Nga Dionis Xhafa/
Kievi, Rejkjaviku dhe Ankaraja, shpjegon Christop Haselbach, janë kryeqytete evropiane jashtë BE nën mangentin e politikës së saj. Kontradikta më e madhe për BE qëndron në Ukrainë, ku shteti është nën influencën e politikës ruse, ndërsa popullsia dëshiron Bashkimin Europian. Shumë shpejt, dora e hekurt e zgjatur e politikës ruse mund të bjerë dhe triumfi i BE në këtë shtet është gjithnjë e më pranë. Të pasurit e një niveli demokratik dhe ekonomik të lartë, duket se e kanë bërë popullin islandez të besojë pak në Europën e Bashkuar. Krejt ndryshe ngjan me Ankaranë, ku perceptimi se BE nuk e do popullin turk është i qartë brenda shtetit dhe jashtë kufijve të saj. Tirana nuk e ka luksin e Rejkjavikut. Tirana në krahasim me Kievin është më e çliruar, pasi segmentet e qeverisë dhe popullit shkojnë në një tangent të përbashkët, Bashkimin Europian. Tirana nuk ngjan as me Ankaranë, e cila më tepër ka ndikim në një zonë tjetër, atë të zonës së Lindjes së Mesme sesa në Evropë. Qielli i Tiranës sot është një një yjësi prej 27 vendesh dhe synimi për të qenë ylli i rradhës ka devotshmërinë e popullit dhe të qeverisë. Flamuri i BE ngjan sikurse qielli ynë sipër kresë që e vështrojmë me endje që nga Toka. Europa e Bashkuar na kërkon “të marrim një anije kozmike” për të arritur në universin e saj. Në rastin konkret po flasim për reforma që diktohen nga Brukseli. Është e ditur nga gjithëkush që Shqipëria një ditë do të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe shpresoj e besoj sa më shpejt të jetë ajo ditë. Ajo që duhet të jetë edhe më prioritare është besnikëria e pashoq ndaj kësaj hapësire politike. Gjithnjë Shqipëria, si një shtet i vogël me pak ndikim në një kontinent me shtete titane politike, e ka drejtuar politikën drejt fuqisë. Duke qenë se në periudha të ndryshme historike kahu i fuqisë politike ndryshon, dhe politika e jashtme e Shqipërisë ka ndryshuar në bazë të supermacisë së kohës. Kjo ka bërë që gjithnjë të llogaritemi si një aleat i vogël. Kjo s’duhet të ndodhë më. Besoj se nëse jemi të vendosur në këtë politikë evropiane dhe besojmë thellësisht në parimet e saj, edhe kur kjo politikë të pësojë tronditje, duhet të jemi pjesë e sakrificës. Vetëm kështu do të rriteshim brenda një hapësire të konsideruar si “familja natyrale” jona. Universi mbi qiellin e Tiranës nuk do të jetë perfekt, ama do jemi “pjesë e familjes”, e jo një krijesë që sodit në “anën e të fortit”.