• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arturi që prehet nën qerpikun e nënës.

March 14, 2020 by dgreca

Nga Shpend Sollaku Noé/

Artur Kice kish lindur në vitin 1961, në ditën e 11-të të dhjetorit. Javën e parë të klasës së shtatë ishte akoma një trembëdhjetëvjeçar. Qe java e parë e shtatorit.  Kur ia behën ata që e arrestuan. Në sytë e shokëve të klasës që, si ai, nën bangë mbanin akoma topat e llastikut. Për të lozur në pushimin e gjatë. 

Ditëlinda e tij e katërmbëdhjetë Arturit as që do t’i kujtohej. Pasi kish bërë ndërkaq më shumë se tre muaj në qelitë e hetuesisë në Lushnje. Prindërit e tij ato ditë, pasi kishin përballuar edhe mësymjet e policisë në shtëpi, po i jepnin lamtumirën jo vetëm fëmijërisë së djalit të tyre, por edhe profesionit të mësuesit. 

Ndërsa Arturi rezistonte akoma në hetuesi: Nuk i kam shpërndarë unë ato trakte. 

Ndërsa ata i thonin: Ne e dimë që i ke shkruajtur ti. Ishte një drejtor shkolle ai që i gjeti dhe na i solli, një mësues, si prindërit e tu. Eksperti thotë që ke qenë ti. Pranoje. 

Jo, nuk kam qenë unë, ishte përgjigja e fëmijës Artur. 

E ke të kotë që reziston, ngulte këmbë hetuesi. Nuk të mbetet veç që të tregosh se kush ishin bashkëpunëtorët e tu. 

Arturi kish parë shumë filma me nazistë. Edhe ata kërkonin të dinin se kush ishin shokët e të arrestuarit. Ata nazistë tashmë kishin shqyer pëlhurën e kinemasë, i kishte përballë.

Sidoqoftë ai nuk kish ndërmend të ngatërronte askënd. Dhe të pranonte asgjë. Avokat i vetvetes, mendonte se kështu do ta linin të shkonte në shtëpi. 

Për pesë muaj rresht. Kish mbushur ndërkaq 14 vjeç. Por intuita i thoshte që, meqënëse e kishin arrestuar kur ishte 13 vjeçar, ligji nuk kish për ta kapur dot. Dhe shpresonte. Malli për motrën Xhilda, mamin Lefta dhe babin Leonidha ia vishte sytë. Por ai i rezistonte dredhirave të hetuesisë. Që e kishte vendosur tashmë dënimin e tij, që priste vetë formalitetin e firmosjes prej atij fëmije të shkathët, të pranimit të krimit të agjitacion-propagandës. 

Qe një lushnjar, fqinji i tyre, që u shfaq atë ditë, për të satën herë, me “rrëfimin” e daktilografuar, vetëm për t’u firmosur.

Ja, vër një firmë këtu. Nuk do të të dënojmë. Jashtë po të pret babi yt, Loni, që të të çojë në shtëpi, i thotë fqinji me liçencën pë t’i marrë lirinë të tjerëve, sidomos të atyre që cënonin partinë e tij. 

Arturi nuk i ngre sytë ta vështrojë. Po sikur të gënjejë ky? Asnjëherë nuk ka patur zë kaq të ëmbël sa sot.

Firmose, i tha tjetri, me një zë pothuaj lutës, firmose. Menjeherë pas kësaj do të jesh i lirë.

Liria, sa më mungon. Jami lodhur. Po sikur të firmos? Pyet veten fëmija i rritur shpejt në qeli. 

Firmose, këmbëngul fqinji “bamirës”. 

Arturi: Babi është vërtet përjashta?

Tjetri: Sigurisht.

Arturi zgjat dorën. Dora zvarritet, dridhet, por mjafton ajo zhgarravinë që ka përshkruar për t’u quajtur firmë. Si pranim i krimit. 

Me atë burrë Arturi do të shihej pastaj vetëm në sallën e gjyqit. 

Atë burrë që duhej të kish mbrojtur fëmijën e fqinjit, por që e shpuri drejt disa vite burgimi, kur kish hedhur nëpër rrugët e Lushnjes vetëm ca fletushka, kur ishte ende i padënueshëm per ligjin, pasi vëtëm 13 vjeçar…

… Kërkoj ta gjej diku Arturin në Lushnje, në një vendbanim që nuk është shtëpia e nënës së tij. Por u detyrova të kërkoj tek banesa e zonjës Lefteri. 

Loti i saj ande i patharë. Ngjyra e syrit të saj – një liqen ku i biri vazhdon te notojë. E njëjtë si tek Arturi.

Nga ballkoni i shtëpisë së tij duket çatija ime. Që fsheh kobin që më ka rënë edhe mua. 

Bashkoj lotin me atë të nënës së mikut tim të shuar. 

Dal me këmbët marramandëse të këtij shkurti – vetëm plagë shpirti të lodhur.  

Filed Under: Emigracion Tagged With: Arturi, nena, Shpend Sollaku Noe'

N Ë N A…

March 8, 2020 by dgreca

NGA PELLUMB LAMAJ/

Është ora pesë pasdite dhe pasi kemi arrdhur nga galeritë e kemi ngrënë atë pak supë,si gjithë të burgosurit e tjerë, i lodhur jam shtrirë edhe unë në dyshekun e kashtës në katin e dytë dhe me sytë drejt dërrasave të katit të tretë që shërbejnë edhe si tavane për ne të katit të dytë, mundohem tu jap rrugë e ti arratis mendimet dhe mallin për familjen, kur dëgjohet zeri i tellallit të burgut që thërret emrin tim për takim me familjen.
Ngrihem menjëherë nga dysheku e përpak përplas kokën në dërrasa.Emocione të shumta më pushtojnë papritur.Është takimi i parë me familjen pas gjithë atyre muajve në qeli.
Bashkëvuajtësi pranë meje më thotë me zë dashamirës;
Ishallah është Nëna !.Sytë më mbushen me lot dhe një lëmsh më mblidhet në fyt.
Qëndro i fortë- më thotë sërish bashkëvuajtësi- duke më rrahur supet – jepi kurajo Nënës e mos ua bëj qejfin hjenave të kuq e unë veç tund kokën pa nxjerrë asnjë fjalë.
E prisja me ditë këtë takim e tani që isha veç pak çaste e hapa larg ,mezi tërhiqja këmbët duke ngjitur shkallët e ashtu mbërthyer nga emocionet, u nisa drejtë portës së madhe prej hekuri që shërbente edhe si postbllok ,edhe si vend takimi me familjet me vështrimin e etur për të dalluar cili pjestar i familjes kishte arrdhur.Në hetuesi kryetari i degës së brendshme Llambi Peçini dhe nënkryetari Meramet Hila me kishin thënë se ju jeni një strofkë ujqërish si familje,armiq të betuar të partisë dhe popullit dhe tani do t’ju kalbim të gjithëve në burg dhe kjo më kishte munduar më shumë se gjithë torturat gjatë kohës që isha në qeli.Mos ndoshta dikush tjetër nga familja ishte bërë kurban ? Në horizont dallova siluetën e një gruaje veshur me të zeza me dy trasta në duar që vinte drejt portës.Kur u afrua edhe më,zemra më rrahu fort dhe shtërngova duart në hekurat e portës. Ishte Nëna .Pas Nënës vinte vëllai madh edhe ai ngarkuar me trasta që vështronte herë majtas e herë djathtas ngaqë nuk më shihte mua që qëndroja në koluben midis hekurave.
Kur mbriti te porta,sa më pa,Nëna lëshoi trastat në tokë,drejtoi trupin,morri frymë thellë,rregulloi shaminë e zezë ne kokë dhe me buzët dhe duart që i drridheshin,s’mundi ti fsheh dy pika loti prej syve të përgjëruar që ngrine si dy copa akulli në fytyrën e saj dhe me kokën lart ,që në çast mori pamjen e një copë gjigande mermeri,lëshoi një oh që përshkoi qiellin e gërvishur me shtylla e gjemba teli e si një shkrepje vetëtime, ju bashkua ofshamave të pafundme të Nënave spaçiane;
Po me ty ç’patën biri i vogël i nënës,nuk u ngopën gjithë jetën me ne ?
Polici ju bëri me shenjë të futen në koluben që ndahej në dy sportele hekuri ku i burgosuri dhe familjarët mundet vetëm të takonin duart.Njeri polic qendroi në anën e tyre e tjetri kaloi në anën time.
I zgjata duart,i preka dhe nisa ti lëmoj gishtrinjtë e ftohtë që i dridheshin dhe i thashë;
Ti je mësuar me dallgë o Nënë,do kalojë dhe kjo stuhi,kështu na ke mësuar – dhe u përpoqa ti buzëqesh ,buzëqeshje që në çast u shndrrua në shtërngim dhëmbësh dhe pastaj shtërngova duart e vëllait i cili pasi mi shtërngoi fort shpërtheu;
Qëndro burr,do të të vimë prapa kudo që të jesh, sa të kemi frymën – dhe disa pika lot i rrëshqitën faqeve dhe si ai Luani plagosur shkundi kokën.
Vëllanë e madh e kishin thirrur për bashkëpunim me armën famkeqe të sigurimit të shtetit para arrestimit tim e ai natyrisht ua kishte dhënë reston e në ato çaste, ai ndoshta e ndjeu veten ”fajtor” që unë më i vogli i familjes isha kryqëzuar në vend të tij.
Në çast u ndje zëri i policit që lajmëroi mbarimin e takimit.
Me njerën dorë shtërgova duart e Nënës dhe tjetrën ato të vëllait .
Ah mor bir – psherëtiu Nëna – Nuk më bëjnë këmbët të iki !
E si mund të ndodhte ndryshe në ato çaste të dhimbshme kur një portë gjigande hekuri ku sipër dy kupola me ushtarë me bajoneta e automatikë drejtuar nga ne e ndërtuar nga mendja djallezore e hijenave të kuqe,ndante Nënën nga djali e vëllanë nga vëllai më pa të drejtë.
Shpejt ,shpejt – klithi polici – po presin të tjerët në rradhë !
E brenda portës me duart shtërnguar në hekurat e saj,i pafuqishëm për ta shqyer,veç i vështroja si largoheshin e tërhiqnin këmbët zvarë me shikimin prapa nga unë.
Në çast mu kujtuan vargjet e Kudret Kokoshit në burgun e Burrelit kur ai kishte takuar për herë të parë Nënën pas shumë kohësh.

Të pashë o Nënë pas kaq kohe larguar
Te krrusur,te plakur e të tretur
Të pashë o Nënë mbi një shkop mbështetur
Mermer i gjallë vuajtjesh e mjerimi.

E ashtu si në vegim tek i shikoja të largoheshin si hije, dëgjova klithmën e policit.

Ç’pret – merri trastat e zhduku apo don ti flak në përrua !

DITARI I BURGUT Spac Gusht 1979

Filed Under: Opinion Tagged With: nena, Pellumb Lamaj

Kam nëntëqind e dhjetë lekë jepjani nanës

August 10, 2018 by dgreca

Ilir-Levonja-300x298Nga Ilir Levonja/

1) Më 10 gusht 1988, pra si sot e tridhjetë vite më parë, ekzekutohej në publik një poet. Ashtu siç ndodh rëndom në diktaturë, herët në mesnatë, por trupi do të lihej aty deri nga paradreka. Ashtu nderur…, duhej ta shikonte njerëzia. Kam patur edhe unë fatin e mbrapshtë një herë, të shoh në qytetin tim të varur në litar, në një nga anekset e stadiumit, një qytetar, një djalë të ri… i cili në sherr e sipër një sherr banal provincial, i fyer për atë që fqinjët i kishin bërë familjes së tij, të atit, të kryente një krim. Gjithsesi, nuk kishte gjë më të shpifur të shikoje njeriun të nderur në litar. Por ndodh të aplikohet një dënim i tillë edhe në demokraci. Në ato muajt e parë të saj, në Fier qershorin e vitit 1992, ku ekzekutohen publikisht dy vëllezër për të ashtuqujturën masakra e Libofshës. Gjithsesi janë raste krej të ndryshme. Por ky i poetit Havzi Nela është thjesht për mendimin ndryshe, për fjalën e lirë, poezinë. Dhe nga ana tjetër, faqja jonë e zezë e një kohe turpi. Një kohe që akoma nuk pranon të pastrohet, por si mushka, shkund supet, shtyhet, ecën dhe flet për demokraci. Në fakt e gjitha është një hipokrizi sociale, një nga ato metoda kaq të stazhionuara tashmë të cilat ne i përdorim me kollajllëk, themi ajo ishte koha, regjimi, ato ishin ligjet. Madje demokracia është një mburojë nën pretekstin e të drejtave të njeriut dhe fjalës së lirë. Kësisoj tërësia e këtyre sejmenëve, në këtë lëmoshë sociale, arritën të drejtojnë dhe akoma qeverisin vendin, sikur asgjë anormale të mos kish ndodhur. Sikur çdo vrasje, çdo ekzekutim, çdo burgosje, të qe konform kohës që bota e përparuar e kish braktisur një shekull më parë. Mjaft të përmendim rastin e Fehmi Avdiut, Gramoz Ruçit a kryeministrit aktual Edi Rama. Kjo mjafton për të kuptuar se diktatura qeveris dhe se me elementë të saj demokracia është një anije horizonti. 

2) Pse e them dhe përdor shpesh këtë, që rasti Havzi Nelës është faqja jonë e zezë. Mjaft të lexosh deponimet e tia përpara hetuesve ose në gjyqe etj. Qartësinë e mendimeve të tia në lidhje me sistemin dhe sugjerimet për metoda më efikase në ekonomi, arsim, mjekësi, art e shkencë… nuk janë mendime të armikut, armiku nuk është i tillë. Janë sugjerime të thëna çiltër dhe që ai u mëshon po çiltër aq sa duhet ta ketë zili edhe individi i sotshëm i kësaj demokracie me paralizë faciale që po aplikon shoqëria e jonë. Armiku nuk është i tillë, nuk ka se si të jetë kur thotë, që, ”përsa i përket kolektivizimit të bujqësisë unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malësisë, se atje është përdorur forca për t’i futur njerëzit në kolektivizim kur ata kanë kundërshtuar. Këtë e them se nuk ishte pregatitur ideologjikisht fshatari për ta kuptuar se çfarë është kolektivizimi dhe nuk kishte kushte ekonomike për t’u kolektivizuar, se vendi është i thyer, nuk mund të futet teknika moderne, fshatrat janë shumë të shpërndara e njerëzit humbasin kohë duke udhëtuar”. Fjalët e Havzi Nelës mbi vendin, gjendjen ekonomike, fshatarin, shoqërinë. Janë thjesht një sugjerim, një mendim ndryshe, nuk janë krim. Nuk është armik ai që e do e vendin si perëndimi. Nuk është armik ai poet që e do rininë me shumë liri, hapësirë e lëvizje. Me më shumë rryma mode dhe trajtim ushqimor normal si bota. Nuk se si të jetë. Megjithatë ne e vramë Havzi Nelën. E varëm me nxitim herët, dhe e mbuluam në një gropë shtylle betoni sikur të mos ishte qenie njerëzore. 

Ne vramë sikur të ishte kancer, sëmundje ngjitëse dhe aplikuam me qejfin më të madh metodat e karantinave mjeksore si në rastet e epidemisë. Kolerës etj. 

3) Nuk e di se çfarë është bërë në këtë 30-të vjetor në Kukës. Por mbaj mend se para disa kohëve u vendos një shtatore diku në qytetin e tij. Megjithëse shumë pak… Shoh se në disa webe të djathta postohen foto të tia prej të burgosuri kohe, ca vargje etj. Si ato metoda shterpe, sa për të kaluar radhën. Metoda përdoruese, siç qe edhe rasti i çadrës së Bashës me gruan e tij të lodhur hallesh. Pastaj Basha ia zgjidhi, duke marrë ca karrige të shëmtuara postesh ministrore ne republikën e tij të re. Një aleancë e shkëlqyer për të rivarur rishtas Havziun e mendieve të çiltra. Një alenancë majasëlli me një pinjoll nga xhelatët e Havziut. Për ta rivarur rishtas Havziun dhe amanen e tij, familjarët. Ashtu sikur ndodh në plot faqe personale me ca dedikime kortezie, edhe kjo një metodë tashmë bajate aq sa ndjesia sociale është vetëm një indinjatë në letër. Por unë sugjeroj se faqja jonë e zezë, rasti Havzi Nelës duhet të interpretohet në çdo skenë publike, auditor Tiranë, Prishtine, Podogoricë, Shkup etj…, se ne ”modernët” merremi aq shumë me Godonë e Irlandës, sa harrojmë këto të zezat tona, më të zeza se absurdi ishullor.

Kemi nevojë të ballafaqohemi me kohën, të ballafaqojmë njerëzit, sistemet, se ndryshe nuk bëjmë demokraci. Kemi nevojë tu rrëfehemi brezave, t’ua heqim petët lakrorit. Ndryshe nuk kemi si hartojmë ligje të drejta. Nuk kemi si rrisim kuadro të dobishme për vendin. Në fund të fundit, për këto të drejta të munguara tonat, u var në litar poeti Havzi Nela. Për asgjë më shumë. Nuk bëri krim ordiner. Nuk dënoi kënd, nuk hodhi në erë me tritol pallate me letra fallco. Nuk bëri lojra politike a marrëveshje deti, kufijsh, me fqinjët… foli për përmasimin dhe standarte të tjera në ekonominë e vendit. Foli për lirinë dhe të drejtat e njeriut. Kaq… A nuk skuqeni kur e mendoni?

4) Nuk e di pse ka një politikë të shpërndarë, ndofta është e qëllimtë sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe, kjo metoda e shtatoreve. Kjo përkujtesa e pjesëshme dhe vatra vatra. 

Jo vetëm për Havziun por edhe të tjerë duhet medoemos të ketë një institucion të përmasave piramidë, a teatër a kishë…, për gjithë viktimat e diktaturës. Këtë kishin kërkuar, këtë që po jetojmë sot, demokracinë. Duhet medoemos … përpara se të prishim, përpara se të lypim partneritet dhe lëmosha sa majtas djathtas, le të ngrejmë institucionin e memories me përmasa të tilla. Mundësisht në sheshet më të mëdha, më publike tu tregojmë brezave se ja çfarë bëm, ja si e bëm,, ja si rropëm të gjallë njëlri-tjetrin. Bëjeni se ta dini do të na ulet kriminilateti ndjeshëm, do na ulen të gjitha mbrapshtitë. E më pas do fitojmë ndjenjën e dhimbsurisë. Dhe dhimbusira të çon veç tek dashuria dhe respekti për shoqi-shoqin. Të bën të mendohesh katër herë se kë voton. Se vota nuk shitet për një thes miell etj. Përse u var Havziu? Ja sepse tha këto fjalë….

”Përsa i përket standardit të jetesës, unë them se standard të mirë jetese kanë popujt e vendeve të Perëndimit si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca e të tjera, këtë e them se njerëzit atje janë në gjendje të blejnë sende me vlerë të madhe si televizor, automobila e sende të tjera e bëjnë një jetë me të vërtetë luksoze e shëtisin nëpër vendet e tjera të botës” Ja për këto fjalë u var në litar. A nuk flet edhe Edi Rama sot për këto. A nuk premton se do t’i bëj… dhe nuk i bën. I bukuri Havzi nuk kishte as vulë, as pushtet, sepse nuk dinte të vriste. Por kishte vetëm guximin, fjalën dhe për ato u vra…

Filed Under: Opinion Tagged With: Havzi nela, Ilir Levoja, nena

NËNA

November 16, 2014 by dgreca

Nga Vjollca PASKU/
Qielli çeli mëngjesin e ftohtë. Dita gdhiu në vranësirën gotike të reve. Gdhiu edhe një nënë e vetmuar me flokët e bardhë shprishur nga rrotullimet e pagjumësisë. Mendimet e saj shtegtonin nëpër labirintet e pafundme të pikëllimit. Nga ameba kthehej në pështjellimet e vetmisë. Lotët vërtisin sahatin e dhimbjes. Akrepat e pyetjeve nuk ndalnin asnjëherë, në shpirtin e minuar, “përse më braktisën fëmijët e mi’. Uria dhe vetmia e shtynë të ngrihej të hapte derën e vjetër dhe të dilte në rrugë, atje ku kishte shumë njerëz. Ajo për botën ishte një hije e padukshme. Vështrimi i nënës ishte poshtë “se mos rastësisht gjente diçka”. Teksa shikimi i saj ndiqte këpuce të vjetra që nxitonin rrugës , madje ndonjëra me gojë të shqyer nga ecja,ndërsa të pakta ecnin të reja që shkëlqenin nga boja e sapo lyer. Disa taka ecnin plotë delikatesë duke përkundur vithet gjithë naze. Një e tillë ngeci në një gropë dhe u nda nga këpuca. “Hajt në djall” u dëgjua një mërmërimë.
Oh , në një cep të rrugës një dorë e vogël hodhi gjithë tërsëllim një qese me ushqim, dhe vazhdoi rrugën duke përplasur këmbët në dorën e mamasë që i lutej “ të mos qante”. Nëna e pa dhe i bëri sytë bigë nga ankthi mos ia merrte ndonjë tjetër. Me të shpejtë mori qesen dhe e hapi. Brenda kishte gjysmë byreku. Avulli i ngrohtë i byrekut u kondensua dhe u shndërrua në pikëza uji. Nëna thithi aromën e këndshme , i mbylli për pak sytë dhe kujtoi kohën kur e rrethonin engjëjt e vegjël me dashurinë e madhe . Ajo përherë i tëhollte vet petët me pec dhe e gatuante me lakra të egra..Të gjithë prisnin të piqej byreku më i shijshëm, duke e quajtur , “byrek nëne”. Kur përpëliti sytë ky imazh u tret menjëherë nga mendimi “ku janë fëmijët e mi, përse më harruan”. Vetullat e bardha u mblodhën si dy vetëtima kur fanepsen njëherësh. Rrudhat e fytyrës shprehnin vitet e mjerimit. Shpirti i saj mbante një oqean dhimbje . Nga dridhjet e stuhive të dëshpërimit lumenj lotësh shpërthenin vrullshëm e mbanin të lagur retinën e plakur. Filloi të mbllaçitej ngadalë pa dhëmbë ,duke u munduar ti kapërcejë burgjitë me zor. Kur mbaroi fshiu buzët e nxira me kurrizin e dorës dhe u ngrit. Trupi i përkulur i përngjante një gozhde të përthyer , që pasi u përdor u hodh pa kujdes. U end një copë herë rrugëve dhe mërmëriti,”vdekje motërzo, hajt të shkojmë”. Një zë si nga fundi i botës iu përgjigj”Prit edhe pak,nuk besoj se nuk ekziston ndonjë njeri zemërdhembshur. Zemërdhembshuria është bija e lutjes.” Nëna u end nëpër ditët monotone duke shpresuar “ndoshta”, por asgjë e re. Atëherë thirri përsëri” Vdekje motërzo hajt të shkojmë, fytyrat e fëmijëve të mi , më janë bërë të huaja”. Vdekja iu afrua pranë dhe i foli “thith edhe njëherë ajrin e kësaj bote, dhe liroji të gjitha pikëllimet e saj, dhimbjen ,vuajtjen, zhuritjen, mjerimin,ato s’të përkasin më”. Nëna mori frymë thellë duke i ngopur me ajër mushkëritë për të fundit herë, dhe e nxori ajrin ngadalë, ngadalë derisa u bë e lehtë.
Shpirti i nënës u bë dritë dhe u ngjit lartë , lartë përtej mjegullës qiellore.
Pas disa ditësh disa njerëz që banonin përreth, e gjetën trupin e nënës të dekompozuar , dhe sytë e hapur vështronin lart. Hallet e tokësorëve u përkasin vetëm atyre.

Filed Under: ESSE Tagged With: nena, Vjollca Pasku

NJOFTIM MORTOR-NDERROI JETE NENA E BEQIR SINES

December 23, 2012 by dgreca

Njoftojmë komunitetin shqiptar në SHBA dhe të afërmit në Shqipëri se me 22 dhjetor, në orën 10 e 40 të mbrëmjes të së shtunës, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë nëna e gazetarit Beqir Sina.E ndjera Hane Sina kaloi një jetë të vështirë në kampet e internimit të diktaturës komuniste. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri ajo u vendos në SHBA së bashku me të birin. Në castet e fundit e ndjera ndodhej në shtëpi e rrethuar nga njerëzit e saj të dashur.

Familja njofton miqtë, të afërmit, komunitetin se shërbimet funerale kryhen pranë Qendrës Islame Shqiptare Amerikane në Brooklyn, NY sipas këtij orari:

E Dielë, 23 dhjetor nga ora 5 pm deri në 9 pm

E Hënë, 24 dhjetor, nga ora 5 pm deri 9 pm

E Martë, 25 Dhjetor, nga ora 5 pm deri 9 pm

Varrimi do të kryhet të Mërkurën me 26 Dhjetor. Ceremonia Mortore fillon në Xhaminë e Brooklynit në orën 10 të mëngjesit, ndërsa varrimi do të bëhet në varrezat e New Jersey-t në orën 2 pm.

Për cdo ndryshimi vizitoni faqen e Diellit në on line www.gazetadielli.com

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, nderroi jete, nena

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT