MITROVICË, 23 Korrik 2015/-Në Mitrovicë, qytetin më të madh verior të Kosovës, tiranasit nisën shfaqjen e komedisë në skenën e ndriçuar me qirinjë. Mbrëmë, pikërisht në momentin kur duhej të fillonte shfaqja e komedisë “Jo të gjithë hajdutët vijnë për të vjedhur”, nga trupa teatrore e Tiranës “Edukojmë Art”, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” u ndal rryma elektrike.
Mirëpo, kjo nuk i pengoi aktorët tiranas që të fillojnë shfaqjen e tyre nën dritën e qirinjëve të ndezur nga organizatorët dhe të ndriçimit me celularë nga ana e audiencës. Ikja e rrymës elektrike nuk zgjati shumë dhe në vazhdim shikuesit patën mundësinë që të ndjekin shfaqjen në kushte normale.
Kjo shfaqje ishte njëra nga aktivitetet e organizuara nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Diasporës” dhe u prit mirë nga shikuesit./b.j/