• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA I PROPOZOI PRESIDENTIT DEKORIMIN E THEMELUESËVE DHE TË VATRANËVE TË DËNUAR NGA DIKTATURA KOMUNISTE

September 28, 2013 by dgreca

Të Shtunën, me 28 shtator, një përfaqësi e Vatrës është takuar me presidentin Nishani në Hotelin Lexinton. Presidenti shoqërohej në takim nga ambasadori Gilbert Galanxhi dhe Konsulli i Përgjithshëm Dritan Mishto. Përfaqësia e Vatrës përbëhej nga Kryetari dr. Gjon Buçaj, sekretarja e Vatrës,  Nazo Veliu dhe editori i Diellit, Dalip Greca.

Presidenti Nishani falenderoi Vatrën për pritjen e ngrohtë gjatë vizitës së Tij në Shtëpinë e Vatrës dhe gjatë darkës, që organizoi Vatra dhe bashkësia shqiptare me 24 shtator. Ndër dhjetra takime që presidenti ka organizuar me komunitetin shqiptar në të gjithë Amerikën, veçoi atë me Vatrën, për shkak të historisë që Vatra mbanë mbi shpinë si dhe të veprimtarive të saj në shërbim të Kombit.Vatra, tha presidenti, më shumë se kushdo tjetër, është kontribuesja më e madhe e ruajtjes së identitetit shqiptar këtu në Amerikë për më shumë se 100 vite, është një urë e fuqishme miqësie mes Amerikës dhe Shqipërisë.

Puna e Vatrës është e lidhur fort me çështjen kombëtare, tha presidenti.Ajo ka përcjellë dhe vazhdon të përcjellë mesazhe bashkimi shpirtëror, kulturor  për  popullin shqiptar në trojet e veta etnike. Më pas Presidenti foli për sfidat që e presin Shqipërinë për  të ardhmen e saj Europiane, marrjen e ftesës për në BE, realizimin e reformave, ruajtjen e standarteve demokratike, foli për sfidat që e presin Kosovën, për forcimin e shtetit, për rritjen e njohjeve ndërkombëtare, ku ka kontributin e vet edhe Shqipëria, edhe Diaspora, foli për sfidat e shqiptarëve në Maqedoni, për Marrëveshjen e Ohrit, për sfidat e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe  në Malin e Zi. Për këtë të fundit ai tha se ia ka përcjellë presidentit malazes dy kërkesat kryesore të popullsisë shqiptare për Komunën e Pavarur të Tuzit dhe  hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe. Nuk ka asnjë argument kundër, dhe për pasojë të dyja janë të realizueshme.

Më pas presidenti u ndal edhe në çështjen çame. Tani kjo çështje  nuk është më tabu; për të flitet hapur në Parlament, madje ka dhe një Rezolutë të Parlamentit Shqiptar dhe Presidenti shtoi se gjatë vizitës që do të bëjë në Tiranë presidenti grek, ai do t’ia shtrojë edhe çështjen çame. Nuk bëhet fjalë për ndryshim kufijsh, sqaroi ai, por për probleme të trashëgimisë së pronave dhe shtëpive të popullsisë çame.

Diaspora shqiptare në Amerikë, tha presidenti, kërkon edhe mbështetjen dhe koordinimin me vendlindjen për t’i rritur kontributet në Washington.

Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti tha se diaspora shqiptare, Vatra, të gjithë e kanë të hapur derën e presidencës për bashkëpunim dhe punë të përbashkëta për çështjen Kombëtare.

Dr. Gjon Buçaj, kryetar  i Vatrës, e falenderoi presidentin Nishani për fjalët vlerësuese të adresuara Vatrës dhe vatranëve si dhe në adresë të diasporës në përgjithësi. Vatra, tha ai, natyrisht nuk ka pushtet egzekutiv, por ajo ka 101 vjet që i shërben çështjes Kombëtare dhe po kështu do të vazhdojnë brezat e ardhshëm.

Z. Buçaj, shprehu besimin se institucioni i presidencës do të ushtroje autoritetin e  vet për të ndikuar në thellimin e reformave, duke ruajtur standartet demokratike, me qëllim që Shqipëria me dinjitet të shkojë në BE. Në mesazhin e tij, dr. Buçaj përcolli idenë se krahas integrimit në BE Shqipëria dhe Kosova si dy shtete shqiptare të ndikojën pozitivisht që të unifikohet faktori shqipatr në Ballkan për të ruajtur arritjet e deritanishme dhe për t’i çuar ato më tej. Faktori shqiptar duhet të jetë i përgatitur dhe të punojë fort për bashkimin dhe jo për ndarjen, pavarësisht ngjyrave politike.Urojmë që infrastruktura rrugore t’i lidhë të gjitha trojet, deri edhe në skajet më të largëta.

Dr. Buçaj, shprehu shqetësimin se ndërrimi i pushtetit, nuk duhet të kthehet në revansh dhe të shkatërrojë investimin e bërë në adminsitratë. Dr. Buçaj e quajti të nxituar veprimin e fitusëve të zgjdhjeve duke hequr nga zyrat e shtetit  fotografinë e kryetarit të shtetit. Ai përmendi edhe pushimet pa kriter nga funksionet, siç ka ndodhë me Konsullin e  Shqipërisë në New York, z. Dritan Mishto, i cili e ka mandatin  edhe për një vit. Konsulli Mishto ka qenë shumë i lidhur me komunitetin shqiptar, pavarësisht orientimve politike.

Duke shtruar shqetësimet e Vatrës për zhvillimet në Shqipëri, kryetari Buçaj shfaqi brengën për uzurpimin real që i ka bërë autoqefalisë së Kishës ortodokse shqiptare Kryepeshkopi Janullatos.

Një problem tjetër, që shtroi para presidentit të Shqipërisë , kryetari i Vatrës, ishte edhe ai për vlerësimin e figurave të baltosura nga diktatura komuniste, që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot në demokraci. Ka figura të periudhës së Mbretit Zog dhe të kohës së okupimit, që kanë bashkëpunuar për t’i shërbyer sa të mundnin Kombit. Duhet parë me vështrim të kthjellët kontributi i Ernest Koliqit dhe bashkëpunëtorëve. A duhet vlerësuar  hapja e shkollave shqipe në Kosvë?

Në fund të bisedës kryetari Buçaj i paraqiti presidentit propozimin e Vatrës për dekorimin e themeluesëve të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA si dhe të vatranëve atdhetarë të pushkatuar, të burgosur, të mbeturit pa varre nga diktatura komuniste.

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, Gjon Bucaj, Nazo veliu, Perfaqesia en Vatres, presidenti

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani takon Kongresmenin Mark Gjonaj

September 27, 2013 by dgreca

Nё vijim tё vizitёs nё Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs, Presidenti i Republikёs Bujar Nishani takoi kongresmenin shqiptaro-amerikan tё Asamblesё sё New York-ut, Mark Gjonaj, me të cilin zhvilloi një bisedë vëllazërore.

Presidenti Nishani e uroi pёrzemёrsisht zotin Gjonaj pёr suksesin e tij personal dhe shprehu bindjen se ai do t`i shërbejë me profesionalizëm dhe përkushtim popullit amerikan që e ka zgjedhur, shqiptarëve të New York-ut, që e mbështetën dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Presidenti Nishani shprehu mirёnjohjen e thellё pёr punёn e zotit Gjonaj nё mbёshtetje tё ruajtjes sё identitetit dhe trashёgimisё kulturore tё shqiptarёve tё New York-ut dhe premtoi se do tё jetё mbёshtetёs i fortë aktiv pёr realizimin e kёsaj nisme.

Zoti Gjonaj, pasi shprehu kёnaqёsinё dhe falenderoi Presidentin pёr praninë në mesin e shqiptarëve të Amerikës dhe mesazhet e tij bashkuese të dhëna gjatë kësaj vizite, shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e Qendrёs Kulturore Shqiptare nё New York, e cila ka gjeneruar entuziazёm dhe ka gjetur mbështetje me veprime konkrete nga shqiptarёt e kёtushёm.

Në mbyllje të takimit Presidenti Nishani vlerësoi lart vizionin e zotit Gjonaj, i cili është i vyer për shqiptarët dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured Tagged With: Mark Gjonaj, presidenti

Komuniteti shqiptar i ofron njё tjetёr pritje entuziaste Presidentit Nishani

September 27, 2013 by dgreca

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesё nё njё pritje entuziaste, tё organizuar pёr nder tё Tij nga komuniteti shqiptar, ku ishin tё pranishёm shqiptarё nga New York-u dhe tё ardhur nga shtete tё tjera tё Shteteve tё Bashkuara.

Nё pёrshёndetjen e rastit, Presidenti iu drejtua tё pranishmёve duke i quajtur avokatё tё çёshtjes shqiptare dhe farkёtues tё miqёsisë dhe lidhjeve mes Shqipёrisё dhe vendit mё tё madh tё lirisё, Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs. “Me suksesin tuaj na bёni tё ndjehemi krenarё, sillni prosperitet pёr familjet tuaja dhe i jepni Shqipёrisё e shqiptarёve imazhin e vёrtetё”.

Pasi bëri njё paraqitje tё shkurtёr tё zhvillimeve demokratike dhe politike qё kulmuan me zgjedhjet e fundit tё zhvilluara sipas standarteve tё pёrparuara ndёrkombёtare, Presidenti Nishani nёnvizoi se kultura dhe traditat e pasura, toleranca fetare dhe besa, bashkёpunimi me fqinjёt dhe rrugёtimi i pandalshёm europian bёjnё tё mbajё kokёn lart çdo shqiptar, nё Shqipёri dhe kudo nё botё.

Mё herёt, Kreu i shtetit u takua mё anёtarё tё Dhomёs sё Tregtisё Shqiptaro-Amerikane, me tё cilёt bashkёbisedoi pёr mundёsinё e rritjes sё pranisё sё investimeve nga kompanitё amerikane dhe sfidat me tё cilat pёrballet Shqipёria pёr nxitjen e investimeve tё huaja nё pёrgjithёsi.

 

Filed Under: Featured Tagged With: presidenti, Rusha Tee Room

150 vjet Proklamatë e Emancipimit

January 3, 2013 by dgreca

Dokumenti i rrallë që mban firmën e Presidentit Linkoln, u jep lirinë skllevërve të shteteve jugore/

Këtë vit Shtetet e Bashkuara shënojnë 150 vjetorin e Proklamatës së Emancipimit, një dokument i nënshkruar nga Presidenti Abraham Linkoln që u jepte lirinë skllevërve të shteteve të Konfederatës. Në atë kohë Konfederata kishte hyrë në luftë me Unionin për t’u shkëputur nga Shtetet e Bashkuara. Proklamata hyri në fuqi më 1 janar 1863.
Kohët e fundit Arkivat Kombëtare ekspozuan për publikun një kopie të Proklamatës së Emancipimit. Ky është një dokument tepër i rrallë, pasi është nënshkruar nga Presidenti Linkoln dhe mban gjurmë të vulës presidenciale.
Megjithëse dokumenti nuk arriti të lironte skllevërit në të gjithë vendin, Reginald Washington, një specialist i dokumentave historike në Arkivat Kombëtare, thotë se proklamata hapi rrugën për Amendamentin XIII, i cili e nxori jashtë ligji skllavërinë. Ai foli në një aktivitet për shtyp me rastin e ekspozimit të dokumentit:
“Proklamata solli ndryshime rrënjësore, thjesht me një lëvizje të penës së Linkolnit, duke e shndërruar në moment luftën për të mënjanuar ndarjen e vendit, në luftë për liri njerëzore. Për afro 4 milionë skllevër në zinxhirë, ajo shërbeu si simbol shprese dhe u dha forcë bindjeve të tyre se për ta lufta ishte beteja për të siguruar lirinë”.
Në rrugëtimin e Shteteve të Bashkuara drejt një bashkimi më të mirë dhe më demokratik shtetesh, proklamata mban një vend me peshë, shpjegon studiuesi Washington:
“Proklamata konsiderohet nga shumë historianë dhe studiues si një ndër dokumentat më të rëndësishëm në historinë njerëzore. Disa historianë e rendisin përkrah Deklaratës së Pavarësisë, si një ndër dokumentat më me peshë në historinë e Shteteve të Bashkuara”.
Ekspozimi i dokumentit është një mundësi e rrallë për të apasionuarit e historisë që duan të shohin një relike të Amerikës së shekullit të XIX. Ky dokument rrallë herë shfaqet para syve të publikut. Ndryshe nga Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta, apo Billi i të Drejtave, Proklamata e Emancipimit është shkruar në një letër të cilësisë së dobët dhe ekspozimi ndaj dritave dhe jashtë mjedisit të mbrojtur është shumë i rrezikshëm. Ajo shfaqet çdo vit, por vetëm për pak ditë për publikun, në mënyrë që të shmangen sa të jetë e mundur dëmtimet.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Histori Tagged With: 150, Abraham Lincoln, presidenti, proklamata e emancipimit

PRESIDENTI NISHANI:FLAMURIT TI DALIM ZOT!

November 29, 2012 by dgreca

Ditëlindja e 100-të e shtetit shqiptar është ngjarja më e bukur për çdo bashkëkombës, kudo ku jeton, në Shqipëri dhe jashtë saj. Të gjithë, pikërisht sot, e festojmë mes nesh të bashkuar, të lirë, të fortë dhe me miq të shumtë. Kam nderin dhe privilegjin t’i ndaj me ju këto çaste me anë të këtij mesazhi. Çaste që ndoshta zgjasin vetëm pak minuta, por që janë ndër më të veçantët për mua, ashtu sikurse për çdonjërin prej të gjithë atyre që kanë lindur në këtë vend dhe në trevat shqiptare; për të gjithë bashkëkombësit kudo qofshin; për çdonjërin që krenohet me rrënjët e familjes shqiptare; për çdonjërin që shpalos me dinjitet dhe krenari shenjat më sublime të kombit tonë: flamurin. Prej luftërave të Kastriotëve kundër otomanëve, e deri më sot, simboli ynë, shenja jonë bashkuese, ky flamur të cilin sot në këtë 100-vjetor jemi mbledhur ta nderojmë, ka bërë rrugë të gjatë. Gjatë kësaj rruge të mundimshme, ia kemi arritur nga flamuri ynë të mos ndahemi, flamurit tonë t’i dalim zot. Na e kanë rrëmbyer flamurin dhe ua kemi marrë përsëri e na është bërë më i dashur. Kanë provuar të na e çjerrin, të na e grisin flamurin dhe s’i kemi lejuar. Janë përpjekur të na e zhdukin flamurin duke u munduar të na bindin ta harrojmë dhe ia kanë arritur ta zhdukin për ca kohë, por e kemi nxjerrë përsëri ne nga hiri i harresës. Kanë arritur të na e ndotin duke e ndryshuar dhe e kanë e ndryshuar për ca kohë, por përgjithmonë nuk kanë mundur ta ndotin e ta mposhtin, as ne e as flamurin tonë. Dhe ja ku e kemi sot atë krenar duke u valvitur. Historia e vendit tonë në faqet e saj të shkruara e të pashkruara dëshmon qartë dhe bindshëm për gjakun e derdhur, për sakrificat e pafundme dhe mundin për të mbërritur në ditën e lavdishme të mëvetësisë, kur ëndrrat do të fillonin të bëheshin realitet. Kur shpresat e shqiptarëve do të fitonin të drejtën e jetës. Dhe sot, më shumë se kurrë, ne po jetojmë ditën kur kujtojmë dhe nderojmë punën, vlerën, kontributin e burrave të 1912-ës. Me respekt, me mirënjohje të thellë, me kurajë për të pranuar çdo kontribut të çmuar, të çdo atdhetari e patrioti që bëri të mundur mbërritjen e ditës së madhe, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ne kujtojmë dhe nderojmë ata që na bënë shtet të lirë, që na falën dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e të qenit shqiptar. Sot, njëqind vjet më vonë, më në fund, ne i njohim një për një të gjithë emrat e firmëtarëve të aktit të madh të Pavarësisë, pa turpin e fshehjes së qëllimtë të një pjese syresh. Janë dyzet patriotë, intelektualë, atdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare që firmuan aktin e shpalljes së rrugëtimit në liri të Shqipërisë. Është nder dhe krenari për ne që sot të nderojmë secilin prej tyre dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm që nuk u prapsën nga rreziqet, që i mposhtën dasitë fetare e krahinore, që besuan në ëndrrën e tyre të madhe e të guximshme dhe që me përkushtim, iu përgjigjën thirrjes të atij viti të madh. Sot, ne kemi me çfarë të krenohemi. Nuk është më një vend i boshatisur nga vlerat dhe kujtesa historike apo me fotografi dhe dokumente të fshehura dhe të falsifikuara. Ne nderojmë Ismail Qemal Bej Vlorën, burrin e madh të kombit shqiptar dhe fisnikët trima që u mblodhën kokë më kokë me të. Nderojmë çdo dëshmor që flijoi jetën e tij për Shqipërinë. Në këtë 100-vjetor të lavdishëm të zgjimit tonë dhe të flamurit tonë, përulemi thellë para tyre duke kujtuar me respekt të madh sakrificat sublime që prej shekujsh për këtë flamur shqiptarët kanë bërë. Përpjekjet e papërfytyrueshme të mijëra e mijëra martirëve tanë; lodhjet e tyre, syrgjynosjet e tyre, pasuritë që shkrinë, jetët që dhanë, për këtë flamur. Ka qenë rrugë e gjatë, e vështirë. Një vend i vogël si Shqipëria, pothuaj i papërfillshëm në hartat e fuqive të mëdha, pre e synimeve shoviniste të shteteve fqinje lakmitare, nuk u rrëzua, nuk u shua, u mbajt fort, u ngrit në këmbë, ushqeu me gjakun e vet ëndrrën për liri; shpresën e madhe për pavarësi. Sepse pati bij të mirë që asnjëherë nuk u ngritën kundër një vendi tjetër. Thjesht deshën dhe mbrojtën trojet e tyre. Sot, ne kemi ëndrra dhe shpresa të mëdha. Shqipëria e sotme dhe ajo e nesërmja janë vazhdë e ngritjes së flamurit në Vlorën e 1912. Si krijesa të zjarrta të lashtësisë, energjikë dhe shpërthyes, ne shqiptarët dhe flamuri ynë, nuk mund të ekzistojmë ndryshe veçse në simbiozë me simbolin tonë, me flamurin tonë. Si të tillë, ne dhe flamuri ynë jemi të pandarë dhe të pandashëm; si materia dhe mendimi, ideja dhe veprimi, toka dhe qielli, trupi dhe shpirti jemi një. Flamuri ynë është nga më të pastrit; në asnjë rast të historisë, flamuri ynë nuk i priu asnjë pushtimi, asnjë shkatërrimi. Flamuri ynë na është dashur ne dhe ne i jemi dashur flamurit tonë, si simbol mbijetese, si çimento bashkimi. Aspak për t’i rënë kujt në qafë. Vetëm për të ndihmuar njëri-tjetrin; flamuri ne, ne flamurin, edhe ne edhe flamuri, Shqipërinë dhe shqiptarinë. Të vazhdojmë ta mbajmë të pastër e të paprekur flamurin tonë, simbolin tonë të shenjtë udhëndriçues dhe bashkues. Ashtu si dielli ndrit dhe ngroh botën dhe mban gjallë jetën, ne na ndrit, na bashkon, shpirtrat na i ngroh, rrugën na e tregon, ky flamur. Me pamje frymëzuese, me ngjyra ekzaltuese. Nga më të vjetrit, më krenarët, më madhështorët, më të bukurit në botë, është flamuri ynë. Si President i një vendi të lirë dhe demokratik, më shumë se kurrë pranë familjes evropiane, ju uroj: Gëzuar festën, të gjithë shqiptarëve që në këto 100 vjet një pjesë të jetës së tyre e kaluan të privuar nga e drejta e parë themelore, nga liria! Gëzuar festën të gjithë shqiptarëve, në Kosovë, në Maqedoni e Malin e Zi; kudo ku janë në botë, që kanë shijuar ditën e madhe të lirisë kur u shemb muri i lartë i diktaturës! Gëzuar festën të gjithë djemve dhe vajzave njëzetvjeçarë që lindën në liri dhe sot jetojnë ëndrrën që nuk e jetuan dot të parët tanë! Gëzuar festën Vlorës heroike! Gëzuar festën të gjithë shqiptarëve në të gjitha trevat! Qoftë e bekuar kjo ditë për të gjithë shqiptarët kudo ku janë! Rroftë Vlora! Rroftë Shqipëria! Rroftë kombi shqiptar!

Filed Under: Histori Tagged With: Fjalimi, Flamuri, Nishani, presidenti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT