-Presidenti i Republikes, Hashim Thaçi, në seminarin “Kosova dhe Finlanda ndërtojnë të ardhme së bashku: Ndërmjetësimi i paqes, Menaxhimi i krizave dhe Plani i Ahtisaarit – Rruga përpara”/

PRISHTINË, 26 Prill 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në seminarin e organizuar nga Ambasada e Finlandës me temën “Kosova dhe Finlanda ndërtojnë të ardhme së bashku: Ndërmjetësimi i paqes, Menaxhimi i krizave dhe Plani i Ahtisaarit – Rruga përpara”.Presidenti Thaçi tha se Kosova e njeh mirë rolin e Finlandës në ndërtimin e paqes në botë dhe është përgjithmonë mirënjohëse për përkrahjen që ka marrë në kohët më të vështira, por edhe vendimtare për paqen dhe lirinë e vendit tonë.“Përvoja e parë e Kosovës në angazhimin e Finlandës për paqe fillon me presidentin Ahtisaari qysh në vitin 1999, kur ai negocionte me Millosheviqin tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Për Kosovën kjo nuk ishte vetëm tërheqje e trupave, por ishte edhe fund i vrasjeve, dhunimeve, dëbimeve. Fund i përpjekjeve për të zhdukur një popull të tërë, gjurmët e tij, nga toka ku kishte jetuar gjithmonë. Ndërsa, për botën kjo nuk simbolizonte vetëm fundin e një lufte në tokën e Evropës, por ngadhënjimin e angazhimit të tyre për barazi dhe liri për të gjithë popujt mbi politikat diskriminuese, përjashtuese, hegjemoniste e nacionaliste që kishin shkatërruar rajonin e Ballkanit”, u shpreh presidenti Thaçi.Sipas tij, kjo ishte betejë mes vlerave dhe parimeve të humanitetit dhe të drejtave të njeriut në njërën anë dhe përdorimit të dhunës për të ndërtuar realitete të reja politike në anën tjetër.“Për presidentin Ahtisaari kishim dëgjuar edhe më herët, në punën e tij në kuadër të Grupit Ndërkombëtar të Krizave kur propozonte idenë e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën. Presidenti Ahtisaari e kuptonte se nuk mund të ndërtohet paqja dhe stabiliteti duke shkelur të drejtat e një populli dhe duke injoruar aspiratat e atij populli. Përkundrazi. Ai kishte kuptuar se çelës për paqen është respektimi i vullnetit të të gjitha palëve, respektimi i të drejtave të të gjitha palëve”, shtoi presidenti Thaçi.Kreu i shtetit theksoi se Presidenti Ahtisaari ka luajtur rol edhe në procesin e përcaktimit të statusit politik të Kosovës.“Si testament i angazhimit të tij edhe sot dokumenti mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës vazhdon të quhet Dokumenti i Ahtisaarit”, u shpreh presidenti Thaçi.Por, sipas tij, në ndërtimin e Kosovës kanë kontribuar me mijëra finlandezë.“Kanë kontribuar në të gjitha misionet ndërkombëtare në Kosovë, civile e ushtarake”, tha ai.
Presidenti shtoi se ka pasur fatin të jetë pjesë e proceseve më të rëndësishme në të cilat ka kaluar shoqëria kosovare si pjesëmarrës e udhëheqës.“E njoh mirë diskriminimin, përjashtimin, luftën dhe i njoh tmerret që shkakton ajo. E njoh mirë vështirësinë e ndërtimit të një shoqërie të shkatërruar nga lufta. I njoh mirë kurthet që lë pas vetes lufta dhe konflikti. E di mirë sa e vështirë është të ndërtohet paqja, sidomos paqja e qëndrueshme. Por, e di edhe sa e rëndësishme është paqja dhe stabiliteti. Prandaj gjatë luftës kam qenë i angazhuar që të ruhet aq sa mundet humaniteti dhe solidariteti. Kurse, pas luftës jam angazhuar për ndërprerjen e armiqësive dhe ndërtimin e urave në mes popujve. Për këtë angazhohem edhe sot, si President i Kosovës”, u shpreh ai.Presidenti Thaçi numëroi edhe disa prej hapave që promovon si president i vendit për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe në rajon.“Kusht i parë është drejtësia. Për drejtësi kanë nevojë viktimat, por edhe gjeneratat që vijnë. Por, për drejtësi kanë nevojë edhe ata në emër të të cilëve janë kryer krimet, që të distancohen nga kriminelët. Prandaj, që në fillim të mandatit tim si president kam apeluar tek Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që të angazhohen edhe më shumë në zbulimin dhe dënimin e atyre që kanë kryer krime lufte në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi.
“Ky është hapi i parë drejt mbylljes së plagëve të luftës”, shtoi ai.Hapi i dytë i ndërmarrë, presidenti Thaçi tha se është themelimi i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë.“Duhet të mbyllet kapitulli i së kaluarës dhe të hapet kapitulli i ri, për një të ardhme të re. Drejtësia duhet të pasohet nga e vërteta dhe pajtimi”, theksoi presidenti Thaçi.Duke mësuar për vuajtjet e njëri-tjetrit, presidenti Thaçi theksoi se të gjithë do ta kuptojnë edhe më shumë rëndësinë e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në Kosovë.Pika tjetër për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në rajon, sipas presidentit Thaçi, është bashkëpunimi rajonal dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore.
“Vazhdoj të promovoj dialogun rajonal për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në rajon. Jam ulur në tavolinë me njerëzit që dy dekada më parë kërkonin të më vrisnin vetëm për shkak se kërkoja barazi për popullin tim. Nuk ishte vendim i lehtë, por ishte vendim i drejtë”, shtoi presidenti Thaçi.Që nga viti 2013, presidenti Thaçi tha se Kosova ka instaluar procesin e dialogut me Serbinë që, me gjithë sfidat dhe ngecjet që përjeton, ka vënë parimin e dialogut si instrument për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje dhe konflikti që mund të kemi me njëri-tjetrin.“Pas fitimit të lirisë dhe ndërtimit të shtetit, duhet të çimentojmë paqen dhe barazinë në Kosovë dhe në rajonin tonë. Hap i natyrshëm për këtë është anëtarësimi në NATO dhe BE i tërë rajonit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.Presidenti ka shtuar se është kënaqësi të shohim se edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë të përkushtuara në rrugën e tyre për anëtarësim në BE dhe nxitojnë të mbyllin kapitujt e negociatave me Brukselin. Por, sipas tij, i tërë ky rezultat mund të vihet në pikëpyetje nëse Bashkimi Evropian nuk i zgjat dorën Ballkanit Perëndimor.“Po shohim një ngritje të ideologjive populiste, nacionaliste e radikale, si në rajonin tonë, ashtu edhe në Evropë”, u shpreh presidenti Thaçi.Për këtë, presidenti Thaçi theksoi se përsëri kemi nevojë për vizion dhe guxim që të ritheksojmë se paqja dhe stabiliteti në Evropë dhe në botë ndërtohen mbi barazi, dialog dhe bashkëpunim./b.j/
-“Amerika edhe më tutje na qëndron pranë dhe ne jemi falënderues që së fundmi, Agjencia Federale Amerikane (MCC) ka vendosur të përkrah Kosovën me disa dhjetëra milionë dollarë në fusha si energjia apo sundimi i ligjit, me synim që Kosova të zbatojë politika të favorshme për rritje ekonomike”, ka shtuar presidenti Thaçi/
SHBA, 20 Prill 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si mysafir nderi në edicionin e 7-të të Forumit Botëror Strategjik, para rreth 1200 pjesëmarrësve nga dhjetëra shtete të botës ka folur për energjinë, infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm.Presidenti Thaçi ka thënë se ekonomia amerikane është motor i ekonomisë globale, ndërsa politika amerikane është fanar udhëzues për politikën botërore.Për aktivitetet e Forumit Botëror Strategjik, presidenti Thaçi ka thënë se ishin dy ditë interesante të debateve se si ta kontrollojmë ndryshimin dhe si të kemi rritje më të mëdha ekonomike.“Shteti im është i vogël, por kemi pak eksperiencë që ndoshta ka përdorim edhe në suaza globale. Kam qenë kryeministër i vendit për 8 vjet dhe hapi i parë ka qenë ta shpalli vendin tim republikë sovrane dhe të pavarur. Kjo shpallje ka ndodhur më 2008, vetëm disa muaj para se të kolapsonte banka Lehman Brothers. Pra, nuk ka qenë koha më fatlume të shpallim të pavarur një shtet, ngase ekonomia e tërë rajonit dhe e të gjithë fqinjëve tanë po kalonte nëpër krizë të thellë. Megjithatë, gjatë shtetndërtimit tonë, ne arritëm të krijojmë rritje mesatare ekonomike prej rreth 4 për qind për 8 vjet me radhë. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova ka shënuar rritjen më të madhe ekonomike në Evropë në ato vite, derisa shumë shtete tjera kanë shënuar rënie ekonomike”, është shprehur presidenti Thaçi.Mund të pyesni si arriti që Kosova e vogël, një vend prej dy milionë banorë, sa Virxhinia Perëndimore këtu në Amerikë, ka shtuar presidenti Thaçi, të ketë një rritje solide në kohën e krizës së madhe ekonomike dhe financiare që kaploi tërë botën para gati 10 vjetësh?“Fillimisht e nisëm një program shumë të gjerë dhe të thellë të investimeve në infrastrukturë. Me kompaninë amerikane Bechtel, ndërtuam dy autostrada që ta lidhnim vendin tonë me fqinjët, ashtu që të mundësonim lidhje më të mira të tregjeve, njerëzve dhe mallrave”, ka thënë presidenti Thaçi.Ai është shprehur krenar që për një kohë rekorde, pa marrë asnjë cent borxh, janë ndërtuar mbi 800 kilometra rrugë dhe autostrada, që është gjatësia e njëjtë e ndërtuar nga viti 1945 e deri në vitet e para të shekullit 21.“Po ashtu, filluam edhe një program të renovimit dhe ndërtimit të shkollave. Pra, ne investuam disa miliardë dollarë në infrastrukturë fizike. Ky investim mundësoi hyrjen e mjeteve në ekonomi, krijim të vendeve të reja të punës, por krijoi edhe një platformë afatgjate për rritje ekonomike”, u shpreh presidenti Thaçi.Në Forumin Botëror Strategjik, duke e marrë si shembull Kosovën, presidenti Thaçi foli edhe për përpjekjet e presidentit Trump dhe kongresit amerikan për gjetjen e një gjuhë të përbashkët në përpilimin e një Plani Nacional për Infrastrukturë.“Rreth 40 për qind të tërë buxhetit të Kosovës ne ia kemi dedikuar investimeve kapitale, duke krijuar kështu një makrocikël pozitiv ekonomik. Kemi refuzuar të marrim borxhe publike dhe sot Kosova ka borxhin me të ultë publik në Evropën Lindore. Vetëm 10 për qind e GDP-së sonë është borxh publik. Mund ta krahasoni këtë me fqinjët tanë, ku për shembull Serbia dhe Shqipëria kanë 60 për qind të GDP-së në borxh publik, ndërsa Greqia tashmë ka arritur 160 për qind të GDP-së ta ketë në borxh”, u shpreh presidenti Thaçi.“Si arritëm të paguajmë faturën e investimeve shumëmiliardëshe në infrastrukturë?” – shtoi presidenti Thaçi.Kreu i shtetit theksoi se nuk janë rritur as taksat, por thjeshtë janë bërë përpjekje që të mbyllen vrimat e zeza në sistemin e tatimeve, duke rritur të hyrat e tatimeve të rregullta dhe luftuar ekonominë gri.“Banka Botërore ka lavdëruar Kosovën në mënyrën sesi kemi lehtësuar pagimin e tatimeve dhe tani jemi në pozitën e 43-të nga 200 ekonomitë botërore sa i përket progresit në pagim të tatimeve. E tërë kjo, mund të them, nuk është keq për një shtet që para 18 vjetësh ishte në mes të luftës dhe gjenocidit”, u shpreh ai.Presidenti Thaçi ka folur edhe për çështjen e energjisë, duke thënë se Kosova është shumë e pasur me thëngjill.“Ne po shikojmë ta përdorim këtë pasuri në mënyrë të qëndrueshme dhe me sa më pak efekt për ambientin. Këto javë po shpresoj se do ta nënshkruajmë një kontratë prej mbi 1 miliard dollar për ndërtim të termocentralit të ri me thëngjill. Shumë ambientalistë më kanë sulmuar, duke insistuar se Kosova duhet të jetë martire e rregullave dhe paragjykimeve për ndotjen e ajrit, por unë i kam pyetur ata dhe i pyes edhe sot: A është më mirë që Kosova dhe kosovarët të vdesin nga sëmundjet e mushkërive prej ndotjes së krijuar nga termocentralet komuniste të vjetra 50 vjet, apo është më mirë t’i mbyllim ato centrale dhe të ndërtojmë kapacitete të reja, me teknologji të re amerikane, me standard të larta?”, ka shtuar presidenti Thaçi.Ai ka thënë se Kosova nuk ka pritur dhe nuk ka kërkuar shumë solucione të komplikuara, duke mos lejuar kështu që rregulloret e tepërta, që shpesh nuk kuptohen as nga vetë draftuesit e tyre, ta ndalin.Presidenti ka shtuar se shteti duhet të ketë rol të kufizuar, kurse aty ku është e mundur duhet punuar në premisa të Partneritetit Publiko-Privat.“Mbi këto baza ne ndërtuam edhe një aeroport të ri, i cili sot është në menaxhment privat të huaj, por po krijon të ardhura për shtetin tonë më shumë sesa kur shteti menaxhonte vetë aeroportin”, ka thënë presidenti Thaçi.Kreu i shtetit ka thënë se Kosova nuk do të ishte storie e suksesit pa ndihmën e miqve nga mbarë bota.“Amerika edhe më tutje na qëndron pranë dhe ne jemi falënderues që së fundmi, Agjencia Federale Amerikane (MCC) ka vendosur të përkrah Kosovën me disa dhjetëra milionë dollarë në fusha si energjia apo sundimi i ligjit, me synim që Kosova të zbatojë politika të favorshme për rritje ekonomike”, ka shtuar presidenti Thaçi.Duke i marrë si shembuj dy bulevardet kryesore në Prishtinë, atë me emrin e presidentit Klinton dhe tjetrin me emrin e presidentit Bush, presidenti Thaçi ka thënë se për popullin në Kosovë nuk ka republikanë apo demokratë, por ka vetëm amerikanë.“Sipas sondazheve të agjencionit Gallup, politikën amerikane sot në Kosovë e përkrahin 92 për qind e popullatës”, u shpreh presidenti Thaçi.Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se pa siguri nuk ka as ekonomi të fuqishme.“Aftësia jonë e pamohueshme që ta mbrojmë lirinë e qytetarëve tanë kudo që janë është shtyllë e krenarisë nacionale dhe përparimit afatgjatë”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka thënë se ky leksion vlen si për superfuqi, siç është Amerika, ashtu edhe për shtete të vogla si Kosova./b.j/
