Nga Frank Shkreli/
Problemet e shqiptarëve nën Mal të Zi njihen tanimë mirë nga të gjithë, mbrenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Madje edhe ndërkombëtarët janë në dijeni të të shkeljeve të drejtave të njeriut të atyre pak shqiptarëve që jetojnë gjithnjë në trojet e veta nën Malin e Zi, përfshirë të drejtat politike, ekonomike, kulturore dhe gjuhësore — në mos përfillje me konventat ndërkombëtare. Çështja e pronave është një ndër problemet më të theksuara, ndërkohë që qeveria e Podgoricës po ndërmerr masa për të tjetërsuar statusin e disa pronave kudo që jetojnë shqiptarët, jo vetëm atyre kolektive por edhe private, duke filluar nga Plava e Gucia e deri tek Malësia e Madhe e deri në Valdanos të Ulqinit. Duke shkaktuar kështu shpërngulje të tjera të mundshme të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore, sikurë nuk jemi larguar mjaftë prej atyre anëve! Përveç kësaj, a ka ndie kush që në një vend të ndalohet me ligj përdorimi i simboleve të një kombi me pretekstin se përdorimi i tyre kërcënon rendin publik.
Fatkeqsisht, vetëm lajme të këqia dëgjon njeriu nga ajo anë. Sot mësova se e vetmja gazetë, që botohet në gjuhën shqipe në Mal të Zi, Koha Javore gjëndet përball një “pozite delikate, për të mos thënë kritike për të ardhmen e saj”, sipas një artikulli të botuar nga Kryeredaktori saj, Ali Salaj me të cilin ai i bën thirrje opinionit public, mbrenda dhe jashtë vendit, për të bërë ç’mos që të shpëtohet nga mbyllja gazeta e vetme shqiptare në Mal të Zi . Koha Javore, siç duket është venë në shënjestër për tu mbyllur si rezultat i falimentimit të shtëpisë botuese, “Pobjeda”, megjithse për mua kjo nuk është e qartë sepse se lidhje ka Koha e Javore me shtëpinë botuese, mbasi siç thotë edhe Kryeredaktori Salaj në artikullin e tij, se ligji parashikon që financimin e botimeve të tilla nga fondi për pakica, në përputhje me “Konventën Kornizë Për Mbrojtjen e Pakicave Nacionale” dhe me “Konventën Europiane mbi Gjuhët Rajonale dhe të Pakicave”, ndaj të cilave është i detyruar t’i zbatojë edhe Mali i Zi. Si përfundim, shkruan Z. Salaj,mediat e pakicave duhet të ruhen dhe të mbështeten edhe nga institucionet përkatëse, për shkak të misionit të tyre të caktuar në një shoqëri shumë-etnike.Kryeredaktori i gazetës Koha Javore — e cila ka vazhduar botimin ç’prej vitit 2002 — bën apel për ndërhyrje dhe për ndihmë nga ana e institucioneve përkatëse,si dhe nga faktori politik, që besoj i referohet klasës politike shqiptare në Mal të Zi, që të bëjnë ç’mos për të shpëtuar të vetmen gazetë shqip në trojet shqiptare atje. Zoti Salaj shkruan se botime, siç është Koha Javore, për pakicat ekzistojnë anë e mbanë vendeve të ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe Serbinë, por edhe Kroacinë, Slloveninë, Kosovën dhe Maqedoninë. Të gjitha këto gazeta dhe revista të grupeve etnike, sipas Z. Salaj, në një formë ose në një tjetër, financohen nga ministritë përkatëse ose nga këshillat e pakicave kombëtare, ose varen në raste të tjera varen nga ndonjë subjekt tjetër i lidhur me qeveritë përkatëse, në përputhje të plotë me detyrimet e tyre ndaj konventave ndërkombëtare për ruajtjen e gjuhëve rajonale dhe në mbështetje të pakicave dhe të kulturës së tyre, që është një detyrim ndërkombëtar për të gjitha vendet, përfshirë edhe Maline Zi.
Roli pozitiv që ka luajtur Koha Javore për 13 vjetë në informimin e publikut shqiptar, si e vetmja gazetë në gjuhën shqipe në Mal të Zi, është i padiskutueshëm. Mungesa e saj në tregun shqiptar të medies nuk mund të merrej me mendë. Pasi shkruan se “çështja” e Kohës Javore është shëndrruar tani në një “çështje politike”, Kryeredaktori Ali Salaj thotë se ka vendosur të ndërmarrë fushatë që për mendimit tim është një risk i guximshëm nga ana e tij, për t’i bërë thirrje të hapur por me vend, parlamentit dhe qeverisë së Malit të Zi, opinionit publik vendor si dhe faktorit ndërkombëtar, përfshirë ambasadat perëndimore në Podgoricë dhe madje edhe Kongresit amerikan dhe Departmentit Amerikan të Shtetit dhe diasporës shqiptare — që gazeta e vetme shqiptare në Mal të Zi të mos shuhet por të vazhdojë punën e saj si deri më tani dhe të jetë pjesë e skenës mediatike në Mal të Zi dhe më gjërë.
Mundësia e mbylljes së Kohës Javore dhe masat e tjera të shtetit malazez ndaj shqiptarëve atje duhet të jenë pikëspari një subjekt shqetësimi serioz, sidomos,por jo vetëm për klasën politike shqiptare në Mal të Zi, e njohur tanimë për mos bashkpunim kur vjen puna tek interesat e përbashkëta të shqiptarëve në Mal të Zi, por duhet të shqetësojë të gjithë shqiptarët kudo, përfshirë edhe Tiranën dhe Prishtinën zyrtare. Të gjithë duhet të shfaqin vendosmërisht pa-pajtueshmërinë dhe pakënaqësinë e tyre serioze me trajtimin e shqiptarëve nga Podgorica zyrtare.Por, mbi të gjtiha, është kjo klasë politike e zgjedhur nga shqiptarët në Mal të Zi, ajo që duhet të jetë pengesa e parë dhe kryesore ndaj këtyre masave dhe tu thotë ndal kësaj dhe përpjekjeve të vazhdueshme të shtetit malazez për të ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirën e të drejtave themelore të njeriut që shqiptarët duhet të gëzojnë si çdo pakicë tjetër në Europë, përfshirë edhe të drejtën për të pasur medien e vet në gjuhën amëtare. Shqiptarët e Malit të Zi, si çdo pakicë tjetër kudo, kanë të drejtë të kenë organin e vet të informacionit. Politika shqiptre në Mal të Zi duhet të sigurojë dhe të luftojë për të drejtat bazë të zgjedhësve të tyre, bazuar në të gjitha konventat ndërkombëtare dhe në përputhje me ligjet që drejtojnë të drejtat e pakicave në Europë dhe të kundërshtojnë vendosmërisht dukuritë e ndryshme anti-shqiptare që po shfaqen gjithnjë e më shpesh në zonat ku jetojnë shqiptarët, ata pak që kanë mbetur. Është e kotë të përpiqesh të bëjsh politikë kur popullit që ti përfaqëson i shkelentë gjitha të drejtat që duhet t’i ketë të barabarta në krahasim me shumicën. Kjo është detyra e parë dhe themelore e një partie politike dhe e politikanit të zgjedhur nga populli në një vend me të vërtetë demokratik.
Problemet e shqiptarëve nën Mal të Zi, që fatkeqsisht duket se sa vinë e shtohen dita ditës, dihen mirë.Megjithëse mendohej se — me shpalljen e Malit të Zi shtet i pavarur dhe sovran, ndaj të cilës arritje shqiptarët kontribuan në mënyrë të konsiderueshme — gjëndja e shqiptarëve atje do të përmirësohej.Por fatkeqsisht, pothuaj nuk ka sferë të jetës politike, shoqërore, ekonomike ose kulturore që shqiptarët në Mal të Zi, nuk shfaqin ankesa e shqetësime për keqtrajtim ose trajtim ndryshe.Shumë prej tyre shprehen se e ndjejnë veten si qytetarë të rendit të dytë, të diskriminuar, të shkelur e të nepërkëmbur. Kjo shikohet nga ana e tyre si një përpjekje e qëllimshme afatagjatë asimilimi nga ana e autoriteteve malazeze për tu mohuar shqiptarëve autoktonë identitetin kombëtar në tokën e tyre shekullore — duke i bërë që ata ta ndjejnë veten si të huaj në tokën e në shtëpitë e veta shekullore. Mali i Zi siç duket ka në mend të institucionalizojë politika që sikurë kanë për qëllim që në mënyrë të qetë por të vendosur, të përjashtojnë shqiptarët nga jeta politike dhe ekonomike e vendit. Këto politika anti-shqiptare –sidomos në lidhje me pronat, me asimilimin e detyruar, me mos zhvillimin ekonomik të zonave ku banojnë shqiptarët dhe me mbështetjen e programeve që pengojnë zhvillimin kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve — synojnë në zhdukjen e kulturës,të gjuhës dhe të traditave shqiptare në ato troje. Një vërejtës i drejtë dhe i paanshëm nuk mund të konstatojë ndryshe.A është mbyllja e gazetës Koha Javore pjesë e kësaj politike me qëllim zhdukjen eventuale të kulturës dhe gjuhës shqipe në Mal të Zi? Kjo politikë, fatkeqsisht, të pakën në sipërfaqe, nuk duketaspak më ndryshe nga politika e ish-Jugosllavisë komuniste dhe as nga politika që Millosheviçi u përpoq të vendoste në Kosovë mbas shpërndarjes së ish-Jugosllavisë.
Po të ndodhë, mbyllja e gazetës Koha Javore nga autoritetet malazeze do të ishte gjithashtu edhe një shkelje flagrante dhe e qëllimshme e lirisë së shtypit dhe e fjalës së lirë. Për më tepër, mbyllja e Kohës Javore do të ishte një kriminalizim i fjalës së lirë. Liria e fjalës dhe liria e shtypit nuk janë vlera dhe standarde ekskluzivisht amerikane ose perëndimore.Por,ato janë vlera universale të të gjithë botës së qytetëruar, përfshirë familjen e shteteve europiane të cilës edhe Mali i Zi ka aspirataqë t’i bashkohet.Andaj, si pjesë e këtyre vlerave, Podgorica zyrtare duhet të përpiqet më shumë për akomodim e jo asimilim, bazuar në standardet evropianedhe në proces të korigjojë pa drejtësitë dhe të vendosë të drejtat e barabarta dhe legjitime në të gjitha fushat e jetës politike, ekonomike dhe kulturoro-gjuhësorepër komunitetin shqiptar në Mal të Zi, përfshirë edhe të drejtën e pasjes së shtypit në gjuhën amëtare.Tëpërpiqet më shumë për akomodim e jo asimilim, bazuar në standardet evropiane.Shpresojmë që ky të mos jetë numri i fundit i Kohës Javore.
Monumentet e trashëgimisë tonë kulturore e historike në Mal të Zi në rrezik zhdukje
Nga Simon Shkreli/
“Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në “Shën Mëri”, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim dhe zëmërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të tregojnë historitë e tyre. “
-M’u kujtua Petro Marko me romanin e tij “ Retë dhe gurët” I botuar pas vdekjes së tij nga bashkëshortja dhe e bija për të nisur këtë shkrim me të cilin kërkoj të kthej vëmendjen ndaj vlerave dhe trashëgimisë tonë që e kemi në rrezik zhdukje.
Shpesh herë më rastis të flas me persona të ndryshëm rreth Malit të Zi, vlerave që ka ai vend dhe bukurive të rradha që posedon. Popullin e tij mikpritës, por edhe për jetën e qejfit që bëhet në Budva gjatë verës por edhe dimrit. E ndërsa në bisedë e sipër kthej vëmendjen në zonën rreth kufirit, për shumë arsye: njohja me këto zona është shumë e pakët, e njohin vetëm si zonë përgjatë gjithë vijes kufitare jetojnë shqiptarë. Kaq mjafton dhe çdo gjë është e kryer! Nga ata të cilët kanë qenë më kuriozët për këto zona, nga ata që janë të njohur me restorantet e peshkut në grykëderdhje të lumit Buna në zonën e Ulqinit, apo edhe për Virpazarin. Ndërsa ngatërresa më e madhe ndodh kur Kullen e Oso Kukës e ngatërrojnë me kështjellen “Lesendro” që ndodhët buzë rrugës Podgoricë-Tivar. Ndërsa atraksioni më I madh gjatë dimrit është Kollashini, një qëndër turistike dimërore mjaft atraktive dhe e mirë. Por më çudit fakti se sa shumë janë të interesuar shqiptarët për të parë Manastrin e Cetinjës, apo të Ostrogut epa lënë menjanë edhe Pallatin Mbretror të Knjazit, dhe sallonet e dinastisë së Petroviqëve. Ky nuk është faj I malazezëve, pasi “shkëncëtarët” tanë të cilët kanë marrëdhënie shumë të mira me homologët e tyre malazezë janë kënaqur duke bërë seminare dhe trajnime për të “shpëtuar” liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna nga ndotja! Duke shkruar referate alla “copy-paste” me një shpërblim 100 euro për copë, kaq ka vlerë edhe grada shkencore që mbajnë. Ndërsa në zbulimin e hulumtimin e vlerave kulturore dhe historike shqiptare në këto zona as që janë lodhur ndonjë herë.
Nga grykëderdhja e lumit Buna e përgjatë gjithë kufirit dhe zonës ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, ndodhesh përballë vlerave të trashëgimisë tonë historike dhe kulturore. Për ironi të fatit edhe pse në bazë të ligjit egzistues të shtetit malazez për vlerat historike dhe kulturore të gjitha këto I plotësojnë kushtet për të qenë në listen e monumenteve të mbrojtura, ato nuk janë!
Të kërkosh në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës në Mal të Zi rreth monumenteve kulturore dhe historike në territorin Shqiptar ose në rajonet ku jetojnë shqiptarët në këtë shtet, nuk gjen asgjë, madje as Kalanë e Ulqinit një kështjellë e cila ka rrezatuar ndër shekuj me historinë e saj sa të lavdishme aq edhe kundërthënese. Por ky është fati I shqiptarëve në Mal të Zi që ato të mira të veta që I kanë të mos kenë mundësi as ti mbrojnë.
Një vit më parë në qytetin e lashtë të Shasit, në këtë vend ku ndodhen 365 kisha aq ditë sa ka mot-moti, nisi një ekspeditë arkeologjike, një bashkëpunim mes Institutit arekologjik të Beogradit dhe të Malit të Zi. Pasi gërmuan për ditë të tëra dhe në asnjë moment nuk gjetën gjurmë qoftë edhe Bizantine, vendosën që të braktisin këtë ekspeditë nën pretekstin e mungesës së fondeve. Ndërkohë që këto Kisha, ose gërmadhat e këtyre Kishave janë totalisht të pa mbrojtura. Kur ato u dhunuan nga Shesheli dhe Peshkopi Amfillohije Radoviq u mbrojten nga një plak 80 vjeçar I cili edhe pse I fesë islame u tha agresorëve se këto Kisha janë Shqiptare. Ndërsa sot me ose pa pahir disa të vetëquajtur studjues nga këto zona Katedralen e Shën Gjonit e quajnë “Kalaja e Shasit”.
Mungesa e një ndërmarrje rajonale të evidentimit të monumenteve historike dhe kulturore në territorin shqiptar, çon në deformime të tilla të cilat rrezikojnë zhdukjen e tyre. Por një pyetje që duhet bërë për të gjithë ne: “Sa kemi bërë që këto vlera të promovohen?” Përgjigja do ishte: Aspak!
Kjo vjen se askush nuk gjen “leverdi” ekonomike! Takimet e pushtetarëve shqiptare me homologët e tyre malazezë kanë qenë më shumë takime biznesi, e asnjëherë deri më tani këto takime nuk kanë paraqitur një plan konkret në lidhje me evidentimin e këtyre vlerave që janë pjesë e identitetit tonë. Por nga ana tjetër as vetë pushteti lokal, apo edhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi asnjëherë deri më tani nuk kanë ngritur zërin në evidentimin, futjen e tyre në listën e monumenteve të mbrojtura, por kanë rendur secili më shpejt se tjetri të fitojnë simpatinë e qeverisë malazeze. Nga ana tjetër qeveria në Tiranë këto 20 vite as që është merzitur për asnjë cështje të shqiptarëve në Mal të Zi!
Duke mos dashur të bezdis askënd po evidentoj vetëm pak nga ato momumente të cilat janë egzistuese, por fatkeqësisht të lëna në mëshirë të fatit.
Në Salç të Ulqinit, një fshat piktoresk rrëzë malit të Mozhurit i cili është i mbushur me ullinj dhe burime uji, ndodhen gërmadhat e një kishe katolike e cila në pllakën që ende egziston shkruan qartë se është e ndërtuar në vitin 1850 nga famullitari Dom Angelo Hotti, ndërsa është rikonstruktuar në vitin 1885 nga famullitari Dom Antonio Mjeda. Rruga që të shpie tek kjo kishë është e asfaltuar, dhe vetë lashtësia e saj tregon se është një vlerë e shtuar në mozaikun e vlerave tona historike, pasi këta gurë dhe mbishkrimet që kanë ardhur të ruajtura deri në ditët e sotme rrezikojnë zhdukjen. Kjo edhe për arsyen se shqiptarët në këto vise nga dita në ditë po tkurren në numër.
Në gjithë këtë hapsirë ecën nëpër gurë të cilët hiri I lashtësisë I ka mbuluar e së bashku me të edhe mungesa e një kujdesi të veçantë. Ka qenë vetëm vullneti I vetë banorëve të këtyre zonave të cilët më ato të ardhura që kanë, jane mnduar t’I mbajnë e t’I ruajnë këto relike të jashtëzakonshme, që kanë qëndruar si mburojë kundër stuhisë së madhe asimiluese me të cilën kjo pjesë e kombit është përballur dhe vazhdon të përballet.
Rrugës për në zonen e Krajës, një zonë mjaft fisnike e cila në mes mungesës së infrastrukturës dhe kujdesit më minimal në kushtet më të vogla për jetesë, është kujdesur që për 1000 vite t’a mbajë funksionale Ublen (pusin) e Krajes, I cili ndodhet në fshatin Ostrog. Gërmadhat e Kishës së vjetër Shën Marisë ose (Sh’Mrisë) e Krajës paraqesin një monument historik të rëndësishëm për Krajën dhe banorët e saj. Ky tempull i lashtë ka një histori të bujshme, të gjatë dhe mjaft interesant. I ndërtuar në shekullin e X nga murgu Pjetër, kjo Kishë ka qenë vazhdimisht pre’ e debatit mes banorëve të Krajës që janë shqiptarë dhe Mitropolisë Ortodokse serbe të Malit të Zi. Kjo kishë e cila sot është gërmadhë, në vitin 1446 ka qenë një Ipeshkvi’ Katolike e rëndësishme, e si e tillë është shqiptare. Por gjëndja e saj është e mjerueshme, ajo qëndron e braktisur nën hijen e kohës mes shkurresh dhe ferrash.
Studjues të shumtë kanë ardhur në përfundim se “Meshari” I Gjon Buzukut është shkruar në territorin rreth liqenit të Shkodrës. Kjo për faktin se edhe e folura e Krajës dhe Shestanit është e ngjashme me atë që përdor Buzuku në vepren e tij e cila pa’ driten e botimit në vitin 1555. Por ajo që ka mbetur përvec “Mesharit”, të cilin patëm fatin ta shohim me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, janë gurët dhe gërmadhat e shtëpive të këtyre zonave që kanë ruajtur vlerat e veta arkitekturore. Kisha e “Shën Mitrit” e cila ndodhet në fshatin Brisk Poshtë të Shestanit. Një tempull I vogël me një kapacitet që mban brenda rreth 30 persona. Sipas shumë studjuesve mes të cilëve edhe studiuesit At’ Vinçenc Malaj dhe Dom Nikë Ukgjini ky objekt ka qenë famullia e Gjon Buzukut, murgut katolik që për të parën herë shkroi në “G’luhen e s’dashtunes amë”, lutjen “”Gjithë popullsinë e krishtenë ndër Arbanit ata n’mortajet largo, ty të lusmë. O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut.”. Pyes vetën, a thua e meriton të mbrohet, të ruhet dhe të shpallet monument historik? Për fat të mirë kanë qenë vetë banorët e zonës të besimit musliman me ndihmen edhe të shestanasve të tjerë katolik që kanë bërë me të ardhurat e tyren rikonstruksionin e kësaj kishe.
12 Ublat ( puset) e Ljares të cilat askush nuk di saktë të tregojë se sa të vjetër janë pasi I kalojnë 700 vjetët, janë edhe sot e kësaj dite funksionale, të sistemuara në një diameter rreth 22 dynym tokë. Aty ku banorët e mençur të këtij fshati kanë gjetur damarët e burimeve nëntokësore dhe kanë furnizuar me ujë gjithë atë zonë. Por vlera më e madhe është ruajtja e tyre. Ajo që të bie në sy teksa udhëton drejt këtij fshati, është mungesa e një tabele me mbishkrim shqip për toponimin, edhe ai ekzistues është I përkthyer në gjuhën sllave. Njëlloj si Kisha e “Shën Gjon Pagzuesit” në Kllezën ku për turpin e shqiptarëve është e shkruar në tabele Kisha e “Shën Ivan Pagzorit” një shenjti malazez. E për më tepër kjo tabelë qëndron mbi urën shekullore të Klleznës e cila është kthyer më shumë në një vend grumbullimi mbeturinash, kur dihet se pas kongresit të Berlinit kjo urë shërbente si pikë doganore mes Portës së Lartë dhe Malit të Zi.
Edhe mua më duhet të pyes ku ndodhet fshati Vuksanlekaj në Malësi të Madhe, në pjesën e territorit të Malit të Zi, në afërsi të Tuzit. Sikurse në çdo vendbanim që ta kuptosh se sa I vjetër duhet të kërkosh varrezat. Në këtë zonë edhe sot egzistojnë varret më karakterstike të Ballkanit, me simbolikat ndër më të veçantat. Një përzierje e paganizmit dhe krishtërizmit, tipike për veriun tonë. E ndërkohë që këto varre dergjen në llumin e harresës së pa dëshiruar, së bashku me eshtrat e trupave të varrosur 300 vite më parë, sot ata kërkojnë që të mbahën si relike të çmuara. Vlera e këtyre varreve është shumë e lartë, simbolika e tyre e veçantë të çon shumë shekuj mbrapa. Të çon tek rrënjët, kur fiset u bashkuan dhe krijuan këtë komb.
Lënia në harresë e këtyre monumenteve, është krim ndaj identitetit tonë. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e tyre, ndërsa sa më shumë ecën nëpër atë pjesë të vendit njihesh me historinë e një populli të lashtë e fisnik. Ndërsa ne heshtim edhe kur mbi Malin Rumi’ dhe mbi kokat tona krekosët Kisha prej llamarine e Peshkopit Amfillohije e vendosur me ndihmën e helikopterëve të ushtrisë 10 vite më parë. Paçka se ka një vendim gjykate për ta larguar atë objekt ai vazhdon të qëndrojë, e ndërkohë që Maja e Rumisë ka qenë vend pelegrinazhi për Krajanët dhe Shestanasit shumë shekuj më parë.
Harresa është vrasje e dytë. E ndërsa muret e këtyre objekteve çdo ditë po shkatërrohen, ne vetëm I sodisim ato. Një ditë do kërkojmë nëpër literaturat e kohës të mund të gjejmë qoftë edhe një gur të vogël I cili do jetë aty në pritje që dikush të kthejë sytë nga ai.
“ Mbaj mend këtu do jem sa kohë më mban në kujtesë”.
Por sa vlen kjo për këtë gur?!
Rusët po i shesin pronat në Mal të Zi
Sipas zyrtarëve malazez, nga viti 2008 janë vetëm rusët ata që blejnë pronat në Mal të Zi. Megjithatë disa prej tyre tashmë po i shesin pronat të shtyrë nga një vendim i presidentin Putin./
Dekreti i presidentit rus, sipas të cilit politikanët rusë nga 1 qershori duhet të mbyllin llogaritë në bankat e huaja dhe të shesin pronën jashtë Rusisë, mund të ndikojë në tregun e pasurisë së patundshme në Mal të Zi.
Sasha Beljakov, rus i cili investon prej vitesh në pronën e tij në Herceg Novi, ka dëshirë të tregojë se si njihet me presidentin rus Vladimir Putin, por edhe me zyrtarë të tjerë rusë. „Dhe zoti (Vladimir) Jakunjin, i cili është ministri i hekurudhave të Rusisë dhe (Jevgenij) Primakov është mik i madh i imi. Ai ka qenë dy herë në Herceg Novi me pushime. Dhe zoti Jakunjin ka qenë me pushime.“ Megjithatë miqtë e tij nuk kanë pronë në Mal të Zi. Beljakov thotë se edhe pse zyrtarët e lartë rusë kanë shumë para, në bregdetin e Malit të Zi vijnë vetëm për të pushuar.
Numri më i madh i turistëve në Mal të Zi zgjedh për të pushuar në Budva. Dhe ky qytet quhet metropoli malalez i turizmit. Sipas të dhënave të zyrës së pasurisë së patundshme të Malit të Zi një e katërta e banesave dhe e lokaleve të metropolit janë në pronësi të shtetasve të huaj. „Nga viti 2008, që nga kriza e parë ekonomike në botë, janë vetëm rusët, do të thoja, blerësit e huaj, ndoshta edhe ndonjë mund të vijë nga Beogradi, Novi Sadi, por ky është një fenomen shumë i rrallë“, thotë Ljubomir Novaković, pronar i agjencisë GRA-MAR, e cila, sipas fjalëve të tij, si dhe gati të gjithë agjencitë e tjera, punon me rusë.
Dhe në zyrën e pasurive të patundshme thonë se nga shtetasit e huaj, pronarë të pasurive të patundshme, pas atyre nga vendet e rajonit, ka më së shumti rusë. „Shumë politikanë të lartë nuk ka, por funksionarë, që punojnë në qeverinë e Rusisë, të cilët punojnë në organet shtetërore, prej tyre ka shumë“, thotë Beljakov, i cili njeh shumë rusë, që kanë blerë pasuri të patundshme në Mal të Zi. „Ka njerëz nga Këshilli i Sigurimit, që punojnë tek presidenti i federatës ruse, ka nga ushtria, ministria e Punëve të Brendshme, nga marina ruse. Eshtë ky nivel. Këtu ka qenë edhe (Aleksandar) Medvedev, zëvendëskryetari i Gaspromit dhe për të tjerë nuk di.“
Janë pikërisht ato, të cilët me dekret të Vladimir Putinit, janë të detyruar që nga 1 qershori të mbyllin xhirollogaritë në bankat e huaja dhe të shesin pronën jashtë Rusisë. Obligimi vlen për të gjithë politikanët e nivelit federal, por edhe për ata të nivelit më të ulët, deri tek qytetet. Ata duhet të vendosin, nëse dëshirojnë të mbajnë funksionet e tyre, apo të ruajnë llogaritë e tyre bankave dhe pasuritë e patundshme jashtë vendi.
Vendimi ka shkaktuar turbullira, jo ndonjë ofertë të veçantë
Beljakov thotë se zyrtarët rusë nga Mali i Zi kanë vendosur të dëgjojnë Putinin. „Për shembull në Herceg Novi, kanë blerë rreth 100 objekte banesa të vogla, të mesme, disa ndërtesa, restorante e të tjera. Gati gjysma është nxjerrë tani në shitje.”
Edhe pse zyra e agjencisë së tij ndodhet në qendër të Herceg Novit, Novaković thekson se që nga shpallja e këtij lajmi nuk kanë marrë ndonjë ofertë të posaçme. Ai thotë se shitja ka rënë për shkak të krizës, por ai nuk pret që lajmi mbi vendimin e Putinit të prekë rëndë tregun e Malit të Zi. „Kjo ka shkaktuar pak turbullirë në punën tonë, në kuptimin se humbet kërkesa dhe se këto rusë shesin pasuritë e patundshme, por mendoj se është çështje e këtyre njerëzve, që kanë prona të patundshme dhe janë të punësuar në administratën shtetërore në Rusi, që janë shumë të pakët në numër“, shpjegon ai. „Këtu kanë blerë njerëz, të cilët para së gjithash bëjnë punë private, dhe jo ata, që janë të punësuar si nëpunës.”
Largohen për arsye të tjera
Nëse numri më i madh i pronarëve të pasurive të patundshme përpiqet tani që t’i shesë, ky nuk është lajm i mirë për tregun e vogël të Malit të Zi, thotë analisti ekonomik, Vasilije Kostić. „Në këtë rast është shumë e rëndësishme që të dihet, se në ç’masë kjo ndodh në të vërtetë, se një iniciativë e tillë nuk vjen për shkak të pasigurisë së hapësirës, apo shkaqeve të tjera, që janë të pranishme në tregun tonë, por që kjo është çështje e një vendimi politik“, thekson Kostić. „Kjo për faktin e thjeshtë se është shumë e rëndësishme, që një aktivitet i tillë mund të ndikojë te pronarët të tjerë të kapitalit.“
Në ambasadën e Rusisë në Podgoricë thonë se nuk kanë listë të shtetasve të tyre, dhe as të shtetasve, zyrtarëve, politikanëve dhe nëpunësve civilë, të cilët blejnë prona të patundshme në Mal të Zi. Ata i referohen kadastrës. Megjithatë në administratën për pasuritë e patundshme theksojnë se nuk kanë lista të aktualizuara, se nuk dinë se sa nënshtetas rusë janë me të vertetë, që kanë pronë në Mal të Zi. Beljakov pret se do të jenë gjithnjë e më pak. Jo vetëm për shkak të vendimeve të Putinit, por edhe pse atyre nuk u lejohet të qëndrojnë në Mal të Zi më shumë se 90 ditë, nëse nuk marrin leje për qëndrim më të gjatë, për të cilën u kërkohet, siç thotë ai, tepër, edhe hapja e firmës, punësimi i punëtorëve etj. „Për shembull në Spanjë, nëse blen ndonjë pronë, ti menjëherë mund të marrësh qëndrim të përhershëm të jetosh në Spanjë. në Republikën Domenikane është edhe më e thjeshtë, atje mund të marrësh menjëherë nënshtetësi dhe gjtihçka, ndërsa këtu jo.“ Beljakov mendon se rusët, që kanë planifikuar që fillojnë punë në Ballkan, tani largohen sepse e shohin se për shkak të krizës nuk do të jenë të suksesshëm në këtë synim të tyrin. „Të gjitha këto i kanë blerë, kur çmimet kanë qenë më të larta dhe askush nuk i ka numëruar paratë. Tani çmimet kanë rënë dhe realisht ata blejnë me gjysëm çmimi.“ Por përpiqen t’ua shesin, për këtë është i sigurtë Beljakov, së pari rusëve të tjerë: „Nuk bëhet aspak fjalë për shitje masive të rusëve si pronarë pasurish të patundshme“, insiston Novaković. Agjencija e tij ka vërejtur interesim për pasurinë e patundshme malazeze në panair në Moskë, 9 deri me 16 prill, por ai e pranon se shitje nuk ka. Ai shpreson se vendimi i Putinit, sa më shumë që afrohet afati për zbatimin e tij, nuk do të ketë ndikim të madh. „Mendoj se është më tepër psikologjik, që të ulë kërkesën, se sa ç’është një histori e vërtetë reale. Sepse them, shumica e blerësve nuk kanë qenë nëpunës civilë. Nuk flas për njerëzit, që janë të punësuar në ndonjë firmë. Nuk është nevoja që të jenë të gjithë biznesmenë, ka njerëz, që punonjë në firma, në firma privare në Rusi. Kjo nuk përfshin këto njerëz.”
(Kortezi: Ana Bogavac/Angjelina Verbica)
MALI I ZI: ASNJËRI KANDIDAT, NUK MERITON VOTËN E SHQIPTARËVE
Vështrim lidhur me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi /
Nga Xheladin Zeneli/
Të Dielën e ardhshme, me 7 Prill 2013 do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. Dy kandidatët kryesorë në këtë garë janë, kandidati i partisë në pushtet (PDS),Filip Vujanoviq i cili konsiderohet dora e djathtë e kryeministrit të Malit të Zi,Millo Gjukanoviq dhe kandidati i dytë është Miodrag Lekiq i cili në zgjedhjet e kaluara ishte kandidat i Frontit Demokratik dhe që kësaj rradhe do të paraqitet si kandidat i pavarur,por që njëkohësisht ka përkrahjen e partisë më të madhe opozitare, të Partisë Popullore Socialiste (SNP).
Derisa në njërën anë z. Lekiq shihet si kandidat me orientime pro serbe dhe si i tillë vështirë se do të mbledh votat e shqiptarëve,në anën tjetër z. Vujanoviq (me ndihmën e partisë në pushtet) shpenzoi shuma të mëdha financiare në fushatën parazgjedhore ,duke përfshirë fushatën edhe në trevat shqiptare.Gjatë kësaj fushate ai u mundua që të portretizojë vetëvehten si “pro europian” , apo si “mbrojtës” i të drejtave të popujve pakicë dhe sa i përket kësaj,z.Vujanoviq ka arritur të bind një pjesë të elektoratit shqiptar,falë ndihmës dhe përkrahjes që i kanë dhënë,edhe disa subjekte politike shqiptare,qofshin ata pjesë e koalicionit qeveritar apo të opozitës. Kjo u vërejt haptas posaçërisht gjatë tubimeve promovuese që u mbajtën muajin e kaluar në Ulqin, Katërkollë(Anë të Malit) dhe Ostros ( Krajë).
Por,cili është angazhimi i z.Vujanoviq për të drejtat e shqiptarëve ,nëse mund të flitet për angazhim?Filip Vujanoviq,i cili tashmë një kohë të gjatë gjindet në skenën politike malazeze,herë si kryetar dhe herë si kryeministër i Malit të Zi,ka pasur mundësi dhe kapacitet që në cilësin e pozitave të tija të larta , të bëj më shumë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve,por përkundrazi,gjatë gjithë kësaj kohe ka demonstruar mosgatishmëri dhe vullnet jo të mirë për zgjidhjen e çështjeve kontestuese të shqiptarëve në republikë.Z.Vujanoviq, gjatë fushatave të ndryshme zgjedhore,veçanërisht kur viziton trevat shqiptare ,trumbeton me një retorikë të ngjajshme për realizimin dhe arritjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve.Por,veprimet dhe sjelljet e tia, flasin të kundërtën.
Gjatë mandatit të tij presidencial u aprovuan disa ligje tepër diskriminuese ndaj shqipatrëve, u shëmb ekonomia e vendbanimeve shqiptare e cila si pasojë e kësaj, erdhi deri te papunësia e lartë dhe paperspektiva e banorëve të këtyre vendbanimeve. Gjithashtu, gjatë gjithë mandatit të tij presidencial, vazhdoi dhe gjitnjë deri më sot vazhdon të zvarritet realizimi i komunës me të drejta të plota të Tuzit.Kurse,në raport me Kosovën, Vujanoviq vazhdimisht ka kushtëzuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, me zgjidhjen e statusit kushtetues të pakicës malazeze në këtë shtet. A do të ishte e drejtë dhe e logjikshme,që përpara se të kërkohet zgjidhja e statusit të pakicës malazeze në Kosovë, më parë të zgjidhet statusi i shqiptarëve në Mal të zi,megjithëse krahasimi i dy entiteteve është i pavend.
Poashtu, gjatë kohës së tij si president,në Mal të Zi vazhdoi të lulëzoi korrupcioni politik dhe ai ekonomik, dhe sot Mal i ZI njihet si ndër shtetet më të korruptuara të Europës.
Shqiptarët në këto zgjedhje nuk kanë opcione të arsyeshme apo ndonjë opcion që do të favorizonte çështjen e tyre,kështu që nga ky vështrim, ata mund ushtrojnë të drejtën e tyre qytetare të apstenimit apo mosvotimit për asnjërin kandidat.Nëse ,votuesit shqiptar zgjedhin që të mosvotojnë në zgjedhjet presidenciale të 7 Prillit,atëherë kjo do të ishte një mesazh i fuqishëm ndaj politikës qendrore në Mal të Zi në aspektin e shprehjes së pakënaqësisë së tyre lidhur me trajtimin inferior nga ana pushtetit malazez karshi kërkesave të tyre të vazhdueshme për përmirësimin e statusit të tyre politik dhe shoqëror.
Ndërsa, ata që kanë vendosur që të votojnë në këto zgjedhje presidenciale,pa marrë parasysh se për të cilin kandidat do të votojnë, një gjë është më së e qartë,se vota e tyre do të jetë votë për status quo-n e shqiptarëve në Mal të Zi, do të jetë votë ndaj mandatit të vazhdimësisë së kurrupcionit politik shtetëror dhe si e tillë do të jetë votë kundër dinjitetit të tyre qytetar dhe kombëtar.
New York, 2 Prill 2013
BASHKËQEVERISJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE E PROBLEMEVE TË SHQIPTARËVE NĒ MAL TĒ ZI
Nga Xheladin Zeneli/
Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi të datës 14 Tetor të këtij viti, subjektet shqiptare që fituan nga një mandat ishin, Koalicioni “Për Bashkim” (i cili përbëhet nga Forca e Re Demokratike, Iniciativa Qytetare – Tuz dhe Lëvizja Perspektiva) dhe “Koalicioni Shqiptar” (i cili përbëhet nga Lidhja Demokratike, Partia Demokratike dhe Alternativa Shqiptare).
Pak ditë pas zgjedhjeve, me 30 Tetor 2012 dy Kualicionet shqiptare,bashkë me Partinë Boshnjake dhe Iniciativën Kroate ,në kuadër të partive të pakicave,nënshkruan Marrëveshjen për formimin e shumicës parlamentare me Kualicionin “Mali i Zi Europian” të Millo Gjukanoviqit, çka do të thotë se arritën marrëveshjen për qeverisje të përbashkët në mandatin e ardhshëm.
Në disa mandate të mëparshëme, partner i qeverisë nga rradhët e partive politike shqiptare ishte Unioni Demokratik i Shqiptarëve.
Me këtë rast,sikurse n’a imponohet pyetja se a është bashkëqeverisja domosdoshmërisht,zgjidhje e problemeve të shqiptarëve në Mal të Zi ? Mendoi se në këto rrethana politike,pjesëmarrja e shqiptarëve në Qeveri, mund të mos luaj rolin e duhur në raport me avancimin e mirëfilltë të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi,për disa arsy:
1. Nga përvoja e së kaluarës, mund të nxjerrim konkludime se bashkëpunimi (kualicioni) disavjeçar i partisë në pushtet (PDS) me subjektin politik shqiptar (UDSH) nuk ka dhanë rezulltatet e pritura në aspektin e përmirësimit të pozitës së shqiptarëve, por përkundrazi, pikërisht gjatë kësaj periudhe bashkëpunimi,janë aprovuar disa ligje që degradojnë dukshëm statusin e shqiptarēve nē Mal të Zi. Nga ky këndvështrim, lind pyetja se përse supozohet se një kualicion tjetër i shqiptarëve me qeverinë,do të jetë në interes të shqiptarëve dhe do të ndryshonte diçka pozitivisht në aspektin e statusit të tyre!?
2. Në mandatin e tanishëm të bashkëqeverisjes në mes të partisë në pushtet dhe dy kualicioneve shqiptare, më shumë përfiton partia në pushtet, duke ngritur imazhin e vet para faktorit të jashtëm dhe atij të brendshëm , si Qeveri gjithëpërfshirëse, pra si Qeveri e cila në përbërjen e vet ka edhe popujt pakicë, respektivisht përfaqësuesit e partive dominuese shqiptare;
3. Me pjesëmarrjen e shqiptarëve në bashkëqeverisje,zhduket zëri i tyre kundërshtar (opozitar) me rastin e kërkesave dhe të drejtave të tyre.Në të vērtetë,përfitimi i disa posteve në qeveri,nuk është gjë tjetër veç shkëmbim për heshtje lidhur me gjendjen dhe problemet reale të shqiptarëve në Mal të Zi;
4. Në shumicën e rasteve,postet që iu ndahen shqiptarëve kanë karakter formal dhe si të tilla nuk kanë fuqi vendim-marrëse sidomos për çështjet që kanë të bëjnë me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi.Si gjithëherë,në këtë shtet politika udhëhiqet nga qendra dhe vendimet merrën vetëm nga pozita e mbrojtjes së interesit të partisë në pushtet ; dhe
5. Ishin vetë këto subjekte politike shqiptare që deri deri sa ishin në opozitë,kohë pas kohe kritikonin partinë pjesëmarrëse të atëhershme në pushtet( UDSH-në) për bashkëqeverisje me PDS-në e Gjukanoviqit.Në fakt,ato disa herë kërkuan tërheqjen e UDSH-së nga pushteti qendror.Pjesëmarrja e kualicioneve fituese shqiptare në mandatin e tanishëm të Qeverisë së Malit tē Zi, është kundër parimeve dhe qëndrimeve të tyre të mëparshme, pra si e tillë është joparimore dhe kontradiktore.
Sa janë efektive marrëveshjet politike me Qeverinë?
Gatishmëria e kualicioneve fituese shqiptare ,të dalë nga zgjedhjet e 14 Tetorit të këtij viti ,për t’u bashkangjitur kualicionit qeveritar,dëshmoi përsëri se subjektet politike shqiptare, në përgjithësi, si prioritet të tyre kryesor kanë ate që të jenë pjesë e qeverisjes qendrore në Podgoricë.
Është me rëndësi të potencohet që kësaj rradhe, partia fituese në nivel qendror në Mal të Zi ( PDS-i) mund të kishte formuar shumicën parlamentare edhe pa ndihmën e partive (kualicioneve) shqiptare. Prandaj,kualicionet shqiptare sikurse u ngutën të bëjnë negociata me partinë në pushtet,duke mos patur fuqi negocuese. Kjo ndikoi që Platforma për veprim të përbashkët politik që u nënshkrua me këte rast në mes të
partive(kualicioneve) të pakicave dhe PDS -it të Gjukanoviqit, në përbërjen e fjalorit të vet të kenë një gjuhë të përgjithësuar dhe ofron shumë pak në aspektin konkret të realizimit të kërkesave të shqiptarëve. Për shembull,kërkesa për statusin e Komunës së Tuzit-Malësisë, me presion të Partisë Boshnjake,fillimisht u hoq nga Platforma e përbashkët politike dhe u zëvëndsua me termin “decentralizim”,fjalë që nënkupton bartjen e kompetencave nga pushteti qendror (në këte rast, nga Podgorica) deri te komunat lokale dhe ngritja e shkallës qeverisëse të tyre dhe një terminologji e tillë, domosdoshmërisht nuk nënkupton realizimin e Komunës së Tuzit.
Më vonë, në Aneks marrëveshjen mbi veprimin e përbashkët politik në mes Qeverisë se re të Malit të Zi dhe partisë Forca e Re Demokratike (të cilën kjo e fundit e bën publike me 3 Dhjetor 2012), në kontekstin e Komunës së Tuzit,thuhet se “është vërtetuar që së bashku do të bëhen përpjekje në përshpejtimin e procesit të themelimit të Komunës së Tuzit-Malësisë”. Pra, problemi është ku thuhet se “do të bëhën përpjekje…”. A nuk është bërë përpjekje tash në 20 vitet e fundit që të realizohet Komuna e Malësisë, por pa rezulltate?Pra,gjuha e përdorur në Aneks Platformë nuk e obligon palën tjetër (PSD-në) që medeomos dhe seriozisht të merret me realizimin e çështjes së Komunës.
Përkujtojmë lexuesit se në vitin 1997,gjithashtu u arrit një marrëveshje e ngjajshme në mes të faktorit të atëhershëm politik shqiptar dhe Qeverisë malazeze e cila u quajt ” Marrëveshja mbi parimet minimale për zhvillimin e infastrukturës demokratike në Mal të Zi”, me përbërje prej pesë pikash ku në mes të tjerash pika 1(c) bën fjalë për organizimin teritorial të Malit të Zi në kuptimin e themelimit të komunave të reja dhe “decentralizimin e pushtetit”, përsëri pa përmendur konkretisht me emër Komunën e Malësisë!? Që nga ajo kohë disa vendbanime me popullsi sllave themeluan Komunat e veta kurse Malësia që nga viti 2006 është Komunë e ashtuquajtur urbane e Podgoricës,çka do të thotë entitet me të drejta dhe ingjerenca të cunguara.
Nga përvoja e së kaluarës politike mund të nxirrën mësime se fjalori i paqartë dhe jo konkret me rastin e përpilimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve dhe dokumenteve të tjera politike me palën qeveritare,len hapësirë për manipulime dhe keq-interpretime të ndryshme. Gjithashtu, me rastin e nënshkrimeve të dokumenteve të ndryshme me Qeverinë e Malit të Zi, duke përfshirë edhe Marrëveshjen për formimin e shumicës parlamentare, do të ishte e udhës që të bëhen në prezencën e palës së tretë,mundësisht asaj ndërkombëtare me qëllim të përfitimit të garancisë së implementimit të tyre.
Megjithate,në arenën politike, katër vitet e ardhshme do të jenë sprovë e aftësisë së dy kualicioneve shqiptare si subjekte të reja bashkëqeverisëse,në aspektin e ballafaqimit me sfidat e përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi.
New York
21 Dhjetor 2012