Fletë nga zarfi “Kosova në shpirtin tim”/
Boletin, 27 korrik 2009/
Ishte udhëtimi i parë në Kosovë…/
Ishte hera e parë që kaloja kufirin shqiptaro-shqiptar në Morinë…
Një vit më parë e kisha kaluar në Qafë Thanë për tu ndalur disa ditë në seminarin për mësimin plotësues të gjuhës shqipe që atë vit u zhvillua në Strugë…
Qafë Thanën e kisha kaluar për herë të parë në maj të vitit 1991 si gazetar me ekipin e futbollit të Peshkopisë “Korabi”. Në atë udhëtim i kishim rënë rreth e rrotull “botës shqiptare”. Kishim udhëtuar nga Peshkopia në Tiranë, Elbasan, Qafë-Thanë, Strugë, Dibër e Madhe… Kishim bërë rreth pesëqind kilometra rrugë kur duhet të kishim bërë vetëm tetë kilometra. Të ishim kthyer në Maqellarë prej ku Dibra e Madhe është katër plus katër kilometra larg…
…Në Mitrovicë ku do të tuboheshin “dy botët” e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, mësuesit shqiptarë nga Greqia dhe mësuesit kosovarë nga Evropa shkova me monografinë “Shkolla shqiptare e Athinës-Rilindësit e kohës sonë – 2”…
…Të jesh në Mitrovicë dhe të mos shkosh në Prekaz…
… Të shkosh në Prekazin e Adem Jasharit, të përjetosh heroizmin e njerëzve që i dhanë gjak krijimit të republikës më të re në botë, Republikës së Kosovësdhe të mos u ngjitesh bjeshkëve të Bajgores e mos mbledhësh lule e t’i vendosësh në kompleksin monumental që sheh si në avion bukuritë e Kosovës…
… Tu ngjitesh atyre maleve dhe të mos i ngjitesh MALIT të historisë kosovare e mbarë shqiptare Boletinit të Isës…
Në atë udhëtim do të merrja leksionin më të madh të jetës sime…
Nga ai leksion po shkëpus njërin nga zarfi i mbushur kompjuterik, “Kosova në shpirtin tim…”
Për tu ngjitur në Boletin i ramë rrugës siç i ramë asaj në majë të vitit 1991, udhëtimit për në Dibër të Madhe…
Rruga e shkurtër, e asfaltuar për Boletin, ishte e bllokuar nga serbët siç ishte bllokuar atëherë rruga e Dibrës së Madhe nga Jugosllavia në shpërbërje…
Udhëtuar rrugë pa rrugë me autobusin e rëndë…
Ndaluam tek një burim uji për të mbushur grushtet e për të pirë ujë nga “Çezma e Isës”…
Një e përpjetë disa metra dhe u gjendëm në oborrin e kullave të Isa Boletinit, në oborrin e historisë shqiptare.
Mbi gurët “ciklopikë” të themeleve të kullave-kala të rrënuara nga gjylet e osmanëve dhe serbëve, të gjithë, një nga një e në grupe, nuk mund të mos fiksonin momentin e shumëpritur.
Nuk mund të rrija pa iu lutur dikujt që edhe unë, ulur mbi gurin e rëndë të murit të merrja kujtimin e asaj dite së bashku me bashkëshorten time, mësuese nismëtare për gjuhën shqipe në Greqi…
Një nga një të gjithë iu ngjitën shkallëve të drunjta të kullës që quhej “haremi” i Isë Boletinit, apo shqip “shtëpia e grave” të boletinëve…
Më pas, ndërsa dielli kishte humbë tej maleve e mbrëmja kishte rënë, ulur në shkallë të gurta do të fiksoja disa fotografi dhe një zë në shiritin magnetik…
NuhiGashi, drejtuesi i mësimit të gjuhës shqipe në diasporë në ministrinë e arsimit dhe teknologjisë të Kosovës tha…
“…Do të bëjmë një orë historie këtu…”
dhe në vijim, për të na prezantuar para mikpritësve…
“…Këta janë mësues shqiptarë që punojnë në të gjithë planetin tokë…”
Fjalën e mori stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini…
* * *
Së pari ju falënderoj për ardhjen. Unë quhem Gazmend Boletini, stërnipi i Isa Boletinit. Do t’ju tregoj pak a shumë për historinë e këtij vendi.
Kulla atje poshtë, në ato gërmadha, ka qenë kullë e ndërtuar në kohën e babagjyshit të Isait, Mërselit. Kur kanë filluar luftërat për çlirimin e atdheut Isai atë kullë e ndërtoi në mënyrë strategjike. Një gur i asaj kulle është një metër i gjanë dhe një metër i lartë.
Ajo kullë është djegë shtatë herë…
Një herë në kohën e babagjyshit të Isait…
Një herë në kohën e babës së Isait…
Pesë herë në kohën e Isait…
Tri herë prej turqve…
Katër herë prej serbëve…
Dhe ajo kullë më nuk është ndërtuar asnjëherë…
Kjo kulla këndej ka qenë kulla e grave…
Është ndërtuar në vitin 1912…
Në këtë kullë gratë tona kanë gatuar për bashkëluftëtarët dhe luftëtarët e tjerë të këtij rajoni…
Në vitin 1947 familjes Boletini i sekuestrohet e gjithë pasuria që ka pas. Djemtë e Isait ishin antikomunistë. Keni dëgjuar për Adem Boletinin, Pajazit Boletinin dhe djemtë e tjerë që kanë qenë shkolluar në shkollat ma të mira të Evropës. Në vitin 1947 familja shpallet armike prej komunizmit dhe i zaptohet e gjithë pasuria.
Kjo shkollë prej vitit 1947 e deri në vitin 1963 i ka shërbyer këtij rajoni. Nga kjo shkollë sot kemi mjekë, inxhinierë, deputetë të Kuvendit të Kosovës…
Me planin e Atihisarit Kulla e Isa Boletinit qeveriset drejtpërdrejt prej qeverisë së Kosovës…
Do të hapet muzeu dhe së shpejti do ta sjellin gjyshin tonë atje ku e meriton, atje ku i ka dalë koka për herën e parë…
Kryeministri Thaçi ka premtuar se do të bëjmë një rivarrim që do të mbahet mend në historinë e shqiptarisë…
Familja e Isës është në Shqipëri. Janë djemtë e Adem Boletinit. Është djali i Tafil Boletinit, Ali Boletinit. Kemi në Bosnje…
Jemi vetëm unë e baba momentalisht në Mitrovicë…
Eshtrat e Isa Boletinit janë në Mitrovicë. Kryesorja është se Isën e kemi në Mitrovicë.
Bëhen shumë pyetje…rreth manastirit, tokë e boletinëve, për rolin e grave, për origjinën e buletineve nga Deçani dhe Isniqi ku në atë kohë janë shpërngulur 180 familje…
Ai “leksion” i shkurtër, i gjallë, i përcjellë nga stërnipi që mban gjallë emrin dhe jetën e të parëve të tij në trojet e buletineve na zgjoi të gjithëve kërshërinë për të mësuar më shumë për Divin e Madh të trimërisë kosovare e mbarë shqiptarë, Isa Boletinin…
* * *
Isa Boletini lindi në fshatin Boletin të Mitrovicës më 16 janar 1864. Fati e solli që po në atë muaj të vitit 1916, tashmë në moshën 52-vjeçare të vritet në pabesi së bashku me njerëzit më të afërt të tij, dy djemtë, dy nipat e tre bashkëluftëtarët që nuk iu ndanë deri në rrahjet e fundit të zemrës. Në këtë hark kohor të moshës së tij të prerë, 35 vjet Isa Boletini i vuri në shërbim të atdheut e të kombit i lidhur me një nga drejtimet më themelore të lëvizjes kombëtare shqiptare, me luftën e armatosur për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Në fillim si luftëtar e më vonë si prijës, Isa Boletini u rrit së bashku me lëvizjen e armatosur kundër osmane të fundit të shekullit XIX e fillimit të shekullit XX. Në këtë proces ai mësoi dhe fitoi mjaft cilësi të vyera, të cilat do t’i vlejnë në përpjekjet për organizimin e udhëheqjen ushtarake të kësaj lëvizjeje. Tiparet e një udhëheqësi ushtarak ai i shfaqi që në kontaktet e para me taborrret osmane i rrethuar prej tyre në kullën e Boletinit në fundit e shekullit XIX. Këto tipare do të formoheshin e zhvilloheshin plotësisht dhe do të shfaqeshin me tërë madhështinë e tyre gjatë kryengritjeve të mëdha të viteve 1910-1912, e veçanërisht në betejat e zhvilluara në Grykën e Carralevës në maj 1910 dhe në betejat e maj-korrikut të kryengritjes së vitit 1912. Për shkallën e lartë të organizimit dhe mënyrën e drejtimit të kryengritësve, oficerët turq e vlerësuan Isa Boletinin dhe krerët e tjerë kryengritës si njerëz të shkolluar e specialistë të zotë, të cilët sipas tyre, nuk mund të ishin shqiptarë. Ndërsa, shtypi i kohës e vlerësoi Isanë si gjeneral të ushtrisë shqiptare.
Bashkimin e popullit shqiptar në luftën kundër osmane, ai e shihte si faktorin kryesor të brendshëm për arritjen e fitores.
“Kur të bashkohen të gjithë shqiptarët, do të theksonte Isai, e të lidhin ndër vedi një besë shqiptare, do të jem të zotë të përzomë urdinë e turkut jo me armë, por edhe me hunjtë e gardhit”.
Kjo u arrit në Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912. Në kuadrin e përgatitjeve të kryengritjes brenda vendit, hyjnë edhe përpjekjet e Isa Boletinit e të krerëve të tjerë për të siguruar një mbështetje e bashkëpunim me vendet fqinje. Në kushtet e refuzimit të një bashkëpunimi të tillë nga Mali i Zi dhe Bullgaria, Isa Boletini i nxitur nga nevojat e kryengritësve për armë e municion, u mundua të shfrytëzojë prirjet e Serbisë për të bashkëpunuar me kryengritësit shqiptarë.
Isa Boletini punoi intensivisht për organizimin e kryengritjes. Ai mori pjesë në Kuvendin e Junikut përkrah grupit autonomist dhe miratoi programin politik me kërkesën themelore për autonominë e Shqipërisë. Për realizimin e këtij programi, ai në bashkëpunim me Hasan Prishtinën e krerë të tjerë, drejtuan forcat kryengritëse për çlirimin e qyteteve kryesore të Kosovës. Sukseset e njëpasnjëshme të kryengritjes e detyruan Portën e Lartë të ulej në bisedime me shqiptarët. Më pas, fillimi i Luftës Ballkanike në tetor 1912 e gjeti Isa Boletinin përkrah bashkëluftëtarëve të tij në hapësirën e midis Ibrit dhe Llapit. Pas rënies së Podujevës në duart e serbëve, Isai u tërhoq në drejtim të Shalës për t’u prerë hovin ushtrive serbe që vinin në drejtim të Mitrovicës. Rrethimi i Mitrovicës nga forcat serbe e detyroi Isa Boletinin të tërhiqej në drejtim të Prizrenit e prej andej në krahinat ende të pa pushtuara për të vijuar më tej luftën për mbrojtjen e vendit.
Në Sllovë të Dibrës, Isai mësoi për aktin e madh politik kombëtar që po përgatitej në Vlorë. Vetëm aty ai pa shpëtimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të pushtuara nga ushtria e Aleancës Ballkanike.
I zgjedhur si delegat i Kosovës, në krye të 100 luftëtarëve kosovarë ai u nis për në Vlorë. Në sheshin e flamurit për herë të parë ai u takua me Ismail Qemalin. Shtrëngimin e dorës së tij Isa Boletini e shoqëroi me urimin: “Të lumtë dora Ismail Qemali” dhe mori prej plakut të urtë të Vlorës vlerësimin më të lartë për kontributin që ai kishte dhënë për shpalljen e pavarësisë “Ti më dhe krahun e fuqishëm Isa Boletini”.
Vëmendjen e Isa Boletinit, ashtu si edhe të atdhetarëve të tjerë, e tërhiqte çështja e kufijve të shtetit shqiptar. Isai u zgjodh në përbërjen e delegacionit të qeverisë së Vlorës që u nis në Londër si përfaqësues i Kosovës, fati i të cilës do të përcaktohej në Konferencën e Ambasadorëve.
Vendimet e padrejta që mori Konferenca e Londrës duke lënë jashtë kufijve më shumë se gjysmën e kombit shqiptar, përforcoi bindjen tek Isai se një padrejtësi të tillë do ta zgjidhte vetë populli shqiptar.
Fillimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti Isa Boletinin në Malësinë e Gjakovës. Përqendrimi i forcave ushtarake serbe e malazeze në kufirin shqiptar dhe bashkëpunimi i tyre me reaksionin brenda vendit e detyroi Isanë të linte Krasniqen e të zbriste në Shkodër, tashmë në gjendje të rëndë shëndetësore e në kushte tejet të vështira ekonomike, pasi gjithë pasurinë e tij e kishte vënë në shërbim të luftës për liri e pavarësi.
Në qershor 1915 forcat malazeze rrethuan Shkodrën. Për të mos rënë në dorë të tyre, Isai kërkoi strehim në Konsullatën Franceze në Shkodër dhe i kërkoi nënkonsullit që ta ndihmonte për t’u larguar në një vend asnjanës ose të ndërhynte pranë qeverisë së Malit të Zi dhe Serbisë që të lejonin kthimin e tij pranë familjes në Mitrovicë. Në qoftë se nuk do t’i realizoheshin kërkesat, Isai kishte vendosur që me çdo sakrificë të çante natën rrethimin e forcave malazeze e të largohej nga Shkodra. Por, qeveria franceze vendosi t’ia dorëzojë Isa Boletinin Malit të Zi, duke u bërë kështu drejtpërdrejt pjesëmarrëse në krimin e shëmtuar që serbo-malazezët kryen ndaj Isait…
Isa Boletini është vrarë vetë i shtatë në Podgoricë nga forcat serbo-malazeze, pikërisht në 23 janar të vitit 1916. Në atë moment ai është vrarë së bashku me dy djemtë e tij, dy nipat dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë. Varrimi i tij në atë kohë është kthyer në një tubim demonstrimi kombëtar. Ishin mijëra shqiptarët e ardhur nga të gjitha zonat e Kosovës, si nga Tuzi, Podgorica, Ulqini etj., të cilët morën pjesë në varrimin e tij e të djemve, nipave dhe të tre bashkëluftëtarëve që u vranë në të njëjtën kohë…
Në vitin 1977 u bë e mundur gjetja e eshtrave të luftëtarëve, të cilët deri atëherë të rrinin të siguruar në vende të fshehta në Podgoricë…
* * *
Lajmet më të fundit flasin për vendimin e Ramës-kryeministër i Shqipërisë dhe Thaçit-zëvendëskryeministër i Kosovës për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në një varr krahas eshtrave të Ismail Qemalit…
Stërnipi i Isa Boletinit Gazmend Boletini gjashtë vite më parë na tha: “Kryeministri Thaçi ka premtuar se do të bëjmë një rivarrim që do të mbahet mend në historinë e shqiptarisë…”
Boletini e pret birin e vet në trojet ku i ka rënë koka, në trojet ku u rrit si gjeneral e strateg i luftërave të mëdha kundër pushtuesit osman e atij serb, në truallin që flet shqip e është vaditur me gjakun e shqiptarëve në luftën për liri e pavarësi kombëtare…
Vlora do të jetë një truall i ftohtë për Isa Boletinin…
Boletini është i vetmi vend i ngrohtë për legjendën e trimërisë shqiptare…
Atë ditë korriku 2009 do të desha të vendosja një tufë me lule në varrin e Isa Boletinit mes kullave të tij ku ai shkroi me gjak historinë tij dhe të një treve të madhe shqiptare…
Nuk munda thjesht se Isa Boletini nuk e kishin sjellë për të bujte përgjithmonë në kullat e tij…
Nuk munda unë…
Nuk do të mundin as turistët e shumtë që do të shkojnë të marrin një “Leksion historie” për Isa Boletinin…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 17 maj 2015