• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJERGJ KASTRIOTI- SKENDERBEU, I HARRUARI I KOMBIT NË DITËLINDJEN E TIJ

May 7, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Fatkeqësisht, duket se “I përgjithëmonshmi i fisit shqiptar”, siç e ka cilësuar Papa Pali i VI, Heroin Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin Skenderbe – për fisin e e tij, në ditët e sotëme – pikërisht në ditëlindjen e tij me 6 maj, nuk është i përgjithëmonshëm, por i harruar.

Në një bisedë satirike, në veprën At Gjergj Fishtës, “Nën Hajat të Parrizit”, (botuar më 1914) midis Shën Pjetrit, Skenderbeut dhe djallit, Skenderbeu e pyet djallin: Deshta me pyet: a e xen kush në gojë emnin tem, a më përmendë kush ndër Shqiptarët”?  Djalli e pyet: Kush je ti? Ai i përgjigjet: “Unë jam Skenderbeu”.  “Po ti qenke Skenderbeu”, ia këthen djalli.  Po si nuk të përmendin ty Shqiptarët.  Veçse në shkolla jo, por gjithkush të ka në gojë, por në zemër nuk e dij”, i përgjigjet djalli.

6 Maji, (1405) që shënon 615-vjetorin e lindjes Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, erdhi e shkoi, pa e përmendur kush as me gojë, e të kujtohej me zemër, jo se jo, askund në trojet shqiptare, por as në diasporë.  Udhëheqsit politikë në Shqipëri dhe në Kosovë munguan madje edhe me një deklaratë, të llojit që bëjnë ditë për ditë në rrjetët sociale, për gjëra aspak me rëndësi.  Udhëheqësit politikë në pushtet por edhe ata të opozitës në Shqipëri, si zakonisht dhe pa mungesë, shënuan me lëvdata dhe vendosën kurora lulesh në Ditën e Deshmorëve të Kombit, para disa ditësh.  (Për aq sa vura re, ishte një freski se të pakën sivjet nuk u panë portretet e diktatorit, siç janë parë viteve të fundit, gjatë ceremonive zytrtare në Ditën e Deshmorëve.)  Në rregull, me ceremonitë në kujtim të deshmorëve — po Gjergj Kastrioti Skenderbeu nuk e meriton të kujtohet në ditëlindjen e tij, të pakën me një buqetë me lule, pranë monumentit të tij në Tiranë, në Prishtinë, e në vende të tjera. A nuk meriton i përgjithmonshmi i Kombit shqiptar të ketë një ditë kushtuar atij, për ta nderuar e kujtuar ashtu siç bëjnë kombet e përparuara me heronjtë e tyre kombëtarë, anë e mbanë botës? 

Fatkeqësisht, kjo datë nuk kujtohet më as në diasporë, siç shënohej dikurë, të pakën me ndonjë mbledhje të posaçme, me ndonjë darkë përkujtimore, me ndonjë shkrim ose botim historik, siç ishte zakon.  Kjo ndodhë për fat të keq se mendohet dhe llogaritet, gabimisht, se tani kemi dy shtete të lira e të pavarura shqiptare, që pretendojnë të jenë “demokratike”, janë dy shtetet shqiptare, me dy akademi e me një numër universitetesh e kuadrosh të përgatitura, që në rrethana normale qeverisjeje e kanë për detyrë dhe përgjegjësi, kujtimin e datave historike dhe nderimin e heronjëve të Kombit, siç është ditëlindja e Kryetrimit të Shqiptarëve. 

Për fat të keq, sin ë Atdhe ashtu edhe në mërgim, 625-vjetori i Lindjes së Herorit Kombëtar kaloi në heshtje ashtu siç qe mbyllur në heshtje edhe Viti (2018) i shpallur nga Shqipëria dhe Kosova si Viti kushtuar Gjergj Kastriotit -Skenderbe.  Më kujtohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqiptare, mbajtur në Korçë, më duket ishte në nëntor të vitit 2017, në të cilën Kryeministri i Shqipërisë, Z. Rama shpalli me mburrje dhe krenari “Vitin e Skenderbeut”, ndërsa u shpreh se, “Duke bërë të mundur që me bashkëpunimin e ngushtë të dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës, t’ia dalin së bashku që, duke respektuar historinë e lavdishme që Skënderbeu shkroi me shpatën e një krenarie të madhe, të vazhdojmë rrugën pa kthim të proceseve demokratizuese, të reformave transformuese në një rrugëtim europian të dëshiruar qysh kur u vendos Pavarësia”.

Nga këndveshtrimi i sotëm, ishin këto fjalë të mëdha premtuese por plot zhgënjime.  Kjo rrugë në të cilën janë nisur sot Shqipëria dhe Kosova, në të vërtetë, mund të jetë një rrugë pa kthim drejtë së keqës.  “Rruga pa kthim të proceseve demokratizuese dhe të reformave transformuese”, si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, duket se është e mbyllur, edhe pas 30-vjet post-komunizëm.  Për këtë fajin e kini ju vet.   Por, nëqoftse e kini seriozisht, gjë për të cilën unë i kam dyshimet e mia serioze, në këtë rrugëtim evropian, as Tirana as Prishtina nuk do t’ia delni t’ia arrini qëllimit pa vlerat kastriotjane të fisit shqiptar—pa Gjergj Kastriotin Skenderbe, Mbrojtësin e Madhërishëm të Kombit dhe të qytetërimit evropian — i cili është mishërimi i këtyre vlerave.

Shqipëria dhe Kosova kanë dështuar mizorisht për të përdorur përvjetorë si 615-vjetori i lindjes ose “Vitin e Skenderbeut”, t’i paraqisnin jo vetëm vetvetes por edhe Evropës dhe botës vlerat e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve – Skenderbeut, ashtu siç është ai dhe çfarë përfaqëson ai për shqiptarët dhe për botën.  Çdo komb tjetër do të çpikte një Skenderbeg, jo vetëm si përcaktuesin e identitetit të Kombit Shqiptar.  Por duke mos kujtuar këto data historike, kjo klasë politike shqiptare dështoi t’i paraqesi botës edhe rolin e rëndësishëm që ka luajtur Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe në historinë e botës së atëhershme – si përfaqësuesi numër një i këtij kombi të vogël, por krenar.  Kujt i intereson që të mos kujtohet dhe të mos shënohen datat e rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë heroike si dhe të mbetetn në heshtje kontributet e rëndësishme që ka dhënë Gjergj Kastrioti – Skenderbeu dhe populli shqiptar gjatë shekujve në historinë e qytetërimit evropian, sidomos në një kohë kur Kryeministri i vendit është shprehur se Shqipëria është në rrugën pa kthim të proceseve demokratizuese dhe të reformave transformuese, drejtë Evropës?  Nuk shkohet drejt Evropës pa Gjergj Kastriotin Skenderbe!

Është për të ardhur keq, por vlerat e kësaj klase politike shqiptare, në të vërtetë, janë antiteza e vlerave të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.  Të pakën në raste siç është përvjetori i ditëlindjes së Heroit Kombëtar, tregohuni të guximshëm dhe të denjë të Besës së Skendërbeut, duke e kujtuar, të pakën me ndonjë deklaratë.  Ose, të pakën për një ditë — në kujtim të 625-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skenderbe — hiqni dorë nga grindjet shkatërrimtare politike dhe nga interesat personale e partiake.  Këthehuni tek vlerat kombëtare të Kastriotit, te besës, nderit e burrërisë.   Në frymën e jetës dhe të veprimtarisë së tij, lidhuni me besa-besën për një kthesë historike për Kombin shqiptar duke u angazhuar, me atdhedashuri dhe me guxim politik, për të zgjidhur konfliktet dhe mos marrëveshjet me njëri tjetrin në traditën historike të Besëlidhjes së Lezhës, të Kastriotit të Madh dhe të Lidhjes së Prizrenit.  Të lidhni besën për një dashuri, në mos ndaj njëri tjetrit, atëherë ndaj interesave madhore të çështjeve të Kombit shqiptar, duke çuar kështu përpara idenë e besës së Krye-Heroit të Kombit Shqiptar: duke bashkuar sa më shumë nga fisnikët e principatave shqiptare, me qëllim për të rimbëkëmbur trojet Arbërore.

Ndoshta nuk e shihni, por toka arbërore është e lodhur e nuk duron më!  Siç është shprehur me një rast ish-Arkimandriti Minishi i Abacisë së Arbëreshëve të Italisë në Grotaferratë, “Tepër gjak ka skuqur plisat e tokës së Atdheut, shumë zira kanë shkëputur zemrat e popullit tonë, tepër familje janë shkatërruar dhe prishur tragjikisht prej plumbit e shpatës, prej urrejtjes, prej mërgimit. Sytë e motrave tona dhe të vëllezërve tanë janë tharë, s’kanë më asnjë lot për të derdhur.  Të gjitha lotët kanë rënë dhe kanë njomur tokën e Shqipërisë.  Bëftë Perëndia që nga ajo tokë e vaditur të lëshojnë përjetë lulet e Lirisë, mirësisë e dashurisë dhe vëllazërisë, gëzimit dhe pajtimit”, ka thënë dikurë Arkimandriti arbëresh Minishi.

Në këtë 615-vjetor të lindjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe kemi të drejtë të shpresojmë madje edhe kundër shpresës, se në një të ardhme jo të largët, Kombi shqiptar do ta gjejë të arsyeshme që të caktojë një ditë në vit, kushtuar Heroit të tij të madh , Gjergj Kastriotit – Skenderbe, me qëllim që ai të mos harrohet në ditëlindjen e tij, por të kujtohet, zytarisht, të pakën njëherë në vit nga shqiptarët kudo qofshin ata.  Uroj që shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre të jenë të dinjitetshëm të vlerave, traditave dhe lavdisë së Prijësit të tij dhe Fatosit të madh kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbe!  Që të gjithë shqiptarët pa dallim, me një Besëlidhje të Re midis tyre – të kujtojnë dhe të nderojnë Heroin e Kombit, duke u kthyer tek vlerat dhe traditat arbërore të Besës, Nderit e Burrërisë, të trashëguara nga Gjergj Kastrioti — Skënderbeu!

Shpresoj të jam i gabuar, por harresa zyrtare e ditëlindjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe me 6 Maj në radhët e shqiptarëve kudo, por sidomos në dy kryeqytetet shqiptare Tiranë dhe Prishtinë –fatkeqësisht, është një shenjë tjetër që na bën të dyshojmë se Heroi ynë Kombëtar nuk shërben më si një simbol kombëtar bashkimi, as vlerash të përbashkëta për shqiptarët.  Duhet të jetë ky një shqetësim për çdo shqiptar që ia do të mirën Shqipërisë dhe Kosovës dhe mbarë Kombit Shqiptar.  Por, njëkohësisht, besojmë dhe shpresojmë në të Madhin Zot se, megjithë këto zhgënjime nga klasa aktuale politike shqiptare — Shën Pjetri në bisedën satirike, të veprës së At Gjergj Fishtës, “Nën Hajat të Parrizit”, e siguron Gjergj Kastriotin-Skenderbe të mos shqetësohet shumë për ato që po ndodhin në Shqipëri, se “Për inat të djallit e të shqiptarëve, Zoti ka me e mbajtë Shqipëninë më kambë, me nder e me lumni”. 

Në këtë 615-vjetor të Gjergj Kastriotit -Skenderbe, të vetmen dhe të fundit vazhdojmë të kemi shpresën tek Zoti se ai do të kujdeset për Kombin shqiptar, në këto kohë të vështira për të.  Për 30-vjet “post-komunizëm”, pritëm dhe shpresuam për një ndryshim historik — në sjellje dhe në mentalitet të kësaj klase politike zhgënjyese — por edhe durimi po na soset tashti duke pritur e shpresuar për një kthim historik drejt proceseve të vërteta demokratike” në Shqipëri dhe në Kosovë. Kujdes se, “Demokracia Nuk Pret”, gjithmonë.  Se shqiptarët janë lodhur duke pritur.  Siç është shprehur dikur edhe i madhi, Faik Konica, sepse, “Tek prisnim të piqeshin kushtet” — pas 30-vjet post-komunizëm për një demokraci të vërtetë, bazuar në vlerat kastriotjane — “na u kalbën dëshirat” por edhe shpresat, fatkeqësisht!

Filed Under: Featured Tagged With: (në ditën e Lindjes), Frank shkreli, Gjergj Kastrioti, Heroi Kombetar, I harrier

ALFONS GRISHAJ- CIKEL POETIK NE DITEN E LINDJES

September 10, 2018 by dgreca

ALFONS GRISHAJ*/
1 Alfons GrishajEndrra/

Pikëpyetja qafë , ngjirje bulkthi/

Si kapërtinë e  thyer libri/

Nëdarën e pamëshirshme tëdorës /

Shtrënguar nga udhëtimi trurit-univers./

 

Jastëku i pabindur ndjek qëllimin./

Puplat rrebelohen … sëri zogj ?!/

Ah ! Mëkati qënies brishtë, komoditet?/

Shtrati , grindaveci   prehjes

Loz me  vargonjtë  gjumin-vdekje,

Si tymi i duhanit

Twist dritëhijet e llampës

Në zgjimin e imazheve   halogene.

Tenori vajton këngën e Palaços

E oktavët rrahin muret e sallës

Si erë e veriut qepenat e tregtarit grindavec.

Skanari  natyrës rebele.

 

Endrra , ky mbret i  mallit !

Na merr për dore… lëndinave ,

Pyjeve, ujvarave , herogasm pambarim …

Me të dashurën , motrën , vëllanë,

Me nënën – babain  përmallim.

Me mikun e vërtetë , dhe më të pabesin mik.

Ankthi , ekuacion hieroglifesh,

piramidë pa derë,

Por ,  ëndërr është jeta  dhe jeta ëndërr.

Njëra   nusja… dhe  tjetri është dhëndër.

***

Vjeshta

Vjeshta, sëri pjek ngjyrat e gjetheve

Si pranvera lulet  dhe vera  frutin…

Era e freskët zhvesh pemët plot delikatesë

Ashtu si femrat dhe pemët zbulojnë linjat

Nga rrënjët e zemrës …

Prarim i jetës paqton njëmijë ngjyra

Vello ndjesie  !

Mall ,  frymëzim.

Vjeshta , shalli i poetëve.

Stolisësi i qilimit më të bukur në botë,

Antikorpi  dimrit .

Vjeshta , Inventari i natyrës,

Vepra superiore e Hyut!

 ***

Ditëlindja

…Ditëlindja…

Një minut më i ri ,

Një orë më i lumtur,

Një javë më i fortë,

Një muaj më kërkues,

Një vit më me shpresë,

Një vit më i pjekur.

 

Ditëlindja…

Një orë për të kujtuar nënën,

Një orë për të kujtuar babanë,

Një minut për t’u kujtuar nga të dashurit,

Një orë për të kujtuar njerëzit e zemrës,

Një orë për të vendosur,

Një orë për të ëndërruar,

Një moment për të falur.

Ditëlindja…

Një  minut reflektimi,

Një moment ëndërrimi,

Një minut retrospektivë kohe,

Dy orë për familjen,

Tri  orë për atdheun!

Një moment në ngritjen e dollive.

Asnjë sekond për gjykim!

Ditëlindja…

Lodër mistike,

Rëflektimi i djeshmes tek e sotmja,

Dita e falemnderimit të misterit të jetës.

September 10 ,  2018

  • Sot, Ditëlindja e autorit. Vatra dhe “Dielli” i dërgojnë shumë Urime Alfonsit!-Qofsh gjithë Jetën i gëzuar e i Lumtur si në Ditën e Lindjes!

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: (në ditën e Lindjes), alfons Grishaj, Cykel poetik

Mbi artin poetik të Faslli Halitit (në ditën e Lindjes)

December 5, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/*

Individualisti/1-faslli-haliti-2Mbi artin poetik të Faslli Halitit/

                 Koment/h

Për shkak të mos përgatitjes së tekstit, duke patur parasysh se në atë kohë (1996-’97) kishte një mungesë të theksuar syresh, në provimin e komentit letrar u paraqita me vjershën Mehmetit tim të poetit turk Nazim Hikmet, shkruajta në mënyrën time dhe çuditërisht pedagogu me vlerësoi me notë maksimale. Këtë ia tregova si kurozitet Faslliut kur po pinim kafen e mëngjesit tek bredhi i Buçit dhe ai më tha midis të tjerave se, kisha fituar nga që pata folur me çiltërsi. Ashtu duhet bërë komenti, të flasim për atë që shohim atë që dëgjojmë dhe atë që prekim, tha ai. Ndofta nga ajo kohë këshilla për komentin u kthye në një lloj makthi, pasi në versionet pedagogjike struktura, ritmi, kadenca, përfshi edhe figurat stilistike, duket sikur e ngarkojnë teorinë e letërsisë. Qëllimi nuk është të mohojmë komponentët përbërës, por të rrëfejmë në një mënyrë ndryshe, pra si me thënë të ndërtojmë një koment me prioritet ndjesinë e përftuar nga konstatimi lirik i Oktavio Paz-it (Octavio Paz) kur thotë se, Unë shoh me mollzat e gishtërinjëve/ atë që prekin sytë e mi.

Sistemi figurativ dhe boshtet strukturore le të mbeten thjesht element funksional, të cilët doemos do të na ndihmojnë të ullukuzojmë afshin e ndjenjave, në mënyrë të atillë që të jemi gjakftohtë dhe jo të përciptë në interpretimin e poezisë.

Në këtë aspekt Faslli Haliti na jep mundësinë e madhe për shkak të individualizmit të tij, jo vetëm në formën strukturore por edhe në përmbajtje; mënyra se ai shprehet, afeksioni poetik merr paraqitjen arkitektonike të ndjenjës, si me thënë se frymon edhe guri, betoni, abstrakja, etj., përshembull …

Dheu

Ha gjithçka.

Dhëmbët, që hanë s’i

Ha. 

Unë e di mirë dhe besoj se të mendosh e gjykosh me zemër të madhe, për fatet e njerëzve të tu, me përpjekjen e tyre që afrojnë dritën, siç thotë Pol Eluar-i,(Paul Eluard’) do të thotë ta radhitësh veten në një front me ndryshimin. Kjo është normale për artistin dhe anormale për njeriun e thjeshtë, artisti e mban pezull atë tërësi vlerash që ka trashëgimia qytetare në të gjitha drejtimet, Faslliu provincën e ktheu në vëmendje dhe punën me kulturën në një akademi.

Pas luftës së dytë botërore krahas hoveve shumplanëshe që pati treva e Myzeqesë, risia kulturore qe një bum në aspektin e arritjeve, emra të tillë si Vaçe Zela, Ilia Shyti, Margarita Xhepa, Vath Korreshi, Pavlina Mani etj., shënuan fillimin e një epoke të shkëlqyer për historinë kulturore të qytetit të Lushnjes. Nga ajo kohë tashmë mes gjithsecilit ka mbetur në mes vetëm pesha e mallit, se rrugicat e kalldrëmta, qiparisët, pjergullat, avllitë, nuk ekzistojnë më. Rendi ushtarak i krijoi një tjeter fytyrë qytetit. Pas gati tridhjetë e kusur vitesh piktori Zoi Shyti, do të vizitonte Lushnjen për tu nderuar. Ai deklaroi me keqardhje atë që vërejti, Po kjo nuk është Lushnja ime. Liceisti Faslli Haliti jeton me tempin e kohës, madje nisur nga vështrimi i tij intilektual e poetik, mpreh lapsin  dhe vizaton vesin, pikturon huqin, flet për priviligjenin, për meritën që bëhet antimeritë, degradimin për të drejtën antiuniversale të luftës së klasave nën diktaturën e proletariatit. Dhe kur, atëhere kur poetit i duhej në fakt të përshtatej me atë detyrë që i kishin caktuar, siç shkruan R. Elsie në Historia e Letërsisë Shqipe, fq. 417. Frymëzimi i Faslliut kthehet në shmangie nga deviza e mësipërme partiake, për shkak të trajtëzimit, shpërbërjes së tij me talentin, pra të njeriut me krijuesin. Po sipas R. Elsit nga Historia e Letërsisë Shqipe, fq. 417., dy radhë më sipër nga paragrafi që cituam, vetvetiu, nga natyra, poezia mbetet individuale dhe shpesh është e vështirë të përputhet me shoqërinë e planifikuar.

Ai që e njeh Faslliun nga afër nuk e ka vështirë të kuptoj thelbin e kësaj, pasi Faslliun nuk e ndan dot nga poezia. Ai dhe poezia janë një lloj njëjtëzimi prej kohe dhe uji, vesi i tyre është keqardhja, po edhe poezia e tij (përshtypja ime kjo), është e gjitha një keqardhje. Dhe kjo zakonisht ndodh me krijuesin e frymëzuar. Një keqardhje që tingëllon fine deri në çeljen e ngjyrave të natyrës, emocioneve njerëzore.

E kam të vështirë të jap një gjykim përmbledhës për poezinë e tij, ku edhe qënia ime është lëndë poetike, po deri këtë diell dite këtu në Florida, në tokën e Oskeolës dhe të Seminollëve, gjykoj se keqardhja poetike e këtij trajtëzimi ka sjell një individualist model në Letërsinë Shqipe.  Në konteks me këtë, sintetizimi i lirikës shqipe në aspektin universal tek Faslliu merr vërtetësi, formë dhe ekzistencë. Pse? Sepse ka një gërshetim të përsosur të tingullit, trajtës, vesit, dhe absurdit. Pra le ta quajmë lirikë unikale e sensit social, sintezë të identitetit; gjithsesi me prirjen që të ndihmojë njerëzimin, përpjekjen për të lartuar shpirtin. Ndofta nga kjo na krijohet përshtypja se poezia e tij si flutura prek gjërat në mënyrë rrethanore, sa lirika me tipare sociale shpallet si fryt i dashurisë me tokën. Është një lloj lirizmi enumerativ i tipit Faslli, shkallëzues fët e fët, i ngjyrtë, i akuarelt, me aromë Myzeqeje, plisi e kallami.

*Fëshfëritja si habi në vend të klithmës së munguar.

                Nëna

Si më the ashtu në çastet e fundit

-Mbylle lesën, mbylle lesën…

Derën e apartamentit mbylla unë

Më çove në fëmijëri,

Më çove në ato vite,

Kur më thoshe në muzg

”Shko mbylle lesën Çaçi!”

Pse vargu është ndjesor dhe jo deklamativ…, sepse ka brenda habinë njerëzore të drejtpërdrejtë në efektin intim të keqardhjehabisë. Si më the ashtu…., nën një drithërim personal me muzikalitet të përftuar nga konstatimi. Nëse poeti do të shprehej se, Ti, në çastet e fundit më the…., tërësia e përcaktimit të mësipërm do humbte trajtën, për faktin se në rastin e dytë kemi deklamim, diçka që thuhet pa praninë tëndë. Po le të kthehemi në komentin e variantizuar mësipër, pra të flasim për atë që shikojmë, të themi atë që që konsiderohet idiomë e ndjesisë përfytyruese të tipit Paz-it (Octavio Paz) kur thotë: unë shoh me mollzat e gishtave/ atë që prekin sytë e mi.

Vargjet Më çove në ato vite/ Kur më thoshe:/ Shko mbylle lesën Çaçi!., bëjmë digmën ku afërmendja flatron me sy ëndërrimtar kopshtijet fëminore. Aty bredh nje djal, i cili për sytë e kalimtarin po kryen thjesht një veprim, po mbyll lesën e oborrit. Në Myzeqe lesë quhet porta e thurur, një lloj porte që ka më tepër funksion detaji sesa fortifikimi, lesa me rakita është një e tillë. lesë thuprash.

Vrapoja une në muzg;

Lesën e oborrit mbyllja me vrap,

Lesën e madhe thurur me rakita,

Dhe kthehesha rrugicës duke parë prapa,

Dhe futesha në prehrin tënd nga frika.

Përveç vargut metonimik Vrapoja unë muzg vargjet e tjera janë krejt të zhveshura nga figurat, po tablloja e paraqitur përmes tyre është mirëfilli një kompozim ku bredh ndjenja, ankthi, trembja. Djali që kthehet me kokën prapa, të mugtit që mvaret nëpër gjethnaja, rrugica gardhesh.

*Inversi si metodë por jo si qëllim.

Dheu

Ha gjithçka.

Dhëmbët, që hanë s’i

Ha.

Çfarë shohim…, fytyrën e vërtetë të ironisë ku pa gajle mund ta vizatojmë edhe ne, gjithsejcili prej nesh, padiskutim, mjafton të mbyllim sytë dhe masiviteti i dheut me fytyrën e Shrekut, përpinë gjithçka. E bluan, e nxjerr, jashtëqitje, produkt, quajeni si të doni, vetëm të jeni mëse të sigurtë që në fund ka kocka, ka eshtra, ka dhëmbë. Pse?! Po…, Dheu/ Ha gjithçka/ Dhëmbët, që hanë s’i ha.

*Dinjiteti si ndjesi, jo strategji…, performancë e kumtit njerëzor ku bën pjesë Njerëzimi i madh, pra përcaktori alla Nazim Hikmet.

 

Vdiq babai.

Bota s’i uli flamurët,

Dhe ne qefi s’na mbeti 

(Nuk kishte përse,

Bota të ulte flamuret).

Ne keq nuk erdhi aspak

Që bota babanë nuk e qau,

Por mirë na erdhi sa s’ka

Që babanë se shau.

Përfytyrimi njerëzor rrok një tablo allasoj, ku paralelizma midis Njerëzimit të madh dhe individit të madh, në rastin e tragjedisës njerëzore, fatkeqësisë, sjell nuancat e keqardhjes. Pra paralelizma e klithmës vdiq babai me vargun parabolik bota s’i uli flamurët, nxjerr një mllef mbi mospërfilljen. Pastaj kthjelltësinë, qetësinë…, atë qetësinë që përfton përroi kur shtrohet në fushë, e cila në vetvete trajtëzohet ose trupëzohet, në natyrën e vërtetë të Njerëzimit të madh. Ka edhe dhimbje po edhe habi, ironi, preteks, mbrojtje ose një farë spjegimi sepse çështja e të të përsosurit është e përjetshme. Po fondamentale për poetin është aftësia, ndjeshmëria pa të cilat ne s’mund ta përfytyrojmë Njerëzimin e madh. Tek strofa e dytë, metonimë e vargut të parë e zgjidh shkakorja e vargut të dytë, dhe atë të të tretit e zgjidh ajo e të katërtit. Pra…ne keq nuk na erdhi aspak/ që bota babanë nuk e qau, por mirë na erdhi sa s’ka/ që babanë se shau.

*Struktura tekstore ……….,  si risi, një prurje më vete… (Shumë krijues tentojnë, eksperimentojnë, në këtë aspekt Faslliu vetoi qysh në krye).

Zhurmë

Futu në turmë

Bërtit me të madhe,

Bëj

Zhurmë!

Ç’pret më?

Sot kërkohet zhurmë

S’ka nevojë për zë!

Nëse leximi do të ishte rrafshor, horizontal, përftesa ishte një fjali e thjeshtë urdhërore; futu në turmë, bërtit me të madhe. Bëj zhurmë, ç’pret më? Sot kërkohet zhurmë, s’ka nevojë për zë! Po, shkallëzimi strukturor i jep një tjetër pamje verbit, që i gjithi, është një parabolë. Përfytyroni, ti ecën mes gjindjes, je brënda poteres, afshit, rrëmujës. Paradoksi, ironia, pasi sipas poetit, sot kërkohet zhurmë/ s’ka nevojë për zë!.*Aforizma në shkallëzim …,  si pjesë e origjinalitetit të mësipërm.

Ligji

Ligji

Eshtë se qeni,

S’e ha të zotin.

Qentë po hanë popullin.

 Në fakt bëhet fjalë për një ligj moral atë që populli e përmbledh në krijimtarinë e vete kolosale në atë që, qeni s’e ha të zotin…, po pse duhet të hanë popullin?!. Inversi poetik, zhvendosja kuptimore, sipas tonalitetit përshkallëzues poetik, ngre një pikëpyetje të madhe. Në të njëjtën kohë, shohim një konstatim. Kurse ritmi sjell shfrym, pakëz inat, apo ironi.

*Enumeracioni në përshkallëzim….,  kollajllëku lëviz volumin.

Mosmirënjohje

Gjithë

Peshat e rënda

Peshat vigane

Peshat sa një mal Tomorri

Sa një mal Korabi

Me levën time i ke ngrirë

Me levën time vazhdoni t’i ngrini.

Çudia është se poezia ka në strukturën e saj përsëritje, peshat tri herë, mal dy herë, togjet me levën time dy herë dhe nuk krijon bezdi aspak. Përfytyrimi na jep një botë të pa   imagjinueshme emocionesh si lëvizja e maleve, zhvendosja, kollajllëku. Pavarsisht se Arkimedi nuk përmendet, poeti na ka dhënë shancin të të jemi ne Ai, Arkimedi. Dhe…, nën përemrin e munguar vetorin Ti, le të ndihet kush nuk përfytyron dot, ai që nuk kupton se edhe sendi e ka një ëndërr.

*Epilogu.

(Disa radhë për Faslliun, një vizatim, a, portret, në akuarel, në përfytyrim). I shkurtër në shtat (kujtoni poezinë e tij në formën e gërmës N me diagonalen e mezit të këputur në krye, mes Fatbardhit dhe Visarit), kur ecën duket sikur i tërheq këmbët zvarrë, vishet bukur dhe gjithë kohën është i pastër. Ka flokë të grinjtë, dendës, disi të gjatë, buzëqesh. Mban syza optike të cilat i shkojnë aq shumë sa të duket sikur ka lindur me to. Nuk mund të kuptohet xhepi i këmishës së tij pa një stilolaps, ashtu siç nuk mund të kuptohet dora e tij pa ndonjë gazetë a dorëshkrim. Kur ecën në profil ngjan me një pinguin, me vështrimin lart, sikur kërkon t’i gjejë të tjerët përmes syve. Ai që e shikon për herë të parë nuk e ka të vështirë të zbulojë tek personi i tij, poetin, piktorin, mësuesin dhe intelektualin…., tituj që i gëzon edhe shkresërisht.

_____________________________

Shkëputur nga përmbledhja eseistike

Hiret e Letërsisë Moderne Shqipe,

Botoi Manifestimi Letrar Ditet e Naimit,

Tetove 2016.

  • Redaksia e Gazetes Dielli ne SHBA uron poetin, piktorin, me rastin e Ditelindjes.
  • Faslli Haliti ka lindur në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935. Ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën Dielli dhe rrëkerat, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë. Është Qytetar Nderi i qytetit të Lushnjës. Është Nderi i Qarkut.

Filed Under: ESSE Tagged With: (në ditën e Lindjes), Ilir Levonja, Mbi artin poetik, të Faslli Halitit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT