Organizuar nga e ngarkuara me punë në ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zonja Majlinda Dodaj, takimi u mbajt në Sallën Klementine në Vatikan, që u mbush me njerëz nga Shqipëria e nga trevat e tjera, ku banojnë shqiptarë, por edhe me arbëreshët e Italisë.
Grupi shoqërohej nga kardinali Simoni, nga pesë ipeshkvij katolikë – imzot George Frendo, imzot Angelo Massafra dhe imzot Simon Kulli të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe dy ipeshkvij arbëreshë: imzot Donato Oliverio i Eparkisë së Ungrës dhe imzot Giorgio Gallaro i Horës së Arbëreshëve – por edhe nga krerë e përfaqësues të besimeve të tjera fetare nga Shqipëria, nga presidenti i Parlamentit shqiptar e nga ministra e autoritete të tjera politike.Dalloheshin kostumet arbëreshe e ato të veriut shqiptar, veladonët e ipeshkvijve, kapela e kuqe e kardinalit, veshjet për festë të besimtarëve, ndonjë fytyrë kureshtare e Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, artistët me origjinë shqiptare, që njihen tashmë, në të gjithë botën.
Fjalët e Papës Françesku
Duke kujtuar Skënderbeun, Papa Françesku nënvizoi se Heroi kombëtar i shqiptarëve “mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin ‘Athleta Christi’. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar”. Por Ati i Shenjtë nuk mbeti në kohët e shkuara. I nxiti shqiptarët për “një impenjim të risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të zhvillimit të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin”. U foli për “shqiptarinë” e Pashko Vasës, i cili e përdori këtë term për të “treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri – pohoi Papa – kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë, në bashkëpunim e vëllazërim”. Ati i Shenjtë kujtoi atmosferën e respektit e të besimit të ndërsjelltë ndërmjet feve në Shqipëri – fakt, që e përmendi edhe gjatë udhëtimit të tij apostolik në vend, më 21 shtator 2014. E së fundi, kujtoi martirët e komunizmit dhe Nënë Terezën, shenjten shqiptare të dashurisë, duke u kërkuar të gjithëve të luten për të.
Koncerti në Teatrin Argjentina të Romës
Gjithë grupi i shqiptarëve, pas takimit me Papën Françesku, shkoi në Teatrin Argjentina, në qendër të Romës, ku në orën 20.30, 10 artistë shqiptarë me famë botërore dhanë koncertin me temë “Të bashkuar në muzikë, në kujtim të Skënderbeut”. Dua Lipa, Ermal Meta, Inva Mula, Olen Çezari, Ramë Lahaj, Genc Tukiçi, Eno Peçi, Elhaida Dani, Lorik Cana dhe Erza Muqolli, këngëtarja 8-vjeçare, aq e dashur për publikun francez: këta janë “yjet” shqiptare në koncertin e Romës për Gjergj Kastriotin. Publiku përshëndetet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.
Nesër, pritja në Urdhërin e Maltës
Nesër, në orën 10.00, delegacioni shqiptar do të pritet në Pallatin Magjistral të Urdhërit Sovran të Maltës, nga Mjeshtri i Madh, frà Giacomo Dalla Torre del Tempio di Sanguinetto. Me këtë Urdhër, Shqipëria ka lidhur marrëdhënie që nga viti 1994.
Në vitin 1968, takimi me Papën Pali VI
Para 50 vjetësh, një grup tjetër shqiptarësh takohej me Papën Pali VI, i cili u shpall shenjt nga Kisha vetëm pak javë më parë. Ishte viti 1968, koha kur komunistët rrënonin kisha e xhami dhe e deklaronin vendin ateist. E siç shkruhet në numrin e parë të atij viti, në Revistën “Shejzat” të Ernest Koliqit, në atë kohë kur vetëm shqiptarët e diasporës mundën ta takonin, Pali VI u lut që e ardhmja e kombit shqiptar të jetë e denjë për të kaluarën e tij.
Në këtë pikë të dy Papët – Pali VI atëherë e Françesku sot – e mendojnë njëlloj. U bëjnë thirrje shqiptarëve të mos flenë mbi dafinat e së kaluarës, por të ndërtojnë të ardhmen, sipas shembullit më të mirë të heronjve të tyre.(Java)