Letrat e Panamasë mund të përfshijnë edhe zyrtarë nga Kosova
Të ashtuquajturat “Letra të Panamasë”, të cilat zbuluan se dhjetëra figura globale kanë fshehur shuma të mëdha parash jashtë vendeve të tyre, sipas analistëve në Prishtinë, mund të përfshijnë edhe njerëz nga Kosova.
Aktualisht, organet e hetuesisë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje nëse ka indikacione fillestare për nisjen e ndonjë hetimi.
Kurse përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se përfshirja e mundshme e personave nga Kosova, qofshin ata politikanë, zyrtarë të lartë apo biznesmenë, mund të arsyetohet me faktin se, siç thonë ata, “Kosova është e njohur për dukurinë e nivelit të lartë të korrupsionit dhe atë të shpëlarjes së parave”.
Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përfshirja e mundshme e njerëzve nga Kosova në këtë skandal global financiar, do të ishte një fatkeqësi e madhe për vendin. Sipas tij, në këto raste kërkohen transaksione të mëdha buxhetore, që për fuqinë ekonomike të Kosovës, do ishte një vlerë e madhe.
“Duke parë që edhe vende shumë më të varfëra sesa Kosova, dhe politikanë që nuk janë menduar fare që kanë fshehur pasurinë e tyre, dolën se ata kanë bashkëpunuar me firmën në Panama dhe kanë pasur fonde të fshehura në këto banka, atëherë është e mundur që edhe individë nga Kosova të jenë përfshirë në këtë skandal”, thotë Demi.
Në anën tjetër, edhe Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë që vështron dhe avokon kundër korrupsionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk do të habitej aspak nëse në këtë skandal global, do të përfshiheshin zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës.
“Pritet që të dalin edhe letra të tjera dhe nuk e di nëse Kosova do të jetë e përfshirë, mirëpo dihet se pastrimi i parave bëhet në mënyra të ndryshme edhe në Kosovë. Nëse do të dalin individë nga Kosova në këtë skandal, do të tregonte një trend që jemi në harmoni me vendet e korruptuara”.
“Por, nuk e di se si do të reagojnë zyrtarët e Kosovës, nëse do të jenë të përfshirë në këtë skandal, a do të veprojmë si pjesë e vendeve me demokraci të zhvilluar sikur Islanda kur kryeministri jep dorëheqje, apo do të jemi shtet sikurse Rusia ku presidenti Vladimir Putin e quan këtë problem të brendshëm familjar dhe spekulim”, vlerëson Canhasi.
Megjithatë, Canhasi konsideron se zyrtarët e lartë të Kosovës, fshehjen e të ardhurave të tyre apo shpëlarje të parave shumë lehtë mund ta bëjnë edhe në Kosovë, përmes patundshmërive të ndryshme.
“Sistemi financiar në Kosovë nuk është edhe i pa fuqishëm, megjithatë nuk ka personel të mjaftueshëm që të bëjë këto kontrolle, dhe kjo duhet të fuqizohet tutje. Njësia e Inteligjencës Financiare në Kosovë, duhet të shtojë kapacitetet e saj që të bëjë këto kontrolle”, vlerëson Canhasi.
Ndërkohë, projekti për Raportimin mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP) pritet të nxjerrë brenda dy javësh informacionet për Ballkanin që përfshihen tek “Dokumentet e Panamasë”.
Redaktorja e këtij projekti, Miranda Patruçiq ka thënë për Zërin e Amerikës, se mund të priten informacione konkrete për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.
Nisur nga kjo, Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi, thekson se për përveç politikanëve që mund të jenë të përfshirë në këtë skandal, mund të jenë edhe njerëz nga biznesi në Kosovë.
“Por, edhe nëse nuk ka ndonjë politikan, do të duhej të shikohej nëse ndonjëri nga bizneset e mëdha ka pasur një llogari të tillë, pasi që edhe në rastet e vendeve të tjera shumica e njerëzve ishin biznesmenë, por të ndërlidhur me politikën”.
“Duke marrë parasysh si funksionon politika dhe ekonomia tek ne, çdo biznes i madh që është krijuar pas luftës është krijuar përmes lidhjeve politike, sidomos duke marrë kontrata publike”, shton Demi.
Kosova në vazhdimësi nga ekspertët e fushës së ekonomisë në Kosovë, ishte konsideruar se është shndërruar në terren të përshtatshëm për shpëlarjen e parave.
Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2015, mbi 1.5 milionë euro është vlera e konfiskimit të parave, për veprat penale që lidhen me krim të organizuar, pastrim të parave dhe veprave tjera penale.
Por, përfaqësues të shoqërisë civile vlerën prej 1.5 milionë euro, e kishin konsideruar se është vlera minimale e konfiskimit të parave nga aktivitetet e dyshimta në Kosovë.(Luljeta Krasniqi-Veseli)
Ja çfarë kujtoj nga takimet me disa nga studjuesit dhe Krijuesit e Kosovës, në vitet 1972-1981
Nga Prof.-Asc.-Dr Thanas L. Gjika/
Gjatë kohës që punova në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (më vonë u quajt Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë) nuk m’u dha rasti të shkoja në Kosovë. Kisha rënë në sy si një studjues i pasionuar i historisë së Shqipërisë që kaloja në shpërthime të zjarrta romantike kur hapej biseda për Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi. Ndoshta këto shpërthime dikush i kishte përmendur në drejtori dhe më kishin hequr nga lista e atyre që duheshin dërguar në Kosovë, ku dërgoheshin kolegët e mij për kërkime bibliografike e arkivale, ose për të mbajtur ndonjë leksion. Kjo mundësi nuk m’u dha edhe pasi përfundova monografinë Mihal Grameno publicist demokrat, mars 1979 dhe as pasi e botova, korrik 1980. Mirëpo jam i kënaqur se në vitet 1972-1981 pata rast të shoqëroja disa grupe stujuesish që vinin nga Kosova. Njohja dhe bisedat me ta më ndihmuan të krijoja një ide disi të qartë për Kosovën e kosovarët e asaj kohe dhe të krijoja bindjen se shpirti shqiptar i tyre ishte në lulëzim dhe i patjetërsueshëm. Ata ishin në përgjithësi djem azganë nga trupi dhe trima nga mendja, nga përkushtimi ndaj albanologjisë dhe çështjes kombëtare. Në pak vite ata e morrën formimin e nevojshëm shkencor dhe shkruan e botuan vepra që ne të Shqipërisë nuk i kishim shkruar e nuk mund t’i shkruanim. Përmes bisedave me ta dhe leximit të veprave të tyre krijova bindjen se Jugosllavia e Titos e kishte humbur Kosovën. Gjendja e mirë ekonomike dhe politika e hapur kishte mundur të gënjente disa shqiptarë, por jo elitën intelektuale dhe as masat e gjera të popullit.
Në Kosovë po lulëzonte një sasi e madhe me intelektualë që shquhej për përkushtim të lartë ndaj studimeve shkencore, për aftësi interpretimi të problemeve albanologjike dhe mbi të gjitha për dashuri ndaj atdheut mëmë. Përveç bijve të vetë Krahinës Autonome të Kosovës aty ishin grumbulluar dhe po vijonin të grumbulloheshin dhe shumë shqiptarë që kishin lindur në republika të tjera të Jugosllavisë. Përbërja 90 përqind e popullsisë shqiptare dhe përkushtimi i saj atdhetar ishin faktorët që në Jugosllavinë e asaj kohe, Kosova po quhej prej vetë sllavëve Shqipëri e Vogël.
Unë pata rast të njihja në takime të ndryshme ose gjatë kohës që i shoqërova për t’i ndihmuar në Bibliotekën Kombëtare, etj, disa studjues si Rexhep Qosja, Sadri Fetiu, Rexhep Ismajli, Engjëll Sedaj, Mark Krasniqi, Masar Stavileci, Ali Aliu, Agim Vinca, Zekirja Canaj, Anton Çeta, Isak Shema, Mahmut Hysa, Salajdin Mehmeti, Abdullah Zymberi, Abdyl Kadolli, etj dhe poetët Enver Gjergjeku e Azem Shkreli. Disa të tjerëve ua kam harruar emrat, prandaj ju lutem të më falin.
Më ka mbetur merak që nuk pata rast të njihja nga afër të urtin Ibrahim Rugova, largpamësin Fehmi Agani, historianin e shquar Ali Hadri, autoritetin e gjuhësisë Idriz Ajeti. Njoha shumë pak studjuesen e sjellshme Emine Arifi (Bakalli), por nuk njoha dhe as e takova studjuesen shumë simpatike e të kulturuar Resmie Kryeziu…
Natyrisht nuk kam kujtime që vlejnë të shkruhen për të gjithë, prandaj do të riprodhoj vetëm kujtime për disa prej tyre.
MË I TALENTUARI I TË GJITHËVE
(Kujtime për Profesorin Rexhep Qosja)
Në vitin 1970 erdhi në Shqipëri studjuesi i parë nga Kosova për të mbledhur materiale për jetën dhe veprën e Asdrenit. E quanin Rexhep Qosja. Drejtoria e institutit vuri studjuesin Jorgo Bulo për ta shoqëruar disa ditë në Bibliotekën Kombëtare, në Arkivin e Shtetit, si dhe në bibliotekën dhe arkivin e Institutit të Historisë e të Gjuhësisë. Unë kisha disa muaj që kisha filluar punën në këtë institut. Pikërisht në sallën e bibliotekës së institutit pata rastin ta shikoja nga afër studjuesin e parë që kishte ardhur nga Kosova. Rexhepit i kishin vënë mbi një tavolinë një grumbull me libra që do t’i merrte me vete. Unë hyra në atë sallë rastësisht për të kërkuar ndonjë revistë ose libër. E pashë mikun, por Jorgua nuk na prezantoi.
Më bëri përshtypje pamja e tij prej malësori tipik. Atë vit ai do të mbushte 34 vjet, por dukej më i ri. Kishte trup të gjatë dhe elegant, kishte fytyrë të gjatë. Kur fliste me Jorgon fliste ngadalë dhe me zë të ulët. Sivjet në qershor, pas 46 vjetësh nga ai takim, ai do të mbushë 80 vjet, por ka vite që fytyra i ka marrë pamjen e një shenjti, të kujton fytyrën e Jeronim De Radës. Me jetën dhe veprën e tij Rexhep Qosja është kthyer në një ikonë madhështore e mbarë botës shqiptare.
Më vonë Jorgua, shoku im i zyrës, më tha se ky studjues kishte ardhur për të mbledhur materiale për jetën e veprën e Asdrenit, sepse do të hartonte një studim me të cilin do të mbronte gradën Doktor i Shkencave. Sipas porosisë që i ishte dhënë ai nuk tha asgjë lidhur me përgatitjen e tij dhe as për tre veprat shkencore që kishte botuar. Më vonë mora vesh se Universiteti i Prishtinës, kur ai kërkoi për të mbrojtur Magistraturën, i kishte marrë parasysh tre veprat e tij dhe i kishte dhënë të drejtën të mbronte menjëherë gradën Doktor i Shkencave. Ai kshte shkuar për të mbledhur materiale dy herë në Bukuresht, dy herë në Beograd, një herë në Sarajeve dhe pastaj kishte ardhur në Shqipëri, ku mbodhi materialet e fundit.
Nga fundi i marsit 1970 në Prishtinë u organizua Java e filmit shqiptar. Rexhep Qosja i kishte lënë tim vëllai, regjisorit Viktor Gjika përshtypjen e një intelektuali erudit. Gjatë bisedave të tij për filmat shqiptarë dhe letërsinë shqipe, Rexhepi e kishte mahnitur me mendimet e tij për romanin Kështjella të Kadaresë. Në fund ai e kishte mbyllur bisedën me fjalinë: Më vjen mirë që kultura shqiptare ka jo vetëm një Ismail Kadare në letërsi, por edhe një Viktor Gjika në kinematografi. Viktori i kishte thënë se kinematografia shqiptare ishte e re dhe ishte shpejt për krahasime të tilla. Rexhepi i kishte dhënë dorën si shënjë respekti për këtë shfaqje të modestisë.
Nga vjeshta e vitit 1972, Instituti Albanologjik i Prishtinës dërgoi në bibliotekën e institutit tonë monografinë Asdreni Jeta dhe Vepra 500 faqshe. Me të Rexhep Qosja kishte mbrojtur Doktoratën. Ishte një punë madhore. U habitëm me shpejtësinë e hartimit e të botimit, me nivelin e lartë shkencor, analizat e zhdërvjellta, gjuhën e pastër e të pasur, aparatin shkencor të sistemuar saktë, nivelin e lartë të botimit nga ana tipografike, etj. Ishte një model për ne. Askush prej profesorëve tanë të Tiranës nuk kishte hartuar e nuk mund të hartonte një vepër me cilësi të tillë dhe për më tepër në një kohë kaq të shkurtër. Për hartimin e një vepre të tillë ne studjuesve të rinj të Tiranës do të na duheshin të paktën 8-10 vjet punë.
Ky studjues tregoi se përveç pasionit të madh ishte i pajisur dhe me talent të fuqishëm, formim shkencor solid dhe mendje pjellore. Që herët atë e kishte tërhequr ideja për t’i dhënë dimensionet e vërteta jetës dhe veprës së Asdrenit, këtij poeti të begatë por pak të studjuar. Brenda tre vjetësh e shkroi të gjithë disertacionin e tij dhe e botoi. Studimi monografik i Rexhep Qosjes për jetën e veprën e Asdrenit tregoi se ne studjuesve të Tiranës na mungonin talenti dhe formimi i tij shkencor, si dhe metoda e tij aq prodhimtare. Jorgo Bulua studjonte Naim Frashërin, Klara Kodra Zef Sermben, Floresha Haxhiaj (Dado) Çajupin dhe unë Mihal Gramenon. Ne ishim porositur që ta copëzonim studimin e jetës e të veprës së autorit që na ishte ngarkuar në disa kapituj e nënkapituj. Gjatë një viti duhej të kryenim grumbullimin e materialit dhe hartimin e një kapitulli, ose nënkapitulli. Vitin tjetër grumbullonim material e shkruanim kapitullin / nënkapitullin tjetër, e kështu me radhë. Kjo metodë pune e zgjaste kohën e grumbullimit e të hartimit të krejt monografisë për shumë vjet. Asnjëri prej nesh nuk ishte dërguar e as u dërgua në vendet ku kishin jetuar e ku ishin formuar këta autorë.
Ne ishim përgatitur në Fakultetin Histori Filologji të Universitetit të Tiranës për të punuar si mësues të gjuhës e të letërsisë shqipe. Formimin shkencor po e merrnim ngadalë gjatë viteve të punës në institut duke dhënë provime plotesuese herë pas here, duke dëgjuar seminaret teorike prej shefave tanë e duke diskutuar artikujt e njëri tjetrit. Pasi i mbaronim së shkruari veprat tona procesi i mbrojtjes së gradës shkencore vononte dhe një vit tjetër, po aq dhe procesi i botimit të tyre në shtypshkronjë. Për ne, shpejtësia e hartimit dhe e botimit të veprës së Rexhep Qosjes, ishte një shpejtësi marramendëse.
Me studimin për Asdrenin dhe veprat e tij madhore Kritika Letrare (1969), Vdekja më vjen prej syve të tillë (roman 1972), Panteoni i Rralluar (përmbledhje studimesh 1973), Historia e Letërsisë Shqipe – Romantizmi (vol. I-II 1984 dhe vol. III 1986), Porosia e Madhe (monografi për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, 1986) dhe me disa drama, etj, etj, Rexhepi u shfaq si personaliteti më i shquar midis studjuesve të mbarë botës shqiptare. Ai na mahniti me talentin e tij të rrallë si studjues dhe shkrimtar. Veprat e tij polemike Morfologjia e një fushate dhe Popull i ndaluar, lexoheshin me kënaqësi si të ishin poema. Ai u bë profesori im i admiruar dhe jo vetëm i imi. Leximi i veprave të tij më shërbente si një shkundje nga klishetë dhe kërkesat standarte të shkencës zyrtare të asaj kohe. Leximi i këtyre veprave ishte një nga kënaqësitë e mia më të mëdha, e njëjtë me kënaqësinë që më jepte dhe leximi i veprave të Ismail Kadaresë. Në vitin 1972 profesor Qosja u emërua drejtoir i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe pas kësaj erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Unë pata rast të ulesha në një tavolinë me të te kafeneja e Pallatit të Kulturës, ku ai zhvilloi një bisedë me profesorët Koço Bihiku e Dhimitër Shuteriqi.
Dy profesorët tanë ngulnin këmbë se periodizimi që ata kishin bërë për letërsinë shqipe prej Rilindjes e deri në ditët tona, ishte një periodizim shkencor e i saktë. Ata e kishin ndarë letërsinë e kësaj kohe në katër periudha:
Letërsia e Rilindjes Kombëtare, shtrihej në vitet 1878 – 1912.
Letërsia e pavarësisë, shtrihej në vitet 1912-1939.
Letërsia e Luftës Nacional – Çlirimtar, shtrihej në vitet 1939-1944.
Letërsia e Realizmit Socialist, shtrihej nga viti 1945 e këtej.
Profesor Qosja dha sqarimet e veta duke treguar se ky periodizim ishte bërë mbi kritere historike politike, pra mbi kritere jashtëletrare. Ky lloj periodizimi nuk mbështetej në tiparet e krijimtarisë letrare, në tiparet e shkollës letrare së cilës i përkisnin veprat më të mira të sejcilës periudhë. Ai tha shkurt disa nga parimet metodologjike të periodizimit dhe dha emra të rinj për çdo periudhë:
Romantizmi.
Mes romantizmit, realizmit dhe simbolizmit.
Letërsia sociale.
Realizmi integral.
Këto koncepte ai i shtejlloi plotësisht në veprën Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne. Me të tillë periodizim të letërsisë shqipe, profesor Qosja aplikonte në shkencën shqiptare të letërsisë koncepte të shkencës europiane. Ky studjues aq i ri në moshë diskutoi me kompetencë shkencore dhe i rëzoi mendimet e dy profesorëve tanë të moshuar. Natyrisht ata nuk e pranuan konceptin e tij, sepse në mendësinë e tyre sundonte politizimi.
Ishte kënaqësi për mua të shkruaja një recension për përmbledhjen me studime të këtij kolosi që u botua në Tiranë. Ai recension u botua në revistën Studime Filologjike. Simpatia ime për Rexhep Qosjen u rrit edhe më mbasi lexova veprat Fjalori demokratik dhe Popull i ndaluar si dhe disa shkrime me përmbajtje politike e shoqërore, ku ai ka shpalosur më gjerë e më hapur fizionominë e një qytetari të shqetësuar që nuk arratiset nga aktualiteti, por lufton guximshëm. Ai është shprehur shpesh për çështjen kombëtare shqiptare dhe për gabimet e proceseve demokratike në Shqipëri.
Në fillimet e lëvizjes demokratike tek ne, të rinjtë, duke pasur konsideratë të lartë për të dhe për Ismail Kadarenë, dolën me fotografitë e tyre nëpër rrugë të disa qyteteve, për të kërkuar që të tillë personalitete të viheshin në krye të kësaj lëvizjeje. Unë, pasi u botua numëri i parë i gazetës Rilindja Demokratike, shkova te Frok Çupi, kryeredaktor i saj dhe i sugjerova që t’i kërkonte këta dy intelektualë të vinin në Tiranë për të mbajtur leksione e biseda mbi demokracinë. I dorëzova dhe një artikull ku sqaroja pse u bëra anëtar i PD-së. Artikulli im nuk u botua dhe as Ismaili e Rexhepi nuk u ftuan në Shqipëri. Mesa dukej, njerëzit që do të jepnin ndihmesën e tyre për zhvillimin e proceseve demokratike në Shqipëri ishin paracaktuar…
Në muajt e parë të vitit 1991 me sugjerimin e disa politologëve europianë u hodh mendimi që populli shqiptar i Shqipërisë, si popull i vogël e me problemin kombëtar të pazgjidhur ende, duhej të ecte në proceset për demoktratizimin e vet në rrugë paqësore, pa shkaktuar hakmarrje e viktima. Për këtë arsye duhej zhvilluar procesi i pajtimit kombëtar midis forcave politike.
Me dëshirën e mirë për të ndikuar në ecurinë e proceseve demokratike e të pajtimit kombëtar, erdhi nga Kosova dhe profesor Qosja. Mendimet e tij u mirëpritën prej drejtuesve të partive e shoqatave politike. Përjashtim bënë Shoqata e të Përndjekurve Politikë, Partia Demokratike që drejtohej prej Sali Barishës dhe Partia Republikane, që drejtohej prej Sabri Godos. Sali Berisha ish-komunist prej 20 vjetësh dhe Sabri Godo ish-oficer i Sigurimit të shtetit, ishin futur në lëvizjen demokratike prej Ramiz Alisë. Ata i urrenin intelektualët demokratë dhe i mbanin sa më larg. Sali Berisha nxiti Bujar Hoxhën, ndihmësin e tij, një ish-sigurims, që të shpifte ndaj profesor Qosjes gjëra të paqena. Kundër këtyte shpifjeve doli në shtypin e kohës profesor Jorgo Bulua, kurse ne të tjerët heshtëm. Na kishte rrëmbyer entusiazmi i antikomunizmit dhe ishim trullosur prej propagandës zhurmëmadhe të Partisë Demokratike…
Sigurimi i shtetit gjatë diktaturës, duke luajtur rolin e shpatës së mprehtë të partisë shtet kishte lënduar e plagosur mbi 75 përqind të familjeve. Prandaj mund të pranohej vetëm mendimi i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë që kërkonte në ato momente para se të kalohej te pajtimi kombëtar duhej të dënoheshin bëmat vrastare të diktaturës komuniste, duke dënuar kupolën drejtuese të PPSH-së dhe duke përjashtuar disa radhët e deputetëve socialistë ata që kishin pasur funksione gjatë diktaturës.
Sejcili duhej të kryente katarsën e tij, për t’u shpëlarë nga gabimet e krimet. Mirëpo shkrimtarët tanë të realizmit socialist dhanë një shembull të keq duke mos i kritikuar veprat dhe bëmat e tyre të kohës së diktaturës. Kurse Sali Berisha e Sabri Godo e konsideruan veten të larë, të rinovuar me kapërcimin brenda natës nga ish-komunist e ish-sigurims në demokrat. Katarsa nuk mund të bëhej prej njerëzve të pandershëm, që lakmomin mbi gjithëçka pushtetin politik. Për të mos u larguar nga postet e tyre drejtuese, këta dy politikanë, nxitën përçarjen dhe jo pajtimin kombëtar. Bënë sikur dënuan kupolën e PKSH-së me disa vjet burg jo për krimet, po për kafet e për disa shpërdorime paresh dhe e futën popullin në një qorrsokak.
Politika e tyre për ta ndarë popullin në copa armiqësore dhe vendosja e shumë kuadrove të paaftë në poste drejtuese, vetëm se ishin besnikë të partisë së tyre, më kthjelloi e më nxiti të dal nga PD-ja që në fillim të vitit 1994.
Lidhur me problemin kombëtar atdhetari Rexhep Qosja ka shprehur vijimisht me guxim mendimet e tij shumë të vlefshme. Ai është shprehur qartë e pa frikë, se zgjidhja më e mirë e problemit të Kosovës është bashkimi i saj me shtetin mëmë. Si askush ai ka fshikulluar gabimet e qeveritarëve të Shqipërisë e të Kosovës së pavarur.
Ky akademik me punën dhe veprat e tij madhore shkencore e letrare, si ka saktësuar studjuesi Sadri Fetiu, përballoi sfidat e dy dogmave të rrezikshme: ideologjinë antishqiptare të titizmit jugosllav dhe skematizmin dogmatik, realizmin socialist, që e karakterizonte letërsinë dhe artet në Shqipëri (Nga Fjala e Hapjes në sesionin shkencor kushtuar jetës e veprës së Rexhep Qosjes në 70-vjetorin e lindjes).
Në vitin 2006 shkova në Kosovë me gjithë bashkëshorten time, poeten Julia, për të vënë lule te varri i të paharrueshmit Ibrahim Rugova dhe tek Jasharajt. Shkuam me taksi nga rruga e vjetër e dëmtuar e plot dredha. Dolëm në Prizren, pastaj kaluam në Gjakovë e ndalëm në Pejë, ku bujtëm te mikesha e Julias, mësuesja Zymë Berisha. Të nesërmen në bisedë me disa pejanë unë lëshova mendimin se Rexhep Qosja është një intelektual i shquar dhe do të ishte një mbrekulli sikur ai të zgjidhej president i Kosovës. Mirëpo një burrë i ri në moshë, i martuar e baba i dy vajzave të bukura dhe i një djali simpatik, nxitoi të thoshte:
–Nuk mund t’ia japësh qeverisjen e shtëpisë një të huaji.
I çuditur shtova:
–Po Rexhepi është bir i Kosovës. Këtu e kreu gjimnazin, fakultetin, këtu ka më se dyzet vjet që jeton e punon.
–Jo, m’u përgjigj ai, ti e di që ai është nga Vuthaj i Malit të Zi.
–Po shqiptarët e Rugovës me ata të Vuthajt, Plavës e Gucisë nuk kanë asnjë ndryshim, theksova unë. Pastaj çdo shqiptar mund të qeverisë Shqipërinë ose Kosovën, mjafton të jetë atdhetar i mirë e të ketë program të qartë demokratik. Fan Noli kishte lindur në Ibrik Tepe të Turqisë dhe populli shqiptar e mirëpriti më 1924 si kryeministër.
–Kemi boll burra të mençur të Kosovës, ma preu shkurt, folësi.
Nuk e zgjata më, por kur shkuam në Prishtinë mësova se Rexhep Qosja kishte mjaft kundërshtarë. Klanet e ndryshme luftonin atje për pushtet, pa i përfillur dhe duke i mbajtur larg intelektualët e shquar, njësoj si në Shqipëri. Nuk dij çfarë emri t’i vë mosrespektimit prej shtetit e popullit të Kosovës ndaj studjuesit dhe shkrimtarit të talentuar, njeriut që ka shkruar e botuar një bibiotekë me vepra madhore e të shumanshme, kur çdo popull e çdo shtet i botës do ta kishte për nder ta kishte një Rexhep Qosje!
Rexhep Qosja është njeri dhe si njeri edhe ai është i gabueshëm, por për hir të kontributit aq të madh që ka dhënë në shkencat albanologjike, në letërsinë shqipe dhe në mendësinë shqiptare, nuk ka gabim që nuk i falet.
Më kishte lënë një shije të hidhur polemika midis tij dhe Ismamil Kadaresë lidhur me identitetin e kombit tonë. Polemika kishte kaluar, sidomos prej Kadaresë, nga analizat shkencore për problemin, në kritika e sharje ndaj diskutantëve. Ky kalim i diskutimit në grindje e zbehu simpatinë time për të dy. Desha ta takoja patjetër profesor Qosjen gjatë vizitës që bëra në Kosovë gjatë vitit 2010. Takimin ma mundësoi z. Abdyl Kadolli, në zyrën e profesorit brenda Institutit Albanologjik.
Mbasi u përshëndetëm, ai më shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e tim vëllai, Viktorit, të cilin e quajti miku im i mirë të cilin e kam çmuar dhe e çmoj shumë, biseda filloi për studimet shkencore. Më tej i shpreha hidhërimin tim për polemikën midis tij dhe Kadaresë.
–Ju të dy jeni Nderi i Kombit, por teprimet e kësaj polemike nuk ju nderojnë, guxova dhe i thashë me drojtje.
–Nuk jam i lumtur për polemikën që kam kryer me mikun tim të dikurshëm, Ismail Kadarenë, filloi ai dhe vijoi: Po si të mos e kritikoj Ismailin. Ai ka shkruar ashtu si ka dashur Enveri. Kur Enveri u nda prej Titos dhe e shau Titon, Ismaili po ashtu e shau Titon; kur Enveri u lidh me Stalinin ai e lëvdoi Stalinin, e kështu me radhë. Tani po hiqet si kundërshtar i regjimit të Enverit, si i përndjekur prej tij. Po e përmirëson dhe zbukuron jetëshkrimin e vet të asaj kohe. Unë nuk e feva Ismailin, ai më feu mua. Këto i bën një njeri pa karakter…
Kuptova se profesor Qosja ndjehej i lënduar dhe se nuk i kishte dalë ende inati. U ngrita dhe, para se të ndaheshim iu luta z. Kadolli të na bënte një foto, të cilën e ruaj si kujtim. Kështu u ndava prej tij duke menduar se kur ta takoj përsëri do të dëgjoj prej tij vlerësime për Kadarenë, si ka shkruar më parë.
Më erdhi mirë që dëgjova para disa muajsh se akademiku Rexhep Qosja kishte dhënë disa sinjale për afrim e pajtim me Ismail Kadarenë, fakt që tregon se ai është Intelektual i Madh, ashtu si e dëshmon vepra e tij.
Shqipëria ka vetëm humbje nga grindjet e bijve të saj të shquar. Ecja e tyre së bashku dhe zhvillimi i diskutimeve dhe kritikave me maturi për problemet, pa sulme ndaj dobësive të karakterit të njëri tjetrit, janë e do të mbeten mësime për shqiptarët…
MODELI I ATDHETARIZMIT DHE I THJESHTËSISË
(Kujtime për Profesor Sadri Fetiun)
Midis studjuesve të shkencave shoqërore të Kosovës, atdhetarizmi ishte një tipar që binte në sy tek sejcili, por unë duke e njohur nga afër Sadri Fetiun, do të shkruaj për të, sepse atdhetaria e tij ishte dhe është e veshur me një thjeshtësi që më ka pushtuar mendjen dhe zemrën.
Unë e njoha Sadriun në shkurt të vitit 1975, kur ai erdhi për herë të parë në Tiranë për të mbledhur materiale për temën e tij të magistraturës. Ai erdhi bashkë me një grup mësuesish të shkollave të mesme që synonin të merreshin me punë shkencore. Midis atij grupi atëhere dhe më vonë u shqua Sadriu.
Ishte tip i qeshur, me një pamje prej babaxhani. Kishte trup të shëndetshëm, me fytyrë ngjyrë gruri. Dukej më i ri se unë, ndonëse ishte dy vjet më i madh. Kishte lindur në një fshat të Therandës (Suharekës), zonë malore. Gjimnazin e kishte kryer në Prizren. Studimet e larta i kishte mbaruar më 1964 në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Kishte punuar si mësues i gjuhës e i letërsisë shqipe në një shkollë të mesme në Prishtinë. Në vitet 1972-1974 kishte kryer studimet pasuniversitare po në atë fakultet. Tani synonte të mbronte magistraturën në fushën e letërsisë shqipe, posaçërisht me romanet me temë nga Lufta e Dytë Botërore.
Sadriu ishte i pari shqiptar i Kosovës, që filloi të fliste për atdhetarizmin e popullit shqiptar të atjeshëm. Një herë duke kaluar pranë një kinkalerie cigaresh, më tha:
–Kur u shpie dikush prej këtu ndonjë paketë cigaresh pleqve të Kosovës, ata nuk e pijnë, por e vendosin mbi oxhak dhe e lenë atje. I japin vlerën e simbolit të lidhjeve me atdheun mëmë. Një paketë cigaresh Partizani ia rrit vlerën shtëpisë së kosovarit.
Një herë tjetër u preka edhe më tepër sa u detyrova të gëlltitja lotët, kur tha:
–Kur kam vajtur nëpër miq në fshatra afër kufirit me Shqipërinë, jo një herë po disa herë, burra të ndryshëm duke kthyer kokën nga Shqipëria, më kanë thënë: Kambët kena kndej se zemrën e kena andej.
Sadriu e mbrojti magistraturën më 1976 me temën Motivet e veprimit të personazhit në romanin shqiptar të luftës. Edhe ai na çuditi me shpejtësinë dhe cilësinë e hartimit dhe të mbrojtjes së kësaj grade.
Në vitin 1977 Instituti Albanologjik i Prishtinës pati nevojë për një punonjës shkencor në fushën e folklorit dhe Sadriu e fitoi të drejtën të punësohej atje si studjues në fushën e letërsisë popullore. Mbas atij viti ai mblodhi krijime folklorike në shumë zona fshatare të Kosovës, Malit të Zi e Shqipërisë dhe hartoi doktoraturën si dhe studime të tjera me vlerë. Ai u bë një nga njohësit, interpretuesit dhe botuesit më të mirë të krijimtarisë popullore shqiptare të mbarë zonave shqipfolëse gege, Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë e Maedoni. Me studime të ndryshme dhe me doktoratën Poetika e baladës popullore shqiptare, prej 370 faqesh që mbrojti më 1987 në Fakultetin e Filologjisë së Universitetit të Prishtinës, ai u bë një personalitet në fushën e studimeve folklorike të cilave u dha një nivel të ri të krahasueshëm me studimet ballkanike dhe europiane.
Mirëpo kur ai erdhi në Shqipëri për të mbledhur material folklorik ishte i ftuar i Institutit të Folklorit, prandaj për ta shoqëruar në zonat malore Razëm, Vrith, Theth, Shalë, etj atë e shoqëruan punonjës të atij instituti.
Unë pata rast ta ritakoja në Tiranë në vitin 1992.
Pas shkërmoqjes së diktaturës erdhi Arshi Pipa në Shqipëri dhe hodhi idenë se gjuha letrare shqipe e aprovuar prej Kongresit të Dretshkrimit të vitit 1972, ishte një vendim i dhunshëm dhe duhej mënjanuar. Shqipësisë, sipas tij, i duhej një gjuhë e re letrare mbi bazën e gegërishtes, mbasi gegërishtja flitej prej shumicës së popullit shqiptar. Këtë mendim e mbrojtën dhe disa pedagogë të Institutit të Shkodrës, etj.
Në vitin 1992, me rastin e 20-vjetorit të Kongresit ë Drejtshkrimit u organizua një takim për të diskutuar rreth problemit të gjuhës letrare të përbashkët, asaj që quhet dhe standarti letrar. Nga Kosova erdhën profesor Idriz Ajeti, Sadri Fetiu, Agim Vinca e ndonjë tjetër. Në atë kohë Sadriu ishte emëruar drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, detyrë të cilën e kreu me sukses gjatë periudhës së vështirë 1991-2007.
Në fjalën e tij për gjuhën letrare, profesor Sadriu mbështeti mendimin e profesor Idriz Ajetit për mbrojtjen e variantit ekzistues të gjuhës letrare, për përmirësimin e së cilës herë pas here duhej të merreshin vendime prej specialistëve.
–Vendosja e një dialekti në bazë të një gjuhe letrare është rrugë që e kanë ndjekur shumë popuj, tha ai, rëndësi ka të mos e lëmë të nguroset, por ta zhvillojmë gjuhën letrare të përbashkët. Deri sot, shkrimtarë, studjues e përkthyes të talentuar të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, etj me veprat e tyre të rëndësishme i kanë dhënë një hov të ri letërsisë, shkencës e kulturës shqiptare. Pra gjuha letrare e përbashkët me bazë toskërishten e ka justifikuar veten. Nuk na duhet të bëjmë një hap prapa duke prishur atë që kemi ndërtuar deri sot e të ndërtojmë një gjuhë të re letrare me bazë një nga nëndialektet e gegërishtes.
Ky ishte mendimi që u pranua nga shumica dërrmuese e diskutantëve, mendim i cili ka mbetur edhe sot mbizotërues e udhërrëfyes.
Kur shkova në Prishtinë për të parën herë më 2006 bashkë me Julian, kërkova të takoja Sadriun. Ai, herë bashkë me zonjën e tij Fetie, herë i vetëm, na shëtiti në disa pika të Kosovës.
Shumë prekëse ishin vizitat tek varri i të paharrueshmit Ibrahim Rugova, tek Varrezat e Dëshmorëve në Skënderaj dhe tek shtëpitë e Jasharajve në Prekaz. Pasojat e luftës ndjeheshin gjithandej. Kjo vizitë e preku shumë Julian. Kur u kthyem në Amerikë ajo shkroi reportazhin Me lule nëpër Kosovë që u botua në disa gazeta si dhe një cikël me poezi për Kosovën, të cilin e botoi në gazeta të ndryshme dhe në vëllimin Muzg, 2008.
Gjatë atyre ditëve vizituam Bibliotekën e bukur të Prishtinës dhe Institutin Albanologjik. Në mendjen time ky institut dhe Fakulteti Filozofik ishin dy inkubatorët viganë ku u ngjizën trimat e trimëreshat që e bënë të mundur ngritjen e Kosovës nga niveli i Krahinës Autonome në shtet të pavarur. Më vinte të bija në gjunjë si në një altar.
Sadriu na tregoi botimet e fundit që kishte bërë instituti. M’u kujtua shprehja e Agim Vincës Popull i pandalur. Ja edhe në kohë krize ky institut kishte vijuar botimet shkencore, ndonëse me rritme më të ngadalshme. Na dhuroi disa kopje veprash, sidomos nga ato që kishte botuar ai vetë.
I zoti i shtëpisë nuk na tregoi për detyrat dhe funksionet e larta që kishte kryer, për veprat e shumta që kishte botuar në mijëra e mijëra faqe. Këto i mësuam duke shfletuar disa nga kapakët e veprave dhe revistave të botuara, ku emri i tij renditej si autor ose bashkautor, si këshilltar shkencor në Degën e Folklorit të Institutit Albanologjik, anëtar i redaksisë së revistës shkencore Gjurmime albanologjike – Seria Folklor dhe Etnologji, si edhe në redaksitë e botimeve të veçanta të materialeve nga tubimet shkencore të Institutit Albanologjik të Prishtinës, anëtar i redaksisë së botimit shkencor “Çështje të folklorit shqiptar” të Institutit të Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, etj, etj. Ai është një pasues i denjë i Thimi Mitkos në kohën tonë dhe për më tepër dhe etnolog shumë i kualifikuar.
Ai ishte shquar dhe si organizator i të gjitha aktiviteteve shkencore të Institutit Albanologjik që nga viti 1991 e do të vijonte si i tillë derisa u pensionua në maj 2007. Ai është autor e bashkautor i shumë veprave shkencore, letrare, publicistike dhe përgatitës i një numri të konsiderueshëm të vëllimeve të folklorit shqiptar, botuar prej Institutit Albanologjik. Si qytetar e atdhetar, Sadriu i ka shprehur mendimet e veta në shumë artikuj, të cilat i pëmblodhi në veprën Udhëkryqet e Kosovës Elta BS & Artini, Prishtinë 2005.
Duke dalë nga godina e institutit ra fjala për ngjarjet e viteve 1998-1999, dhunën e ushtrisë sërbe ndaj institutit e studjuesve.
–Dhuna ka qenë presente gjatë shumë viteve që nga viti 1981, si në Institutin Albanologjik dhe në Fakultetin Filozofik, tha duke ulur kokën Sadriu, por ajo e 8 marsit të vitit 1994 ishte e jashtëzakonshme. Dyzet kolegë u lënduan, mua më thyen dhëmbët ja këtu para portës kur desha t’i ndalja ushtarët që të mos hynin për ta bastisur institutin. ..
Me Sadriun duhet të rrish ditë e net për të mësuar peripecitë që hoqën studjuesit shqiptarë të Kosovës në ato kohë luftrash. Histori të tilla të bëjnë të ndjehesh borxh ndaj asaj gjenerate shkencëtarësh trima. Për fat të keq qeveria e sotme e Kosovës nuk u ka lidhur as një pension suplemantar e nuk u ka akorduar tituj nderi këtyre bijve të shquar që përbëjnë plejadën Nderi i Kombit…
LAJMËTARI I SHKËRMOQJES SË DIKTATURËS SHQIPTARE
(Kujtime për profesorin Ëngjëll Sedaj)
Me profesor Engjëll Sedajn u njoha gjatë tetorit të vitit 1990, kur instituti ynë organizoi një simpozium me rastin e 90-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit. Për këtë ngjarje u ftuan studjues e veprimtarë kulturorë nga Jugosllavia, SHBA-të, Italia, madje dhe dy arbërorë nga Greqia, Panajot Xhebeliko dhe një etnologe e Muzeut të Korintit. Unë u caktova të shoqëroja Engjël Sedajn, profesor i latinishtes në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, autor i studimit madhor Homeri dhe Shqiptarët.
U dërgova ta prisja te pika kufitare e Qafë Thanës, të cilën maqedonët e kishin shtrembëruar në Qaf-hasan, për t’ia humbur kuptimin dhe lidhjen që kishte ky toponim me botën shqiptare. E njëjta dukuri e dhunshme për ndryshimin e emrave tanë që nga antikiteti, kur grekët e vjetër, emrat ilirë të gadishullit, ose i përkthenin, ose i shtrembëronin, për t’u dhënë kuptim ose afërsi me gjuhën e tyre.
Ky studjues ishte vetëm një vit më i madh se unë në moshë, por fliste me pjekuri prej burri. Për nga besimi ishte katolik, i dyti katolik që po takoja prej Kosove, pas Anton Çetës. Fliste ngadalë dhe me maturi. Kishte një trup jo më të gjatë se timin, por ishte pak i ngjallur. Nga pamja, me ballin e lartë dhe faqet e mbushura, më kujtoi At Gjergj Fishtën.
Gjatë kohës që shoferi ndodhej jashtë godinës dhe punonjësit e doganës po kontrollonin valicat e dokumentet e atyre që kishin hyrë prej Jugosllavisë, profesor Sedaj duke pirë kafen më tha:
–Eshtë fat i madh që kemi Nanë Terezën, e cila na nderon në botë.
Unë kisha dëgjuar se Nënë Tereza ishte një murgeshë që shërbente në Indi, por nuk e dija se ajo ishte një personalitet i shquar i botës, që me jetën e punën e saj na nderonte si komb, prandaj i kërkova të më tregonte diçka për të. Prej tij mësova disa të dhëna për jetën e Nënë Terezës, për çmimin Nobel që ajo kishte marrë, për faktin se Pader Lush Gjergji (sot Arkipeshk i Kosovës) ishte studjuesi dhe biografi i saj, se ajo e bënte lutjen Ati Ynë çdo darkë në shqip, si e kishte mësuuar në fëmijëri, etj.
Pa pritur Engjëlli më tha:
–Ekonomia e tregut të lirë e tregoi superioritetin e vet ndaj ekonomisë së centralizuar. Me planifikim nga lart nuk mund të ecë ekonomia e një vendi.
Mirëpo, format e edukimit që kryenim ne çdo pasdite të premteve, mua dhe shokëve të mij na e kishin bërë kokën dhallë. Na e kishin mbushur mendjen pikërisht për superioritetin e ekonomisë së planifikuar ndaj ekonomisë së paplanifikuar të botës kapitaliste, të cilën Engjëlli e quajti ekonomi e tregut të lirë.
Kur pa se unë mbeta si i hutuar dhe nuk dhashë përgjigje, ai vijoi:
-Në ekonominë e tregut të lirë kryhet natyrshëm seleksionimi i njerëzve që merren me biznes, të dobëtit dështojnë, kurse më punëtorët, më të guximshmit, shkojnë përpara dhe i japin zhvillim ekonomisë. Biznesmenët e aftë nuk mund të prodhohen si zogjtë e inkubatorit, ata i prodhon vetëm lufta e konkurencës.
E ndjeva veten të paaftë për të diskutuar për këtë temë ekonomike dhe bëra shënjë me kokë se e pranoja mendimin e tij. Në atë kohë erdhi shoferi e solli valicen e profesorit. Ky shkoi te sporteli e mori dokumentet. Pastaj dolëm jashtë godinës dhe u nisëm për në Tiranë. Gjatë rrugës bëmë biseda për letërsinë, për studimet letrare në Shqipëri e Kosovë. Unë dija faktin se Naimi kishte përkthyer këngën e parë të poemës Iliada të Homerit, por profesor Sedaj më sqaroi se poeti ynë e kishte ndërmarrë këtë punë për t’u ushtruar si hartues i poemës epike Histori e Skënderbeut.
Pastaj ai më vuri në dijeni se para se të fillonte punimet simpoziumi për Naim Frashërin ai donte të shkonte në Shkodër për të takuar z. Gjon Shllaku, përkthyesin e poemës Iliada dhe të disa veprave të tjera të letërsisë greko-latine në gjuhën shqipe.
Të nesërmen në mëngjez shkova në Akademinë e Shkencave dhe e vura në dijeni Nuri Çaushin, shefin e zyrës për marrëdhënie me jashtë, për kërkesën e profesor Sedajt lidhur me vizitën në Shkodër. Aty ndodhej edhe Jorgo Bulua, shefi im (shefi i sektorit të letërsisë shqiptare të paraçlirimit). Më thanë se mund të shkonim që nesër. Nuriu mori përsipër të vinte në dijeni autoritetet e Shkodrës për ta njoftuar Gjon Shllakun të vinte në Hotel Turizmi nesër mbas dite. Nisja jonë do të kryehej mbas drekës.
Kur po delja nga godina e Akademisë së Shkencave te shkallët më ndalën dy djem të rinj, njërin e njihja, ishte poeti Rudolf Marku, redaktor në gezetën Drita. Tjetri m’u paraqit:
-Unë quhem Shinasi Rama jam student, e kam mik Gjon Shllakun.
Rudolfi shtoi:
–Duam të vijmë dhe ne në Shkodër. Unë dua t’i bëj profesor Sedajt një intervistë për gazetën.
–Më falni, u thashë, ju e dini që unë nuk mund të vendos për asgjë pa pyetur Nuri Çaushin. Dhe u ktheva, të veja te zyra e tij. Nga zyra e Nuriut po delte Jorgua. I thashë dëshirën e Rudolfit dhe dolëm së bashku tek shkallët.
–Rudolf, kësaj radhe profesor Sedaj është ftuar prej Akademisë së Shkencave dhe në makinën që do të shpjerë nesër profesorin në Shkodër do të shkojë vetëm Thanasi, ai është ngarkuar si shoqërues, sqaroi Jorgua dhe shtoi, ti si gazetar mund të shkosh në hotel Dajti e të lesh takim me të për një intervistë.
Rudolfi e Shinasiu u larguan. Kur mbërritëm në Shkodër mendova se do t’i takoja atje, por ata nuk u shfaqën kund.
Profesor Sedaj m’u lut që Gjon Shllakun, të cilin ai e quante me respekt profesor, ta ftonim për darkë dhe sa për ushqimin e tij do të paguante ai. Unë pranova dhe e sqarova se ai nuk kishte nevojë të paguante, mjaftonte të mos e kalonim koutën.
Gjon Shllaku ishte një burrë me shtat mbimesatar, kishte qenë shumë vjet në burgjet e diktaturës. Që në pamjen e jashtme dukeshin vuajtjet e tij, por e kishte ruajtur sjelljen prej zotnie.
Darka për ne u shtrua në një dhomë të vogël. Ishim vetëm të tre. Kamarjeri vinte e shkonte. Pas disa fjalish të përgjithëshme, profesor Engjëlli hyri në temë:
–Në Shkodër duhet m’u mbajt nji meshë. Pastaj duke e ulur zërin shtoi, asht i interesuem instanca, Fort Lumtunia e Tij.
Unë nuk e kuptova se kush ishte i interesuari për organizimin e kësaj meshe. Ula kokën dhe prita mos jepej ndonjë sqarim. Gjon Shllaku fshiu buzët me picetën dhe u ngrit në këmbë. U largua duke na kërkuar të falur.
Me sa dukej shkoi në banjë. Kur u kthye, pasi u ul tha:
–Do të kisha dëshir t’ madhe me e krye un’ kët porosi të shenjt. Por nuk më len prostata. Çdo gjysëm ore më duhet me shkue në banjë.
Mbas pak shtoi:
-Porosia do të kryhet. Do ta gjejmë kush mund ta kryej.
Pastaj biseda ndërroi temë, filluam të diskutonim për mishin e fazanit, që kishim porositur. Gjoni tha se në menu quhet fazan, por nga shija nuk ka ndryshim nga mishi i gjelit. E pranuam të tre duke qeshur.
Unë duke lidhur porosinë për një meshë në Shkodër, me fjalët instanca, Fort Lumtunia e Tij, e mora me mend se porosia vinte prej Hirësisë së Tij Papa Gjon Pali i II-të. Klerikët e Shkodrës e kryen porosinë. Më 11 nëntor 1990 në Vorrezat e Rrmajit, Dom Simon Jubani në prani të 50.000 qytetarëve të krishterë e muhamedanë, e mbajti meshën e parë mbas 23 vjet nga mbyllja e institucioneve fetare dhe ndalimi i ushtrimit të riteve fetare. Kjo meshë ishte hapi i dytë që hidhte populli i Shkodrës për të vrarë frikën që kishte kultivuar diktatura komuniste në zemrat tona. Hapin e parë e kishte hedhur duke përmbysur bustin e Stalinit.
Më 24 tetor, kur kishim mbaruar simpoziumin për Naim Frashërin, u dha lajmi i arratisjes së Ismail Kadaresë. Ky ishte një hap tjetër që tregonte se Perëndimi po interesohej seriozisht për diskreditimin dhe shkërmoqjen e diktaturës shqiptare.
Ishim të gjithë te trotuari jashtë hotelit Tirana dhe po bisedonim për arratisjen e Kadaresë. Profesor Sedaj, ishte disi mënjanë, iu afrova. Ai nuk priti, por më tha me zë të ulët:
–Diktatura edhe këtu do të rrëzohet.
I shqetësuar se mos na dëgjonte njeri, i dhashë një të qeshur me sy, dhe u largova për të mos vijuar më një bisedë kaq shqetësuese. Unë me kolegët e mij, që nuk kishim qënë kurrë jashtë shtetit deri në tetor-nëntor 1990, kur na pyeste ndonjë i huaj: si jeni, i përgjigjeshim: mirë. Këtë përgjigje e jepnim për enerci si më parë, por edhe sepse nuk e dinim sa keq ishim në të vërtetë. Izolimi na kishte trullosur. Profesor Sedaj u përpoq të ma hiqte perden që më kishte zënë sytë…
Në dhjetor, kur plasi lëvizja studentore, unë me Julian shkuam te kodra që në ditën e dytë, disa orë para se studentët të shkonin në takim me Ramiz Alinë. Aty pashë dhe e njoha Shinasi Ramën midis studentëve, i cili sikur të ishte aktor tallej me Enver Hoxhën duke imituar fjalët e tij Patatja është bukë e gjellë, etj. Kuptova se Shinasiu ishte studenti më i avancuar. Lëvizjes së studentëve për përmirësimin e kushteve të jetesës ai përpiqej t’i jepte karakter politik kundër diktatorit dhe diktaturës, por Sali Berisha me shokë, që iu shtuan lëvizjes pas kthimit të delegacionit të studentëve nga takimi me Ramiz Alinë, e spostuan atë.
NJË PROFESOR I BARABARTË ME AKADEMIKËT
(Kujtime për profesorin Agim Vinca)
Agim Vinca, midis studjuesve të letërsisë shqiptare që jetojnë e punojnë në Kosovë është një studjues dhe krijues shumëdimensional. Ai u lind më 1947 në fshatin Veleshtë të Strugës anës lumit Drin i Zi. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Strugë shkoi për studime në Prishtinë ku përfundoi Fakultetin Filozofik më 1970. Aty magistroi e doktoroi dhe u punësua pedagog i letërsisë së sotme shqiptare. Prej vitesh ka marrë titullin profesor ordiar. Për nga kontributi shkencor ka shumë vjet që Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës duhej t’ia kishte dhënë titullin Akademik, kurse Republika e Shqipërisë duhej t’i kishte dhënë Urdhërin Nderi i Kombit.
Unë nuk kam pasur rast ta shoqëroja Agimin kur vinte në Shqipësri, sepse ai ishte kuadër i Universitetit të Prishtinës dhe si i tillë pritej prej Universitetit të Tiranës. Vetëm kur erdhi herën e parë u prit prej Akademisë së Shkencave, por asaj radhe instituti ynë vuri dikë tjetër për të shoqëruar atë dhe kolegët e tij. Pikërisht gjatë asaj vizite pune të vitit 1974, ndodhi njohja me të, e cila ishte e ndryshme nga njohjet me studjuesit e tjerë. Ai kishte ardhur me një grup studjuesish të tjerë, kryesisht më të moshuar se ai, për të mbledhur materiale për temën e magistraturës. Grupi pasi kishte punuar në Biblioteken Kombëtare, duhej të punonte dhe një a dy ditë në bibliotekën e institutit tonë. Personi që e shoqëronte grupin e tij, si zakonisht, nuk e kishte prezantuar me ne dhe as i kishte treguar se ku ishin zyrat ku punonim ne. Sipas rregullit grupet e studjuesve kosovarë i priste drejtori në zyrën e tij, e cila ndodhej në katin e dytë, pastaj liheshin të punonin në sallën e bibliotekës në katin e parë. Aty ata konsultoheshin me skedarin dhe porosisnin te sporteli librat që donin të konsultonin. Mirëpo Agimi digjej nga dëshira për të na njohur personalisht. Ngjiti shkallët e duke pyetur e gjeti se ku punonim ne në katin e tretë. Trokiti e shpejt hyri brenda dhe pyeti:
–Desha të takoj shokun Jorgo Bulo?
Dhe pasi pa se shefi ynë nuk ishte, në vend që të delte, hyri në mes të zyrës, u prezantua dhe priti të prezantoheshim dhe ne. Klara, Floresha e unë e kishim lexuar vëllimin e tij poetik Feniks (1972) dhe kishim dëgjuar që ai ishte një nga anëtarët e grupit të studjuesve kosovarë që kishin ardhur, por nuk e njihnim si fyryrë. U ngritëm në këmbë dhe sejcili prej nesh iu prezantua.
Një prezantim të tillë as e kishim bërë as e bëmë në të ardhmen me ndonjë koleg nga Kosova. Dëshira për t’u njohur ishte e madhe nga të dy palët, por nuk guxonte kush të bënte atë që bëri Agimi. Balli i tij i hapur dhe sytë plot dritë, tregonin se ishte poet. Kosovarët që kisha njohur më parë flisnin ngadalë si burra malësie, kurse Agimi fliste shpejt, si të ishte një lab, por që fliste në gjuhën letrare me nuanca fonetike të një gegërishte shumë të butë e të ëmbël.
Pas pak vitesh ai na mahniti me botimet e tij të njëpasnjëshme si studjues, poet, kritik letrar e polemist, ku dëshmohej talenti i tij i shumanshëm. Sot ai është një nga studjuesit e kritikët letrarë më autoritarë, një nga poetët më të talentuar të botës shqiptare dhe një publicist e polemist që lexohet me përfitim të madh.
Në vitin 1992, me rastin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit erdhi dhe Agim Vinca për të mborjtur mendimin se gjuha letrare e përbashkët kishte dhënë prova të shumta se ishte duke e kryer më së miri misionin e saj dhe se studjuesit e krijuesit duhej të punonin për ta pasuruar e zhvilluar atë më tej.
Referati i tij u mbajt në seancën plenare dhe i ra radha pas fjalës së profesor Arshi Pipës (në mungesë të të cilit e lexoi një tjetër) ku kërkohej hedhja poshtë e gjuhës letrare me bazë toskërisheten dhe krijimi i një gjuhe të re letrare me bazë gegërishten. Profesor Vinca, ndonëse gegë, mbrojti me argumente shkencore e frymë kombëtare gjuhën ekzistuese letrare, gjë që nxiti lexuesit ta duartrokisnin me patos gjatë gjithë kohës që eci nga katedra deri tek vendi ku u ul.
Në një nga ato ditë unë i ftova për drekë në apartamentin tim kolegët e ardhur nga Kosova, Sadriun, Agimin, Abdulla Zymberin si dhe përkthyesin Robert Elsie. Agimi, si mentar i zoti diti ta mbante muhabetin e të na nderonte me bisedat e tij. Robert Elsie-t i kishte bërë përshtypje duartrokitja e gjatë që i bënë dëgjuesit Agimit dhe e përmendi këtë sukses të tij. Ky tha se asnjëherë deri sot nuk jam duartrokitur kaq gjatë dhe me kaq forcë…
Kur erdhi vitin tjetër u takuam përsëri dhe ai më dhuroi një kopje të veprës së tij të re Popull i pandalur, për të cilin shkrova me kënaqësi një recension, të cilin po e ribotoj në këtë përmbledhje. Në atë vepër profesor Vinca kishte arritur nivele të njëjta me ato që profesor Qosja kishte shpalosur pak më parë në veprën e tij Popull i ndaluar. Fatkeqesisht këtyre dy studjuesve të shquar këto vepra u krijuan mjaft kundërshtarë jo vetëm në klanet serbe e maqedone, por dhe në ato shqiptare, të cilët nuk e duan bashkimin kombëtar të popullit shqiptar në një shtet të vetëm.
Më 2010, kur shkova në Kosovë nga rruga e re e quajtur Rruga e Kombit, pasi u takova me Akademik Rexhep Qosjen, pata rast të takohesha dhe me profesor Vincën. Intelektuali Xhemil Bytyçi, profesor në fushën e mjekësisë dhe poet na ftoi për darkë bashkë me profesor Vincën, veprimtarin Abdyl Kadolli dhe poetin Mazllum Saneja që erdhi drejt e nga Varshava. Oratoria e “labit” nga brigjet e Drinit shkëlqeu dhe aty.
Mazllumi na tregoi për vëllimet e tij poetike, për veprat me poezi që kishte përkthyer nga shqipja në polonisht dhe nga polonishtja në shqip. Ai meritonte të ishte emëruar atashe kulturor i Kosovës në Varshavë, por pushtetarët nuk e kishin mendjen të vlerësonin krijues të tillë, që punonin falas të shtyrë nga talenti dhe dashuria për kulturën kombëtare…
Më tej, si ndodh shpesh në takime studjuesish e poetësh, biseda u hap dhe rreth shkrimtarit tonë më të talentuar, Ismail Kadaresë. Agimi e formuloi qartë mendimin se Kadareja është Shkrimtar i Madh dhe për të nuk ia vlen të ndalesh në dobësitë e karakterit njerëzor.
Veprat e profesor Vincës përbëjnë një gjerdan suksesesh. Asnjëra prej tyre nuk të krijon ndonjë ndjenjë pakënaqësi, si ndodh me disa vepra të mjaft profesorëve dhe akademikëve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Më 2012, pasi përgatita për botim monografinë Mihal Grameno jeta dhe vepra, më shkoi menja tek profesor Vinca për të qenë krahas profesor Bulos vlerësues i saj. Ky mendim më lindi sepse ky studjues, publicist e poet kishte jo vetëm formimin e nevojshëm, por i ngjante Gramenos si nga shpirti poetik, nga fryma polemike dhe nga pamja. Me ballin e hapur, flokët e rënë, mjekrën gjysëm të thinjur dhe sytë plot gjallëri, Agim Vinca ma kujton Mihal Gramenon shpesh. I tillë është ai dhe nga përkushtimi atdhetar. U lidhëm me internet dhe pasi lexoi kapitujt kryesorë të monografisë ma dërgoi vlerësimin e tij, ku ndjehet vlerësimi profesional e plot dashuri për jetën e veprën e Gramenos dhe për vlerat e studimit tim.
NJË ATASHE KULTUROR I KOSOVËS
(Kujtime për poetin e përkthyesin Mazllum Saneja)
Poetin, përkthyesin dhe kritikun letrar Mazllum Saneja e njoha së pari përmes leximit të disa veprave të tij, pastaj e njoha personalisht më 2010 në Prishtinë.Mazllumi u lind në Gjakovë më 1945, shkollimin e lartë për gjuhë e letërsi shqipe e kreu në Fakultetin Filozofik të Prishtinëse më 1974. Aty ai kreu dhe studimet pasuniversitare. Gjatë vizitave turistike në Poloni u nxit të mësonte polonisht dhe të ndiqte dhe studimet e larta për gjuhë polake në Universitetin e Varshavës në vitet 1978-1981. Pasi punoi disa vjet si mësues në shkolla të mesme të Kosovës ai u përpoq të gjente mundësi më të mira pune larg Kosovës. Në vitet 1985-1989 jetoi në Berlin Lindor dhe mbas vitit 1990 u vendos në Poloni. Këtu kreu studime të tjera të larta për letërsi polake dhe pasi e tregoi talentin e vet me botime veprash me poezi origjinale e përkthime poezish nga polonishtja në shqip dhe nga shqipja në polonisht fitoi çmimin prestigjoz ZAIKS prej Shoqatës së Shkrimtarëve të Polonisë, po ashtu fitoi të drejtën të jetojë në Poloni si Krijues i Lirë. Eshtë anëtar i Shoqatës së Përkthyesve të Kulturës Europiane në Varshavë. Thënë shkurt, Saneja, është intelektuali, i cili me punën e vet krijuese nderon Gjakovën, Kosovën e mbarë botën shqiptare.
Me punën e tij si poet e përkthyes ai e ka paraqitur në nivele dinjitoze letërsinë mbarëshqiptare në Poloni dhe më gjerë. Për 25 vjet ka kryer, si e kryejnë njerëzit e talentuar, misionin e atasheut të kulturës shqiptare në Poloni pa qenë i emëruar e i paguar prej asnjërës prej qeverive tona, të Shqipërisë ose Kosovës.Sot në moshën mbi 70 vjeçare ai meriton të marrë Pension të Veçantë prej të dy këtyre qeverive si e marrin shumë krijues të tjerë me më pak punë e vepra.
Së pari Mazllumin e njohu në vitin 1974 Julia, në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës në Korçë. Atje u organizua një takim midis talenteve të rinj të Rrethit të Korçës dhe grupit të talenteve të rinj nga Kosova (letrarë, piktorë, muzikantë) që kishin ardhur për vizitë në Shqipëri. Të nesërmen këta të rinj e të reja të Korçës dhe ata të Kosovës panë së bashku një shfaqje teatrale te Teatri A. Z. Çajupi, pastaj miqtë u përcollën. Sipas zakonit Julia Naçi (sot Julia Gjika) i dhuroi poetit të ri nga Gjakova vëllimin e saj të parë poetik Ditëlindje (1974). Mbasi mbërriti në vendlindje, mysafiri i dërgoi shoqes korçare vëllimin e tij të parë poetik Këlthitje (1974). Dërgimin ai e bëri dorazi me anë të poetes Natasha Lako, shoqe e Julias. Kjo, duke menduar që t’ia dërgonte sa më parë shoqes së saj dhuratën, ia dha një kushëriri që ndodhej në Tiranë, i cili do të shkonte në Korçë ato ditë. Librin, ky zotëri, në vend që t’ia jepte në dorë Julias, si u porosit, ia dorëzoi një kolegu të Julias dhe kështu libri kaloi dorë më dorë derisa ra në dorë të punonjësit të Sigurimit të qendrës së punës së saj.
Dhurata në vend që të sillte gëzim, solli shqetësime e ngatërresa. Vëllimi poetik me titullin dhe poezitë shprehte nëntekstin: shqiptarët nëJugosllavi nuk kishin të drejtë të formulonin mendimet e tyre për të drejtat njerëzore, ata lejoheshin të lëshonin vetëm klithma.
Mirëpo sigurimsat duhej të kishin punë, të tregoheshin vigjilentë ndaj armiqve të jashtëm e të brendhëm, prandaj filluan të thoshin se vëllimi ka poezi të errëta, të papërshtatshme për lexuesin shqiptar. Ata guxuan të thoshin se autori me këtë dhuratë e ftonte vajzën korçare të arratisej në Jugosllavi. Këto budallallëqe vijuan disa muaj derisa shefi i Degës së Punëve të Brendëshme të Korçës, Rakip Hoxha, e mbylli problemin si të pabazë dhe më vonë libri iu kthye së zonjës.
Nga viti 1974 e këtej poeti Saneja ka botuar dhe shtatë vëllime të tjera poetike në gjuhën shqipe, dy drama dhe katër vëllime poetike në polonisht. Nga letërsia polake ai ka përkthyer e botuar në shqip krijime të poetes Eva Lipska, Karol Wojtila (Papa Gjon Pali II),Tadeusz Rozewicz, Wislawa Szymborska, Zbigniew Herbert, Andrzej Zaniewski, Jerzy Ficowski, Jan Michal Stuchly, si dhe përmbledhjen antologjike Poezi Polake e shek. XX-të, etj. Kurse nga letërsia shqipe në polonisht ai ka përkthyer e botuar në tre vëllime një antologji të poezisë shqipe të shek. XX-të. Për botimet e tij Saneja ka pasur shpesh mbështetjen dhe kujdesin e juristit polak Jan Michal Stuchly, intelektual i niveleve të larta, piktor, poet dhe humanist.
Saneja ka përkthyer e botuar në polonisht poezi të zgjedhura prej poetëve tanë të talentuar si Ali Podrimja, Ismail Kadare, Eqrem Basha, Fatos Arapi, Mihal Hanxhari, Agim Gjakova, Visar Zhiti, Martin Camaj, Naime Beqiraj, Julia Gjika, etj.
Gjithashtu ai ka hartuar e botuar dhe veprën gjuhësore Bisedor i gjuhës shqipe për polakët, me vlera praktike për të mësuar gjuhën tonë njerëz të interesuar midis popullit polak 40 miljonësh.
Në vitin 2010 planifikova të shkoja në Shqipëri e Kosovë. Desha ta takoja këtë krijues e punëtor të palodhur të kulturës shqiptare. E njoftova para se të nisesha, se kur do të ndodhesha në Prishtinë. Dhe ai erdhi në mbrëmjen e caktuar, e u ul me ne në restorantin, ku na kishte ftuar për të darkuar mjeku prof. Xhemil Bytyçi. Aty ishim bashkë me profesor Agim Vincën dhe veprimtarin Abdyl Kadolli. Edhe pse e takoja për të parën herë, ndjeva për Mazllumin afërsi, si të ishim njohur prej kohësh, mbasi i kisha lexuar disa prej veprave të tij, kisha parë portretin e tij në disa foto. Biseda vijoi për krijimtarinë letrare. Poetët Vinca e Saneja na treguan për botimet e tyre të fundit, për planet e së ardhmes.
Më shkoi mendja te krijuesit e Shqipërisë dhe atashetë kulturorë të saj nëpër botë. Shqipëria ka disa poetë të talentuar të nivelit Vinca e Saneja, por nuk ka asnjë krijues e intelektual shumëdimensional si poeti, stujuesi, polemisti i zjarrtë, pedagogu Vinca. Ajo ka poetë e përkthyes si Saneja, por nuk ka një atashe kulturor që punon pa pagesë si poeti e përkthyesi Saneja. Për fatin e mirë të letërsisë e kulturës shqiptare rrugën e Sanesë e ndjek dhe poeti Baki Ymeri, një intelektual shqiptar nga Maqedonia që jeton e punon në Rumani, por edhe ky nuk është shqiptar i lindur e rritur në Shqipëri.
Ne shqiptarët e Shqipërisë jemi bërë pragmatistë, nuk punojmë dot pa rrogë, na lodhi koha e diktaturës me ato punët vullnetare dhe tani duam të paguhemi për çdo punë. Mirëpo në art, në kulturë e në shkencë nuk ecet vetëm me rrogë, duhet pa tjetër dhe shpirti i sakrificës…
Ambasadori amerikan Wisner vlerëson proceset e adresuara nga Kosova
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në Vjenë, u takua me ambasadorin amerikan, mikun e madh të Kosovës, Frank Wisner.
Kryeministri Mustafa e falënderoi ambasadorin Wisner për mbështetjen e dhënë për shtetin e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa me këtë rast shprehu mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për kontributin që ambasadori Wisner dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dhe po japin në vazhdimësi për Kosovën.
Kryeministri Mustafa e njoftoi ambasadorin edhe për progresin në Kosovë dhe fokusimin e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës si dhe reformat në shumë sektorë, me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës.
Kryeministri Mustafa e njoftoi ambasadorin Wisner edhe për progresin e Kosovës në proceset integruese euroatlantike si dhe në bashkëpunimin rajonal.
Ambasadori Frank Wisner vlerësoi lartë punën e deritashme të qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Mustafa, duke theksuar se Kosova po bën hapa të rëndësishëm përpara.
Ambasadori Wisner vlerësoi edhe proceset e fundit të cilat janë adresuar nga Kosova, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të tij për Kosovën, bën të ditur njoftimi dërguar nga Vjena i Kryeministrisë kosovare.
Në Vjenë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në sesionet e zhvilluara të enjten në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2015.
Para shpalljes së pavarësisë, Ambasadori Frank Wisner ishte i Dërguar Special i SHBA-ve për Kosovën në bisedimet për statusin.
Para tre vitesh, në shtator 2012, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dekoruar Ambasadorin Frank Wisner me “Urdhrin e Pavarësisë”, që u jepet personave për kontributin e tyre për pavarësinë e Kosovës./B.Jashari/
NJË PRITJE PËR PAJTUESIT E GJAQEVE NGA KOSOVA NË SHTËPINË TIME NË ARMONK
Me rastin e 25 vjetorit)/
Nga Harry Bajraktari/
Sivjet po përkujtohet 25 vjetori i Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, tek shqiptarët e Amerikës dhe tek atanë Evropë.Ishte kjo një ngjarje historike që motiv e qëllim kishte homogjenizimin e popullit shqiptar, kudo që jetonte, përballë politikës agresive hegjemoniste serbe.Pra, ishte koha kur shqiptarët duhej të flisnin me njëzë dhe me një gjuhë.
Anton Çetta, i njohur si profesor universiteti, studijues dhe mbledhës i folklorit, punëtor shkencor i Institutit Albanologjik në Prishtinë, njohës i mirë i traditave dhe kodeve zakonore të shqiptarëve, me iniciativën e një grupi të rinjësh të Dukagjinit, respektivisht të Lumbardhit të Deçanit, formuan Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë. Anton Çetta ishte figura kryesore që i printe këtij aksioni së bashku me një grup intelektualësh që gëzonte autoritet tek popullata në Kosovë: akademik Mark Krasniqi, Zekeria Cana, Ramiz Këlmendi, Azem Shkreli, Dom Lush Gjergji, Kajtaz Rrecaj e të tjerë. Në këto tubime të shumta të organizuara në Kosovë dhe diasporë kishte shumë emocione, lot e gëzim, ku populli i shprehte dhe i përjetonte në mënyra të ndryshme.Tubimet e tilla mbaheshin në hapësira të hapura për shkak të masës që i ndiqte ato.Është i njohur tubimi tek Verrat e Llukës që tuboi një gjysmëmilioni shqiptarë nga të gjitha trevat tona.Ky konsiderohet manifestimi më i madh që u mbajt ndonjëherë në historinë e hershme dhe të vonshme në Kosovë. Ishte një homogjenitet i paparë dhe kishte domethënien e bashkimit që shihej aq qartë nga kjo lëvizje masive e njerëzve nga një trevë në një tjetër.
Profesor Anton Çetta, me bashkëpunëtorët e tij, pasi kishte pajtuar shumë familje të gjaksuara në Kosovë, kishte vazhduar pajtimin tek shqiptarët në Gjermani dhe Zvicër, ku gjaqet ose ishin bërë aty, ose ishin bartur nga trevat e tyre në ato vende.
Me iniciativën e Shoqatës” Shpresa” në SHBA, në kryetë se cilës ndodhej Besim Malota me disa bashkatdhetarë, një grup intelektualësh i pajtimit të gjaqeven ga Kosova erdhi në New York. Grupi i intelektualëve, aposi u quajtën ndryshe nga shqiptarët e Amerikës “Krushqit e Pajtimit” përbëhej nga profesor Anton Çetta, akademik Mark Krasniqi, shkrimtarët Ramiz Këlmendi, AzemShkreli, Dr. AgimVinca, historiani Dr. Zekeria Cana, avokatët Bajram e Nekibe Këlmendi, mjeku Mustafë Ademaj, ish delegati i Kuvendit të Kosovës Riza Lluka, imami i xhamisë së Bubavecit, mulla Xhevat Kryeziu, Adem Beqiri e Mustafë Radoniqi, kryetari i Shoqatës Bamirëse ” Nënë Tereze” të Zagrebit, Siman Kuzhninietj. Ky grup intelektualësh i pajtimit të gjaqeve u prit në mënyrë tejet të përzemërt nga shqiptaro-amerikanët në New York e Detroit, edhe për faktin se vinin nga Kosova e trazuar.
Një ditë, derisa këta intelektualë po bënin pajtimin e gjaqeve në New York, unë me babain tim Metë Bajraktarin, organizuam një pritje solemne në shtëpinë tonë në Armonk, Westchester, ku për ta shtruam një darkë miqësore në të cilën merrnin pjesë rreth 100 veta në mesin e tyre edhe disa amerikanë. Në këtë darkë, e cila kaloi në shenjë të një uniteti të komunitetit tonë, folën Anton Çetta, Mark Krasniqi, unë e Mon Bajraktari, Bajram Këlmendi, Dr. Zekeria Cana etj. Ishte kjo koha që kërkonte bashkim në mesnesh, këtu në SHBA dhe atje në trojet tona etnike dhe kudo tjetër ku jetonin e vepronin shqiptarët në botë.Pra, para nesh ishte një pjesë e historisë.
Duke folur në këtë darkë solemne intelektuali, studijuesi dhe mbledhësi i folklorit zoti Anton Çetta, përkujtoi se familjet shqiptare duhet të ndjekin rrugën paqësore, t’i lënë prapa konfliktet, ngatërresat dhe të kultivojnë traditat tona të respektit, dashurinë dhe mirëkuptimin. Në këtë takim solemn folie dhe akademiku Mark Krasniqi, njohës i mirë i etnografisë, kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve, që aksionin e pajtimit të gjaqeve e vlerësoi si akt tejet të rëndësishëm historik.Në këtë pritje folën edhe Mon Bajraktari Dr. Zekeria Cana, unë (Harry Bajraktari) dhe disa të të tjerë të grupit të pajtimeve të gjaqeve.Isha tejet i gëzueshëm, plot emocion edhe ndonjëherë i papërmbajtur që në shtëpinë time aq larg gjeografisë së Kosovës, u thanë gjithë ato fjalë përmbajtësore për popullintonë që patinjë fat jo të mirë nga popujt e tjerë të Ballkanit.
Në këtë kohë në New York po qëndronte edhe një grup i gazetarëve të Radio Televizionit të Prishtinës (Jusuf Ferizi, Ali Alaj, Lekë Musolli, Selim Arifi dhe linguisti Dr. Skender Gashi) ku merrte pjesë në një grevë urie pranë Kombeve të Bashkuara për të kundërshtuar mbylljen e të gjitha mediave elektronike dhe të shkruara në Kosovë nga regjimi serb. Në pritje ishin edhe këta gazetarë.
Pajtuesit, në krye me Anton Çettën, gjatë qëndrimit 20 ditëshnë SHBA pajtuan 12 gjaqe, 2 plagosje dhe 28 individë të ngatërruar për raste të ndryshme.
Nga kygrup sot nuk jetojnë: Anton Çetta, Bajram e Nekibe Këlmendi, Mon Bajraktari, Azem Shkreli, Riza Lluka, Dr. Zekeria Cana dhe babai im, mikpritës i këtij grupi të pajtimit të gjaqeve. Nuk jeton dhe gazetari Jusuf Ferizi.
Bajram Këlmendi, avokat i njohur në Kosovë, natën mes 24 e 25 Marsit të vitit 1999, bashkë me dy djemtë, u nxor dhunshëm nga shtëpia e tij në Prishtinë nga paramilitarët serbë, dhe u masakruan mizorisht afër një stacioni të karburanteve në mes të Prishtinës dhe Fushë- Kosovës.
*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.
Foto: Nga e majta; AzemShkreli(ulur) Metë Bajraktari (nëkëmbë), avokati Bajram Këlmendi (ulur), Akademik Mark Krasniqi, duke folur, Mon Bajraktari me plis dhe Anton Çetta, kryesues i pajtimit të gjaqeve.