• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadorja e Kultures Shqiptare, Amerikania Carrie Hooper, ne Sofren e DIELLIT

September 10, 2013 by dgreca

Ambasadorja e Kultures Shqiptare, Amerikania Carrie Hooper, ne Sofren e DIELLIT/

Bukuria e vërtetë e njeriut/

Bukuria e vërtetë e njeriut /

Me sytë nuk vërehet/

Ngaqë sytë vetëm sipërfaqjen kapin./

 

Vetëm duke shikuar/

Njeriun me zemrën,/

Dhe duke u njohur/

Me tërë thelbin e tij,/

Bukuria e vërtetë shfaqet./

 

Mund të zhubroset dhe moliset

Trupi njerëzor

Por bukuria e vërtetë e njeriut

As nuk plaket,

As nuk fashitet.

Edhe pas vdekjes së trupit

Mbetet gjallë

Bukuria e vërtetë e njeriut.

 

Jeta është një mrekulli/

 

Jeta është një mrekulli,

Një mosaik ngjarjesh

Me ngjyra të papritura,

Një pjesë teatrale,

Skenarin e së cilës

Shkruajmë ditë për ditë.

 

Na dhurohet jeta

Që me veprat dhe takimet tona

Të gatuajmë

Paqe dhe mirësi.

 

Këngë e shpresës

 

Kur të ka pushtuar zhgënjimi,

Kur dhe shpresa të mungon,

Kur të ka mbuluar trishtimi,

Mbaj mend që Zoti të do.

 

Vetëm në rrugë ai s’të ka lënë.

Edhe pse nuk e kupton tani,

Një derë tjetër do të hapet.

Ka për ty një plan të ri.

 

Si pas stuhisë pëson qetësia

Dhe pas natës dita agon,

Kështu pas dëshpërimit gufon gëzimi’

Lart ngre kokën dhe jeta vazhdon!

 

Pa gëzim

 

Pa gëzim

Ngrysen ditët.

Thahen miqësitë.

Të mundon pa mëshirë

Kanceri i vetmisë

Derisa

Në shtratin e vdekjes

Shpirti yt thërmohet.

Jeta pa gëzim

s’ka Asnjë kuptim.

 

Ëndrrat

 

Ëndrrat janë shokët tanë.

Duhet t’u qëndrojmë besnikë.

Na shtynë të mendojmë si fëmijë,

Të besojmë në të pamunduren,

Të kuptojmë që kufizime

Dhe pengesa nuk ekzistojnë

Nëse hapemi Për aventurën e panjohur.

 

Ndoshta të ka thënë dikush:

A je i çmendur?

Kurrë nuk do të realizohet ëndrra jote.

Nga ajo S’mund të jetosh,

Të fitosh para.

 

Mendon se Dëshirën,

Pasionin, mundësinë,

Për gjithëmonë ka vrarë,

 

Por kurrë nuk shuhen

Dëshirat e zemrës.

Një copë herë varrosen

Nën detyrat e jetës:

Rritjen e fëmijëve, punën, etj.

 

Megjithatë rrinë brenda nesh

Ëndrrat tona.

Vazhdimisht na thërrasin

me atë mall të papërshkrueshëm

Që na shtrëngon gjoksin.

 

Prandaj, o njeri,

Duke qenë i gjallë

Vetëm një çast i shkurtër,

zgjati fletët, fluturo!

Këndo me zë të lartë,

O botë, ‘Ja ku jam!

As ti, as pushtete njerëzore

S’më frikësojnë

Se E di nga vjen pushteti im!

Nuk mund të më pengoni më!

Çliruar jam!

Të gjitha ëndrrat e mia

Tejet të çmendura

Do t’i ndjek!

Jo si të doni ju

Por si të dua unë,

Kështu Do të jetoj!’

 

Të gjitha ditët e jetës,

Lër që kjo këngë

Të të shoqërojë!

Besimin Që e pamundshmja

Mund të ndodh,

Mos e humb!

 

Mos mendo,

Tepër vonë është,

Ka kaluar vera.

Ka perënduar dielli im.

 

Nuk është e vërtetë fare!

Edhe më fort

Shkëlqen dielli yt!

 

ëndrrat, mos i harro!

Janë fëmijët e zemrës sate

Që deri në fund

Të rrinë besnikë

Kudo që të të çojë jeta!

ëndrrat, mos i humb!

Mos!

 

Lule e vogël

 

Lule e vogël,

Pas gjumit dimror

Kokën tënde

po ngre.

 

Rrezet e mëngjesit

Të ledhatojnë dhe puthin,

Dhe në çeljen tënde

Buzëqesh pranvera.

 

Lule e vogël,

Mezi të vëren

Turma që nxiton

Dhe të anashkalon,

Ah, po të dinte

Se gjërat më të vogla

Shfaqin bukurinë

Më madhështore!

 

Për një përrua

 

Përrua, mor përrua,

Ku po shkon?

Udhëtimin tënd vazhdon

Pa ditur

Fundin e tij.

 

Përrua, mor përrua,

Kur rruga e jetës

Na çon

Në drejtime të papritura,

Na mëso

Të mos druhemi.

Na gurgullo besimin fëmijëror

Se rrjedhjen tonë,

Ashtu si rrjedhjen tënde,

Zoti vetë drejton.

 

Nderimi i nënës

(E shkruar me rastin e ditës ndërkombëtare të gruas)

 

Duart e nënës,

Të buta si mëndafshi,

Me përkdhelje dhe ledhatime

Fjalët “të dua” vizatojnë.

 

Krahët e nënës

Të sigurta, qetësuese,

thesarin më të vyer mbajnë,

Por nëna e urtë kupton

Se një ditë

Nga foleja

Duhet ikur fëmija

Për të gjetur vetveten.

 

Gjiri i nënës,

Jastek ku fëmija

Edhe pse i rritur

Kokën e lodhur

Mund ta mbështesë

Duke dëgjuar zemrën

Që plot dashuri rreh.

 

Zëri i nënës,

I ëmbël duke kënduar foshnjës,

I mençur duke transmetuar

Mësimet thelbësore të jetës.

 

Dashuria e nënës

Kurrë nuk shuhet.

Për nënën

Fëmijët e saj

Të dashur dhe të vegjël jemi.

 

Malli për nënën

Na pushton

Në veçanti

Kur në vende të largëta jetojmë.

Mallohemi

Në prehër t’i ulemi,

Zërin e saj ta dëgjojmë,

Sytë e saj ëmërore t’i shikojmë.

 

Mirënjohjen tonë shprehim

Për Mësuesen tonë të parë,

Për Gruan më punëtore,

Që gjithëçka për ne flijon,

Dhe Me forcë mbinjerëzore

Të gjitha detyrimet kryen!

Nderojmë Të dashuren nënën tonë!

 

Për njeri-tjetrin kemi nevojë

Për njeri-tjetrin kemi nevojë

Porsi dita diellin,

Si nata terrin,

Si dejet gjak,

Si jeta frymë.

 

Në një bukë të përbashkët

Na brumos Zoti.

Në vegjën e bashkëjetesës,

Prej fijeve

Të shumëllojshmërisë sonë

Thuret stofi

I njerëzimit hyjnor.

 

Të papriturat

 

Të papriturat

Janë çaste të shenjta.

Nga e zakonshmja

Na zgjojnë.

 

Një tërmet në shpirt shkaktojnë

Që të rregulltën tund

Dhe na forcon.

 

Ndodhitë

E paparashikuara,

Përqafoji!

Si margaritarë

Të përditshmen tonë stolisin.

 

Vallja e paqes

 

Ejani te vallja e paqes!

Në të kanë të drejtën

Të gjithë të marrin pjesë.

S’kanë rëndësi

Feja dhe kombësia

Sepse vëllezër dhe motra jemi,

Nga i njëjti Zot krijuar,

Me të njëjtin dinjitet.

 

Na bashkon Muzika e valles:

dashuria ndaj njeri-tjetrit

Dhe dëshira jonë për paqen.

Mësohen lehtë hapat e valles:

durimi, Fjalë të buta,

Një përqafim,

Beseda miqësore,

Mikpritje ndaj këtyre në nevojë.

 

Mos presim!

Marrim njeri-tjetrin në dorë!

Hedhim vallen e paqes!

Kur e fillojmë ti dhe unë,

në gjithë botën do të përhapet,

Dhe me shpirtin e paqes

Do të mbushet toka.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Carrie Hopper, poezi, sofra

Poezi të qëndisura nën dritë Hëne dhe pena i bëhet bajrak

September 1, 2013 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Është ngazëllyese të lexosh librat e një poeti, kur më parë ke dëgjuar tingullin e zërit të tij aq melodioz që kanë hovur si dallgë anembanë Atdheut, por veçanërisht në Jug nga dhe e ka origjinën poeti.  Muzikaliteti dhe poezia e tij janë dy sinonime që s’mund të kuptohen pa njera tjetrën kur bëhesh lexuesja e rregullt e tij.  Kam kohë që i kam lexuar dhe dëgjuar zërin e tij, këngëtarit poet dhe kuptoj se ato jane një muzë që kanë folezën në shpirtin e butë të tij.  Është fjala për autorin e disa librave me poezi dhe njëkohësisht këngëtarin që ka krijuar grupin muzikor “Zëri i Trebeshinës” z.Pëllumb Aliaj nga Bubësi i Tepelenës.  Poezitë e tij janë një lirikë e ngrohtë dhe qiellit duket sikur i marrin trillet imagjinare, dhe çmendin Hënën në netët e gjata të verës.  Janë vargje që të japin fllad agimesh me vesë mëngjesi: Po le ta lexojmë më mirë në këto vargje të poezisë titulluar “Erdha prapë” nga dhe ka marrë titullin libri më i ri i poetit.

O miqtë e mi/ unë erdha prapë. E di që “bujrum” do më thoni/ Ç’kam mbledhur udhës do t’i hap/ Si pajë nusesh t’i shikoni/ Kam mbledhur agimeve vesën/ Dhe erën e luleve të prillit/ Me to kam ngjyer penën/ Të shkruaj këngët e bilbilit/…  Me këngët e bilbilit ka një lidhje gati hyjnore midis kryembretit të zogjve Bilbilit dhe poetit që vesh poezinë me pendë mëndafshi për ta mbrojtur nga pluhurat e kohës.  Poeti me një marramendje fluturuese ka takuar dhe Hënën dhe në feta të holla ja ka hapur zemrën, por nga kjo poezi dhe më pastaj miqve do t’ju tregojë sekretet e moshës së artë.  Detajet e holla poetike si filigrane shpirti krijojnë një lidhje midis poezisë dhe lexuesit të vëmendshëm, ngase ai po darovit me petalet e fjalës miqtë e tij.  Në rastin në fjalë ai shkon i përunjur para vendlindjes së tij që s’e harron kurrë dhe njëkohësisht ai ndjehet më i sigurtë se asnjëherë:  Tek ju kam ardhur qullur dhe lodhur/ U kam sjellë herë lule/ herë këngë/ Në vatrën tuaj s’kam ndier të ndrojtur/ Në oda ma keni shtruar vend/  Tek ju fjalën s’ma merr era/ Pena në dorë më bëhet bajrak/ Aty ku këngës i dihet vlera/ Tek ju kam ardhur/ do vij dhe prapë/.

Poeti është njëkohësisht dhe këngëtar që edhe pse udhëton duke kënduar në skenat më të njohura të qyteteve të Jugut, ai përsëri shpirtin e ka lënë në gjinjtë e Hënës së vendlindjes, në agsholet luleverdha të prillit.  Pena i bëhet bajrak pikërisht aty në Buzin e bekuar.

Një gjetje e bukur poetike është dhe poezia: “Dhe në qiell bëhesh zonjë”, ku autori e shenjtëron fjalën nënë dhe thotë se ajo është ndoshta dhe më shumë se bota.  Fantazia e tij krijuese nuk njeh kufi ndaj dhe i thur hymn gruas dhe nënës zonjë dhe ja se si:   Kush është nënë në këtë botë/ Është sa bota dhe më shumë/ Barabar me fjalën Zot/- Bir pa nënë, s’gjen gjëkund/ S’ua them dot ç’ndien shpirti brenda/ Thirrja “”Nënë” bëhet jehonë/ Pa kur “Nënë” flet dhe Hëna/ Lart në qiell bëhesh zonjë/.  Poezia është adhurim për nënën, është mrekullia hyjnore për fëmijët, dashuria e saj bën që dhe burbuqet në pemën e lofatës të ndizen dhe qumështi i gjirit të saj të mëkojë buzën e birit poet dhe këngëtar dhe ta pagëzojë nënën mbretëreshë të rruzullimit.  Autorin Alia natyra magjepsëse e krahinës nga vjen, pemët e ngarkuara me frute të pjekura vjeshte, romantizmi i nxjerrjes së rakisë nëpër kopshte ku dëgjohej zhaurima e bletëve medoemos të lë përshtypjen që kanë ndikuar fuqishëm në muzën e tij poetike.

Ai si një skulptor gdhend me daltë dhe gurin, ate gurë të rëndë shqipërie që s’luajnë kurrë prej vendit.  Ndaj ikjes së shumë njerëzve nga fshatrat, braktisja e tyre si në ikjet biblike e kanë bërë autorin që t’u jap shpirt dhe atyre dhe kërkon që mos t’i zërë mallkimi.  Metaforat e përdorura e bëjnë dhe më të ndjerë poezinë : “Nëma juaj mos na zëntë” Lum si ju, more gurë/ Emrin s’e kini ndërruar/ Dhe nga vendi s’luajtët kurrë/ Në dy faqet gjuhën shkruar/.  Kur ne ikëm pa u thënë/ Ju na e quajtët mëkat/ Ahet tuaja po na zënë/  Ditë për ditë e natë për natë.

Është një dialog i heshtur, është dhimbja e ikjes së poetit, është plaga e hapur nga braktisja.  Ndaj autori i mëshon fuqishëm poetikisht se Guri i rëndë në vend të vet!  Megjithatë largësia është vetëm fizikisht se zemra dhe shpirti i tij janë atje në tokën e ngrohtë me damarë gjaku, janë në bustin e Tafil Buzit qe i mbrojti me gjak vatanet nga osmanët turq.  Është tejet e ndjeshme dashuria e brendshme dhe biseda me gurin sidomos në këto vargje: Ku ju lëmë, ju gjejmë prapë/ Ballin strëng dhe myshk të veshur/ Ikur djalë e kthyer plak/ Si kokrra e fikut rreshkur.   Vargjet jane ballë kënge, janë kurorë peme stolisur me figura të argjendta dhe skulptori poet i vendos emblemë në portën mijëravjecare me gurët që s’lëvizën kurrë.  Duke lexuar këto vargje më kujton Mikelangelo i cili thotë se: “Çdo bllok me gurë ka një statujë brenda, por është detyra e skulptorit ta zbulojë atë”.

Autori digjet nga malli, përulet në gjunjë dhe betohet se atje do të shkojë gjithmonë ndaj lutet për një besim që duhet të kenë gurët e rëndë:  “Për ju, o gurët e rëndë/ Burri vjen i bërë zhur/ Nëma juaj mos na zëntë/ Se s’u kemi nëmur kurrë.

Poeti Aliaj është lindur dhe rritur brenda kohës së diktaturës, ndjen gjer në pejëza dhimbshëm kohën ku varfëria endej si shtrigë nate dhe ndërkohe bën figurativisht paralelizmin figurativ ndërmjet epokave dhe ja se si: Një diell ishte për të tërë/ Por matej me hije të rënda/ Jetova në epokë varfanjake/ Ku rrënja e shpirtit mori strëng/ E djeshmja gjallë më mbante/ E sotmja më sheh si njerkë/.

Koloriti lokal i fjalëve dhe semantika e tyre të sjellin pranë gjuhën plot art që ka përdorur mjeshtëria popullore, por mjerisht shumë autorë i largohen asaj.  Vetë fjala “strëng” merr një ngyrë tjetër emocionale pranë shpirtit dhe dallimet esenciale që egzitonin pamëshirshëm midis fshatit dhe qytetit me siguri e kanë tronditur skajshmërisht muzën e këngëtarit poet.  Lirikat e dashurisë janë ndër poezitë më të ndjera dhe më të ngrohta për lexuesin.  Ai kujton me nostalgji rininë e tij dhe me epitetet mjaltë ngjyen penën në hojet e saj duke na dhuruar ëmbëlsisht botën e artë në poezinë me titull “Të kthehen vitet”:

Të kthehen vitet që kanë ikur/ Ku u ndamë, të jemi prapë/ Zjarrin tënd të pafikur/ Me këto duar tani ta kap/.

Flakën e pashuar të dashurisë vetëm duartë e një poeti mund ta kapin dhe cuditerisht ai nuk ndjen dhimbjet nga djegjet e saj të shkallës së fundit, por shërohet në hapësirën e magjishme të frymes së saj.  Lirikat për dashurinë më kujtojnë thënien e poetit, novelistit dhe kritikut të famshëm irlandez Oscar Wilde i cili thotë se:  “Mbani dashuri në zemrën tuaj.  Një jetë pa atë është si një diell i vakët në kopesht kur lulet kanëvdekur”.

Një vend të veçantë zënë dhe poezitë patriotike, ku po shkëpus njërën prej tyre kushtuar 100 Vjetorit të Pavarësisë.  Në çdo cep të rruzullimit/ Ku ka gjak Shqipërie/ Bëhet shtizë qerpiku i syrit/ Mbi një shekull Pavarësie.  Poeti Alia me sytë e Lirisë prek tokën, puth Flamurin dhe ngjyen qiell e tokë me ngjyrën e saj të ndezur si e kuqja e Flamurit tonë.

Vokacioni poetik është joshës dhe herë herë shpërthyes duke proceduar estetikisht me përthyerje dhe një arsenal të gjerë të mjeteve shprehëse.  Me botën e këngës dhe ndërkalljen poetike poezitë e tij medoemos janë një vlerë dhe një tingjëllimë e bukur që ja vlen t’i dëgjosh me ëndje.  Poeti Alia brenda zërit të Trebeshinës nga ka marrë dhe emrin Ansambli krijuar po nga ai, lidh me fjongo dashurie botën labe me sofrën e bukur të festivaleve dhe aq miqësore gramshjote si në poezinë me titull: ” Gramsh o sofër lezeti” me vargjet si më poshtë:  Dallandyshja shtron folenë/ se vijnë bilbilat për këngë/ edhe isua labe vjen/ stolisur si zonjë e rendë.  Me zemrën plot dhe këngën në buzë i këndon Devollit, kesaj treve të pasur në kulturë, folklor dhe natyrë të bukur si në këto rreshta:  Devolli ka shtruar qilim/ fustanellë kanë veshur malet/ miqtë vargje vargje vijnë/ ku kanë vendin festivalet.  Interesante jane poezitë me toponimet e ndryshme që flasin qartë për autoktoninë e lashtë të vendit tonë si psh poezia “Ne Qafën e Murrizit”.  Natyra e bukur dhe e virgjër e frymëzon në çdo moment poetin, sa pa të duket sikur nuk merr frymë lirisht.  Me penelata piktori, poeti i jep jetë dhe dritë verbuese vargut nën simfoninë e zogjve që shpesh poetin e lenë të mbaj frymën për t’i dëgjuar dhe të hedh çapat nën ritmin e tyre.  Kjo është një copë nga vendi im, Këtu ku u ndodha unë sot, Edhe në stinën pa gjelbërim, Është më i bukuri vend në botë.  Vendi i tij është bukuria dhe dhimbja, dhe herë herë dhe si nje pikë e ngrirë loti në një gravurë kishe.  Këngëzimi i vargjeve medoemos shfaqet dukshëm si një ujëvarë Tepelene dhe sjellë  folklorin e pasur të trevës së Buzit dhe shpirtin artistik të familjes ku është rritur.  Çdo stinë për poetin ka bukurinë e saj, pemët e ndryshme që rriten atje, deri dhe dëllënjën e cila dallohet për frutin e saj si bimë medicinale dhe qëndron përgjithmonë si pishat e gjelbër.  Natyra në çdo stinë të saj e përshkruar aq hollë i jep mrekullisht frymëzimin duke kujtuar Albert Kamus i cili thotë se: “Vjeshta është një pranverë e dytë ku çdo gjethe duket si lule”.  Poezitë e tij janë të shkruara nën dritë Hëne, dhe yjet e qiellit i ka bërë metafora rreth trupit të saj me aq elegancë sa të duken si një vashë e bukur, belkëputur veshur me mëndafsh të artë dielli, ndërkohë pena i bëhet bajrak.

Ps: Të interesuarit mund ta dëgjojnë zërin e magjishëm të poetit në këtë lidhje:http://www.youtube.com/watch?v=PFprtj9UCdg

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Keze Zylo, Pellumb Aliaj, poezi

NE SOFREN E DIELLIT-ZYBA HYSA

September 1, 2013 by dgreca

VETVETEN NDËRTO…/

ZYBA HYSA/

Shqiptar i Greqisë,/

Shqiptar i Serbisë,/

Shqiptar i Malit të Zi,/

Shqiptar i Maqedonisë/

Oi, oi, oiiiiiiiiiiiiiii…/

I raftë zjarri kohës,/

Tash dhe një shqiptar i ri:/

Shqiptar i Kosovës!/

 

Shkojmë dhe përtej:

Shqiptarët e Amerikës,

Shqiptarët e Evropës,

Shqiptarët e Azisë…

Shqiptar të gjithë botës,

Po, pse qenka kaq vështirë,

Të bëhemi bashkë,

Të thirremi,

Me emrin tonë të lashtë??

Po, pse dëshirën na e mohojnë,

Kur për vete të drejtat i kërkojnë??

Çfarë duan nga ne?

Punë?

Në gjithë botën, djersa shqiptare,

Pihet si verë e ne pimë vrerë!

Çfarë duan nga ne?

Mençuri?

Dritën shqiptare për sytë e tyre e kanë marrë,

E pse na quajnë “barbarë”…

Çfarë duan nga ne?

Gjak?

Jo, jo… aspak!

Një pikë gjak shqiptari,

Me fanatizëm do ta ruajmë,

Toka u ngop,

Hasmi vampir,

Piu sa deshi e na përqeshi…

 

Ka ardhur koha,

O botë hipokrite,

Që “ëmbël” na vodhe,

Që “ëmbël” na shove,

Që “ëmbël” na ndave,

Në gjithë botën na shpërndave…

 

Ka ardhur koha dhe koha nuk pret,

Dhe lutjet e Zotit, vranë Zotin vetë,

Tash është e qartë:

Askush s’na do…!

Shqiptar… zgjohu…

Vetveten ndërto!

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: nderto vetveten, poezi, Zyba Hysa

DUKE PERKUJTUAR ZEF P. MIRAKAJ ME NJE POEZI TE TIJ

August 30, 2013 by dgreca

Zef P Mirakaj nderroi jete me 27 gusht. Ne kujtim po publikojme poezine qe ai pat shkruar per Kosoven. Poezia “KOSOVES” eshte e shpalosur n’frymezime “Ideale” ne Atdhetari! E shkruejtun me nje dashni t’pastert dhe plot me zell nga Zef P. Mirakaj. Eshte Poezi e forte, origjinale dhe e pa shoqe ne shtjellim te vargut te saje poetik; te cilat jane te rrjedhshem ne Poezi dhe me n’dricime  ngjyrash te argjenta, per rizgjim te Dardanise; me se fundmi, “Kosoves” per LIRI-ne e shume pritun !…./

Gete: “Nuk mund te jesh i drejte, ne qofte se nuk je njerezor”/

KOSOVËS /

ZEF P. MIRAKAJ/

Shumë gjatë, nji shekull, t’munduen

Ty Kosov Dardane!

Europa t’linçuen;

Të bânë kurbane

Kur çuditnisht n’vendim mrrîn:

“…Për hir t’Europës stabilitet

Po sakrifikoj Shqipnín…”!

Por, shih si rrota e historís vërtitet:

Vendimi që Kosovën shkjaut t’ia lâj,

I u kthye në distabilizim të saj.

“shìftari” të quejti,

Ty, shkjau barbar,

Pse n’êmën Tând me t’thirrë nuk mujti;

E dridhte êmni Shqiptar.

Shpresën ndër dhambë shtërngove,

E krahët e zêmrave t’lëndueme

Drejt saj i zgjatove,

Që nji ditë vedin m’e pa t’lumnueme.

Besove, Ti, se n’djepa

Që Nânat Kosovare përkundshin,

Vigaj si n’t’kaluemet epoka

Prej tyne do t’dilshin.

……

Qeshu, e shtrêjta Motër.

T’ka ardhë dita me u gëzue.

Djepat Tu rritën n’at’ votër

Burra që t’bânë me u krenue;

Rritën Boletina, Prishtina, Rugov’,

Polluzha e Perllesha,

Dhe me mija Adem Jashár’,

Që Ty, Motër Kosov’

Me të pshtue prej shkjaut barbar.

Erdh’ dita, Europa për her të par

Prandoi se n’Kosov s’jetojnë “shìftari”

Por nji popull trim, autokton Shqiptar,

E krah T’u bâ me u nda nga barbari.

Eh Kosov! Shkundu pluhnit që t’pat mblue.

Hîn n’vallen që Ora Arbnore âsht tue i prî,

E mbas saj, Amerika dhe Europa rreshtue,

Si n’valle t’Zânave tue i shkue përbrî.

Teri lotët që kurrë s’t’U thanë.

Forcoi zêmrat që shumë t’U vranë.

Mbas nji shekulli n’robni nën shkjé,

Sot po m’duket s’dyti ke lé.

Për hajr t’kjoftë, KOSOV, LIRIA.

Sot, shênd e ver’ âsht krejt SHQIPTARIA.

New York, 17 shkurt, 2008

Filed Under: Featured Tagged With: Kosoves, poezi, Zef P Mirakaj

LIMFA QË USHQEN POEZINË E FELEK BLETËS, MBUSHUR ME HOJE MJALTI SI KRISTALI

July 25, 2013 by dgreca

nga  Albert HABAZAJ, studiues/*

Duke e ndjekur nga afër, me interesim dhe respekt, poezinë e autorit Felek Bleta, vërej se ajo ecën në shtratin origjinal të burimit nga nisi gurgullimën, të cilën unë dëgjoj me ëndje. Jo vetëm në kuptimin sasior, me botimin e disa vëllimeve poetikë, por sidomos në rrafshin cilësor, patjetër mbi përvojën e fituar gjatë trajnimeve intuitive natyrale, me këngën mbushur me furtunë, me lule e me  mjalt të vendlindjes, përgjatë shekujve, poeti i Vërmikut i paraqitet lexuesit të sotëm dhe dashamirëve të kënëgës me vëllimin e freskët “Rrugëtim”. Limfa që ushqen poezinë e Felek Bletës është kënga popullore, epika dhe lirika e traditës së hershme folklorike të Vërmikut, krijuar dhe interpretuar nga të parët e atyre banorëve të mirë, trima, bujarë, të diturisë dhe të besës,që nxorrën emra të lartë, si Hamit  Çela Lumi, Avdurrahman Ali Çiraku, të tjerë para tyre e të tjerë pas atyre burrave, që bënë histori, jo vetëm për Vermikun, Kurveleshin e Poshtëm, Labërinë e Vlorën, por morën përmasa kombëtare. Limfa që ushqeu poezinë e Felek Bletës është kënga, që lindi nga gurra popullore e Vermikut, ku piu xha Agua e Veiz Bleta e pararendësit e tij dhe sidomos tekstet dhe meloditë që mësoi, krijoi, interpretoi dhe ruajti mësuesi i përkushtuar Serri Tushe, mbështetur në vargun tradicional, me rimë të puthur AA, apo vargjet e alternuara ABAB. Ai ia la stafetën Felekut, i cili e pasuroi më tej, i dha ritëm, i dha fytyrën e kohës, ruajti traditën, dhe mbi atë shtrat ngriti me elengancë poezinë e jetës së Vermikut dhe banorëve të tij, në një kuotë të bukur, që nuk ishte arritur më parë. Një meritë e veçantë e Felekut është, se në kushte shumë më të papërshtatshme, se të parët e tij kulturorë, e ruajti këngën tradicionale. Kur u prishën shumë vlera, ku patjetër as folklori s’ mund të bënte përjashtim, ai mblodhi djemtë me shpirt artisti dhe zemër atdhetare të Vërmikut të tij, krijoi me sakrifica një grup lab shumë simpatik dhe të dashuruar pas këngës së të parëve të tyre, u bëri tekstet, si lule nderimi për historinë, gjeografinë , për lumin e jetës së fshatit të tij dhe më shumë dhe e mban gjallë dhe sot e kësaj dite fisnikërisht në respekt të vlerave më të mira shpirtërore, trashëguar nga banorët e kësaj treve në kohëra. Më vjen mirë, që evidentoj, se mbi shtratin e traditës së këngës së madhe të Kujtim Micit, Hamdi Pulos, Lefter Çipës, Llambro Hysit, të Feti Brahimit, Muhamet Tartarit, Pelivan Bajramit, Nexhip Serës etj., të cilët ecën në udhën e brezit të  Qazim Ademit, Xhebro Gjikës, Mato Hasanit e xha Selimit me shokë, po ngrihet e ravijëzohet një grup i ri krijuesish popullorë të talentuar si Kristo Çipa, Nertesi Asllani e Felek Bleta, që i japin zjarr e furtunë, këngës magjike labe.

Po bëj një copëz udhë nëpër vjershëzat e Felek Bletës: Vjersha e parë “Liria”, tepër lakonike, vetëm me 6 vargje, AA,BB, CC, në tetërrokshin tradicional, ku krahas porosisë morale, si ata pleqtë e moçëm për vlerën e lirisë, autori na tërheq me një ndjenjë të kënduar nga ai, ku lirinë e krahason me “një nuse delikate/ plot xhelozi e inate”. “Sparta e ditëve tona” – një poezi e këngëzuar (në fakt, pothuaj, tërë vjerëshërimi i F. Bletës është poezi e këngëzuar, relativisht e gjatë, pak jashtë natyrës këngëtore, por ndërkohë, e merituar për Vlorën. Këtë poezi, Feleku e krijoi për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare dhe e këndoi me grupin e tij, te Sheshi i Flamurit, që priti 1 milionë shqiptarë. Kënga është e mbushur me lëng të kulluar jetësor dhe me sherbet figurativ, që e bën shumë të shijshëm shpirtërisht tekstin, ku del në pah dhe ndjenja kombëtare e Bletës, nëpërmjet kësaj lirike patriotike, me vargun AABB. “Djepi”, vetëm në 4 vargje na jep një impuls më të gjerë gjeomjedisor për gadishullin tonë të lashtë të Ballkanit. “Në Përmet”, me varg të alternuar ABAB,  më tepër tingëllon si poezi se sa si këngë, ku autori shfaq në vargje shqetësimin qytetar për rrënimet vandaleske ndaj vlerave kulturore kombëtare të banditëve zuzarë. Me “Trojën”, Bleta na jep reflekse drite për këtë qytetërim mesdhetar magjik, që sot është shuar.“Nga ësht’ ky burrë emërdëgjuar/ që kaq mister e mban,/ që flet një gjuhë të pakuptuar/ kur lutet e kur shan?!”. “Napoleoni”- e nisur me një  strofë, me varg të alternuar ABAB, 9 rroksh me 6 rroksh, e ndërtuar në trajtën e një pyetjeje retorike, është një nga vjershat më të këndshme që kam lexuar, ku përzihet ndjesia emocionale e poetit lab: (e pret me ndere e peshqeshe) me bulëzimet e urtësisë dhe filozofisë popullore: “se njerëz lindin përditë, por fenomenet rrallë”. Një legjendë epike , që lundron në krahët e imagjinatës romantike të Bletës, më rrëmbeu si një ëndërr e bukur, për këndvështrimin fisnik të autorit, i cili, dukshëm, vërehet që e simpatizon Napoleonin e Madh, prandaj, si duket, i ka kushtuar një poemth apo vjershë të gjatë, mbushur me adhurim, me dëshira, me një gjuhë të rrjedhshme e të tejdukshme. Ky  Napoleon, që na paraqet Felek Bleta, është shumë i adhurueshëm, edhe për ne, për shqiptarët, që kanë pirë qumësht nga mbesa e ilireshës. Hamendëson poetikisht autori, që Napoleoni, ndoshta, se e thërriste gjaku i të parëve, “Një kontinent nga gjumi zgjoi/ Një kontinent tronditi”. Vjersha “Napoleoni” më shijon, sikur të ketë dalë nga “Tregimet e Moçme Shqiptare”në vargje. Si ato thesaret e rralla të shpirtit  e të kujtesës së popullit tonë, që na ka dhuruar Kryemjeshtri Kuteli! Aq shumë më pëlqen. Lexojeni, se sinqerisht, do të jeni dakort me mua dhe do të kënaqeni me musht arti e krenarie. Është e çuditshme se, në Labëri, në Vërmik, në Tërbaç, në Vranisht, në Dukat, në Pilur, në Himarë, gjithandej në Shqipëri, ka shumë djem e burra me emrin Napoleon. Te “Memiu” kemi fllad dashurie për vendlindjen, për gurin e babës dhe të nënës, e cila plotësohet me lirikën patriotike “Gjyshi arbëror”, me “Pirron e Epirit”, që vjen si histori e heroit të madhërishëm në vargje, me legjendën “Toskë e Molosë”. “Për  Eqerem Canaj”, dallon për përkushtimin respektor ndaj mësuesit, në trajtën e një jetëshkrimi artistik për shkrimtarin E. Canaj, me varg të lëshuar lëndinave të kaltra të frymëzimit. “ Plaku babaxhan”,  vjen më tepër si rikrijim nga një rrëfenjë me 6 rroksh, që  bredh nëpër livadh dhe ka zënë një arë, ku këput ca gjethe satirike, kritike, realiste për gjendjen sociale të Vlorës, duke dhënë  dhe mesazhe për respekt reciprok, mbi bazën e kontributeve, në kontekst. As këtu nuk del dot nga natyra e tij romantike dhe idealiste Felek Bleta, qytetar i kohës dhe këngëtar i traditës. “Nëpër orbita”, autori, si bleta nëpër lule mbledh nektar e polen respekti në vargje për mikun e tij Gëzim Hoxha. “Matogjini”, i lë mbresa autorit, sepse mbi atë traditë të shkëlqyer labe, ushqeu Shevqet Musarajn, sepse në atë gurrë të krahinëzës së Mesaplikut dolën kristalet e Perlat Hasanit, Dasho Matodashajt, Dane Hoxhës, Agim Rukës, Bardhyl Shehut, Bekim Pipës, e më të rinjve, sepse nga ballkoni i Matogjinit “Mirëmëgjez të thotë drita,/ mirëmëngjez gurrat e këngës”. Më tej vjen një lirikë të thjeshtë e të dhembshur. Unë e dija stërrall Vëmiku Felek Kapedanin, por, në vjershën“xha Sulos”, e pashë që iu njom syri e i dhembi shipirti, kur i iku miku i tij fisnik, Sulejman Murati nga Velça. “Ëndrra dhe kujtime”, një këngë malli, e mbushur me romantikën, sa të zjarrtë, aq të kristaltë, që na bën të gjithëve, ne, labëve të Lumit të Vlorës, ta kthejmë fytyrën nga vendlindja, ta duam më shumë atë, konkretisht të bëjmë për Nënën Labëri. “Mesapliku”, është në shtratin e vetë të poezisë së këngëzuar, me varg të dyzuar, 8 rroksh të shtrirë në 16 rroksh; noton në lumin poetik atdhetar të Shefqet Peçit, por me stilin e Felek Bletës. “Gjeniu kryegjeni”. Edhe këtu, Bleta ndihet i sigurtë në fushën e tij. Lirika patriotike e autorit krijon marrëdhënie natyrale me epikën legjendare dhe epikën historike. Me stilin e tij të dallueshëm, bukur, por pa bujë ai i drejtohet strategut të kohërave, Aleksandrit të Madh, profili madhështor i të cilit, “me një shpat’ e mbi një kal, / mbi tre kontinente rri”. Poezia “Nderi i Kombit” është një këngë, që rrjedh e kulluar, sipas traditës labe. I kushtohet labit tonë, shqiptarit të madh Zenel Gjoleka, bëmat e të cilit gjëmuan deri në Mal të Zi e na bëjnë, edhe ne, stërnipërve të tij, të jemi ballëlartë, të ndihemi krenarë dhe të bëjmë detyrën ndaj Shqipërisë, si ai, në kushtet e sotme. Ngjarjet, personazhet dhe datat historike janë të preferuara për muzën e poezisë popullore, që lëvron thjesht e bukur poeti nga Vermiku, Felek Bleta. “Lidhja e Prizrenit” është një lule mirënjohjeje për atë Kuvend Burrash të Kombit, sipas Shembullit të Madh të Gjergjit. Ai Kuvend i Burrave të vendit të Shqipes, “shkundi…botën me mbretër e lugetër”. “Gjithnjë të respektuar”, është një vizatim nostalgjik, që natyrisht vjen si pasqyrim artistik i realitetit të sotëm dhe konturohet si poezi sociale. “Për ca miq bolenas”. E kthjellët si vesa, vjen kënga me ligjërime e F. Bletës për miqtë e tij të këngës e të penës, me nota lirike, historike dhe atdhetare. I ka gdhendur me sinqeritet e me ndjenjë portretet e Isuf Bushit, Ruzhdi Bajramit, Nertesi Asllanit, Kujtim Lilës, Faslli Koçiut e bujarit Gjolek Bushi. “Dy vërmikas të dëgjuar” është një poezi, që na jep përshtypjen, sikur përjetojmë çaste nën tingujt e një marshi epik. Normalisht, këtë ritëm të theksuar, autori e motivon, se u këndon dy emrave të dëgjuar, jo vetëm për Vërmikun, por për Vlorën e Labërinë, siç janë Hasan Bleta dhe Avdurrahmën Çiraku. “Homazh”. Është një poezi e trajtës universale, se dhe poeti, si thërrmijëz e së tërës njerëzore, e shpreh keqardhjen e tij për të ikurit para kohe nga kjo jetë, duke nxjerrë në pah edhe një vlerë të brendshme, që ai bart, siç është ndjenja e altruizmit, gjë që vërehet te shumë poezi të autorit. Mjafton të përmendim disa, si vjershën e dhembshur “O djal’ i burrëruar”, kushtuar Andon Tushit, që u largua nga jeta në moshën 50 vjeçare apo  mallëngjimin për Edison Bletën e shkretë në vjershën “Gjysmë udha”, që më sjell ndërmend lartësinë e teksteve dhe vijës melodike të bilbilit të Bolenës, Nertesi Asllani, por në rastin e Felekut, hidhërimi merr përmasa të lëngshme e të nxehta emocionesh, që vetëm njeriu i fortë i përballon, siç i ka hije dhimbja burrit. Ka dhe vlera estetike dhe etike vjershërimi i Bletës, se ai merr pjesë në dhembjen e të tjerëve e do t’ua  lehtësojë sadopak hidhërimin, duke lëmuar, sipas tradiitës së të parëve fjalën e zgjedhur. Nuk thotë: “vdiqe 50 vjeç” autori, por loton me penë: “ike në mes ditëve të tua, në gjysmën e jetës” Bukur. Edhe vdekja i duhet njeriut, se e provon peshën specifike të tij, si karakter, si burrë, si njeri. Kujtimi, te vjersha “Rritu flutur”, kushtuar Xhevahir Bletës, që la pas bijën e tij të vogël, merr  një dritërim të veçantë përmes notave liriko – elegjiake. Si ustai, që zgjedh gurët e i vë në mur, edhe poeti i Vermikut i zgjedh e i vë fjalët atje ku duhen e ashtu si duhen. Në fakt, fjalët i dalin vetë nga thellësia e shpirtit, nuk i zgjedh ai, burojnë ato për të na  dhënë, sipas mendimit tim, një nga këngët e përvajshme më të spikatura e me mesazhe për jetën. Dhe ja ku shpaloset një faqe tjetër e natyrës së Felekut te vjersha “Në udhët e jetës”. Autori është në botën e tij të bukur të vendlindjes, se me biblila kënge e bujarë të  jetës atdhetare – kulturore, si Dushan Xhuveli, me Josifin, Zonjën e dy Viktorët, Albanin, Fredin e Ysniun, Krenarin, Laton e Kreshnikun, Merkon, Adhurimin e xha Veizin, Julin e Pajtimin, me Sokolë e asaj Babice të re , banuar nga Vërmikas, Felek Bleta ka kapur qiejt, është kaq i lumtur e i malluar, sa vetëm me këngë shpërthen, se, duke kënduar këngën e të parëve, shoqëruesen e pandarë të jetës së malësorit lab, në gëzime e në halle, poeti merr “mjalt nga ato lule/ dritë nga ai diell” e na i jep ne. Te “Meteorët”, me një sfrofë me katër vargje të lira, e  zgjeron gjeografinë e këndvështrimit poetik deri në Urale. Tek gjykimi empirik, që i bën fenomenit, qëndron e veçanta intiutive, që jepet për t’i vënë kapak muhabetit “alla labçe”… Bardhosh Gaçes i kushton një poezi të bukur, me ndjenjë dhe të thjeshtë, siç është vetë Mjeshtri i Madh dhe, ajo që na ngelet në mendje, është, se autori, e vlerëson profesorin për urat e mermerit, që i ngre Labërisë me histori, jo vetëm në kuptimin metaforik, si dhe për faktin, që autori evidenton se, Profesorit të Urtë, i falen amatorë dhe profesorë. “Këta barinj Labërie”është titull mëse i thjeshtë i një poezie, por që nuk i bëj asnjë koment, se më kënaq trajtimi në vargje, që i bën Feleku traditave, dokeve, mënyrës së jetesës, në tërësi anëve më të mira të jetës tradicionale të trevës etnografike të Labërisë. Shkurt, me këtë vjershë labërishte të Lekut, ndihem mirë, se shijoj, si lezet me kripë një thelë të pjekur poetike nga etnografia e Labërisë tonë të dashur. Motivet kosovare e pasurojnë  më tej poetikën atdhetare të autorit, jo thjesht, se e pa me sy Mitrovicën shqiptare. Palca poetike e Felekut feks që është kombëtare, jo vetëm se i këndon, si Kurvekeshit, Himarës e Labërisë, po aq me zjarr, si ai, dhe Çamërisë e Zagorisë. Historia në vargje rrjedh me këngët për Halim Xhelon, Hodo Nivicën, Hamit Lumin, Gjokekën, Karafil Bletën, Ali Pashë Tepelenën, Biblilenjtë, deri dhe Justinianit të Parë e Marko Boçarit , si dhe të parës dhe të fundit, Nënës Labe. Një puhizë e freskën vjen edhe nga disa lastarë të brishtë me disa gazmore, fabula, skicime poetike për tema të ditës etj., të cilat  kërkojnë ujitje, prashitje, krasitje, gjithë shërbimet e duhura, që të rriten të shëndetshme e të qëndrueshme në një vëllim tjetër poetik  të autorit Felek Bleta.

*(Parathënie e librit “RRUGËTIM” e autorit F. Bleta)

Vlorë, 19. 07. 2013

 

Nga  Felek BLETA

Hirshëm…

 

Ja dedikoj Albert Habazit

 

Rrudh’ e ballit pleqërishte

Dhe pse herët, ka lezet,

Tek një vatër labërishte

U rrit hirshëm një poet.

Kjo vatër emërdëgjuar

Me zjarrin që s’ka të shuar…

 

Të gjithë jemi për të ikur

Nga kjo botë në atë botë,

Ti nuk shkon duke zvarritur

Por me hapin tënd të fortë.

S’e qas drita errësirën

As e keqja do të mirën…

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Felek Bleta, poezi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT