• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Opozitë, gjuaj me mandate jo me vezë!

December 20, 2018 by dgreca

Ilir-Levonja-300x298

Opinion nga Ilir Levonja/ Florida/

Nga mesi i muajit maj 2017, pas gati tre muaj protestash, u mbyll e ashtuquajtura Çadra e lirisë. Kjo u kurorëzua me nj marrëveshje nate, për një bashkëqeverisje të gjerë duke i kthyer ata ministra në subjekt gallatash elktorale, si rasti asaj ministreshës që kërkonte kushte në një udhëtim në Prishtinë.

Qe marrëveshja më absurde duke dalur përfundimisht nga nervi demokrat, për shkak të natyrës radikale në kërkesa dhe në plotësimin pa asnjë kusht të tyre. Ajo që pak e shumë e shohim sot tek vervi studentor. Kjo tashmë përfshihet në të ashqujturën opozitarizmi i kulturuar a europian i Lulzim Bashës. Megjithëse kur shikon jelekverdhët e Francës këto ditë dimri, nuk e di se për cilën Europë flasin pushtuesit e sektit demokrat në vendin tonë. Qe një mbyllje kaq e squllët sa përfundimisht bindi edhe paqësorët më skeptikë të politikave të buta a të urta midis lidervë të të gjitha krahëve.

Bash atëherë kur po mendohej se këmbëngulja e kish ngritur vlagun, Luli e boshatisi karabinanë me një shtrëngim duarsh alla çunash lagjeje me Edi Ramën, duke u thënë demokratëve të dërrmuar se ishte i detyruar, i kishte bërë presion Amerika etj. Shkurt një humbje e madhe e cila e katandisi të djathtën në atë që është edhe sot, një tavolinë me pjata plot pilaf, paçe e fasule.

Nisur nga protestat e fundit, një emision i mbrëmshëm në topchanel, hidhte dritë mbi bordet e universiteteve që përfitonin dhe administronin fondet drejt për së drejti nga tarifat studentore. Kjo në kuptimin që, çfarë ata kishin, çfarë ata administronin ishin të ardhura kryekëput nga familjet shqiptare. Jo nga qeveria! Jo, jo, aspak… para familjarësh që buza e plasur e tyre e di se si i sigurojnë. Ishte një indicje e madhe për të dëshmuar qartë se sa e lartë është shkalla e korrupsionit në vendin tonë. Sidomos pas një oditimi me kamera të dokumentacionit të kontrave dhe projekteve financiare të këtyre viteve demokraci. Apo ajo shifra tjetër prej gjashtë milion euro për ca roje gjumashër e të zhubravitur bythësh nga karrika dhe lojrat elektronike. Ishte alarmante se kamionët me fonde ishin hedhur për meremetim zyrash, blerje makinash dhe shpërblime vjetore. Dhe asnjë kokërr leku për blerjen e bazës materiale a pajisjeve laboratorësh, indicje që konfirmojë ekzistencën dhe seriozitetin e një Universiteti. Rekordin e mbante Universiteti i Elbasanit… Megjithatë shumë nga e di se institucionet shqiptare në përgjithësi presin me sytë nga deti a qielli, për donacione nga vendet e rajonit dhe bota. Edhe kjo një kulturë vrastare kjo që të nxjerr sytë, një model që e ka përvetësuar Edi Rama kur provomon gjoja zhdukjen e mjerimit duke u ndërtuar nga një shtëpi robve të vithisur në katrahurën që ka gatuar soji i tij.

Atë çfarë tregonte ky emision i dokumetuar, opozita e ka bërë me kohë. Duke filluar nga vota e manipuluar, infiltrimi i krimit në kuvend, konçensionet banale dhe reformat mashtruese të qeverisë etj. Mirëpo mbeti në kuadër të denoncimit dhe aq. Megjithëse koha i ka dhënë mundësinë që tregojë rracën a sojin pa kompromis të të djathtit, prapë squllet me ca marrëveshje dhe ”europinizmin” e këtij holandezit fluturues, në pritje të mbarimit të mandatit të Edi Ramës. Dhe për më keq akoma, shet plotësisht vetveten bash në pikun e kufirit ligjor të djegjes së mandateve, duke u kthyer në kuvend e gjuan me vezë Edi Ramën veç për t’i hedhur hi syve demokratëve dhe protestës legjitime të brezit të humbur, minierës informale të shoqërisë shqiptare e cila po sakrifikon sa nuk ka vej më, veç për mandatin e Lulit dhe babës së tij Sali Berishës. Nxjerr një deputet të dhjamur, i cili krruajti xhepat, sa mezi gjeti një vezë për të gjujtuar një shënjestër që edhe sytë lidhur t’i kesh nuk mundesh të gabosh. E thënë më troç qe kjo shfaqja më pa vlerë e atij që mban emrin opozitar.

Një grup naivësh që para platformës studentore, para vendosmërisë për të mos negociouar të atyre të rinjëve shqiptarë, duken si kalamaj kopshti që nuk dinë se çfarë duan, çfarë kërkojnë…, a kush janë. E gjitha kjo nuk është asgjë tjetër por një nëpërkëmbje studentore, një suport për Ramën dhe shpurën e tij, një vazhdim i asaj marrëveshje dritë shkurtër të majit të vitit të kaluar, duke vazhduar ta transformojë hapësirën blu të qiellit të shpirtrave të lirë në ngjyrën e kuqe të të ashtuquajturës republika e re.

Sot demokratët duhet të kishin gjuajtur me mandate, jo me vezë. Duhet të burgoseshin rrugëve, jo në parlament. Duhet të mos negociojnë, jo të kërkonin radhën për të folur.

Nuk e bën. Ndaj lum vendi që u ka ju djemë e vajza studentë!

Filed Under: Analiza Tagged With: gjuaj me mandate, Ilir Levonja, jo me vezë!, opozite

Opozitë mos bëj kompromis

April 21, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/Janë disa arsyet që sot me të vërtetë po shoh një opozitë. Dhe që aq të domosdoshme e ka demokracia. Sidomos ajo shqiptare. Vendi ku pavarsisht të gjithave, një lloj retorike pordhësh burash shteti, që edhe u ha, edhe u djeg, edhe u krruhet. U është mbushur mendja se janë zotër të Shqipërisë. Kanë edhe gurin edhe arrën. Ndaj mund të bëjnë çfarë të duan. Si përfundim sot shpresa e shqiptarëve është tashmë si ajo puna e palmave të thara në autostradën Tiranë-Durrës.

Nga ana tjetër një kaos institucional. Aq sa grave me minifunde që u pëlqen fakti, që emri i tyre është çekur për postin e presidentit. Po kafeneve ama, jo institucioneve. Aq më keq akoma që janë konsumur edhe dy nga raundet e kllounistike të zgjedhjes së kreut të shtetit. U duket marrëzi ulja në rrugët automobilistike të njerëzve të opozitës.
U duket marrëzi ekyistenca e çadrës. Selia qëndrore e një opozite që përfaqëson gjysmën e shqiptarëve. Një force politike që ca baldosa të llumit komunist u është mbushur mendja se aty. Në dheun e shqiptarëve, opozitarizmi dhe e djathta kanë vdekur një here e përgjithmonë. U është mbushur mendja se mund të bëjnë opozitë me shushunjat e përdoruara si grupet 2K. Apo ”anarshistin” Blushi etj. Me çamët e nevrikosur nga moslënia e një vendi në qullmatoren e Vetungut. Kësaj rakete bërthamore të tipit Korean verior,etj. Si tabela e arritjes elektorale për burgosjen e opozitës.
U është mbushur mendje se janë akoma në pranverën e 97-ës. Dhe mbetën duke i thënë popullit se ja, opozitën po e kritikon edhe bota. Se bota kështu, se bota ashtu. Se bota është me ne etj. Sa keqardhje. Të gjorët harrojnë se, bota ishte edhe me Zani Caushin. Solli Romano Prodin atëhere në Vlore. Më 1997-ën. Dhe sikur Zani Caushi të shpallej kryeministër, bota do ta njihte. E keni aty me pamje… Pamje kallashnikollësh. Pranvera kallashinikolle shqiptare. Turma me kallash. Punë shqiptarësh të nevrikosur.
Bota ishte edhe me Enver Hoxhën në 1947-ën, kur u shpall Republika që nuk njihte asnjë force tjetër politike. Republika e luftës së klasave e natyrës së Kmerit të Kamboxhias.
Bota është edhe këtë të sotshmin, jo kryeministrin. Po kryeregrestin e ekonomisë butaforike shqiptare. Zanat I tij, lyerja e fasadave. Me sejmen droge, e populista si ai mjaftisti I Tiranës. Që mbeti në televizor përditë me kënde e gjëra të tjera. Një filozofi e propogandës. Një ditë u tha shqiptarëve se kemi nevojë të bisedojmë. Harroi se vet erdhi aty nga protesta. Nga ana tjetër, bëj habi pasi kam 12 vjet që jetoj në një qytet të madh. Dhe një here nuk e pash kryebashkiakun në një përurim këndi lojrash a shkolle publike. Se ato private, jo, e jo. Megjithatë e di se ku është bashkia. Kam vajtur nja dy here dhe më ka mjaftuar patenta për të marr një vertetim. Asgjë më shumë. I hipotekova letrat e shtëpisë pa qënë fare aty. Nuk më dha kryeministri, presidenti, a kryetari bashkisë ndonjë çertifikatë pronësie. A tapi, si na pëlqen ne shqiptarëve ta themi. Jo, një nënpunës i thjesht…. Pse? Sepse janë shërbime civile. Jo propogandë. Jo material fushatash elektorale. Pa asnjë sekser, pa asnjë rryshfet.
Megjithatë më vjen mire. Dhe i bashkohem shpirtërisht.
Më vjen mire që po shoh opozitë. Pa asnjë kompromis. Dhe më vjen mire që më fund dëgjova nga foltorja e opozitarizmit edhe një nga ëndjet e mia. Presidentin nga populli.
Duhet të marrin fund këto kulisat e bisedave. Këto të drejtat e cunguara. Pasi u bënë vite tashmë që Shqipëria jonë përfaqësohet nga ekzistenca e një presidenti qesharak. Pa këllqe e koqe. Një president kukull në dorën e kryetarëve të shumicës etj. Opozita ka shumë për të bërë. Dhe është shanci i artë i saj. Jo një çadër, po qindra. Mbusheni bulevardin me të tilla. Mbushni rrugët. Balancimi i pushtetit është domosdoshmëri jetike. Vetëm sot, ta dini, Shqipëria nuk ka nevojë për kompromis.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, mos bëj kompromis, opozite

Mos vdis OPOZITË!

August 22, 2016 by dgreca

NGA MARJANA BULKU*/ New York/

Thonë që është binjak me varfërinë , ia zbulon plagët e fshehta dhe ato gangrenë që tashmë Dibrës por edhe gjithë Shqipërisë i dolën sheshit përtej vrimash imoraliteti jo vetëm politik, ku u zbuluan fajësitë e pozitës por edhe ca mëkate jo të vogla të opozitës 2015 si dhe raporteve qe krijojne te  dyja keto ne  arenen e politikes shqiptare.

Mos vdis opozitë!Më vjen natyrshëm kjo pasthirrmë si një lutje shekullore, si një thirrje për ndihmë. Ai vend që është i të gjithëve por pronë e pakkujt ka shumë nevojë për ty.Ai vend ku varfëria shtohet , ku problemet intensifikohen e ku dhuna buron nga cdo anë e duke u performuar frikshëm në familje shoqëri e politikë, pret rilindjen tënde.

Mos vdis opozitë, edhe pse asfiksuar , corientuar,sulmuar, mohuar.Diktatura e gjatë nuk bëri kurrë autokritikë dhe pushteti i padrejtë ”të gjithë në pozitë kundra cdo lloj opozite ” hodhi rrënjë të thella ndër ne.

Mos vdis opozitë, dëgjoji mendjet e kthjellëta edhe pse shpesh herë i injorove,përcmove, , mbase jo me shpirt sepse politika nuk qenkërka më art i zgjidhjes sic e konsideronte Bismark, por terreni ku parimet janë zëvendesuar nga shifra e synimet në interesa e për rrjedhojë vizionet janë të paqarta. Po ti mos vdis! Për shpirtrat e atyre që Shqipërinë e deshën demokratike e sot nuk jetojnë më, për ëndrrat e rilindasve që i kushtuan vepra që lindin kombet përmes dhimbjesh me pendë e me mend.

Mos vdis sepse për ty ka nevojë E DREJTA që sapo iu miratua një shteg në parlamentin e ndotur.Historia jonë ka shumë nevojë për ty opozitë , atë nuk e shkruajnë vetëm ”luanët”,por edhe viktimat.Opozita, vlera jonë e munguar,e mohuar, e cunguar, e përcudnuar në shekuj nuk duhet të vdesë sepse ajo fisnikëron një komb, mban gjallë një të vërtetë, shëron një të drejtë,, ndricon një shpresë.

Mos vdis Opozitë!Ti nuk je forca e kamzhikut, por ajo e logjikës që gjithmonë triumfon, edhe pas kalvaresh të vuajtjes, të mundimit.Pa ty vdesin edhe shumë të vërteta të bukura, të trishta, të pastra , të turbullta por që ndricojnë botën tonë shqiptare.Ti je gjithmonë alternativa tjetër kur shpresa ka humbur , kur shtigjet janë mbyllur, kur tuneli s’ka dritë.Ti je zëri që duhet të flasë me të kundërtën kakofoni plot zhurma realiteti, je zëri i vlerave, veprave e fjalëve që frymëzojnë. Varfëria nuk përkund vetëm krimin dhe imoralitetin por edhe fisnikëri e vyrtyte që as blihen as shiten, nxiti e rriti pra, bëji krah këto dy të fundit e bashkëudhëtarë në shtegëtimin tënd në formë V -je.Bëji opozitë të keqes  , bëji opozitë padrejtësisë, dhunës, drogës këtij trendi që përmbyt jetën , bëji opozitë vjedhjes, imoralitetit e gjithckaje që kërcënon të mirën. Janë kaq shumë misione që nuk u kryen ,presin, u lanë në mes,sepse … janë shumë Sepse vetëm pas një Përseje.

Mos vdis Opozitë. Ti je ëndrra e mijëra emigrantëve politikë, ekonomikë që nuk të jetuan dot aty edhe pse shumë të deshën, u burgosën për ty, u internuan për ty, u pushkatuan për ty, guxuan për ty. Ti je zëri që nuk duhet të mbytet nga thirrjet me grushta ” Fitore dhe urra” ti je zëri që duhet dëgjuar dhe respektuar sepse ti je zëri i munguar, gjithmonë i mohuar.

Mos vdis Opozitë, por kujdes nga të padrejtët, ata të vdesin edhe ty, pak nga pak si trupin që nuk e vdes vec paushqimi ,pamjekimi, por edhe heshtja e mosrënkimi nën agoni ku askush s’e ndjen dhembjen që s’bzan.

Mos vdis Opozitë!

Për ata që besuan tek ti, për ata që punuan për ty, edhe për ata që u zhgënjyen nga ”brishtësia ”jote, për ata që e pësuan nga gabimet e tua dhe për ata që BESOJNË tek ti, mos vdis! Behu zeri i atyre qe s’flasin dot!

*Autorja e shkrimit gjat nje takimi me Kryetarin e Opozites Shqiptare, z. Basha ne Seline e Federates Vatra ne Nju Jork

Filed Under: Opinion Tagged With: Marjana Bulku, Mos vdis, opozite

POZITË DHE OPOZITË DUHET TA GJEJNË RRUGËN E DIALOGUT

October 15, 2015 by dgreca

Nga Harry Bajraktari*/
Bllokada e kuvendit që po vazhdon me javë duke ndodhur edhe ditën e sotme ka ngritur tensionet nënjë shkallë dëshpëruese në Kosovë dhe kjo paraqet rrezik të një eskalimi të situatës së përgjithshme me pasoja të paparishikueshme. Keqpërdorimi i Kuvendit dhe përdorimi i dhunës brenda tij në shoqëritë demokratike janë të pa pranushme dhe si të tilla çdo kund gjykohen. Kuvendi është arenë dialogu dhe debati për probleme të ndryshme me të cilat përballet shteti i Kosovës dhe askush nuk ka mandat nga të zgjedhurit e popullit, qoftë pozitë, qoftë opozitë t’ i mbyllë dyert e këtij institicioni më të lartë ligjevënes të shtetit tonë. Vurja e dryrit, kështu siç po i vëhet Kuvendit, duke përdorur metodat jo demokratike dhe jo ligjore, po i vëhet bllokada shtetit, të cilin siç e dimë të gjithë e krijuam me sakrifica të mëdha të të gjithëve, me gjak dhe vuajtje.Nuk kanë qenë të pakta edhe krizat tjera në të kaluarën që i shkaktuan partitë politike për të ardhur në pushtet. Tani kemi një situatë shumë më të ndërlikuar, do të thoshja tepër të rëndë, që u krijua për shkak të nënshkrimit të dy marrëveshjeve: asaj për krijimin e Bashkësisë së Komunave serbe dhe Demarkacionit, vijës kufitare me Malin e Zi, ku opozita nxjerrë si pretekst se në të dy rastet është shkelur kushtetuta e Republikës së Kosovës, dersa pozita në pushtet i ka demantuar këto pretendime. Tani në vend të dialogut në Kuvend, ku do të bisedohej lidhur me këto dy marrëveshje, opozita ka zgjedhur rrugën tjetër të bllokimit, duke përdorur format e ndryshme të dhunës. Dihet se dhuna prodhon dhunën dhe ne jemi dëshmitarë të asaj çka ndodhi para pak ditësh në rrugë të Prishtinës. Mbyllja e dyerve të Kuvendit dhe pamundësia e shpjegimit të përmbajtjes së këtyre dy marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel në prani të zonjës Mogorini, tek qytetarët e Kosovës, u krijua një situatë konfuze.Skenat e gazit lotsjellës në Kuvend nga deputetët e opozitës, ku ka edhe pasoja shëndetësore, flasin se ne ende jemi larg tolerancës parlamentare dhe respektimit të ligjeve që janë miratuar po nga deputetët. Fatkeqësisht me këto sjellje jo demokratike dhe jo parlamentare po krijojmë imazhin e keq në botë në kohën kur Kosova, këto ditë, me një shpresë të madhe do të pranohet në UNESKO dhe hapi tjetër do të jetë liberalizimi i vizave dhe inkuadrimi në proceset tjera në Bashkimin Europian. Patriotizëm është hapja dhe jo mbyllja, jo dhuna, po dialogu dhe respektimi i shtetit.Një gjë është e qartë se kushdo që mund të vijë në pushtet në të ardhshmën s’ do të ketë mundësi që këto marrëveshje të nënshkruara në prani të Bashkësisë Ndërkombëtare t’ i zhvleftësojë. Këtë e dinë edhe ata që janë kundër tyre dhe ata që kanë vendosur firmat mbi to. Po çka tash?Në një situatë të tillë të papërmbajtur, pozitë dhe opozitë, duhet të lënë interesat partiake dhe të mendojnë për të mirën e Kosovës dhe për të mirën e popullit të saj, nga i cili u zgjodhën dhe të gjithë së bashku të gjejnë rrugën për të dalë nga kjo krizë e rëndë. Vetëm dialogu, toleranca dhe mirëkuptimi garantojnë sukses dhe asesi veprimet jashtëkushtetuese. Ky dialog mes partive politikë, pozitë dhe opozitë, duhet të ndodhë sa më parë dhe Kuvendi t’ i kthehet punës normale të miratimit të ligjeve dhe të kryrjes së obligimeve që ka në kompetencat e tij ndaj qytetarëve.Zgjidhja më e mirë sipas meje në këtë situatë të ndërlikuar për këto dy marrëveshje të nënshkruara në Bruksel do të ishte shpallja e një
referendumi ku populli do të përcaktoj, pasi që do të kishte marrë të gjitha shpjegimet e mundshme.
Populli pret nga qeveria dhe parlamenti të kryhen punët që kanë mbetur pa u përfunduar, siç është zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, ndalja e korrupcionit, zbatimi i ligjeve dhe krijimi i besimit që është luhatur.Një përshkallëzim i gjendjes dhe qitja e njerëzve në rrugë do të ishte fatal për ne dhe, veç pasojave përbrenda, do të humbim përkrahjen që kemi pasur deri tash nga SHBA dhe nga Bashkësia Europiane. Kjo do të ishte baraz me paralizën e shtetit.
Reagimet e SHBA dhe të Bashkësisë Europiane flasin më së miri se cila është rruga që duhet ndjekur!

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.

Filed Under: Editorial Tagged With: harry bajraktari, opozite, pozite, rruga e Dialogut

Rama prezanton programin e qeverisës në Parlament,PD paralajmëron betejë opizitare

September 11, 2013 by dgreca

Berisha i pari dhe pastaj deputetet e PD dhe aleatet, përveç Dashamir Shehit dhe Gjovalin Kadelit bojkotuan seancën…/

Mirëkuptimi mes mazhorances dhe opozitës ka marre fund qe ne seancën e trete te kësaj legjislature. Prezantimi i programit qeverisës nga kryeministri i mandatuar Edi Rama nisi qetësisht me një krahasim te ngjarjes tragjike te 11 shtatorit dhe sulmeve terroriste qe Rama e përdori për te theksuar vendosmërinë e qeverise se re për te qëndruar ne krah te shteteve te bashkuara ne çdo front lufte. Por pas 20 minutash kur Rama i kujtoi PD sot ne opozite se ka ne krye një njeri jashtë parlamentit ashtu si PS ne opozite, situata ne salle u acarua dhe demokratet e akuzuan si gënjeshtar kryeministrin e mandatar. Pas kësaj Berisha i pari dhe pastaj deputetet e PD dhe aleatet, përveç Dashamir Shehit dhe Gjovalin Kadelit bojkotuan seancën. Pavarësisht bojkotit te opozitës kryeministri Rama deklaroi se shumica do te respektoje pakicën. Për rreth 60 minuta Rama shpalosi para deputeteve programin prej 43 faqesh për vizionin e tij për Shqipërinë e 4 viteve te ardhshme, duke përsëritur premtimin për legalizim dhe shërbim shëndetësor falas, për lufte ndaj korrupsionit e taksim te ndershëm, për rritjen e cilësisë se arsimit dhe shërbimeve te tjera. Fenomeni i bojkotit ka qene pjese e pandashme e jetes parlamentare pasi përveç parlamentit te dale nga zgjedhjet e vitit 1992 dhe 2005, 6 legjislaturat e tjera kane vuajtur fenomenin e braktisjes se punimeve te parlamentit nga opozita.

Sikundër në dy seancat paraardhëse edhe në të sotmen trupa diplomatike e Ambasadorëve rezidentë në vendin tonë kanë qenë aty, në llozhat e Kuvendit për të ndjekur nga afër fjalimin e parë të Kryeministrit, por dhe për tu njohur me programin e qeverisë.

Me Kryeministrin e ri dhe Ministrat të pozicionuar tashmë në vendet e tyre përkatëse, deputetët dhe gjithë të pranishmit, Kryeparlamentari Ilir Meta e nisi seancën, të parën pas marrjes së detyrës një ditë më parë, me betimin e deputetit dhe ish-ministrit të Financave Ridvan Bode, për shkak të mungesës së tij të martën.

Fillojmë seancën e ditës së sotme, e cila si cështjen e sotme ka prezantimin e programit politik dhe përbërjen e Këshilit të Ministrave në vijim dhe të dekreteve të Presidentit të Republikës të cilat janë para jush. Para se të vijojmë me rendin e ditës, ku kemi zhvilluar dhe me krerët e grupeve parlamentare. Do të ftoja deputetin Ridvan Bode për të bërë betimin. Do kemi kohën deri nesër në orën 00:00 për të dorëzuar pyetjet në lidhje me programin që qeveria të përgatitet. Seanca që do të vijojë me debatin që do të zhvillohet të shtunën në orën 10:00”, tha Meta.

Menjëherë pas kësaj Meta i ka dhënë fjalën Kryeministrit të ri Edi Rama. Ky i fundit e ka nisur fjalën e tij duke përkujtuar ngjarjen e 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuar, ku shprehu dhe njëherë vendosmërinë për të mbështetur çdo veprim që Presidenti amerikan do të ndërmarrë për përmbysjen e regjimit të dikatorit të Damaskut.

‘Jetojmë në një luftë të re, ndoshta në një formë të re, ku armiku shfaqet herë si profet e herë si ushtar, herë si martir, e herë si turmë. Të vrarët e 11 shtatorit janë edhe të vrarët tanë. Është një luftë që për aq sa sa na takon, të madhësisë dhe peshës sonë gjeografike apo ushtarake, ka qënë dhe mbetet edhe lufta jonë. Ne do të jemi përkrah Amerikës kudo që kjo luftë ta kërkojë, sepse ky armik ka dalë nga errësira më e thellë jo për të goditur një popull më vete, por për të shkatërruar krejt ekzistencën sonë, ku liria s’mund të jetë e përhershme nëse mbrojtja nuk është e përditshme. Ja pse dua ta përsëris sot prej këtu që pas barbarisë kimike në Damask, si unë, ashtu si dhe e pohoi edhe paraardhësi im, Shqipëria mbështet pa asnjë ngurrim çdo veprim që Presidenti amerikan do ndërmarrë”tha ai.

Rama ka sjellë edhe njëherë në vëmendje zgjedhjet e 23 qershorit, ku teksa hodhi sërish paralele me 1992, Kryeministri deklaroi se edhe në qershorin e 2013 Shqipëria nuk u nda në dy blloqe, por përmes një blloku masiv vulosën ndryshimin. “Me besim ndaj çdo zgjedhësi të opozitës, e ftoj kryetarin e Kuvendit të vigjëlojë për të mos lejuar vazhdën brutale të nëpërkëmbësjes së opozitës; e ftoj të dijë se koha e fyerjeve dhe batutave nga ajo lartësi, ka mbaruar. Nuk kemi ardhur këtu për t’i treguar opozitës ku e ka kokën, por për t’i ngritur kokën. 1 milionë njerëzit që na votuan nuk na votuan për të në ndarë në humbës e fitues”theksoi ai.

“Po bëhet çerek shekulli që nga 1990 kur nuk ka fije dyshimi se që atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra falë dhuntive të njerëzve të këtij vendi po pse jo, edhe të atyre njerëzve të mirë që kanë punuar në detyra shtetërore, për ndërtimin e një shteti demokratik, që rezultoi shumë më vështirë se atëhërë kur thërrisnim “E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Pasqyrë të historisë së re nuk dua t’ua vendos përpara të humburve të 23 Qershorit; nuk është qëllimi dhe as vizioni im që të marr kohën e humbur të shqiptarëve duke i bërë karshillëk, opozitës. Unë besoj se shqiptarët votuan për t’i dhënë fund edhe këtij karshillëku. Pasqyra e historisë së re na vlen më shumë se ne, se kjo fitore njësoj si ajo e 22 marsit, nuk e përforcoi dëshira për të marrë ato karrike! Jo! Përmasën historike të fitores sonë e përforcoi nevoja për ndryshimin e modelit qeverisës. Ndaj ja pse sot e marr detyrën e lartë me përulje. Ja pse vij me vullnetin për të përmbajtur çdo lloj shprehje arrogance ndaj opozitës, çdo lloj përbuzjeje, vij për t’i thënë opozitës se marr përsipër t’i them se asaj nuk do t’i mungojë ajo që na mungoi neve në opozitë. Bashkëjetesa nuk varet nga mënyra në biem dakord, por sepse si e gjykojmë dakrotësinë; duke respektuar kundërshtarin, apo duke parë tek ai armikun. Me besim ndaj çdo zgjedhësi të opozitës, e ftoj kryetarin e Kuvendit të vigjëlojë për të mos lejuar vazhdën brutale të nëpërkëmbësjes së opozitës; e ftoj të dijë se koha e fyerjeve dhe batutave nga ajo lartësi, ka mbaruar. Nuk kemi ardhur këtu për t’i treguar opozitës ku e ka kokën, por për t’i ngritur kokën. 1 milionë njerëzit që na votuan nuk na votuan për të në ndarë në humbës e fitues”vijoi Kryeministri.

Dhe pse nuk ishin shënuar 20 minuata fjalim, opozita ka dhënë shenjën e pare të mërzitjes, si për t’iu imponuar Kryeministrit që të kalojë direkt në prezantimin e programit. E ndërsa nuk ja ka arritur të ndërpresë fjalimin e Ramës, fillimisht Berisha, ndjekur nga Topalli, e me radhë deputetët e tjerë të opozitës kanë lënë parlamentin.

Teksa mediat ishin pozicionuar në dalje të parlamentit, Kryeministri i dorëhequr Sali Berisha, tashmë deputet i PD, deklaroi se mazhoranca e re dje i shpalli luftë, duke paralajmëruar se do i ketë ditët e shkurtra. Ne erdhëm këtu me vullnetin e mirë, tha më tej Berisha, por krahasimi i 23 qershorit me marsin e ’92  është një hakmarrje.

“Në dëgjojë një retorikë të ulët. Me sharje dhe fyerje ndaj pozitës mendon se do të mundë të kapërcejë premtime alla Papandreu me të cilat mashtroi dhe mori votën e shqiptarëve. Vetëm me mashtrime publike për shërbim shëndetësor falas, për dëmshpërblim brenda dy viteve të të përndjekurve, për legalizime falas, për ulje të taksave për 95% të shqiptarëve. Në këto rrethana. Nuk kishte hapësirë për të ndjekur ligjeratën paranojave, banale të një piktori dështak që sot flet në emër të qeverisë. I rikujtoj zotërisë se sot janë dy data. 11 shtatori që nderon gjithë njerëzimi viktimat e Nju Jorkut, por dhe 11 shtatori i Pinocetit. Moralisht shprehu nderim për të parim, por në shpirt kishte të dytin. Ne erdhëm këtu, por Rama na shpalli luftë. Ajo që mazhoranca bëri ishte e paparë, nuk ndodh dhe në Korenë e Veriut që diskutimi të behet pa e marrë materialin dhe pa i dhënë qoftë një ditë të vetme. Nëse vijohet ne këtë mënyrë dëshmohet se etërit janë aty. E dëgjuat krahasimin me vitin ‘92, kjo është hakmarrje. Por në këtë rrugë do i ketë ditët e shkurtra. Demokratët nuk mposhtën, pasi demokratët janë të pathyeshëm”, u shpreh ai.

Shehi, Kadeli, Muhedini ndjekin fjalimin e Ramës

Në karriget e boshatisura të opozitës kamerat fokusuan aleatët Dashamir Shehu (kreu i LZHK), deputetin e PDIU-së Tahir Muhedini dhe Gjovalin Kadeli, të cilët vendosën të mos largohen nga salla.

Ndërkohë që opozita doli nga salla, Kryeministri Rama vijoi fjalën e tij pa ndërprerje, duke premtuar  miratimin e kodit etik që në mbledhjen e parë të qeverisë. Ndërkaq teksa ka nisur me prezantimin e programit, Rama shpalli si armiq varfërinë dhe papunësinë, duke u zotuar se brenda këtij mandati premtimi për hapjen e 300 mijëve vendeve të reja të punës, sikundër dhe premtimet e tjera për shëndetësinë, furnizimi i qyetarëve me ujë të pijshëm, legalizimi falas i shtëpive falas do të bëhet realitet.

Ne do miratojmë Kodin Etik që në mbledhjen e parë të Qeverisë, për të qëndruar në detyra me nderin dhe dinjitetin që shqiptarët menduan se do kishin kur na dhanë 1 milionë vota. Ata duan të qeverisen nga pushteti i shembullit.Armiqtë tanë nuk janë në këtë sallë apo jashtë saj, por përballë nesh: varfëria dhe papunësia. Ne do të luftojmë kundër varfërisë së aspiratave dhe do ushqejmë aspiratat. Shqipëria e gjysmës së rinjve analfabetë funksionalë ka mbetur shumë prapa. Shqipëria, e paujë në mes të Europës, ëhstë viktimë e atyre që e kanë harruar duke qeverisur. Ne nuk do i tradhtojmë ata. Ne do jemi kudo me njerëzit dhe për njerëzit për Shqipërinë europiane. Jemi zotuar se do krijojmë 300 mijë vende pune. Do gdhihemi dhe ngrysemi për t’ia dalë, që Shqipëria të jetë jo tunel, por hapësirë mundësisht. Unë dua të ndaj me ju se në mbyje të këtij mandati, do jetë mbyllur edhe odisedaj e etjes për ujë. Nuk tundemi nga zotimi për të përmbushur premtimin për legalizimet, siç ua kam premtimin njerëzve.Ne do legalizojmë shtëpi, por vila në bregdet dhe ndërtime të paligjshme për biznes. Nëse të varfërve që erdhëm këtu nga humbëtirat e Shqipërisë, nuk do t’u këkrojmë lekë, por vetëm ç’ka është e ligjshme, kurse zengjinëve të së paligjshmes do t’u japim faturë të kripura.Mësuesi, mjeku, polici do jenë tri figurat kyçe për rimëkëmbjen e ardhshme. Nuk do jenë më doganierë e tatimorë – ushtarë të partisë; ata do zëvendësohen me profesionistë”tha ai.

Biznesi, Rama: Kapitull i ri, partneritet

Do të hapet menjëhërë një kapitull i ri në marrëdhëniet me biznesin, që nuk do jetë kundërshtari ynë, por partneri ynë dhe do jemi të hapur dhe ruajalë me të.

Rama: Do te themelojme sherbimin kombetar shteteror për shëndetësinë
Unë i qëndroj plotësisht zotimit që kemi marrë. Do themelojmë Shërbimin Kombëtar Shtëtëror që do ta afrojë shërbimin falas. Ai nuk është “sadaka”, por shërbim nga shteti që e afron në rrugë alternative. Shëndetësia kushton, por kush paguan? Jo ata që nuk kanë, por gjithë shoqëria për ata që s’kanë. Ne do t’ia marrim spitalet korrupsionit e do t’ia kthejmë njerëzve. Debatin në bëhet a s’bëhet ne do ta vazhdojmë pas katër vjetësh mu në sheshin e spitalit “Nënë Tereza”.

Rama: Reforma në arsim, “fre” pranimeve pa kriter në Universitete
Do të jem gati po ashtu të dal pas 4 vjetësh para çdo mësuesi e nxënësi për t’u thënë që koha e Kryeministrit që u futet me pahir në oborr apo i merr në mitingje, është një ëndërr e keqe që mori fund në 23 qershor. Jemi zotuar t’i kthejmë shkollës, lirinë, solidaritetin mes mësuesve, prindërve e qeverisë. Kemi gati projektin për të nisur tabletat elektronike që do zëvendësojë librat dhe dërrasat e zeza për të zmbrapsur lumin pa kriter në dyert e universiteve. Do fillojmë kulturën e madhe të edukimit përmes kulturës dhe sportit.

Toka, Rama: Do zbatojme ligjin 7501
Do të zbatojmë ligjin 7501 për tokën, por jo duke e zvarritur atë pa fund. Po ashtu, nuk do vazhdojmë pa fund me premtime për kompensione e legalizime. Ky ëhstë momenti për ta thënë, përmes interesit të vendit dhe interesit për t’u rizgjedhur, unë zgjedh të parin. Jemi zotuar të ulim kostot e ushqimeve bazë. Ndaj, çdo fermer që rropatet për tokën do ta kthejmë në aleatin tonë dhe ne do t’i kushtojmë fshatit, energjitë që s’i janë kushtuar në 20 vjet sëbashku.

Rama: Audit për financat, do binjakësojmë INSTAT-in
Do të auditojmë urgjentisht, “xhepat e shtetit” dhe do të binjakëzojmë INSTAT-in, që shifrat të mos i nxjerrë zyra e Kryeministrit, por kemi nisur bashkëpunimin me misionin e FMN-së. Po përgatitemi të komunikojmë me FMN-në për të parë sesa e thellë është kriza dhe si t’i përgjigjemi asaj.

Rama: Integrimi jo përmes propagandave, por demokratizmit të vendit

Nuk dua t’i ul pritshmërinë, njerëzve, por t’i përgatisim ata. Ne do kalojmë nga integrimi i Shqipërisë si propagandë, në europianizimin real të Shqipërisë. Unë mbështes opozitën në reformat  pa kushte që thotë, lidhur me integrimin. Procesi i integrimit është shumë më tepër se vandakët e letrave të këtij Kuvendi. Po ashtu, NATO nuk është medalje, por përkatësi në botën e demokracisë të çdo dite. Të jesh pjesë e kësja bote me NATO dhe BE do të thotë të ndash me të tjerë parimet. Shqipëria ka shumë më tepër ligje se 8 vjet më parë, por jo ligjshmëri. Krimi ka marrë përmasa të papara. Kur hapim tv, vrasjet na duken si film i vjetër, kurse vjedhjet s’na bëjnë më përshtypje. Armët janë bërë si celularët, janë kudo në shkollë e klube, vetëm se nuk mbahen në dorë aq dukshëm për të nisur sms. Nëpër fshtra grabiten shtëpi e dhunohen njerëz, kurse inspektorët e policisë mbyllin sytë. Po bie Kruja, po tretet Gjirokastra, po rrënohet Berati si një makth. Ky makth duhet të mabrojë. Do të riorganizojmë Policinë e Shtetit e do ta kthejmë në krye të detyrës. Si asnjëhërë tjetër, deputetët kanë dy kohë për ta lexuar këtë Program. Unë nuk desha të lexoj Programin voluminoz, por përmblodha boshtin e tij, që të mos i mërzis dhe ata që na ndjekin. Ka dhe shumë të tjera për të thënë këtu, si reformimin e TVSH-së,  projektin e integrimit social përmes punësimit, statusin e veçantë për disa kategori, si ish-të përndjekurit,veteranët, ish-ushatarakët… Politika e jashtme, Rama: Bashkepunim me Kosoven
Po ashtu, ne kemi shumë për të mësuar nga shtet vetëm 5-vjeçar si Kosova, mjaft të shohësh policinë e tyre, sjelljen e ambasadorëve, spitalet e tyre. Prapambetja e tyre ishte falë një armiku, kurse e jona falë mungesës së aspiratave. Do t’i adresoj menjëhërë kryeministrit të Kosovës, vizionin tonë të ri.

Në përfundim të fjalimit, Rama u shpreh i sugurtë se opozita do ta lexojë me kenaqësi programin, ndërsa premtoi se do t’i dëshmojë me vepra se çdo të thotë ta mirëqeverisësh vendin.

“Opozitës do t’i tregojmë me vepra se çdo të thotë ta mirëqeverisësh këtë vend. Shqipëria ëhstë Atdheu, kurse Europa e ardhmja jonë. Unë nuk do t’i kërkoj opozitës të na votojë, por do ta falenderoj për kënaqësinë që PD-ja do ta lexojë me kënaqësi të madhe dhe pasion të veçantë, programin tonë. Kjo do të na ndihmojë dhe do të na mbajë gjithnjë zgjuar në humnerën e vetëbesimit. Dua të nënvizoj fort se ndryshimi nuk do vijë brenda një nate apo një viti, por puna për rilindjen nuk do reshtë asnjë minutë dhe rilindje do të jetë,” – përfundoi Rama.

Ndërkaq me mbylljen e fjalimit, fjalën e rimori drejtuesi i seancës parlmentare, zoti Meta, ku si për të ç’tensionuar situatën ftoi deputetët e opozitës dhe mazhorancës ti përmbahen rregullores dhe të shmangin konsideratat politike ndaj njëri- tjetrit në shërbim të interesave të vendit.

“Seanca e radhës do nisë me përgjigjet e pëyetjeve nga Kryeministri dhe ministrat, na duhet lista e diskutantëve në përputhje me rregulloren. Dua të siguroj përfaqësuesit e opozitës se sikurse u bënë tërë përpjekjet për t’u dhënë kohën që të studiojnë Programin, sipas rregullores dhe për t’u shprehur në debat, i ftoj të gjithë të vijojnë përpara në respekt të rregullores, sepse jam i bindur se nuik i ndryshojmë dot konsideratat politike, por e kemi për detyrë të dëgjojmë me respekt njeri – tjetrin dhe të mos e ndërpresim. Jam i bindur se do të bëjmë më të mirën tonë“-tha Meta.

Filed Under: Kronike Tagged With: Edi Rama, opozite, Parlament, PD, qeveri, Sali berisha

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT