• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PLANETI KOMB-Sofra Poetike e Diellit

April 28, 2013 by dgreca

Poezi nga IDAJET JAHAJ, Vlorë/

 

MBIJETESE/

 

E shtypën shekujt, po s’u shua,/

E tkurrën kohrat, po s’u dha;/

I shkuan flakët, s’u shkrumbua,/

I fruy murlani, po s’u tha./

Në dimrat mijëravjeçarë/

Në palcën e thellë e ruajti farë,/

E si feniks i vërtet’

Bulëzoi nga palca e vet.

 

Komb-feniks i vërtetë

Që vetveten rilindi

Çdo pesëqind vjet…

 

 

KOHET E KOMBIT TIM

 

Si i ndau kështu

kohët e kombit tim

natyra mëmë –

kështu si?

 

Të shkuara në varg

pambarim

si sumbullat

në tepsi.

 

Më të shumtat – të zeza,

si dënesa

por me jetë –

shkurtësi.

 

Të bardhat – të pakta,

si urata,

po me pa –

vdekësi…

 

 

VITI QEN

 

1913-ta-qen!

Kafshoi kombin në mes.

Ndau:

gjysmën e dheut,

gjysmën e gjuhës,

gjysmën e gjakut,

gjysmën e qiellit.

 

Prej njëqind vjetësh –

borë urrejtjeje,

stuhi vullkanesh,

stinë tërmetesh;

 

Gjaku pikoi

nga thelbi i zemrës,

Loti pikoi

nga syri i diellit,

por, më në fund,

shpresa ndriti

në kupë të qiellit

e u ul

si diell i urtë

në sofrën e BASHKIMIT.

 

 

 

“KODRA E DIELLIT”

(Toponim, Kosovë)

 

Dielli aty

s’ perëndoi

e s’perëndon

kurrë.

 

Që tej –

në Pellazgji –

hijeshon

si burrë…

 

 

Ç’TË THEMI MË PËR SKËNDERBEUN?

 

Me shpatë cacu qiejt

e shkroi: ARBERI!

 

Pastaj shpatën e nguli

në dheun e ylltë

e gjëmoi:

– Mbillini ulli,

mbillini ulli,

mbillini ulli!

 

E gjëmimi jehoi

shpateve të shekujve,

në përjetësi.

 

 

 

MALI I SKËNDERBEUT

 

Nuk mjaftoi një varr

për emrin e tij,

u desh edhe një mal

për të rënduar

në përjetësi.

 

 

ISMAIL QEMALI

 

Ai erdhi në një çast

udhëkryq të kombit,

të qenies,

e të mosqenies

së tij.

 

Perëndia

me dorën e tij

në dritë të flamurit

i dha rrotullimin e përjetshëm

planetit SHQIPËRI.

 

 

PLANETI KOMB

 

Pati edhe kombe,

të mëdhenj, të mëdhenj,

plot diell e kaltërsi.

 

Dhëmbi i peshkut të madh

i cacu më dy!

 

Pati edhe një komb

të vooogël, të vogël,

plot rreze, yjësi,

në një pikëz të planetit,

si zemër e tij,

thërrime, qiri,

dritë, pellazgji.

 

E ndanë më katërsh,

e ndanë më tri!

 

Kaq gjak,

kaq gjak

të ëmbël

paske pasur

SHQIPËRI?!…

 

 

GONXHJA HYJNORE

– Nënë Terezës –

 

Fytyra – plot rrudha –

bukë hyjnore,

 

Flakë Jezusi,

Globi në shami.

 

Kurrizi-kërrusur

mbi shpirtësi,

 

Planetin e leu

me mirësi;

Dhe i thoshin GONXHE,

Dhe i thoshin BOJAXHI!

 

Dhe i thoshin GONXHE,

e lokes Shqipëri.

 

 

AKOMA, AKOMA

Ç’TI JAPESH BOTES?

 

I dhe botës,

Strategun e lashtësisë – Pirron,

Mburojën e Krishtërimit – Skënderbeun,

Mësuesin e Kopernikut – Tomeun.

 

… Shekspirianin tronditës – Moisiun,

Genin rrezatues – Migjenin,

Cilindrin e artë të mendjes – Çabejn,

Klasikun e gjallë – Kadarenë…

 

Akoma, akoma,

kombi im i vogël,

ç’ti japësh botës

si dritë, rreze?

 

Ah, po

edhe NËNËN e saj –

TEREZËN,

 

 

HYJNORE

Java ka shtatë ditë,

Ylberi ka shtatë ngjyra,

Pentagrami ka shtatë nota,

Bota ka shtatë mrekulli,

Arusha e madhe ka shtatë yje,

Arusha e vogël ka shtatë yje,

 

Shqipja ka shtatë zanore –

SHTATA – hyjnore.

 

 

ISMAIL KADARESË

 

Hamall i madh i halleve të Kombit,

Lavdi i jep e merr prej tij lavdi;

Dritë pikon art’ i tij nëpër mote

E si drita nëpër botë përhapet fjal’ e Tij.

 

Eskilët rrallë kanë ardhur në këtë botë

e kometat në qiell janë dukur gjithashtu,

Vepr’ e Ismailit këtë mesazh na thotë

për kombin e tokën që e lindi këtu.

 

Ky Eskil modern kudo ku shkoi e vete,

si Eskili i moçëm

Atdheun bart me vete.

 

 

 

ALITERACION YJESH

 

“Migjeni –

më gjeni

një tjetër fëmijë –

Mbigjenì –

si ky.

 

“Kadare, –

ka … darë e ar,

radar…

me fluturat fjali

e avionët-fjalë…

 

“Dritëro Agolli –

Dritë…

dhe “agoi”

dhe

“diellin” e mbolli”,

e që kurrë s’perëndon.

 

“Naimi” –

është yti,

është imi

i shqipes agimi,

i tokës gëzimi,

ndrudhëzë dielli

prej qielli.

 

“Nënë TEREZA” –

– ëndë

dhe rreze

e planetit –

beze…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Idajet Jahaj, Planeti Komb, poezi, Sofra Poetike

MOS MË DIL MË PËRPARA SYSH

April 28, 2013 by dgreca

ELIDA BUÇPAPAJNE SOFREN POETIKE TE DIELLIT/

 Mos më dil më përpara sysh/
në rrugën time/
virtuale/
apo/
reale/
sepse/
janë ca faza/
kur njeriu/
bëhet si sfungjeri i ngopur/
dhe nuk e toleron më/
pafytyrësinë/

 

dhe pas kësaj
prit furtunë
jo furtunë në gotë
por furtunë
si shuplakë në fytyrë
me 200 kilometra në orë
furtunë që të merr
me vete
si rreckë
ashtu si je
fëlliqësirë

 

sepse gota
është mbushur
dhe ka kohë që derdhet lumë
e lumi tash është bërë det

 

mos më dil më përpara sysh
tani prit
vetëm
tolerancë zero
prej pafytyrësisë tënde
verdhacuke
nga overdoza
e ligësisë

 

tani mos prit
që t’i ngre kështjellë durimit
duke ulëritur me zorrët e barkut
e po lëre, varja
kaloje edhe kësaj here
bëj sikur nuk e vë re
ki mëshirë për mjerimin shiko sa për të qarë hallin është
bërë shkretia
sa nuk i hyn në sy asgjë
dhe shpirtin e ka të boshatisur
si kuti cironkash
në kazanin e mbetjeve
urbane

 

mos më dil më përpara sysh
ta them në emrin tim
e në emrin e të shumtëve
që i ke gërdisur
dhe kur u del
përpara
gjëja e parë mbyllin sytë
sa të kesh thyer qafën
gjëja e dytë
mbajnë frymën
që të mos i ndotësh
ajrin
me pisllëkun tënd
fytyrë miu

 

gjëja e tretë
nuk të durojnë më
s’ka më kurtuazi
hipokrite
mirësjellje
bajate
sensi i masës
është tejkaluar
durimi
është bërë kryengritës

 

tani prit atë që i ke gatuar vetes
në guzhinën e pisllëkut
të të derdhet mbi ty
e ti gjej vrimë ku të futesh…
vrimë miu
ashtu sa një grimë
që nuk të sheh
dot asnjë shpirt njeriu

 

shko në fundin e botës
shko në djall
shko në theqafje
në fund të fundit
shko ku të duash
veç mos më dil më përpara sysh

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Elida Buçpapaj, mos me dil para sysh, poezi, sofra poetike e Diellit

VJESHTË NË NATYRË DHE PRANVERË NË POEZI…

April 10, 2013 by dgreca

(Vëllimi “Një vjeshtë pa ty”, i Enkelejda Kondit)/

Nga: MURAT GECAJ/

1.

Ndoshta, është “përjashtimi” i vetëm , që po bëj me këto shënime modeste për vëllimin e ri me poezi, të mikes e poetes Enkelejda Kondi-Massboeuf. E them këtë gjë, pasi është hera e tretë që shkruaj për librat e saj. Ajo është me origjinë nga Gjirokastra dhe vetë ka lindur e është rritur në  rrethin e Korçës, ku banojnë prindërit e saj. Me profesion është mësuese dhe ka shërbyer disa vite në zonën e Maliqit e në Lozhan. Ndërsa edhe atë e “perfshiu” vala e emigracionit e ka disa vjet, që punon mësuese dhe jeton familjarisht, në një qytet të Francës. Megjithatë, ajo i mban të pashkëputura lidhjet me vendlindjen e Shqipërinë, ku vjen herë pas here. Kjo ka qenë arsyeja edhe e njohjes sime me të, përmes Internetit.

Pa e zgjatur, rikujtoj këtu se, pak vite më parë, Ledi më dërgoi një mesazh me dëshirën që t’ia lexoja dy vëllime të saj me poezi. Kështu, ajo m’i dërgoi ato me postë, në Tiranë dhe pastaj u shpreha me disa fjalë modeste, të cilat edhe i kam publikuar, kohë më parë.

2.

Ndërsa para pak ditësh, përsëri na dha një lajme tjetër të gëzuar, Ledi. Pra, publikoi vëllimin e ri poetik, “Një vjeshtë pa ty”, me redaktor Albert Zholin. Siç e kam theksuar edhe në shkrimet e mia të mëparshme, largësia e saj nga Atdheu, ka bërë që në vargjet poetike të jetë mjaft e ndjeshme, përcjell  emocione dhe mendime paksa të trishta. Me sa kam vërejtur, kështu veprojnë edhe poetë të tjerë, jo vetëm të rinj, por edhe të moshuar, ndër të cilët po përmendi këtu Përparim Hysin, i cili jetoi për  shumë vite në mërgim dhe tani u rikthye në Shqipëri.

Libri I Ledit është i ndarë në  katër cikle. Në të parin, është dhe vjersha, nga e cila e ka marrë titullin gjithë vëllimi poetic, që na prekë me ndjesitë, që përshkon: “Një vjeshtë pa ty, sa e trishtuar,/m’u duk një vit, një vit i gjatë./ Në stolin bosh gjethembuluar,/ka mbetur vetëm një degë e thatë…”. Me ndjenjat “ e lagështa” të kësaj stine, janë mbushur edhe poezitë pasuese: “Vjeshta” , “Shi vjeshte” , “Qiej malli” e “Pemët. Na duket edhe ne, lexuesve, se ajo do të na futet deri në palcë, por dhe na mundon heshtja e melankolia e asaj stine: “S’ dëgjohet asgjë, vetëm heshtja,/një heshtje e kthjellët si uji…”. Janë ditë të zymta, kur “Pemët krahëlakuriqe/ i ngrenë duart qiellit, nga kjo erë e fortë…”.

E ulur e vetme në bregun e detit dhe e zhytyr në mendime, poetja  shpërthen me vargjet e saj: “Unë s’jam prej këtu, por nga të tjera brigje…/ Jam guri, që kërkon rrënjët e veta”. Ajo e njëson veten me stinën e vjeshtës dhe prandaj i përshpërisin në vesh njëra-tjetrës dhe: “Një rrëkezë loti u derdh nga dashuritë e trishtuara të verës” (“Sekrete vjeshte”).

Të gjithë ëndërrojnë në këtë botë, por ndoshta më ëndrrimtarët janë poetët. Pra, e tillë na paraqitet Ledi, në ciklin e dytë të këtij libri, “Ëndërrime”. Në këtë botë vetmie, ajo shkruan: “është vonë,/por sonte paskam dëshirë të shkruaj,/si kalë i bardhë të humbi kujtimesh” dhe më tej: “Sonte qenkam fëmija, që shëtitë pyjeve të kujtesës” (“Vonë”). Si një ëndërr e bukur, që është bërë realitet, i shfaqet djali i saj, i cili rritet dita-ditës dhe ia mbushë shpirtin me mirësi: “U rrite, biri im, u bëre burrë!/Vitet ikin/ dhe unë s’i vura re”. Puthja e mamit për të birit iku larg, si “e turpëruar”  dhe “u ndal në degën e një ëndrre” (“Djalit tim”).

Poetja shkruan me dhimbje për ditët, që kanë ikur dhe nuk kthehen kurrë më, të cilat i shkaktojnë vuajtje në shpirt. Prandaj shkruan: “Bie shi sot,/ shi lotësh nga qiej të zbehtë./ Ndiej dimër në shpirt, në këtë pranverë të vonuar…” (“Me dhimbje”). Bile edhe kur shkruan për bukurinë, poetja  trishtohet, se ajo e ka ndërruar fomën e saj: “E panë dhe thanë, se bukuria ishte venitur…”! Me  gjithë këtë “pesimizëm” e trishtim, poetja gjen forca ripërtëritjeje, përmes një rrezeje drite dhe thotë: “Kokën do ta vë në gjoksin tënd të çlodhem,/ faqen dhe mirësinë aty do të gjëj” (“Do të vij”).

Në ciklin “Mall”, që është vazhdim i natyrshëm i mendimeve dhe ndjenjave, që poetja ka shprehur më parë, përsëri na e paraqet veten pranë detit. E kam vërejtur se Ledi përherë gjen prehje, qetësi e ngushëllim shpirtëror, kur ndodhet e shkruan buzë detit. Ndoshta, kështu, mendimet i përkunden asaj si valët e shkumbëzuara dhe shushurima e ujit të kripur. Duke e  barazuar veten me dallgët e detit, shkruan: “Ashtu edhe malli im me tallaze,/si dallgët turret, në gji të mbledhë”.

Gjithashtu, për mallin e së shkuarës dhe të tanishmes, ajo shkruan te poezitë “Kujtimet” dhe “Pranë e larg”. Për ndjenjat njerëzore të dashurisë, por dhe trishtimin e përjetuar prej saj, shprehet në poezitë vijuese, “Puthmë” e “Pa njëri-tjetrin” ose “Kurrë nuk e kuptova, kur çelin mimozat” e “Parfum dashurie”: “E shkon një ditë e shkon një jetë,/ digjem në mall e thahem në lotë!…”.

Një motiv i bukur i kësaj poeteje është malli e dashuria për Atdheun, të cilat i ka shprehur me vargje plot emocione. Se kjo ndjenjëe bukur  është mbi të gjitha të tjerat dhe asnjëherë nuk e lejon emigrantin të qetësohet, sado mirë të jetojë. Këtë gjë e gjejmë të pasqyruar edhe te poezitë “Atdhe” e “Po kthehem”. Ja, se si e shprehë ajo trishtimin e dhimbjen e ndarjes: “Atdhe, t’i ktheva krahët,/dhe mora rrugën e gjatë!…”. Ndërsa rikthimin e përjeton me gjoksin e mbushur plot gëzim: “Po kthehem në Atdhe,/ po vij të ngrohi shpirtin e të qetësoj mallin…”. E njëjta gjë na jepet edhe përmes vargjeve, kur ajo fluturon me avion mbi re, duke e ditur se kthimet janë “të përkohshme”: ”Drejt teje, përjetësi, Atdheu im”. I duket se, për këtë gjendje të saj, “fajin” ia kanë aeroportet, për të cilat thotë: “Aeroportet më ngjajnë me /buzëqeshjet, që thyhen si kristali…/Mall botësh të brishta,/pranë dhe larg”.

Në ciklin e fundit, “Pa adresë”, janë 20 poezi të shkurtëra. Poeten Ledi Kondi e kemi aty, si në të gjitha krijimet e saj: pak të bishtë, melankolike, me mendime të heshtura dhe me kokën e kthyer pas. Prandaj, e dëshpëruar, ajo na drejtohet me çiltërsi e sinqedritet: “Përkohësisht, mos më kërkoni…po shkoj/ pak larg, ku zemra ime të gjejë qetësi”. E ndodhur në vetminë e saj, kur “dashuria ka ftoftë”,  ajo kujton të shkuarën, si një lodër fëmijësh: “Atëherë, kush ndjeu më shumë mall,/nga kjo heshtje-largësi:/ unë apo ti?” Plot meditime dhe mendime në vetëvete janë disa poezi tjera të këtij cikli, si: ‘Robëria”, “Dimër”, “Ikën apo vjen”,’Po bie” ose “Premtimi”, “Janari” etj.

Vëllimi mbyllet me poezinë kushtuar dhimbjes së përhershme për ndarjen nga Atdheu, kur veten e ndien vazhdimisht të huaj”: “Aty dhe këtu,/me dy tokë, pa tokë,/me dy atdhe, pa atdhe,/ndër kohera, ndër vite!…”.

..Është lajm interesant ai, që na dha këto ditë Ledi, përmes Internetit: “Të dashur miq, përsëri kam kënaqesinë t’u njoftoj se libri im më i ri, “Një vjeshtë pa ty”, u botua në trajtë elektronike, nga z.Albatros Rexha, në Prishtinë…Jam e nderuar, që

botuesi përzgjodhi edhe librin tim. Faleminderit, Albatrosit!”

E urojmë nga zemra Enkelejda Kondin për këtë libër të ri dhe jemi të  bindur e shpresojmë, që me shpërthimet e vrullshme,  frymëzimet poetike dhe ndjenjat e pasura të saj, do të na dhurojë libra të tjerë edhe më të bukur!

Tiranë, 10 prill 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Enkelejda Kondi, Murat Gecaj, poezi

ATDHETARIZMI I ZJARRTË I RASHIT GASHIT

March 2, 2013 by dgreca

Kosova vjen në gjuhën rumune me kristale të çmuara që sjellin më shumë dritë në shpirtin dhe jetën e njerëzve./

 Nga Patricia Lidia/

 Poezia e Rashit Gashit konstituon një shembull atdhetarizmi të zjarrtë e të pakufishëm. Kjo ndjenjë sublime shpërthen sidomos në momente pengesash, kur atdheu dhe populli i një vendi përjetojnë padrejtësitë dhe skllavërinë e huaj. Sentimenti don të thotë dashuri ndaj atdheut, ndaj vendlindjes, ndaj prindërve, heronjve, gjuhës, kulturës, historisë dhe traditave të një kombi. Vargjet e poetit janë një kushtrim vetëdijësimi dhe klithje revolte kundër pushtuesit. Ato përbëjnë polemika të ashpra kundër okupatorit, por edhe shprehje të ëmbla lirike ku shpërthen entuziazmi dhe solidariteti shqiptar e ndërkombëtar ndaj intervenimit të NATO-s kundër terrorizmit serb në kohën e ish Jugosllavisë.

Poezi tjera u dedikohen fëmijërisë, brigjeve të vendlindjes, dashurive të shkuara, prindërve. Stili i poetit është direkt dhe i thjeshtë, nga zemra në zemër, herë-herë i ashpër. Sintagmat e krijuara duken të skulptuara në bazalt. Figurat stilistike janë të rralla dhe u paraprijnë mesazhit të poezive patriotike dhe humaniste. Diskursi rrëfimtar sjell dëshmi për kalvarin nëpër të cilin ka kaluar vendi i tij. Poezia e Rashit Gashit konstituon një shembull dashurie të pakufsihme për Kosovën natale. Jo për natalitet e kemi fjalën, por për vendlindjen si burim frymëzimi.

Poetika patriotike është art i kompromisit dhe mirëkuptimit. Rashit Gashi nuk është poet i parë shqiptar për të cilin kam shkruar me admirim. Pa marrë parasysh prezencën apo mungesën e metaforave, e çmoj tejmase lirikën e tij sepse shkruan me zërin e zemrës për subjekte përvëlimtare, siç janë lufta, dëshmorët e kombit, mashtrimi, tradhëtia, vëllau i vrarë etj. Në shumicën e poezive dhe vargjeve defilon bota shqiptare. Poeti shfaq shpirtin e ndjenjës së bukur dhe të brishtë të jetës njerëzore. Kështu shprehet Halil Haxhosaj nga Kosova për Ali Berishën, dhe një konsideratë  e këtillë kritike, vlen edhe për autorin e dashurisë së pakufishme ndaj vendlindjes, familjes dhe atdheut. Përmes vargjeve të tij, poeti demaskon krimet e luftës dhe shpreh respekt ndaj patriotizmit të popullit shqiptar. Është një poezi okazionale (e rastit), dedikuar disa momenteve kruciale dhe konkrete të kësaj lufte.

Një shembull përfytyrimesh të qarta na e jep edhe në poezinë Kanë mugulluar rezet e Lirisë, dedikuar Deklaratës Konstitucionale të 2 korrikut për çlirimin e Kosovës dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990. Në vargjet e saj defilon Kosova me shpirtin e saj, durimi e mençuria, aspiratat për paqë e demokraci, guri themeltar i historisë, rezet e diellit që dëbojnë retë, besën e lidhur të burrave, grave dhe fëmijëve të cilët përfaqësojnë stërnipat e Skënderbeut që militojnë për çlirimin e Atdheut. Rashit Gashin ndoshta nuk e njohin sa duhet sivëllezërit e tij, sepse nuk ka patur kohë për të botuar dhjetra vëllime vlerash reale, por neve na duket si një zë i veçantë i lirikës patriotike në Kosovë. Kosova e tij vjen në gjuhën rumune me kristale të çmuara që sjellin më shumë dritë në shpirtin dhe jetën e njerëzve.

Rashit Gashi u lind më 11 korrik 1933 në Arllat të Drenicës (Republika e Kosovës). Pas liceut kreu Fakultetin e Shkencave Natyrore (Katedra e Gjeografisë). Veproi si professor në disa lokalitete, ndërkohë duke ushtruar edhe funksionin e zëvendës/drejtorit, kurse më vonë edhe të drejtorit në Han të Elezit dhe Drenas. Vëllimet e vargjeve Rrugët e shtegtimit dhe Mall i pashuar e kanë parë dritën e botimit me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë (2012), ndërsa vëllimi i tij Shtigjet e mërgimit, e pa dritën e botimit edhe në gjuhën rumune (Drumurile exilului, Amanda Edit, Bukuresht, 2013). I vetëdijshëm për faktin se shqiptarët dhe rumunët kanë stërgjyshër të përbashkët, poeti e zgjodhi për rikëndim Baki Ymerin, që tashmë, në sajë të kontributeve të panumërta në këtë fushë, e kosniderojmë si ambassador i kulturës kosovare në veri të Danubit.

 

Filed Under: Featured Tagged With: atdhetarizmi, Baki Ymeri, Patricia Lidia, poezi, Rashit Gashi

Sokol Demaku ne SOFREN POETIKE TE DIELLIT

January 3, 2013 by dgreca

NJË NATË/

Në plazhin e mbrëmje verore/
I dehur me verën e kuqe,/
Ledhatuar nga jeta,/
Në lojën moderne./

Ju më qendroni pranë,/
Butësisht dorën ma shtrini,/

Dhe doni të jeni engjulli im./
Dy shpirtrat e humbur,/
Që kanë gjetur njëri-tjetrin pran,/
Në shpërthim e padurim,/

Për jetën në vazhdim./

Kjo mbrëmje me freski deti,/

Që lan zhegun e ditës,/

Zhduk brengë e mall,/

E shpirtit i jep vullnetin./

Po, po është koha,/

Jeta të vazhdoj,/

Të ligën nga rruga,/

Ta largoj./

 

PAQE/
Një ditë, /

Unë pashë shumë njerëz,/

Njerëz jo të zakont,

Pashë njerëz me fytyrë të qartun,

Unë pashë kur këta njerëz,

Zemër nuk kishin,

Unë pashë kur këta njerëz,

Ishin të krisur.
Unë pashë kur këta njerëz,

Erdhën kalur,
Unë pashë kur këta njerëz,

Kundër njerzve u sulën,
Kundër njerëzve të mbetun,
Deri sa u sollën vdekjen .

Unë pashë mizori,

Në fytyra satrapi,

Se ata kishin fytyrë xhelati.

Eh,

Njerëz fytyrë qartun,

E shpirt prishur,

Zemër krisur,

Sot ke sa te duash,

Në botën e ndyrë,

Më shpirt prishur.

Te metunit kërkojnë mëshirë,

Paqën e duan shumë,

Të lodhun në shpirt,

Mallkojnë pse egzistojnë.

E duan lirinë,

Paqën ta gëzojnë,

Nuk duan zemër krisurit,

Jetën tua shaktërrojnë.
Paqë, paqë,

Në jetë kërkojnë.

 

 

PIKA SHIU

 

Re të ngrysura lëshuar mbi,

Një hije e zymtë,

Horizonti mbuluar me te.

Por qielli i kaltër,

Mbushë hapërsirën me fuqin e  tij,

Si mburojë qëndrese atje.

E ndjej ngrohtësin e pikave,

Trupi vrushkuj avulli lëshon,

E aroma joshëse shpirtin pushon.

Sa lehtë pushtojnë tokën,

Pika të shiut madhor,

E unë ndjehem krenar.

 

 

NATA

 

Në këtë natë të errët,

Që unë kërkoj ate,

Ku as gjumi pergjigje nuk ka,

Përpelitem si në ankth.

 

Kërkoj përgjigje,

Por nuk gjej,

Ato janë mbrojtje,

Në heshtjen që mbretëron.

 

Nuk gjejë arsye për,

Errësira deshmi nuk jep,

Asaj nuk mund ti zesh besë,

Se është e pamëshireshme në jetë.

 

Eh, natë mizore,

E shurdhër, e verbër,

Sa tinëzare që je,

Dua që të tëharr nga jeta që të mos je.

 

Është nata qe besë nuk ka,

Është e verbër, por sy ka,

Është më barrë,

Prandaj besë nuk ka.

 

 

KUR SHELGU I GJELBËR QAN

 

Kur shelgu i gjelbër qan,

Loti kristal rrjedhë,

E rrugëtimin e tij nuk ndal.

 

Rrjedhë ai kristal,

Me bardhësinë e tij,

Rrefen vuajtjen që man në gji.

 

Kur shelgu i gjelbër qan,

Gjethi i saj rënkon,

Vuajtjen e shpirtit tregon.

 

Një brengë në shpirt,

Brenguar në shumë anë,

Që kërkon brerimë.

 

Kur shelgu i gjelbër qan,

Brerorja shëndrit përqark,

Nga kurora e saj.

 

Nuk lejon kurornë që të fishket,

E do si lule Fistiku,

Si një vajzë te kolme.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: poezi, Sofra e Diellit, Sokol Demaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT