• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hidet shqiptare në SHBA

October 17, 2017 by dgreca

–Shqiptaro-amerikani Sokol Ndreu çon hidet shqiptare në SHBA/1 Hidet

Nga Shefqet Kërcelli/ Në Shqipëri, hidet janë vërtet nga frutat më të kërkuara, më të shijshme e më të dashura të vjeshtës. Ndaj konsumi i tyre është padyshim i lartë dhe interesi për kultivimin e kësaj peme frutore sa vjen dhe rritet, duke kaluar nga pemë oborresh në pemë për kultivim. Ekspertët e AgroWeb.org bëjnë të ditur se hidet mund të rriten lehtë në pothuajse të gjitha llojet e klimave. Sipas tyre, pema e Hides rritet në klimë të butë e të thatë. Kjo pemë e duron klimën e ftohtë në dimër, madje mbijeton edhe deri në -15 gradë celcius.

Por është fakt që fama e Hideve Shqiptare po rritet.

Kështu ndërsa shitja e Hideve në tregun vendas është shndërruar në një biznes fitimprurës, fama e tyre po kapërcen kufijtë e Europës. Ky frut ka njohur tregje të reja drejt Amerikës dhe Australisë falë komuniteteve të diasporës. Të nxitur nga kujtimet dhe nostalgjia e shijes së këtyre frutave fantastike që rriteshin në avllitë a bahçet e shtëpive të tyre të dikurshme, shqiptarë që tashmë prej vitesh jetojnë në SHBA apo edhe Australi, kanë nisur t’i shndërrojnë Hidet në një biznes të vërtetë fitimprurës. Duke u furnizuar me fidanë nga Shqipëria, specialistët e AgroWeb.org raportojnë se ata kanë nisur kultivimin e hideve në toka të marra me qira për periudha afatgjata, me qëllim shndërrimin e tyre në ferma.

Histori suksesi

Hidet në Amerikë apo Australi janë fruta të rralla shumë pak të njohura apo familjare. Në këto vende hidet nuk kultivohen dhe njihen vetëm nga importi, por kërkesat e komuniteteve ballkanike për to është e konsiderueshme. Ky është faktor i rëndësishëm që ndihmon disa shqiptarë të jenë të suksesshëm në iniciativën e tyre. Zoti Sokol Ndreu, jeton prej 20 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Boston. Prej dy vitesh, ai ka nisur kultivimin e hideve në një fermë të vogël në periferi të qytetit. Ndreu tregon për AgroWeb.org  mbi nisjen e këtij kultivimi, i cili siç thotë ai ka nisur të japë shenjat e para të kënaqshme financiare. “Hidet për momentin janë frutat ku ne kemi pritshmëri për fitimet e biznesin tonë. Bashkë me familjen ne zotërojmë një fermë ku kultivojmë disa kultura frutash dhe perimesh. Më të veçanta janë hidet, nuk njihen shumë këtu dhe kjo na ndihmon në shitje. Mbi të gjitha fidanët e tyre i kemi porositur dhe na kanë ardhur nga Shqipëria. Tërhiqen shumë si fruta, jo vetëm nga komuniteti shqiptar këtu, por mbi të gjitha nga vetë amerikanët që i konsiderojnë bio”, thotë Ndreu në një bisedë për AgroWeb.org.

Burimi zyrtar faqja e AgroWeb.org.

Redaksia e gazetës “Dielli” i uron suksese të mëtejshme bisnesmenit Ndreu në këtë ndërrmarje të veçantë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: ne SHBA, Sokol Ndreu, won hides

DR. IBRAHIM RUGOVA, VIZITA E PARË NË SHBA

October 10, 2017 by dgreca

1 Rugova okNga Tonin Mirakaj/2 Rogova28 vjet më parë, pikërisht me datën 4 Tetor 1989, në ora 5 të mbrëmjes, i ndieri Dr. Ibrahim Rugova i shoqëruar nga prof. Engjell Sedaj, mbërritën në Kennedy aeroport, në New York, me linjën ajrore Jugosllave “Jat”, të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Kshillit të Mirë”, për të qenë folës në Seminarin përkujtimor që ishte organizue me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdani.

Për arsye sigurie, nuk ishte lajmërue komuniteti për ardhjen e musafirve nga Kosova.Faktor tjetër ishte se komisioni përgatitor  i Seminarit nuk kishte konfirmim të sigurtë për ardhjen e tyre, nga se komunikimet në atë kohë nuk ishin të lehta, nga situata e tensionuar politike në Kosovë.

Në aeroport për ti pritur, pa qenë të sigurtë për ardhjen e tyre, kishin dalur meshtarët e Kishës

të përndershmit Dom Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj dhe kryetari i komisionit përgatitor të Seminarit Tonin Mirakaj.Linja ajrore nuk jepte asnjë informatë për ardhjen e tyre, pra duhej të prisnim apo dalin me turmën e pasagjerve nga “costums control”.Ipari qe i njohu nga larg, në fund të turmës ishte Dom Rroku.Erdhën u ndëgjue zëri i tij! Gëzim për ne që prisnim e natyrisht gëzim për profesorët, që më në fund arritën në Amerikë, për herë të parë!

Mbas përshëndetjeve, profesorët u interesuen për organinzimin e Seminarit, vendin ku do të mbahet si edhe a kishin mbërrijtë folësit e tjerë At Danieli, profesorët Pipa dhe Camaj? I njoftuem se vendi është “Fordham University”, dhe salla e Seminarit ka vend për më se njëmijë persona. Profesor Sedaj tha: Njëmijë persona nuk mund ti mbledhim në Prishtinë, e ju mendoni se do ti mblidhni ne New York? I njoftuem se At Danieli dhe profesor Pipa kishin mbërrijtë, dhe se Camaj nuk ka mund me ardhë, por ka dërgue ligjëratën e tij. Mbas këtyre bisedave u drejtuem tek makinat , nder to, ishte dhe një limuzinë e dërguar nga familja Biberaj, dhe u nisëm për në Beekman Towers në 49th rruge, avenuja e parë në Manhattan, ku ishte rezervue një suite për  Rugova dhe Sedaj.

Kujtoj se nga dritaret e suites shihej për bukuri ndërtesa e OKB, e cila me pamjen e saj i mahniti profesorët. Dr. Rugova, mbasi ndezi një cigare“Marlboro”,e thithi 2-3 herë tha:Këtë ndërtesë,e kemi pa në fotografi,tani po e shohim nga afër, dhe vazhdoi: Aty në një të ardhme, ndoshta jo të largët do të zgjidhet problemi i Kosovës!

Mbas një pushimi të shkurtër në hotel, të gjithë u nisëm për në banesën e shkruesit të këtyre rreshtave, në Fifth Avenue në Manhattan, ku kalum një darkë të këndshme me mysafirët,klerikët dhe disa anëtar të komisionit pergatitor të  Seminarit.

Të nesërmen,profesorët vizituan Kishën Katolike “Zoja e Kshillit të Mirë” ku u pritën me shumë kënaqesi nga administratori Dom Rrok Mirdita, ndihmësi i tij Dom Pjetër Popaj, djakon Marash Shkreli,kryetari i komisionit përgatitor të seminarit e të tjerë, ku u bisedue mbi gjendjen e komunitetit, mbi qendrat fetare si edhe organizatën Pan-Shqiptare“Vatra”.Gjatë bisedave,  Rugova shprehi disa herë, konsideratën e tij për Federatën Vatra:- Ruejeni Vatrën se u duhet shqiptarve tha në një bisedë mbi këtë organizatë famëmadhe!

Lajmi se mbërritën profesorët nga Kosova u përhap shpejt, kryesisht me telefon, nga se në atë kohë nuk kishte e-mail, cell phones, face book e të tjera mjete komunikimi të shpejtë.Për të lajmërue aktivitete të ndryshme në komunitet kishte disa radio emisione në gjuhën Shqipë që transmetoheshin njëherë në javë. Këto ishin “Zëri i Atdheut” me folës Rasim Sina dhe Hysen Mulosmanaj, “Zëri shqiptarve të lirë” me folës Nehat Bakalli dhe Ramadan Turdiu dhe “Revista radiofonike e shqiptarve të Amerikës” që drejtohej nga Zef Camaj.Këto radio e dhanë njoftimin se ku dhe kur mbahej seminari, si dhe njoftuan ardhjen e profesorëve.

Me ardhjen e profesor Ibrahim Rugovës dhe profesor Engjëll Sedaj, u plotsue programi me folës që në atë kohë ishin personalitete më të shquara të fesë,kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Ishte e  qartë për komisionin përgatitor,se mysafirët kosovar duhej ti ruanim me shumë kujdes nga rryma të ndryshme politike që përbënin komunitetin tonë, prandaj me dëshirën e tyre takime individuale u kufizuan, u njoftua disa si: Imam Isa Hoxha, Prof. Sami Repishti, vëllezërit Bytyçi, At Daniel Gjeçaj, profesor Arshi Pipa dhe anëtarët e komisionit.I pyetur për situatën në Kosovë, Rugova u përgjegj shkurt: Kemi ardhë të ftuar nga Kisha Katolike për të përkujtue një klerik dhe shkrimtar që ka vdekë 300 vjet më parë.Do kthehemi me datën 14 tetor në Kosovë.Nuk kemi ndërmend të përzihemi në punë të tjera!

Dita e dytë u kalue në shëtitje në Manhattan, dhe në mbrëmje u shtrue darkë në “Amici Restaurant”, ku morën pjesë klerikët, profesorët dhe anëtarë të komisionit, si dhe Agim Fetahu, ish gazetar i “Rilindjes” në Kosovë.

Ditën e Seminarit, në ora 10 të mëngjesit, salla e Universitetit u gjet e mbushur plot me bashkatdhëtarë, shumë të ardhur nga NY, NJ dhe CT.

Pas lutjes fetare dhe hymneve kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë, kryetari i komisionit paraqiti drejtuesin e Seminarit të Përndershmin Dom Rrok Mirdita.Ky, mbas një përshëndetje të shkurtë, paraqiti audiencës folësit me radhë simbas programit.Kur u përmend emri i Ibrahim Rugovës, salla ushtoj nga

duartrokitje frenetike për disa minuta.Ky rast bëri të kjartë se Rugova kishte mbështetje nga shqiptarët e Amerikës.

Në program, ishte i treti, mbas At Danielit dhe profesor Pipës. Ndërsa flisnin këta të dy, Rugova kërkoj letër, ku përgatiti përshëndetjen e tij përpara temës së pregatitur që ishte: “Historia Shqiptare në veprën e Bogdanit”.

Pritja që ju bë diferent prej të tjerve, mund ti sillte rrezik mbas kthimit në Kosovë, prandaj më shumë kujdes, përgatiti “përshëndetjen që vijon”:

Zonja dhe zotërinj të nderuar!

Më lejoni që në fillim të përshëndes kishën katolike shqiptare të New York-ut, që mori kët hap të shënoj me kët Seminar 300 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Pjetër Bogdani. E falenderojmë nga zemra për ftesën, që na të dy studiues nga Kosova të japim ndihmesën tonë në kët drejtim.

Po ashtu më lejoni të them edhe dy a tri fjalë të tjera. Nisma e kishës katolike shqiptare të shënoj kët jubile, është një nismë e mirë, që të filloj një traditë bashkëpunimi midis shqiptarve në SH.B.A. dhe shqiptarve në Jugosllavi.Pa ndonjë kompliment të tepruar, kjo nismë sikur vazhdon traditën e Vatrës shqiptare të Bostonit, e cila me decenie veproj në planin kulturor e kombëtar.

Shqiptarët, duhet dhe mund të bashkëpunojnë dhe njihen më shumë ndërveti kudo qofshin në  botë, duke u lidhur me trojet autoktone dhe pa marrë parasysh  sistemet ku jetojnë si edhe bindjet e tyre politike,konfensionale e sociale, ashtu si e kërkon bota e sotme.Shqiptarët sot, kanë nisur të hapin më shumë dialogun midis tyre dhe me të tjerët, sepse kështu do të forcojnë identitetin e tyre dhe do të shpejtojnë inkuadrimin e tyre si subjekt, në proceset e botës moderne.

Kolegu Sedaj dhe unë, ju përshëndesim të gjithve, që keni gjetur kohë të jemi sëbashku, për të nderuar kët fytyrë të madhe të kulturës dhe historisë së Shqipërisë.

Pas pershendetjes së duartrokitur, Rugova paraqiti temën e seminarit.

Seminari pati sukses shumë më të madh si ishte paraparë nga organizuesit.            Pjesëmarrja e më shumë se 1000 bashkatdhëtarve, i dha përmasa të një veprimtarie masive kultuore kombëtare. Shtypi i mërgatës, radio, e paraqitën me madhështi suksesin. “Atdheu” botoi nje artikull nga Rasim Sina dhe Hysen Mulosmanaj me titull:”Madhështia e një Seminari”. Radiot komentuan edhe mbi rëndësinë e ardhjes së profesorëve kosovarë në Amerikë.Eshtë fakt se profesor Ibrahim Rugova u inkuraju nga pritja që ju bë, për aktivitete diplomatike dhe politike, që ndërmori mbas kthimit në Kosovë,të cilat më pas sollën rezultate me përmasa historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.

Në mbrëmjen e datës 7 tetor, komisioni i seminarit shtroi darke në nder të ligjëruesve, në Eastwood Manor,ku pati një pjesëmarrje prej më se 700 persona.Në darkë fjalimet u kufizuen me përshëndetje të shkurta, dhe praqitje të mysafirve të nderit.Gjatë darkës pati një program të pasur argetues.Rozofati,luejti vallen e “Rugovës”,që u pëlqeu shumë mysafirëve.

Darka u kryesue nga kryetari i komisionit.

Profesorët kosovarë udhtuen në Washington DC, të shoqëruar nga antari i komisionit Simon Simolacaj.Atje kaluen dy ditë te miku i tyre Fran Shkreli dhe familja e tij. U takuan me Elez Biberaj.Frani dhe Elezi ishin zyrtarë të departamentit të shtetit, me detyra në VOA. Mbas kthimit nga Washingtoni, koha u kalue në shetitje në New York, në shoqërinë e një grupi të vogel miqësh, kryesisht Dom Rroku, Dom Pjetër Popaj, Djakon Marash Shkreli, antarët e komisionit dhe vëllezërit Bytyqi.

Ditën e fundit të vizitës tyre në Amerikë, ndërsa po pregatiteshin për udhëtim, Rugova dhe Sedaj kërkuen me i dërgue në një dyqan, ku mund të blinin ndonjë dhuratë për bashkëshortet e tyre.

Kërkuen ti shoqëroj bashkeshortja ime Miliana,e cila kishte fillue të pregatisë drekën.Lëre drekën kur të kthehemi, tha Rugova. Në atë kohë në banesën tonë erdhi Sabit Bytyqi.I treguam për kërkesën e mysafirëve.-Shkoni,- tha Sabiti, drekën e pregatis unë! Kënaqësi për të gjith.Ashtu u bë. Vendosëm me shkue në Stern’s Dept. Store, në Rt 4, New Jersey, ku kishin mundësi me ble gjërat që dëshironin,me ndihmën e Milianës.Ndërsa po kalonin urën për në New Jersey, Rugova pyeti: Si quhet kjo urë? Kjo është “George Washington Bridge”, u përgjigjëm. George Washington përsëriti ai…. Per një George ka nevojë Kosova! Të gjithë qeshëm.Ndoshta nuk na shkoi në mend se George Washington i Kosovës ishte aty, me ne, IBRAHIM RUGOVA!

Mbasi i blenë gjërat që dëshironin, u kthyem. Sabiti kishte prëgatitë drekën, sigurisht në mënyrë profesionale, ashtu si në restaurantin e tij “Minetta”.Mbas dreke, u nisëm për në Kennedy aeroport.Aty kishin dalë me i përcjellë mysafirët, klerikët Dom Rrok Mirdita, Dom Pjeter Popaj, djakon Marash Shkreli,të gjith antarët e komisionit të Seminarit Imzot Pjetër Bogdanit, Zef Camaj e ndonjë tjetër. Profesor Ibrahim Rugova u kthye i bindur se Kosova ka miq në Amerikë.Kjo u provue nga ngjarje që pasuen deri në pavarësinë e Kosovës.

Scarsdale, 15/Shtator/2017

Shënim:

Ligjëratat e mbajtura në Seminar gjinden të botuara në librin“Imzot Pjetër Bogdani në New York”, botues Tonin Mirakaj.Mund të porositen në zyrën e Vatrës dhe pranë kishës Zoja e Shkodrës.

Filed Under: Featured Tagged With: Kur erdhi Rugova, ne SHBA, Tonin Mirakaj

KRYEPROKURORI I KOSOVES, NE SHBA

July 26, 2017 by dgreca

SHBA-Kosovë, Kryeprokurori  Lumezi në San Francisko/

1 Kryeprokurori

-Një delegacion i Prokurorit të Shtetit po qëndron për vizitë zyrtare në San Francisko/

San Francisko/SHBA, 26 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Me ftesë të Departamentit Amerikan të Drejtësisë – Divizioni për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, një delegacion i Prokurorit të Shtetit të Kosovës, i kryesuar nga kryeprokurori Aleksandër Lumezi, po realizojnë një vizitë zyrtare në San Francisko, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Qëllimi i kësaj vizitë është marrja e përvojave të shtetit San Francisko lidhur me funksionimin e sistemit prokurorial, institucioneve penale të dhunës në familje, shërbimeve të viktimave, atyre anti-korrupsion, konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme dhe disa institucioneve tjera.Delegacioni i kryesuar nga kryeprokurori Lumezi do të vizitojë Prokurorin e Qarkut Verior të Kalifornisë, Gjykatën Penale për Dhunë në Familje, Prokurorinë e Qarkut të San Franciskos, Gjykatën për Çështje Familjare të San Franciskos, Njësitin për Konfiskimin e Pasurisë së Zyrës së Prokurorisë së Qarkut Verior të Kalifornisë dhe institucione tjera të sistemit të drejtësisë së këtij vendi.Kryeprokurori Lumezi do të zhvillojë takime të ndryshme me krerë të institucioneve të drejtësisë së San Franciskos, po ashtu i tërë delegacioni i Prokurorit të Shtetit do të marrë pjesë nëpër seanca të ndryshe që zhvillohen në institucionet e drejtësisë./b.j/

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, KRYEPROKURORI I KOSOVES, ne SHBA

Kosova në garën e robotikës në SHBA

July 19, 2017 by dgreca

-Ambasadorja Çitaku vizito ekipin e Kosovës në garën e robotikës, FIRST Global Challenge/

1 citaku ekipi2 citaku fb3 turmeAmbasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka vizituar ekipin e Kosovës në garën më të madhe ndërkombëtare në fushën e robotikës, FIRST Global Challenge, që po mbahet në SHBA.Me këtë rast, Çitaku ka thënë se ndjehet krenare që të rinjtë kosovarë po e përfaqësojnë vendin në mesin e shumë shteteve të tjera të botës.

“Pata kënaqësinë që takova ekipin e mrekullueshëm dhe entuziast të Kosovës, që po merr pjesë në garën ndërkombëtare të robotikës. Jam krenare për mendjet e tyre inovative, kureshtare dhe të bukura. Të rinjtë si ata do të lëvizin Kosovën përpara në shekullin e 21-të”, ka thënë Çitaku përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.Nën mentorimin e rektorit të UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, nxënësit kosovarë të shkollave të mesme, Elita Hajrizi, Liburn Bajraktari, Flokart Pajaziti, Gëzim Morina dhe Rigon Statovci, janë duke prezantuar aftësitë në fushën e robotikës.Pjesë e kësaj gare janë të rinj nga 164 shtete të ndryshme të botës, të cilët do ta sfidojnë njëri-tjetrin, përmes dizajnimit dhe programimit të një roboti, për ndërtimin e të cilit është dashur të bashkohen aftësitë, idetë dhe kreativiteti në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kosova, në garën e robotikës, ne SHBA

Presidenti Thaçi në SHBA

April 18, 2017 by dgreca

-Presidenti Thaçi mysafir nderi i Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të kontinentit të Amerikës/

PRISHTINË, 18 Prill 2017-Gazeta DIELLI/ Me ftesë të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të kontinentit të Amerikës (IEFA), Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Presidenti Thaçi do të jetë mysafir nderi në edicionin e 7-të të Forumit Botëror Strategjik, i cili mbahet nën patronatin e IEFA-së në Majami.

Ai do të mbajë një fjalim me temën “Energjia, infrastruktura dhe zhvillimi i qëndrueshëm”, para një audience prej rreth 1200 pjesëmarrësve nga dhjetëra shtete të botës.

Në këtë forum, presidenti Thaçi do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të shteteve dhe kompanive të ndryshme botërore.

Pjesëmarrës në këtë forum janë personalitetet kryesore nga bota e biznesit, krerët e ndryshëm të shteteve, si dhe përfaqësuesit e shumtë të qeverive, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

Forumi Botëror Strategjik (WSF) është themeluar nga Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i kontinentit të Amerikës, një organizatë kjo jofitimprurëse që merret me promovimin e një dialogu të hapur për çështje ekonomike./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, ne SHBA, Presidenti Thaçi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 12
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIELLI ME SHQIPTARËT E ITALISË / SHKOLLA SHQIPE “DORA E PAJTIMIT”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË ITALI
  • 2023 A Consequential Year for Cybersecurity – Albania, Example of What Can Happen
  • Kryeministri Kurti përkujtoi dëshmorët në Rogovë të Hasit, Vraniq, Bishtazhin e Gadish
  • Karadaku, Bir i Kosovës dhe i Labërisë që luftoi heroikisht në Grykën famëmadhe të Mezhgoranit të Tepelenës
  • Kosova në mes të betejave morale dhe pragmatike
  • SA PËR RIKUJTIM!
  • FUQIZIMI I SHQIPTARËVE NË SERBI DO TË DOBËSONTE SYNIMET NACIONALISTE SERBOMËDHA NË KOSOVË
  • THIKË MU NË ZEMËR TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE!
  • PSE KJO PO NDODH VETËM TEK NE? KU ËSHTË PROBLEMI?
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVUAN 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT