• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI GEORGE H. W. BUSH DHE NDERLIDHJA SHQIPTARE

December 11, 2018 by dgreca

bush2

Me rastin e vdekjes/

1-Sami-Repishti1-240x300

Nga Sami Repishti, Ph.D./

Ridgefield, CT.- Të premten, 30 nandor 2018, në moshën 94 vjeçare pushoi së rrahuni zemra fisnike e nji bujari amerikan, George Herbert Walker Bush, presidenti 41 i SHBA-se. Ai vdiq qetësisht në shtëpinë e tij, Houston, Texas, i rrethuem nga pjestarët e familjes tij të madhe. Pushoftë në paqë!

George H.W. Bush, nji politikan republikan, dhe personalitet me dinjitet të naltë, ka qenë nji president “tranzicional” gjatë viteve 1989-1993, kulminimi i nji sherbimi publik për ma shumë se 40 vjet. Në mbarim të termit të parë, ai u mund nga nji politikan i ri, William J. Clinton, për arsye të gjendjes së vështirë ekonomike në vend. Gjatë viteve të tia presidenciale, ai i sherbeu Kombit amerikan në periudhën e vështirë të gjendjes së ndërlikueme ndërkombëtare, me guxim dhe dinjitet të veçantë. Gazetarja Maureen Dowd e cilësoi:”Drejtori i njerëzishëm i anijes lundruese në valët e politikës ndërkombtare”.

Këto ditë, populli amerikan dhe të gjithë paqëdashësit vajtojnë vdekjen e Presidentit Bush. Si ngushëllim: pothuejse pa përjashtim, ai kujtohet si presidenti që punoi randë me krijue nji atmosferë politike ma miqësore dhe ma të njerëzishme në politikën amerikane, (“a kind and gentle Nation”) dhe paqën në botë, nji pikësynim që ai e kërkoi gjatë gjithë jetës së tij. Fletorja The New York Times e 2 dhetorit e përcaktoi: ”Nji forcë gjeniale e politikës amerikane që udhëhoqi Kombin në vitet e fundit të Luftës së Ftohët”. Revista prestigjoze Foreign Affairs në nji shkrim nga dy ekspertë, Ivo H.Daalder dhe I.M.Destler, e percakton: “George H.W.Bush u zgjodh president me udhëheq marrëdhanjet e Shteteve të Bashkueme me botën ma i përgatitun se çdo tjetër president, para dhe mbas tij….” (FA 7.XII.2018)

George H.W. Bush ka qenë presidenti i fundit i breznisë së L2B që zuni vend në Shtëpinë e Bardhë. Patriotizmi i tij ashtë nji shembull i rrallë. Ditën që plotësoi 18 vjet, ai u rregjistrue vullnetarisht si student në shkollën e pilotëve të luftës (marine) dhe u nis në frontin e luftës të Oqeanit Paqësor në kundërshtim me dëshirën e           prindëve që ai të vazhdonte studimet pranë Universitetit prestigjoz Yale (CT) Shpejt, u dekorue për trimni. U rrëzue në luftim nga forcat japoneze, 1944, dhe shpëtoi për mrekulli nga nji nendetëse amerikane kalimtare.

I kthyem nga lufta, ai zhvilloi tregëtinë dhe njikohësisht u angazhue në politikën e vendit. Humbi dy herë dhe u zgjodh dy herë kongresmen nga Texas dhe senator; u emnue ambasador në OKB, ambasador në Kinë, drejtor i CIA-së, kryetar i Republican National Committee, dhe në vitin 1980 Presidenti Reagan e zgjodhi si vice-president në fushatën elektorale që doli me sukses. Për tetë vjet me rradhë, Presidenti Bush u familjarizue plotësisht me detyrën e re, dhe me gjendjen ndërkombëtare. I ushqyem me frymën “detyra duhet krye” dhe të “sakrificës për atdheun”, në fjalimin e pranimit të zgjedhjes së tij si kandidat për president, 1988, ai deklaroi në mes tjerash: ”Ky ashtë misioni  im” dhe përfundoj, “ unë do ta plotësoj”.

Kjo frymë detyre që duhet krye e ka nxitë për ndërhymjen ushtarake me arrestue presidentin e Panamasë, që ktheu vendin në republikë droge, dhe me sulmue Irakun e Sadam Husejn-it që kishte pushtue arbitrarisht shtetin Kuweit. Sulmi kundër Irakut tregoi guximin e tij për vendimmarrje me rrjedhime botënore; dhe ndalimi i luftës mbas katër ditësh, tregoi urtësinë e tij mos me u angazhue në nji luftë shkatërrimtare.

Para fjalimit të pranimit të detyrës si president, ai i dha këto shenime sekretares që përgatiste fjalimet: “Jam ai që jam. Unë e di se ku do të shkoj. Unë kam eksperiencën me arrijtë atë objektiv. Punësim, paqë, dhe arsim. Unë jam koshient i asaj që më rehaton mue ma shumë: familja, besimi, shokët e miqtë.”(Shenime për sekretaren, New Orleans, 1988)

Si president, ai u dallue si byrokrat i shkathët, dhe nji diplomat i përkryem që ndihmoi fuqimisht përfundimin e periudhës famëkeqe të “luftës së ftohët” dhe largoi kercënimin e nji lufte nukleare, në bashkëpunim me presidentin e ish Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov. Ky kurs paqësor bani të mundun bashkimin e dy Gjermanive të ndame, në nji shtet të vetëm, dhe inkurajoi ish republikat sovjetike me deklarue pavarësine e tyne. Për fatin e tij dhe të gjithë Europës, u gjindën dy personalitete me peshë botënore: Helmuth Kohl, kancelar për Gjermaninë dhe Mikhail Gorbaçov, për ish Bashkimin Sovjetik, dy politikanë-burra shteti që kuptuen se bota e mbasluftës kishte ndryshue, se “lufta e ftohët” duhej të pushonte, dhe se nji botë e re me paqë e bashkëpunim ndërkombëtar po hynte në historinë europiane. Si hap plotësues, të dy udhëheqsit, amerikan dhe rus, nenshkruen traktate që detyruen pakësimin në vendet e tyne të sasisë së armëve nukleare dhe kimike. James A. Baker, III deklaroi në nji intervistë, 2013 :”Unë besoj se historia do ta trajtojë shumë mirë!”

Në lamin e politikës së mbrendshme suksesi i tij ka qenë kompromisi me “demokratët” për bashkëpunim, për ngritjen e taksave dhe pakësimin e deficitit deri në zhdukje, si dhe Traktati me Kanadan dhe Meksikën, i njohun si NAFTA. Presidenti Bush ka qenë promotori i kalimit të legjislacionit “American Disability Act” për qytetarët e moshuem, sidomos ata me të meta fizike dhe mendore.

Kundërshtarët e akuzojnë se nuk ka tregue interesim të mjaftueshëm për problemet e mbrendshme dhe sidomos për klasët e vorfëna.

Gjykimin ma të plotë ndoshta ka dhanë biografi i tij, historiani presidencial Jon Meacham, kur shkroi se ajo që Presidenti Bush nuk pranoi asnjiherë janë elementët ideologjikë, të ashpër dhe të gatshëm për nji revolucion partizan. Kryetarit të Dhomës i tha: “Kam frikë se nganjiherë idealizmi i juej do të pengojë punën që bajmë, nji qeverisje e mirë”. Ajo që deshti të thoshte ka qenë ”ekstremizmi” i juej, “fanatizmi” i juej….”Ai u rrit” shkruen Meacham,“në nji botë ku politika ishte nji instrument me sherbye të mirën publike, jo nji mjet për vetësmadhim ose vetëpasunim. George H.W.Bush u ba ‘vullnetar’ në konfliktin e L2B që ditën e parë që lejonte ligji (18  vjeçar) dhe nuk pushoi asnjiherë”.

“Presidenti Bush” shkruen Meacham,”ka qenë nji ‘gentleman’ por edhe nji ‘politikan’. dhe këtu ka qenë tensioni i jetës tij…. Politika nuk ashtë nji ndërmarrje e papërlyeme,” thonte ai, “ sidomos në se kërkohet me fitue. Fatkeqsisht, kështu ashtë politika!” Bush e kuptoi se “grumullimi i pushtetit sherben vetëm me ndihmue Amerikën dhe botën mbar. Ajo që peshon në këte mes ashtë faktori moral i udhëheqsit që komandon: nji person parimor dhe jo egoist. I tillë, Presidenti Bush ka qenë,” shkruen historiani Meacham, shembull i rolit të individit në histori….¡

I pyetun si dëshiron të kujtohet nga breznitë e ardhme, Presidenti George H.Bush përgjegji:” Nji qytetar që ka vue atdheun në vend të parë”. Nji shërbestar i Amerikës…!  “ …e pame si  “a kind and gentle Nation!”.

*****

Ndërlidhja shqiptare u forcue me “Paralajmërimin e Krishtlindjes” 25 dhetor 1992, dhe vazhdoi pa ndërpremje. Presidenti Bush përfundoi njohjen diplomatike të Shqipërisë, mars 1991, i dha Shqipërisë “the most favored nation clause”, dhe kercënoi diktatorin Milosevic me bombardim në se ai guxonte me sulmue Kosovën. Ky qendrim u adaptue edhe nga Presidenti mbasardhës, W.J.Clinton me deklaratën e Sekretarit të Shtetit Warren Christopher, 13 shkurt 1992. Nji aksion i këtill i kombinuem ngriti lidhjet me shqiptarët (e Shqipërisë dhe Kosovës) nga nji nevojë teknike e përkohëshme, në lamin strategjik, afatgjatë; hyni në fushë termi “strategic ally” për të dy shtetet shqiptare në Ballkan, nji hap i madh kualifikativ politik që vazhdon edhe sot. Shqipëria huazoi bazën e Gjadrit për dronet amerikane gjatë luftës për Bosnje-Herzegovinën (1991-95).

Akti themelor i vitit 1992, theu akullin 45 vjeçar të marrëdhanjeve në mes Shqipërisë dhe SHBA-së që kishin krijue qeveritë komuniste të Shqipërisë që nga viti 1945, me rezultat izolimin e plotë të vendit dhe “atmosferën armiqsore” që u ushqye nga PPSh-ja me fanatizëm stalinian. Në prill 1965, unë kam dëshmue për herë të parë para Kongresit Amerikan në lidhje me Shqipërinë komuniste, por kam paraqitë edhe problemin e Kosovës për të parën herë. Atmosfera e Kongresistëve ka qenë anmiqsore dhe u çfaq haptazi. Kryetari i Komisionit, kongresmeni Lee Hamilton, mu drejtue me këto fjalë: “Z. Repishti, Shqipëria na sulmon 7 ditë në javë me radio e shtyp. Ashtë nji fat për atë, që ne nuk flasim shqip me lexue e kuptue këto shamje të përditëshme. Presidenti Tito ashtë mik i joni. Ju vini këtu e kërkoni që ne të marrim qendrim kundër Titos, nji mik, e të përkrahim kërkesat e Shqipërisë. Nuk mund ta bajmë këte.”

I prekun në sedër, u përgjigja: “Z. Kryetar, unë nuk kam ardhë këtu për politikë. Unë kam ardhë si aktivist për çeshtjet e të drejtave të njeriut, me kerkue ndihmën tuej që shtypjet në Shqipëri dhe në Kosovë të pushojnë. Për këte ngulim kambë”.

Me këte atmosferë në vend, veprimtaria e jonë në përkrahje të të drejtave të njeriut ka qenë e vështirë. Në vitin 1975 u firmue Akti Final i Helsinki-t. Nji dritore e re u hap për të gjithë aktivistët. Bashkësia shqiptaro-amerikane u mobilizue, u organizue dhe filloi veprimin. Traktet, konferencat akademike, dhe pjesëmarrjet në dëshmi kongresiane u shtuen.

Në 28 nandor 1968, u formue organizata Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë me qellim informimi të Botës së Lirë mbi ngjarjet në Kosovë. Unë veprova si “l’éminence grise”. Trakte dhe materiale tjera informative shpërndaheshin rregullisht para OKB-së dhe në disa qendra të New York-ut. Në shtator 1976 u dërgue Memorandumi i parë për Sekretarin e Përgjithshëm pranë OKB-së dhe me 20 shtator 1980 Memorandumi i parë për Komisionin e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Europian me nji listë të gjatë denoncimesh të verifikueme edhe nga shtypi kosovar. Kjo praktikë u vazhdue për 15 vjet me rradhë.

Në qershor 1986 u formue Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL) nën kryesinë e kongresmenit Joseph J. DioGuardi. (Unë veprova si Drejtor Ekzekutiv)  Qellimi kryesor ka qenë organizimi i rezistencës shqiptaro-amerikane kundër shtypjes së popullsisë shqiptare në Jugosllavi, kryesisht në Kosovë.

Akte rezistence individuale, ose grupesh spontane kanë ekzistue në SHBA vazhdimisht për vite me rradhë, dhe unë shpresoj se dikush, dikur, do të marrë mundimin me i hetue, regjistrue e paraqitë si dokumentarë të veprimtarive të emigracionit shqiptar. Gazeta DIELLI (e Bostonit) organ i VATRES ka qenë tribunë kryesore në dispozicion të elementit qellim-mirë. Gazeta LIRIA me prirje të forta pro-Tiranës komuniste ka qenë e përmbajtun dhe raportonte vetëm shkrime të huazueme nga shtypi komunist. LIRIA ashtë subvencionue nga Tirana.

Më 1962, me rastin e 50 vjetorit të themelimit, VATRA mori nji qendrim ma të premë anti-komunist. Anëtarsia u rrit dhe DIELLI dilte ma me rregull .Ky ka qenë edhe momenti kryesor i orientimit të ri të VATRES dhe editorit Xhevat Kallajxhiu. Ashtë meritë e VATRES që nuk pranoi ndihmë të ofrueme nga qarqet qeveritare për kundër-propagandë anti-komuniste. Ish kryetari, i nderuemi Christo Thanas, më ka tregue konfidencialisht se “…përgjigja e jonë këtyne ofertave ka qenë:’Në se nuk jemi në gjendje ta mbajmë, do ta mbyllim; por nuk e mbajmë të hapun me ndihma nga jashtë Federatës’.”

Ndërkaq, Lidhja Qytetare vepronte me kontakte të marruna me anëtarë të Kongresit dhe me rritje të anëtarsimit të shqiptarëve ne Lidhje. Në shtator 1986, u paraqit rasti për nji aksion me rrjedhime pozitive për veprimtarinë e Lidhjes Qytetare. N/Presidenti George H.W.Bush vendosi të ndihmojë fushatën elektorale në favor të kongresistit DioGuardi. Ai erdhi në Hotelin Hilton Westchester (N.Y.). Nga ana e Lidhjes Qytetare u organizue nji “drekë pune” në nder të vizitorit të shquem, me datën 4 shtator 1986. Me sugjerimin e Dr.Ramadan Xhema, unë propozova të përgatitet nji Peticion me shkrim për N/Presidentin ku të kërkohej që SHBA të hapte nji Zyrë Informative (Information Office) në Prishtinë-Kosovë, me qellim të monitorizohej gjendja e randë në atë Krahinë. U gjykue se “prania amerikane në Prishtinë” do të lehtësonte shumë gjendjen dhe do të sherbente si “syni dhe veshi i Amerikës”, në atë Krahinë që kishte mbulue terri informativ dhe shtypja politike. Bota dinte shumë pak për gjendjen katastrofike të shqiptarëve në Jugosllavi për arsye të censurës policore serbe mbi shtypin e vendit,e vizitat e të huejve në Kosovë.

Ditën e takimit, përgatita nji Peticion dhe ofrova ta dorëzoj me dorë Peticionin N./Presidentit Bush. Kur mbledhja u hap, fola me shefin e eskortës së sigurimit, dhe kërkova të shkoj në tribunë për dorëzimin. Ai mori instruksionet dhe me lejoi. I impresionuem nga ky akt fisnik, dhe pa formalitete, u afrova pranë N/Presidentit. Ai u ngrit dhe unë i dorëzova dokumentin. N/Presidenti Bush, i njohun për sjelljet e tia fisnike (familje aristokrate!) më ofroi dorën, që unë shtërngova me gëzim të madh, dhe i ofrova zarfin. Ai e mori e me falënderoj. Unë e falënderova gjithashtu.

U ktheva në tryezën time. Nga aty vrejta se ai hapi zarfin e filloi leximin e faqes së parë. Në paragrafin e parë unë kisha tregue se isha nji i burgosun politik që kishte kalue njimbëdhjetë vjet në burgjet dhe kampet e punës komuniste (Shqipëri dhe Jugosllavi) dhe se isha aktivist për të drejtat e njeriut, mora guximin me vue ne dijeni udhëheqsit amerikanë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut, me Peticionin që vijon.

Ndërkaq, drejtuesi i mbledhjes përfundoi paraqitjen e N/Presidentit dhe i ofroi mikrofonin. Për çudinë time, N/Presidenti filloi fjalën e tij (afërsisht): “Posa mora nji Peticion mbi shkeljen e të drejtave të njeriut nga Dr. Repishti, dhe e përgëzoi për aktivitetin e tij. Dr. Repishti ka kalue ma shumë se dhjetë vjet në burgjet e kampet komuniste si luftar për lirinë e vet dhe të popullit të vet. Më lejoni të ju them se përsa kohë që elementë si Dr. Repishti që ka rrezikue jetën në kërkim të lirisë, dhe këte liri e ka gjetë në Shtetet e Bashkueme, na siguron se në vendin tonë, liria nuk do të shuhet…” Na duertrokitëm.

Me kalimin e viteve, kontaktet e bashkësisë shqiptaro-amerikane me Kongresin dhe Qeverinë amerikane u shtuen. Disa veprimtarë u treguen shumë aktivë. Kontakte të shumëta dhe të përzemërta u zhvilluen sidomos me Senatorët R.Dole  A.D’Amato, dhe L.Pressler si dhe me kongresistët W.S. Broomfield, T.Lantos, E.Engel e tjerë. Nga rezultatet ma me randësi të arrituna nga këto kontakte kanë qenë nderhymja e Senatorit R.Dole me bindë Presidentin Bush të dergoj ultimatumin ish-Presidentit serb Milosevic 25 dhetor 1992 (i njohun si “Paralajmërimi i Krishtlindjes”); dhe me 13 shkurt 1993, ai i Presidentit Clinton, dy akte që çimentuen marrëdhanjet shqiptaro-amerikane:

“Na jemi të përgatitun me reague kundër Serbëve në rast se krijojnë nji konflikt në Kosovë si rrjedhim i veprimtarisë serbe; dhe, për ma tepër, na do të punojmë me forcue praninë ndërkombëtare në Maqedoni. Firmue: Warren Christopher”. (The NYTimes, 11 II. 1993).

Në mars 1991, u vendosën marrëdhanjet diplomatike me Shqipërinë, dhe nji vjet ma vonë, Presidenti Sali Berisha vizitoj Shtëpinë e Bardhë. Në takimet me Presidentin Bush u paraqit nji rast i veçantë për diskutime të hollësishme rreth çeshtjes gjithëshqiptare në qarqet ma të nalta amerikane.

Me inisiativën e American Friends of Albania,-grup shqiptaro-amerikanësh-, Departmenti i Shtetit siguroi nji ndihmë prej 30 miljonë dollarë si Fond për ngritjen ekonomike të Shqipërisë. U themelue Banka Shqiptaro-Amerikane në Tiranë, nji institucion që mbijetoi, dhe u rrit.

Me 11 qershor 1997, me inisiativen e KKSHA, nji Koalicion i Shoqatave Shqiptaro-Amerikane Fetare, Kulturale dhe Civike i drejtoi nji Peticion Presidentit W.J.Clinton me të cilin kërkohej që  “… Qeveria e Shteteve të Bashkueme të Amerikës të luaj nji rol ma aktiv në Shqipëri, me qellim që të sjellin paqën, stabilitetin, dhe prosperitetin në atdheun e të parëve tonë….”. Peticioni u firmue nga Dr.Sami Repishti. Përgjigja e Presidentit Clinton erdhi me 8 gusht 1997. Ishte “viti i mbrapshtë” në Shqipëri.  Në mes tjerash Letra presidenciale thotë:

“I nderuemi Sami: Ju falënderoj për Letren e tuej të datës 11 qershor në lidhje me situatën e Shqiptarëve etnikë në Ballkan. Shqipëria ka arrijtë në nji pikë kritike gjatë rrugës saj drejt demokracisë, dhe qetësimi i kaosit që mbretnon atje që nga mueji i marsit ashtë nji përparësi e politikës sonë te jashtëme.

Na mendojmë që ashtë me randësi me veprue së bashku si nji bashkësi ndërkombëtare, prandej Administrata e ime po punon ngushtësisht me partnerët tonë Europianë, tue përfshi edhe Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, me ndihmue ringritjen e institucioneve demokratike dhe me përmirësue situatën e të gjithë Shqiptarëve…..

Unë due të ju siguroj se Administrata e ime ashtë e angazhueme me punue për promovimin e të drejtave të të gjithe qytetarëve të Ballkanit, si dhe me vazhdue përpjekjet tona drejt nji zhvillimi të demokracisë, dhe rivendosjes së rendit publik në Shqipëri.

Edhe nji herë ju falënderoj për interesimin tuej aktiv në këte problem me randësi.

Sinqerisht,  Bill Clinton (firma) “

Me 8 mars 1998, Sekretarja e Shtetit, M.Albright, dha sinjalin e fundit: mbas tragjedisë së Prekazit. Nga Bon i Gjermanisë, ajo deklaroi:“Koha me u dhanë fund vrasjeve ashtë tani, para se të përhapen. Mënyra për ta ba këte ashtë tue ndërmarrë veprime të menjiherëshme kundër rregjimit në Beograd”.

Ka qenë rrjedhim i kësaj situate të rrezikshme për të gjithë shqiptarët në Ballkan, që në maj të vitit 1996, u formue Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) (kryetar, 1996-98-SR), nji formacion politik ma i organizuem dhe ma efektiv me përfaqësi të rregulltë në Washington,D.C. Këshilli luejti rolin e nji ambasade kosovare që mungonte ato ditë në Washington,DC.  Këshillat profesionale të ish ambasadorit  W.E.Ryerson kane qenë të cilësisë e randësisë së dorës së parë.

KKSHA (NAAC) ka pasë sukses me kontakte të rregullta me të gjitha organet e interesueme federale në kryeqytet, dhe ka fitue besimin e tyne për korrektesë politike e konfidencialitet. Sot shijojmë gëzimin e madh të raporteve shumë miqësore shqiptaro-amerikane, nji shperblim edhe i punës së ndershme të emigracionit politik shqiptar. Kujtoj me kryenaltësi frymën fanoliane “Jepni për Nënën” që mbretnoi kudo gjatë atyne viteve, dhe që frymëzon akoma mergimin politik dhe jo-politik të sotëm, sidomos punëtorët e thjeshtë që sakrifikojnë aq shumë për ndihmë Shqipërisë dhe Kosovës.

Ish Ambasadori amerikan në Tiranë, i nderuemi William E. Ryerson, komentonte në nji Letër që më drejtonte me 6 shtator 2001, sa vijon:

“ I nderuemi Sami

…..Pa dyshim merita për lirimin e Kosovës i takon Sekretares (së Shtetit) M.Albright që pati urtësinë me përkrahë atë që ishte e drejtë si dhe aftësisë saj me bindë “boss-in” (Presidentin Clinton) dhe kolegët e tij me veprue e jo me u kufizue në deklarata pa efekt. Megjithate, ajo nuk do të dilte me sukses sikur ju, dhe të tjerë si ju, të mos kishin shpenzue vite të gjata sidomos me edukimin e publikut amerikan dhe akoma ma me randësi me edukimin e udhëheqësve tonë (amerikanë) mbi problemin serioz që paraqiste shtypja serbe në kurriz të shqiptarëve të Kosovës.

Ju keni të drejtë me qenë kryenaltë për të gjitha sukseset e jueja. Jo, ju nuk i keni arrijtë vetëm këto suksese; por, unë dyshoj në se pa përpjekjet e jueja udhëheqsit politikë amerikanë do të kishin veprue ashtu si vepruen.

Sinqerisht i jueji,

William E. Ryerson, ish ambasador i SHBA-së në Tiranë.”

Kështu vepruen shqiptarët e Amerikës për Nanën Shqipri e për Kosovën, bijë e shtrenjtë e saj!

Filed Under: Politike Tagged With: GEORGE H. W. BUSH DHE, NDERLIDHJA SHQIPTARE, Ph.D, presidenti, Sami repishti

Presidenti Trump nderon ushtarët amerikanë në Luftën e Parë Botërore

November 12, 2018 by dgreca

Presidenti Donald Trump nderoi sot trupat amerikane, franceze dhe të aleatëve të tjerë që humbën jetën gjatë Luftës së Parë Botërore./

Ai foli gjatë një vizite në Varrezat dhe Memorialin Amerikan Suresnes pranë Parisit në prag të Ditës së Veteranëve, përpara se të kthehet në Uashington DC.

U.S. President Donald Trump speaks as he takes part in the commemoration ceremony for Armistice Day, 100 years after the end of World War One, at the Suresnes American Cemetery and Memorial in Paris, Nov. 11, 2018.
U.S. President Donald Trump speaks as he takes part in the commemoration ceremony for Armistice Day, 100 years after the end of World War One, at the Suresnes American Cemetery and Memorial in Paris, Nov. 11, 2018.

“Jemi mbledhur në këtë vend të shenjtë pushimi për të respektuar amerikanët trima që dhanë frymën e fundit në atë luftë të fuqishme”, tha presidenti.

Më shumë se 1.500 amerikanë që vdiqën gjatë luftës janë varrosur në këto varreza. Presidenti Trump është kritikuar që nuk shkoi për të vizituar një varrezë tjetër amerikane pranë Parisit të shtunën. Moti me shi nuk lejoi udhëtimin me helikopter që ishte planifikuar dhe vizita u anulua.

Presidente americano Donald Trump participa em cerimónia do Dia do Armistício, 100 anos depois do final da Guerra Mundial I, no Cemitério Americano de Suresnes em Paris. 11 Novembro 2018
Presidente americano Donald Trump participa em cerimónia do Dia do Armistício, 100 anos depois do final da Guerra Mundial I, no Cemitério Americano de Suresnes em Paris. 11 Novembro 2018

Presidenti Donald Trump ishte ndër udhëheqësit botërorë që morën pjesë në ceremoninë e organizuar në Paris për të shënuar 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore. Në fjalën e tij, Presidenti francez Emmanuel Macron tërhoqi vëmendjen tek rreziku i rikthimit të nacionalizmit dhe bëri thirrje për ruajtjen e trashëgimisë së paqes të vulosur me gjakun e të rënëve.

60 kryetarë shtetesh dhe qeverish u mblodhën sot në një ceremoni tek Varri i Ushtarit të Panjohur, një simbol i sakrificës së miliona njerëzve që vdiqën gjatë viteve 1914 – 1918.

Ceremonitë filluan në orën e saktë kur 100 vjet më parë, më 11 nëntor 1918, pushuan armët e luftës në Francën perëndimore.

Ceremonitë përkujtimore për Ditën e Armëpushimit në Francë
Photo Gallery:

Ceremonitë përkujtimore për Ditën e Armëpushimit në Francë

Udhëheqësit e shumicës së vendeve që dërguan ushtarë në frontin e perëndimit, ndër ta edhe Presidenti amerikan Donald Trump, qëndruan në heshtje për të nderuar sakrificën e të rënëve.

Asnjë ushtar që mori pjesë në Luftën e Parë Botërore nuk jeton më sot. Në atë kohë, ajo u quajt “lufta që do t’i jepte fund të gjitha luftërave”. Por, konflikti global shpërtheu sërish vetëm 20 vjet më pas me viktima dhe dëme të paprecedenta.

Presidenti Macron foli për sakrificat e një shekulli më parë gjatë katër viteve të masakrës në Evropë. Ai u bëri thirrje udhëheqësve të botës të bashkohen në “luftën për paqen”.

“Le të ndërtojmë shpresat tona, dhe jo frikën ndaj njëri-tjetrit. Së bashku, ne mund të shmangim kërcënimet – spektrin e ngrohjes globale, varfërisë, urisë, sëmundjeve, pabarazisë dhe injorancës. Ne jemi angazhuar në këtë luftë dhe mund ta fitojmë atë. Le ta ndjekim këtë rrugë sepse fitorja është e mundur “.

Ndërsa u pa të shtrëngonte duart me Presidentin rus Vladimir Putin gjatë ceremonisë, Presidenti Trump anulloi një vizitë të planifikuar për ditën e djeshme në një varrezë ushtarakësh amerikanë pranë Parisit. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se vizita u anullua për shkak vështirësive logjistike të shkaktuara prej kushteve të motit.

Pati kritika në mediat sociale që Presidenti Trump qëndroi në Paris pa planifikuar aktivitete të mëtejshme, ndërkohë që transmetoheshin pamje gjatë ditës të Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel në vendin ku aleatët fitimtarë dhe Gjermania humbëse nënshkruan marrëveshjen që i dha fund luftës.

Udhëheqësit e Ballkanit në ceremonitë e Parisit

Nëpër botë të dielën po shënohet dita e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Armëpushimi I para një shekulli hyri në fuqi më 11 nëntor të vitit 1918, duke i dhënë fund kështu luftës katërvjeçare, që la pas vetes të paktën 10 milionë ushtarë dhe miliona civilë.

Udhëheqësit e Ballkanit në ceremonitë e Parisit

please wait

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, presidenti rus, Vladimir Putin, kancelarja gjermane, Angela Merkel, janë në mesin e udhëheqësve botërorë që po marrin pjesë në ceremoninë që filloi në orën 11, të ditës së 11-të të muajit të 11-të, përfshirë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.(Kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Histori Tagged With: nderim viktimave, presidenti

PRESIDENTI META, NGUSHELLIME PER IKJEN E AGIM KARAGJOZIT

April 4, 2018 by dgreca

Presidenti Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Presidentit të Nderit të Federatës Pan-Shqiptare “VATRA”/1 Ilir MetaTirane- 4 prill 2018/

“U trishtova jashtë mase kur mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të atdhetarit të pashoq, shqiptaro-amerikanit të spikatur, Agim Karagjozit.

Në këto momente dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut të shtrenjtë, dëshiroj t’u gjendem shpirtërisht pranë familjarëve dhe të afërmve të tij, duke iu shprehur atyre ngushëllimet e mia më të sinqerta!

Jeta dhe veprimtaria e tij në shërbim të atdheut, në përkrahje dhe mbështetje të palodhur të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe vëllezërve e motrave tona në Amerikë, në mbrojtje dhe përhapje të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, duke drejtuar me mençuri dhe largpamësi Federatën Pan-Shqiptare “VATRA”, do të na shërbejë si një shembull e burim frymëzimi i pashtershëm atdhedashurie e përkushtimi.

I pastë dritë shpirti!

Ilir META

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Mta, Karagjozi, ngushellon, presidenti, VATRËN

Kosovë-KDI kërkon rol më aktiv nga Presidenti në konstituimin e Kuvendit

August 25, 2017 by dgreca

-Subjektet politike dhe deputetët e zgjedhur me votë qytetare nuk janë duke respektuar Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve për t’i formuar institucionet e vendit/

epa05792927 President of the Republic of Kosovo Hashim Thaci during his meeting with Norwegian Minister of Foreign Affairs Brende Borge (not pictured) in Pristina, Kosovo, 14 February 2017. Borge is one-day official visit to Kosovo.  EPA/VALDRIN XHEMAJ

PRISHTINË, 25 gusht 2017-Gazeta DIELLI/ Instituti Demokratik i Kosovës-KDI deklaroi sot se, procesi i konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, rrjedhimisht edhe përpjekja e djeshme për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit rezultoi e pasuksesshme.  Madje, nga foltorja e Kuvendit u dhanë indikacione të reja se subjektet politike jo vetëm që nuk kanë vullnet të përafrojnë qëndrimet e veta, dhe potencialisht të gjejnë zgjidhje për krizën e krijuar, por mund t’i kontribuojnë polarizimit të mëtejshëm të skenës politike në vend.

Subjektet politike dhe deputetët e zgjedhur me votë qytetare nuk janë duke respektuar Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve për t’i formuar institucionet e vendit. Qasja joserioze e klasës politike kosovare dhe mosveprimi i tyre karshi obligimeve kushtetuese po e futë vendin në një krizë politike e institucionale. Dështimi i vazhdueshëm në konstituimin e Kuvendit po bllokon procesin e formimin të Qeverisë dhe funksionimin e institucioneve të tjera të pavarura që i përgjigjen Kuvendit.

Me gjithë ngecjet në konstituimin e institucioneve, subjektet politike duhet të gjejnë konsensus për të përafruar qëndrimet e tyre në mënyrë që t’i shmangin praktikat bllokuese dhe të ofrojnë zgjidhje. Mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare, pa i shterur të gjitha mundësitë për tejkalim nga kjo situatë dhe sidomos pa reformë të mirëfilltë zgjedhore dhe ndryshime kushtetuese, nuk  përbën opsion.

Zgjedhjet e 11 qershorit u organizuan në frymë demokratike duke respektuar standardet vendore dhe ndërkombëtare, dhe duke mos u kontestuar nga asnjë subjekt politik, qoftë për procesin apo rezultatin zgjedhor. Qytetarët e Republikës së Kosovës dhanë verdiktin e tyre, dhe tani mbetet obligim kushtetues i subjekteve politike, përkatësisht deputetëve të zgjedhur që të respektojnë vullnetin qytetar.

Marrë në konsideratë rrethanat aktuale politike, KDI kërkon që:

Presidenti i Republikës së Kosovës të ketë rol më aktiv dhe të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese për t’i kontribuar daljes nga bllokada dhe konsituimit të Kuvendit.

Koalicioni PAN të ushtrojë së më parë të drejtën kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit;

Në rast të dështimit të përkrahjes së kandidatit të propozua nga PAN, partitë politike të konsiderojnë noniminim e një kandidati konsensual për kryetar të Kuvendit./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Behluli Jashar, KDI, presidenti, rol aktiv

Rama-Meta ftojnë PPE: Dialog pa kushte me opozitën

April 15, 2017 by dgreca

Tirane, 15 Prill 2017- Takimi mes Edi Ramës dhe Ilir Metës ka zgjatur për rreth 1 orë e 20 minuta në ambientet e “Hotel Tirana” në kryeqytet. I pari ka qënë kryeministri Rama që ka lënë ambientin duke ia lënë në dorë aleatit të tij, Meta të japë detaje nga takimi. 

Dy krerët e maxhorancës kanë vendosur të drejtohen zyrtarisht Partive Popullore Europiane që të angazhohen në dialogun me opozitën, pasi kjo e fundit ka mungesë besimi.

“Dëshiroj të theksoj se qëllimi kryesor i këtij takimi ishte rritja e përpjekjeve tona për të garantuar paprekshmërinë e votës së qytetarëve shqiptarë si themeli i një shoqërie europiane. Me këtë rast vullneti për të nisur një dialog pa kushte që tani me opozitën dhe drejtuesit e saj. Së dyti, kemi vendosur të vazhdojmë procedurat kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri, por pa paraqitur asnjë emër, apo pa mbështetur asnjë kandidaturë, pa dialoguar dhe pa bërë përpjekje për të arritur konsensusin dhe me opozitën për çështjen e presidentit edhe pse kjo maxchorancë ka gati 90 vota në Parlament. Së treti, duke parë vështirësinë e opozitës për të pasur besim, dhe kjo është arsyeja pse dialogu ende nuk ka nisur, kemi vendosur që ti drejothemi zyrtarisht PPE ku dhe PD është anëtare që të asistojë sa më shpejtë të jetë e mundur në këtë dialog në mënyrë që ky ngërç të marrë fund sa më shpejt dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të lira, të qeta, demoratike dhe të ndershme dh epo kështu dhe procesi i integrimit europian dhe të jgihtë reformave të jetë i suksesshëm”, tha Meta.
Ai nuk ka folur për fatin e koalicionit duke thënë se nuk është kjo e rëndësishme. Ndërsa për presidentit, ai theksoi se pavarësisht se maxhoranca ka 90 vota, do të kërkojë konsensus të gjerë.
“Kjo nuk është çështja më e rëndësishme, më e rëndësishme është ajo që thashë dhe le të punojmë të gjithë sa më shpejtë për këtë dialog. Presidenti duhet të jetë një figurë konsensuale, dhe natyrisht për këtë është i domosdoshëm dialogu dhe bashkëpunimi me opozitën”, tha Meta.
Ai shprehu gatishmërinë për tu takuar me zotin Basha në çdo moment që ky i fundit do ta kërkonte.

Filed Under: Opinion Tagged With: PPE, presidenti, Takimi Rama-Meta, vota

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT