Nga Mimoza Dajçi/Ftesën për të asistuar në promovim e një libri pranë godinës së OKB-së, e prita me kënaqësi. Autori amerikan Steve Silberman prezantoi para një auditori të zgjedhur librin me titull: “NeuroTribes”. Autori është fitues i Çmimit në shkenca mjekësore për krijimtari letrare, dhe fitues i Çmimit Samuel Johnson. Libri “NeuroTribes” dhe Steve Silberman janë përcaktuar nga “New York Times” si autori dhe libri më mirë e i më i shitur në SHBA dhe në Angli. Po ashtu edhe “The Economist”, “The Financial Times” e shumë media të tjera e kanë renditur autorin tek shkrimtarët më të mirë.
Po çfarë është autizmi e si arrihet në parandalimin e kësaj diagnose. Sipas mjekëve specialistë shenjat e autismit tek fëmijët shfaqen pas moshës 1 deri 2 vjeç, por ata pohojnë se autismi mund të identifikohet që në muajt e parë të jetës. Lidhur me raportimet për përhapjen e këtyre çrregullimeve vlerësohet se në botë nga 3-4 fëmijë në 1000 vuajnë nga autismi infatil. SHBA vazhdojnë të bënjë përpjekje të mëdha për të gjetur shkaqet e autismit.
Po cilat janë 11 shenjat e autismit, le të njihemi me ato: paaftësia për tu shoqëruar me fëmijët e të rriturit, mungesa apo dobësia në të folur, shumë ose pak ndjeshmëri ndaj zërave, loja e pazakonshme me lodrat, vështirësi në ndryshim të rutinës, të qeshurat ose të qarat vend e pa vend, të pavetëdijshëm ndaj rrezikut, shumë peraktiv ose shumë pasiv, shumë të ndjeshëm ose pak kur i/e prekim, ndërlidhje e çuditshme me sendet, mungesë e kontaktit vizual.
Sipas folësve në atë takim autismi po shndërrohet në një sfidë thelbësore për shëndetin publik, kjo për shkak të përhapjes së tij në rritje, por edhe për kostot shoqërore dhe ekonomike. Sipas specialistëve trajtimi i tij duhet të kthehet në një prioritet të politikave shëndetësore e sociale duke treguar më tepër vëmendje ndaj fëmijëve që preken nga kjo sëmundje.
Vendet e Europës Juglindore kanë shprehur angazhim për të bashkëpunuar në një rrjet të përbashkët që ti japin në mënyrë të organizuar përgjigje kësaj sfide. Autismi mendohet si sëmundje e trashëgueshme ose e pashërueshme, megjithëse ky mendim është akoma i diskutueshëm. Ka shumë terapi autiste me synime të ndryshme që aplikohen duke u nisur prej metodave edukative e duke përfunduar me medikamente.
Qëllimi kryesor i këtij eventi nga OKB-ja flet për propagandën që duhet të bëjë media, institucionet shtetërore, organizatat jo qeveritare për sensibilizimin e parandalimit të kësaj sëmundje me pasoja për njerëzimin. Pjesëmarja e organizatës tonë The Women’s Organization “Hope & Peace” në këtë aktivitet ku flitej për shëndetin publik, plotëson më së miri objektivat tona për sa i takon mbrojtjes së të drejtave të gruas e fëmijëve.
Pas fjalës së autorit Steve Silberman pati pyetje e përgjigje referuar problematikave të kohës mbi autismin dhe mënyrës së parandalimit. Moderator i promovimit të librit “NeuroTribes” ishte Themeluesi dhe Presidenti i Self Autistic Advocacy Network – Ari Ne’eman, i cili në vitin 2009 është përzgjedhur nga vetë Presidenti i SHBA – Barak Obama si këshilltar kombëtar për njerëzit me aftësi të kufizuar.
OKB, New York 2016