• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dy ngjarje dhe një histori

June 10, 2020 by dgreca

Shkruan: Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani/

Thirrja patriotike e Lidhjes së Prizrenit e para 142 vjetësh është sërish thirrje dhe ftesë për rizgjim kombëtar.
“Ne, Shqiptarët, nuk jemi imigrantë, por banorët e hershëm të këtij vendi; ne kemi qenë të lirë e të pavarur disa shekuj më parë dhe ne mund të pretendojmë me plot fjalën të drejtën për të krijuar një Shtet”.
Sot, shqiptarët kanë dy shtete që lëngojnë. Projektet shtetërore të rrezikuara riaktualizojnë kërkesat e Lidhjes për mobilizim për shtetin e kombin.
Kërkesat e Lidhjes riaktualizojnë nevojën për kohezion shoqëror dhe unitet kundrejt zhvillimeve me të cilat përballet shteti i Kosovës. Në një kohë kur rreziku i copëtimit të territorit është evident, vetëm qëndrimi unik e bën Kosovën të pacenueshme. Ndaj, na duhet një Lidhje e re për shtetin e Kosovës, në mënyrë që nesër ky vend të jetë strehë e sigurt ku jetojnë dinjitetshëm të gjithë qytetarët pa dallim.
21 vjet më parë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javijer Solana, urdhëroi ndaljen e bombardimive mbi caqet e ushtrisë jugosllave e policisë serbe pas kapitullimit të Millosheviqit, kurse Këshilli i Sigurimit i OKB-së, po në të njëjtën ditë, miratoi dërgimin e ushtarëve të KFOR-it nga 36 shtete. Sot Kosova është e lirë falë ndihmës së shteteve që i qëndruan në krah dhe sakrificës së popullit të saj. Një pjesë e këtyre ushtarëve të NATO-s sot ende janë garant i sigurisë për vendin tonë. Falënderojmë pafundësisht secilin prej tyre për kontributin që vendi ynë të jetë i lirë.
21 vjet më pas ëndrra për lirinë ka marrë kuptim, por ëndrra për shtetin ku sundon e drejta vazhdon. Ndaj sot, nevoja për forcimin e shtetit nëpërmjet rendit e ligjit është domosdoshmëri!
Liria është koncept universal, teksa nevoja për Lidhjen për shtetin urgjencë kombëtare!

***

Osmani: Platforma politike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit frymëzim për forcimin e shtetit të Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani në 142 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka marrë pjesë në Ekspozitën “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Ajo ka vendosur lule në kompleksin e figurave të kësaj ngjarjeje historike dhe ka thënë se Platforma politike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit duhet të shërbejë si frymëzim për forcimin e shtetit të Kosovës, unitetin e faktorit politik mbi bazën e parimit të paprekshmërisë së kufijve aktualë të Kosovës, paprekshmërisë së sovranitetit të vendit si dhe të rendit kushtetues.

 “Lidhja e Prizrenit e vulosi orientimin tonë properëndimor. Na duhet një Lidhje e re për shtetin e Kosovës, në mënyrë që nesër ky vend të jetë strehë e sigurt ku jetojnë dinjitetshëm të gjithë qytetarët pa dallim”, është shprehur zonja Osmani.​

ReplyForward

Filed Under: Opinion Tagged With: Dy ngjarje, nje histori, Vjosa Osmani

Histori e shkurtër e ”Një jetë…disa histori”

September 3, 2017 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/

1 Marjana doktoresha

Eshtë pothuajse katër vjecare kjo historizë por mbart kaq shumë emra, personazhe,problematikë saqë natyrshëm më nxit të jem falenderuese që këtë komunitet të gjallë dhe aktiv media arrin ta përjetësojë duke jua transmetuar edhe brezave.1 Mali

Dhe keshtu ka ndodhur në fakt, atë maj kur promovohej Charld Telford Erickson në Vatër me autor Mal Berishën , pikërisht aty do të nisnin kontaktet e para me televizionin Albanian Culture TV, me kronikat e pafundme mbi festat dhe gëzimet, tubimet dhe promovimet, sukseset dhe vështirësitë që janë sfida që jo pak herë i bëjnë bashkë shqiptarët e Amerikës.2 Marjana regjNdodh që në momente të tilla të takosh miq që koha të bën ti njohësh pak nga pak e të mbeten të tillë përjetë.Dy bashkëthemeluesit e televizionit Albanian Culture Mimoza dhe Adem Hasanbelliu kishin ndërtuar jo vetëm një arkiv shumëvjecar por edhe kushtet për ti dhënë jetë lirisë time krijuese e cila ishte ndërprerë në kulmin e vet në atdheun tonë të dashur. Ata atëherë nuk e dinin këtë, nuk e dinin as që fjala mua më kishte mbetur në gojë , e pathënë, e gjallë, por në humnerën e harresës.1 Me Tinken Ata nuk e dinin atëherë këtë, ata thjesht i besuan zërit tim dhe më thanë:krijo, cfarë të duash ndërto! Ndërkohë unë kisha ndjekur arkivate tyre plot, kisha ”takuar” personazhe që edhe pse me mundim ia kishin dalë në botën e lirisë e cila është kaq e pafundme dhe pa njerëzit me guxim dhe iniciativa do të ishte kaq bosh.Pa kuptuar isha futur nëpër atë galeri të pasur kulturore, historike, politike ku grupime dhe individë kishin mundur të ndërtojnë lidhjet Kosovë, Shqipëri, Mal I Zi, Maqedoni e ku ti nuk pyet prej nga je pasi merr përgjigjen ”jam shqiptar”. Kuptova se Shqipëria jonë e vogël këtu është kaq e madhe, e një gjuhë, himn e flamur nuk janë thjesht simbole, janë dashuri, janë detyrim, janë vlera që na bashkojnë jo për force nacionalizmash por me shpirtin e përmallimit që vetëm kur ikën prej atdheut mundesh ta kuptosh vërtet. Me kohë kuptova se  pse një artist si Adem Belliu e ktheu shtëpinë e vet në Vatër të kulturës Shqiptare dhe pse një bujare si Mimoza ia ka vënë në dispozicion këtij televizioni kohën e vet dhe madje edhe dy fëmijët e vet te mrekullueshëm Vera dhe Gerti Belliu .Intelektualizmi nuk është thjesht një diplomë universitare, është një vullnet që s’ndalet, është një mision përtej detyrës dhe detyrimeve. Më vonë po aty takova fisnikun Beqir Sina që as dhuna e gjatë komuniste nuk ia ka zvetënuar butësinë e zërit dhe të shpirtit, takova të palodhurin e Diellit të Vatrës panshqiptare , gazetarin editorialist nga i cili ke aq shumë për të mësuar Z.Dalip Greca.

A ia kanë/kemi dalë?!

Janë dhjetra personazhe, qindra histori, mijëra problematika të diskutuara në atë studio që nuk ka qenë vetëm e shqiptarëve të Amerikës, por e cdo shqiptari brenda dhe jasht Amerikës.Kemi ndjerë atdheun më pranë dhe i kemi përcjellë atdheut jetën tonë këtu , me sfidat dhe gëzimet, sukseset dhe emocionet që janë të pandara nga ditët tona të këtushme. Jemi bërë bashkë edhe kur kohët dhe politikat e castit na kanë përcarë sepse në atë studio cdo ditë flitet për Shqipërinë, për diasporën, për cështjet që na bashkojnë, nderojnë, përjetësojnë.

Historia e ”Një jetë…disa histori” nis me rrëfimin shumëplanësh të profesoreshë Lumi Hadrit,e cila detyrohet të lërë Kosovën në vitin 1986 por në fakt nuk e la kurrë atë sepse kurrë nuk reshti së menduari dhe së punuari për Kosovën.

Nëpër ato fillime kujtoj edhe zonjën Vera Kurti , një intelektuale që përlotet teksa flet për autizmin, këtij fenomeni me përmasa të cuditëshme të cilit ajo i është përkushtuar profesionalisht, madje edhe përmes studimesh dhe publikimesh.

Prezenca e diplomatit dhe mjeshtrit të penës dhe humorit Z.Pëllumb Kulla do të mbetet e paharruar për larminë e përvojave që solli aty, sensit të humorit dhe mesazheve të forta drejtuar politikës, komunitetit shqiptaro-amerikan me mjeshtërinë ”made in Kulla”.

E madhja doktoreshë Shpresa Xhakli dhe pse ta fsheh frymëzimi im, është një pasuri e vecantë në studio , me atë komunikim brilant, rrëfimet prekëse, përjetimet e rralla dhe plot ngjyra jete ku emocionet jetësore mbartin edhe ngjyra trishtimi e gëzimi që Xhakli jonë i rrëfen aq bukur me lotët që i qeshin dhe që i qajnë.

Në Albanian Culture TV rinia ka qënë jetë dhe vitalitet, kjo është ndjerë jo vetëm nga prezenca e tyre por edhe nga energjia që të rinjtë edhe pse të edukuar në USA kanë për vendin ku u lindën të parët e vet Classmate forever dhe Zamane Bodini me Lendita Hoxhën , vajzat e mencura dhe humane që i dhanë dritë e bukuri ciklit ”Një jetë …disa histori”. Po kështu Granit Limani , djaloshi kosovar përpara të cilit ti thua…”sa me fat është ai shtet i ri me bij kaq të zgjuar”!

Personazhet sa vijnë dhe shtohen, natyrisht duke pasuruar komunikimet tona me të gjithë brenda dhe jasht studios.Disa komunikime u shndërruan në kujtime të paharruara…kujtoj të madhin kantautor dhe producent artistin Adi Hila, disa komunikime do ishin frymëzim dhe motiv për të ecur përpara nëpër kohë dhe me cilësi ,kam parasysh Ambasadorin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar në atë kohë Zotin Mal Berisha dy herë i pranishëm në studion tonë.Ka patur edhe personazhe që janë hite nëpër komunitetet ku jetojnë dhe prezenca në studio është nderim reciprok si psh Kampioni i botës ne kick boks Ismail Keta.Zonja Ruki Kondaj autore dhe zbatuese e Ligjit për Trashëgimninë kulturore në Parlamentin e Ontarios. Kështu televizioni shkoi përtej komunitetit të shqiptarëve të Amerikës por duke përcjellë kontribute dhe vlera mbarëshqiptare ,ato të humanizmit, historisë dhe traditës, këtyre vlerave që rrojnë më gjatë se njeriu.

Nuk ka qenë e lehtë ,jo jo aspak e lehtë për mua të udhëtoja drejt asaj studioje , kush i din distancat që na ndajnë e kupton vetë mundimin prandaj unë po i shmang komentet e tepërta në këtë rrëfim rrëfimesh, por dua të kujtoj  verën 2015 kur ime më pësoi një goditje në tru, për fat i mbijetoi, por për mua ishte aq e vështirë ti rikthehesha rrëfimeve të jetës kur jeta e njeriut tim aq të shtrenjtë ishte në rrezik. Mimoza dhe Ademi më ftuan të shkonim te Pirro e Pavlina Mani…si mund t’u thoja jo. Ne ishim rritur me filmat e tyre.Shqipëria komuniste nuk na la asgjë tjetër trashëgim përvec kinemasë, me hijet dhe drithijet e veta .Atë fund vere times plot kalvare po shkonim drejt një ikone me histori pafund Pirro Mani. Në atë familje ku arti frymon art duke filluar që nga lulet në oborr, pikturat në mur,bisedat që nuk shterrojnë e deri te bujaria e aristokrates së skenës dhe familjes Pavlina Mani, ti mund të pohosh që jeta është një trajektore që duhet tia ndjekësh me sy ,me shpirt, me penë, me foto,me dashuri, cdo kilometër.

Sa jetë japin rrëfimet e Gjilberta Lucës, Pranvera Cobës, Luka Hajdinit…aq sa kur vijnë ato në studio duket sikur edhe muret këndojnë.

Nuk e kemi lënë jasht vemendjes as politikën megjithëse unë e quaj aksident…Aleksandër Mici , një republikan dinjitoz, Profesor Shenasi Rama , një shkollë e opozitarizmit, Grid Roi që analizon ftohtësisht politikën edhe pse mbetet i dashuruar me folklorin , Mimoza Hajdarmataj një tregues simbolik se si nganjëherë parlamenti i Shqipërise pati edhe fisnike si ajo.Profesor Enea Janko ishte aty duke folur për politikat ekonomike ,ato që do mund ta ndihmonin Shqipërinë në ditët e vështira.
Në atë studio ndodh të takosh njerëz që nuk mundesh ti harrosh kurrë ,janë nga ato që nuk ndalojnë së shkëlqyeri profesionalisht por edhe përmes kontributeve vullnetare duke edukuar brezat që rriten në emigracion… Ana Kohen e Drita Gjongecaj falemnderit që ishit aty.

Revolucionaren në art, atë që ia ve vulën me mendim dhe me bojë duke e thënë hapur të vërtetën edhe kur ajo është pis ,Zake Prelvukaj  në atë studio na e solli një mik , jurist, estetik dhe fotograf, nxënës i Gjon Milit dhe Fadil Berishës, mjeshtri fisnik Ilir Rizaj i cili është një aset i cmuar i komunitetit tonë.

Unë ndalem me respekt të thellë e me një memorje të kthjellët kur kujtoj praninë e artistes së Popullit Tinka Kurti në ACTV biseda me të cilën mbart të gjitha detajet e një jete plot dhe më shpie tek një nga ngjarjet më të bukura këtu ”Festivali i filmit shqiptar” me organizator Artiot Myrtaj, djali i talentuar prej Kosove që kosovës i thurr film.

Merita Halili e Raif Hyseni dy artistët që nderojnë cdo mjedis e kudo ku janë ato këndohet shqip, janë ato që i dhanë liri edhe muzikës shqiptare duke e shndërruar në subjekt dhe lëndë të programeve universitare…e kështu ”Një jetë …disa histori” përcjell falenderimet në emër të një komuniteti ,aktiv apo pasiv, gjërat që ndodhin përreth nesh janë edhe në këtë studio modeste.

Janë shumë shkrime e publikime, botime e promovime që rigorozisht drejtohen nga e talentuara Raimonda Moisiu,kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, ajo që ka një ftesë përherëv -on- nga unë ,por Veneta Callpani  e Pierre Semsia ia kanë transmetuar më së miri punën sistematike nëpërmjet ACTV si një thesar mendimi i publikuar apo  që do ti shkojë lexuesit.

Nuk e kam shmangur dot lokalizmin edhe pse në një vend të madh si Amerika, nje dobesi apo cilesi kjo …nuk di , Dibrës time të vogël kam dashur ti bëj pak vend përmes zërit të Vera Lacit e rapsodive të Sherif Dervishit sepse Albanian Culture është mjeshtre në bujari dhe model në mikpritje. Këtë kemi dashur të mbajmë gjallë, atë cka na nderon pse te mos e amplifikojme?!.Duke qenë se vij nga një trevë e varfër materialisht por e pasur në histori shpesh pohoj me bindje se pasuri për ne janë njërëzit dhe historitë e tyre.Dhe kjo formule ka vlere edhe per shqiptaret e Shqiperise se vogel ne Ameriken e madhe. Le ti bëjmë bashkë ato.

Janë shumë e do jenë akoma më shumë… që të gjithë miq të ekranit të kulturës shqiptare, erdhën e do të vijnë aty për të mbetur të përhershëm në kujtesën vizive, atë të mendimit dhe problematikës.Dhe sapo ata largohen unë pohoj përsëri ;Po, jeta është një trajektore që duhet tia ndjekësh me sy ,me shpirt, me penë, me foto,me dashuri, cdo kilometër.

Filed Under: Emigracion Tagged With: 20 vjet, albanian culture tv, Marjana Bulku, nje histori

KULLAJT E ZEMBLAKUT, NJE HISTORI PER T’MOS U HARRUAR

August 20, 2016 by dgreca

  • “Kulla”, fisi që u ndëshkua se priti Mbretin kur la Shqipërinë më 1939/

 *Historia  e familjes Kulla ose shqiptarët që përpara skuadrës së pushkatimit linin amanet Shqipërinë/

 nga Dalip Greca/

* Në një promovimi në Nju Jork: Nga e majta: Vedat Kulla, Sami Kulla, Niko Kirka, Meri Kirka, Jonuz Kulla, Pëllumb Kulla dhe Gëzim Alickolli/

Dr. Fuat Myftia, i cili pat udhëhequr për më shumë se 35 vjet Organizatën Lëvizja e Legalitetit në Amerikë, më tregonte gjatë një bisede, se sa herë ka marrë rrugën drejt Connecticut   për të kërkuar mbështetje për Organizatën legaliste, ka qëndruar tek fisi Kulla dhe sa herë ka trokitur atje, derën e ka gjetur të hapur. Edhe kur ka qenë fjala për mbështetje finanaciare, ata kanë qenë të gatshëm dhe kurrë nuk kanë thënë”jo”. Bujaria është karakteristikë e këtyre njerëzve.

Nga ana tjetër prej kohësh kam njohur njërin prej fisit Kulla, Vedatin, i cili për ca kohë ka qenë fqinji im në Lushnjë, tash jeton në Connectikut së bashku me familjen. E shihja gjithmonë ashtu të heshtur dhe të zhytur në hallet e veta nga që ishte me plagë në biografi dhe kurrë nuk ia dëgjova zërin për keq, ndërkohë që fëmijëte tij, Gëzimi dhe Albana ishin shembull dhe pasqyrë e edukatës familjare. Vedati përpiqej të shihte punët e tij, atëhere ishte shumë e vështirë që të mbijetoje në ato kohët e vështira, ku hijet të ndiqnin pas, veçanërisht kur vije prej klasës së përmbysur.

Me Vedatin jemi përshëndetur sërish këtu në Amerikë dhe kur flasim fundjavëve në telefon nuk shpreh asnjë lloj pezmi për hakmarrjen ndaj pafajsisë së vet për trajtimin që i bënë atëhere.

Kur të shkruash për historinë tonë, do të lutesha që penës mos i mësho shumë, nuk duam hakmarrje. Ne duam që përmes historisë tonë të përcillet mesazhi i mosharresës. Brezat që do të vijnë ta mësojnë se dikur në atë vend është qeverisur me logjikën dhe ligjet e absurdit, që ndëshkonin edhe pse ke dashur Shqipërinë, edhe pse ke qenë koshient për Shqipërinë Etnike- kështu më porositi Vedati në telefonatën që bëmë kohë më parë kur isha në procesin e shkrimit.

Nga ana e tij edhe i vëllai Samiu, i arratisur që në moshën 12-vjeçare, në një bisedë telefonike më përcolli të njëjtin mesazh:Le ta njohim të kaluarën që të mos përsëritet. Nuk kemi pse ia fshehim brezit pasardhës gjëmat që e kanë gjetur këtë popull.Të mos e fshehim faktin se shqiptarët kanë pushkatuar njeri-tjetrin, pse e kanë dashur në mënyrën e vet Atdheun. Ajdin Kulla psh, u shkua në plumb vetëm pse e donte Shqipërinë të tërë bashkë, me Kosovë e Çamëri. Kjo duket absurde, por ja që kjo është e vërteta tragjike e këtij populli.

Nuk e besoi këtë as profesori me emër i Kosovës, Zekeria Cana, por kur e ka parë aktakuzën që e çoi në plumb djalin më të shkolluar jo vetëm të Zemblakut dhe Korçës, por ndër djemtë më të mirë të Shqipërisë, i cili edhe në burg u mësonte të burgosurve anglisht,- është shprehur plot pezm:Paskan pushkatuar shqiptarë pse kanë dashë Kosovën?! Dhe bërr lotët….

Jonuz Kulla, pushka e mëmëdheut

Kam përpara shumë dokumenta dhe të dhëna për të zbuluar “njollat” e boigrafisë të fisit Kulla; kam dokumente të nxjerra nga arkivat e Tiranës, kam testamentin e shkurtër të mësuesit që njihte tri gjuhë të huaja, Ajdin Kulla, kam një ditar shumë të sinqertë të Xhevit Kullës, ku rrëfehet sinqerisht se si shpalleshin armiqtë, se si të arrestonin pa të thënë pse, madje edhe pa qenë ti fare në një vend njgjarjesh mund të akuzoheshe se kishte qenë atje, pa të lejuar që të paraqisje alibinë tënde të vërtetë.

Po nga ta fillojmë historinë e fisit  Kulla?! Një libër ndoshta do të ishte pak për të treguar rreth 100 vjet histori. Nëse gërmon në jetën e tyre ke për të zbuluar vetëm emra atdhetarësh, patriotësh të mirë që kanë luftuar për Atdheun pa e llogaritur humbjen e jetës. Jonus Zemblaku(Kulla) ka qenë pushkë e gatshme për atdhe që në kohë të moçme, kur shqiptarët luftonin për të nxjerrë jashtë trojeve turqit, madje emri i tij është në radhën e atyre burrave që më 1908 u mblodhën në Manastir, në Kongresin që na dhuroi alfabetin e sotëm, atje ku ishin At Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri dhe burrat e tjerë  të mençur të kombit që i dhanë gjuhës së bukur shqipe alfabetin e pavdeksisë së saj.Atje, në Manastir duhej dhe pushka për të mbrojtur shkronjat e pavdeksisë, për t’i mbrojtur nga turqit dhe patriarkana.Prandaj ishte atje Jonuz Kulla.

Kudo kur atdheu jepte kushrimin dhe kishte nevojë për burra trima, atje ishte ai, Jonus Kulla i Zemblakut. Ngjarjet e Flamurit e të mvetësisë të Shqipërisë e gjejnë në Vlorë rreth plakut të Flamurit. Katër vjet më vonë, kur do të shpallej Republika e Korçës, e cila qe e rrezikuar nga grekët, kapedan Jonuz Zemblaku do të ishte përkrah Themestokli Gërmenjit.

Ai së bashku me Ganiun kanë qenë bashkëluftëtarë edhe me Spiro Bellkamenin, Kajo Babjenin, Sali Butkën, Mihal Gramenon; burra me zë e trima të njohur në histroinë e Shqipërisë.

Kur në qytetin e Lushnjës do të mblidheshin burrat që do t’i dilnin zot vendit që të ndalinin coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë, atje do të ishte edhe Jonuz Kulla. Ai gjatë gjithë aktivitetit të tij ka qenë një barrikadë e pakalueshme për shovinistët fqinjë. Familaj Kulla është shquar për bindjet e saj nacionaliste dhe ka qenë e deklaruar si mbështetëse e  Mbretit Zog.Jonuz Kulla ra në shtratin e vdekjes në vitin 1937 i bindur se detyrën e vet si ushtar i atdheut e kishte kryer ndershmërisht. Bijtë e tij qenë krenarë për trashëgiminë morale e atdhetare që u la i ati: shembullin se si i shërbehej me nder Atdheut! Kur erdhën komunistët në pushtet fotografitë e burrave trima që kishin luftuar për Shqipëri u censuruan, u hoq nga grupi i luftëtarëve Jonuz Kulla!

Nacionalistët, partizanët dhe vëllavrasja pas Mukjes

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, Ganiu dhe Ajdini rrëmbyen armët dhe krijuan çetat e para kundër okupatorit, madje çeta e tyre, që kishte për komandant Ganiun dhe komisar nipin e tij, Ajdinin, vendosi dhe mbajti kontakte me çetën partizane të Agush Gjergjevicës e Zija Pipos në katundin Shyec, ku u bisedua për koordinimin e veprimeve të përbashkëta mes nacionalistëve dhe partizanëve kundër gjermanëve. Të dy palët luftonin për Atdheun kundër pushtuesit që kishte zaptuar vatrat. Gjithçka u rrokullis pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes, pas së cilës komunistët i shpallën kundërshtarë dhe armiq nacionalistët e si pasojë erdhi vëllavrasja. Zemërgjërsia e Gani Kullës dhe zgjuarsia e të nipit, Ajdinit, i cili ishte djalë me kulturë dhe tepër inteligjent(zotëronte dhe tri gjuhë të huaja; anglisht, frëngjisht dhe italisht) bëri që të shmangej vëllavrasja në atë zonë deri në vitin 1944. Madje ata arritën që të lironin edhe nga duart e gjermanëve partizanë të arrestuar, siç ishte rasti i  Hysen Treni-t, të cilin pasi e liruan, e përcollën jashtë zonës së rrezikshme. Ka shume raste të dokumentuara kur ndërhyrja e Ganiut dhe Ajdinit ka shpëtuar nag reprezalja fshatrat e zonës.Është e arkivuar ngjarja e fshatit Poncarë: Pas rrethimit të fshatit Poncarë, të nesërmen kishte arritur nëj forcë e madhe gjermanësh, që  kishte tentuar të digjte fshatin e të bënte reprazalje. Ajdini dhe Ganiu arritën që t’ua mbushnin mendjen gjermanëve që në fshat nuk kishte asnjë komunist dhe se të gjithë ishin nacionalistë. Kështu që fshati shpëtoi nga djegia. E njëjta ngjarje u përsërit edhe në Menkulas. Këto fshatra shpëtuan nga reprezaljet dhe banorët e tyre nuk përfunduan në kampet famkeqe të shfarosjes, falë edhe kontributit të xhaxha e nip. Po me ndër hyrjen e Ganiut dhe të Ajdinit shpëtuan, duke u liruar nga burgu rreth 60 partizanë, shumica nga Bozhigradi. Të gjithë emrat e tyre janë të identifikuar dhe dëshmi e gjallë i veprimit të nacionalistëve. Ndërhyrja e të dyve bëri që të shpëtojë një masë e madhe fshatarësh të përfshirë me lëvizjen partizane, të cilët u qenë dorëzuar në besë.Ka dokumente që provojnë se Ajdini dhe Ganiu arritën që të shpëtojnë nga qelitë e burgjeve me dhjetëra partizanë. Ata mendonin se të dy palët, si nacionalistët dhe partizanët, luftonin për Atdheun, ndërsa çështja e pushtetit do të zgjidhej pasi të përzihej pushtuesi. Kjo i motivonte që të lironin vëllezërit e tyre nga burgjet e  nazizmit.Nëse do të përpiqeshim të hartonim një listë me emrat që u shëptuan, e cila ruhet ende, ajo do të ishte shumë e gjatë:Ibrahim Suli, Kasëm Islami, Karafil Seiti, Salih Muka, Ahmet Elmazi, Qemal Alia, Habil Seiti, Shefqet Musa, Shefqet Ahmeti, Vesel Aliu, Nevrus Avduli, Ramadan Refati, Dajlan Nexhipi, Ahmet Banushi, Karafil Hasani, Faik Zeneli, Avdyl Iljazi, Shaban Ibrahimi, Emin dhe Mustafa Musa e dhjetëra të tjerë, ish partizanë nga fshati Bozhigrad(me përjashtim të Ibrahim Sulit), të cilët  janë shpëtuar nga kthetrat e gjermanëve në sajë të ndërhyrjeve të Ganiut dhe Ajdinit.

Ka shumë histori që vijnë nga ajo kohë e largët, si mesazh për të kujtuar të djeshmen, jo për t’u hakmarrë, por thjesht për t’mos harruar e për t’mos u përsëritur.Njihet dhe një rast si ai Bido Bitinckës, i cili iu dorëzua në besë nacionalistëve dhe ata e lanë të lirë që të shkonte me gjithë armë në shtëpinë e tij. Ndërsa kur u vra prej partizanëve djali i Qamil Koshnicës, ky kishte arritur që të mbyllte një pjesë të madhe të fshatarëve në shkollën e fshatit Baban dhe kërkonte që të hakmerrej. Ndërhynë me autoritetin e njerëzve që u dëgjohej fjala edhe Ganiu edhe Ajdini dhe zemërimi i fshatarit, që i iku djali, u zbut, e fshati shpëtoi. Kjo ngjarje është përcjellë në dokumente të kohës e pohuar nga kryepleqësia e fshatit Baban  si dhe nga dëshmitarët e shumtë, disa prej të cilëve ishin: Zydi Emini, Sefedin Mehmet Aliu, Asllan Qamili, Xhevahir Tefiku, Qamil Ajdini, Fehmi Shabani, Nexhdet Ymeri Mustafa Xhelili, Vehbi Hyseni e dhjetëra të tjerë.Nga ditaret e atyre që nuk rrojnë më janë përcjellë edhe të dhëna të tjera që tregojnë se deri para Mukjes gjithçka shkonte vëllazërisht. Është e dokumentuar psh se  partizanët i patën dhënë Hamdi Babanit rreth 17 pushkë dhe patën porositur për marrëveshje me Kareman Viçanin, por kjo mbeti tentativë e parealizuar si marrëveshje. Arsyeja ishte se gjermanët sulmuan Zemblakun dhe korrieri i nacionalsitëve, Sulejman Ahmeti, arriti me vonesë dhe çeta partizane qe çvendosur  nga Kreshpanji në drejtim të Pogradecit.

Pushkatimi i Gani dhe Ajdin Kullës

Përse i shkëputëm shembujt e mësipërm dhe i radhitëm me imtësi në këtë shkrim? Jo pa qëllim. Ganiu dhe Ajdini ishin nacionalistë idealistë.Ajdini qe i shkolluar në shkollën amerikane “Harry Fultz”. Xhaxha e nip  luftonin për Shqipërinë dhe nuk e çonin kurrë ndërmend se një ditë bamirësitë e tyre në shpëtimin e jetës së partizanvë do të shpërbleheshin në mënyrë cinike duke u marrë jetën në mënyrë të përbindshme duke i vendosur përballë skuadrës së pushkatimit. Duke qenë se Ganiu dhe Ajdini nuk patën bërë krime ndaj popullit të tyre, duke qenë se dhe në çastet e fundit lista e “bamirësive” të tyre në drejtim të partizanëve ishte shtuar(kishin shpëtuar nga vdekja edhe  Rahmi Aliun, Ismail Cakonji, Xhevit Jashar Zvezda e të tjerë), ata nuk u arratisën nga Shqipëria, por i besuan thirrjes mashtruese të komunistëve.Nëntori i vitit 1944 xhaxha e nip i gjenë në Shkodër, qëndresa e fundit antikomuniste.Pjesa më e madhe e nacionalistëve morën rrugën e ikjes, ndërsa xhaxha e nip, nuk po shkëputeshin dot nga toka ku qenë lindur. Tamam në atë kohë erdhi ajo thirrja fallse,thirrja mashtruese  që kumtonte lajmin e gënjeshtërt, thirrja që mashtroi shumë atdhetarë :”Kush nuk ka lyer duart me gjak të mos ikë por të kthehet për të punuar së bashku për të rimëkëmbur Atdheun.”Kjo ishte thirrja e Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar. Ç’të bënin? Ta besonin thirrjen?! E besuan se qenë të pafajshëm; zbritën nag varka dhe u kthyen për të punuar së bashku për të rindërtuar Shqipërinë, siç shkruhej në Thirrjen mashtruese. Një qetësi e rremë deri në Elbasan, por atje; ëndërra kishte përfunduar. Sinqeriteti u ndëshkua. Ata i arrestuan pikërisht kur mbërritën në Elbasan.Ku ta dinin ata se nuk kishte më burra që lidheshin për fjalësh! Qenë dorëzuar në besë tek të pabesët!Xhaxha e nip do të provonin”ëmbëlsinë” e ferrit të torturave e deri tek skuadra e pushkatimit.U akuzuan si tradhëtarë të Atdheut ata që kishin luftuar një jetë për Atdhe. U torturuan shtazërisht dhe u trajtuan ç’njerëzisht thjesht pse ishin akuzuar se ishin kundër “vëllezërve” jugosllavë për derisa ai, Ajdin Kulla në akt-akuzë “qenkish koshient për Shqipërinë Etnike”!Edhe pse e pat të paralajmëruar vdekjen, Ajdin Kulla, nuk u ligështua.Ditët e burgut për të kaluan aktivisht:U mësonte të burgosurve anglishten.Ç’kurajo!

Qëndresa e tij do të shfaqej edhe në ditëvrasjen përpara skuadrës së pushkatimit.

Ja si e ka përcjellë Mërgim Korça në shkrimin e tij”Shqiptarët pushkatojnë shqiptarët që shumë e deshën Shqipërinë”, çastin e mbramë të atyre që pafajsisht u vendosën përballë skuadrës së pushkatimit:Të vënë në radhë, në vijë të zhdërvjellët për një dhe të lidhur me litarë, ndodhen para gropës së çelur enkas për t’i gëlltitur patriotët që do të pushkatoheshin, Gani Zemblaku sypatrembur së bashku me të nipin, Ajdin Kullën. Sheh Qerimi, patriot i shquar dhe gojëëmbli i përkryer, i lidhur tok me të birin, Saliun, të riun ballist të vendosur dhe e mbyll vargun Zyhdi Tapia, elegant si gjithëmonë(i veshur enkas sikur shkonte në dasëm), që mëkat kishte vetëm se e donte shumë Shqipërinë…Xha Ganiu, i rrahur me jetën si dhe më i moshuar, duke pasur frikë se mos në çastin e fundit para vdekjes të nipin do ta lëshonin nervat e tendosura, ngre krahun e lidhur, e pushton të nipin dhe e shtërngon në krahëror për t’i dhënë zemër të qëndrojë si burrat dhe për disa çaste.Por Ajdini trim, jo që s’kish nevojë t’i jepnin zemër por u dha zemër ët tjerëve me fjalët që ish partizani kalivaças (ai që e pushkatoi), dëshmitarë i gjallë i çasteve të fundit para vdekjes të Ajdinit, akoma sot,  i kumbojnë në veshë fjalët :”…. amanet Shqipërinëëëë!”

Testamenti i Ajdin Kullës

Po vritem si shqiptar dhe jo si tradhëtar….të rrojë Shqipëria, të rrojë Flamuri Kombëtar!Amanet Shqipërinëëë!…”.

Ky qe thelbi I Testamentit që shkroi më 18 qershor 1945 dëshmori i Nacionalizmës Shqiptare, Ajdin Kulla. Pas dy ditësh, pikërisht me 20 qershor 1945 ai do të ishte përballë atij, partizanit nga Kalivaci, i cili në emër të dashurisë për Atdheun dhe Partinë Komuniste, do t’i zbrazte plumba në krahëror djaloshit 32 vjeçar, Ajdin Kulla, me besimin se ky na paskish tradhëtuar partinë e partizanit nga Kalivaçi, Atdheun dhe “vëllezërit” Jugosllavë! Po pse thërriste:” amanet Shqipërinë” djaloshi nga Zemblaku, po të kish qenë tradhëtar?!Testamenti i Ajdin Kullës mbetet një akt-akuzë e rëndë për sistemin komunist. Ia morën jetën në mënyrën më të pabesë.U vra pse besoi në idealin për të cilin kishte lënë nxënësit dhe pat rrokur pushkën. Atëherë ëndërra e tij për ta patur Kosovën së bashku me Tokën Amë dukej e realizuar, Shqipëria dhe Kosova ishin një. Por pas lufte u pa se gjithçka qe e përkohshme, “vëllezërit” komunistë jugosllavë nuk do ta lëshonin aq lehtë Kosovën . Ata kishin më shumë se një shekull që përkundnin veten nën legjenda dhe mite të rremë se qenë autoktonë aty dhe se Fushë-Kosova qe djepi i miteve serbe! Dhe shpikën “Barazi-vëllazërimin” duke patur për ndihmë edhe vëllezërit komunistë të Shqipërisë Amë. Ajdin Kulla nuk e besoi për asnjë  çast gënjeshtrën vëllazërimit sipas Internacionalizmit proletar  dhe besimine  vet nuk e shkeli as përballë hetuesve, as përballë skuadrës së pushkatimit.

Po ç’pat ai zemërkatrani, (nuk ka mbetur i dënuar pa e mallkuar), ai Navzat Haznedari, që e çoi në plumb?!Ajdin Kulla qe nga ata djem që shquheshin për atdhetarizëm që në bangat e Normales, ku studionte pasi kishte mbaruar tri vjet në shkollën Harry Fultz.Edhe ai, që do të bëhej xhelati i djemve të Nacionalizmit, Nevzat Haznedari qe nxënës po në Normalen e Elbasanit. Madje që të dy kundërshtarët e ardhshëm atëhere qenë në të njëjtën klase. Por ndërsa Ajdini ishte studenti më i mirë i Normales dhe në fundin e shkollës e kishin nxjerrë më të dalluarin; e kishin privilegjuar duke e ulur me trupën mësimore, për ta veçuar si më i miri i shkollës, ruhet dhe një fotografi e asaj kohe, ku Ajdini ka dalë në fotografi me ekipin e pedagogëve të shkollës. Madje është i vetmi student mes pedagogëve. Nevzat Haznedari, përkundrazi, qe nga ata që mezi shtyhej për ta kaluar klasën. Ka dhe një ndryshim tjetër mes të dyve; Ndërsa Ajdini kishte dalë në shesh për ta pritur me protestë pushtimin fashist të Shqipërisë, ai Nevzat komunsti do të vishte këmishën e zezë të xhelatëve pushtues dhe qe regjistruar në radhët e rinisë fashiste! Ajdini nuk pranoi që të vishte këmishën e zezë me të cilën u kapardis ca kohë Nevzat Haznedari. Nuk është për t’u çuditur se si një ish fashist bëhet komunist. Zhelio Zhelev, e thotë qartë se komunizmi dhe fashizmi janë fqinjë të afërt. Të dy instalojnë diktatura. Prandaj nuk e pat të vështirë ai Nevzat Haznedari që nga fashist të bëhej një ndër komunistët më të betuar(tërbuar). Se mos është vetëm ai nga lloji i komunistëve që ksishte hyrë në radhët e komunsitëve përmes portës së fashizmit?! Pse nuk qe i tillë edhe kryeprokurori Bedri Spahiu, i cili i ropi të gjallë nacionalistët, madje edhe këngë këndonin për të:

Reaksionaret por si miu

I dënon Bedri Spahiu….

Kryprokurori Bedri Spahiu pat kohë që të reflektonte pasi do të fitonte mërinë e ustallarëve të vet. Kur e provoi në shpinë të vet torturën dhe akuzat fallco e pa se sa e pështirë ishte raca e komunistëve. Dhe i mallkoi…Por le të kthehemi tek Haznedari që i kumtoi vdekjen e idealistit nacionalist. Atij nuk do t’i dridhej qerpiku kur do t’ia kumtonte vdekjen ish shokut të klasës.Dhe Ajdin Kulla kurrë nuk ia dha kënaqësinë që mezi priste xhelati; nuk u përul. Edhe para skuadrës së pushkatimit Ajdini do të çudiste ata pak që qenë dëshmitarë të aktvrasjes. Zëri i tij i fuqishëm-Amanet Shqipërinë!,- do të ishte më shumë se sa aktakuzë kundër përbindshëve që merrnin jetë të pafajshme pse kërkonin Shqipërinë me Kosovë e Çamëri….

Ditari i Xhevit Kullës

Jonuz Kulla la katër djem:Belul, Ajdin, Xhevit dhe Nazmi Kulla.Xhevit Kulla, detyrohet që të bashkohet me radhët e Brigadës së dytë, duke iu përgjigjur urdhërit, që çdo derë duhej të dërgonte një mashkull në radhët e ushtrisë. Ka qenë fundi i vitit kur ai do të bashkohej në Terovë të Pojanit me Brigadën. Komandant pat Neshat Kondi. Që atë ditë do të niste aventura që më vonë do ta rraste nëpër burgjet e kampet e internimit. Nga Tërova në Rëmënj e Zërvaskë. Parakalimi u bë në Pogradec, ku kishte shkuar Beqir Balluku.Aventura vazhdon; në këmbë ecin natë e ditë në gjurmë të kundërshtarëve që kishin mbetur maleve.Ditë të ftohta dimri. Ata ecnin majë maleve.15 ditë në mes të dëborës.Duke qenë se ditarin do ta paraqesim në numrin e ardhshëm, po ndalemi kalimthi në ngjarjet dramatike, të cilat u rrokullisën në një mënyrë marramendase sa as vetë personazhi ynë nuk e kuptoi se si morën atë rrjedhë:Xheviti sëmuret; i dëmtohet syri i djathtë, doktori e kishte strehuar në një kasolle më vete. Kur u çvendos brigada për në Kpashticë në ndjekje të dy personave që kishin ikur nga burgu, Xheviti nuk e mori vesh, pasi qe i izoluar. Atëhere ndodhi një ngjarje që nuk deshën ta besonin shumë nga ata që e dëgjuan; 20 ushtarë të brigadës dezertuan dhe kaluan kufirin duke shkuar në Greqi. Komandanti i Brigadës bëhet xhind dhe në pamundësi për të gjetur fajtorët që kishin ikur,  arreston katër ushtarë. Pas çvendosjes së brigadës nga kufiri shkojnë dhe e marrin Xhevitin e sëmurë dhe i thonë se do ta çonin tek komandanti, i cili gjoja e kërkonte për një problem të rëndësishëm. Kur mbërriti në vendstrehimin e komandës, nuk po kuptonte asgjë se çfarë po ndodhte.Por shpejt do ta kuptonte sapo do të shkelte tek pragu; një pengec në hyrje, hundët gjak dhe seanca e pyetjeve të njëpasnjëshme.

-Di greqisht ti Xhevit-

-Jo

-Po italisht

–  Jo de nuk di…

–   S’do të tregosh ti…? E shpallën të rrezikshëm. I vunë roje tek dera. Aty qenë sjellë edhe katër të arrestuarit e tjerë për ngjarjet në kufi.Kur po kryhej seanca e pyetjeve, njëri prej të arrestuarve, një djal guximtar prej Shkodre, rrëmben pushkën e rojes dhe ia nis të shtënave.Dy orë luftë.Kur shkodranit i mbarohen fishekët, e kishet ruajtur një për veten. Vrau veten.Xheviti ngjarjen më shumë e dëgjoi se sa e pa; e dëgjoi nga bodrumi ku e kishin lidhur këmbë e duar….Po si rrodhën ngjarjet e mëvonshme? Si u dënua Xheviti, ku e kaloi dënimin dhe çfarë përfitoi pas vizitës së Mehmet Shehut në burg, si e priti e fejuara 11 vjet, ridënimi përsëdyti, internimi… I lëmë për radhën tjetër ngajrjet e kësaj natyre, ku të shfletojmë ditarin e tij… Le të ndjekim fatim e familjes Kulla…

 Arratisja e vëllait të vogël, Nazmiut

Fati i familjes Kulla qe i paracaktuar që me arrestimin e Ganiut dhe Ajdint, që përfunduan në plumba. Pas tyre qe radha e Xhevitit që kurrë nuk arriti ta kuptoi se çfarë faji kishte kryer; më pas do ta kishte radhën që të hynte në burg Beluli. I vogli i vëllezërve, Nazmiu, e përjetoi thellë dramën e më të mëdhenjëve. Zemra do t’i dridhej kur do të mësonte pushkatimin e Ganiut dhe Ajdinit. Viti 1945 do ta gjente aty në vendlindje në Zemblak, por jo në shtëpinë që i kishin lënë trashëgim të parët. Që andej i kishin nxjerrë sapo kishin ardhur në fuqi komunistët. Ata jetonin në haur kafshësh. Jetën mezi e shtynin. Gjithçka u qe konfiksuar, pasuria, shtëpia, bagëtia. Edhe pse ua patën sekuestruar pasurinë sërish u kërkonin të paguanin tatimet e larta të shtetit. U detyruan që të shisnin deri edhe kalin e vetëm që u patën lënë. Çdo ditë jeta bëhej më e vështirë. Sa lanin një plan mbërrinte tjetri. Kërkonin t’i gjunjëzonin. U duhej që të blinin misër në treg të Elbasanit me çmim të kripur dhe të lanin planin e tatimit që u vinte shteti.Por mbi të gjitha jeta ishte e pasigurtë, cdo njerin nga fisi Kulla po e arrestonin radhazi.

–  Në këto kushte Nazmiu thuri në mendje planin e arrastisjes, të cilin e realizoi me shumë kujdes. Me vete mori edhe dy nipërit, të cilët kërkonte që t’i hiqte nga thonjtë e diktaturës, e cila nuk kishte për t’u rezervuara tyre të ardhme tjetër veç atë të parardhësve që i pat rrasur burgjeve. Nipërit qenë djem të vegjël; Muhameri  dhe Samiu .Rruga e vështirë e mërgimit për ta nisi me arratisjen në Greqi. Forcat e matanë kufirit, i cuan në kampin grek. Muhameri dhe Samiu, që qenë fëmijë, e ruajnë ende në kujtesë kapërcimin e vështirë të kufirit dhe vështirësitë e jetës nëpër kampet greke. Për tre vjet Nazmiu me të dy nipërit do të përballej me jetën e vështirë të kampeve greke. Pas tre vjetësh ai do të merrte rrugën për në Gjermani. Aty do të qëndronin edhe dy vjet të tjera derisa, pas dy vjetësh do t’i merrnin amerikanët dhe do t’i nisnin drejt kontinentit të largët, ku do të kalonin gati 50 vjet  pa i parë dhe pa marrë lajme për pjesën tjetër të familjes e cila ndërkohë dergjej ca ndër burgje e ca ndër kampe internimi e ferma bujqësore në zona të izluara, nga ku të mos kishin mundësi që të arratiseshin. Beluli, më i madhi i djemve të Jonuzit, kaloi jetën nëpër kampe; në Peqin, në Bishqem, në rrethinate  Divjakës, për të përfunduar në kampine  Savrës, ku edhe do të vdiste. Në rrethinat e Lushnjës qe i internuar edhe Nesheti me Vedatin.  Lufta e klasave i kositi të gjithë, edhe kushërinjtë do të përfundonin kampeve të internimit. Mediu dhe Tefiku, bijtë e  Sabriut , u internua në Çermë, Savër, Gjazë të Lushnjës.

–   Ditët e para të përmbysjes së sistemit komunist fisin Kulla e gjeti të shpërndarë; ca në Amerikë, ca në Kanada , ca në Austri, ndërsa një pjesë ende dergjeshin kampeve të përqëndrimit apo në zonat e izoluara bujqësore.

Sami Kulla:U arratisëm jo për të fituar dollarë

–   Sami Kulla, në bisedën që bëmë të dielën pasdite me 4 prill më sqaron se është arratisur nga Shqipëria jo në moshën 12, por 15 vjeçare. Atëherë shteti e kishtë dërguar që të punonte vullnetar në hekurudhë.

–   Ndodhesha në Fushë-Mbret, kujton ai. Nazmiu qe ushtar atëherë dhe e njihte mjaft mirë vijëne  kufirit. E dinte shumë mirë se kur dhe si duhet të kalohej kufirit, megjithse nuk qe gjë aq e lehtë. Na u desh që të kalonim 6 seri të minuara. Por gjithçka kaloi pa pasoja ngaqë së bashku me ta ishin edhe Bilal Kalaja me të shoqen Shega, Doko Kalaja, Alithemiu, që qe specialist i minave, përvojë që e kishte fituar në ushtri.Kalimi i kufirit u bë me 3 shtator 1950

– Bashkimi me të afrmit e tjerë, Samiu kujton se u bë në kampin e Lavros, Greqi. Ai kujton se atëherë pati një ftesë nga vajza e Ganiut, babai i sëcilës qe pushkatura me 20 qershor 1945. Ajo pat ikur shpejt në Kanada dhe e ftoi edhe Samiun që të shkonte atje. Por përgjigja e Samiut qe e prerë:- Ne nuk kemi lënë Shqipërinë për të fituar dollarë, ne kemi dalë që të armatosemi, të stërvitemi dhe të kthehemi që të çlirojmë Shqipërinë nga Komunizmi.

Kur morëm rrugën për jashtë Shqipërisë ne kishim dëgjuar për krijimin e  Komitetit Shqipëria e Lirë dhe mendonim se duhej të përgatiteshim për t’u rikthyer për  ta çliruar vendin, por ashtu si rrodhën ngjarjet qe e pamundur.

Dështimi i desantimeve, tradhëtia e anglezit Filbi, kapja e Hamit Majanit , loja e Sigurimit Shqiptar, bëri që të kërkonim rrugë të tjera nëpër botë… Dhe Samiu mori rrugën drejt Francës, ku qëndroi shumë vite, më pas do të shkonte në Kanada, e pasi do të rrinte ca vite edhe atje, do të merrte rrugën drejt Amerikës…… Kudo që shkoi, Samiu la gjurmët e derës dhe fisit nga vinte. Pronari francez edhe tani e kujton sjelljen e tij ët përsosur. Madje, para ca kohësh, kur një grup specialistësh të bujqësisë(agronomë) nga Shqipëria kishin shkuar në Francë, pikërisht në zonën ku ka pas jetuar dhe banuar Samiu, pronari francez, pasi i kishte pyetur se nga vinin, kishte lëvduar shumë shqiptarin Sami Kulla, që dikur kishte punuar për të. Shqiptarët e kishin ndjerë veten të përkëdhelur në sedër dhe njëri prej tyre i kishte telefonuar Samiut. Dhe ia kishte rrëfyer me krenari lëvdatëne  francezit…Ndërsa kur ishte në Kanada, nuk numërohen rastet e bamirësisë së tij ndaj shqiptarëve. Kur gazetat e Torontos flisnin për një shqiptare që mbeti rrugëve pas aksidentimit të të shoqit, dhe pa mundësi jetese, Samiu iu gjend për shumë kohë, derisa i shoqi iu rimëkëmb. Nuk është ky i vetmi rast, ndërkohë që në Cunnectikat, ku është vendosur prej kohësh, nuk numërohen mirësitë e tij ndaj shqiptarëve të porsa ardhur.Derë e hapur këtu në Amerikë si dikur dera e madhe në Zemblak…

Syrgjynosja e së shoqes dhe të birit të Ajdin Kullës

Në kohën kur Ajdin Kulla përgatitej për jetën e përtejshme; në kohën kur ai shkruante testamentin e  tij të pavdeksisë, e shoqja Fidaria, qe nuse e re. Në testamentin e tij Ajdini lë vend edhe për shoqen e jetës, fatin e tij, që e pat dashur aq shumë. I ka shkruar përmes Testamentit nënës së tij, padyshim dhe vëllezërve. U është lutur përmes rreshtave të asaj letre-testament:”Pyeteni nusen nëse mbas pushkatimit tim ajo do të dëshirojë të qëndrojë e pamartuar apo jo….”

Shoqja e tij e jetës, Fidaria nuk u nda nga fati i saj i parë, edhe pse ai kishte ikur nga kjo botë aq shpejt. Bashkshortja besnike e lidhi jetën e vet, me djalin Jonuzin dhe me vajzën Luden.Mëma e gjorë  u lidh fort pas fëmijëve dhe i mbrojti ata nga të këqiat e asaj jete plot rreziqe;për 40 e ca vjet jetuan të internuar në kodrat e Dumresë, diku në rrethinat e thella të Belshit.Pikërisht i biri i Ajdinit, Jonuz Kulla, që mban emrin e Jonuzit, luftëtarit që pat komanduar trimat e asaj ane, të cilët patën luftuar kundër turqëve, grekëve, bullgarëve, i pat treguar profesorit të shquar, historianit të Kosovës, Zekeria Cana, aktakuzën e tmerrshme”Ajdin Kulla dënohet për agjitacion dhe propagandë, koshient për Shqipërinë Etnike!” Kjo ka ndodhur atë ditë, ku gjithçka qe ndryshe: Qe shembur  komunizmi si sistem(I vetmi privilegj që u krijua për të përndjekurit që zhvarrimi dhe rivarrimi).

…. Ngjarjet zhvilloheshin po atje, ku qe hapur ajo gropa e madhe, ku me 20 qershor 1945 qenë pushkatuar si tradhëtar  ata trima që ranë mbi njeri-tjetrin me thirrjen :”Rroftë Shqipëria…Rroftë Flamuri! Ndërsa Ai, 32 vjeçari, Ajdin Kulla, që në çastin e largimit nga burgu drejt vendvrasjes, i pat ngritur peshë zemrat e të burgosurve antikomunistë, duke u lënë amanet Shqipërinë. Ishin të njëjtat fjalë që i dolën nga gjoksi edhe në kohëpushkatimin:Amanet Shqipërinë! Pikërisht atë ditë të ngrohtë vere të vitit 1992, mizëri njerëz qenë mbledhur pranë gropës, ku preheshin të pushkatuarit e pafajshëm pse deshën Shqipërinë. Aty pranë gropës pat ardhë atë ditë edhe Fidaria 80 vjeçare, e cila 47 vjet të shkuara, në një natë pa hënë, pat rrezikuar jetën e vet. Ajo pat ardhur aty tek gropa së bashku me gra të tjera si; të shoqen e Zyhdi Tapisë, të bijën e Sheh Qerimit dhe gra të tjera dhe pasi patën hapur gropën, secilit trup i kishin vënë përbri nga një shishe të taposur me nga një letër ku shkruhej emri i seicilit. Ditën që u gërmua gropa pas 47 vjetësh, njerëzit shtangën kur i panë dy skeletet përmbys, ku krahu i njërit ende qëndronte mbi shpatullën e  tjetrit, ishin ata; xhaxha dhe nip, Xha Ganiu, i quajturi beu i Zemblakut dhe i nipi, Ajdini.Në atë ceremoni rivarrrimi, i biri i Ajdinit, nxjerr kopjen e Vendimit të Gjyqit, ku shkruhej e bardha mbi tëzezë:”Ajdin Kulla…Gjykata Ushtarake e dënon me vdekje… koshient i Shqipërisë Etnike”…

Po çfarë mendon sot i biri Ajdin Kullës-Jonuzi(i riu)?

Jonuzi e ka përjetuar gjatë humbjen e të atit, Ajdinit. Ai qe një ndër ata që së bashku me nënën dhe të motrën e provuan në shpinë peshën e vuajtjes. Ishin me baba të pushkatuar dhe kjo ishte e mjafët për t’u futur në radhën e të padëshiruarve të rrezikshëm. Por ai nuk do të flasë për vuajtjet e veta, të motrës dhe të nënës nëpër kampet e internimit.

– Ata na kishin vënë në shënjestër dhe ne ishim të destinuar që të vuanim, ndërsa një pjesë jona qe kontigjent për vdekje, më thotë ai dhe parashtron faktet: Pas pushkatimit të Xha Ganiut dhe tim eti, i erdhi radha që të arrestohej Beluli, Mediu, Tefiku, Hymeti.Po i vinin rrotull Nazmiut, vetëm ai pat mbetur dhe si duket ata kishin pritur që të rritej dhe pak. Kur ata po i afroheshin, Nazmiu mori nipërit dhe u arratis. Mos harro se një pjesë ashtu shpëtuan, duke u arratisur; kanë ikur 60 burra dhe gra prej Zemblakut.Nga shënjestra e diktaturës nuk shpëtuan as nipërit, thotë Jonuzi dhe rreshton emrat e Kullëve të tjerë:Hado, Enveri, Sefedini, Fikriu, Selmani, Qerimi….Kush s’mundi të largohej përfundoi në pranga; Faslli Kulla vdiq në tortura, qe vetëm 17 vjeç, se ç’farë i sajuan një aktakuzë koti; ka qenë korrier i diversantëve; Shaban Kulla kaloi 10 vjet në burg, sapo u lirua, vdiq….Jo vetëm nipërit, por edhe kushërinjtë u përcaktuan të padëshiruar. S’bënë përjashtim nga ky rregull as Feridi dhe Muhameri,(jo ky që u arartis) Ibrahimi, Avniu, Mustafaj…Një pjesë vdiqën internimeve si gruaja e Mediut, Kalemi dhe Hedija prindërit e Selmanit….

Pas hesh ca çaste Jonuzi shpërthen:- A e beson se ata, Ramiz Alia me të vetët e realizuan atë që deshën? Na përzunë të gjithëve nga Shqipëria, edhe ne që qemë nëpër kampe u detyruam të merrnim rrugët e mërgimit. Nuk na kanë kthyer asgjë nga pasuria jonë. Dhe kjo është bërë me qëllim të lig. A e ke vënë re se kosovarët janë më të lidhur me Kosovën? Ata janë të motivuar, kanë atje një tokë, kanë një shtëpi, kanë diçka, ndërsa ne asgjë nuk kemi tonën. edhe shtëpinë e madhe tonën, vetëm në letra e kemi…Pse ç’është Atdheu? Ja ajo shtëpia, ajo toka, që ende se kemi toonë…Atdheu nuk është në ajër…..

Vizita e Mbretit

Pushimi i Mbretit Zog i në shtëpinë e Kullëve në Zemblak është përfolur shpesh nga shtypi. Është e vërtetë se Mbreti ka qëndruar në atë shtëpi dhe është pritur me gjithë të mirat. Aty familja mbretërore ka qëndruar një natë. Pasi ata u plotësuan me dokumentacionin e nevojshëm nga pala greke, morën rrugën për matanë. Oficeri i Gardës Mbretërore Medi Kulla si dhe Gjeneral Aranitasi, shoqëruan oborrin Mbretëror deri në Follorinë.Por nuk është e vërtetë ajo që shkruan shtypi se gjoja ishte vetëm ajo vizitë që e bëri Zemblakun fshat me biografi të keqe. E vërteta është ajo që u shkrua në radhët e këtij shkrimi:Zemblaku qe një fshat nacionalist dhe bijtë e tij u çuan në plumb, ndërsa ata që mbetën gjallë provuan burgjet, internimet dhe survejimet. Është shkruar se Kullët nuk qenë me Mbretin, por qenë të inkuadruar me Ballin. Në të vërtetë Jonuz Kulla-Plaku, qe emëruar nga Mbreti Oficer rezerve. Ai, Jonuzi, qe krenar për këtë titull dhe e justifikoi atë deri në ditvdekjen e vet.

Në vend të mbylljes…

Familja e madhe Kulla, deri në kohën kur komunizmi nuk kishte ardhur në fuqi, jetonte e bashkuar në Sarajet e veta. Kjo familje me tradita fisnike , e njohur edhe për bujari në të gjithë zonën, numëronte në radhët e veta 43 pjestarë. Ajo qe krenare se futej ndër ato familje që i kishte dhënë Shqipërisë luftëtarë në çdo brez. Jo vetëm pse, Jonuz Kulla-Plaku, qe luftëtar i njohur dhe me çetën e tij pat firmosur në të gjitha luftrat: Në Kapshticë, me 1910, 1911, 1912, në Zvezdë, Pojan pat luftuar me bullgarët, ku la të vrarë luftëtarët e tij besnik Muharremin me gjithë të kushëririn,të atin e Mazarit e të atin e Hamdiut; të cilët qenë nipër të Jonuzit. Jonuzi me çetën e tij u përpoq të merrte hak për masakrat e grekëve, të cilët pasi mblodhën burrat e Plasës së Poshtme të Korcës, i futi të gjithë në xhami dhe i kositi me plumba;kurse fëmijët e vegjël i nxori në lëmë dhe i shtypi me kuaj…Jonuzi me çetën qe krahu i djathtë i francezëve për të mbrojtur Korçën. Në ato luftime Jonuzi do të merrte një plagë në këmbën e djathtë , që do ta linte me shenjë gjatë të gjithë jetës. Kur gjenerali francez u kërkoi korçarëve një njeri besnik që ta shoqëronte Korça zgjodhi Sabrinë, vëllanë e Jonuzit, pasi vetë Jonuzi tashmë e tërhiqte zvarrë këmbën e plagosur në luftë kundër austriakëve. Pas ngritjes së Flamurit në Vlorë, ku mori pjesë edhe Jonuzi, ngjarjet u çvendosën në Korçë. Themistokli Gërmenji bashkë me Jonuzin, marshuan me luftëtarët e tyre nga Pogradeci në Pllocë, në Potgorije, Shëngjergj, Pojan, Pendavinj, hynë dhe në Korçë dhe valvitën flamurin kuq e zi me shkabën dykrenare. Ka qenë ruajtur një fotografi hyrja e tyre triumfuese, por pas ’45-sës, fotografia e Jonuzit u hoq. Atij i qe prishur biografia, edhe pse pat vdekur që më 1931.

Parimi i luftës së klasave do ta gjakoste familjen Kulla, duke u hequr të drejtën e jetës disa prej pjestarëve të saj, të tjerët i stërmundoi dhe i syrgjynosi kampeve të internimit dhe burgjeve.

Ja bilanci i masakrimit të kësaj familje:

Të pushkatuar

1-         Gani Kulla 1945

2-         Ajdin Kulla 1945

3-         Rapo Kulla 1945

4-         Fuat Kulla 1951(Varur në litar)

5-         Fazli Kulla 1951(Vdiq në burg gjatë torturave)

Të burgosur

1-Xhevit Kulla

2- Belul Kulla

3- Medi Kulla

4- Tefik Kulla

5-Hymet Kulla

6-Shaban Kulla

7-Ridvan Kulla

Pjestarët e tjerë të kësaj familje provuan jetën me apel nëpër kampet e internimit, punën e vështirë në zona të izoluara të Shqipërisë dhe mohimin e arsimimit të fëmijëve

 

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: KULLAJT E ZEMBLAKUT, nje histori, PER T'MOS U HARRUAR

NJË HISTORI NGA DIKTATURA E ZBRITUR NË TRANZICIONIN RURAL

December 22, 2014 by dgreca

Njërit prej atyre që diktatura i kishte zgjedhur si trashëgimtarë të saj/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Është një histori shqiptare që do të zgjasë me tranzicionin. Histori plehu. Merreni si të doni, fiksion, narracion apo tregim të jetuar prej njërit nga ata që e ka plehurosur Shqipërinë. Një pesticid që e helmon edhe dheun e tokën.
Në diktaturë, ishte i biri i njërit nga të nomenklaturës të kuqe. Nga ata që ia dinin vetëm partisë ngritjen. Kjo i jepte krekosje.Fryhej si gjel. I trashë, i bymyer, i shkurtër, i paformë, truqullur, që ia kishin futur në kokë se do të bëhej një enver i vogël. I vogël sa një gogël nga të qenit. Pasi mbaroi universitetin e Tiranës në degën në fjalë, e dërguan të perfeksiononte të menduarin proletaro-stalinist në Paris. Atje diktatura dërgonte vetëm sakatët e sojit të saj, që gomerë shkonin e gomerë ktheheshin. Gomerë me Sorbonë. Ky u kthye si nga të qenit, që këtu në Perëndim përpara se ta hedhin në koshin e mbeturinave, veshin dorezat plastike dhe e fusin në qeska apostafat.
Prej andej u kthye edhe më i trashë, edhe më i qullur, si një spec i mbushur me plastelinë, i gatshëm të përulej, të merrte çdo formë, deri edhe formën e mbeturinave ushqimore trupore.
Dhe fati dukej se i ndihte. Deri sa gjeti të martohej me një të sojit të vet, si një siguri për të ardhmen. Ta shihnit, në fakt ju e keni parë, se si u fry edhe më nga hiçësia. Në Bibliotekën kombëtare të Tiranës kishte një vend fiks. Dhe vinte dhe shkonte i krekosur. Shtrihej përmbys mbi libra dhe flinte mbi to me sy hapur, vigjëlues. Aty i vinin gardistët e rinj, që e duatrokisnin sa herë që tështinte dhe shpërndante pështymën në dyshemenë e Bibliotekës Kombëtare, gjithnjë si një thes mbeturinash ushqimore trupore.
Kishte një krekosje idiote që e mban edhe sot në tranzicionin rural. Dhe prapë i gjenden pranë ca idiotë që e duatrokasin sa herë pështyn glasa sorranësh pleq. Sepse tani ngjan me një thes të shfryrë, plluq- lluq. Por nga të krekosurit nuk heq dorë. E ka inerci të kohës të diktaturës, të kohës kur e kishte të siguruar Parisin, prej ku u mundua të çonte mendimin proletaro-enverist dhe prej nga ku gdhë shkoi e gdhë u kthye, një lluq-plluq.
Më kujtohet se këtë krekosje e kishin familjare, të ushqyer nga partia.Ishte e frikëshme. Bënin gjëma në emër të partisë, merrnin njerëz në qafë. Jetonin në një vilë të shpronësuar, të dhuruar nga regjimi. Që e kishin përvetësuar. Asnjëherë nuk e kishin pyetur veten për banorët e asaj vile. Ose duke e ditur fatin e tyre të egër, bëheshin edhe më të egër. Të shihnin nga poshtë-lart, të shihnin me sytë e çeliktë të partisë. Të ftohtë, bosh, kriminelë sytë e partisë të plehut. Me këta sy e hodhën në mes të rrugës një vajzë të bukur shqiptare. Me flokë të verdha gjithë onde, e kam parasysh si tani, isha në fillore, ajo sapo kishte mbaruar gjimnazin. Por këta të plehut e hodhën në mes të katër rrugëve sepse të jatin e vajzës të bukur bionde e dënoi partia.
Dhe pastaj pasi e vërvitën në mes të katër rrugëve, të pafaj, të pafajshme, të pastër si drita e diellit, ata pa asnjë brerje ndërgjegje edhe sot e kësaj dite, e zëvendësuan me një femër tjetër, që e veshën me krekosjen e sorranëve të familjes.
Kur u përmbys diktatura thamë se shpëtuam prej krekosjes të thasëve me mbeturina ushqimore trupore, që në Paris shkuan ashtu i qenit dhe ashtu u kthyen. Por, të paktën shpëtoi ajo vajza bionde, me flokë me onde dhe sy të kaltër, e cila ka një emër të bukur nga historia shqiptare. Ajo vajza vuajti të zezat, hoqi skëterrën, por ama shpëtoi nga thesi me fekale, ndërsa shqiptarët e ngratë jo, u paska rënë risk që t’i kenë ende nëpër këmbë, ashtu të trashë, të lyrshëm, si derra të kënaqun prej mizerjes të mbjellë si filozofë proletarë të antinjeriut.
Mua sa herë më del përpara ky plehu, më kujtohet gjithnjë ajo vajza me krela të verdha, e cila ka një emër të bukur. Ajo e njeh të krekosurin ashtu si duhet, familjarisht. Dhe kushedi sa herë e ka pështyrë dhe e pështyn, sa herë i ka mallkuar, me racë e farë, aq herë sa e ka çuar nëpër mend atë periudhë të zezë të jetës të saj të re, mbetur në mes të rrugës nga kriminelë të mbushur sot me urrejtje, sepse nuk i lamë të bëheshin ashtu si kishte vendosur t’i bënte partia e krimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, NGA DIKTATURA E ZBRITUR NË, nje histori, TRANZICIONIN RURAL

Një histori pa të vërteta

April 10, 2013 by dgreca

Shkruan: Ndue Ukaj/

Ajo çka i propozojnë opinionit publik ata që e kritikojnë peticionin, është një histori pa të vërteta, një histori që iu shkon për shtati teorive të Ahmet Davutogllu-it, që shqiptarët i konsideron si mbetje osmane në Ballkan.

Shqiptarët s’kanë sesi të trajtohen si mbetje osmane, sepse s’janë të tillë. Ata kanë kulturën e identitetin e tyre dhe s’mund t’i mohojnë faktet e panumërta historike për hir të marrëdhënieve të reja me shtetin turk. Shqiptarët u privuan për pesë shekuj nga liria, nën dhunën osmane dhe kështu u detyruan që identitetin e vet kombëtar e shtetëror ta formësonin në konfrontim të përhershëm me pushtimin osman.

Ndërsa kontingjenti i atyre që morën përsipër ta atakojnë peticionin kundër ndryshimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoritete turke dhe nën trysninë turke, nga ç’ pamë gjer me tani, ka vetëm një mision: ata duan t’i mësojnë shqiptarët me një histori pa të vërteta.

Debati rreth peticionit, është një dëshmi e mirë me pa qartë një të vërtetë të dhimbshme: kujtesa jonë është një kuti e mbuluar nga një shtresë e trashë pluhuri, të cilin pluhur  po u përpoq dikush ta heq, çohen peshë gjakrat e atyre që kanë gjetur prehje brenda asaj kutie të myktë.

Kjo histori pa të vërteta, është burim i mirë për kozmopolitët, që të tredhur nga idetë kombëtare, siç do të thoshte shkrimtari Erich Maria Remarque, s’i përkasin më asnjë kombi. Këta kozmopolitë,  natyrisht duhet ta sulmojnë historinë kombëtare, sepse kështu legjitimojnë vetën e tyre.

Nga llomi i këtij pluhuri, s’ka sesi të mos dalë ndonjë mendje që krekoset dhe merr përsipër të mbajë ligjërata se çfarë është kombi e çfarë s’është ai, si mund të tjetërsohet kujtesa dhe si lëvizin identitet sa herë ndërrohen perandoritë.

Këto teza për identitete të lëvizshme, në thelbin e tyre s’kanë asnjë bazë shkencore dhe s’gjejnë pandehmë krahasime me asnjë komb në rruzullin tokësor. E këto toeriçka ndër ne  i shpikin vetëm ata që duan mbi koncepte tërësisht imagjinare e iluzore, të krijojnë një komb të ri, një komb pa kulturë, pa rrënjë e pa trashëgimi të përbashkët.

Gjitha koncepcionet tjera që përpiqen të nxjerrën nga peticioni, janë sajime imagjinare, të atyre që duan të shkruajnë një histori pa të vërteta, të atyre që flasin për identitete të lëvizshme, të atyre që duan t’i ndërrojnë identitet sa herë ndërrojnë stinët e motit, të atyre që me kauzifakte, flasin për një bashkëjetesë mes shqiptarëve dhe perandorisë osmane, të atyre që për shkak të simpative të ndryshme, mohojnë të vërtetën dhe kështu pjesën dërmuese të kulturës dhe identitetin shqiptar.

Ku zë fill  kjo histori pa të vërteta?

Natyrisht, kjo histori pa të vërteta, pikësëpari duhet ta amnistojë pushtimin osman ndër shqiptarë, fillimisht duke e zbutur atë, në formën siç kemi dëgjuar, ku vrasjet zëvendësohen me burgosje, e shpërngulja e arbëreshëve thuhet të mos jetë bërë për asnjë arsye tjetër, veç fetare. Së dyti, kjo histori vihet në funksion të fragmentarizmit të kombit shqiptar, duke u hy në punë kjo teori disa ideve të marra për një komb të ri, që është derivat i kombit shqiptar, nën substratin e të cilit shtresat e ardhura mendohen të jenë bazë.

Kjo histori pa të vërteta, hap shtigje që shpejt të rishkruhet edhe letërsia shqipe, meqë ajo nga fillimet e saj e gjer me sot, me një gjuhë artistike e atakon kudo pushtimin osman. E s’duhet të harrojmë se letërsia shqipe është paradigma më e fuqishme që ndihmoj në mbijetesën kombëtare.

Një histori pa të vërteta, natyrshëm pushtimin osman e krahason me atë të NATO-së dhe kështu hap shtigje tjera që në një të ardhme të afërt, gjithë ata që kapën pushkët kundër asaj perandorie, të shpallen tradhtarë.

Një histori pa të vërteta, natyrshëm eliminon heronjtë e saj, duke e shpallur pikësëpari Gjergj Kastriotin, kaçak e cub, për ta zëvendësua atë në një etapë tjetër, me shpëtimtarin Sulltan Murati-n. Në sfondin e gjithë kësaj, i shohim edhe debatet e shumta që bëhen rreth figurës së tij dhe tezave që importohen nga jashtë për ta çmitizuar atë, thjesht për ta bërë kaçak.

Një histori pa të vërteta, është ajo histori që bëhet pjesë e inxhinieringut politik për ta zhvatë edhe  më tej këtë komb të rraskapitur dhe për t’ia prishë busullën e orientimit, në kohën kur sendërtimi i aspiratës europiane është në rrugë e sipër.

Kush e shkruan këtë histori pa të vërteta. Këtë e shkruajnë ata që flasin për identitete të lëvizshëm dhe harrojnë se jemi të njëjtit  të cilët tok të bashkuar, para pak kohe çirreshim para dyerve të Europes, duam të hyjmë brenda.

E kjo kujtesa e shkurtë kombëtare, është fatkeqësia jone ma e madhe, e cila na ka çuar nga gabimet në gabim, nga pësimet në pësime, duke mbetur gjithmonë në dyert e dikujt, me parulla që na ngrihen në duar.

Ç’mund të jetë kjo tjetër, veç një marrëzi që komentin ma të adekuatë e ka te vet parullat që i ndërrojmë, sa herë na duket se janë hapur dyer të reja para nesh. Në fakt, para nesh ka qenë vetëm një derë.

Gjumi letargjik i injorancës, ka marrosur disa grupe shqiptarësh, që ma parë pranojnë te identifikohen me pushtuesit barbar osman, sesa me historinë e tyre, me heronjtë e tyre, me gjuhën e tyre, me simbolet e tyre dhe kulturën e tyre.

Ky peticion bëri mirë, sepse shprishi gjumin letargjik të atyre që të mbuluar nga pluhuri i historisë, dolën para opinionit publik pa lëvozhgën që e kanë mbajt gjatë rreth vetës.

Një histori pa të vërteta apo një histori me disa të vërteta të përçudnueme që ju përshtaten individëve e grupeve të vogla, s’është histori  e kombit tonë. Këtë gjë e kërkojnë ata që krekosen kundër peticionit dhe kanë marrë flamuj jo shqiptarë, e me ta shtiren se mbrojnë shqiptarinë.

Një histori pa të vërteta, i ngjan një lisi pa rrënjë. Atë mund ta mbajnë supe të trasha, derisa nuk fryn një erë, që plandos për tokë lisin dhe supet e trasha të atyre që e mbajnë.

Ra peticioni e u pamë.

Ata që shikojnë historinë me sytë e dovletit, e bëjnë sevdanë turke nga Tabir Saraji (Pallati i ëndrrave, Ismail Kadare), po e shpalosin fytyrën e tyre para pasqyrës ku për një kohë të gjatë kanë refuzua të këqyreshin.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ndue Ukaj, nje histori, pa te verteta

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT