjë lufta civile ishte ndezur  në mes popullit spanjoll të ndarë kunder  forcave fashiste të Frankos , por edhe pro triumfit të Frakos … Lufta në Spanjë filloi të  vështirësohet së tepërmi për vullnetarët internacionalist pasi së bashku me luftëtarët antifashist , kishin penetruar edhe luftetarët e robërisë  së  kuqe, që propagandonin komunizmin bolshevik sovjetik. Madje këta komuniste internacionaliste arriten që  nën masken  e luftës  antifashiste , të shkaterronin edhe shumë kisha e objekte të  kultit Kristian katolik dhe të vrisnin  klerin katolik si gjoja bashkepunetor të fashizmit.  Në këto kushte  lufta  internacionaliste e Spanjës filloi të zbehej në sytë e luftëtarëve të vertet antifashist dhe të  shteteve që e njihnin ideologjinë e kuqe që ishte  mbjedhur e rritur  në qeveri e shtet prej 20 vjetesh në Bashkimin Sovjetik  të  Lenin- Stalinit..  Zef Hoti  si shumë  vullnetarë internacionalist luftoi  trimërisht perkrah popullit spanjoll , siç kishin luftuar ndër shekuj  malësorët e shqiptarët në aleancat ndërballkanike dhe ndëreuropiane kundër  pushtuesve turko-osman etjer.. Zef Hoti në këtë luftë u shqua si një trim i  vendosur  kundër ushtrive fashiste të Frankos , derisa  me 13 shkurt  të  vitit 1937, në  betejën për mbrojtjen e Madridit nga fashizmi, ra heroikisht duke derdhur gjakun e tij në këto troje të bekuara  evro-perendimore. Zef Hoti pak më shumë se 30 vjeçar flijoj jetën e tij për idealin e lirisë, për të cilën ai dhe breza të tërë para tij , kishin luftuar e sakrifikuar duke ia njohur  vlerën e ditur çmimin më mirë se askush tjeter të shtrenjëtes liri , që  në Spanjë  fashistet  dhe komunistët  donin  t’a  mbysnin që në embrion, jo vetem për spanjollet, por për gjithe popujt e kontinentit  e më gjërë. Mjerisht, kjo luftë civile edhe me “prapavijë” internacionaliste mori rrugën e një   katrahure aq të madhe sa bëri  të mundur që në Spanjë te mos fitojnë luftetaret e lirisë, por “vellai” binjak i komunizmit, Fashizmi, i cili me 28 mars 1938 ngriti  në Madrid  flamurin e tij, duke fituar kështu pushtetin e shtetin. Pas kësaj luftëtarët internacionalistë të lirisë, u kthyen në vendet e tyre , kush i zhgënjyer e kush i mbushur me vrerë që do ta shprazte mbi popullin e vet kur  ti jepej rasti (Një shembull i till ishte Mehmet Shehu në Shqiperi…).  Pas kësaj lufte që thuajse humbi kuptimin në Spanjë , mbetën  shumë  trupa të të rënëve internacionalist (duke përfshirë edhe disa shqiptarë…), ku njeri ndër këta ishte edhe trimi Zef Hoti, trupi i të cilit u varros atje..  Fashizmi në Spanjë i  udhëhequr nga Frankoja , qeverisi pas kësaj lufte civile edhe rreth 35 vite  , ndërsa ne shqiptaret patem fatin e “kuq” të na qeverisin homologet e kuq të Frankos  të “zi”,  komunistet , por mjerisht  edhe  10 vjet më gjatë se ai. Është interesant fakti që ndersa fashisti Franko u ngriti varre e memoriale jo vetëm  të rënëve në mbështetje të  tij e kauzës tij , por edhe të rënëve kundershtarë të tij e kauzes tij. Frankoja gjatë qeverisjes tij në çdo pervjetor të luftës civile në Spanjë , vendoste  buqeta me lule e kurora  në varret dhe memorialet  e  të  dy  palëve të rënë , ku ketë e justifikonte duke thënë se edhe kundershtarët e mi meritojnë të kujtohen e respektohen , pasi ata kanë derdhur gjakun e dhënë jetën për një ideal që mendonin se do ta bënin më mirë Spanjën dhe Boten.. Ndersa  e kunderta ndodhi nga komunistet shqiptar , të cilët kundershtarëve politik  të luftes dhe fjalës, u humbi  jo vetem varret  pa  shenjë  e pa nishan , por persekutoi pa mëshirë edhe pasardhësit dhe farefisin e tyre deri ne shtatë  breza… Diçka tjetër që tingellon keq sot për ne shqiptarët është se  ndonse kemi filluar dekadën e katërt  që jemi “çliruar” nga komunizmi , rezultatet tona në krahasim me ato të Spanjës të sunduar nga fashizmi  janë thuajse të pakrahasueshme në disfavorin tonë… Gjithsesi 13 shkurti si ditë e rënies të internacionalistit malësor, trimit Zef Hoti,  nuk duhet të harrohet, të pakten nga të majtet e sotëm, pasi baballaret e tyre komunist ishin munduar ta bëjnë  të tyre trimin Zef  Hoti…  Ky trim malësor në të vertetë  meriton shumë më shumë, të perkujtohet e nderohet, se sa shumë të tjerë  të rënë gjatë luftës nac-çl. , (apo edhe në luftën civile në Shqipëri për “bythen” e Enverit apo “mustaqet” e  Stalinit , sundimit të të cilëve  ju kemi parë sherrin 46 vite , e vijojmë t’ja  shohim jo pak edhe sot…).  Në ketë kujtesë nuk  po mundem  pa thënë  se po të kishte patur fatin të shpetojnë gjallë nga lufta e Spanjës  Zef Hoti , komunizmi me siguri do t’i   kishte rezervuar fatin e disa shokeve te tij bashkeluftetarë të Spanjes, të cilet u  persekutuan , burgosen, pushkatuan apo “vetepushkatuan” si Mehmet Shehu e deri te malësori trim e idealist, luftëtari internacionalist i “Spanjës”,  kastratasi Gjeto Keqi, i cili do të burgosej  e persekutohej (ai dhe familja e tij) nga komunizmi stalianian i Enverit… Duke i ardhur fundi kësaj kujtesë të vogël për trimin e madh internacionalist Zef Hoti , mendova të citoj edhe disa nga vargjet e mrekullueshme të poetit malësor  (të ndjerit)  Dodë  Kaçaj:

“Ku rrin shqipja në malet  t’Hotit,

Ku kanë  lind burra barotit,

Ku kanë  lind burra me nam,

Që kanë bri hekur me dhamë,

Leu Zef Hoti , zogu i zanes,

Djali i Stares, trimi i Spanjës.

…………………………………… 

Shqipja e Hotit ndër brigada,

Fluturon me plaget e ngrata,

Front  e në  front e flakë barot,

Lufton njelloj si me kenë  n’Hot.

Amanet ju shoket e mijë,

Po ju la një porosi,

Kur të shkoni në Shqiperi,

Tek ai mal atje në Stare,

Ndalni pak shprazni batare,

Kam një nanë , n’ma  gjetshi gjallë,

Me i thanë  ma ban hallall,

Se tash më bajnë nanat spanjolle,

Një varr të bukur rrezë një molle,

Ka me u gjetë një shok prej frontit,

Me ma pru një gurë prej Hotit,

Malet rriten dhe bjeshket qeshin,

Por djemët si Zefi kurrë nuk vdesin”. 

Për t’i bërë të pavdekshëm (siç e meritojnë) Zef Hotin e bijë të tjerë të  trevës sonë, edhe pse dhanë jetën në trojet e Evropes  për një qyteterim , besim apo për  një kushtrim që mendohej se do ta bënte  Europën  e bashkë me të edhe Shqiperinë  më të mirë, ne malësorët duhet ti kujtomë e nderojmë… 

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

VËMENDJE  E VOGËL PËR NJË VDEKJE TË “MADHE”

December 30, 2022 by s p

(Kushtuar 82 vjetorit të vdekjes të At Gjergj Fishtës)

NGA  NDUE  BACAJ/

82 Vite më parë, me 30 dhjetor 1940 në spitalin civil të qytetit të Shkodrës do të ndërronte jetë Át Gjergj Fishta. At Fishtën do ta zinte vdekja ndërsa kishte ndër duer përkthimin e Petrarkës në gjuhën shqipe, sikurse kishte përkthye kaherë “Hymnet e shenjta” dhe “Pesë Maj” të Manzonit, disa nga ariet e Metazit dhe lirika nga shumë poetë të tjerë italianë. Pak para se të vdiste At Gjergj Fishten  e  viziton Arqipeshkvi i Shkodres, Imzot Gasper Thaçi. Këtë  vizitë  Arqipeshkvi e bënte  edhe per  t’i  kryer  sakramentet (e fundit) të rrëfimit e vajimit , por  At Fishta edhe pse në çastet e fundit të jetës ai do të thoshte :  “ Nuk po më vjen keq se po vdes , mbasi të gjithë atje do të shkojmë , por po më  vjen e randë se të tanë  jeten e kam shkri për të pa nji Shqipni të  lirë e në vedi , ndersa sot po e lâ të shkelun prej ushtrive te hueja.”.1.  Po ditën e vdekjes do të perhapej si rrufeja lajmi i ndarjes nga jeta i njerit prej koloseve më të medhenjë të fjalës e vepres. “Yndyra” e intelektualizmit , nacionalizmit , por edhe i qytetarisë  së thjeshtë të Shkodres , Malesisë e  Shqiptarisë do të “vishej” në zi , për  humbjen e  njëres nga mendjet më të ndritura të letersisë , artit , historisë ,filozofisë , enciklopedisë , publicistikes , satirës , diplomacisë e mbi të gjitha të atdhedashurisë… Arkivoli me trupin e tij u vendos në Kishën e Gjuhadolit prej nga u përcoll në banesën e fundit nga pothuaj i gjithë qyteti si dhe autoritetet ma të nalta të kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Imzot Gasper Thaçi, Arqipeshkëvi Metropolit i Shkodrës. Arkivoli i përmotshëm i At Fishtës ishte mbuluar me Flamurin autentik të Dedë Gjon Lulit të pa shenja robnie…2.  Telegrame të shumta ngushëllimi muer Provinçiali Atë Çiprian Nika. Më 31 janar 1941 edhe Akademia Mbretnore e Italisë mbajti nji Meshë Drite në kishën artistike të saj të Shën Lukës dhe Shën Martinit, meshë të cilën e udhëhoqi Gjenerali i Urdhnit Françeskan At Leonard M. Bello, këndue nga Schola Cantorum e Vatikanit, ndërsa pjesën muzikore të saj e drejtoi muzikanti i njohurn Akademik Don Lorenzzo Perosi, ndërsa një tjetër ceremoni përkujtimore u mbajt Reale Accademia d’Italia më 9 mars 1941. Përmbledhim këtu tue ba tonin vlerësimin e bamë nga Ernest Koliqi se: “… tek Fishta u shkrinë në nji, tana cilsitë e tij prej murgu, oratori, edukatori e politikani, ndërthurun në mënyrë të shkëlqyeme në përkushtimin e lindun ndaj poezisë.” Pranë i rrijnë shumë nga Franceskanët e mëdhenj që bënë epokë, në mes të cilëve edhe At Viktor Volaj, studiuesi i njohur i krijimtarisë letrare të Fishtës. Fjala e fundit u mbajt nga Prof. Aleksander Xhuvani (31 dhjetor 1940),  i cili ndër të tjera do të thoshte: 

“Zotnij të ndershëm! 

Si vetëtimë u-perhap an’e kand të Shqipnisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t’onë kombëtar At Fishtës,  dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të Lahutës së Malcisë, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin’e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarvet, si dikur Tirteu i vjetërsisë. E me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjit’ e tij ndezi zemrat e Spartanvet për luftë, njashtu edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit’e Mrrizit të Zanavet e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s’onë dashunin e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare. Nji këto dy ideale, atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi e përparimi i saj kanë qenë polet, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit’e tij, që e çmon mâ mirë veprën zâmadhe të Fishtës, e cila si nji far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj…. Le t’i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t’i caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në këtë dhê, prej kah të vijojë me i lutë për lumnin e Shqipnisë”. At Fishta Heshti, por këngët e tija do të tingëllojnë të gjalla deri sa të flitet shqip nën kupë të qiellit. 3.  Në këtë cermoni mortore një fjalë të shkëlqyer e domethënëse  mbajti edhe miku i Fishtës, kleriku i nderuem, publicisti e  patrioti Hafiz Ali Kraja, nga i cili citoj: 

“Poet  kombëtar, o Patër Gjergj!

Një orator, tue dashtë me folë mbi veprat Tueja, rrin shtang e hutohet, sepse ata janë shumë, janë aq të mëdhaja e të madhnueshme, sa asht vështirë me caktue se mbi cilën aso veprash duhet me folë. Vepra Yte o Poet, ka për të formue nji  faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat  politike  ndërkombëtare, nuk kje tjetër veçse me i sigurue kombit tonë të drejtat, qi ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan. Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën tande politike do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcis”  kryevepra  jote monumentale. Të jesh i bindun o Poet i Madh, se shqiptari me “Lahutën e Malcis” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë, siç janë helenët me Iliadën e persianët me Shahnamenë, mbasi, ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psiqikën e karakteristikat ma të ndjeshme të popullit shqiptar. Sot djelmnia intelektuale me “Lahutën…” Tande në dorë të nep besën shqiptare tue t`u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësinë shqiptare, do ta ruejnë e do ta mbajnë si gja të shenjtë morale. Gjithashtu edhe populli  mbarë, i fushave dhe i maleve, anë e kand  në Shqipni sot nep besën, se “Lahuta…” e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në “Lahutë…”, do ta mbajnë me forcë të madhe… Me Ty, patër Gjergj, kombi shqiptar mburret, naltësohet dhe madhnohet para  popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet; djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot në faqe të përcjellim me mallnjim e dhimbje në jetën e pasosun”.4. 

PAK NGA JETSHKRIMI I AT GJERGJ  FISHTËS :

Siç është bërë traditë në këso rastesh edhe unë mendova të kujtoj sado pak nga jetshkrimi i At Gjergj Fishtës. At Gjergji lindi me 23 tetor te vitin 1871 në Fishtë  të Zadrimes , ose në Sapen e Shenjt historike , në shtepinë plot atdhedashuri e filiza të njomë (femijë) të Ndokë Simon Ndocit  dhe bashkeshortes së tij Prenda Lazri. Femijrinë e parë Zefi i vogel (apo famulltari i ardheshem At Gjergji)  e kaloi në  katundin e vetë Fishtë , në mes  tufave të bagëtive dhe luleshqerrave, në mes tregimeve , prrallave , por edhe në mes ninullave dhe kengeve të trimerisë ,që në pergjithsi mesoheshin pranë votrës, shkollës epike të trashigimisë historike nga njeri brez në tjetrin… Fishten e vogel e futen në seminarin e Shkodres, e pastaj në atë të Troshanit , që u hap nga austrohungarezet…Kuvendi Françeskan e dërgoi Fishtën në vitin 1886 për studime teologjike e filozofike, të cilat i perfundoi në  Manastirin e Livnos e të Sutiskes në Bosnje. Me 25 shkurt 1894 celebron meshen e parë ,dhe njëkohësisht fillon rrugën e bukur, por të veshtirë e me privime të meshtarisë në vendin e tij… At Gjergj Fishta sa ishte gjallë botoi mbi 20 vepra origjinale, si dhe ka  lënë në dorëshkrime dhjetra të tjera (që do të botoheshin më vonë). Por një kontribut të çmuar Fishta ka dhënë edhe në publicistikë, ku kjo është e pasqyruar në mbi 50 organe shtypi të kohës, madje disa prej tyre të themeluar e të drejtuar po nga ai vetë me në krye Hyllin e Dritës. Vepra madhore e Fishtës kishte marrë vlerësime të rëndësishme të kohës, ku u përfshin në “fondin e Artë” të leteraturës Botërore, duke vënë epitete “superlative” si për: “Lahutën e Malësisë” – Iliada e shqiptarëve, dhe ungjilli i shqiptarizmës, për “Mrizin i Zanave” e “Vallen e Parrizit” – Gëtja Shqiptar, për “Judën Makabe” e “Jorinën” si Shileri shqiptar, për “Anzat e Pernasit” e “Gomarin e Babatasit” u mbiquajt Juventali… “Lahuta e Malësisë” u përkthye në Italisht, Gjermanisht, Anglisht e tjerë duke u bërë kështu pjesë e pandarë e artit, kulturës e qytetërimit Europian e më gjerë. Duke e konsideruar si të tillë këtë vepër shqiptarie e më gjerë, Fishta nderohet nga institucionet shqiptare e të huaja me një sërë dekoratash, çmimesh e titujsh, kombëtar e ndërkombëtar… At Gjergj Fishta është shqiptari i Parë i propozuar për çmimin Nobel. Në vitin 1939 e bënë anëtar të Akademisë Italiane e tjerë… At Fishta ka qënë kryetari i komisionit të caktimit të alfabetit në kongresin e Manastirit 1908, ka perfaqësuar Shqipërinë në konferenca ndërkombëare , ka “ndërmjetësuar” vendosjen e mardhenieve diplomatike (me 1922) të Shqipërisë me SHBA-n, ka qënë deputet dhe njëri ndër zërat më të fuqishëm të parlamentit, dhe më kritik të qeverisë , ministrave të asaj kohe, dhe çdo fenemoni apo çfaqje autokratike e që ishte kundër interesave të shqiptarëve… Por për “çudi” kur vepra e Fishtës ndalohej në atdheun e tij që e kishin marrë në dorë dreqnit e kuq (komunistët) 1944-1991, nëpër universitetet e Europës  ajo studiohet përkrah veprave të Homerit, Dantes, Gëtes e tjerë, duke u realizuar kështu edhe fjalët e Gjonit, Apostull e Ungjilltarë që thotë: Vetë Jezusi tha se asnjë Profet nuk nderohet në vendin e vet”… Ndërkohë më e keqja do të ndodhte nga komunistet shqiptar kur perveç  ndalimit të vepres (per tu bërë qjefin Moskës e Beogradit), në vitin 1967 do ti tretnin edhe eshtrat e tij ,(thonë në lumin Drin…) së bashku me eshtrat e trimit të urtë Dedë Gjon Lulit e tjerë.. 

“Kur të varrosen , 

edhe gurët kjanë! 

Kur të zhvarrosen, 

të shkelen e shanë! 

Eshtnat rrugicave , 

prap i gëlltiti dheu, 

dhe ti mbete pa vorr,

 si Skenderbeu! 

Tashti dikun në qiell, 

me shgun frati, 

pret e shikon përposht 

se ç’rrengje punon fati…”.5.  

Me gjithë ndalimin e egër që i bëri diktatura komuniste dhe propoganda e  sherbëtorëve të saj (edhe pse disa nga këta letrar të njohur e me famë), At Fishta dhe vepra tij , në trojet shqiptare , kryesisht në ato Gegë , nuk u harrua e nuk ishte e mundur të ndalohej kurrë. Vepra  e At Fishtës e veçanarisht kryevepra e tij Lahuta e Malcisë lexohej e mësohej permendësh , sigurisht në fshehtësi absolute nga syri vigjilent i partisë (sigurimi i shtetit komunist dhe spiunëve të tij). Këtë e tregon më së miri një eveniment i perkujtimit të At Fishtës dhe veprës tij pas rreth 45 viteve  ndalesë, heshtje e harresë, kur me 5 janar 1991 në Shkodër (në teatrin “Migjeni”)  gjatë recitalit të parë publik nga vepra e At Fishtës , aktori recitues ngeci , dhe menjëherë u ndihmua spontanisht  nga spektatorët në sallë, të cilët ende i mbanin mend përmendësh  shumë pjesë të Lahutës së Malcisë…6.  Dielli  s’xëhet me shoshë – thotë një fjalë e jona e vjetër . Fishtën e shkrimtarët e mëdhenj të së kaluemes  s’pat si ti terratisë gjatë kohës së komunizmit  e aq më pak tani… as  s’pat  si t’i asgjesojë mënia që me hov të vet  të pakontrolluem helmoi mendje dhe u vuni lepë  syve të shumkuj në Shqipni e ndër Shqiptarë.  Drita shijohet ma tepër mbas territ , se sa përpara. Kurrë  s’duket aq shëndritshëm dielli sa mbas shtërngatës.7.  Këtu gjejnë vend fjalët e Zef  Palit (Flaka) , kur do të thoshte: “Shkrepsa staliniane , ndezi kryevepren epike të kombit t’onë , por nuk u dogj . Lahuta asht vetë zjarr. Zjarri me zjarr nuk shuhet”.8.  Fatkeqësisht ne malësorët  e Malesisë Madhe që duhet të ishim të parët në perkujtimin e pervjetorëve (të lindjes e vdekjes) të At Gjergj Fishtes , në promovimin e vlerave të vepres tij , si dhe në memorizimin e perjetsimin e emrit të ketij “Homeri” shqiptar , që perjetësoi  historinë tonë  në “Iliaden” Lahuta e Malësisë e në vepra të tjera , ne malësorët jemi ndër të fundit… Nuk kemi asnjë shkollë , shesh , rrugë apo institucion në Bashkinë e Malësisë së Madhe që të kenë emrin e At Gjergj Fishtes.  Gjithashtu nuk kemi asnjë bust  memorial apo diçka tjeter të këtij kolosi të mendimit e veprimit , që të jenë vendosur në  kryeqendren e bashkisë  apo në qendrat e njësive administrative të Malesisë së Madhe.  Kjo mungesë e pajustifikueshme,  mjerisht  sot  duket se na thotë : “ se  ata  trima të urtë e atdhetarë  malësorë, të cilëve u këndon At Gjergji nuk paskan lanë  kurrkënd  mbrapa…”. Në vitet e demokracisë  (ish) presidenti i Republikës së  Shqipërisë (Alfred Moisiu) me 28 nëntor 2002 i ka  akorduar At Gjergj Fishtës , dekoratën më të lartë “NDERI I KOMBIT”…Nderkohë disa pushtete vendore, duke perfshirë  edhe Bashkinë e Malësisë së Madhe , (me rastin e 150 vjetorit të Lindjes  të At Gjergjit) e kanë nderuar (pas vdekjes) me titullin më të lartë vendor “Qytetar Nderi”. 

At Gjergji kudo që të pushojnë eshtrat e tu,  paç dritën e pambarueme, ashtu siç na  ke lënë veprën tënde të pavdekshme letrare, artistike, psikologjik,  filozofike  , publicistike , historike e mbi të gjitha patriotike!.  

REFERENCAT:

1.Prof. Filip Fishta, Fletë Kujtimesh , për vdekjen e At Fishtës, Hylli i Dritës nr.1-2, Kallnuer-fruer, XVII 1941, fq14.  

2.Prof. Filip Fishta, Fletë Kujtimesh , për vdekjen e At Fishtës, Hylli i Dritës.

3.Ernest Koliqi, rev. Shkëndija, fq.4, nr.7, kallnuer 1941. 

4.https://telegraf.al/speciale/hafiz-ali-kraja-nderi-i-fese-dhe-krenaria-e-kombit-shqiptar-2/. 

5.Tringë Dukagjini, Pogradec ,1976, At Daniel Gjeçaj , po aty , fq.254.

6.Robert Elsie , Fjalori  Historik i Shqipërisë , fq.195 , Sh.B. Eugen-Tiranë 2011.  

7.Daniel  Gjeçaj , GERGJ FISHTA -Jeta dhe Vepra, fq.13 , Botime Franceskane , Shkodër 2007. 

8.Daniel Gjeçaj , po aty, fq.269, citim nga Flamuri: nr.73-74, fq.2, dt.29.II.1956.   

9.Më hollësisht shih në librin tim me titull: At’Gjergj Fishta, Patrioti i madh pendartë i kombit shqiptar – Në vend të një monumenti nga një malësor. Botua me rastin e 150 vjetorit të lindjes të At’Gjergj Fishtës Botimi që u bë i mundur nga sponsorizimi i  Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe”, Michigan-SHBA. 

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT